• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sot, kujtojmë 148-vjetorin e lindjes së Faik Konicës (15 Mars 1875-15 Dhjetor 1942)

March 15, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, përkthyes, një nga personalitet më të shquara të kulturës, letërsisë, e jetës politike shqiptare, një intelektual i dimensioneve europiane.‪‎Faik Konica‬ lindi më 15 mars 1875 në Konicë, në një familje të vjetër koniciote. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit. Pasi kreu shkollat e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SH.B.A, ku mori gradën “Master of Arts”. Me 1897, në Bruksel botoi numrin e parë të revistës politike kulturore e letrare “Albania”. Pas vajtjes së tij në Boston, së bashku me Fan Nolin, themelojnë gazetën Dielli, një organ i rëndësishëm i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Me 1912 në emër të Federatës Vatra, shkon në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 1921, Konica zgjidhet kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës Dielli, ai shkruante në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”.Më vitin 1926, Faik Konica emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.Vdiq në Uashington më 15 Dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë.Me veprën e tij letrare e me shkrimet kritike, Konica pasqyron një njohje të thellë të mendësisë shqiptare, e jetës politike shqiptare. Gjatë veprimtarisë së tij është përpjekur për një gjuhë letrare të përbashkët dhe ndihmoi në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar. Krijimtaria e tij ka mbetur në pjesën më të madhe e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime. Faik Konica mbetet një figurë qendrore dhe një pikë referimi në ecurinë e kulturës sonë moderne.

Filed Under: Komente

Muzika shqiptare në Sinagogën e Madhe të Timishoarës

March 12, 2023 by s p

(Kompozitorët shqiptarë krahas atyre botërorë)

Më 9 mars 2023, në qytetin e Timishoarës, kryeqyteti kulturor i Europës për vitin 2023, me mbështetjen e Komunitetit Hebre të Timishoarës dhe Federatës së Komuniteteve Hebraike në Rumani, Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) organizoi në Sinagogën e Madhe të qytetit një recital të jashtëzakonshëm muzikor. 

Timishoara është e njohur për bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare. Përpos rumunëve, gjermanëve, hungarezëve, hebrenjve, serbëve, çekëve apo sllovakëve, në këtë qytet kanë jetuar dhe jetojnë akoma edhe shqiptarë. 

Koncerti i konceptuar nga ALAR-i synoi që të bënte të njohur vlerat e muzikës shqiptare, krahas atyre të popujve të tjerë. Fakti që këtë vit Timishoara është dhe Kryeqyteti Europian i Kulturës ishte një rast i mirë për të promovuar kulturën shqiptare në një kontekst europian. Muzika dhe kultura janë mjete të dialogut mes popujve dhe një mënyrë për promovimin e diversitetit kulturor dhe bashkëjetesës paqësore midis popujve.

Në Sinagogë u luajtën pjesë muzikore nga kompozitori i mirënjohur shqiptar, Thoma Gaqi, dhe u kënduan në gjuhën shqipe romanca të Tonin Harapit dhe Kristo Konos nga pedagogia e Universitetit të Bukureshtit, zonja Claudia Codreanu (mezzo-soprano), e shoqëruar në piano nga profesori universitar i pianos, Piro Gaqi, i cili ishte dhe drejtor artistik i këtij koncerti. Vargjet në gjuhën shqipe dhe muzika shqiptare u dëgjuan krahas pjesëve të tjera në gjuhën hebraike, rumune, franceze e gjermane të autorëve të njohur të muzikës botërore, si Charpentier, Händel, Mozart, Rossini, George Enescu, Mauris Ravel, Dan Mizrahi apo Tiberiu Brediceanu.  

Kuarteti i vilonçelit “Placello”, me famë ndërkombëtare, i përbërë nga instrumentistët Răzvan Suma, Ella Bokor, Mircea Marian dhe Soma David, interpretoi me mjeshtëri vepra të autorëve të sipërpërmendur. Por ajo që u vlerësua dhe befasoi publikun ishte fakti se “Placello” luajti për herë të parë  “Vallen simfonike nr 2” të kompozitorit Thoma Gaqi, përshtatur për violonçel , e cila u duartrokit gjatë nga publiku. Mezzo-sopranja Claudia Codreanu, profesore në Universitetin e Muzikës së Bukureshtit, e shoqëruar në piano nga pianisti Piro Gaqi, interpretoi romanca nga repertori universal i muzikës.  Mbrëmja u mbyll në një mënyrë festive, kur të gjashtë artistët interpretuan “Habanera” nga opera “Carmen” e kompozitorit francez Georges Bizet, në një aranzhim muzikor të kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Thoma Gaqi.

Deputeti Bogdan-Alin Stoica, përfaqësuesi i pakicës shqiptare të Rumanisë, kryetari i ALAR-it, Dr. Radu-Cosmin Săvulescu, si dhe koordinatori i Qendrës Kulturore të ALAR-it, Dr. Luan Topçiu, ishin mikpritësit e aktivitetit në Timishoara. Me ftesë të deputetit Stoica, në recital ishin të pranishëm edhe deputetët Ovidiu-Victor Ganț (sekretar i Dhomës së Deputetëve, përfaqësues i pakicës gjermane në Rumani), deputetët Iulius-Marian Firczak dhe Ognean Crastici, Presidentja e  komunitetit të Hebrenjve në Timishoara, Luciana Friedmann,  zv/rektori i Universitetit Perëndimor të Timishoara-s, si dhe autoritete të qarkut. Ndër të pranishmit ishte edhe profesori i mirënjohur dhe muzikanti, Marin Cazacu, aktualisht drejtor i Filarmonisë “George Enescu” të Bukureshtit – institucioni më i rëndësishëm i muzikës klasike në Rumani.

Vendet e parashikuara për publikun artdashës ishin të pamjaftueshme për audiencën shumë të madhe, por bukuria e recitalit ishte shpërblimi më i madh për ata që e ndoqën koncertin më këmbë. Suksesi i koncertit i detyrohet interpretimit mjeshtëror të artistëve, organizimit të shkëlqyer të ALAR-it, por edhe muzikës shqiptare, vlerave të saj në një dialog me kulturën europiane. 

Zyra e shtypit ALAR

Bukuresht, 11 mars 2023

Filed Under: Komente

Dashuria nuk humbet

March 6, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Në moshën 40-vjeçare, Franz Kafka, i cili nuk u martua kurrë dhe nuk kishte fëmijë, po shëtiste nëpër një park të Berlinit kur takoi një vajzë të re që po qante sepse kishte humbur kukullën e saj të preferuar. Ajo dhe Kafka e kërkuan kukullën pa sukses.Kafka i tha që ta takonte atje të nesërmen dhe do të vazhonin kërkimet.Të nesërmen, kur ende nuk e gjetën kukullën, Kafka i dha vajzës një letër “të shkruar” nga kukulla ku thuhej: “Të lutem mos qaj. Unë jam në udhëtim për të parë botën. Do t’i shkruaj aventurat e mia.Kështu filloi një histori që vazhdoi deri në fund të jetës së Kafkës.Gjatë takimeve, Kafka lexoi letrat e kukullës të shkruara me kujdes me aventura dhe biseda që vajzës i dukeshin të adhurueshme.Më në fund, Kafka i solli asaj kukullën (ai bleu një). “Nuk duket aspak si kukulla ime”, tha vajza.Kafka i dha asaj një letër tjetër në të cilën kukulla shkruante: “Udhëtimet e mia më kanë ndryshuar”. vajza e përqafoi kukullën e re dhe gjithë gëzim shkoi në shtëpi.Një vit më vonë, Kafka vdiq.Shumë vite më vonë, vajza e rritur gjeti një letër të vogël brenda kukullës. Në letrën e të nënshkruar nga Kafka, thuhej: “Gjithçka që doni me siguri do të humbasë, por në fund dashuria do të kthehet në një formë tjetër”.

Filed Under: Komente

Rama, tirania e shumicës dhe fati i demokracisë shqiptare

March 5, 2023 by s p

Nga Rafael Floqi/

Tirania e shumicës është një koncept në shkencën politike dhe filozofinë që i referohet situatës në të cilën një grup i shumicës, ose shumica e shoqërisë, i imponon vullnetin e tij pakicës, pa marrë parasysh të drejtat apo interesat e tyre. Kjo mund të ndodhë në demokraci, ku vendimet merren me votë popullore, por mund të ndodhë edhe në forma të tjera qeverisjeje.

“Historia nuk përsëritet, por përsëriten mësimet nga ajo” (2017, 9) është fjalia hapëse e Timothy Snyder në librin Mbi Tiraninë : Njëzet Mësime nga shekulli i njëzetë. Libri ofron një paralajmërim të fuqishëm kundër një qëndrim dorëlëshuar në lidhje me vrullin e demokracisë amerikane por rezonanca e tij është mbarë ndërkombëtare. Libri tregon ai si mund dhe duhet të mësohet nga gabimet e bëra gjatë historisë, pro-parashtron mënyra në të cilat njeriu mund të njohë tiraninë dhe fashizmit dhe komunizmin dhe sqaron mënyrat për të luftuar totalitarizmin në çdo formë. 

Ndërsa baballarët e kombit debatonin mbi kushtetutën e Amerikës ata i nxorën mësimet nga historia që ata njihnin, të shqetësuar se demokracia e re që do të ngrinin mund të rrëzohej, ata hulumtuan rënien e demokracive dhe republikave dhe shkarjen në oligarki dhe në perandori. Sepse ata e dinin sesi Aristoteli paralajmëronte që pabarazia sjell jo stabilitet, ndërsa Platoni besonte se demagogët shfrytëzojnë lirinë e fjalës për ta vendosur veten si tiranë.

Nëse baballarët e demokracisë amerikane vëzhgonin historinë e demokracive të tjera për të nxjerrë mësime këto nuk i kanë hyrë në kokë tiranëve tanë të vegjël.

Vendimi i kryeministrit Rama dhe i shumicës parlamentare socialiste për të refuzuar komisionin hetimor McGonigal është qartësisht anti-kushtetues dhe anti-demokratik. 

Për justifikuar këtë mediat pranë qeverisë kanë filluar të artikulojnë një arsyetim politiko-historik që përpiqet të mbulojë diellin me shoshë. Ato tashmë argumentojnë se Berisha nuk mund të ankohet sepse ai kur ishte në pushtet i ka refuzuar dy komisione hetimore opozitës së atëhershme socialiste, komisionet për hetimin e Gërdecit dhe për hetimin e 21 Janarit.

“Kemi të bëjmë me një argument pa sens sa në përmbajtje edhe në pasoja për demokracinë. Fakti që Berisha shkeli kushtetutën dje duke i mohuar opozitës socialiste hetimin e korrupsionit qeveritar nuk e bën aspak kushtetues dhe demokratik vendimin e socialistëve sot për ti mohuar komisionin hetimor opozitës demokrate. Një dhunim i kushtetutës dje nuk justifikon dhunimin e saj sot. Përkundrazi, nëse socialistët pranojnë se Berisha dje dhunoi Kushtetutën e Shqipërisë duke u mohuar atyre komisionet hetimore, atëherë ata duhet të pranojnë në mënyrë urgjente ngritjen e komisionit hetimor McGonigal për të mos përsëritur sot të njëjtën shkelje kushtetuese, shkruan në një editorial Blendi Kajsiu . 

Mocioni për debat i kësaj të enjte konfirmoi atë që dihej, Rama nuk do të përgjigjet për çështjen McGonigal. Ai u shmang të gjitha dilemave të ngritura në publik, stigmatizoi, fyeu dhe ironizoi madje edhe aktakuzën amerikane ku përmendet plot 14 herë, e lexoi në anglisht dhe jo në shqip.  Qëllimi i tij qe i qartë: të mos linte gjurmë dhe të shpërndante vëmendjen. Madje në shërbim të kësaj strategjie ishte edhe prodhimi i një lajmi, sa bombastik aq dhe spekulativ, për një non grata të re, që u përgënjeshtrua menjëherë nga ambasada e SHBA. Në këtë kuptim, ai ndoqi të njëjtën strategji të daljeve në media pa thënë asgjë, të mospranimit për t’u nënshtruar pyetjeve të interpelancës dhe të qëndrimit antikushtetues: nuk dua unë, prandaj s’ka për të pasur kurrë komision hetimor për këtë çështje..

Ne gjendemi sot në një sistem personal kryeministror dhe jo në një republikë parlamentare. Edi Rama e ka projektuar vetën mbi ligjin dhe llogaridhënien. Siç deklaroi dhe vetë në “Opinion”, ai po të dojë nuk shkel në kuvend, ai jep urdhër të mos ngrihet komisioni hetimor, ai nuk do dhe nuk u përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Prandaj është e kotë që këta të fundit të lodhen duke i kërkuar Ramës përgjigje për McGonigalin. Ai nuk do ta bëjë kurë për sa kohë i ka të gjitha në dorë. Ai nuk do të pranojë deri sa ka mundësi komandojë politikisht Lindita Nikollin, ta urdhërojë Taulant Ballën, të mbajë peng një Gjykatë Kushtetuese, ekzistenca e së cilës justifikohet me moszgjidhjen e problemeve.

Të gjithë duhet të kuptojnë se zgjidhja nuk vjen duke detyruar Ramën brenda kornizave të sistemit pervers që ka ndërtuar vetë, por duke punuar për ta shkatërruar atë. Prandaj, objektivi, jo vetëm i opozitës, që vazhdon ti bjerë murit me kokë, por i gjithë shoqërisë, sot, duhet të jetë përmbysja e këtij rendi të gjërave, që i lejon një njeriu të jetë mbi ligjin. 

Është një logjikë me pasoja fatale për demokracinë tonë sepse e shkatërron atë duke e “mbrojtur”. Ideja se garancitë kushtetuese dhe liritë politike themelore janë vetëm për engjëjt dhe jo për djajtë politik si Berisha na lë në mëshirë të tiranisë së shumicës. Sidomos në një shoqëri si e jona ku engjëjt në politikë janë kaq të rrallë në raport me djajtë dhe ku dallimin mes tyre e bën vetë shumica. Kjo logjikë mund të shkatërrojë demokracinë duke e mbrojtur atë, pasi ajo mund të përdoret për të justifikuar vendime që nuk janë në interes të të gjithë qytetarëve, por vetëm për një grup të caktuar ose për të qëndruar në pushtet. 

Në përgjithësi, tirania e shumicës është një kërcënim serioz për shoqëritë demokratike dhe kërkon vigjilencë dhe përpjekje të vazhdueshme për të parandaluar që ajo të pushojë. Duke mbrojtur të drejtat e pakicave, duke promovuar gjithë përfshirjen dhe duke nxitur një kulturë tolerance dhe respekti, ne mund të krijojmë një shoqëri ku të gjithë kanë një shans të drejtë për t’u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në formësimin e vendimeve që ndikojnë në jetën e tyre.

Dr. Snyder është një profesor i historisë evropiane në Yale. Libri i tij i shkurtër dhe i zymtë detajon metodat që demagogët, përfshirë Adolf Hitlerin dhe Joseph Stalinin. Kërcënimet ndaj demokracisë nuk kanë përfunduar me humbjen e Hitlerit ose me rënien e komunizmit. Njerëzit lehtë mund të shtyhen drejt bindjes; institucionet demokratike janë të parat që shpërbëhen nga një diktator; një parti e vetme politike mund të eliminojë të gjitha të tjerat. Fashistët përçmonin të vërtetat e vogla të ekzistencës së përditshme, i donin parullat që rezonante të emërtuara si një fe e re, dhe preferonin mitet krijuese në vend të historisë apo gazetarisë. Ata përdorën mediat e reja, që në atë kohë ishte radio, e sot social media për të krijuar një zhurmë daulleje e propagandës që ngjallte ndjenja para se njerëzit të kishin kohë për të konstatuar fakte.

Çështja McGonigal ka hedhur edhe një herë në qarkullim tezën se Edi Rama është përgjegjësi kryesor për lëngatën politike të opozitës. Është ky i fundit që, në fillim me Sorosin dhe më pas me FBI-në, e ka varrosur opozitën shqiptare dhe bashkë me të edhe demokracinë. Ndaj “skandali” McGonigal paraqitet mbi të gjitha si provë e asgjësimit të opozitës nga ana e pushtetit nëpërmjet korruptimit të SHBA-ve. Kemi të bëjmë me një konspiracion që ka gjetur një “kokë turku” për të fshehur shkaqet reale të krizës.  

Tirania e shumicës është po aq e rrezikshme sa edhe tirania e një diktatori të vetëm “Zëri i shumicës nuk është domosdoshmërisht zëri i së vërtetës”. Shkruante – Friedrich Nietzsche.

Tiranët janë individë që ushtrojnë pushtetin dhe kontrollin mbi të tjerët në një mënyrë të ashpër dhe shtypëse, shpesh pa marrë parasysh pak mirëqenien ose të drejtat e të tjerëve. Ndërsa nuk ka asnjë sjellje të vetme ose përfundimtare që shfaqin të gjithë tiranët, ka disa tipare dhe modele të zakonshme të sjelljes që priren të lidhen me udhëheqësit tiranë

Po marrim tre tipare që shpjegojnë qëndrimin e Ramës për çështjen McGonigal dhe më gjerë Autoritarizmi mënyra se si ai përdori sarkazmin për të mbuluar përgjegjësinë e vet me një Narcisizëm ekstrem, duke besuar se janë superiorë ndaj të tjerëve dhe kanë të drejtë për trajtim dhe privilegje të veçanta  dhe  Manipulimi, duke përdorur një sërë taktikash si propaganda, mashtrimi dhe frikësimi për të arritur qëllimet e tyre, madje të  përcaktojnë se kush është e kush nuk është “ non grata “ edhe kur Ambasada Amerikane e përgënjeshtron. Mos do të  thotë kjo se nuk është vetëm një McGonigal.

Në përgjithësi, sjellja e tiranëve karakterizohet nga një dëshirë për pushtet dhe kontroll, mungesë ndjeshmërie për të tjerët dhe gatishmëri për të përdorur çdo mjet të nevojshëm për të arritur qëllimet e tyre.

Kur shumica i imponon vullnetin e saj pakicës pa marrë parasysh të drejtat dhe interesat e tyre, ajo minon vetë themelin e demokracisë, e cila është ndërtuar mbi parimet e barazisë, lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. Kjo mund të çojë në një prishje të kohezionit social, rritje të polarizimit dhe madje edhe dhunës. Për më tepër, tirania e shumicës mund të çojë në humbjen e besimit në institucionet dhe proceset demokratike, pasi njerëzit mendojnë se zërat dhe shqetësimet e tyre nuk dëgjohen ose merren seriozisht. Kjo mund të krijojë një rreth vicioz apatie, mosangazhimi dhe cinizmi që minon legjitimitetin dhe efektivitetin e qeverisjes demokratike.

Tirania e shumicës është kërcënimi më i madh për lirinë dhe drejtësinë në çdo demokraci. Por te mos harrojmë atë që thoshte – filozofi egsistencialist Søren Kierkegaard  “Pakica është gjithmonë më e fortë se shumica, sepse pakica në përgjithësi formohet nga ata që kanë vërtet një mendim”. 

Filed Under: Komente Tagged With: Rafael Floqi

DARDANIA

March 4, 2023 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Më 22 shkurt 2023, në një pjesë të rrugës “Skupi” të bashkisë Karposh të Shkupit, gjatë gërmimeve apo punimeve të caktuara, midis tjerash është gjetur edhe një pllakë mermeri me mbishkrimin “Dardanus”. Lidhur me zbulimin e këtij thesari të çmuar për historinë, kulturën dhe trashëgiminë materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve, janë sensibilizuar përfaqësues të shoqërisë civile, mediume, drejtues shqiptarë të institucioneve të shtetit dhe mbarë publiku. Këto zbulime kapitale edhe njëherë dëshmojnë për autoktoninë e shqiptarëve – bijë të ilirëve – në këto hapësira të gadishullit ballkanik. Artefaktet, d.m.th. gjërat apo sendet, të krijuara mjeshtërisht nga dora e njeriut dhe të zbuluara në këtë vendburim arkeologjik apo në nekropolin e tij, duhet të studiohen nga arkeologët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Siguria e zbulimeve të tilla duhet të jetë në kompetencë të organeve ndërkombëtare, përkatësisht të UNESCO-s. In ultima linea, zbulimet e tilla paraqesin thesar për njerëzimin dhe jo vetëm për shqiptarët. 

*   *   *

Dardania dhe dardanët – Dardania është vend i dardanëve. Në shekullin I, me krijimin e provincës së Mëzisë së Sipërme (Moesia Superior), Dardania u shkëput nga provinca e Maqedonisë dhe u përfshi në të (në Mëzinë e Sipërme). Gjatë sundimit të Dioklecianit*, Dardania përbënte një provincë me vete të Ilirikut*, me qendër Skupin*. Qytete të tjera të rëndësishme të provincës së Dardanisë qenë Naisi (Naissus – Nishi i sotëm), Ulpiana* dhe Municipium DD*. Në antikitetin e vonë qyteti më i madh dhe kryesor i Dardanisë u bë Justiniana I*. 

*   *   *

Dardanët kanë qenë fis i madh ilir, banorë të një treve të gjerë që shtrihej në veri të lumit Angri e Margi (Ibri dhe Morava jugore e sotme), duke përfshirë edhe Naisin (Naissus – Nishi i sotëm) në jug, deri te rrjedha e sipërme e lumit Aksios (Vardari) në kufi me paionët. Në lindje, dardanët kufizoheshin me trakët*, ndërsa në perëndim arrinin deri te mali Scard (Sharr) si dhe deri te lumi Drilon (Drin). Zemrën e trojeve të tyre e përbënte Kosova e sotme. Nga nën-fiset kryesore të dardanëve njihen galabrët dhe thunatët. Zbulimet arkeologjike në viset e Dardanisë dëshmojnë se këta kishin arritur zhvillim ekonomik dhe shoqëror relativisht të lartë – që në Kohën e hekurit*. Të kësaj kohe janë vendbanimet e para të fortifikuara dhe marrëdhëniet me Greqinë si dhe me qytetet e mëdha të bregdetit të Adriatikut jugor. Në shekullin III para K. në Dardani u zhvillua jeta qytetare. Qytet i rëndësishëm dhe qendër minerare ishte Damastioni* që ka prerë edhe monedha. Në burimet antike të shkruara, dardanët përmenden relativisht vonë, sidomos lidhur me luftën kundër maqedonasve. Si fis i fortë dhe luftëtar, dardanët u bënë ballë për rreth dy shekuj përpjekjeve të shtetit maqedonas për t’i shtrirë kufijtë drejt veriut, në kurriz të Dardanisë. Në shekullin III para K. dardanët kishin krijuar mbretërinë e tyre me dinastinë e Longarit* dhe ishin bërë një fuqi politike e rëndësishme e gadishullit. Në shekujt III-I para K., dardanët bënë një qëndresë dhe luftë të gjatë kundër pushtuesve romakë. Pas pushtimit të Dardanisë, romakët ndoqën një politikë shtypjeje të egër dhe i shfrytëzuan me të madhe xehet. Me këtë ndërlidhet krijimi i një kolonie romake në Skup (Shkupi i sotëm) dhe ngritja e vendbanimeve të vjetra dardane pranë zonave minerare në rendin e municipit, si Ulpiana, Municipium DD etj. Dardanët ruajtën gjuhën dhe shumë elemente të kulturës materiale dhe shpirtërore ilire edhe në shekujt I-IV pas K. Ata i bënë ballë asimilimit nga Perandoria Romake dhe bënë kryengritje kundër shtypjes. Kryengritësit dardanë njihen në histori si Latronët e Dardanisë. Në antikitetin e vonë dhe në mesjetën e hershme, dardanët ia dolën të ruajnë gjuhën dhe kulturën e tyre ilire dhe bashkë me fiset e tjera ilire morën pjesë në formimin e popullit shqiptar (sipas Skënder Anamalit).     

*   *   *

Shënim: 

Diokleciani (Gajus Aurelius Valerius Diocletianus, 245-313 të erës së re) në vitet 284-305, ka qenë perandor romak me prejardhje nga Dalmacia. Sipas organizimit të tij të provincave, trevat shqiptare të sotme përbënin katër provinca: Praevalis me kryeqendër Scodra, Epiri i Ri me kryeqendër Dyrrachium (Durrësi), Epiri i Vjetër me kryeqendër Nikopolin dhe Dardania me kryeqendër Scupi (Shkupi). Diokleciani vdiq në Split (Kroaci).  

Iliriku (Illyricum) – provincë dhe prefekturë e periudhës së sundimit romak, pjesa veriore e Ilirisë. U krijua si provincë në fund të shekullit I para K. nga shteti romak për të shtypur dhe për të shfrytëzuar popullsinë e krahinave ilire të pushtuara. Shtrihej nga Danubi në veri deri te lumi Mat në jug, nga Adriatiku në perëndim deri në brigjet e Moravës në lindje, duke përfshirë pjesë të Shqipërisë, Malin e Zi, Dalmacinë, pjesë lindore të Istries, një pjesë të madhe të Bosnjës dhe të Kroacisë dhe Serbinë perëndimore. Në fillim Iliriku ishte provincë e senatit, pas viti 11 para K. u bë provincë perandorake. Pas reformës administrative të Dioklecianit, Iliriku u kthye në prefekturë. Përbëhej nga tri dioqeza dhe 18 provinca. Tokat shqiptare të sotme të kësaj prefekture përfshiheshin në provincat: Prevali, Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër (sipas Faik Drinit).      

Skupi (Scupi antik) – qendër dardane që nga periudha e hekurit. Në shekujt e parë të erës së re, Skupi (Scupi) ishte njëkohësisht stacion rrugor në rrugën Tesalonik-Naissus-Syrmius dhe kolonia e parë romake në Mëzi, lokalizuar në afërsi të fshatit Zaklluçan, pranë Shkupit të sotëm. Gjatë kësaj kohe kishte statusin e colonia Scupi (colonia Flavia Scupi). Në shekullin II, Skupi si koloni romake paraqet një qendër të rëndësishme, kryesisht gjatë sundimit të Dioklecianit, i cili e ktheu në qendër të provincës së Dardanisë, ndërsa Konstandini – në qendër peshkopale. Në territorin e Shkupit janë gjetur rreth 200 mbishkrime latine nga shekulli I-IV. Në ditët tona u gjet një nekropole dardane. Me rastin e tërmetit të vitit 518 u shkatërruan 25 qytete të Dardanisë. Midis tyre edhe qyteti i Skupit. Të mbijetuarit e Skupit të shkatërruar themeluan një qytet të ri, që gjatë mesjetës u zhvillua në Shkupin e sotëm. Në gjysmën e dytë të shekullit IX Shkupi ra nën sundimin bullgar. Më vonë u bë një nga qendrat e shtetit të Samuelit (1018). Më 1082 u pushtua nga normanët. Më pas u pushtua edhe prej pushtuesve serbë. Deri në vitin 1282 kaloi në sundimin bizantin, ndërsa më 1392 u pushtua nga osmanët.  

Ulpiana (Justiniana Secunda) – qytet i krahinës ilire të Dardanisë. Rrënojat e tij janë zbuluar afër fshatit Graëanicë në jug të Prishtinës. Në vitet 1954-1969 aty ka kryer gërmime arkeologjike arkeologu Emil Çershkov (Emil Čerškov, 1931-1969), i lindur në Siveriq të Dalmacisë. Gjatë pushtimit romak në vendbanimin e lashtë dardan u vendosën qytetarë italikë dhe mori emrin Ulpiana. Në shekullin II pas K. u ngrit në rangun e një municipi. Si qendër e një krahine të pasur me xehe dhe si nyjë e rrugëve kryesore të Dardanisë, në shekujt III-IV pas K., Ulpiana u bë qytet i madh. Pas tërmetit të vitit 518 u rindërtua me mure të forta nga perandori Justinian, ndaj për ta dalluar nga Justiniana e Parë, tani u quajt Justiniana e Dytë. Qyteti ekzistoi deri në mbarim të periudhës së vonë antike.        

  Municipum DD (Dardanorum) – Municip romak. Njësi urbane e identifikuar në territorin e provincës romake Mëzia e Sipërme. Gjendet në fshatin Soçanicë, buzë lumit Ibër, 27 km në veri të Mitrovicës. Themelimi i këtij municipi nga romakët në shekullin II pas K., duhet lidhur me nxjerrjen e pasurive minerale – plumbit dhe argjendit.

Trakët – Në lashtësi, kanë banuar në Traki, e cila është përmendur shpesh në historinë dhe në letërsinë antike greke. Sot është pjesë e Bullgarisë, e Greqisë dhe e Turqisë. Trakishtja është gjuhë indoevropiane. Flitej në periudhën antike në lindje të gadishullit të Ballkanit. Prej saj njihen sot disa emra vendesh, emra njerëzish dhe fisesh, disa glosa si dhe disa emra bimësh mjekësore të mbledhura nga fisi i dakëve në shekullin I pas K. nga mjeku grek Dioskorides. Nga trakët kemi edhe disa mbishkrime të gjetura në Rumani dhe në Bullgari pranë Plovdivit, si dhe në ishullin e Samotrakës në Greqi. E një trungu me trakishten mbahet edhe gjuha e frigasve, që banonin në lashtësi në Azi të Vogël. Kohët e fundit, ka studiues që e kanë vënë në dyshim karakterin unitar të trakishtes dhe është ndarë prej saj si gjuhë më vete dakishtja.       

Justiniana e Parë (Iustiniana Prima) – qendër civile dhe kishtare në Dardani, e themeluar nga perandori bizantin Justiniani I*.

Justiniani I (Flavius Justinianus, 483-565 pas K.) perandor bizantin me prejardhje ilire, nga fshati Tauris i Dardanisë. Sundoi në vitet 527-565. Në provincat ilire të Dardanisë rindërtoi dhe ndërtoi një numër të madh kështjellash. Emrat e kështjellave që janë përmendur në veprën “Mbi ndërtimet” të Prokopit të Cesaresë* përbëjnë një burim të rëndësishëm për toponomastikën dhe onomastikën ilire.   

Prokopi i Cesaresë (rreth 500 – pas vitit 565 të erës së re) – historian bizantin i kohës së Justinianit I dhe figurë politike e perandorisë. Autorë i veprave: “Historia e luftërave”, “Mbi ndërtimet” dhe “Historia e fshehtë”. Në to ka njoftime me vlerë edhe për krahinat e Ilirisë. Rëndësi të veçantë ka traktati “Mbi ndërtimet” kushtuar fortifikimeve të gjera që u ndërtuan për t’u bërë ballë dyndjeve barbare. Traktati përmban të dhëna të vlefshme për gjeografinë dhe   toponomastikën e trevës ilire.   

Damastioni – qytet ilir, ende i papërcaktuar si vend, diku në viset e Dardanisë. Për herë të parë përmendet nga Straboni*. Në fillim të shekullit IV para K. preu monedha prej argjendi me emrin e tij. Në simbolet e përdorura mbi monedha ndodhet çekani i minatorit, që dëshmon se qyteti ka qenë qendër e një zone të pasur me miniera argjendi.

Longari – sundimtari i parë dardan që njihet me emër. Jetoi në çerekun e fundit të shekullit III para K. Gjatë sundimit të tij mbretëria e dardanëve u forcua shumë dhe u bëri ballë të gjitha sulmeve të mbretërve maqedonas të kohës – Demetrit II, Antigon Dosonit dhe Filipit V, të cilët synonin t’i zgjeronin kufijtë veriorë të shtetit maqedonas, në viset dardane. Luftën kundër maqedonasve e vazhdoi edhe i biri Longarit, Batoja – sundimtari i dardanëve, i cili në vitin 200 para K., bashkë me mbretin ilir Pleuratin (shekulli III para K.) – baba i Agronit*, mori pjesë në një koalicion kundër-maqedonas.      

Agroni (shekulli III para K.) – mbret ilir, i biri i Pleuratit. Sundoi rreth viteve 250-231 para K. Në kohën e tij shteti ilir u bë fuqi e rëndësishme në Ballkan. Pas fitores në Medion u sëmurë rëndë. Vdiq në vitin 231 para K. Politikën e tij e ndoqi gruaja e parë e tij Teuta*, e cila sundoi si regjentë në emër të Pinit, trashëgimtarit të mitur të Agronit. Pini është djalë i Agronit, me gruan e dytë të tij – Triteuta.      

Teuta – regjentë e mbretërisë ilire në vitet 230-228 para K. U vu në krye të mbretërisë pas vdekjes së të shoqit Agronit, si tutorë e Pinit të mitur. 

Straboni – historian, gjeograf dhe filozof grek. Ka lindur në vitin 63 ose 64 para K., ka vdekur në vitin 24 pas K. Në kohën tonë vlerësohet për Gjeografinë e vet, vepër kjo e përbërë prej 17 librave të cilët përmbajnë histori dhe përshkrime njerëzish dhe vendesh që kanë qenë të njohura për të. Lindi në një familje nga Amasea (Amasya e sotme në Turqi), e cila u bë pjesë e Perandorisë Romake pikërisht në kohën kur lindi ai. 

Koha e hekurit – epokë që karakterizohet nga prodhimi dhe përdorimi i veglave dhe i armëve prej hekuri. Ndahet në tri faza: faza e parë (fundi i shekullit XII-XI para K.); faza e dytë (shekujt VIII-VII para K.); faza e tretë (shekujt VI-V para K.). Në fazën e tretë, në strukturën shoqërore dhe ekonomike të ilirëve ndodhin ndryshime të mëdha që shpejtuan shthurjen e rendit të bashkësisë primitive, duke krijuar premisa që në Iliri të lindë rendi skllavopronar.     

Xhelal Zejneli

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • …
  • 488
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT