• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IMZOT VINÇENC PRENUSHI: DËSHMI DRITE NË ERRËSIRËN  E DHUNËS KOMUNISTO-BOLSHEVIKE SHQIPTARE

March 19, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

19 Marsi shënon ditën që Kisha Katolike universale pёrkujton festёn liturgjike kishtare tё Ipeshkvit martir shqiptar të Lum, Imzot Vinçenc Prennushit, në përvjetorin e vdekjes së tij në burg si martir i Kishës Katolike dhe i Kombit Shqiptar, në kohën e regjimit komunist, më 19 mars 1949, nën tortura të regjimit diktatorial bolshevik komunist të Enver Hoxhës. Për lexuesit që mund të jenë të interesuar në anën shpirtërore të rëndësisë së kësaj dite,  mund të lexojnë shkrimin,  me këtë rast, në portalin e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe Festa e tё Lumit Imzot Vinçenc Prennushi, martir – Vatican News.

 Por në këtë ditë të vdekjes unë dëshiroj që, shkurtimisht, të ndaj me lexuesit e sotëm disa kujtime të shkrimtarit dhe poetit, të ndjerit Profesor Arshi Pipa, i cili e ka cilësuar Imzot Vinçenc Prenushin si “Simboli i të së kaluemes së Shqipënisë me të cilin ne mburremi”!  Kujtimet e tija për Prenushin janë të periudhës kur ai vet ishte i burgosur me Ipeshkvin martir të Kishës Katolike Shqiptare në Mars të vitit 1949, kur prelati i lartë i Kishës Shqiptare vdiq në burgun e Durrësit, nën torturat më çnjerëzore që mund të imagjinoheshin, atëherë dhe sot, i akuzuar si “armik i popullit.”  Profesor Pipa rrëfen një bisedë që ka pasur me Prenushin gjatë të cilës prelati i lartë kishtar i kishte folur për një takim të tij me Enver Hoxhën, i ftuar, qellimisht, nga diktatori për t’i imponuar Imzot Prenushit pikëpamjet komuniste të tija ndaj fesë.  Ndonëse Enveri nuk kishte mundur ta bindte, ka kujtuar në esenë e tij Prof Arshi Pipa, Vinçenc Prenushi, si përfundim, përfunduar në burg, ndërkohë që Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim të ashpër kundër ipeshkvit katolik.   

Në  esenë, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”, botuar në “Flije Atdheut”, Profesori Arshi Pipa ka kujtuar ditët në burgun e regjimit komunist në Durrës me mikun dhe bashkëvuajtësin e tij, me atdhetarin dhe njeriun e kulturës shqiptare dhe me martirin e Kishës Katolike, ndërsa ka rrëfyer se si me duart e tija ia kishte “mbyllur sytë, sytë e lodhur e të shterur”, kur dha shpirt nga torturat çnjerzore, Imzot  Prenushi — klerikut të lartë katolik shqiptar, por njëkohësisht edhe të shkrimtarit, poetit, përkthyesit, publicistit dhe një studiuesi të rëndësishëm. 

                             Gjatë viteve në burg pas ardhjes së komunizmit në pushtet, si kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Prof. Arshi Pipa kujtonte se ishte njoftuar dhe kishte lidhje dhe miqësi të ngushta me përfaqësues të lartë të klerit katolik shqiptar, bashkëvuajtës me ’ta, në birucat e tmerrshme të burgjeve të Enver Hoxhës – aty ku të gjithë ata që kundërshtonin regjimin komunist vuajtën “mundimet e territ” , shkruante ai– përfshirë ndër ta edhe Ipeshkvin Vinçenc Prenushin. Për Prenushin, Profesor Arshi Pipa shprehte admirimin e tij duke shkruar se, përveç se ai pasqyronte shumë vlera dhe virtyte, “Ishte i butë në shpirt, e i paqtë, thellë i devotçëm, i kushtuem kryekëput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue – me një urtësi të bindshme – dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen e tij për letërsinë.”  Profesori i nderuar, Arshi Pipa e ka cilësuar Vinçenc Prenushin si një njeri të cilin nuk e interesonte aspak politika, ndërsa ishte gjithmonë i buzëqeshur në të folur, zemërgjerë në gjykime, i qetë e i sigurt në qëndrimet e tija të patundura.

                               Albanologu Robert Elsie e rendit Vinçenc Prenushin, pas At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës, si njërin prej shkrimtarëve më të vjetër dhe më të respektuar të Shkodrës dhe të letërsisë shqiptare.  I njohur dhe shumë i respektuar në kohën e tij, si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët, të cilët e quanin Imzot Prenushin “melek” që do të thotë “engjëll”, për respektin që ai gëzonte në mbarë shoqërinë shqiptare në kohën kur jetoi, ka kujtuar Imzot Prenushin,  albanologu gjerman Robert Elsie.   

Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”, Arshi Pipa vë në dukje jo vetëm vuajtjet dhe mundimet në duart e regjimit komunist. por ka venë në dukje edhe vlerat kombëtare, njerëzore, kishtare dhe letrare të Vinçenc Prenushit, duke theksuar se, “Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare, i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.”   Pipa ka shkruar se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri prej përfaqsuesve të dalluar të letërsisë kombëtare, “Imzot Prenushi nuk do ta kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë, në të njajtën kohë, jo vetëm kundër fesë, por edhe kombësisë.”         

I burgosur, i rrahur e i torturuar, “Lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa për mikun dhe bashkëvuajtësin e tij Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve sot nëse mund të: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”. Është ky përfytyrim, të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën e tij para vetes së tij.  Ishte ky përfytyrim e të tjerë si ky, që e bënte atë të papajtueshëm me komunizmin të cilin e luftoi me të gjitha energjitë e tija.  Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, të cilit i referohet: “Këtij simboli të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën na mburremi, këtij njeriu i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat dhe ndryhet në burgje dhe torturohet”, megjithëse Imzot Prenushi vuante nga zemra dhe astma.

Profesor Arshi Pipa përfundon rrëfimin e tij prej poeti, për vuajtjet dhe mundimet dhe për kohën e kaluar me Imzot Vinçenc Prenushin në burgun e Enver Hoxhës në Durrës, duke përshkruar ditët e fundit me të, ndarjen nga kjo jetë të prelatit katolik shqiptar, 70-vjetë më parë:   “Atë natë kishte zjarr në vatër. Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhur e të shterur, që aq shumë kishin vuajtur për dritë, m’u duk se pashë në fytyrën e tij të hajthët, të shkrirë, të paqtë, mbas aq shumë mundimesh, nji ndriçim jo të zakonshëm.  Ndofta mua më bajshin sytë e përlotur, ndofta nuk ishte veçse një reflex i flakërimeve të kuqrremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropzat e syve.  Por, ndofta ishte diçka tjetër.  Shpirti që në grahmat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj kur dhimbja të prajë, të pushojë si ujt prej lymit që e pat trazuar.  Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë se si njerzit vdesin për ideale”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa në dëshminë e tij për natën kur është ndarë nga kjo jetë Imzot Vinçenc Prenushi, atë natë të zezë të 19 Marsit, 1949 – 75-vjetë më parë!

Frank Shkreli 

Filed Under: Komente

FUQIA E DËMSHME E PASQYRIMIT

March 16, 2024 by s p

Zija Vukaj/

(Nevoja e një kodi deontologjik)

Meqenëse njeriu i ka kthyer veglat në armë, nga nevoja apo nga mania, nga domosdoshmëria për t’u mbrojtur apo nga etja e destruksionit, grupet e njerëzve të të njëjtit lloj (në fushën e zanatit, të profesionit apo të artit) kanë krijuar kodin deontologjik. Ne njohim si kodin e parë deontologjik betimin e Hipokratit:

Përmbajtja e betimit:

“Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të njerëzimit. Ndaj mësuesve do ta ruaj mirënjohjen dhe respektin e duhur. Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë. Kolegët e mi do t’i konsideroj si vëllezër të mi. Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek unë nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë absolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e njerëzimit. Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal.”

Brenda një harku të shkurtër kohor, në mjaft kanale televizive, në emisionet e lajmeve, shikuesi shqiptar ka parë dhjetëra kronika të zeza, me variacionet më të paimagjinueshme të krimeve që monstra të caktuara njerëzore kanë kryer në frekuencën e rregullt të ekzistencës së tyre. Diku një burrë që vret gruan; diku një grua që vret burrin; diku një baba që vret nënën e dy fëmijëve; diku një dhëndër që plagos me thikë babain dhe nënën e nuses; diku një djalë që vret prindërit se nuk i kanë dhënë para, diku një emigrant që vret vëllain e një vajze, aspirante për të qenë e fejuara e tij, një vëlla që vret me qetësi vëllain dhe kunatën e vet etj., etj. Dhe më pas vjen rekuizita: një hanxhar me dy tehe, si i ardhur nga librat e simbologjisë së Pier Grimalit, një sëpatë e mprehtë, një pushkë model 56; një kallashnikov a scorpions etj., etj. Pastaj teatri i gjëmave që kanë ndodhur: shtëpi të hapura për mort; gra e burra të vrenjtur e me pamje pikëlluese; vargje njerëzish të zymtë nëpër ceremoni mortore nëpër monopate fshatrash apo lagjesh. Dhe gjithmonë persona që ikin në drejtime të paditura dhe lot të pafajshëm nënash dhe foshnjash. Gjithë ky një realitet shqiptar!

A ndodhin këto? Ndodhin. A duhet të kërkohen dhe të jepen me kaq zell nëpër kanale televizive? A kanë ndikim tek shikuesit këto pamje? Dhe cili është efekti i tyre? Si ndikojnë pamjet makabre, që ne i shohim përnatë pa ndalesë, në psikikën e njerëzve të veçantë. Thuhej në Greqinë e lashtë: ‘Nuk duhet të shkojnë në teatër gratë athinase për të parë ‘Medean’ e Euripidit, sepse ka mundësi që sapo të kthehen në shtëpi të vrasin burrat e tyre.” Kjo thënie mbështet forcën që skena ka mbi njeriun. Tani ne e kemi ‘teatrin’ nëpër shtëpitë tona. Një nga sekretet e pushtetit të medies është etja për të imituar çdo gjë që vjen nga ajo botë magjike që na shfaqet nga ekrani. Aty është fuqia e magjepsjes, aty është dëshira e imitimit; aty është justifikimi i çdo devijimi që bëhet në jetën tonë, me kusht që t’i ngjajë devijimeve të personazheve të skenës. Të rinjtë janë të etur t’i ngjajnë çdo psikopati dhe individi me shkallë të llahtarshme perversiteti që shohin nëpër ekrane. Kemi parë sharlatanë, barbonë, pseudokëngëtarë, pseudoartistë, që janë përzënë nga bodrumet e metropoleve të Evropës, kanë vuajtur edhe dënime si delinkuentë fare ordinerë dhe shfaqen para publikut tonë si përfaqësues rrymash muzikore moderne, kur nuk kanë pasur rastin të njohin as pentagramin, as alfabetin e gjuhës së tyre amtare. Dhe të rinjve të sotëm që i shohin nga ekrani, u duken heronj dhe vdesin t’u ngjajnë.

Është i paparashikueshëm numri i njerëzve që shohin një kronikë në tv. Është edhe më i paparashikueshëm dhe i panjohur niveli kulturor i tyre. Është e panjohur dhe e frikshme psikika dhe gjendja e tyre mendore. Për një pjesë dhënia e një kronike të zezë në mënyrë aq të detajuar, mund të jetë shumë e mirë. Mund të nxisë mendime dhe reagime pozitive. Mund të shërbejë për të demonstruar gjërat që nuk duhen bërë. Ndërsa për një pjesë tjetër, ndoshta edhe më të madhe, këto kronika bëhen etje imitimesh, përvetësim teknikash krimi, plotësime etjesh sadiste të fjetura në subkoshiencat e individëve që me pak nxitje i vënë në lëvizje. Turma është e paparashikueshme. Ka ligjet e veta. I mungon gjithmonë logjika, i mungon meditimi, nuk mendohet kurrë; është një kafshë e stërmadhe dhe e frikshme; vepron me një gjysmë komande; i mungon hapësira e dëshiruar dhe manipulimi ndaj saj është i lehtë. Mjerisht, gjërat e pasakta, informacionet e shtrembëra, sjelljet brutale e devijante, balta e hedhur ndaj gjërave të rregullta, ofendimet deri në linçim, folk- shkenca e sidomos perversitetet e koleksionuara dhe të përqendruara në “shtëpinë më të fisme”- Big Brother, mbushur plot VIPA, janë pjesa më e pëlqyer, më e kërkuar, më spektakolare, pas së cilës turma çmendet, dalldiset, braktis qytetin me gjithë rrugët e tij dhe ndryhet për orë të tëra e galvanizuar prej kënaqësisë.

Në vitin 1997 u vranë shumë njerëz. Një pjesë e madhe u vra vetëm sepse u krijua mundësia që çdo njeri të pajisej me pushkë. Individi, kur e pa veten me armë në dorë, nuk arsyetoi më gjatë dhe e përdori. E përdori për të lëshuar krisma, për të trembur dikë, për t’u gëzuar për rastet e jetës, për lindjen e fëmijës, për martesë, për t’u dukur më trim para të tjerëve, për t’i mbushur mendjen vetes se është më i sigurt. Madje shpesh e përdori edhe kundër vetes. Për këtë arsye dhe për shumë arsye të tjera, që kanë të bëjnë me njeriun, me larminë e tipave njerëzorë, me format e panumërta me të cilat individët reagojnë para të njëjtit realitet, duhet kërkuar e vendosur edhe njëherë një kod deontologjik për të bërë të mundur administrimin e kronikave. Kushdo që vendos ta mbushë eterin mediatik apo televiziv me ato pamje, duhet të imagjinojë fytyrat e individëve që do t’i ndjekin ato. Thjesht t’i imagjinojë dhe të arsyetojë, sepse nuk është e mundur as e nevojshme të njihen njerëzit një nga një, për të njohur gjithë popullin. Dhe popullin tonë duhet ta njohim ne, me perceptimet dhe intelektin tonë. Nuk duhet të kërkojmë ndihmën e të huajve për të njohur shqiptarin dhe të aplikojmë ligje norvegjeze, anglosaksone, franceze etj., mbi njeriun shqiptar dhe pastaj të çuditemi si nuk e kryen shkalla funksionin e litarit…

Filed Under: Komente

“Bukuria e Agjërimit: Transformimi dhe Solidariteti në Muajin e Ramazanit”

March 11, 2024 by s p

Imam

Endrit Himaj!/

Në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, besimtarët myslimanë ndajnë një përvojë të thellë shpirtërore dhe vlerash të rëndësishme. Agjërimi nuk është vetëm refuzimi i ushqimit dhe pijeve, por një udhëtim shpirtëror drejt përmirësimit personal dhe solidaritetit.

Gjatë kësaj periudhe, besimtarët shfrytëzojnë çdo moment për t’u afruar më shumë me Zotin. Aktivitetet fetare, si leximi i Kuranit dhe falja e namazeve, janë thelbësore për fuqizimin e lidhjes me besimin. Ky muaj shërben si një rikujtim i rëndësishëm për shtimin e mësimet e pastra të dashurisë, të kujdesit për të tjerët dhe bamiresis në shoqëri.

Një komponent kyç i Ramazanit është dhurimi dhe mbështetja ndaj të varfërve dhe të nevojiturve. Aktivitete bamirëse dhe ndihma humanitare kulmojnë në këtë kohë, duke shfaqur thellësinë e dashurisë ndaj të tjerëve dhe përkushtimin ndaj vlerave humane.

Me përjetimin e këtij muaji, besimtarët përjetojnë një transformim të brendshëm. Agjërimi nxis vetëkontrollin, dhuratat shpirtërore dhe reflektimin e thellë mbi jetën. Kjo periudhë e shenjtë u jep njerëzve mundësinë për të ndryshuar sjelljet e tyre negative dhe për të rritur vetëdijen për nevojat e të tjerëve.

Muaji i Ramazanit sjell me vete një atmosferë të veçantë të përkushtimit, solidaritetit dhe rikujtimit të vlerave thelbësore të jetës. Ky është një kohë kur besimtarët festojnë jetën, solidaritetin dhe fuqinë e një shoqërie të bashkuar nga besimi dhe dashuria për të tjerët.

Agjërimi është një prej ibadeteve më madhështore të cilin besimtarët me plotë devotshmëri e sinqeritet e kryejnë për hir të Allahut xh.sh. Agjërimi i Ramazanit besimtarit i ofron vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, flijimit e sinqeritetit, ngase ai e bënë njeriun më të dashur, më fisnik, më human, më të afërm e më mirënjohës ndaj Krijuesit të Gjithësisë. Agjërimi në muajin e madhëruar të Ramazanit besimtarëve u ofron rastin për pendim, dhe kërkimfalje.

Të nderuar besimtarë!

Sot, më 11.03.2024, është dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit, andaj kam kënaqësinë që në emër të AAMC t’ju drejtohem me përgëzimet më të mira, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë e të pranuar tek Krijuesi ynë. Amin!

Filed Under: Komente

Një konservim muzeor i arsimit shqip në Maqedoni 

March 9, 2024 by s p

Zeqirija Ibrahimi/

Në mungesë të një historie të sistemuar të shqiptarëve në Maqedoni (nga viti 2018, Maqedonia e Veriut), përkundër veprave të studiuesve të ndryshëm mbi arsimin shqip për periudha të caktuara dhe rajone të caktuara, ka mbetur e paplotësuar mungesa e një vepre të plotë të historisë së arsimit shqip në këtë areal shqiptar. 

Kështu, ndonëse shkolla shqipe e kishte filluar jetën e saj në fund të shek. XIX, te shqiptarët në Maqedoni për herë të parë shkolla me mësim në gjuhën shqipe do të hapeshin vetëm më 1941, pra gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ministri i Arsimit të Shqipërisë së pushtuar, Ernest Koliqi, do ta dërgojë kontingjentin e arsimtarëve të parë shqiptarë në këto treva (të diplomuar në Normalen e Elbasanit e gjetiu), të cilat pas pushtimit italian edhe të viseve shqiptare të Maqedonisë së sotme, do të quheshin Tokat e lirueme. Kjo edhe është arsyeja që ky leksikon i arsimtarëve shqiptarë e bën evidentimin e punës së tyre nga viti 1941 e këndej. Një valë tjetër e arsimtarëve shqiptarë do të vijnë edhe pas Luftës së Dytë Botërore, me një marrëveshje shqiptaro-jugosllave, por pas vitit 1948 kjo do të ndërpritej dhe krejt kuadri arsimor do të duhej të mbështetet në burimet e brendshme, fillimisht në kapacitetet e Shkollës Normale të Tetovës e të Shkupit (të themeluara fill pas LDB-së), të cilat përgatisnin mësues të ciklit klasor, më vonë të Shkollës së Lartë Pedagogjike (1952), Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë (1960), që do t’i paraprijë Universitetit të Prishtinës (1970), ndërsa më vonë edhe në kapacitetet e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe (1972). 

Këtu duhet theksuar se një pjesë e arsimtarëve të ardhur nga Shqipëria, para dhe pas LDB-së, do të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në shkollat shqipe të Maqedonisë deri në fund të karrierës dhe, madje, jetës së tyre. Kur flasim për këto grupe të arsimtarëve të ardhur nga Shqipëria, përveç mirënjohjes për sakrificën e tyre, që u shkëputën nga vendbanimet e tyre dhe një pjesë të madhe të jetës ose edhe gjithë jetën e kaluan duke edukuar nxënës shqiptarë të trojeve tona, duhet theksuar se ata ishin të parët që e mbollën edhe farën e dashurisë për kombin shqiptar e për gjuhën shqipe, që në një mënyrë mund të llogaritet edhe si guri themeltar i fillimit të ndërtimit të identitetit kolektiv kombëtar te shqiptarët në Maqedoni. Ndonëse vala e parë, e viteve të Luftës, ishte me ngjyrime tipike nacionaliste rilindëse, ndërsa e dyta kundërmonte edhe ideologji komuniste, në planin e veçantisë kombëtare, dashurisë për gjuhën dhe kulturën shqiptare, mbase edhe nuk dallonin shumë. Madje, duke e mbjellë këtë farë, ajo do të bartej si trashëgimi edhe në brezat në vijim, duke e ngjizur në kujtesën kolektive të popullatës shqiptare të këtyre anëve se ata ishin i veçantë, pra shqiptarë, që dalloheshin nga fqinjët dhe që e flisnin gjuhën shqipe si gjuhë amtare (kjo në kohën kur me mjete të ndryshme imponohej asimilimi kombëtar). Këta ishin arsimtarët e parë që fëmijëve shqiptarë do t’u mësonin poezi për gjuhën shqipe, do t’ua mësonin shkronjat shqipe, do t’u mësonin këngë e shqipe, si dhe ngjarje e figura të historisë kombëtare shqiptare. Në këtë mënyrë, edhe sipas teorisë moderne të nacionalizmit (Gellner, Hobsbaum), janë ndërtuar kombet.

Siç e dimë, pas LDB-së, në kohën që ishte marrë vendimi shtetëror për arsimimin e të gjithë fëmijëve që nga mosha 7-vjeçare, shqiptarët e këtyre trevave do të mundoheshin në çdo mënyrë të krijojnë kuadro për t’i mbajtur këto shkolla. Prandaj, derisa shumica e tyre do të bëheshin mësues përmes Normales, jo pak arsimtarë do ta ushtrojnë këtë profesion edhe vetëm përmes ndjekjes së kurseve pedagogjike, që ishin një shkollim intensiv për ta ushtruar profesionin e mësuesit. Më vonë, shumica e këtyre arsimtarëve do ta mbarojnë Shkollën e Lartë Pedagogjike, madje disa prej tyre do të vazhdojnë edhe në studime të larta universitare. 

Kjo është pista në të cilën u zhvillua arsimi shqip, ndërsa arsyeja se pse si datë e regjistrimit të arsimtarëve në këtë Leksion është viti 1971 (që nuk është ndonjë kufi i rreptë) është për shkak se ky vit shënon mbylljen e dekadës së tretë të arsimit shqip në këtë republikë ish jugosllave, por edhe për arsye se pas këtij viti do të zgjeroheshin mundësitë për krijimin e kuadrove dhe numri i tyre do të rritej, aq sa vetëm një autor e ka vështirë për t’i regjistruar dhe përshkruar të gjithë. 

E veçanta e kësaj vepre, e titulluar si Leksikon i pishtarëve të arsimit shqip në Maqedoni 1941-1971, është edhe se ajo ia del me sukses ta evidentojë gati gjithë listën e arsimtarëve shqiptarë që nga fillimi i hapjes së shkollave shqipe në këto treva e deri në fund të dekadës së tretë të këtij rrugëtimi. Autori i saj, prof. Avzi Mustafa, i njohur edhe përmes disa veprave të tjera të rëndësishme mbi arsimin shqip në Maqedoni, përmes një zelli vetëmohues dhe shtytjeje intelektuale, por edhe duke e respektuar një metodologji standarde shkencore për këtë tip veprash, arrin t’i regjistrojë gati të gjithë emrat e arsimtarëve të shkollës shqipe nga viti 1941 e deri më 1971, duke ofruar të dhëna të përgjithshmë biografike, si dhe të dhëna për karrierën e tyre profesionale. Siç do të shprehet edhe vetë ai në hyrje të Leksionit: “Puna ime në këtë Leksikon është ta vlerësoj jo vetëm vetëmohimin e heshtur të mësuesve nëpër dekada, por edhe sakrificat e tyre të llojllojshme… Përveç biografive të çdo mësuesi/arsimtari, këtu e kam regjistruar edhe kohëzgjatjen e shërbimit në shkollë, transferimet prej një shkolle në një shkollë tjetër, largimet e diferencimet politike të tyre, si dhe kontributin e tyre në ngritjen kulturore e arsimore në të gjitha vendbanimet ku zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe.”. Në këtë mëyrë, prof. Mustafa e ka përvijuar hartën e arsimit shqip në Maqedoni, duke i regjistruar edhe të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe, që – përveç kësaj – flasin edhe për praninë e elementit shqiptar në këto troje. 

Kur flasim për këtë aspekt, duhet theksuar se në kohën kur qarqe të caktuara politike hartonin plane për shpërnguljen e shqiptarëve nga këto troje, hapja e shkollave shqipe ishte ndoshta mënyra e vetme që popullata të lidhej për vendin e tyre. Prandaj, ata arsimtarë që i hapën shkollat nëpër fshatrat e qytetet shqiptare nuk ishin vetëm iluministë me mision edukativo-arsimor, por ata në mënyrë të tërthortë – pa e shqiptuar fare këtë – e jepnin edhe mesazhin se “këtu janë vatrat tona dhe ne do ta zhvillojmë jetën aty”. Dhe, ky do të ishte një mision me përmasa historike, sepse hapja e shkollave shqipe ishte shpresë e popullatës shqiptare për ta ndërtuar jetën në vatrat e stërgjyshërve të tyre. Dhe, kur e ndërmendim se këta arsimtarë shqiptarë do të hapnin shkolla edhe nëpër fshatra të thellë, ku përveç kushteve elementare të shkollës e të mësimdhënies, mungonin edhe kushtet elementare të jetës, si banimi dinjitoz e tansporti, ndërsa ata kalonin nga disa vite të ndarë nga familjet e tyre, duke i shërbyer shkollës, nuk mund të mos e pranojmë se ata janë heronj ose, ashtu siç i quan autori i këtij Leksikoni, pishtarë, të cilët e ndezën flakadanin e iluminimit të kombit. Siç mund të shihet nga biografitë e shumta të këtyre arsimtarëve, ata pos detyrës formale, për të cilën ishin të angazhuar e të cilën e bënin me shumë përkushtim, në mënyrë vullnetare do të mbanin edhe kurse për zhdukjen analfabetizimit, një detyrë që bëhej vetëm me qëllim të emancipimit të kombit. 

Nëse i lexojmë edhe vetëm disa nga biografitë e këtyre arsimtarëve, e vërejmë lehtë se ata kanë bërë një jetë shtegtari, duke qenë në lëvizje të vazhdueshme. Kjo ishte një politikë shtetërore për planifikimin e punës së arsimtarëve, e cila kërkonte një sakrificë shtesë. Arsimtarët i kalonin 20-30 vite jetë pa pasur një ngulim të përhershëm shtëpiak për familjen e tyre, duke qenë gjithnjë në lëvizje nga njëri kënd i gjeografisë shqiptare të Maqedonisë në një kënd krejt tjetër. 

Ndërkaq, kur flasim për arkitekturën e veprës, mund të themi se autori e ka respektuar me përpikëri e akribi një metodologji shkencore që përfshin të dhëna të përgjithshme biografike për arsimtarin/arsimtaren (emri, mbiemri, viti dhe vendi i lindjes, si dhe viti e vendi i vdekjes – nëse ndërkohë ka vdekur), pastaj e përshkruan arsimimin e tij/saj, duke i radhitur të gjitha shkallët e arsimit, për të vazhduar me përshkrimin e vendeve të punës, pra shkollave në të cilat ka punuar, ndërsa në jo pak raste jep edhe të dhëna të tjera që janë me rëndësi për arsimtarë përkatës, si angazhimi në aktivitete kulturore, publike e politike. Në fund të përshkrimit jep informacion se ku dhe kur e ka përfunduar karrierën, duke e dhënë edhe burimin mbi të cilin mbështetet, për të qenë kështu deri në fund i saktë në kuptimin shkencor. Kur flasim për referencat shkencore, ai i ka vjelë dhe cituar të gjitha veprat që janë botuar si histori të arsimit shqip për rajone të caktuara shqiptare të Maqedonisë, ka punuar nëpër arkiva të shkollave e qyteteve, ndërsa nuk ka hezituar të kontaktojë edhe personalisht familjarë të arsimtarëve për të cilët nuk ka gjetur të dhëna dokumentare, për ta ndërtuar kështu artikullin gjegjës, sigurisht duke e shënuar burimin nëse ai ka qenë një i afërm i arsimtarit. 

Edhe pse autori është përpjekur të sigurojë fotografi për secilin arsimtar, këtë synim nuk ka arritur ta përmbushë gjithnjë dhe kjo jo për fajin e tij, por për arsye thjesht objektive – disa arsimtarë nuk kanë fare fotografi, ndërsa disa kanë fotografi shumë të dobëta dhe, thjesht, të papërdorshme. Prandaj, siç do ta vërejmë në Leksikon, fotografitë dallojnë edhe për nga përmasat, edhe për nga mënyra e paraqitjes, por edhe për nga rezolucioni. Sidoqoftë, autori ka bërë një punë të njëmendtë si hartues i një leksikoni, duke u munduar të sigurojë edhe fotografi për arsimtarët e paraqitur aty. 

Ky Leksikon, që është shumë për të qenë vepër e një grupi e autorësh, e të mos flasim se çfarë vlere ka si vepër e një autori, do të jetë evidenca dhe referenca më e rëndësishme e cilitdo studim të mëvonshëm që do të realizohet mbi shqiptarët në trevat e Maqedonisë së sotme, qoftë ai për historinë, arsimin ose emancipimin e përgjithshëm kombëtar. 

Marrë në përgjithësi, me veprën Leksikon i pishtarëve të arsimit shqip në Maqedoni 1941-1971), autori, prof. Avzi Mustafa ia ka bërë shërbimin më të mirë historisë së arsimit shqip e shkollës shqipe, në përgjithësi, si dhe pishtarëve të arsimit, në veçanti, duke i përjetësuar emrat e tyre dhe duke i konservuar ata në artefakte muzeore, për mos t’u harruar kurrë më. Nëse deri tash ata kanë qenë të panjohur ose të harruar, i takon merita prof. Mustafës që emrat e tyre i ka skalitur në këtë leksikon dhe ata tashmë janë pronë e historisë sonë të gjithmbarshme kombëtare. 

(Recension mbi veprën e prof. Avzi Mustafës “Leksikon i pishtarëve të arsimit shqip në Maqedoni 1941-1971”)

Filed Under: Komente

E ARDHMJA E SHQIPËRISË VARET NGA PUNA E MËSUESVE

March 8, 2024 by s p

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/

Dua më parë të uroj mësuesit e prefekturës së Durrësit dhe veçan ata të Tiranës, për krijimin e Lidhjes së tyre. Lidhje që do t’ju premtojë të mbushni më mirë dhe me efekt më të madh detyrën. Ju falem nderit, juve zoti Kryetar dhe juve të dashur miq dhe shokë, për këtë nder që më bëtë, duke më ftuar sot. Pritmi ynë varet nga puna e mësuesve, varet nga arsimi dhe edukata e djelmërisë. Në këtë edukatë të shpirtit, të mendjes dhe të zemrës dua që një pikë të inspirohet mirë në frymë të nxënësve. Dua të them: ndjenja e përgjegjësisë. Çdo njeri duhet të jetë i përgjegjshëm për punët dhe sjelljet e tij, të ngrejë gjithë barrën e akteve, pa vënë re ç’bën fqinji dhe shoku i tij, pa humbur kohën të shikojë dhe të kritikojë t’afërmin. Le të kuptojë secili prej nesh dhe të kemi si themel të edukatës përgjegjësinë personale.

Është i vetmi mjet që të arrijmë ne vetë në përmirësim dhe përparim moral, e vetmja fushë që t’i bëjmë të rinjtë e Shqipërisë sonë të bëhen të dobishëm e të vlefshëm. Tetë vjet më parë, kur fati i zi më shtrëngoi të largohem nga ky dhé i dashur, Shqipërinë e lashë jo vetëm të shkelur prej fuqive të huaja, po edhe të shikuar prej shqiptarëve vetë si një krijesë e të huajve, si një foshnjë, për të cilën s’kishte zemër nëne, që të qajë dhe të mëshirojë. Përpara një ideje të tillë, sa herë përndërtohej ndërgjegjja patriotike! Vdekja, pa dyshim, do të dukej më e mirë se sa një vetëvrasje e ngadalshme.

Sot, Shqipërinë e kemi tonën, të krijuar me përpjekjen tonë, të bërë me thonj e me dhëmbët tonë dhe më tepër akoma, me dëshirën dhe vullnetin tonë. E kemi sot vendin tonë të dashur, jo si një dhuratë të pamëshirshme të Evropës, po të bërë dhe të krijuar prej nesh, kundër dashjes dhe dëshirës s’Evropës. Lirinë dhe vetëqeverimin tonë e kemi marrë me pahir, rrëmbyer me fuqi. Ajo Evropë, që pretendonte se po luftonte për të drejtat e popujve dhe për të mbrojtur drejtësinë dhe qytetërimin, ajo Evropë, që gjer më dy vjet më parë na shikonte si të dënuar me vdekje, si të gatuar për të qenë gjahu dhe plaçka e të tjerëve, zuri të na respektojë dhe të na dojë, vetëm kur pa se jemi të zotët të mbrojmë ne vetë jetën tonë. I dhamë këto prova, kur kuptuam se Shqipërinë jemi të zotë ta bëjmë vetë. Tani mund të jemi të sigurt se kemi një simpati të madhe në botë të qytetëruar, një simpati të vërtetë. Mbi këtë, një barrë e rëndë na bije mbi ndërgjegje: këtë truall që e krijuam, duhet që ta ruajmë, ta zbukurojmë. Është një detyrë ati dhe mëme kundrejt birit të tij. Është dhe një detyrë biri drejt mëmës së tij. Kemi detyrë jo vetëm të matim dhe të vëzhgojmë Shqipërinë tonë, po dhe ta mbrojmë prej rreziqeve, që e rrethojnë, ta bëjmë të përparuar e të ndriçuar. Dhe nuk mund të punojmë për kombin dhe vendin tonë, po që nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë, një dhembshuri për çdo njeri të kombit tonë. Duhet të zgjojmë kultin e patriotizmës, adhurimin e Shqipërisë. Bota e sotme s’na jep ndonjë shembull kulti dhe adhurimi për truallin e gjyshërve. Po, në këqyrshim historisë e afërme të Rilindjes, do të shohim se kjo rilindje është bërë vetëm pasi ka zënë populli që të ndjejë në zemër të tij një dashuri të përsosur për çdo send që i përket atdheut dhe kombit. Patriotizma është mbase një egoizmë. Ajo ndjenjë na shtyn të kërkojmë madhërinë dhe nderin e kombit, se tek ajo madhëri e te ai nder do të gjejmë ne vetë madhërinë, lumturinë dhe nderin tonë. Jemi patriotë se e dimë që pa një truall dhe pa një shtet të fortë, pa një komb të përparuar, bije në rrezik rrojtja dhe jeta jonë.

Ky gjykim na shtyn dhe duhet të na shtyjë që të bëjmë disa therori për të mirën e përgjithshme, që të mos mendojmë vetëm interesin tonë të tanishëm, po interesin e përbashkët të nesërm, se ai interes do të na ruajë dhe interesin tonë të veçantë. Kështu, pra, egoizma e patriotizmës ndryshohet dhe këmbehet në një altruizmë të vërtetë dhe na shtyn në therori.

Nderi dhe madhëria e çdo shqiptari varet nga nderi dhe madhëria e Shqipërisë. Është një llogari e lajthitshme ajo që të përbuzësh shokun, me shpresë që të lartësosh veten tënde. Statujën e një njeriu të madh nuk e shtien brenda në një gropë, po e ngrenë në një piedestal të lartë, mbi një themel të shëndoshë. Në doni, pra, që të jini të nderuar dhe të mëdhenj, bëni më parë Shqipërinë dhe kombin shqiptar të jenë të madhëruar e të lartësuar. Miq dhe shokë të mi, mësoni të kurseni kohën, mësoni mirëpërdorimin e kësaj gjeje të vlefshme, që i thonë kohë. Na vjen keq për plaçkat materiale dhe e dimë vleftën e një vilari pëlhure.

Harrojmë se ditët tona janë të matura dhe se gërshëra e shtrigës kohë, është gjithnjë gati të presë fillin e gjëllimit. Vendi dhe kombi ynë duan punë të gjatë, me durim të palodhur. Kemi një mijë e një punë për të bërë. Puna lyp kohë. Kuptoni mirë vleftën e këtij faktori dhe mos e vdisni kot.

Lumo Skëndo

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT