• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTIMIT TË NJË “LULEJE”- Manjola Mirakaj qe u nda nga jeta me 31 maj 2013

June 1, 2013 by dgreca

“Doje dritë o  qiell, more dritën time

Dhe m’a mbushe jetën plot me hidhërime”/

Nga Eugjen Merlika/

Këta vargje na vijnë ndërmënd instiktivisht, kur përballohemi me humbje të mëdha njerëzore, në rrafshin vetiak, kur ndahemi nga njerëzit e zemrës, me të cilët na bashkon lidhja e gjakut, familja, por edhe miqësia, shoqëria. Përdora shprehjen “humbjet e mëdha”, ndoshta jo shumë të motivuar, sepse largimet nga kjo jetë, edhe pse përbëjnë dukuritë më të zakonshme e më të sigurta të vetë qënies njerëzore, i përjetojmë gjithmonë me dhimbje e trishtim. Por edhe vetë vdekjet, në tërësinë e tyre të pashmangëshme si dukurí, kanë ndarjet e dallimet e tyre. Në këtë vështrim, ato mund të jenë më shumë apo më pak të dhimbëshme, goditëse, traumatike, me pasoja. Dhimbja që shkakton vdekja e një njeriu në moshë të madhe, mbas një jete të kaluar në caqet e natyrshme të një ekzistence të qetë, nuk mund të jetë e barabartë me atë të një tjetre që vjen aksidentalisht apo si pasojë e sëmundjeve të pashërueshme që ndajnë nga gjiri i familjes njerëz në dhjetëvjeçarët e parë të jetës. Është kjo logjika parake e një dukurie, bashkëshoqëruese e parë e historisë së njerëzimit.

Ky arsyetim më erdhi në sitën e mëndjes kur mora lajmin e hidhur të ndrrimit jetë të Manjolës, vajzës së një çifti mik e të dashur, të Lek Mirakajt e Dolores Spahiut, bashkëmoshatarë, bashkëvuajtës, bashkëudhëtarë në “Rrugët e ferrit” të disa dhjetëvjeçarëve të jetës sonë prej “të mbijetuarish” në fushat e përqëndrimit të Myzeqesë. Kishte lindur ajo vajzë e bukur në një ditë janari të vitit 1969 dhe i kishin vënë emrin e një luleje. Ishte rritur në baltërat e Gradishtit, në barakat e mbuluara me eternit kancerndjellës të atij sektori internimi në zemrën e Tërbufit.

Si të gjithë shoqet e shokët e saj, fëmijë të atyre familjeve që Shteti i kishte vulosur me mallkimin e tij të zi të “armikut të klasës”, u rrit duke thithur ajrin e urrejtjes që një kastë kriminelësh e kishte kthyer në frymëmarrjen e përditëshme të shqiptarëve. Ata fëmijë, të lindur n’ata vite e n’ata kushte mjerimi, ishin shprehja më e mirë e qëndresës së prindërve të tyre ndaj diktaturës, e dashurisë për jetën dhe vlerat e saj. Krahasuar me botën e mirëqënies e të lirisë, ku njerëzit ngurojnë të lindin fëmijë për vështirësitë e rritjes e të edukimit të tyre, Manjola, motra e vëllai i saj, së bashku me të gjithë shoqet e shokët e tyre, janë dëshmi e fuqishme e gjallësisë së shtresës, e fuqisë së saj qëndrestare, e prirjes për të përtërirë familjen e traditën e saj, edhe në kushtet më të vështira, edhe atëherë kur shteti proletar i gjithfuqishëm punonte për zhdukjen e saj.

Por fëminia e atyre fëmijëve ishte një kalvar i gjatë dhimbjesh e mundimi, që duhet të rëndojë jo vetëm mbi ndërgjegjet e krimbura të atyre që ndërtuan “socializmin” në Shqipëri. Ata fëmijë u privuan nga gjithshka që sillte gaz në fytyrat e tyre të njoma, që nga lodrat e deri tek studimet. Në moshën dhjetëvjeçare Manjolës i mungoi babai, që duhej të plotësonte numurin e skllevërve të dënuar për të nxjerrë mineral në minierën e Spaçit e jeta i ktheu faqen e saj t’errët, të dhunës, të padrejtësisë, të krimit. Është një krim, madje tepër i shëmtuar, të shkëputet me forcë nga krahët e një fëmije babai i pafajshëm, edhe mbas 35 vjetësh të mbarimit të luftës së dytë botërore, në emër të “luftës së klasave”. Për këtë krim, në gjithë Evropën, ishin t’aftë vetëm komunistët shqiptarë. Çfarë lavdie!

Sot Manjola ka pushuar së luftuari…. Një jetë lufte, me guximin e një heroine, vajza e Gradishtit e kishte filluar që fëmijë e fati desh t’a vazhdonte dhe atje, në botën e ëndrrave, në New Yorkun e demokracisë së madhe. Këtu si fëmijë, e rritur me ushqimet e racionuara, mbi të cilat duhej të kursente për t’i a çuar babit në burg, i duhej të luftonte me padrejtësinë, me të cilën ballafaqohej çdo ditë, duke ndjerë mbi krye ndonjë dorë përkëdhelëse të njerëzve të familjes e duke ëndërruar kthimin e babit në shtëpi, ashtu sikurse shumë shoqe e shokë të saj, të cilëve “shteti i proletarëve” u vrau fëmijërinë me burgosjen e baballarëve. Kur babai u kthye në shtëpi, Manjola qe një adoleshente plot hir që fillonte t’ëndërronte në vetvete një tjetër jetë nga ajo e barakave të Gradishtit.

E kërkoi atë jetë, së bashku me familjen, jashtë Atdheut, që për ta qe njëjtësuar me baltërat e Myzeqesë e me fytyrat e policëve. Familja shkoi në Itali e, më pas, n’Amerikë. Filloi nga zeroja, si mijra familje shqiptare, rrugën e saj, por lirija i dha flatra Manjolës që studjoi, punoi, arriti një mirëqënie e krijoi një familje. Krijoi një familje, në bazë të së cilës ishte jo thjesht dashuria, por adhurimi i ndërsjelltë, me një bashkëshort bashkatdhetar, por që fatmirësisht nuk kishte patur një fëmini “ të djegur”. Nga kjo dashuri lindën Ana dhe Ema, dy engjëllushe që i dhanë jetës një kuptim të ri.

Atëherë kur jeta dukej se kishte hyrë në hullinë e saj të normalitetit, madje të mirëqënies në një shoqëri të lirë, “sëmundja e shekullit” do të trokiste në derën e dy motrave. Ndoshta eterniti, që mbulonte barakat e fëminisë së tyre, shtrinte dorën e tij të  zezë edhe atje larg, në New Yorkun e Statujës së Lirisë. Filloi një tjetër betejë, këtë herë jo me shtetin kriminal, por me sëmundjen kriminale. Shtatë vjet betejash me përbindëshin modern të padukshëm, ku vullneti për t’a mposhtur atë nuk u mpak deri në çastin e fundit, treguan brumin prej të cilit ishte formuar Manjola. Shtatë vjet luftë me sëmundjen, për të dalë fituese, që vajzat të rriteshin e “të mbanin mënd fytyrën e nënës”, kur ajo një ditë do të fluturonte në qiell.

Kjo ide, sa e madhërishme në vetvete aqë dhe prekëse në madhështinë e saj, u bë lejtmotivi i betejës së saj të jashtzakonëshme për jetën. Për fat të keq, jo të gjitha betejat për jetën njerëzore fitohen, pra të gjithë duhet të jemi të pregatitur edhe për humbjen. Por edhe humbja ka pjesën e saj të fitores dhe është mënyra si humbet. Manjola nuk qe një humbëse, në luftën e saj të pabarabartë me të keqen. Ajo nuk u ligështua, nuk hoqi dorë nga ëndrrat, nga projektet për jetën, e sfidoi vdekjen deri në çastin kur qelizat e trupit nuk riprodhoheshin më, fitoi moralisht mbi të. Në këtë betejë të gjatë ajo pati gjithmonë pranë familjen e saj, bashkëshortin, fëmijët, prindërit, familjet e vëllait e të motrës, kushërinjtë e njerëzit e afërm. Ajo pati në anën e saj lutjet e shumë njerëzve, bashkudhëtarë të rrugës së mundimeve të së shkuarës, shokë, miq të familjes, që i dhanë kurajo e forcë në këta shtatë vite të gjata lufte me të keqen. Pati edhe fjalën e fundit të shkencës, sa i përket ndërhyrjeve kirurgjikale e mjekimeve, por të gjitha këto nuk mjaftuan për të evituar tragjedinë, sepse e tillë duhet të quhet ndarja nga jeta e një gruaje 44 vjeçe, me një familje të re, me dy vajza të vogla, me një dëshirë të pafund për të jetuar, me…

Sot është një ditë e hidhur për të gjithë ata që shoqëruan edhe me mendim e shqetësim kudo travajën e Manjolës, është një ditë trishtimi të zi, që na sjell ndërmënd vargjet e mrekullueshme të Çajupit, sepse Manjola me hirin, virtutet, e gjallërinë e portretit të saj, rrezatonte dritë, shpresë e mirësi. Ato do të mbeten të skalitura në kujtesat e atyre që e njohën, që ndanë me të një pjesë të jetës, dhimbjet, luftën, shpresat, lutjet.

Kjo është jeta njerëzore, me misteret e të panjohurat e saj, ku logjika normale nuk arrin të depërtojë, ku e vërteta absolute përmblidhet në një koncept, në dukje të thjeshtë : “Njeriu lind, jeton dhe vdes – kjo është me pak fjalë historia e njerëzimit”.

Duhet të përpiqemi t’a pranojmë të gjithë këtë ligj të botës sonë, edhe atëherë kur vdekja ka një fytyrë përbindëshi si në rastin e Manjolës. Është shumë e vështirë t’u a bëjmë të njohur e të pranishme këtë të vërtetë rrënqethëse dy krijesave të vogla, Anës dhe Emës, që sot përcollën në qiell mamin e tyre. Ndoshta sot ky është misioni i vërtetë i atyre që do të përcjellin në banesën e fundit luftëtaren e pamposhtur …..

Itali, 1 qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika, Kujtimit te nje lulelje, Manjola Mirakaj

Pacientja serbe

June 1, 2013 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/

Të punuarit në spital të jep mundësi të jesh në kontakt me individë të ndryshëm, amerikan apo nacionalitet të huaj. Sapo kisha filluar turnin e natës, ku pacintja që do të merja nga salla e urgjencës për ti bërë x-ray (radioskopi) ishte serbe. Infermieri, një afrikan – amerikan më thotë, po ta le ty këtë paciente, mu duk si shqiptare, por qenka serbe.

Në fillim u turbullova pak, por shpejt e përmblodha veten…

Punoj si ndihmës teknike në spital, në departamentin e radiologjisë pranë urgjencës. Ndihem mirë që kam punë, e që kam mundësi të jap ndihmesën time modeste për njeriun e sëmurë. Sigurisht nuk bëj dallime raciale apo etnike, për të gjithë kujdesem njësoj, por nuk e di sepse u bllokova për një çast nga një lëmsh që më shtrëngoi fytin.

I afrohem pacientes. Ishte vajzë e re, nën konvulcione të forta. Kishte edhe temperaturë të lartë e nga çasti në çast mund të kalonte në koma. Në urgjencë sipër krevatit i kishin hedhur një çarçaf të hollë, që nuk i jepte mundësi të përballonte gjithë atë të ftoht që ndjente brenda vetes, për shkak të sëmundjes që e kishte mbërthyer.

E pyes për emrin, por jo vendin se nga vinte. E para për privatësinë e pacientit, e dyta kolegu sapo më kishte treguar që ishte serbe. Pacientja shoqërohej nga  një vajzë e re. Ishte e motra, me një tualet të rëndë në flokë e në fytyrë, që në përgjithësi femrat shqiptare nuk e aplikojnë në make-up e tyre. Ndërkohë ato mësuan për mua që isha shqiptare. E sëmura qante e vazhdonte të dridhej nga ethet e forta e temperatura e lartë.

Mos u mërzit i them, këtu je në duar të sigurta e do të bëhesh mirë. Mora tri batanie të bardha të ngrohta nga një makineri – mikrovale që mban të ngrohta bataniet e spitalit e i mbulova trupin. Filloi të ngrohej, e të vinte në vehte. U çuditën të dyja, e më thanë njëzëri faleminderit. .

“Montefiore” Hospital në Bronx renditet në një ndër spitalet më të suksesshme tashmë në SHBA dhe numri i të shtruarve është gjithnjë në rritje, e në atë mori pune e fluksi pacientësh gjeta mjekun e saj të rojes, dhe e informova mbi situatën e rëndë shëndetësore në të cilën ndodhej. Mjeku erdhi e pa përsëri e më falenderoi që e vura menjëherë në dijeni, edhe e sëmura me të motrën më falenderuan njëherazi e më vështronin me kërshëri gjatë gjithë kohës që qëndruan në sallën e emergjencës…

Ndërkohë që kujdesesha për të sëmurën, brenda vetes sillja në mendje krimet e masakrat monstruoze serbe ndaj vajzave, motrave e  nënave tona të pa mbrojtuara gjatë luftës në Kosovë. Pjesa dërmuese e të cilave akoma vuajnë nën ato plagë. Apo që po humbin jetën dita ditës, duke lenë fëmijët jetim e duke u braktisur nga familjarët e tyre. Gjithashtu nëpërmjet medias sapo isha njohur, se në Tribunalin e Hagës ish ndihmësi i Punëve të Brendshme të Serbisë Vlastimir Gjorgjeviq kërkonte falje për krimet e kryera në Kosovë, duke deklaruar se, gjatë vitit 1999 janë bërë krime ndaj shqiptarëve. Ai gjithashtu kishte pranuar se ka marë pjesë në fshehjen e zhvendosjen e eshtrave të 724 trupave civile shqiptare në Batajonicë, Petrovo Selo të Klladovës dhe në liqenin Peruçaç.

Mbase edhe vajzat serbe të njëjtën histori – lufte po mendonin, e ndjenin keqardhje, përderisia më shikonin ashtu të habitura… Ndonëse jo…

Maj 2013

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, Mimoza Dajci, Pacientja sebe

Dorëzimi i pavarësisë me marrëveshje

June 1, 2013 by dgreca

Nga marrëveshja në marrëveshje. I këtillë është bërë dialogu Thaçi-Daçiq. Midis Qeverisë sëKosovës dhe asaj të Serbisë nuk ka më dialog në mungesë e si mungesë të marrëveshjes por ka marrëveshje të njëpasnjëshme. Një marrëveshje, disa marrëveshje, shumë marrëveshje, edhe më shumë marrëveshje për zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Thaçi e Daçiq nuk po dialogojnë më – ata po merren vesh, madje shpejt e kollaj, si asnjëherë më parë dhe ashtu siç askush nuk ka mundur ta (para)mendojë. Fjala dialog është zëvendësuar me fjalën marrëveshje.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë që retroaktivisht mund të konstatojmë se dialogu teknik e politik para 19 prillit 2013 paska qenë mosmarrëveshje. Vetë dialogu ishte marrëveshja kryesore qëtash është proliferuar në këtë inflacion të marrëveshjeve të pandërprera për gjithçka ndërkohëqë Kosovës po i mbetet pakçka prej shtetësisë e pasurisë së saj.  Dialogu ishte marrëveshja kryesore meqenëse aty u morën vesh që Serbia të mos kushtëzohet; dhe, u morën vesh që do tëmerren vesh veçse për çështjet e brendshme të Kosovës. Prandaj, ishte kjo marrëveshje kryesore ajo që edhe mundësoi marrëveshjet e tjera por edhe i imponoi ato.

Marrëveshja 15 pikëshe Thaçi-Daçiq dhe kjo tjetra për zbatimin e saj qartazi po shpiejnë te ndryshimi i shumë ligjeve në Kosovë e jo te ndryshimi i Kushtetutës në Serbi. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi po e konsideron normale Kushtetutën e Serbisë dhe jonormale ligjet në Kosovë. Po normalizohet shteti i Serbisë brenda Kosovës dhe Kosova brenda Kushtetutës së Serbisë. Varësia aktive e Kosovës nga Serbia po përkthehet në pavarësi tëAsociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Serbia nuk po e pranon pavarësinë e Kosovës përgjatë marrëdhënies me të, andaj tash Kosova po e pranon autonominë e serbëve. Marrëdhënia me Serbinë që s’na njeh jashtë saj po e normalizon Serbinë brenda nesh.

Sipas marrëveshjes për zbatimin e marrëveshjes së parë të 22 majit 2013, Serbia na tregon vetëm se kë prej zyrtarëve të saj dëshiron ajo që ta fusë në sistemin institucional të Kosovës, ndërkaq Kosova ua jep atyre aministinë dhe ua hap pozitat e postet përkatëse. Gjithçka organizohet sipas parimit etnik e territorial dhe për strukturat paralele shtetërore të Serbisë qëjanë jo vetëm ilegale, por edhe kriminale e armiqësore, tash do të paguajmë vetë ne nga buxheti i Republikës së Kosovës. Pavarësia e Kosovës e shpallur para më shumë se pesëvjetëve nuk po përdoret për ta bërë Kosovës sovrane e me integritet territorial por, përkundrazi, për ta legalizuar e forcuar Serbinë përbrenda Kosovës.

E, megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk po mjaftohet me qëndrimin dhe vendimet e saj në favor të Serbisë. Ajo synon që t’i vulosë ato në shtetin e Kosovës prandaj është paralajmëruar qëmarrëveshjet do të vijnë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës. Kështu, Kuvendi po instrumentalizohet nga Qeveria si organ ku legjitimohen tendencat e saj anti-demokratike, anti-kombëtare e anti-shtetërore. Demokracia po përdoret kundër kombit, shtetit dhe vetëdemokracisë. Kuvendi aktual ka aq shumë deputetë të pazgjedhur nga pozita të cilët nuk duan që Kuvendi të zgjedhë. Por, Kuvendi i Kosovës ka edhe aq shumë deputetë të tjerë nga opozita që e pranojnë Qeverinë si zgjedhë. Qeveria e Kosovës është kushti për Serbinë brenda Kosovës, mirëpo këta deputetë brenda Kuvendit janë mundësia për këtë Qeveri.

Kur para një viti e morën pushtetin në Serbi Nikoliq, Daçiq e Vuçiq, kishte të atillë në Kosovëqë thoshin se më mirë është që tani radikalët dhe nacional-shovinistët e kanë pushtetin atje sesa ta kenë atë demokratët dinakë si Tadiqi që i preferon edhe perëndimi demokratik. Mirëpo, ata mbase do të jenë befasuar me Thaçin i cili i ka rehabilituar politikanët kriminelë të luftës(të familjes së Milosheviqit e Sheshelit) duke pranuar kërkesat e aspiratat e tyre.

Tanimë Thaçi po shihet si politikan i huaj për Kosovën edhe për faktin që diskutohet se a do tëmundet që Kuvendi ta ndal marrëveshjen (përmes mosratifikimit të saj) sepse Qeveria s’mban aspak, asgjë dhe asnjëherë kur duhet të mbrohet Republika e Kosovës, interesi i vendit, vullneti i popullit e pavarësia e shtetit. Thaçi është bërë zëri i Serbisë në Kuvendin e Kosovës që s’po bëhet dot zëri i shqiptarëve.

Po qytetarët shqiptarë të Kosovës, pse ata kryesisht e zakonisht po heshtin? Si bëhet qëmynxyra politike me pasoja afatgjate e cila po e pllakos Kosovën po has në heshtjen e qytetarëve? Në fakt, duket se kjo është vetë përgjigja më parë se pyetja. Marrëveshja 15 pikëshe Thaçi-Daçiq dhe plani i zbatimit për të janë aq të këqija saqë e vetmja mundësi t’ia dalësh disi me to është që thjesht të mos i besosh e të heshtësh për to. Vetëm duke menduar se këto nuk janë të vërteta, vetëm duke mos i besuar ato, arrin të mos përjetosh thyerje nervore. Kushedi, ndoshta pikërisht këtë gjë po e bëjnë jopak qytetarë të Kosovës. Dihet që njerëzit nëKosovë përgjithësisht janë pasivë por jo edhe indiferentë. Duket që tash gjërat janë aq keq saqë s’mund të mbetesh kurrsesi pasiv pa e instaluar me forcë indiferencën brenda vetes. Dhe, më tej, kjo indiferencë mundësohet vetëm si mosbesim i verbër ndaj shqisave tua të shikimit e dëgjimit.

28 maj 2013
Albin Kurti

 

Filed Under: Komente Tagged With: Albin Kurti, dorezimi i pavaresise, me marreveshje

Lufta e UÇK-së nuk ishte luftë fetare, Ju dashamirt e kombit!

May 31, 2013 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

Ne si shqiptarë jemi të ballafaquar me një përplasje të madhe interesash, e pasaçerisht nga ana e fqinjëve tanë, që me gjakftohtësinë më të madhe po i zbatojnë strategjitë e tyre dinake. Edhe pse e drejta është në anën tonë, pa kurrfarë arsyeje po tregohemi të paaftë për të udhëhequr me pozitën tonë gjeografike dhe me të kaluarën dhe të ardhmen tonë historike.

Derisa, forca të errëta mendojnë dhe shpresojnë që civilizimi perëndimor do të rrënohet, ne pa kurrfarë kriteresh dhe pa e shikuar interesin tonë gjithëkombëtar iu mbështetemi atyre forcave duke rrënuar pa pikë mëshire të ardhmen tonë. Nga goja e popullit tonë dhe përvoja e tij mijëra vjeçare mësojmë se “ një herë të vjen vera kah dera”: trimat tanë që deshën t`i dalin zot atdheut u shfaqën në skenën tonë kombëtare duke i treguar asaj ndërkombëtare se ja ku jemi.

Jemi UÇK-ja, një forcë kohezive e një populli të tërë, një populli të mbarë dhe e bëmë atë që e dëshironim – L i r i n ë.

Si i kaluam ato kohëra? Fqinjët dhe vetë armiku me strategjinë e tyre gjakëftohtë na e paraqitkan luftën tonë si luftë fetare. Që nga koha e paraluftës së Kosovës është folur dhe përfolur nga propaganda serbe, greke dhe ajo sllave në përgjithësi, për celulat e terroristëve islamikë në mesin tonë, në Kosovë, duke u përdorur si arma më e fuqishme kundër përpjekjeve tona për pavarësi.

A ishte UÇK-ja islamike?

Serbia dëshironte që luftën tonë çlririmtare në Kosovë, ta kthejë në luftë fetare. Atëherë sikur lufta jonë të hidhej në përkufizimet fetare ajo luftë nuk do të kishte përfunduar kurrë. Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës iu bashkëngjitën me mijëra djem e vasha nga Kosova, shqiptarë e shqiptare nga Amerika, Gjermania, Franca, Zvicra, Britania e Madhe, të mos i përmend të gjitha shtetet, kurse propaganda serbe dhe ajo antishqiptare thoshte për mijëra muxhahedinë nga Lindja e Mesme dhe pjesëve tjera të botës që po iu bashkohëkan UÇK-së në luftë kundër Serbisë.

E pranoi UÇK-ja këtë propagandë sa armiqësore aq edhe ndjellakeqe? JO. E pranon UÇK-ja, se në mesin e tyre paska pasur shumë shqiptarë që kanë folur rrjedhshëm gjuhën arabe për t`u marrë vesh lehtë me muxhahidinët? JO.

Por, edhe më i keq ishte lajmi nga Pakistani, në tetor 1998, ku mbahej Konferenca Islamike “se separatizmi shqiptar në Kosovë e Metohi karakterizohej si “gjihad “.(luftë e shenjtë). Me të vërtetë, lufta e UÇK-s ishte luftë e shenjtë kombëtare por jo, kurrën e kurrës fetare. Derisa para dhe gjatë luftës “raportohej” për ardhjen e luftëtarëve islamikë për t`iu bashkuar UÇK-së, gazeta “The TIMES”( Londër, 26. 11.1998) shkruante: ”Derisa për shqiptarët muxhahidinët paraqesin një katastrofë publike, presidenti Millosheviq e forconte regjimin e tij duke portretizuar luftën e Serbisë si luftën e tyre të mbrojtës së Evropës nga Islami.

Pse, ne paskemi qenë ata dhe tani jemi ata që po ia hapkemi dyert islamizmit në Evropë? E pranon UÇK-ja këtë? E pranojnë të gjallët e UÇK-së t’iu shtrembërohet qëllimi i luftës së tyre? Them unë, themi të gjithë se JO.

Edhe serbët e dinë, edhe bota myslimane e ajo e krishtere e di shumë mirë që në radhët e UÇK-së ka pasur shqiptarë të të gjitha besimeve, jo vetëm si ushtarë por edhe si komandantë dhe se kanë kontribuar me të holla e armatim shqiptarët e të gjitha konfesioneve fetare. E gjithë bota e di se shqiptarët e të gjitha feve e besimeve kanë qenë të masakruar, të çnjerëzuar, të djegur e të dëbuar e të depërtuar. Të gjithë që nga Lindja e Perendimi, nga Veriu e Jugu e dinë që polici, ushtari, paraushtaraku serb nuk ka vrarë se pse ishim myslimanë, apo sepse ishim katolikë, por se pse ishim shqiptarë.

“The Scotsman”, më 30.11. 98, nga gazetari Chris Stephen raportonte nga Prishtina: ”Përafërsisht një e katërta e UÇK-s janë shqiptarë jomyslimanë dhe se gjatë gjithë kohës lufta me serbët ortodoksë, lufta e shqiptarëve nuk është luftë fetare por kombëtare.”

“The Scotsman” i cekte burimet e larta të UÇK-së: “ Është qëndrim i qartë se ne nuk i duam ata (muxhahidinët) në mesin tonë, dhe asgjë nga ata. Edhe pse ishim të këshilluar nga miqtë tanë, ne kemi pasur parasysh këtë edhe më herët“.

Ju, të nderuarit e luftës na thuani a ishte kjo e vërtetë?

Në librin e tij Ahmet Davudoglu “Thellësi strategjike – Pozita ndërkombëtare e Turqisë” (Logos , Shkup, 2010) shkruan: ” Kriza ballkanike ajo kosovare dhe boshnjake, pothuaj se u shndërrua në operacion likuidimi të identitetit islam dhe osman”. Publicisti dhe historiani francez Thomas Ferrier shkruan se ka qenë fat dhe mençuri e shqiptarëve që nuk kanë marrë pjesë në luftën e Bosnjës.

Serbia nëpërmjet të elaborateve të Garashaninit, Çubriloviqit, Andriqit dhe më herët gjatë kohës së osmaneve në rend të parë e kishte synimin në ndryshimin e dhunshëm të strukturës etnike të Kosovës. Me raprezaliet e tyre qëllimi kryesor i tyre ishte jo mbrojtja e Evropës nga Islami, por zhbërja e shqiptarëve. Nëse për ministrin Davutoglu ”çdo xhami e shembur në Ballkan, çdo institucion islam, çdo element tradicional, janë një gur themeli i shkulur nga ndikueshmeria e Turqisë në këtë zonë, është e pashmangshme mbrojtja e gjallë e kulturës otomane-islame “ (Thellësia strategjike), atëherë duhet t`i themi se nëse e kanë kullotur livadhin, nuk do të thotë që t’iu jepet e drejta kadastrale mbi ato kullosa tona.

Duhet gjerësisht lexuar i respektuari shkencëtari francez Alain Ducellier, i cili thotë, se “sllavët janë ata që erdhën në shekullin 7-të në një rajon iliro –shqiptar të lashtë sa vetë Antikiteti”.

Kurse zonja Giselle Kurti-Clerc shkruan: ”Shqiptarët dhe historia e tyre janë ende objekt i dhimbshem i manipulimeve. Kështu çdo popull tenton të përvehtësojë një pjesë të historisë së tyre në mënyrën e një recepti, të një kuzhine, të së cilës i shtohen mëlmesa në mënyrë që historia ta ruajë shijen speciale të dëshirës së tyre.”. Kjo referencë e ka një të kaluar fiktive që bëhet shkak i argumenteve pseudo-historike të politizuara dhe bëhet armë e rrezikshme në duar të atyre që duan të nxjerrin përfitime. Në intervistën dhënë revistes “Turkish Review” Davutoglu thotë: ”Në një mjedis krize dhe kaosi nevojitet një elitë e re, dhe Turqia i ka kapacitetet e saj dhe afron potencial të pashoq që t’i përmbushë nevojat e atij vendi. Turqia duhet t`i rizbulojë rrënjët e veta”.

Në një rast tjetër ai deklaron: “Koha Otomane në Ballkan ishte një sukses i madh. Ajo duhet të kthehet përsëri.” Nuk guxojmë të harrojmë “zemërgjerësinë” e tij kur thotë që “ Turqia është parajsë dhe vend – shtëpi e sigurt për boshnjakët, çeçenët dhe shqiptarët dhe nuk është vështirë të shkruhet mbi të bardhën” .

UÇK-ja e pranon këtë?

Duhet cekur se Serbia nuk përmendet në asnjë nga deklaratat e tij. Duhet menduar mirë se si jemi të përkëdhelur në mënyra të ndryshme nga këndi Alfa i trekëndëshit brinjëndryshëm ABC. Pra, në këto përplasje interesash ne merremi me emocione, nuk tregohemi aspak të atillë që jemi duke e parë të vërtetën në sy.

Filed Under: Komente Tagged With: Fahri Xharra, Lufta e UCK-se, lufte fetare, nuk ishte

Rrugëtimi nëpër mjegull i shqiptarëve në Malësi

May 31, 2013 by dgreca

Nga Robert Ivezaj /

Shqiptarët në rrjedhën historike më tepër ishin të sunduar, sesa që ishin sundues. Të ballafaquar me sundues të ndryshëm, vazhdimisht ishin në procesin e asimilimit të substancës kombëtare. Prandaj, sot ka serbë, malazezë, maqedonë, boshnjakë, turqë, grekë etj. me rrënjë shqiptare, por rrallë dhe gati asnjëherë nuk kemi rast që të kemi të kundërtën. Për fat të keq kjo dukuri vazhdon edhe në ditët e sotme, sidomos në trojet shqiptare në Mal të Zi. Procesi i asimilimit është në fazën përfundimtare në trevat shqiptare në Rozhajë, Plavë e Guci dhe Tivar, e që këto treva, jo shumë kohë më parë ishin të populluara me shumicë mbi 90% shqiptare. Fatkeqësisht, ky nuk është fundi, tashmë duket se radhën e ka Malësia e Madhe, e cila veç ka hyrë në procesin e asimilimit dhe me shpejtësi të madhe kjo dukuri po ia gërryen rrënjët e saj. Malësia e Madhe vërtet ka një të kaluar të ndritur, me të cilën gjeneratat e sotme krenohen. Parashtrohet pyetja se a kemi pse të krenohemi me të tashmen, dhe a do të krenohet kush në të ardhmen me gjeneratat e sotme? Pra, nëse kjo tendencë vazhdon me këtë ritëm, a thua do të ketë kush apo me çka të krenohet? Shqiptarët e Malësisë sot gjinden në një situatë komplekse, me probleme të shumta politike e ekonomike, të cilat po shkaktojnë dobësimin dhe rrallimin e “bimës” kombëtare. Situatë e cila nuk filloj sot, por shumë kohë më parë e që është në vazhdimësi. Ndërgjegjja kombëtare në mesin e shqiptarëve këtu është në nivel të ulët dhe dita ditës po zbehet më shumë. Kështu, tkurrja dhe mungesa, e ne shumicën e rasteve, mohimi i ndërgjegjes kombëtare po rezulton me shkallën dalluese të humbjes së imunitetit ndaj asimilimit. Që nga fillim shekulli XX, por edhe më herët e deri sot në Mal të Zi, sllavët me aparaturën e tyre ushqyen përbuzje dhe urrejtje ndaj shqiptarëve. Sundues, i cili urrente të sunduarit, ku reflektimi i urrejtjes së sunduesit ishte më i madh sesa e kundërta dhe, si i tillë, ishte dhe është ne përpjesëtim të zhdrejtë! Duke qenë në numër të vogël, të shtypur, diskriminuar, pa fuqi dhe pa përkrahje, para së gjithash nga shteti amë, edhe vet shqiptarët u frustruan, duke vënë si barrë dimensionin e frikës, e cila kaloi në “bindje”; se të jesh shqiptarë, të flasësh gjuhën shqipe, të duash flamurin shqiptar, pra të jesh vetvetja, është diçka e keqe, diçka nga e cila nuk përfiton por humb. Aty dhe qëndron fillimi i dobësimit të ndërgjegjes kombëtare, mohimit të vetvetes. Përderisa shteti i Malit të Zi identifikohet dhe është tashmë i dallueshëm në qarqe evropiane, si një shtet demokratik e qytetar, duke vendos maskë fallco para Bashkimit Evropian dhe, duke proklamuar atë si një bashkim kombesh/shtetesh (ku kufijtë dhe dallimet nuk ekzistojnë), tenton që shqiptarët t’i konvertoj në “kozmopolit”, duke i zhveshur përfundimisht ata nga çdo element nacional, kurse vet gjithmonë, duke ruajtur nacionalizmin e tyre të theksuar, në përmasa tejet radikale në krahasim me ne, pra me nacionalizëm sllav. Për dobësimin/përkeqësimin e ndjenjës kombëtare, si një formë mjaft efikase për asimilimin më të lehtë të shqiptarëve, pushtetet e kaluara në Jugosllavi, e që vazhdon edhe sot, kanë përdorur metoda të ndryshme, përsëris, metoda që edhe te vet shqiptarët të krijojnë bindje/frikë e që krejt kjo ka kaluar në frustrim, se të jesh shqiptarë do të thotë të dallohesh nga të tjerët, por në kuptimin negativ. Shtimi i prapashtesës “ viç-q” mbiemrave shqiptar, ishte një metodë e fillimit të asimilimit më të lehtë (e hyrjes në qef malazezëve!). Edhe përkundër lehtësimit të procedurave të përmirësimit të emrit/mbiemrit dhe mundësisë së shkruarjes së tyre në gjuhën shqipe në dokumente zyrtare, shqiptarët ende mbajnë prapashtesën “ viç” në mbiemër. Nëse emri dhe mbiemri tingëllojnë shqip dhe të shkruara në gjuhën shqipe, në shikim të parë është një vetëdeklarim i asaj që je, gjë e cila shpesh zgjon antipatinë e një punonjësi (sllav) në një zyre, institucion apo shërbim publik (shkollë, spital, polici etj) ndaj një shqiptari i cili kërkon kryerjen e ndonjë shërbimi apo procedure, si e drejtë e çdo qytetari. Nga vet fakti që kombësia e tij të jetë e theksuar, ai shpesh mund të diskriminohet në forma të ndryshme. Nëse jo më shumë, atij në vend që t’i bëhet një lehtësim, do të përballet me të kundërtën. Prandaj shqiptarët edhe mund të zgjedhin që etnia e tyre të mos bjerë në sy. Mbiemri i sllavizuar është një hap drejt boshnjakëzimit të shqiptarëve të besimit islam (një faktor që veç ekziston në Malësi), si dhe sllavizmi i shqiptarëve të besimit katolik. Edhe sot, te pjesa e madhe e shqiptarëve ne Malësi dhe në treva tjera shqiptare, mbiemrat e sllavizuar janë aktual dhe me ta si të tillë edhe identifikohen. Shkallë kjo qe i ka tejkaluar format e “turpit” individual fisnorë dhe atij kolektiv. Ku aspak nuk është “turp” t’i prezantohesh dikujt dhe të identifikohesh si Iveziç, Dedvukoviç, Ljuljanoviç, Ljuljdjuroviç, Berishiç, Ujkiç, Pepiç, Camoviç, Gjonoviç, Giliç, Gjokoviç. E gjithë kjo kërkon sqarim, ndoshta edhe diçka më tepër, kërkon ngritje të zërit dhe mosdegjueshmëri qytetare ndaj kësaj dukuri. Fillimisht, ndoshta do të ishte mirë që këtë vazhdimësi të fillit asimilues ndër shqiptarë ta ndërprejnë intelektualët tonë. T’i identifikojmë ata, dhe fillimisht, t’u kërkojmë atyre që të kthehen në rrënjë! Shkollimi është një tjetër factor, i cili është në disfavorin e shqiptarëve. Programi mësimor në shkollat fillore dhe të mesme nuk është adekuat dhe nuk përmbushë kërkesat, që nxënësit shqiptarë duhet t’i mësojnë, sidomos në historinë kombëtare. Përderisa në nivelin lartë universitarë studentët shqiptarë në Mal të Zi kanë vetëm një mundësi të studimit në gjuhen shqipe, atë të mësuesisë. Studentët shqiptarë, për të studiuar në gjuhën shqipe, janë të detyruar të studjojnë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni, por ka shumë nga ata që nuk kanë mundësi financiare për një gjë të tillë. Një pjesë tjetër zgjedhin të studjojnë në gjuhën sllave, dhe jo në gjuhën shqipe, duke shpresuar se pas përfundimit të studimeve do ta kenë më të lehtë të punësohen. Një tjetër dukuri e cila ekziston në përgjithësi në Mal të Zi, e sidomos për shqiptarët, është punësimi në bazë të librezës partiake. Jo rrallë, si parakusht, aplikuesit për një punë, sqarojnë se si (direkt apo indirekt) udhëzohen që, së parit, të anëtarësohen në partinë në pushtet. Nga mungesa e ndërgjegjes, apo dhe nga situata e vështirë ekonomike, këta njerëz harrojnë faktin se bëhen mall për shitje. Si rezultat i gjendjes së mjerueshme politiko-ekonomike, e theksuar sidomos në trevat ku shqiptarët janë shumicë, emigrimi për dekada të tëra ishte në nivel tepër shqetësues. Shqiptarët nën presion dhe të diskriminuar, por gjithmonë të lehtësuar të emigrojnë, lëshuan trojet e veta më shumë se çdo popull tjetër në Ballkan. Është fakt se 2/3 e shqiptarëve nga Malësia jetojnë në SHBA. Në anën tjetër shpërngulja e organizuar e boshnjakëve nga viset veriore të Malit të Zi, në Dhe të Zi (Karabushko Pole), që sot numërojnë rreth 3000 banorë, numër i cili rritet nga viti në vit, shtron pyetjen: “Pse pikërisht në Malësi?” Emigrimi i shqiptarëve dhe vendosja e boshnjakëve në Malësi, është një plan i ndërrimit të strukturës demografike të popullsisë e unë do të shtoja, ndryshim të etnisë. Plan ky i cili po realizohet gradualisht, por me sukses. Malësia, e cila ishte gati 100 për qind e populluar nga shqiptarë autokton, tashmë gati është balancuar me jo-shqiptarët. Pa qit këtu në harresë edhe martesat në mes shqiptarëve dhe këtyre ardhacakëve, që vetëm shtojnë dhe përshpejtojnë asimilimin. Se sa të pranuar dhe të barabartë janë shqiptarët dhe simbolet e tona kombëtare nga ana e shtetit malazez, shumë mirë e dëshmon edhe “Ligjit mbi Rendin dhe Qetësinë Publike”, i cili sanksionon përdorimin e simboleve tona kombëtare me gjobë në të holla deri në 5000 euro, apo burgim (personi juridik do të dënohet me 2.500 deri në 5000 euro, kurse për personat fizik gjoba do të ishte 100 deri në 500 euro, apo 30 ditë burgim). Se Flamuri ynë kombëtare konsiderohet si ndonjë armë e rrezikshme (u dëshmua edhe në aksionin famëkeq të 9 shtatorit të 2006), kur me rastin e bastisjeve, policia sekuestroi flamujt shqiptarë, si material dëshmues për “terrorizëm”. Një ndër të drejtat themelore të qytetarëve është e drejta për vetëqeverisje lokale. Një tjetër e drejtë, e cila i është shkurtuar shqiptarëve. Shqiptarët e Malësisë shpesh herë u përdorën për tregti politike të këtij pushteti, por edhe të subjekteve politike shqiptare. Ky pushtet para çdo zgjedhje ka premtuar Komunën e Malësisë me qendër në Tuz. Kanë kaluar shumë marrëveshje e nënshkrime, por çdo herë kanë përfunduar për t’ia nisë me një premtim tjetër. Tashmë lindi një premtim i radhës, duke u mbështetur në “Ligjin për organizimin territorial”, komuna duhet kaluar përmes një referendumi konsultativ, një metodë tjetër për zvarritjen e kësaj çështje. Një referendum i cili edhe nëse dëshira e qytetarëve kalon, do të varej nga dëshira e pushtetit, i cili duket qart se nuk dëshiron një komunë ku shumica (së paku për momentin) është e populluar nga shqiptarë autoktonë. Popujt e sunduar, të cilët jetojnë jashtë shtetit amë, apo nuk kanë shtet amë, përballen me asimilimin. Shqiptarët vërtet kanë shtetin amë, i cili ka detyrë morale por edhe ligjore t’i ndihmojnë dhe mbrojnë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në Nenin 8, Pika 1 (Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj), edhe garanton mbrojtjen e shqiptarëve jashtë kufirit politik të saj. Çka bëri Shqipëria zyrtare në këtë drejtim? Nuk bëri asgjë! Për Kosovën, shtetin tjetër shqiptar, as mos të flasim. Atë disi po mundohemi me e arsyetuar për faktin se shteti i Kosovës ende është në procesin e formimit. Por, Shqipëria zyrtare dhe diplomacia e saj, mund të mësojnë nga Serbia, që diplomacia e saj po bën të pamundurën për mbrojtjen e serbeve brenda shtetit të Kosovës. Po ashtu, edhe nga Mali i Zi, i cili kushtëzon Kosovën për shkëmbimin e misioneve diplomatike me njohjen e një bashkësie etnike malazeze, e cila jeton në Kosovë, për të cilën kërkon ta njohin me atribute të kombësisë në kushtetutë. Të mësojnë nga veprimi i shtetit grek, se si veprojnë ndaj pakicës “greke” (shqiptarë të greqizuar) në jug të Shqipërisë, ose nga shteti serb, i cili në qytetin e Fierit investon në hapjen e shkollës serbe për disa familje serbe! Kemi dëgjuar nga zyrtarë shqiptarë, që për ndihmën e tyre, fillimisht duhet të jemi kompakt në kërkesat tona. Vërtet duhet të ishte ashtu, por shqiptarët në Malësi janë në gjendje aq të mjerueshme, sa që edhe për një fillim të tillë është e domosdoshme ndihma e shtetit amë, e atyre që e kanë për detyrë, se pari morale e mbi të gjitha kushtetuese. Subjektet e shumta politike shqiptare në këto troje e kanë humb çdo kuptim. Ato më shumë shërbejnë për tregti dhe dekor… Në fund të fundit ato vetëm pasqyrojnë gjendjen e shqiptarëve këtu. Jemi në një fazë kritike, e cila pa ndihmën e shtetit amë dhe ndërkombëtarizimit të kërkesave tona, do të humbim edhe çka ka mbet, të hutuar në mjegullnajën e rrugëtimeve tona!

Filed Under: Komente Tagged With: i shqiptareve te malesise, Robert Ivezaj, rrugetim neper mjegull

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 475
  • 476
  • 477
  • 478
  • 479
  • …
  • 486
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT