• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO ME OSO KUKËN E ME MALËSORËT ÇKA KINI?!

July 10, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Diskursi i pagdhendur politik ndër-shqiptar i javës që kaloi ishte i pa-precedentë në shumë pikëpamje dhe i shëmtuar gjithashtu për vet faktin se si mund të kishte një komunikim të tillë midis shqiptarësh. Tallje me heroizmin e Oso Kukës dhe ofendim i malësorëve.  Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, Kryeministri i Shqipërisë u tallë me heroizmin e Oso Kukës dhe nga Prishtina, Deputeti i Kosovës, Xhavit Haliti duke komentuar– në një intervistë televizive — në lidhje me mos-takimin e Kryemistrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti me Kryeminisitrin e Shqipërisë, Edi Rama – u shpreh pak a shumë se vendimi i  Kurtit për të mos u takuar me Kryeministrin Rama – ishte një reagim prej “malësori”, sipas parlamentarit të njohur të Kosovës.  Unë nuk e di se çfarë kishte ndër mend Haliti me “reagim prej malësori”, por dua t’i sjellë në kujtesë parlamentarit të Kosovës se në fillim të 1980-ave, ishin pikërisht këta “malësorë” me reagimin e tyre prej “malësori”, që ishin në krye të demonstratave anti-serbo-jugosllave nepër rrugët e Washingtonit, para Kongresit e Shtëpisë së Bardhë, për të kundërshtuar politikat gjenocidale anti-shqiptare sllave në Kosovë.  Këtë fakt e vërtetoi edhe patrioti i madh shqiptaro-amerikan, Xhim Xhema në një fjalim shkurtin që kaloi në Prishtinë, me rastin e 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës – parlamentar i të cilës është sot Haliti me shokë. Malësorët shqiptaro-amerikanë nuk duan as nuk presin ndonjë shpërblim për këtë, sepse ua kanë lenë amanet të parët si detyrim për të mbrojtur trojet. Por, shqiptaro-amerikanët, në tërësi dhe malësorët në veçanti nuk presin ofendime për veprimtarinë e tyre patriotiko-historike në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në fund të shekullit të kaluar, sidomos këtu në Amerikë. Jo vetëm nepër rrugët e qyteteve amerikane, por edhe nepër korridoret e diplomacisë dhe në zyrat e niveleve më të larta qeveritare të Shteteve të Bashkuara, ishin shqiptarët nga trojet shqiptare nën Mal të Zi, ata që u prinin demonstratave anti-jugosllave në Washington.  Mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë në fund të shekullit të kaluar ishte një reagim normal “prej malësori”, e këtij komuniteti, sidomos në Nju Jork dhe në Detroit. Prej malësorëve, sidomos atyre në Amerikë, vetëm të mira ka parë Kosova këto 50-vitet e fundit, I nderuar Haliti.

Më duhet t’i kujtoj Z. Haliti dhe brezit të tij se kur malësorët e komunitetit shqiptaro-amerikan – në krye me udhëheqës të këtij komuniteti, si patrioti Xhim Xhema, demonstronin për të siguruar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për çeshtjen e Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë Ballkanit Perëndimor, brezi i tij në Kosovë, i kishte kthyer sytë dhe të gjitha shpresat për zgjidhjen e çeshtjes së Kosovës, tek regjimi i Enver Hoxhës.

Unë nuk dëshiroj të polemizoj me askënd, e sidomos jo me personalitete të larta shqiptare, pasi fatbardhësisht, përpiqem të mos jetoj në botën e tyre të mendimit politik. Por, këto dy raste të javës që kaloi, tregojnë se sa e pa informuar (ose Zot ruajna sa e djallëzuar) është bota shqiptare sot përball historisë së vërtetë të një pjese të Shqipërisë e të shqiptarëve,  pikërisht për arsye të historiografisë sllavo-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës që gjithnjë, zyrtarisht dominon dhe që refuzohet të korrektohet, më shumë se tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit

Sidoqoftë, nëse dikush dëshiron të dij se kush ishte Oso Kuka dhe cili ishte heroizmi i tij, por edhe për rolin e malësorve dhe reagimet e tyre “prej malësori”, siç u shpreh deputeti Haliti – u ftoj të lexoni Lahutën e Malësisë të Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishtës, vepër homerike e Kombit Shqiptar.  Aty Gjergj Fishta i ka kushtuar 5 vjershat e para të Lahutës, pikërisht Oso Kukës dhe Vraninës, por edhe rolit dhe luftërave të malësorëve gjatë historisë në mbrojtje të Shqipërisë dhe të Kosovës. gjatë shekujve. 

Dihet se një shumicë e politikanëve aktualë shqiptarë, anë e mbanë trojeve shqiptare, janë edukuar në frymën ideologjike enveriste, sllavo-aziatiko-komuniste – një frymë kjo që mbizotëron, në përgjithësi, edhe sot politikën dhe kulturën shqiptare, për fat të keq. Në trojet tona nën komunizëm pas Luftës së Dytë Botërore, Gjergj Fishta dhe Lahuta e Malëcisë ishin të ndaluar rreptësisht. Për më tepër, po t’përmendesh Fishta në komunizëm, njerzit e pësonin keq, në të dy anët e kufirit shqiptar. Siç tregojnë edhe komentet plot mllef, inate e tallje të javës që kaloi, antagonizmat ndaj At Gjergj Fishtës janë aqë të theksuara ende në botën shqiptare, sa që të bindin se sa e efektshme paska qenë propaganda sllavo-komuniste gjysëm shekullore kundër tij, e që ende vazhdon sot, ndonëse me mënyra të tjera më të sofistikuara. 

Si lexues i rregullt i Lahutës së Malcisë të At Gjergj Fishtës, bashkohem sinqerisht me At Danjel Gjeçajn – botuesin e Lahutës së Maësisës në vitin 1958, duke u bërë thirrje bashkatdhetarve kudo, e sidomos politikanëve aktualë:  “Lexoje me dashni Lahutën…Shfletoje me kujdes Lahutën e Homerit të kombit tand…Ndigjoje me vemendje Fishtën dhe fletët e Lahutës…Studjoje me peshim Lahutën dhe më në fund, Ruaje Lahutën sepse është ma fort e jotja se e Fishtës”, ka këshilluar At Daniel Gjeçaj.  Sepse, “Bërthama dhe thelbi i nji kombi” nuk shuhen për derisa nga shqiptarët të këndohet Lahuta, për derisa nga ata të ndiqet heroizmi i Oso Kukës dhe urtija e Marash Ucit, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Drangojve legjendarë në Bigë të Shalës, fytyrat historike në Rrzhanicë…dashunija e vetmohimi i Pater Gjonit, guximi e burrnia e Ded Gjo Lulit, fisnikia e virtyti burrënor i Tringës…”, ka porositur ai.  Vet At Gjergj Fishta ishte i bindur se në veprën e tij, ai i kishte lënë Kombit të vet një “Pomendore”:

“Veç se po moj Zanë Shqyptare

Krah m’krah bashk na tue këndue

Ndërtue kemi ‘i pomendore

Rrfe as mot mos m’e dërmue”.

Rrfeja as moti, ndoshta jo nuk e dërmojnë Lahutën e Gjergj Fishtës as protagonistët e saj të Kombit, por shqiptarët vet po e “dërmojnë”, duke mos e përfillur, duke e tallur e duke e injoruar.  Po “dërmohet” nga ata që nuk dinë se në Lahutë, gjënden fatet e kombit se Lahuta Malësisë pasqyron historinë e shqiptarëve, pa të cilën nuk mund të shkruhet as historia e kombit.  Për më tepër, Lahuta është shtylla e traditave kombëtare pa të cilat, eskpertë të ndryshëm janë shprehur se nuk se mund të realizohet një qytetërim i përparuar shqiptar, as një zhvillim dhe shtet-ndërtim modern — në përpjekjet shekullore të shqiptarëve për tu bërë pjesë e botës, në të cilën jetojmë.

Traditat e trashëguara stërgjyshore, aq mjeshtërisht të gërshetuara në Lahutë, si nderi, besa, burrënia dhe mikpritja, jo vetëm që nderojnë emrin shqiptar ndër shekuj, por ato radhisin shqiptarët në rendin e kombeve më të përparuara të botës.  Në Lahutën e Malëcisë, At Gjergj Fishta, nepërmjet protagonistëve të Lahutës, i këndon popullit shqiptar, nderit dhe lirisë së fisit e të Kombit.  Vazhdon të jetë një burim i pashterrshëm atdhedashurie, trimërie dhe vlerash kombëtare – që aq shumë mungojnë sot ndër shqiptarët — por edhe një vepër që sipas At Danjel Gjeçajt — redaktorit të Botimit të dytë të Lahutës së Malcis në Romë, në vitin 1958 – “Përtërinë fuqitë e ligshtueme t’ushtarëve të lodhun, naltëson moralin e ramë, shton uzdajën në fitoren vendimtare, përforcon dashuninë për Atdhe, ngjall heroizmin dhe trimënon zemrat e molisuna”.

Lahuta e Malëëcisë është epopeja kombëtare, “pomendarja”, nga e cila mund të mësojnë shumë politikanët e sotëm shqiptarë – sidomos sa i përket atdhedashurisë – është një përmendore e përjetshme që do të kujtohet brez pas brezi, sepse ajo ka dalë nga vet populli, pa marrë parasysh trajtimin anti-kombëtar të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj At Gjergj Fishtës, por edhe përball talljeve të kohëve tona me protagonistët kryesorë të Lahutës së Malësisë dhe rolit të malësorëve në historinë e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Megjithë talljet me protagonistë të Lahutës së Malësisë dhe të rolit të malësorëve ditët e fundit nga politikanë të Prishtinës e Tiranës,  Gjergj Fishta, atëherë dhe sot, prapseprap, u bën thirrje shqiptarëve e sidomos liderëve të tij, të ndjekin shembullën e heroizmit të kreshnikut shqiptar Oso Kuka e të vdesin si ai, para se të lejojnë copëtimin e vendit.  

Çdo komb tjetër do të krenohej me At Gjergj Fishtën, dhe protagonistët e veprës së tij si Oso Kuka dhe malësorët, por jo klasa e sotëme politike shqiptare në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.  Megjithkëtë, Lahuta e Fishtës mbetet si gurrë vlerash kombëtare që dalin nga toka dhe nga zemra shqiptare, një burim që nuk shterret kurrë, një burim i pashterrshëm vlerash që mbeten për tu zbukuruar nga brezat, megjith përpjekjet mizore për të minimizuar vlerat e veprës së tij— për të mos thënë përpjekjet zyrtare aktive çoroditëse për t’a zhdukur veprën dhe influencën e Gjergj Fishtës në Atdhe. 

Indiferenca zyrtare politike, akademike dhe historike ndaj At Gjergj Fishtës është një nënçmim, një tallje dhe dhunim ndaj historisë së Kombit. Çonju të Vdekur.  Zgjohu Gjergj Fishta. Megjithkëtë, mos vajto ma Lahutë, por kendo:

 “Merr Kaçel njiherë lahutën

E na e thuej nji kangë shqyptare

S’mbajmë na zi pa na qitë fare!”

Shqipëria, Kosova dhe Kombi shqiptar duhet të shpëtohen, patjetër, megjithëse sot ushtarët e At Gjergj Fishtës dhe protagonistët e Lahutës së Malësisë janë të pakët në numër!

Frank Shkreli

A group of men standing at podiums

Description automatically generated
A person in a suit and tie

Description automatically generated
A person with a mustache and a book

Description automatically generated

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli

SUNDIM I LIGJIT APO SUNDIM NËPËRMJET LIGJIT

July 5, 2023 by s p

Artan Nati/

Gjykata e Lartë të premten anuloi planin e faljes së huave studentore të Presidentit Biden, duke vendosur se një ligj federal i vitit 2003 nuk lejon që programi të fshijë gati gjysmë trilion dollarë borxh.Gjithashtu Gjykata e Lartë e SHBA-së i dha një goditje të rëndë veprimit afirmativ të enjten në ndryshimin e fundit konservator të gjykatës, duke përmbysur dekada të precedentit që lejon pranimet në kolegje dhe universitete të studentëve me bazë racore dhe jo meritokratike. Veprime të tilla vërtetojnë faktin se në Amerikë sundon ligji në kundështim me praktikat që ndiqen në Shqipëri, ku sundohet nëpëmjet ligjit. “Sundimi nëpërmjet ligjit” i referohet një situate ku ligjet përdoren si mjete kontrolli nga ata që janë në pushtet, sesa si instrumente për të promovuar drejtësinë. Në një skenar të tillë, ligji mund të manipulohet dhe zbatohet në mënyrë selektive për t’i shërbyer interesave të individëve ose grupeve të veçanta, duke u lejuar atyre që janë në pushtet të ruajnë autoritetin e tyre dhe të shtypin divergjencat e mendimeve. A nuk ndodhi kështu në Shqipëri në 2008? Politika, pozitë dhe opozitë në bashkëpunim miratuan ndryshimet në Kushtetutë, duke aprovuar  një sistem të ri zgjedhor, proporcional rajonal me lista të mbyllura. Kjo marrëveshje i dha pushtet të padiskutueshëm kryetarëve të partive, duke e shndërruar Parlamentin në një dhomë noterie nën drejtimin absolut të Kryeministrit të radhës. Zgjedhjet që pasuan marrëveshjen politike të 2008 prodhuan qeveri të dobëta nën kontrollin absolut të kryeministrit; një Parlament përherë e më apatik; deputetë me nivel të ulët për të qenë në atë sallë. Kjo marrëveshje bëri të mundur që kryeministri dhe kryetarët e partive jo vetëm të ishin mbi ligjin, por edhe të sundonin nëpërmjet ligjit.

Ndërkohë në SH.B.A dhe Europën perëndimore shikojmë se kur premtimet elektorale të kryetarëve të shteteve janë në kundështim me ligjin, konsiderohen të pavlefshme nga sundimi i ligjit,biles edhe janë të rrezikuar të shkojnë në burg, siç po ndodh me ish presidentin Trump kohët e fundit. Gjithashtu qeveria godet në mënyrë selektive bizneset që nuk sponsorizojnë partinë në pushtet,apo duke u bërë favore biznesmenëve që përkrahin pozitën. Është e vështirë sot në Shqipëri të bësh biznes pa shkelur ligjet dhe këtë fakt e shfrytëzon qeveria për të ndëshkuar kundështarët e saj. Kështu ndodhi para zgjedhjeve vendore me goditjen e “Birra Tirana” dhe disa bizneseve të tjera që konsideroheshin pranë opozitës.

Sundimi i ligjit është koncepti i shtetit të së drejtës se të gjithë individët, përfshirë zyrtarët e qeverisë, i nënshtrohen dhe duhet t’i përmbahen ligjit. Kjo nënkupton që ligjet duhet të jenë të qarta, transparente dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, pavarësisht nga statusi i tyre shoqëror, pasuria ose ndikimi politik. Sundimi i ligjit mbështet idenë se askush nuk është mbi ligjin dhe se vendimet ligjore duhet të merren në mënyrë të pavarur dhe të paanshme nga një gjyqësor i paanshëm. “Një komb që nuk mund të vetëqeveriset me ligj, nuk është as civil dhe as i lirë.” thoshte filozofi i shquar anglez John Locke.

Në mungesë të shtetit ligjor, njerëzit mund ta gjejnë veten duke jetuar në një gjendje pasigurie të vazhdueshme dhe cenueshmërie ndaj tekave të të tjerëve. Në këtë këndvështrim mund të themi se demokracia jonë qëndron e tillë vetëm në emër,por praktikisht është e dështuar dhe bashkë me të gjithë struktura shtetërore. Shtetet e dështuara janë vende ku qeveria nuk është në gjendje ose nuk dëshiron të ofrojë shërbime bazë dhe siguri për qytetarët e saj, duke çuar në një prishje të rendit dhe ligjit, paqëndrueshmëri politike dhe vështirësi socio-ekonomike.

Në situata të tilla, institucionet mund të jenë të dobëta ose inekzistente, korrupsioni mund të jetë i shfrenuar dhe dhuna dhe konflikti mund të mbizotërojnë. Këto rrethana krijojnë një mjedis jo mikpritës për rritje dhe zhvillim ekonomik. Pa sundimin e ligjit dhe të drejta të sigurta pronësore, investimet dhe zhvillimi i biznesit bëhen të vështira. Si rezultat, popullsia mund të luftojë për t’i shpëtuar ciklit të varfërisë. A nuk po ndodh kjo në Shqipëri? Aferat korruptive me incineratorët,mungesa e shërbimeve jetike për popullsinë si dhe aferat e pafundme korruptive në nivel lokal dhe qëndror tregon qartë dështimin e demokracisë. Në këto kushte qytetarët e vendit gjejnë si varkë shpëtimi braktisjen e vendit. Afera e fundit seksuale në zyrën e kryebashkiakut të Kukësit ishte një shembull i qartë i batakut në të cilin ka rënë administrata shtetërore. Francis Fukuyama, si shumë studiues dhe politikëbërës të tjerë, thekson rëndësinë e ndërtimit të institucioneve të forta dhe efektive për të nxitur zhvillimin dhe zbutjen e varfërisë në këto vende. Qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, institucionet transparente dhe të përgjegjshme dhe një shërbim civil funksional janë të gjithë komponentë thelbësorë të shoqërive të qëndrueshme dhe të prosperuara.Dixhitalizimi i kadastrës,i propaganduar nga kryeministri është një hap i madh drejt transparencës dhe shpresojmë të funksionojë normalisht, ndërkohë që vjedhjet e mashtrimet e qytetarëve mbeten të pazbardhura dhe një preçedent i rrezikshem për krimin e pandëshkuar. A do të funksionojë apo jo mbetet për tu parë dhe a do të pasohet nga akte të tjera transparence? Zhvillimet e ngadalta por të sigurta të SPAK-ut tregojnë qartë se drejtësia ka filluar të funksionojë e të jetë e pavarur. Mbështetja amerikane dhe e BE është garanci për vazhdimin ne drejtimin e duhur.Gjithashtu dalja e disa forcave të reja politike, m.gj.s të vogla por me programe të qarta dhe me drejtues të rinj të edukuar në perëndim dhe mbështetje perëndimore tregon se Shqipëria po shkëputet nga tranzicioni drejt familjes dhe civilizimit perëndimor.

Filed Under: Komente Tagged With: artan nati

DITA E PAVARËSISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA

July 4, 2023 by s p

Mesazhi i 4 Korrikut, 2023  

”Patriotizëm do të thotë të duash Atdheun tëndë gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë e vendit tëndë, vetëm, atëherë kur ajo e meriton”. (Mark Twain) 

Nga Frank Shkreli                          

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Çdo vit me 4 Korrik, Shtetet e Bashkuara festojnë Ditën e Pavarësisë.  Sivjet, 4 Korriku shënon 247-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Britania e Madhe, kur 13 kolonitë origjinale amerikane të asaj kohe kanë shpallur përgjithmonë pavarësinë dhe lirinë e tyre nga sundimi mbretëror britanik. 

Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA është njëri ndër dokumentet – ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë – që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetimin dhe zhvillimin e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.

Gjatë gjithë historisë, popujt kanë besuar se të drejtat e tyre vinin nga qeveria, mbreti ose pushtetit dhe si të tilla, ato edhe mund të shkeleshin e të mohoheshin sipas deshirës e qejfit të autoritetit, ose mbretit, Sepse, sipas tyre, ato ishin privilegje që akordoheshin e hiqeshin sipas dëshirës së pushtetit në fuqi.  Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara me 4 Korrik, 1776 ka hedhur poshtë këtë besim ose nocion, njëherë e mirë, duke shpallur se të drejtat e një personi dhe në populli nuk i jepen nga qeveria ose autoriteti, cilido qoftë ai, por nga vet Krijuesi I gjithësisë –nga Perendia.  ”Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe mundësia për të ndjekur suksesin dhe lumturinë.” Është kjo fraza, ndoshta  më të famëshme në tekstin e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Mesazhi kryesor i kësaj dite, si për Amerikanët ashtu edhe për popujt anë e mbanë botës, është se këto mund të jenë fjalët më me rëndësi – jo vetëm në tekstin e dokumentit të pavarësisë së Amerikës – por edhe në historinë e njerëzimit në përgjithsi.  Duke shpallur se është Perëndia dhe jo qeveria, mbreti ose parlamenti — që jo vetëm amerikanëve, por të gjithë njerëzëve kudo, u ka falur të drejta themelore, të barabarta dhe të pamohueshme. Dhe se qeveritë krijohen nga populli për të vetmin qëllim e që është për t’i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave natyrore dhe në ushtrimin e tyre në mbështetje të interesave dhe mirëqenjës së qytetarëve.A flag with fireworks in the background

Description automatically generated with low confidence

247 vjetë më parë, shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe por pavarësia ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni praktikohej skllavëria, gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë dhe fatkeqësisht, indiano-amerikanët vendas u detyruan të shpërnguleshin nga toka e tyre ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë vendit.  

Por ç’prej nënshkrimit të këtij akti dramatik pthuaj dy shekuj e gjysëm parë, përpjekjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar barazi dhe të drejta të barabarta për të gjithë, ndonëse kanë triumfuar me shumë fitore gjatë dekadave të kaluara, prapseparapë ekziston vetdija se mbetet ende shumë për t’u bërë.  Se ruajtja e këtyre të drejtave që na i ka falë Përëndia dhe natyra, kërkon vigjilencë të vazhdueshme për t’i ruajtur ato, sidomos nga intervenimet e qeverive, cilatdo qofshin ato – që kanë për obligim kushtetues t’i mbrojnë dhe jo t’i shkeli e t’i shkatërrojë liritë dhe të drejtat e popullit, të garantuar në Shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Koncepti i fjalës liri, kjo e drejtë e pamohueshme e njeriut, për herë të parë u vendos në skenën botërore si një e drejtë e pamohueshme për të gjithë njeërzit pa dallim, më 4 Korrik 1776.  Ideja se njerëzit duhet të gëzojnë këto të drejta të pamohueshme, të akorduara nga Përendia dhe jo nga ndonjë pushtet i kësaj bote, ishte objekt talljeje nga bota e atëhershme e ”qytetëruar”, madje edhe sot, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të urrehen gjithnjë në shumë pjesë të botës nga diktatorë, autoritarë të llojllojshëm dhe regjime shtypëse, të cilat mendojnë se të drejtat dhe liritë e njeriut janë privilegje që vetëm ata si autoritarë të gjithpushtetshëm i rregullojnë dhe i zbatojnë sipas dëshirës dhe vullnetit të vet, për interesa personale.  Diktatorë të tillë edhe sot urrejnë gjithnjë Shtetet e Bashkuara se kanë mbrojtur dhe mbrojnë parimin e atëhershëm radikal të lindur nga Shpallja e Pavarësisë së Amerikës, më 4 Korrik 1776.  Parim ky , sipas të cilit, është e drejta e popullit kudo e në çdo vend të botës, të ndryshojë regjimin ose qeverinë dhe ta zëvendësojë atë me një tjetër pushtet, i cili do të mbrojë këto të drejta e liri të pamohueshme, jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë popujt anë e mbanë botës.

Për tu siguruar se këto të drejta do të ishin gur-themeli i shtetit të ri, kolonitë amerikane miratuan Kushtetutën e re më 1789 me dhjetë amandamente të cilat – sot e asja dite — garantojnë liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fesë, lirinë e fjalës dhe të shtypit si edhe amandamente të tjera në mbrojtje të qytetarit nga abuzimet e mundshëme të shtetit dhe nga autoritetet qeveritare. Patrik Henri, njëri prej udhëheqësve të përpjekjeve të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ka thënë se, “Kushtetuta nuk është një instrument i qeverisë për të kufizuar të drejtat e popullit, por është një instrument i popullit për të kufizuar veprimtarinë e qeverisë, për ndryshe qeveria do të dominojë jetën dhe do të kufizojë të drejtat tona”.A picture containing building, fireworks, new year's eve, new years day

Description automatically generated

Është me vend që kto vlera e të drejta bazë e të pamohueshme të njeriut, të skalitura në dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë dhe më vonë në Kushtetutën e Amerikës të kujtohen dhe të celebrohen sot, në në këtë 247-përvjetor të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, por është gjithashtu e nnevojshme që këjo ngjarje historike për popullin amerikan, të kujtohet edhe nga popujt anë e mbanë botës, pasi këto parime të mishëruara në Shpalljen e Pavarësisë Amerikane, pasqyrohen gjithashtu në kushtetuta të shumë vendeve dhe janë të përfshira në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, e nënshkruar nga shumica e shteteve të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 

Le të jetë pra 4 Korriku, 2023, një festim i garancisë dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, jo vetëm për çdo shtetas amerikan, por të kujtohet gjithashtu edhe nga popujt anë e mbanë botës – përfshir Kombin shqptar — e që nga kjo ditë e shënuar patriotike për amerikanët, mund të na mësojë, se sipas Mark Twain, ”Patriotizëm do të thotë të duash Atdheun tëndë gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë e vendit tëndë, vetëm kur ajo e meriton”.

Si e tillë, megjithë të metat dhe mos-kënaqësitë dhe sfidat që shprehen dhe me të cilat përbvallet ky vend, nga koha në koha – edhe 247-vjet pas Shpalljes së Pavarësisë së sajë, Amerika vazhdon përpjekjet e saja për një, “bashkim edhe më të pësosur” të këtij kombi të madh, ndërkohë që mbetet gjithnjë simboli i lirisë, demokracisë dhe i pavarësisë për popujt anë e mbanë botës, përtshir Kombin shqiptar.  Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara shënohet si një festim i vlerave të përbashkëta njerëzore, të bazuara në lirinë dhe të drejtat e pamohueshme për të gjithë, të pasqyruara në Shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

Në këtë 247-vjetor të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Zoti e bekoftë Kombin amerikan dhe Kombin shqiptar – në miqësi të përjetshme me njëri tjetrin!

Red and white striped letters

Description automatically generated with medium confidence

Frank Shkreli

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli

MARK GJOMARKAJ – “THEROR I TRADITËS” DHE SHQIPËRIA E KOHËS SË TIJ

July 1, 2023 by s p

Nga Eugjen Merlika/

(Vijon nga numuri i kaluar)

“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë” – FIODOR DOSTOJEVSKI.

Emrat e tyre janë të shumtë e secili prej tyre përfaqëson një stoli për kujtesën kombëtare, por besoj se ai i Mark Gjomarkajt zë vendin e parë në atë rrjeshtim të gjatë heronjsh. Nëse Shqipëria do të bëhet një ditë një Vend që të fillojë të përkundë nëpër djepat vlerat e shqiptarizmit, shtatoren e parë të saj duhet t’a ngrejë për këtë HERO të rrallë e të pavdekshëm në zemrat e bashkëkombësve, idhtarë të lirisë e të vlerave të kombit. Atdheu mbështeti mbi shpatullat e tij rinore, zemrën e tij të madhe e mëndjen e tij të mprehtë, të gjitha shpresat në çastin më të kobshëm të historisë së tij, duke e vënë në krye të trimijë djemsh azganë me një detyrë krejtësisht të pamundur: të ndalonte vërshimin e brigadave filosllave komuniste në Veriun e tij, me shpresën po aq të papërfytyrueshme të zbarkimit anglo-amerikan në Shqipëri. Ai e pranoi me vullnetin e një Prometheu bashkëkohor, me vetëdijen e plotë për pamundësinë e sendërtimit të ëndrrës liridashëse të kombit të tij, por me vendosmërinë me të cilën spartanët e mbretit të Spartës së lashtë, Leonidhës së I, u flijuan më shumë se dymijëekatërqind vite më parë në të njëjtin gadishull. 

Shtetari kombëtarist Tahir Kolgjini përshkruan në shkrimin e tij, mbrëmjen e fundit të kaluar në kullën e Kapidanit në Shkodër së bashku me këtë të fundit e me birin e tij, Markun. Kjo prozë ka vlerë të veçantw për të kuptuar përmasat e jashtzakonshme morale e njerëzore të heroit, largpamësinë e tij, vullnetin e qëndrueshmërinë karakteriale kundrejt një gjëndje pa shpresë, virtutin madhor të njeriut që flijon gjithshka për hir të detyrës, me gjykim të ftohtë e pa lëkundje, që mendon për të gjithë e për të gjitha pritmëritë, pa menduar kurrë për vetveten…..

“Rrethi për ditë e mâ tepër vinte tue u ngushtue. Ishte data 23 nandor 1944. Hangrëm darkë. Të tjerët shkuen secili në punë të vet. Mbetëm Kapidani medis nesh dhe un e Marku në skajet ë ngushta të tavolinës, kundrejt njâni tjetrit. Në kët rasë Marku më drejtohet:

“Or Tahir, duhet të përgatitesh se ti do të dalësh nesër bashkë me babën.”

“Për ku or Mark?

“Për ku t’a ketë shkrue Zoti. Nji herë për Gjermani. Babës, mbasi nuk zotnon ndonji gjuhë të huej, do t’i jap me vehte njanin prej vëllazënve. Do të niseni me ushtrín gjermane qi ritirohet”.

Na mâ, o duhet të nisemi krejt kështu, sikurse jemi, e pra edhe Ti, ose duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë, siç jemi”.

“Baba âsht i vjetër, prandej nuk âsht i malit. Ti Tahir, je shumë i lodhun. Të kemi ngarkue mjaft, e shërbime në vende të ndryshme. Je edhe i vetëm. Prandej duhet të largohesh. Sa për mue, un jam djali mâ i madh i Kapidanit të Merditës. Rândimi kryesor peshon mbi mue, sepse kam qênë i ngarkuem me autoritet. Mandej kam ngarkue shum miq, shum kumarë e shum dashamirë dhe farefis me përgjegjësina. Këta nuk mundt’i lâ vetëm. N’atë minutë qi un të largohem nga Shqipnia, ka vdekun dera e Kapidanit të Merditës. E, po të vdes un, dera e Kapidanit të Merditës rron. Prandej un do të qindroj në malet e Shqipnís.”

Dhe si i mallëngjyem Marku vazhdoi:

“E dij. Do të jetë e pamundun me qëndrue n’arratí, kur të zbatohen sistemet e ashpra të komunizmit. Do të vritem, por s’ka gjâ. Vdekjen e pranoj për idealin kombtar dhe për mos me i lanun vetëm shokët e këtij ideali. Shqipnia dikur, në nji mënyrë ose në nji tjetër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme. Dhe juve ju uroj rrugë të mbarë.”

Markut, kur shprehte fjalinat e fundit, i u rrokulluen nja dy pika lot mbi mollëzat e faqeve teposhtë. Un nuk pata gjâ me shtue, mbasi ai parapëlqeu rrugën e burrnís shqiptare.

Më 24 nandor 1944, në mëngjes u hallatosëm me tê dhe, bashkë me Kapidan Gjonin lamë Shkodrën, tue marrun rrugën e arratís. Karakteristika qi e dallon Mark Gjomarkajn prej shqiptarëve të tjerë, âsht kjo. Ai qëndroi në malet e Shqipnís për t’u vramë e të tjerët qëndruen për të shpëtue.”

Ernest Koliqi në shkrimin e tij tregon atë që i kish thënë Ali Këlcyra për bisedën që kishte patur me princin e Mirditës në prefekturën e Shkodrës në ditët e fundit para hyrjes së komunistëve:

“Aliu, pasi lufta e nacionalizmit kundër fuqive shkatërrimtare mund të quhej e humbur e këshilloi të dalë në mërgim për t’i vazhduar jashtë orvatjet për çlirimin  e Shqipërisë nga zgjedha sllavo-komuniste. Ai u përgjigj: “Jam edhe unë i mendimit që nacionalistët duhet të dalin dhe t’a vazhdojnë jashtë veprimtarinë për të shpëtuar Shqipërinë nga robëria e rëndë mizore që po i kërcënohet. Shkoni ju e do t’ju jap me vete babën që është në moshë të thyer dhe një vëlla që t’a përcjellë. Sa për vete , mendoj se vendi im është këtu. Nuk mund t’i le mirditasit vetëm tani që një shuplakë e rreptë po përplaset mbi të gjithë ne. Kam vendosë me nda fatin me ta.Juve ju qoftë udha e mbarë e bëfshi punë të mbara në atë anë”.

Ndjenja dhe përgjegjësia e detyrës vetiake kundrejt atyre bashkatdhetarëve, shokëve e miqve, që kishin ndarë me të idealet e shqiptarizmit dhe përpjekjet për t’i shmangur atdheut fundin tragjik, janë në mëndjen dhe zemrën e Mark Gjomarkajt në një shkallë të tillë sipërore të pakrahasueshme të natyrës njerëzore, sa që të ligjërojnë plotësisht vetmohimin në kufijtë e hyjnores, i cili është karakteristika më e spikatur e botës së brëndëshme të  një heroi të shekullit të shkuar, i paracaktuar të mbetet feneri më i lartë e më i ndritur i idealizmit shqiptar për breza të tërë. 

Pak më shumë se një vit e gjysmë për Markun vazhdoi jeta në malet e shpellat e Veriut të Shqipërisë, në krye të qëndresës kundër-komuniste. Kanë qënë muaj e ditë të një heroizmi të pazakontë, në të cilët ai dhe bashkëluftëtarët e tij, ishin të përkrahur nga populli i atyre krahinave, që i furnizonte me ushqime e i mbronte, duke u treguar për veprimet e forcave të mbrojtjes, gjithënjë në kërkim të tyre. Populli e pagoi shumë shtrenjtë ndihmën e përkrahjen kundrejt “bijve të malit”, nëpërmjet pushkatimeve, burgimeve, internimeve, shkatërrimit të jetëve të qindra e mijra familjeve të përndjekura pa mëshirë nga regjimi. Në shumicën e tyre ato qindra familje të shpërngulura forcërisht në kampin e çfarosjes së Tepelenës nga Mirdita, përbëheshin nga pleq, gra e fëmijë, duke vuajtur urinë, skamjen, sëmundjet, vdekjet. Bujaria, vendosmëria e flijimi i atyre njerëzve të thjeshtë ishte shqetësimi më i dhimshëm që përshkonte zemrat e atyre luftëtarëve të lirisë, por nga ana tjetër, ata së bashku shkruajtën një nga faqet më të ndritëshme të historisë shqiptare, duke na lënë edhe neve sot një krenari të ligjëshme.

Ai popull e ata heronj gjatë viteve të qëndresës, ashtu si klasa politike e kohës së luftës së Dytë botërore me mbrojtjen e hebrenjve, i ngritën vehtes një “exegi monumentum” të paarritshëm, e shënuan çaste kulmore të heroizmit të markës shqiptare, fatkeqësisht të papranuar e të mbuluar me baltën shekullore të harresës së diktuar nga kundërvlerat e ngritura në pushtet mbas 29 nëndorit të vitit 1944. 

Gjatë atyre muajve të luftës kapidan Marku u vu jo vetëm në rolin e komandantit, duke u kujdesur që të shpërndante në krahina të ndryshme ushtrinë vullnetare të tij, për të mos mbetur vetëm në një vënd, si prè e përshtatëshme për forcat e Sigurimit e të ushtrisë së regjimit, duke ruajtur lidhjet në kushte krejtësisht të pafavorshme. Ai ishte organizatori i talentuar e pika e riferimit më e besueshme e më e vlefshme për luftëtarët e lirisë. Krijimi i një organizate kombëtare, të shtrirë në pjesën më të madhe të Shqipërisë, ishte vepër e tij. N’atë bënte pjesë edhe grupi i qëndresës së Shkodrës, që drejtoi kryengritjen e Postribës, e cila, ndoshta për arsye të pamundësisë së komunikimit e të ndërlidhjes, filloi i pari betejën pa pritur urdhërin e komandantit. Megjithë befasinë e veprimit e suksesit të ditës së parë, kryengritja dështoi si pasojë e pamundësisë për të patur ndihmën e trupës së plotë të luftëtarëve të lirisë e grumbullimit të fuqive të shumta qeveritare. U vranë e u kapën mjaft prej atyre luftëtarëve e përfundimi i veprimit pati ndikim johenik tek ata që kishin rrëmbyer armët për të kundërshtuar regjimin komunist.

Lufta vazhdoi edhe për pesë vite të tjera, në kushte pabarazie të llahtarëshme e vështirësish të papërfytyrueshme, duke lënë në beteja lulen e rinisë qëndrestare, deri sa të fundmit luftëtarë e kuptuan se ëndrra e idealit të tyre ishte krejtësisht e pamundur të sendërtohej, dhe para forcës madhore të kundërshtarëve, u tërhoqën e shkuan në mërgim.  

Në Prosek të Mirditës, simbas një dokumenti të botuar nga studjuesi Kastriot Dervishi: “Shtabi antikomunist, 19 veta ishte nisur për lëvizje brënda Mirditës. Në mëngjesin e datës 13 qershor 1946, shtabi ra në pritë të komunistëve. Beteja zgjati shumë orë. Mark Gjomarkaj u plagos rëndë. Korieri i tij u vra. Duke mos patur shpresë shpëtimi, si dhe duke mos dashur të binte në dorë të komunistëve, Mark Gjomarkaj  vrau veten. Megjithatë, regjimi komunist nuk donte të evitentonte këtë fakt, por vetëm atë të forcave të veta. Në këto raste, ai i daroviste ushtarët e vet me dekorata e grada në mënyrë që t’i kishte në raste të tjera edhe më të bindur në shërbim të tij.

Me anë të një shkrese të datës 6.7.1946 , kryeministri Enver Hoxha i kërkonte Presidiumit të Kuvendit Popullor, dekorimin e ushtarakëve që “u shquan për trimëri dhe abnegacion të veçantë në rrethimin dhe vrasjen e e Mark Gjomarkajt. (Vazhdon lista e emrave)”

Kështu u mbyll jeta tokësore e komandantit të përgjithshëm të kombëtarizmit shqiptar. Në ora 7 të mëngjesit të datës 14 qershor, pranë trupit të vdekur të një djaloshi 17-vjeçar, në kushte të pamundura për të vazhduar luftën, që për të ishte sinonim i vetë jetës, ky katolik i bindur, me gjakftohtësinë, maturinë e vendosmërinë, me të cilat kishte marrë të gjithë vendimet e jetës së tij të shkurtër, ai i dha fund jetës me një të shtënë revolveri, me fishekun e fundit që kishte në të. 

Sigurisht n’atë çast vendimtar mendimi i ka shkuar tek Jezui, të cilit i ka kërkuar jetën e pasosur edhe se po kryente vetëvrasjen e dënuar nga kisha e Krishtit. Ndoshta n’atë çast vetëtimthi i ka kaluar nëpër mënd një shprehje e famshme e shkrimtarit të njohur italian Alessandro Manzoni, të cilën e kishte lexuar në një libër të tij, kur studjonte drejtësi në universitetin e Romës: “Kur për të ndjekur drejtësinë nuk ka rrugë tjetër veç vdekjes, është e sigurtë për ne që Zoti na ka shënuar atë për të arritur tek Ai.”  

Komunistët u gëzuan shumë për “vrasjen” e tij, e si njerëz pa asnjë lloj respekti për vlerat shqiptare e njerëzore, e keqtrajtuan trupin e tij pa jetë në Sh.Pal, në Lezhë e në Shkodër. Atyre kriminelëve të regjimit u mungoi shpirtmadhësia e heroit të Homerit, që para hidhërimit të mbretit Priam të Trojës, nuk nguroi të dorëzonte me nderim kufomën e kundërshtarit të tij të vrarë prej tij, për t’i bërë varrimin që meritonte, si mbrojtës fisnik e guximtar i atdheut të tij.

Më pëlqen t’a mbyll këtë syzim timin mbi këtë personalitet të paperëndueshëm kurrë në kujtesën historike e në qiellin e lartë të shqiptarizmit të kombit arbëror, me pak fjalë të një shkrimtari simbol të shqiptarizmit në historinë e letrave shqipe, profesor Ernest Koliqit:

“Qëndresa e Mark Gjomarkaj-t në malet e Shqipërisë së Veriut mbështillet me rreze epopeje. Në krye të një çete luftëtarësh të lirisë, rrethuar nga dashuria e mbarë popullit me përjashtim të disa kapulajve të pavlerë, tërbuar nga dëshira për t’u rritë duke shqyer njerëzit me vlera, ai dha provën e gjallë se s’ka fuqi, sado e tmerrshme, që i shkulë rrënjët e traditës. Tradita më e kulluar shqiptare lulëzoi në Të me trimëri epike, në vetitë e kreut që e dallonte e shpirt therorizmi i cili vë nderin e detyrat njerëzore e kombëtare mbi jetën…..

Gjaku i dy pinjollëve të Derës së Gjomarkajve, i Markut e i Lleshit, i cili ndoqi trimërisht fatin e vëllait më të madh, nji vit ma mbrapa në malet e Mirditës, si dhe flija e trimave që shkrinë jetën anë e kand nëpër treva shqiptare për të pohuar para botës se shqiptari çmon ma fort lirinë e vlerat gojdhanore të jetës, vlon si tharm përherë i gjallë e i fuqishëm në thellësinat e mistershme të shpirtit arbënor.”

   Së fundi pak vargje monumentalë të poetit Koliqi që do t’ë ishin epitafi më i madhërishëm në një përmendore më se të merituar të atij HEROI:

“Vajton granija e po ban gjam burrnimi

po e ama zemrën ndryn n’nji dry heshtimi

pik loti ajo nuk derdh qi mbet shkret votra

edhe vajin ndalon n’vllazën e motra:

S’e qajm na Markun, le t’a qajë Shqipnija

pse rrezja e fundme ai kje qi lshoi lirija…”

Fund

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika

PROFESOR SHEFKI SEJDIU – PORTRETI I NJË EUROPIANI

June 30, 2023 by s p

Shkruan: Begzad Baliu/

Profesor Shefki Sejdiu, është linguist, romanist, ballkanolog dhe njëri prej personaliteteve më emblematike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

U lind më 8.6.1936 në Albonë (ish-Pakashticë), komuna e Besianës (ish-Podujevës), në Republikën e Kosovës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, Progjimnazin në Besianë, Shkollën Normale në Prishtinë (1956), Filologjinë romane në Shkup (1962) dhe studimet pasuniversitare –Linguistikën e përgjithshme me përqendrim të veçantë në linguistikën romane, në Zagreb (1975), ku edhe u doktorua me temën “Formalna i semantička podudaranja u denominacionim postupcima u fitonimiji romanskih jezika s albanskom i hervatsko-serpskom fitonimijom” (Përkimet formale dhe semantike në proceset emërtuese në fitoniminë e gjuhëve romane me fitoniminë shqipe dhe kroato-serbe) (1985).

Profesor Shefki Sejdiu vjen nga një familje atdhetare dhe me ndikim. Pas Luftës së Dytë Botërore familja tij u përndjek dhe ju morën të drejtat kushtetuese e ligjore, duke përfshirë këtu edhe të drejtën për të punuar. Kjo është arsyeja pse në vitet ’50, bashkë me vëllezërit e tij, gjithashtu të arsimuar, punuan në gjysmëilegalitet në fshatrat e rrethit të Kumanovës (1956-1957). Më tej vazhdoi punën mësimdhënës i frëngjishtes dhe i latinishtes në Gjimnazin e Podujevës (1961- 1967) dhe në Gjimnazin e Prishtinës (1967-1972). Prej vitit 1972 është ligjërues, docent (1985) dhe profesor ordinar (1991) i Historisë së gjuhës frënge me frëngjishte të vjetër dhe i latinishtes pranë Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Frënge të Fakultetit (Filozofik) Filologjik të Universitetit të Prishtinës.

Profesor Shefki Sejdiu ka mbajtur ligjërata si profesor i ftuar në disa institucione shkencore: në Universitetin e Sofjes (1987) dhe në atë të Veliko Tërnovo-s të Bullgarisë (1987), në Universitetin e Zagrebit (1990), në Qerthullin linguistik të Zagrebit (1990) dhe në Universitetin e Elbasanit (2000). Me qëllim hulumtimi dhe thellimi të njohurive teorike qëndroi disa herë për specializim në shumë institucione shkencore të Ballkanit dhe të Evropës: në Universitetin e Grenoble-it (1985); në Universitetin e Parisit (École des Hautes Etudes, Sorbonne III, IV) ku gjatë dy viteve universitare (1971/72 dhe 1974/75), ka përcjellë ligjëratat dhe ka ndjekur mësimet nga Gjuhësia e përgjithshme (dhe aksiologjia) te André Martinet, nga indoevropistika (hetitishtja dhe italikishtja) te M. Bader dhe Michel Lejeune, nga linguistika romane (frëngjishtja e vjetër) te L. Wagner dhe nga semantika dhe linguistika logjike te Bernard Pottier; në Institutin e Linguistikës dhe në Universitetin e Lisbonës (Portugali) hulumtoi dhe studioi çështje të gjuhësisë iberoromane (1978/1979). Njohuri nga ballkanistika mori në Universitetin e Zagrebit, në institucionet e Bukureshtit (1970, 1973, 1978, 1979, 1982) në atë të Sofjes (1987) dhe në Londër (1995) ku bëri hulumtime në fushë të antropolinguistikës dhe të etimologjisë.

Në vend të shkollës filologjike tradicionale, të cilën e kanë ndje¬kur pjesa më e madhe e albanologëve të Kosovës, Profesor Shefki Sej¬diu në Zagreb do të ndjek drejtimin e linguistikës, e cila ishte në kulmin e zhvillimit, në pjesën më të madhe të qendrave të Ev¬ro¬pës. Profesor Shefki Sejdiu në Zagreb studionte gjuhësinë e përgjithshme me përqendrim të veçantë në gjuhësinë ro¬ma¬ne, ndër¬sa brenda saj, që nga fundi i shekullit XIX kishte zënë zhvi¬lli¬mi i degëve të reja të semantikës: onomasiologjia dhe se¬ma¬sio¬lo-gjia, majën e të cilave do ta kurorëzojë etimologu i madh e ko¬hës sonë Wartburg.

Është e kuptueshme prandaj pse në studimet e tij, kur të ka¬ra¬k¬terit monografik e kur të nxitjeve të reja hulumtuese, ai do t’i plo¬tësojë ato fusha të rëndësishme të shkollave dhe dijeve të ko¬hës, pjesë e të cilës do të bëhet si me hulumtimet ashtu edhe me re¬zultatet shkencore.

Vështirë të gjendet një studiues në fushë të gjuhësisë shqiptare, i cili në studimet e tij të ketë sjellë me kompetencë dhe me ngulmë metodat, modelet dhe arritjet më të reja në fushë të gjuhësisë europiane, që nga vitet ’70 e këndej.

Me veprën e tij ka plotësuar atë pjesë të përfaqësimit të leksikut të shqipes në zonën ballkanike të leksikut roman, pra ai ka thelluar njo¬hu¬ritë për dimensionin e lidhjeve gjuhësore romane-shqiptare dhe vendin e leksikut të shqipes në rrethin ballkanik të kësaj fu¬she, themelet e të cilës i kishte vënë profesori zagrebas Petar Skok

Profesor Shefki Sejdiu, në komunikimin shkencor përdor (me gojë dhe me shkrim) përveç gjuhës amtare edhe kroatishten dhe frengjishten, kurse literaturën profesionale dhe shkencore e shfrytëzon edhe në latinishte, italishte, portugeze, spanjolle, romane (dhe katalone, sardie, retoromanie), por edhe në anglishte, rusishte, bullgarishte, sllovenishte dhe polonishte.

Profesor Shefki Sejdiu përktheu dhe përshtati tekste të gjuhës frenge për shkollat fillore dhe të mesme dhe recensoi tekste të latinishtes për shkolla të mesme dhe fakultete; është autor edhe i pesë veprave të domenit të onomasiologjisë. Fitonimia shqipe e Kosovës –lënda, ndarja, etimologjia, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1972; Fjalorth etnobotanik i shqipes, Prishtinë 1984; Çështje të onomasiologjisë fitonimike romane dhe ballkanike, Prishtinë, 1989; Sisteme, struktura, raporte (etnolinguistikë), Prishtinë, 2002; Sprova etimologjike, Prishtinë, 2002; (Iliro-arbroro)shqiptarët dhe gjuha e tyre në Universin globalist, “Era”, Prishtinë, 2016; Sprova dhe diskutime, “Era”, Prishtinë, 2019 Mori pjesë me kumtesa dhe ligjërata në dhjetëra tubime shkencore të mbajtura në Kosovë dhe jashtë saj (Prishtinë, Tiranë, Zagreb, Sofje, Zarë, Elbasan, V. Tërnovë, Donji Milanovac).

Profesor Sejdiu ka shkruar një varg veprash e studimesh nga fusha e linguistikës dhe si profil shkencor do të ndërtohet si onomasiolog dhe se¬ma¬sio¬log. Përveç linguistikës, për probleme të ndërlikuara, Profesor Shefki Sejdiu do të vë në shërbim edhe elemente të antropologjisë dhe të logjikës, ndërsa nga aspekti metodologjik do t’i mbetet bes¬nik metodës deduktive.

Ai është studiues i diakronisë romane, ku shqipja zë vendin e me¬rituar dhe komparativist në fushë të linguistikës, i cili i ka mu¬nguar shkollës shqiptare. Tashmë dihet se gjuhësia shqiptare stu¬dimet komparative i ka njohur kryesisht nga shkolla e fi¬lo¬lo¬gji¬së.

Sikur mund të shihet, në veprën e tij shkencore reflektohet de¬ndur linja shkollore dhe studimore e tij, për të mos thënë se ai ishte dhe mbeti përfaqësuesi tipik i këtyre zhvillimeve evro-ame¬rikane në fushë të linguistikës, në qarqet arsimore dhe shke¬n¬core të gjuhësisë shqiptare.

Në esencë, gjatë gjithë punës së tij shkencore, Profesor Shefki Sejdiu do t’i takojë shkollës së post-warburgistëve (Corominas, Guiraud, Baldinger, Vinja etj.) Nga fundi i viteve ’60 ai përcolli mendimin shkencor europian përmes Qarkut të linguistëve të Zagrebit (themeluar në vitin 1961) dhe si asnjë studiues tjetër i specializuar në qendrat perëndimore të ish-Jugosllavisë

Dijen e shkollës së Zagrebit me kohë do ta plotësojë me hu¬lu¬mtime dhe studime në disa nga qendrat shkencore evropiane, pran¬daj studimet e tij do të jenë edhe pasqyrë e koncepteve dhe pro¬jekteve të filluara nga studiues të këtyre profileve, sikur ja¬në: trekëndëshi semiotik i Ogden-Richards-it, formula për pro¬ce¬dimin e komunikimit të Bernard Pottier-it, të menduarit jo-aristotelian të shkollës së Alfred Korzybsk-it, terminologjia e Helmsljevit etj. Në studimet e tij ai do t’i vë në sprovë formulat dhe konceptet e tyre, duke i plo¬të¬suar edhe me vlera të reja jo vetëm materiale, por edhe teorike e metodologjike.

Nuk ka dyshim se pjesë e përpjekjeve të tij për të shpjeguar re¬zultatet e tij, jo gjithnjë të kuptuara janë edhe skemat e shu¬m¬ta, si forma më abstrakte të paraqitjes së të menduarit gjeometrik, me të cilat ai bën përpjekje për të paraqitur edhe në mënyrë vi¬zuele, sa më qartë kërkimet e tij, evidencat, përmbajtjen e kor¬pu¬seve, sintezat gjuhësore dhe më në fund rezultatet për¬gji¬thë¬sisht relevante dhe elastike, një veçori kjo e studimeve të tij në rre¬thet tona shkencore.

Ishte anëtar i Asociacionit të Profesorë Universitarë për të Drejtat e Njeriut me seli në Cap Tawn (1988) dhe i Asociacionit të Ballkanistikës dhe të Sllavistikës të Rumanisë (1991).

Për ta ndërtuar veprën e tij autori ka hulumtuar dhe studiuar shumë gjatë marrëdhëniet dhe huazimet leksikore romano-ballkanike në fushë të fitonimisë dhe marrëdhëniet e huazimet leksikore romano-sllave e shqiptare në truall të shqipes në veçanti. Ai ka sjellë një sintezë të re të huazimeve fitonomike te shqipes.

Ka botuar në revistat Gjurmime albanologjike (IAP), Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Prishtinë), Studime (ASHAK), Folia Onomastica Croatica (Zagreb), Onomastika jugoslavica (Zagreb), Filologjia (Prishtinë) etj.

Për kontributin shkencor dhe arsimor të Shefki Sejdiut kanë shkruar profesorët dhe studiuesit: Idriz Ajeti, Radosllav Katiçiq, Voijimir Vinja, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Shefkije Islamaj, Mehmet Halimi, Augustin Kovačec, Mensur Raifi, Begzad Baliu etj.

Ka gati dorëshkrimet Qarku etimologjik, Fjalë dhe thënie latine, Ligjëratat e letërsisë së vjetër frënge, Skica konceptesh e diskutimesh, Memoaret etj., me porosinë që ato të botohen pas vdekjes me një shënim hyrës nga autori i këtij teksti.

Prishtinë, 27 qershor 2023

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT