• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Situata politioko-ushtarake deri në krijimi e shtetit të parë modern shqiptar

November 25, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Çeshtja kombëtare shqiptare, qysh nga lindja e saj, pati përballë jo vetëm pushtuesin shumë shekullor osman, por edhe shtetet e reja  kufitare, ato helene, serbe, bullgare. Menjëherë apo paralel me krijimin e shteteve të tyre, në kushtet e së ashtuquajturës “Kriza Lindore”, me një përmbajtje të theksuar nacionaliste, ato përpunuan, që në vitin 1844, platformat apo programet famëkeqe të emërtuara “Megali Idhea” (Greqia), “Narçetania” (Serbia), si dhe Traktati i Shën Stefanit për (Bullgarinë). Thelbi i tyre qëndronte në përfshirjen, në përbërjen të shteteve greke, serbe dhe bullgare, të viseve të vendeve fqinje. Ambicje më të theksuara ato kishin për trojet shqiptare, ende të pushtuara nga Perandoria Osmane. Parashikohej aneksimi i plotë i tyre me vijë takimi të përbashkët e vijëndarëse lumin Shkumbin. Fatkeqësisht, si gjithmonë, Lëvizja jonë Kombëtare, në momente të caktuara, por tepër jetësore në mbrojtje të viseve të veta, u përball edhe me indiferentizmin e Fuqive të Mëdha të kohës e pse jo edhe me kundërshtimin e tyre e deri në marrjen e vendimeve antishqiptare.

Në mesin e shek. XIX, kur hartoheshin planet aneksioniste të fqinjëve, sipas edhe shumë vëzhguesve të huaj, të cilët e njohën nga afër gjeografinë njerëzore të Gadishullit Ballkanik, trojet me popullsi etnike shqiptare kishin një shtrirje të gjerë. Kështu, sipas euriditit francez Ami Boue (1840), vëzhguesit britanik E. Spencer (1847), austriakut J. Hahn (1853) etj, hapësirat gjeografike me popullsi autoktone shqiptare shtriheshin:

-Në Veri deri në Nish, Leskovac dhe Vranjë;

-Në Lindje deri në Kumanovë, Perlep dhe Manastir;

-Në Jugë deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë, përkatësisht krahinat ekstreme. (Akademia e Shkencave e RSH, “Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, botim i vitit 1998, Tiranë, f. 6). Këta studiues e vëzhgues pranonin se në këto krahina kishte edhe banorë të kombësive fqinje ballkanike (grek, vëlleh, maqedon, serb, malazes, turq). Por këto përbënin vetëm  pakica shumë të vogëla, në kuadrin e shtrirjes së madhe të popullsisë shqiptare. Trojet me banim nga shqiptarë autoktonë, edhe pse në atë kohë, me emrin, Shqipëri, nuk njihej ndonjë ndarje administrative, ato emërtoheshin me emrat e katër vilajeteve,  Kosova, Shkodra, Manastiri, dhe Janina dhe ishin ndarë nga qeveria osmane. Sipas disa studiuesve popullsia shqiptare shtrihej në një sipërfaqe prej 90.000 km. (Arben Puto, “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”, Vëll. I, Tiranë 1985, f. 20). Por, para Kongresi  të Berlinit, që shënon edhe coptimin e madh të parë të trojeve shqiptare, i cili u shkëputi atyre rreth 25.000 km2 sipërfaqe, del se në vitin 1878, sipërfaqja me popullsi shqiptare shtrihej deri në rreth 105.000 km2.

Traktati i Shën Stefanit u konsiderua në të gjithë Turqinë si një dënim me vdekje i dhënë kundër Perandorisë. Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Ai do ti shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore. Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore, Rusia do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome. Brutaliteti i politikës perandorake ruse dukej sidomos në trajtimin e problemit shqiptar. Shqiptarët nuk u trajtuan fare si kombësi më vete. Emri i tyre nuk zihej fare, në gojë në Traktatin e Shën-Stefanit. Për Rusinë, Shqipëria nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike e kombëtare. Rusia nuk e njihte Shqipërinë as si shprehje gjeografike, jo pse nuk kishte informacione për shqiptarët, por këtë e bënte më qëllim që t’ua mundësonte shteteve sllave zgjerimin territorial në këto vise pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane. Për më tepër trojet e saj u copëtuan midis katër shteteve. Pjesa më e madhe e tyre mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane kurse një mori visesh periferike u jepeshin aleatëve sllavë të Rusisë. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, rrethet e Korçës, Pogradecit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Kumanovës dhe Kaçanikut. Serbia do të aneksonte, viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi do të përfshinte brenda kufijve të tij, ndër të tjera krahinat shqiptare të Ulqinit, Krajës, Anamalit, Hotit, Grudës, Tuzit, Kelmendit, Gucisë, Plavës dhe Rugovës, pra edhe toka të cilat nuk i kishte pushtuar ushtarakisht gjatë luftës. Kufiri i ri do të kalonte përmes liqenit të Hotit, liqenit të Shkodrës dhe lumit të Bunës. Ky copëtim i trojeve shqiptare ndryshonte ndarjen e deriatëhershme të njësive administrative në kuadër të Perandorisë Osmane.

Tani tokat shqiptare do të bënin pjesë jo në katër, por në tre vilajete pasi që Vilajeti i Manastirit do të kalonte krejtësisht nën administrimin bullgar. Midis tre vilajeteve që do të mbeteshin nën zgjedhën osmane, njëri prej tyre, vilajeti i Janinës, do t’i nënshtrohej një reforme administrative të veçantë. Sikurse thuhej në nenin 15, në viset e tij, do të zbatohej ashtu si dhe në Thesali, një rregullore e njëllojtë me atë që ishte vendosur për ishullin e Kretës më 1866. Rregullorja do të përgatitej nga Porta e Lartë, e cila do të detyrohej të merrte pëlqimin e Rusisë, para se ta vinte atë në zbatim. Në këtë mënyrë shqiptarët e shpërndarë në tre vilajetet do të administroheshin nga rregullore të ndryshme, gjë që do t’i vështirësonte më tej marrëdhëniet e tyre politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Shqiptarët e kuptuan përmbajtjen e Traktatit të Shën Stefanit në prili të vitit 1878, kur ai u shpall zyrtarisht. Ata u informuan për copëtimin e tokave të tyre dhe territoret që do t’i kalonin Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Sikurse shkruante Abdyl Frashëri, më 12 prill 1878, perandori nuk do të ndalej vetëm me këtë copëtim të trojeve shqiptare. Sipas tij, Traktati i Shën-Stefanit shënonte vetëm hapin e parë drejt asgjësimit të plotë të Shqipërisë. Një vlerësim të tillë të situates e bënte edhe Sami Frashëri. Pasi vinte në dukje tendencën e Rusisë për ta shtrirë Bullgarinë deri në brigjet e Adriatikut, ai shkruante disa muaj më vonë: -“Sikurse kuptohet nga harta e Traktatit të Shën-Stefanit, (Rusia) pasi ta ketë bullgarizuar mesin e Shqipërisë, pjesët që mbeten në veri të saj, domethënë sanxhaqet e Prishtinës, Prizrenit dhe Shkodrës, do t’ia falë Serbisë dhe Malit të Zi, kurse pjesën që mbetet në jug, domethënë sanxhaqet e Prevezës, Janinës dhe Gjirokastrës do t’ia japë përkohësisht Greqisë, duke e zhdukur Shqipërinë, bile duke e fshirë atë nga harta”. (Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë 1997, f. 60).

Duke e ndier rrezikun nga afër sidomos pas sukseseve të Rusisë, ideologët shqiptarë mendonin për organizimin e shqiptarëve për çlirimin e tyre. Kjo ide përparimtare u jetësua në maj të vitit 1877 kur u formua në Janinë një Komitet Shqiptar në krye të të cilit u vu Abdyl Frashëri. Pas konsolidimit, Komiteti i Janinës vuri kontakte me oficerë shqiptar që shërbenin në ushtrinë osmane të cilët u treguan të gatshëm për tu bashkuar në luftën çlirimtare.

Shqiptarët kishin filluar të organizoheshin edhe në veri të Shqipërisë. Ata kishin formuar një komitet në krye të cilit qëndronte Pjetër Gurakuqi, i ati i Luigj Gurakuqit i cili sipas konsullit austriak në Shkodër Lippih njihej si proitalian.

Në rrethanat e reja të ndërlikimit të situatës ndërkombëtare kur Rusia me aleatët e saj po përparonin, Greqia e ndjente të nevojshme vazhdimin e bisedimeve me shqiptarët. Abdyil Frashëri kishte kërkuar nga pala greke që ta tërhiqte nga delegacioni Mavromatin sepse sipas tij ai ishte pengesë serioze për arritjen e ndonjë marrëveshje eventuale. Athina në vend të Mavromatit, dërgoi Stefanos Skuludhin i cili ishte deputet në parlamentin grek. Skuludhi arriti në Stamboli më 15 dhjetor 1877. Takimi në mes të delegacioneve, me kërkesën e Abdyl Frashërit u shty për disa ditë me qenë se ai dhe përfaqësues të tjerë ishin të zënë me organizimin e një aktiviteti kombëtar. Në fakt patriotët shqiptar kishin udhëtuar nga vende të ndryshme të Shqipërisë për të marrë pjesë në bashkimin në një organizate kombëtare e cila do të formohej në Stamboll. Kjo organizatë u formua më 18 dhjetor 1877 dhe u njoh me emrin “Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”. Edhe këto përpjekje për lidhjen e ndonjë marrëveshje shqiptaro-greke me interesa dypalëshe dështuan. Madje urdhri nga qeveria greke dërguar Skuludhit për t’u tërhequr nga bisedimet me shqiptarët më 25 dhjetor 1877 ishte sinjal i qartë se Greqia po përgatitej të pushtonte tokat shqiptare në Jug.

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.
Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën, një mareshal turk me origjinë gjermane. Por delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha.  Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale. 

Shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomie. Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi. Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj, ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit që nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike, Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale.

Kuvendi i Lidhjes së Prizërenit, më 10 qershor 1878 do të hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë, kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110. Abdyl Frashëri në fjalen e tij do theksonte: -“Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. 

Lidhja e Pejë e vitit 1899, u vlerësua si një organizatë unike kombëtare, që do të bashkonte në gjirin e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Me urdhërin e drejtuesve të Lidhjes dhe në zbatim të vendimeve të saj u ndalën gjakmarrjet, armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime të rrepta për ata që do të nxirrnin hakmarrjen, dhe për veprimet e tjera që cënonin rendin publik. Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvajtje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërrmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Serbia dhe shtete të tjera  të Ballkanit e pritën me shqetësim formimin e Lidhjes së Pejës. Ndaj kësaj Lidhje Shqiptare nuk shfaqën dashamirësi as Fuqitë e Mëdha sidomos Rusia dhe Austro-Hungaria. Pretendimet e Lidhjes Shqiptare binin ndesh me politikën pan sllaviste ruse kurse Austro-Hungaria ishte e interesuar që të përfitonte nga çdo dobësim i Perandorisë Osmane në mënyrë që të pushtonte këtë territor. As Britania e Madhe nuk shfaqi ndonjë shenjë përkrahje apo ndonjë trajtim më pozitiv në krahasim me Fuqitë e tjera. 

Në mars të vitit 1903 mijëra shqiptarë të armatosut u grumbulluan në rrethinat e Prizrenit e të Mitrovicës dhe zunë gjithë zonën midis Gjakovës e Pejës. Rreth 5000 kryengritës u mblodhën në Drenicë, ku nën drejtimin e udhëheqësve të tyre Ahmet Delia, Ukë Kamberi etj., mbajtën në fushë të Morinës kuvendin e tyre, në të cilin u kërkua nga qeveria turke të hiqte dorë nga reformat që rrezikonin tërësinë e Shqipërisë dhe të dëbohej konsulli rus nga Mitrovica. Karakter të ashpër morën ngjarjet në rrethet e Mitrovicës, ku në mars 1903 u përqëndruan 2000-3000 kryengritës, të cilët, ashtu si në Kuvendin e Drenicës, protestuan kundër “reformave që po dëmtonin interesat e atdheut”.

Lëvizja kombëtare shqiptare e vetmuar dhe pa asnjë përkrahje politike nga shtetet e pavarura të Ballkanit dhe Fuqitë e Mëdha nuk kishte shumë mundësi për zgjedhje në veprimet e saj politike. Shtetet ballkanike me çdo kusht përpiqeshin të pengonin aktivitetet dhe luftën e shqiptarëve për çlirim kombëtar. Në këto rrethana, patriotët shqiptar edhe më tutje gjendeshin para një dileme e cila iu afronte dy mundësi: E para, të rreshtoheshin përkrah popujve të krishterë të Ballkanit të cilët e mohonin ekzistencën e popullit shqiptar dhe pretendonin ta copëtonin territorin e Shqipërisë dhe e dyta, të rreshtoheshin përkrah sulltanit dhe të mundoheshin të përfitonin disa nga kërkesat e tyre. (Georges Castellan, Histori e Ballkanit (shekulli XIV-XX), Tiranë 1991, f. 381).

Kryengritjet shqiptare të viti 1910-1911, pavarësisht se nuk i dhanë rezultatet e pritura, megjithatë tërhoqën vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare. Britania e Madhe pavarësisht se nuk i përkrahu zyrtarisht lëvizjet kryengritëse shqiptare, diplomacia e këtij vendi që përbënte njërin nga më të fortit në kuadrin e Fuqive të Mëdha nuk pati qëndrim zyrtar as kundër interesave të shqiptarëve. Kjo vinte nga që rrethanat e përgjithshme dhe njohjen e pamjaftueshme të kauzës shqiptare në qarqet diplomatike dhe nga mungesa e një qendre të vetme politike ku mund të kordinoheshin aktivitetet politike, diplomatike dhe organizimi i kryengritjeve antiosmane, pra mungesa e përgatitjes në masën e duhur të faktorit të brendshëm. Mungesa e këtyre aspekteve ka ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë e shndërrimit të “kauzës shqiptare” në interes strategjik të Fuqive të Mëdha.

Fillim viti 1912 nisi me probleme të vjetra të pazgjidhura në trojet shqiptare. Marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe qeverisë osmane jo vetëm që nuk kishin shënuar përmirësime, por ishin ndërlikuar edhe më tepër duke hyrë kështu në një rrugë njëdrejtimëshe pa mundësi reale për t’u riparuar. Vilajeti i Kosovës si zonë më e rëndësishme gjeostrategjike, për shkak të rrethanave të krijuara ishte në qendër të vëmendjes jo vetëm të shteteve ballkanikë, por edhe të Fuqive të Mëdha.

Serbia për të formuar shtetin e vet vranë e masakruan si dhe shpërngulën me dhunë popullsinë shqiptare të Kosovës. Beogradi i Pashicit synonte që “Serbia të bëhej shtet i pastër, thjesht serb, nacional”. Planet e shfarrosjes së shqiptarëve dallohen qartë kur gjeneralët serbë pranonin haptazi se “ne i linim të qetë turqit, por vramë sa mundëm ç’qenë shqiptarë”. Synimi i ushtrisë serbe ishte: “Të shfarosim shqiptarët!” dhe kudo shkelën serbët, në fshatrat e qytetet e Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë, ata mbollën vdekje e shkatërrime. Sekretari i Pashiçit shkruante: “në rrugën midis Prizrenit dhe Pejës kishte vetëm fshatra të djegura, ndërsa banorët e tyre ishin masakruar”. Vetëm në dy muajt e parë të luftës, në tetor-nëntor 1912, u vranë 25.000 shqiptarë. Vrasja e shqiptarëve ishte programuar zyrtarisht nga Beogradi, që kishte urdhëruar “të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në ato vise”. Qytete të tëra, si Prishtina, Vuçiterna, Ferizaj, Gjilani, Kumanova, Presheva, Prizreni, Peja etj., iu nënshtruan shkatërrimeve. Në Pejë në tetor, nëntor 1912 vriteshin çdo ditë 25 shqiptarë. Pas pushtimit të Ferizajt, u vranë 1200 veta. Serbet pasi shtypën qëndresën e 2 000 lumjanëve në Kukës, në tetor 1912, masakruan 700 veta në Lumës, duke përfshirë pleqtë, gratë, fëmijët e madje edhe ata të sapo lindur që u therrën ose u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, dogjën e rrafshuan pothuajse të gjitha fshatrat e Lumës. Në shumë fshatra të Kosovës nuk mbeti i gjallë asnjë njeri. Në territorin midis Kumanovës e Shkupit, u vranë 3000 veta, nga të cilët 2000 në Shkup dhe rrethinat e itj, ku u arrestuan edhe krerë të lëvizjes shqiptare. Masakra të mëdha u bënë në Malin e Zi, ku u dogjën 29 fshatra shqiptare. Pushtimi u shoqërua me shpërngulje e 150.000 shqiptarëve vetëm gjatë Luftës së Parë Ballkanike. 

Në këto rrethana Lëvizja Kombëtare Shqiptare, duke parë qartë dobësimin e Perandorisë Osmane dhe rrezikun  që u kërcënohej trojeve shqiptare nga qarqet shoviniste fqinje, po përgatitej për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, si e vetmja rrugë për të detyruar qeverinë osmane tu njohë shqiptarëve të drejtat e tyre.

New York Nëntor 2023

Filed Under: Komente Tagged With: gezim mustafaj

DITA E SHENJTË E PAVARËSISË

November 21, 2023 by s p

Hasan Metuku/

Jemi të bashkuar për të kremtuar një ditë të shenjtë, një ditë të bekuar, ditën e Flamurit, ditën e pavarësisë tonë kombëtare, 28 Nentorin!

Flamuri ynë madhështor, me shqiponjën dy krenore simbolizon me shumë se çdo simbol kombëtar, kodin gjenetiko-historik, kulturor, trazhgimor të kombit shqiptar. Flamuri që na ka bashkuar sot, na sjell kujtimin e sakrificave të paraardhësve tanë trima, bujar dhe fisnik që sakrifikuan gjakun dhe jetën e tyre që ne sot, të kemi identitetin tonë kombëtar-shqiptar, dhe krenarinë kombëtare.

Në rrugëtimin e gjatë të kombit tonë, në momente kyçe të shpërbërjes si komb nga armiqtë tanë përmes pushtimeve, na janë gjetur miq të mëdhenj si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë mbrojtur të drejtën e kombeve të vogla si ai i yni.

Me gjithë sakrificat, luftërat, mijëra jetë të rëna për liri dhe identitet kombetar nuk do të mjaftonin që ne sot të ekzistonim si komb pa ndihmen e Austro-Hungarisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ndaj duhet të jemi përjetë mirënjohës ndaj tyre.

Në festën e Pavarësisë, le të përulemi me nderimin më të thellë ndaj të gjithë heronjve, dëshmorëve të lirisë dhe veprës së tyre në shekuj.

Ndonëse larg vendit tonë fizikisht, ne sot kemi me vete në shpirtin tonë, në qenien tone, në shtëpitë tona dhe ne veprimtarinë tonë, traditën tonë shqiptare, ne kemi me vete adhurimin për shqiponjën, flamurin dhe familjen!

Secili prej nesh, ka nderin për të përfaqësuar, e detyrim për ta lartësuar, flamurin dhe traditen tonë kombëtare.

Flamuri ynë është flamur i paqes, framur i drejtë, sepse shqiptarët nuk kanë sulmuar kurrë kombe të tjera, por kanë bërë vetëm luftra çlirimtare.

Nder përjetë, birit të Kastrioteve, Princit të Emathias dhe Krujës, Gjergj Kastriotit, Skenderbeut i cili në vitin 1444, në Kuvendin e Lezhës, bashkoi Princat Arberor nën një flamur, nën flamurin që ngriti dhe Ismail Bej Vlora, me 28 Nëntor 1912, 111 vjet më parë.

Lavdi përjetë dhe Faik Konicës, i cili sipas burimeve historike e rizbuloi dhe publikoi Flamurin e Skenderbeut.

Ne si matjanë kishim përfaqësuesin si trevë në firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë, Ahmet Zogun, i cili si ministër i brendshëm dhe përfaqësues në Kongresin e Lushnjës më 1920, dhe me vonë si President e Mbret, hodhi themelet e konsolidoi Pavarësinë e Shqipërisë.

Mati është treva që ka luftuar liri dhe ka prodhuar për qindra vjet barutin, dhe pinjollët e këtyre familjeve janë këtu me ne sot në këtë sallë, mirenjohje ndaj tyre sot e gjithmonë.

Prandaj si matjanë, si shqiptarë, kemi të drejtë të ndjehemi krenarë, për kontributin në rrugëtimin shekullor të flamurit kombetar në procesin e pamvarësimit dhe në konsolidimin e shtetit shqiptar.

Gjuha Shqipe, Flamuri Kuq e Zi, dhe Besa Shqiptare, janë tre shtyllat dalluese të Kombit tonë.

Prandaj motra e vellezer, dhe pse larg, ne duhet ta ruajmë gjuhën shqipe, ta nderojmë e ta lartesojmë Flamurin tonë, dhe të mos ta harrojmë Besën Shqiptare!

Shqipëria sot është anëtare e NATOS, krah për krah SHBA-s dhe vendeve demokratike, Kosova është e lirë dhe sovrane, me gjithë vështirësitë, shqiptarët në Mal të Zi dhe Maqedoni kanë më shumë të drejta dhe pjesë shtetformuese. Ndërsa shqiptarët në Luginën e Preshevës vuajnë dhe persekutohen akoma nga shteti Serb për flamurin Kuq e Zi. Çështja Çame mbetet ende e pazgjidhur në kalendat Greke.

Por rreziku më i madh për trojet tona mbetet shpopullimi dhe emigrimi, të cilat vijnë nga keqqeverisja, dhe këto çështje kërkojnë zgjidhje.

Dhe pse ne Amerike, dhe me shume fat, prap ëndrrat per atdheun nuk na lënë rehat.

Të dashur vëllezër e motra, me lejoni ta mbyll fjalën time me kushtrimin:

“Se zoti vete e tha me gojë,

Se kombet shuhen përmbi dhe

Por Shqipëria do të rrojë

Për të, për të luftojmë ne!”

Lavdi përjetë atyre që dhanë jetën për liri dhe Pamvarësi!

Rrofte Shqipëria!

Rroftë Mati dhe Matjanet!

Rrofte Kombi Shqiptar

Bekuar qoftë Flamuri ynë Kuq e Zi!

Filed Under: Komente

Në kuadërin e Summit të III të Diasporës, annullohet pjesëmarrja masive e arbëreshëve!

November 18, 2023 by s p

Summiti i III i Diasporës Tirana mikpret shqiptarët nga mbarë bota, dhe në “Ditën Arbëreshe” e cila do të mbahet më 22 Nëntor 2023 studjuesve, kërkuesit shkencorë, aktivistë të botës arbëreshe iu annullohet pjesëmarrja masive!

Me pak fjalë.

Në programin e Summitit të tretë kushtuar “Ditës së arbëreshëve”, një masë e gjerë e arbëreshësh ishte mobilizuar për pjesmarrjen e tyre, thirrja e të cilëve iu ishte bërë kohë më parë nga Qëndra e Studimeve dhe e Publikimeve në Tiranë, i vetmi istitucion i arbëreshëve në Shqipëri.

Në Summitin e mëparshëm të organizuar në 2022 nga Qëndra e Studimeve dhe Publikimeve, pjesmarrja e arbëreshëve ishte masive (kriteri bazë që duhet të mbahej në atë Summit). Falë atij takimi lindën edhe raporte që u zyrtarizuan midis Qëndrës e Studimeve dhe e Publikimeve me drejtoreshë Z, Diana Kastrati dhe organikave të komunave vendore në disa ngulimet arbërshe. Pas atij summiti filloi diçka të lëviste në botën arbéreshe dhe u krijuan ura, e mbi të gjitha kjo lëvizje nuk i la arbëreshët“invisibile”! (A e dini iu që deri në vitin 2018 arbëreshi i San Costandino Albanese as që e dinte që egzistone arbëreshi në Contessa Entellina?! Kjo s’ka nevojë për koment për të kuptuar se në çafare situate ishte bota arbëreshe !!!)

Pak ditë më parë çuditërisht lajmi për pjesëmarrjen masive të botës intelektuale arbëreshe u anullua. Shumë prej atyre arbërshëve kishin prerë biletat e udhëtimit drejt Shqipërisë dhe kjo situatë e krijuar nuk ishte për faji të Qëndrës, por për shkak të vendimarrjes së një organi tjetër, flitet për Akademinë e Shkencave në Tiranë.

Lind pyetja; Nëse Samiti do të kishte si qëllim që t’iu shërbejë arbëreshëve si pikëtakimi për t’i dhënë vëmendjen që meriton në vlera dhe pasuri, atëherë, pse iu annulla pjesëmarrja masive pikërisht këtyre arbëreshëve, aq më keq dukë ditur që bota arbëreshe po shkon në fill te perit për problematikat që ka?!!

Ky veprim ngelet jo vetëm një akt shumë i turpshëm por mbi të gjitha e bënë më sakate sa ç’është botën arbëreshe si dhe rrit përçarjen! Lindin një sërë pytje:

Si mund të lësh jasht këtij Summit kërkues, autor tekstesh, studiues, hulumtues shumë nga ata individë që kanë dhënë vërtetë një kontributë kolosal mbi botën arbëreshe aq sa shpesh ia tejkalon edhe asaj istitucionale!

Si mund të flasësh për dhe mbi gjuhën e tyre e të lësh jashtë Summitit sportellet linguistike,të botës arbëreshe?!

Si mund të lësh jashtë summiti shumë associazione, organizata, shoqëri që janë zemra, pulsi i jetës arbërore, të cilët mbledhin në gjirin e tyre botën reale arbëreshe?!

Si mund të lëshë jashtë këtij summiti, publicistë, historianë, gazetare, poetë, shkrimtarë, intelektualë, të ndershëm të botës arbëreshe?!

Si mund të lëshë jashtë këtij summiti grupet artistike arbërshe, të cilët ruajnë folklorin, mbajnë gjallë etnografinë, gjuhën nëpërmjet rapasodive?!

Si mund të lini jashtë botës arbëreshe arkitekt,(me sa di unë asnjëherë nuk ka patur ndonjë projekt universitar mbi arkitekturën arbëreshe)!

Si mund të lini jasht përfaqësues të bibliotekave të cilët janë monumente të botës arbëreshe!

Si mund të lini jashtë arbëreshë qytetarë të thjeshtë por aktivist të dalluar të cilët mbështesin çështjen e ruajttjes së identitetit duke ditur vështirësit që hasin çdo ditë këta arbërshë në asimilim ashtu edhe për shkak të politikave gjeopolitike të shpopullimit?

.

Lind pyetja :

Cfarë mund të diskutohet në këtë Summit kur mungon lënda e parë ”Arbëreshi” ?

Ndoshta në këtë Summit do të vazhdojnë e të rrefejnë se cilën gjuhë standarte do zgjedhin midis Arbërishtes, e cila kërkohet me insistim nga pjesa dërrmuese e arbërshëve, dhe gjuhës standart shqipe?(bathë bathë po një kokërr! Siç e shohim bota akademike ka ngelur akoma tek alfa!)

Ndoshta atë ditë do të na japin ndonjë farë lajmi të mirë se kanë përpiluar tekst të morfologjisë, sintaksës, fonetikës, fjalor të përgjithshëm mbi varjantin e arbërishtes, për të cilën bota akademike nuk ka arritur të bëjë asgjë nga këto deri më sot!

Bota arbëreshe sot për sot është një çështje delikate, problematike, ku duhet folur pa dorashka, pa zbukuruar e pompozuar fjalët, pa frikë, se bota arbëreshe nuk është një botë e limituar. Ajo nuk eklipsohet në një grusht akademikësh,(që në fund të fundit janë rrogëtarë dhe automatikisht investojnë mbi karrjerën e tyre)! Fati i Arbëreshëve nuk duhet të jetë në fatin e një grup personash e në kthetrat e akademizmit, sepse Arbëria nuk është monopol i askujt dhe se Arbëria është i Arbëreshëve!!!

Bashkohem me atë pjesën e indinjuar arbërshe ku: Mjaft abuzuat me botën arbëreshe! Mjaft u tallët me këtë popull! Keni më tepër se 30 vjet e braktisët, e “tradhëtuat”, dhe më e keqja është së po i hiqni edhe të drejtën për tu ndjerë arbëresh.

Mos harroni se Arbërshi nuk është as naif as pasiv! Arbërshi në “ring”kur është gjetur për tokë është edhe përpëlitur, por kur dëgjon arbitrin që numëron 7, 8, edhe pse i dërrmuar i përgjakur, ngrihet dalëngadalë në këmbë dhe kur ai arrin tek numri nëntë,mobilizon forcat e shpirtit dhe godet, sespe bota e Arbëreshëve është bota e një populli, që akoma beson, që ende shpreson, dhe lufton për të ruajtur identitetin e të parëve të tyre. Le të kujtojmë përsësri se janë nipërit e; De Radës, Serembes, Santorit, Torrellit, por edhe e shkencëtarëve si Giura, Baffa, e qindra të tjerë, emrat e të cilëve u rradhitën në analet e historisë botërore e mbajtën lart emrin arbërorë në rruzull!

Konkluzion: Fatkeqësia qëndron se edhe atëhere kur të jepet mundësia për ringjalljen e Arbëreshëve, si në rastin e Summitit të tretë, ”Dialli vesh Prada”, dhe ushtron trysni duke mbytur këtë krijesë sa antike por edhe aq foshnje!

Është për të dëshiruar fakti se në Akademinë e Shekncave në Tiranë ka plot profesorë që nuk dinë asgjë mbi botën arbëreshe! Ka plot politikan injorantë ndaj botës arbëreshe! Me sa duket në qarqe e larta paska nga ata që kanë mungesë sensibilitet të atdhedashurisë dhe të patriotizmit, sepse si primarrje ndoshta për ta janë lavdia dhe interesat vetjake!

Shpresojmë që ajo “dorëz”që komandon në këtë Summit të reduktuar të kujtohet për çështjen më urgjente të botës arbëreshe, ku gjuhën e saj UNESCO e ka shapallur si gjuhë në rrezik zhdukje.

Summit të trajtojë si pikëtakimi me vlerë dhe projekte në fushën e kulturës arbëreshe midis dy vendeve Shqipërisë dhe Italisë. Bota shqiptare akoma nuk njeh kulturën arbëreshe, gamën e saj, ku në të përfshihen figura të ndritura që kanë dhënë kontributë në shkencë, në arkitekturë, në histori, në art por që është për të ardhur keq se nuk promovohen!

Bota akademike pa pjesmarrjen masive të studiuesve, kërkuesve, autorëve arbëresh, që punojnë me mish e me shpirt mund të themi pa frikë se ka dështuar, ashtu siç kanë dështuar deri më sot në konferencat, pleniumet, kongreset që nuk kanë shërbyer për asgjë as popullit dhe as botës arbëreshe! Do bënte mirë që akademikët të dilni nga “furriqet” e tyre e ulin flatrat e delirit e madhështisë, të përfshihen në popull. (Imperatorët e Romës dhe pse gjakatarë, askush nuk u bë mbret nëse nuk hyri në zemrën e popullit)

Punime të mbara Summiti i tretë, por mbi të gjitha të dashur arbëresh Mirë se të vini në Shqipëri. Ju vëllezër arbëresh, pavarësishtë Akademisë dhe akademillarëve që iu mohuan pjesëmarrjen, pavarësisht këtij deluzioni mos harroni se ne shqiptarët me gjak shqiptari iu duam, iu admirojmë dhe jeni pa dushim vëllezërit më të mirë e fisnik të tanët!

Rrofshi dhe qofshi të përjetshëm gjaku ynë i shprishur, sepse nuk ka Arbëri pa arbëreshë.

Nëse një ditë arbëreshët do zhduken ,

humbasim një popull dhe jo një etni

kjo s’duhet të ndodh kurrë!

Ornela Radovicka Qëndra mbi gjuhën dhe kulturën arbërshe themeluar nga A. Bellusci 1980.

Filed Under: Komente

111th Anniversary of Albanian Independence

November 17, 2023 by s p

Please join the Albanian American community in celebrating the 111th Anniversary of Albanian Independence with NYC Mayor Eric Adams, NYC Council Speaker Adrienne E. Adams, and Councilmembers on 11/27 & 11/28.

11/27 Flag-Raising Ceremony – Wall Street Charging Bull

with NYC Mayor Eric Adams

Date: November 27, 2023

Time: Arrive at 2 P.M., program starts at 2:30 P.M. SHARP

Location: 25 Broadway, New York, NY, 10004

(FREE: OPEN TO THE PUBLIC)

11/28 City Hall Celebration

with NYC Council Speaker Adrienne E. Adams, CM Holden, CM Borelli, CM Carr, CM Feliz, & CM Velazquez

Date: November 28, 2023

Time: Arrive at 5 P.M., event starts at 5:30 P.M SHARP

Location: 1 City Hall, New York, NY, 10007

(FREE: MUST RSVP)

RSVP at https://council.nyc.gov/events/rsvp/?event=ALB2023 or call 212-482-4121.

I look forward to celebrating with you all.

Respectfully,

Mark Gjonaj

(347) 398-6161

“If you want to go fast, go alone.

If you want to go far, go together.”

Filed Under: Komente

Intervistë me gazetën franceze Journal des Débats / Përkthim nga origjinali frëngjisht

November 13, 2023 by s p

Letër nga Vjena: Ismail Qemali dhe çështja shqiptare.

Vjenë, 21 nëntor 1912

Maurice Pernot

Ismail Qemal Beu, një ndër krerët më të padiskutueshëm të kombit shqiptar ndodhet prej disa ditësh në Vjenë. Ai erdhi nga Budapesti, ku politikanët hungarezë i bënë një pritje të përzemërt dhe ku, zyrtarë të Monarkisë, pa u zhveshur nga rezervat diplomatike që ua impononin rrethanat, nuk ia fshehën simpatinë dhe interesimin për çështjen që ai mbron. Me gjithë kërkesat e tij këmbëngulëse, ai nuk mundi të pritej nga Konti Berchtold; por miqtë shpejtuan ta vënë në kontakt me disa funksionarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Vizita e tij në Budapest u bë ndërkohë që kriza austro-serbe ishte në kulmin e saj, kur çështja e konsujve krijoi shqetësime në opinionin tashmë të acaruar me qëndrimin kokëfortë të Serbisë për problemin e porteve. Ismail Qemali gjeti në Austro-Hungari një klimë të favorshme për planet e tij, ndonëse nuk dukej më pak dyshues dhe i shqetësuar.

“Do të nisem sonte për Trieste, – më tha. Një anije austriake do të më çojë në Durrës, ku shpresoj të arrij përpara ushtrisë serbe. Nuk ka më kohë për të humbur. Bashkë me miqtë e mi do të provojmë të organizojmë një komitet mbrojtjeje, një farë qeverie të përkohshme. Por duhet që Europa më në fund të heqë dorë nga indiferenca e saj dhe të manifestojë me vepra interesimin që ajo duket se ka për çështjen tonë fatkeqe. Në Austri, Gjermani si dhe në Francë e në Angli, opinioni publik është shprehur në favorin tonë; e drejta jonë është njohur njëzëri dhe ruajtja e pavarësisë sonë duket se përputhet jo vetëm me parimet e diplomacisë evropiane, por edhe me vetë interesat e Fuqive të Mëdha. Çfarë pret Europa për të na mbështetur? Ç’vlerë ka shpallja prej saj e së drejtës së kombit tonë për ekzistencë dhe autonomi kur ne të mos ekzistojmë më? Plani i serbëve është i qartë: ata djegin dhe masakrojnë çdo gjë që u del përpara; atyre nuk u mjafton pushtimi i Shqipërisë, por duan të shfarosin shqiptarët.”

Ismaili plak uli kokën dhe qëndroi për pak çaste në heshtje. Pastaj vazhdoi: “Ne nuk mundemi, nuk duam të bëhemi sllavë. Nga të gjithë kombet që popullojnë Ballkanin, i yni është më i vjetri. Është e vërtetë që nuk jemi shumë të qytetëruar, sepse na është dashur të vuajmë shumë. Por, a ka arsye të pritet një pemë e cila nuk ka lulëzuar sepse i ka munguar kujdesi? Ne ishim të parët që u ngritëm pas vitit 1908 kundër pretendimeve tiranike të qeverisë së Turqve të Rinj. Duke kërkuar reforma dhe një trajtim më të barabartë, duke protestuar kundër kërkesave që nuk përputheshin me doket dhe me zakonet tona si dhe me kushtet tona të ekzistencës, ne nuk kishim si qëllim të mbronim vetëm të drejtat e racës sonë, por edhe ato të të gjitha kombësive; programet tona të asaj kohe janë dëshmi e këtyre synimeve. Përpjekjet tona nuk patën sukses; ato u mbytën nga shtypja më e padrejtë dhe më e dhunshme. Popujt e Ballkanit janë bashkuar; tani ata kanë marrë në dorë çështjen që ne u përpoqëm ta mbrojmë. Dhe sot që ata po triumfojnë, lëvizja e tyre e parë është të kthehen kundër nesh. Ata i njohin synimet tona, të cilat nuk janë armiqësore ndaj tyre; ne i shihnim ata si aleatë. Ata e dinë se ne nuk do të ndjekim kurrë ndonjë plan për zgjerim e për propagandë; ne nuk kërkojmë veçse një gjë: që të na lënë të jetojmë në tokat ku jemi. Por këtë kërkesë ne do ta vazhdojmë deri në sakrificën e fundit. Ne nuk do të lejojmë as të na aneksojnë, as të na përçajnë e as të na mbysin në dallgën e një popullsie të huaj. Çështja e formulës politike që duhet gjetur, e qeverisë që duhet krijuar është anësore dhe tani për tani na intereson pak. Themelorja është se ndjenja kombëtare mbisundon tashmë mbi të gjitha ndjenjat e veçanta, mbi parapëlqimet politike ose mbi rivalitetet fetare. Të gjithë shqiptarët, katolikë, ortodoksë ose myslimanë janë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat e kombit dhe për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë.”

Herë pas here, Ismail Qemali përdorte fjalët “pavarësi” dhe “autonomi,” prandaj e pyeta nëse shqiptarët i kishin saktësuar synimet e tyre në këtë pikë. Ai bëri një gjest dëshpërimi: “Përse të bëjmë lojë fjalësh, – tha. Askush nuk e pat uruar më me zjarr sesa unë rimëkëmbjen e Perandorisë Osmane, askush nuk ishte më i vendosur për të sakrifikuar sa të ishte e mundur që Turqia të bëhej një shtet modern, i qeverisur dhe i administruar mirë, i qëndrueshëm dhe i fortë. E gjithë revolta jonë drejtohej kundër shpërdorimit të pushtetit nga një parti, e cila vuri në shënjestër të drejtat tona dhe synonte të na eliminonte si komb. Kjo parti tashmë e ka shkatërruar Turqinë. Çfarë mbetet në Europë nga Perandoria Osmane? Tani nuk mund të shtrohet aspak çështja e një Shqipërie autonome nën sovranitetin e Turqisë. Fijet që do të lidhnin me Perandorinë një krahinë të izoluar dhe të largët do të ishin artificiale dhe të pamundura për t’u mbajtur. Prandaj, nuk është autonomia ajo që ne kërkojmë, por pavarësia, një pavarësi që nuk kërcënon askënd dhe që madje u ofron disave garanci të caktuara.”

Ismail Qemali e dinte se para se t’i shkoja për vizitë, kisha takuar Hussein Xhahidin, ish-drejtor i gazetës Tanin, i cili ishte larguar nga Stambolli për shkak se kërcënohej të dënohej dhe ishte strehuar në Vjenë. Më pyeti se ç’mendonte Xhahidi për ngjarjet dhe si e shihte të ardhmen. Nuk ia fsheha se Xhahidi më kishte habitur me optimizmin e tij. Ai nuk e kishte humbur aspak entuziazmin dhe besimin e dikurshëm. Përvojën në Europë, ku kishte dështuar, do ta rigjallëronte në Azi, ku kishte më tepër shanse për sukses. Atje kishte më tepër probleme, më tepër pengesa. Armenët, sipas tij, nuk mund të përbënin një rrezik. Ata kishin shumë interesa të përbashkëta me turqit. Arabëve do t’u jepej një autonomi e madhe. Pak nga pak do të arrihej përparim, vendi do të organizohej dhe do të bëhej i begatë.

“Janë ëndrra,” tha Ismaili. “Asnjë realitet, sado i ashpër dhe i tmerrshëm nuk i zgjon dot këta njerëz. Me ngathtësinë dhe arrogancën e tyre ata prishën gjendjen më të bukur dhe më të papritur të krijuar në botë. Mendoni se çfarë simpatie dhe çfarë besimi gëzonte Turqia në Europë të nesërmen e revolucionit! Ishte diçka e paparashikuar, dukej sikur kjo kishte çliruar fuqinë e jetës dhe të energjisë, burime të pashtershme. E gjithë Europa i shprehu besimin Turqisë së re dhe i ofroi ta ndihmonte. Por ata nuk e kuptuan, nuk ditën aspak ta shfrytëzojnë rastin. Sa herë u përpoqa t’u hapja sytë, u lutesha të mos i humbisnin përfitimet nga kjo situatë e veçantë që nuk do të vinte më kurrë; nuk do të ishte vetëm partia e tyre që do të përfitonte, por e gjithë Perandoria. Brenda pak muajsh ata u armiqësuan me të gjithë botën; Fuqitë e Mëdha u trajtuan prej tyre me një mospërfillje të padëgjuar, ndërsa neve na kthyen kurrizin. Brenda perandorisë, kombësitë, të kërcënuara për ekzistencën e tyre nga një politikë qorre dhe e egër, nuk mund të ëndërronin gjë tjetër përveçse çlirimin nga një zgjedhë që po u bëhej e padurueshme. Rrjedhojë e gjithë kësaj ishte historia e ditëve të fundit, e cila pa dyshim ende nuk kuptohej qartë prej tyre.”

Kur po bëhesha gati të largohesha, Ismail Qemali më shprehu edhe një herë me këmbëngulje shpresën e tij se Fuqitë e Mëdha të Europës do t’i mbështesnin seriozisht kërkesat e Shqipërisë. Ai dukej mjaft i kënaqur nga atmosfera që kishte gjetur në Austro-Hungari, mjaft ndryshe nga ajo që shprehte prej disa ditësh shtypi italian. “Shtypi, – i thashë, – nuk pasqyron gjithnjë mendimin e qeverisë.” Ismaili tundi kokën dhe nuk u përgjigj.

Foto: memorie.al

(Marrë nga libri “Pavarësia”, Ilir Ikonomi 2012)

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • …
  • 491
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT