• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

(Pa)përgjegjësia e Brukselit në tejkalimin e ngërçit Kosovë-Serbi

November 16, 2022 by s p

Kosova si shtet duhet të vazhdojë të këmbëngul në thellimin e bashkëpunimit me diplomacinë ndërkombëtare, sidomos me atë amerikane. Në një situatë kur Serbia shtantazhon çdo përpejkje të Kosovës për të demonstruar në praktikë atributet e shtetësisë, kjo mjafton të merret edhe më seriozisht nga klasa politike e Kosovës, e cila ende nuk e ka ndërtuar një strategji efikase politike e diplomatike, me të cilën pushteti dhe opozita do të impononin modalitetet për daljen nga ky qorrsokak në të cilën ndodhen raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Serbia dhe Kosova janë në prag të një krize të rrezikshme, tha të hënën kryediplomati i BE-së Josep Borrell, duke u bërë thirrje të dyja palëve të përmbushin detyrimet e tyre në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE.

Komentet e tij erdhën pas takimeve në Paris javën e kaluar midis BE-së, Francës dhe liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ku shpresat për një takim trepalësh mes “armiqve afatgjatë” nuk u realizuan përfundimisht.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor,” tha Borrell pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së që diskutoi situatën në rajon, duke shtuar se “tensionet e panevojshme dhe kundërproduktive midis Kosovës dhe Serbisë po arrijnë në një nivel shumë të rrezikshëm, në prag të një krize tjetër”.

Brukseli zyrtar, i përfaqësuar kësaj radhe nga kryediplomati i BE-së Josep Borrell, vazhdon ta shohë krizën në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes një qasjeje simetrike. Madje deklarata e tij më tepër është konstatim se sa ndonjë rrugëtregues se nga duhet të lëvizin të dyja vendet drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

Çdo kush e ka të qartë se Serbia dhe Kosova janë në prag të “një krize të rrezikshme”, por sa kësaj krize i kanë kontribuuar edhe qasjet prej zjarrfikësi të vet BE-së, i cili përpos që po e komenton situatën në terren, nuk po ofron kurrfarë ideje se si të dilet nga kjo “krizë e rezikshme” .

Tash së fundi doli plani Franko –Gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse ky plan më tepër po qarkullon në formë të një non paper-i që ende nuk është nxjerrë oficialisht në tryezën e dialogut, ai megjithatë dëshmon se sa i ngadalshëm është Brukseli në ideimin dhe formatimin serioz të metodologjisë së dialogut Kosovë-Serbi. Në rastin konkret Parisi, Berlini, e mos të flasim për Washingtonin, janë disa hapa para BE-së në imponimin e diplomacisë aktive e cila nuk i lejon vetes që situata të del nga kontrolli.

Nëse vazhdon kjo qasje e njëanshme dhe ledhatuese e Brukselit ndaj refuzimeve të Serbisë për të (mos)vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nëse i lejohet në pakufi Beogradit të bëj obstruksione të vazhdueshme ndaj shtetit të Kosovës, atëherë do të rrezikohen seriozisht gjasat e Ballkanit Perendimor për t’u integruar në BE.

Vonesat e Evropës kanë qenë gjithmonë fatale për të ardhmen e Ballkanit. Si rezultat e këtyre vonesave ndodhën edhe gjenocidet e tmerrshme serbe në BeH dhe në Kosovë. Diplomacia ndërkombëtare doli me faqe të bardhë vetëm atëherë kur SHBA e zgjoi nga letargjia Evropën e fjetur. Mjafton të kujtojmë intervenimin ushtarak të NATO-s në Kosovë, për të kuptuar se sa të ndryshme janë qasjet në mes të Brukselit dhe Washingtonit.

Deri më tani rezultatet e “Shuttle Diplomacy” që kanë praktikuar të dërguarit e BE-së dhe Washingtoinit (Lajçak, Escobar) nuk kanë dhënë ndonjë rezultat impresionues, por edhe në këtë lloj diplomacie kemi vërejtur se ka një disonancë qëndrimesh.

Ish-sekretari amerikan i shtetit Henry Kissinger dikur para shumë vitesh pyeste: “Kujt t’i telefonoj nëse dua t’i telefonoj Europës?”. Vetëm në vë vitin 2009 Kissinger e mori përgjitjen e tij kur Traktati i Lisbonës krijoi postin e Përfaqësuesit të Lartë për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.Por, megjithatë, edhe pas 13 viteve, Politika e Jashtme e BE-së vazhdon të mbetet jo koherente dhe e jo e bashkuar për Kosovën. Tani në Brukel ekziton një telefon prej ku merren thirrjet nga jashtë, por ato thirrje nganjëherë mund të ngelin në ajër nëse ndonjë diplomat kërkon një zgjidhjet sa më konstruktive dhe reale të ngërçit Kosovë-Serbi.

Kosova si shtet duhet të vazhdojë të këmbëngul në thellimin e bashkëpunimit me diplomacinë ndërkombëtare, sidomos me atë amerikane. Në një situatë kur Serbia shtantazhon dhe minon çdo përpejkje të Kosovës për të demonstruar në praktikë atributet e shtetësisë, kjo mjafton të merret edhe më seriozisht nga klasa politike e Kosovës, e cila ende nuk e ka ndërtuar një strategji efikase politike e diplomatike, me të cilën pushteti dhe opozita do të impononin modalitetet për daljen nga ky qorrsokak në të cilën ndodhen raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kokëfortësia e pushtetetit për të mos pranuar idetë dhe sugjerimet e opozitës dhe shoqërisë civile si dhe dhe refuzimi i opozitës për të ndërtuar një vizion të ri politik, duke mos korrigjuar hapat e gabuar në të kaluarën, flet për një gjendje në të cilën Kosova dhe qytetarët e saj padrejtësisht po vuajnë pasojat e një mendësie të deplasuar e cila në pafundësi prodhon krizë, mosmarrëveshje dhe paqartësi.

Një diplomat i huaj që vjen në Kosovë do ta ketë vështirë të ndërtojë qëndrime të drejta, nëse vazhdon kjo situatë e brendshme, ku dizajnimi i atmosferës politike nuk bëhet mbi kauzat e bashkëpunimit, por mbi thërmijat e urave të prishura të bashkëpunimit.

Kosova nuk e ka luksin të zhvillojë beteja donkishoteske politike!

Liria e fituar me gjak dhe sakrifica është semafori i kuq ku nuk mund të kalon kjo politikë përçarëse.

Prishtinë, 16. 11. 2022

May be an image of 1 person, standing and text that says "REPUBLIK REPUBLIKA K MINIS MINISTARSTV KOSOVES OF KOSOVO OJTJES RY OF DEFENSE"

See Insights and Ads

Boost post

11

Filed Under: Komente Tagged With: Mehmet Prishtina

Gëzuar Ditën e Veteranëve 

November 11, 2022 by s p

Rafael Floqi/

Të premten, të gjithë amerikanët edhe ne shqiptaro -amerikanët nderojmë veteranët e kombit tonë, një praktikë që daton më shumë se njëqind vjet në fund të Luftës së Parë Botërore. Politikanët nga Baltimore në Honolulu do të mbajnë fjalime nxitëse, siç kanë bërë brezat e politikanëve para tyre. Si veteran i luftërave në Irak dhe Afganistan, jam mirënjohës që ata e vlerësojnë shërbimin tonë, por mendoj se ne mund të bëjmë më mirë se retorika boshe, shkruan njeri syresh

Dita e Veteranëve është një festë ligjore në SHBA kushtuar veteranëve amerikanë të të gjitha luftërave dhe Dita e Veteranëve 2022 do të mbahet të premten, më 11 nëntor. Në vitin 1918, në orën 11 të ditës së 11-të të muajit të 11-të, një armëpushim ose ndërprerje e përkohshme e armiqësitë, u shpall midis kombeve aleate dhe Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore, e njohur atëherë si “Lufta e Madhe”.

E përkujtuar në shumë vende si Dita e Armëpushimit, 11 Nëntori u bë një festë federale në Shtetet e Bashkuara në 1938. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Koresë, Dita e Armëpushimit u bë e njohur si Dita e Veteranëve.

Dita e Armëpushimit

Traktati i Versajës u nënshkrua më 28 qershor 1919, duke shënuar fundin zyrtar të Luftës së Parë Botërore. Megjithatë, data e armëpushimit e 11 nëntorit 1918, mbeti në imagjinatën e publikut si data që shënoi fundin e konfliktit.

Një vit më vonë, në nëntor 1919, Presidenti i SHBA Woodrow Wilson shpalli 11 Nëntorin si përkujtimin e parë të Ditës së Armëpushimit. Vëzhgimi i ditës përfshinte parada dhe tubime publike, si dhe një pauzë të shkurtër në aktivitetet e biznesit dhe të shkollës në orën 11:00.

Më 11 nëntor 1921, një ushtar amerikan i paidentifikuar i vrarë në luftë u varros në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit pranë Uashingtonit, D.C. Në të njëjtën ditë të një viti më parë, ushtarët e paidentifikuar u varrosën në Westminster Abbey në Londër dhe në Harkun e Triumfit në Parisi.

A e dinit? Lulëkuqet e kuqe, një simbol i Luftës së Parë Botërore nga shfaqja e tyre në poemën e dashur “In Flanders Fields” nga John McCrae, shiten në Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar në Ditën e Përkujtimit për të mbledhur para për veteranët ose vishen në xhaketë si shenje nderimi.

Më 4 qershor 1926, Kongresi miratoi një rezolutë që “përvjetori i përsëritur i [11 nëntorit 1918] duhet të përkujtohet me falënderime dhe lutje dhe ushtrime të dizajnuara për të përjetësuar paqen përmes vullnetit të mirë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis kombeve” dhe se presidenti duhet nxjerrin një shpallje vjetore që bën thirrje për respektimin e Ditës së Armëpushimit.

Deri në atë kohë, 27 legjislatura shtetërore e kishin bërë 11 nëntorin një festë ligjore. Një akt i miratuar më 13 maj 1938 e bëri 11 Nëntorin një festë federale ligjore, “kushtuar për kauzën e paqes botërore dhe që më pas do të festohej dhe do të njihet si ‘Dita e Armëpushimit'”.

Në fakt, nuk ka festa kombëtare të SHBA-së, sepse shtetet ruajnë të drejtën për të caktuar të tyren, dhe qeveria mund të caktojë pushime vetëm për punonjësit federalë dhe për Distriktin e Kolumbias. Megjithatë, në praktikë, shtetet pothuajse gjithmonë ndjekin drejtimin federal.

Nga Dita e Armëpushimit deri në Ditën e Veteranëve

Përpjekjet amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore panë mobilizimin më të madh të Ushtrisë, Marinës, Marinsave dhe Forcave Ajrore të SHBA në historinë e vendit (më shumë se 16 milionë njerëz); rreth 5.7 milionë të tjerë shërbyen në Luftën Koreane.

Në vitin 1954, pas përpjekjeve lobuese nga organizatat e shërbimit të veteranëve, Kongresi i 83-të i SHBA-së ndryshoi aktin e vitit 1938 që e kishte bërë festën Ditën e Armëpushimit, duke shënuar fjalën “Armëpushim” në favor të “veteranëve”. Presidenti Dwight D. Eisenhower nënshkroi legjislacionin më 1 qershor 1954. Që atëherë, 11 nëntori u bë një ditë për të nderuar veteranët amerikanë të të gjitha luftërave.

Zhvillimi tjetër në historinë e Ditës së Veteranëve u shpalos në vitin 1968, kur Kongresi miratoi Aktin Uniform të festave të së hënës, i cili kërkonte të siguronte fundjavë tre-ditore për punonjësit federalë – dhe të inkurajonte turizmin dhe udhëtimin – duke festuar katër festa kombëtare (Ditëlindja e Uashingtonit, Përkujtimi Dita, Dita e Veteranëve dhe Dita e Kolombit) të hënën.

Dita e Veteranëve u caktua si e hëna e katërt e muajit tetor. Dita e parë e Veteranëve sipas ligjit të ri ishte e hënë, 25 tetor 1971; konfuzioni pasoi, pasi shumë shtete nuk e miratuan këtë ndryshim dhe vazhduan të respektojnë festën në datën e saj origjinale.

Në vitin 1975, pasi u bë e qartë se data aktuale e Ditës së Veteranëve kishte një rëndësi historike dhe patriotike për shumë amerikanë, Presidenti Gerald Ford nënshkroi një ligj të ri që kthente respektimin e Ditës së Veteranëve në 11 Nëntorin duke filluar në 1978. Nëse 11 Nëntori bie të Shtunën ose të dielën, qeveria federale e respekton festën të premten e mëparshme ose të hënën pasuese, përkatësisht. Zyrat qeveritare janë të mbyllura në Ditën e Veteranëve.

Dita e Përkujtimit

Britania e Madhe, Franca, Australia dhe Kanadaja gjithashtu përkujtojnë veteranët e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore në ose afër 11 nëntorit: Kanadaja ka Ditën e Përkujtimit, ndërsa Britania ka të Dielën e Përkujtimit (të dielën e dytë të nëntorit). Në Evropë, Britaninë e Madhe dhe vendet e Komonuelthit është e zakonshme që çdo 11 nëntor të mbahet dy minuta heshtje në orën 11:00.

Traditat e Ditës së Veteranëve

Në Shtetet e Bashkuara, një ceremoni zyrtare e vendosjes së kurorave mbahet çdo Ditë të Veteranëve në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ndërsa parada dhe festime të tjera mbahen në shtete anembanë vendit.

Dita e Veteranëve nuk duhet ngatërruar me Ditën e Përkujtimit memorial day  – një keqkuptim i zakonshëm, sipas Departamentit të Çështjeve të Veteranëve të SHBA. Dita e Përkujtimit (e hëna e katërt e majit) nderon Anëtarët e shërbimit amerikan që vdiqën në shërbim të vendit të tyre ose si rezultat i lëndimeve të shkaktuara gjatë betejës, ndërsa Dita e Veteranëve u bën homazhe të gjithë veteranëve amerikanë – të gjallë apo të vdekur – por veçanërisht falënderon veteranët e gjallë që i shërbyen vendit të tyre me nder gjatë luftës ose kohës së paqes .

Ushtaraket amerikanë me origjinë shqiptare të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore, u inkuadruan në rradhët e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe luftuan në frontet e Paqësorit (kundër Japonisë) dhe në atë të Europës (kundër Gjermanisë).

Nuk ka një statistikë të saktë, por besohet se numri i emigrantëve shqiptarë të rreshtuar në ushtrinë amerikane gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ishte relativisht i lartë. Madje një ndër eksponentët më të njohur të Shërbimit Informativ të SHBA-së gjatë viteve 1939 – 1945 (OSS), i quajtur Thomas Stephan (Thoma Stefani) u atashua në Shtabin e Përgjithshëm të UNCSH, dhe personalisht pranë vetë Enver Hoxhës. Kjo ka vazhduar dhe ne te gjithe luftrat e tjera qe ka bere SHBA edhe sot

Kur qeveria amerikane i dha fund draftit në 1973 dhe miratoi modelin ushtarak të forcave vullnetare, ajo ndau efektivisht forcat e armatosura nga pjesa tjetër e vendit. Sot, veteranët përbëjnë vetëm 7% të popullsisë së rritur të SHBA-së, që do të thotë se shumica e amerikanëve ndoshta nuk njohin askënd me përvojë ushtarake. 

Ka rreth 19 milionë veteranë të gjallë sot,  78% kanë shërbyer në luftime, nga Lufta e Dytë Botërore në Irak. Lufta prek të gjithë ata që e ndeshen, disa më shumë se të tjerët. Veteranët e Amerikës në Irak dhe Afganistan (IAVA), një organizatë jofitimprurëse, deklaron se 65% e anëtarëve të saj raportuan PTSD të lidhur me shërbimin dhe mbi gjysma raportuan ankth (58%) ose depresion (56%). 

Dislokimet nuk prekin vetëm anëtarin e shërbimit; familjet e tyre janë të përfshira ngushtë në mungesën dhe kthimin e tyre në shtëpi dhe shumë nga këto ribashkime nuk kanë një fund të lumtur. Hulumtimet nga Universiteti Brigham Young zbuluan se martesat e veteranëve meshkuj të luftës kishin 62% më shumë gjasa të përfundonin në divorc ose ndarje sesa martesat e burrave të tjerë. Sipas sondazhi nga IAVA. Së fundi, Departamenti i Çështjeve të Veteranëve ka zbuluar se veteranët vrasin veten me një shkallë 1.5 herë më të madhe se bashkëmoshatarët e tyre civilë, mesatarisht rreth 17 veteranë çdo ditë. Tragjikisht, grupi më i ri, veteranët e pas 11 shtatorit të moshës 18 deri në 34 vjeç, marrin jetën me një shkallë më të lartë se çdo grup tjetër veteranësh.

Shumica e amerikanëve vlerësojnë shërbimin e veteranëve dhe duan t’i mbështesin ata: 72% e të rriturve amerikanë nga të dyja partitë politike i thanë Qendrës Kërkimore Pew se “ata do të rrisnin shpenzimet për përfitimet dhe shërbimet e veteranëve”. Udhëheqësit tanë të zgjedhur, megjithatë, ndonëse janë të shpejtë me një foto duke premtuar mbështetjen e tyre për trupat, shpesh hezitojnë të ndjekin deklaratat e tyre publike. Merrni, për shembull, Aktin e Nderimit të PACT-it të vitit 2022, një pjesë e legjislacionit të krijuar për të përmirësuar aksesin dhe financimin e kujdesit shëndetësor për veteranët që u ekspozuan ndaj substancave toksike gjatë dislokimit. Kalimi i tij ngeci në Kongres për pesë ditë në fillim të këtij viti, kur 25 senatorë republikanë, secili prej tyre pa dyshim të veshur me një gjilpërë të flamurit të SHBA-së, tërhoqën mbështetjen e tyre. Ata ndryshuan mendje vetëm pasi u vunë nën presionin e grupeve të veteranëve dhe mediave. Kështu na falënderon Senati për shërbimin tonë?

Në vitin 2017, Kongresi miratoi Aktin Përkujtimor të Luftës Globale kundër Terrorizmit për të krijuar një memorial kombëtar në Uashington, DC, por ai ende nuk është financuar dhe një vend në Qendrën Kombëtare nuk është dedikuar. Në mënyrë të ngjashme, Akti i Ndërtimit të Zgjidhjeve për Veteranët që Përjetojnë të Pastrehuar i vitit 2021 synon të forcojë programet që ndihmojnë veteranët të gjejnë zgjidhje të përhershme për paqëndrueshmërinë e strehimit dhe mungesën e strehëve, por as ai nuk është miratuar në ligj. Është e qartë se kur bëhet fjalë për nderimin e veteranëve tanë, flitet shumë, por jo shumë veprime.

Nëse vërtet dëshironi të falënderoni një veteran për shërbimin e tyre sot, telefononi anëtarin tuaj të Kongresit. U thoni atyre se është koha që afro 7,000 pjesëtarët e shërbimit që kanë vdekur dhe 2 milionë që kanë shërbyer që nga 11 shtatori, të kenë një memorial kombëtar ku mund të mblidhen, të kujtojnë kohën e tyre të ulët dhe të nderojnë miqtë e tyre që nuk u kthyen në shtëpi. Thuaju atyre se është një turp që veteranët amerikanë do të flenë jashtë, ndërsa legjislacioni për t’i ndihmuar ata lëngon në Kongres. Tregojuni atyre se koha për të folur ka mbaruar dhe veteranët tanë kanë nevojë për veprime, jo fjalë, në këtë ditë të krijuar për të nderuar sakrificën e tyre.

Pasi Amerika do te jete shtepia e lirise per derisa te jete toka e trimave.

Filed Under: Komente

INVESTIMET Е PERËNDIMIT NË SERBI USHQEJNË DESTRUKSIONIN SERBOMADH NË RAJON

November 8, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli

Problem i rajonit nuk është “kokëfortësia” e Albin Kurit, por ideologjia fashiste e Aleksandër Vuçiqit, i ushqyer nga Kisha Ortodokse fashiste Serbe dhe i dirigjuar tërësisht nga Moska.

Të investosh në Serbi, do të thotë ta forcosh ekonomikisht dhe ushtarakisht një shtet fashist, një politikë dhe një ideologji fashiste, një shtet që në vitet ’90 të shekullit XX kreu agresion ushtarak në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë,  një shtet që ka kryer gjenocid në BH dhe në Kosovë, që ka kryer gjenocid në Srebrenicë, ku ekzekutoi mbi 8.000 civilë boshnjakë, që ushtron gjenocid të heshtur në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), që ndjek me përpikëri politikën e kasapit të Ballkanit – Millosheviqit, që udhëhiqet nga bashkëpunëtorët e devotshëm të Millosheviqit dhe të Sheshelit, që ka pretendime territoriale ndaj Kroacisë, që mbështet politikën secesioniste të mikut të Putinit – Millorad Dodikut, që destabilizon në mënyrë permanente Malin e Zi, që i kanoset me agresion Kosovës martire, që përçon interesin e Rusisë në rajon, që s’i vendosi sanksione Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës. Investimet në Serbi paraqesin mbështetje për kryekriminelin Vuçiq, mikun e ngushtë të Putinit.

Kaq shumë investime perëndimore në Serbi nuk kanë as vendet – anëtare të BE-së. Nga kjo del se Serbia është e privilegjuar dhe e favorizuar më shumë se një shtet – anëtar i Unionit. 

Përkundër investimeve të mëdha të perëndimorëve në Serbi, ajo vazhdon të jetë satelite e Rusisë cariste, bolshevike dhe të Vladimir Putinit. 

Përkundër investimeve të mëdha të perëndimorëve në Serbi, ajo vazhdon të ndjekë politikë retrograde, anakronike, hegjemoniste, ekspansioniste, destabilizuese, destruktive, irracionale, luftënxitëse, antidemokratike dhe antihistorike. 

Problem i rajonit nuk është “kokëfortësia” e Albin Kurit, por ideologjia fashiste e Aleksandër Vuçiqit, i ushqyer nga Kisha Ortodokse fashiste Serbe dhe i dirigjuar tërësisht nga Moska.

Serbët s’ka pse të mbrohen prej Qeverisë së Kosovës. Serbët dhe Serbia duhet të mbrohen nga marrëzitë, çmenduritë dhe paranojat e veta, nga orekset e shfrenuara dhe të pangopura pushtuese dhe kolonialiste.  

Evropë! U ke borxh shqiptarëve, që nga Kongresi i Berlinit (1878) deri te Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), e këndej. Evropë! Ti ia dhe territoret shqiptare Malit të Zi, ti ia dhe Çamërinë Greqisë, ti ia dhe Kosovën – Serbisë, më pas edhe Maqedonisë.

Thuaji Serbisë Evropë, që t’u japë nga një bashkësi komunash, nga një entitet apo nga një zajednicë – shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), boshnjakëve në Sanxhak dhe hungarezëve në Vojvodinë. 

Evropë, a nuk e sheh vallë se Serbia e Vuçiqit është shndërruar në Kore të Veriut në rajon, Vuçiqi ndërkaq në Kim Jong un?! 

Kjo është e turpshme, e dhimbshme Evropë! 

Qendrat proruse të BE-së, duke blerë gaz natyror rus, i forcuan vendet e veta, por e fuqizuan ushtarakisht edhe Rusinë e Putinit, e cila më pas aneksoi Krimenë dhe kreu agresion ndaj Ukrainës.    

*   *   *

Amerikë! A e di ti se serbët çdo ditë deklarojnë: “Bota sot e tutje, nuk ka për të qenë njëpolare, por trepolare. Përpos ShBA-së, ekzistojnë edhe Rusia dhe Kina”. 

*   *   *

INVESTIMET GJERMANE NË SERBI – Gjermania është ekonomia kryesore e Evropës. Është partnerja kryesore e tregtisë së jashtme e Serbisë dhe tregu kryesor për produktet serbe. Ajo është një prej investuesve më të mëdhenj në Serbi. 

Për 10 vitet e fundit, d.m.th. deri në vitin 2021, kompanitë gjermane kanë investuar në Serbi rreth 3,12 miliardë euro. Kanë investuar në çeljen e fabrikave si dhe në prodhim. Deri në vitin 2021, në to janë punësuar 48.454 punëtorë. Vetëm në një kompani, kanë investuar mbi 600 milionë euro. Çelja e fabrikës së kompanisë “Continental Automotiv Srbija” në mars të vitit 2021 në Novi-Sad. Investimin më të madh e ka bërë kompania farmaceutike “Stada”, me vlerë 698 milionë euro. Deri në vitin 2021, në fabrikat e kompanisë “Stada” në mbarë Serbinë janë punësuar gjithsej 2.870 punëtorë. Më së shumti investojnë në auto-industri apo në industrinë automobilistike. Pason kompania “Henkel Merima” nga lëmi i industrisë kimike, me vlerë 313,3 milionë euro me 608 të punësuar; zinxhiri tregtar i shitjes me pakicë “Lidl”, në të cilin janë investuar 275 milionë euro dhe janë punësuar 2.905 punëtorë; fabrika e pjesëve automobilistike ZF, me vlerë prej 195 milionë euro në të cilën janë punësuar 1.281 punëtorë. Investues më të mëdhenj janë kompanitë gjermane të lëmit të auto-industrisë apo të industrisë automobilistike, siç janë “Continental”, në të cilën janë investuar 190 milionë euro me 1903 të punësuar; “Brose” me vlerë prej 180,3 milionë euro, në të cilën janë punësuar 1.100  punëtorë dhe “Leoni AG” në të cilën janë investuar 150 milionë euro dhe e cila ka punësuar numër më të madh punëtorësh – 12.940; zinxhiri tregtar “Metro Cash&Carry” në të cilin janë investuar 142 milionë euro dhe janë punësuar 1.201 punëtorë; kompania “Meser” me vlerë 119 milionë euro, në të cilën janë punësuar 335 punëtorë; dhe “MTU” nga lëmi i avio-industrisë apo industrisë së avionëve me vlerë 100,9 milionë euro me 440 të punësuar.

Investimet e firmave gjermane në Serbi, në miliona euro: në vitin 2015 – 72,4; më 2016 – 179,6; më 2017 – 185,4; më 2018 – 263,3; më 2019 – 335,8; më 2020 – 331,9 milionë euro. Në tre muajt e parë të vitit 2021, investimet janë shtuar edhe për 42.1 milionë euro. 

Prej vitit 2010 deri në mars të vitit 2021, të hyrat mbi bazën e investimeve të rezidentëve gjermanë në Serbi kanë qenë rreth 1,9 miliardë euro. Matur me këtë metodologji, Gjermania ka qenë në vendin e pestë të listës së vendeve me investime më të mëdha në periudhën e sipërthënë. Prej vitit 2018, investimet janë shtuar me të madhe, pa u reduktuar as në vitin e krizës nga Covid-19.          

*   *   *

Sipas Beogradit, vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd, më 13.09.2021, është një sinjal i mirë për vazhdimin e ardhjes së investuesve gjermanë në Serbi. Pas vizitës së saj, investimet gjermane në Serbi u dyfishuan. 

Në Serbi ushtrojnë veprimtari ekonomike mbi 1.000 kompani dhe rreth 200 sipërmarrës me shumicë kapitali gjerman, të cilat punësojnë rreth 80.000 qytetarë të Serbisë. Kur të analizohen të gjitha ndërmarrjet të cilat janë furnitorë të kompanive gjermane në Serbi, si dhe ato që marrin pjesë në raportet afariste me to, atëherë bëhet fjalë për 650.000 të punësuar të cilët janë të lidhur tërthorazi me firmat gjermane. Që nga viti 2010, Gjermania ka investuar në Serbi rreth tre miliardë euro. Është investuar në industrinë e përpunimit, në industrinë automobilistike, përfshi prodhimin e pjesëve automobilistike, në industrinë kimike dhe ushqimore etj. Investime gjermane në Serbi parashikohen edhe në lëmenjtë e përkufizuar me Strategjinë e specializimit të mençur, në agrobiznes, në industrinë automobilistike, në IT, në energjetikë, në ekonominë cirkulare, në trajtimin e hedhurinave etj. Në vitin 2021, shkëmbimi tregtar i jashtëm ndërmjet Gjermanisë dhe Serbisë ka qenë 6.5 miliardë euro. Prej tyre, Serbia ka importuar nga Gjermania mallra në shumë prej 3.8 miliardë euro, ndërsa ka eksportuar në Gjermani mallra në shumë prej 2.7 miliardë euro. Gjatë qershorit të vitit në vazhdim (2022), u parashikuan takime afariste të kompanive gjermane dhe atyre serbe në lëmin e industrisë së përpunimit të metaleve dhe në industrinë e automjeteve. Sipas Beogradit, investimet gjermane në Serbi mund të shkojnë deri në 10 miliardë euro, ndërsa numri i të punësuarve në kompanitë gjermane në Serbi mund të arrijë në 100.000.           

*   *   *

INVESTIMET E FRANCËS NË SERBI – Më 15 korrik 2019, presidenti i Francës Emanyel Makron (Emmanuel Macron) bëri një vizitë dyditore në Beograd. Gjatë takimit të tij me Vuçiqin, ndërmjet tjerash u bisedua edhe për bashkëpunimin ekonomik midis Francës dhe Serbisë. Sipas burimeve zyrtare serbe të marsit të vitit 2019, investimet e Francës në Serbi arritën një shumë prej 751 milionë euro. Kjo shumë është shumë më e madhe, për arsye se kemi të bëjmë me të dhënat të tremujorit të parë të vitit 2017. Pas investimeve të sipërthëna  franceze në Serbi, pasoi nënshkrimi i kontratës për koncesion me Vansi-n. 

Sipas masës së planifikuar të investimeve franceze në serbi, kryesojnë firmat e poshtëshënuara:

   – Vinci Airports – 500.000.000 euro; koncesion për aeroportin “Nikolla Teslla” të Beogradit; kontrata u nënshkrua në vitin 2018;  

  – Мichеlin Тigаr Тyrеs – 367.000.000 euro; Mishelini u bë pronar 100 për qind i kompanisë Tigar Tires; viti 2009;   

  – Agricole Group – 264.000.000 euro; Kredi Agrikol Banka e rikapitalizoi bankën Meridian të Serbisë, duke ardhur kësisoj në tregun e Serbisë; viti 2005; 

  – Lafarge (Lafarge Holcim) – 160.000.000 euro; Lafarge (Lafarzh) është i pranishëm në Serbi që prej vitit 2002 dhe blerja e fabrikës së çimentos në Beoçinë;  

  – Tarkett – 136.000.000 euro; ndërmarrje për prodhimin e dyshemeve; në serbi ushtron veprimtari që prej vitit 2002;   

  – Schneider Electric DMS NS – 100.000.000 euro; Prodhues i pajisjeve elektrike; në tregjet e Serbisë dhe të Malit të Zi ushtrojnë veprimtari ekonomike që prej vitit 1997, ndërsa prej vitit 2002, si shpk;  

  – Le Belier – 35.000.000 euro; Merret me prodhimin e pjesëve për industrinë automobilistike, ndërsa në Serbi punon prej vitit 2003;   

  – Lactalis Group – 25.000.000 euro; Korporatë shumëkombëshe (multinacionale) e cila prodhon produkte qumështi;    

  – Bоngrаin SА – 25.000.000 euro; Pronar i “Mlekoproduktit” në Serbi, që nga viti 2004; 

  – Streit Nova – 16.400.000 euro; Në Serbi që nga viti 2004, prodhon pjesë metalike për industrinë automobilistike.

Shënim: Të dhënat e sipërthëna me siguri kanë ndryshuar. Deri në vitin 2022, investimet e vendeve të lartpërmendura të Perëndimit, kanë shënuar rritje.

*   *   *

INVESTIMET E ITALISË NË SERBI –  Sipas të dhënave të nëntorit të viti 2020, në Serbi ushtrojnë veprimtari mbi 1.600 kompani italiane. Numri i sipërmarrësve dhe i investuesve nga Italia shënon rritje të vazhdueshme. Në Serbi janë të regjistruar mbi 1.600 kompani që janë në pronësi të aksionarëve italianë. Në ato kompani janë punësuar mbi 50.000 punëtorë. Prej tyre, 390.000 – të punësuar të drejtpërdrejtë, ndërsa 12.000 – të angazhuar si personel spin-off dhe lizing, Të dhënat i jep Oda Italo-Serbe e Sipërmarrësve. Sa i përket numrit dhe vëllimit të investimeve në Serbi, Italia e ka konfirmuar pozicionin e liderit. Shumë kompani të pranishme në Serbi i rrisin investimet e veta dhe vazhdimisht vijnë investues të ri. Në Serbi janë të pranishme, si kompanitë italiane të mëdha, ashtu edhe shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Punojnë në shumë sektorë, në bujqësi, në sektorin automobilistik, në sektorin e tekstilit, në prodhimin e rrobave, në teknologjitë e informacionit, në punimin e produkteve industriale, në shërbimet në lëmin e konsaltingut dhe të hotelerisë, në sektorin bankar dhe të sigurimeve. Kryetari i Odës Italo-Serbe të Sipërmarrësve dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë së sigurimit DDOR, pjesë e grupit Unipol – Xhorxho Markexhani (Giorgio Marchegiani), ka deklaruar se “investimet italiane në Serbi flasin për partneritetin e shkëlqyeshëm midis dy vendeve”. 

Gjatë viti 2003, shkëmbimi i ndërsjellë i Italisë  dhe Serbisë arriti 1,3 miliardë euro. Me kalimin e kohës, investimet italiane në Serbi shënuan rritje. Në atë kohë, Italia u rendit e pesta në listën e investuesve të huaj në Serbi. Më 15 korrik të vitit 2004, një delegacion i përbërë prej shumë anëtarëve dhe i udhëhequr prej ministrit të investimeve kapitale të Qeverisë së Serbisë, Velimir Iliq, bëri një vizitë dyditore në Itali. Ai u takua në Romë me zëvendësministrin për veprimtari prodhuese të Italisë, Adolf Urs. Gjatë këtij takimi u bisedua që ndërmarrjet italiane të investojnë në sektorin e ndërtimit të rrugëve, në rrjetin hekurudhor, në telekomunikime dhe në infrastrukturën e aeroporteve. Velimir Iliqi u takua edhe me ministrin italian për infrastrukturë dhe ndërlidhje, Pietro Lunardi. Gjatë kësaj vizite, delegacioni serb u takua edhe me përfaqësuesit e “Telespacia-s” dhe të ndërmarrjes kombëtare të rrugëve – “Anas”. 

INVESTIMET E AUSTRISË NË SERBI – Sipas Odës Ekonomike të Serbisë, në vitet 2000-2010, Austria ka investuar në Serbi 3,1 miliard dollarë. Me këtë masë investimesh, ajo u rendit e para ndër investuesit e huaj në ekonominë e Serbisë. Për interesin e palës austriake për të bashkëpunuar me ekonominë serbe flet edhe prania e rreth 400 përfaqësuesve të firmave austriake në Serbi. Në tregun e Serbisë punojnë dhjetë banka austriake më të rëndësishme dhe kompani sigurimi, kompania e telekomunikimeve “Telekomi i Austrisë”, investimi i së cilës në telefoninë mobile është investim “grinfild” më i madh. Pason kompania e naftës OMV, si dhe shumë kompani të tjera të mëdha, siç janë “Henkel”, “Rauh”, “Knauf”. Kompanitë austriake kanë paralajmëruar investime të reja në Serbi, midis të cilave edhe “Svarovski”, prodhuese e kabllove “SMF” e cila planifikon të hapë fabrikën e tretë. U paralajmërua edhe ndërtimi i disa hoteleve. Kompanitë austriake ndërtojnë rrugë dhe ura në Serbi, ndërsa investuesit kanë shprehur interesim edhe për blerjen e uzinave të sheqerit në Cërvenkë, në Zhabël dhe në Sentë. Sipas Odës Ekonomike të Serbisë, investuesit austriakë në Serbi kanë një orientimi strategjik për përparimin e teknologjisë, rritjen e prodhimit dhe të eksportit. Shkëmbimi i tregtisë së jashtme arrin shumën mbi një miliard dollarë. Pas ndryshimeve të tetorit të vitit 2000, marrëdhëniet dypalëshe midis Austrisë dhe Serbisë u intensifikuan në të gjitha nivelet. Këtë e dëshmon niveli i shkëmbimit të tregtisë së jashtme. Në vitin 2011, Austria ndodhet në vendin e dhjetë të listës së vendeve në të cilat Serbia eksporton, ndërsa në vendin e tetë midis vendeve nga të cilat importon. Në vitin 2011, shkëmbimi i tregtisë së jashtme të Austrisë me Serbinë, arriti një vlerë prej një miliard dollarësh. Eksporti serb mori pjesë me 379,1 milion dollarë. 

Prej datës 1 janar 1995, Austria është anëtare e BE-së. Ajo është një prej anëtareve më të pasura dhe më të qëndrueshme. Bën pjesë në grupin e 15 vendeve anëtare të KB-ve me standard jetese më të lartë. Ka 8,3 milionë banorë. Në vitin 2010, ka pasur produkt shoqëror bruto prej 44,863 dollarë per capito (për kokë banori), duke u renditur në vendin pestë në Evropë dhe e dhjeta në botë. Për nga vlera e eksportit ajo ndodhet në vendin e 27-të, ndërsa për nga vlera e importit – në të 26-in. 

Në Panairin ndërkombëtar të bujqësisë të mbajtur në Novi-Sad prej 12 deri më 18 maj të viti 2012, Austria ishte vend partner i Serbisë. Ekspozuesit e saj i paraqitën arritjet nga lëmi i prodhimit të ushqimit organik, të blegtorisë, të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe të teknologjive bujqësore.  

*   *   *

INVESTIMET AMERIKANE NË SERBI –  Më 31 tetor të vitit në vazhdim, Vuçiqi bisedoi me një delegacion ekonomik të madh të Qeverisë së ShBA-së ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e disa prej korporatave globale amerikane më të mëdha. Në qendër të takimit kanë qenë energjetika, teknologjia informatike dhe teknologjia e gjelbër. Sipas kryetarit të Serbisë, Vuçiqit, kompanitë amerikane punësojnë në Serbi 30.000 njerëz, ndërsa shkëmbimi i tregtar midis ShBA-së dhe Serbisë, në tetë muajt e parë të vitit 2022 ka qenë 854,6 milionë dollarë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, kjo parqet një rritje prej 45,6 për qind.

Në Serbi ushtrojnë veprimtari gjigantët teknologjikë të ShBA-së, siç janë: CISCO, IBM, ORACLE. Sipas të dhënave të Agjencisë për Zhvillim të Serbisë, prej vitit 2007 e deri më sot, ndërmarrësit e amerikanë, si për nga numri i projekteve, ashtu edhe për nga vlera e tyre,  bëjnë pjesë në grupin e investuesve kryesorë të huaj në Serbi. Për nga numri i projekteve në Serbi, ShBA-ja është investuesja e pestë më e madhe, ndërsa për nga vlera – investuesja e tretë më e madhe. Biznesmenët amerikanë, në Serbi investojnë më së shumti në shërbimet arkitektonike, në qendrat call, në farmaci, në prodhimin e konservave metalike, në industrinë e metaleve sekondare me ngjyra dhe në industrinë e enëve prej qelqi: Valeant Pharmaceutical, NCR, LC Comgroup, Ball Corporation. Për nga vlera, investimet amerikane më të mëdha në Serbi, kanë të bëjnë me kompanitë Philip Morris, Pepsi Co, Coca Cola, Ball Corporation, Cooper Tire dhe Microsoft.

Sipas të dhënave zyrtare, prej vitit 2010 deri në vitin 2019, kompanitë amerikane kanë investuar në Serbi 508,1 milion euro. Por, shefi i sektorit ekonomik të Ambasadës së ShBA-së në Beograd, Baron Lobstein deklaroi në vitin 2021 se investimet amerikane në Serbi janë shumë më të madha se 600 milionë dollarë dhe jo aq sa thuhet në statistikat zyrtare. Investimet amerikane janë më shumë se 508,1 milion euro, për arsye se investuesi mund të jetë nga ShBA-ja, por fondi me mjetet e tij mund të jetë i regjistruar në Holandë apo në ndonjë vend tjetër që ka një sistem të përshtatshëm për selinë e fondit. Holanda është një prej vendeve nga ku vjen pjesa më e madhe e investimeve të huaja në Serbi. Sipas burimeve të Ambasadës së ShBA-së në Beograd, investimet e ShBA-së në Serbi kanë punësuar rreth 17.000 njerëz.

*   *   *

Për investimet e Rusisë, të Kinës, të Turqisë dhe të vendeve të caktuara arabe – në Serbi, nuk kemi çka diskutojmë. 

Prof. Xhelal Zejneli

Filed Under: Komente Tagged With: Prof. Xhelal Zejneli:

ZGJEDHJET LOKALE -TEST PËR ATO  PARLAMENTARE

November 5, 2022 by s p

Zgjedhjet lokale në Mal të Zi dëshmuan se në skenën politike  kemi një konfigurim të ri  politik, që duhet të verifikohet në nivel shtetëror me  mbajtjën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por iu mbetet partive politike të vendosin për datën e mbajtjës së tyre, si të veçanta apo  së bashku me ata presidenciale në pranverë të vitit të ardhshëm.

Nail  Draga

Analiza e hartës politike në Mal të Zi sipas komunave pas zgjedhjeve lokale të 23 tetorit dëshmon qartë se  këtu kanë ndodhur ndryshime të cilat dëshmojnë se kemi të bëjmë me dekompozimin politik, dukuri e cila përfshirë tërë vendin. Në këto zgjedhje qyteti kryesor, përkatësisht komuna më e rëndësishme ishte Podgorica(149.000 votues), sepse kush do të fitonte ate, ai do të fitojë edhe zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahën ma së largut deri në pranverë të vitit të ardhshëm. Dhe ishin qytetarët ata të cilët me votën e tyre vendosën që pas 24 vitëve PDS-në ta largojnë nga pushteti lokal(24 këshilltar), duke votuar  opozitën(34 këshilltar) e cila ka rastin të dëshmojë aftësitë e tyre organizative e profesionale në qeverisje.

Askush nuk dëshiron koalicion me PDS-në

Partia e PDS-ve e cilla ka udhëhequr në Mal të Zi nga viti 1990, humbjen në zgjedhjet parlamentare  me 30 gusht 2020 e ka përjetuar si shok, nga del se e ka të vështirë të këndellët, që u dëshmu në zgjedhjet lokale me 23 tetor.  E dhëna se nga 14 komuna pësuan humbje në 11 është dëshmi e mjaftueshe, se ajo është në krizë të vazhdueshme. Madje edhe në këto tre komuna, ajo do të jetë e detyruar të bëjë koalicione me subjekte të tjera, që cilësohen si tradicionale me këtë parti, ku veçohen boshnjakët dhe shqiptarët, që dëshmohet edhe nga harta e zgjedhjeve lokale. Nëse këtyre tre komunave iu shtojmë edhe dy komuna të mëparshme del se  PDS ka pushtetin, për momentin  vetëm ne pesë komuna nga 25 sa ka Mali i Zi(shih hartën)C:\Users\123456\Desktop\MZ zgjedhjet lokale.jpeg

Ndonëse është pritur qe kjo parti pas humbjes në vitin 2020 do të pësoi ndryshime, ajo nuk është reformuar, ndërsa kongresi i saj në vitin 2021 ishte me ndryshime kozmetike, pa ndryshime të brendshme sidomos në luftën kundër kleptokracisë, ndërsa në pozitat kyçe në parti kanë mbetur individët të cilët janë të njohur për aferat e ndryshe korruptive.

Nga ana tjetër duke qenë në opozitë tash dy vite në nivel shtetëror ata kanë humbur monopolin e resurseve që ka qenë burim kryesor për klientetlën e tyre partiake. Duke bartur hipotekat e qeverisjës shumëvjeçare ata  nuk kanë  ofruar  në koalicion subjekte tjera politike përveç atyre tradicionale që kanë numër të kufizuar votuesish. Pikërisht nga një qasje të tillë, askush nuk dëshiron me DPS-in të bëjë koalicion as në nivelin lokal e ate shtetëror, edhe pse në mënyrë të veçantë mbetet grupimi politik me i madh në vend.

Në sajë të rezultatit të zgjedhjeve partitë politike të cilat nuk janë treguar të suksesshme në këto zgjedhje kanë mundësi të reflektojnë për rezultatin e tyre, që do të dëshmohet shumë shpejt në zgjedhjet parlamentare.Këtu mendojmë për partite kryesore në qeverinë aktuale ndonëse me pushtet ekzekutiv(PSP dhe URA) nuk janë mbeshtetur nga elektorati votues sipas parashikimeve.

Befasia e zgjedhjeve “Evropa tani” 

Se qytetarët janë ngopur me premtime partiake parazgjedhore dhe me figura të konsumuara politike u dëshmua në zgjedhjet lokale ku grupimi politik me emrin „Evropa tani“ ishte befasia e zgjedhjeve. Si aktor të ri në politikë, pa ndonjë përvojë, por në sajë të programit ekonomik të ofruar, fituan simpatinë e elektoratit zgjedhor, duke arritur sukses të rrallë, duke dalur me të votuarit në opozitë. Madje  me numrin prej 13 këshilltarësh ku së bashku me opozitën kanë 34 këshilltarë, janë komod për të zgjedhur kryetarin e Podgoricës.

Duke marrë parasysh së një pjesë e madhe e elektoratit votues është i pakënaqur me gjendjen ekzistuese, çdo deklarim për ndryshime  në aspektin ekonomik, pranohet si risi, që do të mbeshtetet. Në këtë aspekt grupimi politik i „Evropa tani“ ia arriti qellimit sepse ata si ish ministra në qeverinë e formuar nga zgjedhjet e 30 gushtit 2020, arritën që paga minimale nga 220 euro të rritet në 450 euro,  ku fituan simpati të elektorati votues. Nga ana tjetër kanë premtuar se  si të vijmë në pushtet pensioni më i ultë do të jetë 450 euro, ndërsa paga mesatare 1000 euro, e dhënë kjo që do të ndikojë të qytetarët për  mbeshtetje edhe më të lartë se në zgjedhjet lokale.

Pikërisht, qasja ekonomike gjeti mbeshtetje të votuesit e pakënaqur dhe të mashtruar vite me radhë nga partitë politike. Me këtë mbeshtetje, ata i hapin rrugë mundësisë që në zgjedhjet parlamentare të bëhën subjekti politik me mbeshtetje më  të lartë, ku së bashku me partitë tjera politike opozitare që fituan pushtetin lokal në Podgoricë, të arrijnë të jenë konstituent të qeverisë së ardhshme në Mal të Zi. 

Zgjedhjet parlamentare si zgjidhje

Duke marrë parasysh se  qeveria aktuale është me status teknik, nga del sa ka humbuer legjitimitetin politik, ndërsa nga ana tjetër janë  prishur  marrëdhëniet e brendshme të koalicionit qeverisës, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen sa më parë. Madje edhe zgjedhjet lokale janë dëshmi se çdo tentim tjetër është humbje kohe, që nuk është në favor të stabilitetit qeveritar, duke marrë parasysh se pas tyre zgjedhjeve kemi një dekompozim politik, ku grupimi politik „Evropa tani“ do të luaj njjë rol me peshë të veçantë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe në formimin e qe verisësë re. 

Në sajë të konfigurimit të ri politik pas zgjedhjeve lokale, të gjitha partitë politike e kanë të qartë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë obligim para qytetarëve. Mbetet vetëm të merret vendim se kur do të mbahen ata, para apo së bashku me zgjedhjen e presidentit në pranverën e vitit të ardhshëm. Çdo hezitim në këtë aspekt, do të ishte dëshmi e jo seriozitetit të tyre, se luftojnë për interesa personale e partiake e jo të qytetarëve.  Ndërsa se  si do vijojë kursi   qeveritar  ku sipas të gjitha gjasave presidenti vendit  nuk do ia jap mandatin e kryeministrit M.Lekiqit, gjendja duket konfuze dhe e patolerueshme. 

Andaj iu mbetet partive politike të shumicës aktuale parlamentare ta vlerësojnë dhe të vendosin për shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në këtë aspekt është i nevojshëm kompromisi i partive politike, për të gjetur zgjidhje optimale, për të zhbllokuar zgjedhjen e këshillit gjyqësor dhe të gjykatës kushtetuese, ku do të obligohen  për dalje nga kriza e cila deri tash ka qenë e panjohur  në jetën politike pluraliste në Mal të Zi.

Listat e  hapura kërkesë e kohës 

Në zgjedhjet parlamentare nëse do të ekzistojë vullneti politik, do të ishte e udhës  të ndryshojë ligji zgjedhor, sepse deri më tash kemi pasur iniciativa nga parlamenti, por pa ndonjë realizim konkret.. Eshtë përshtypje e përgjithshme se kjo çështje ka ngecur sepse partitë politike iu frigohen listave të hapura në listat zgjedhore. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë do dëshmojë  nivelin  me të  lartë të demokracisë sepse qytetari ka mundësi të drejtpërdrejtë të   zgjedh  kandidatin qe e mbeshtet në sajë të profesionit dhe angazhimit në shoqëri në avancimin e çështjeve preokupuese në mjedisin përkatës.

Vetëm në këtë formë qytetari ka mundësi praktike me votuar kandidatin e preferuar e jo si deri me tash duke votuar listat partiake, ku kanë përfituar individet të cilët po të ishin listat e hapura do të mbesnin jashtë tyre. Pikërisht këtu qendron edhe problemi, sepse kryetari i partisë apo stafi i ngushtë i saj vendosin në listat zgjedhore individët më të përshtatshëm e jo ata më të përgatiturit, që do të ishin meritor në atë mjedis. Sepse vetëm listat e hapura zgjedhore do të eliminonin një dukuri  të tillë  si kudo në botën demokratike.   

                                                                                  (Nëntor 2022)

Filed Under: Komente

Dhuna dhe ndëshkimi…

November 3, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Bota mjerisht ka ndryshuar dramatikisht, në disa fusha jetësore jo për mirë. Duke qenë dhe ne një pjesë e kësaj bote nuk bëjmë përjashtim. Vidioja e dhunshme ku shfaqet punonjësja e shërbimit social duke rrahur një nënë në shtëpinë e pleqve në Pejë të Kosovës e shpërndarë në rrjetet sociale është shumë e dhimbshme. Si grua, nënë, gjyshe nuk mund ta coja deri në fund për ta parë, jo nuk mundesha…

Për të dhënë opinionin tim më mjaftonte një shuplakë e saj dhe sytë e akullt siberian që godisnin atë nënë të bukur, fisnike si dritë e Hënës. Sa mëshirë ndjeva për atë vajzë aq të re, të jetë aq e dhunshme, aq e frikshme, aq e padurueshme me semundjen e nënës, fëmijët e të cilës e paguajnë për shërbimin. Ndonëse kanë shkruajtur që është nëna e dëshmorit dhe natyrisht i përulem me respket asaj, birin që e lindi dhe e rriti dhe UCK-së, por për mua në këtë rast ajo është NËNE, NËNE NËNË! Cilëndo nënë do ta trajtoja krejtësisht njëlloj. Nëna e kujtdo, është e shenjtë, nëna nuk preket, nënës në moshë dhe në nevojë i shërbehet në cdo gjë dhe në cdo kohë. Ne të gjithe kemi dhimbje, por nuk duhet vetëm të shkruajmë, mallkojmë dhe shajmë, ne duhet të ngrihemi mbi këto plagë që t’i shërojmë, jo vetëm të qajmë për ndodhitë, por të ndryshojmë ligjet e dënimit, t’i vemë me shpatulla prej muri politikbërësit, kuvendarët etj… Duhet të trainohen në institucionet përkatëse, duhet të mos blihen licensat.

Ato duhet të japin shumë prova sidomos kur janë të emëruar me këtë kategori njerëzish tësëmurë.

Të gjitha këto shtëpi pleqsh duhet të kenë kamera, sepse janë kategoria më e pambrojtur. Në se kjo nënë do të ishte dhunuar këtu në Amerikë ku jetoj nga punonjëset e shërbimit social, pasojat për dhunueset do të ishin fatale si: burgim, heqja e licensës, humbja e reputacionit etj… Pra kur janë këto ligje dhuna dhe dhunuesit ndëshkohen, njerëzit sigurisht bëhen më të ndërgjegjshëm ndryshe do të ndodh si në këto vargje:

Ju që dhunën e keni në gjak e shtëpi,

Dhe dhimbjen e mbillni prag më prag,

Harruat se ndëshkimi do ju vijë me furi,

Se nëna e shpirtit është NËNË, dhe kaq…

Shuplakat e tua mbi faqet e nënës,

Doemos janë dhe mbi trupin tim,

Fytyra e saj larë me dritën e Hënës,

Do të verbojë ty që traditën nxin…

2 Nëntor, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: Komente Tagged With: Kozeta Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • …
  • 479
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT