• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim

April 8, 2026 by s p

Nga Lutfi Brami/

Nderim dhe mirënjohje në jubileun e veçantë të ushtarakut Petrit Zanaj

FILADELFIA – Më 4 prill 2026, në një atmosferë festive dhe mjaft emocionale, në  ambjentet e kë ndë shme të  lokal “Dajtit “,Forumi i Ushtarakëve Shqiptarë të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia festoi 10-vjetorin e krijimit dhe 70-vjetorin e lindjes së themeluesit të kë tij Forumi, veprimtarit dhe ushtarakut të njohur, Petrit Zanaj.

Ky aktivitet  mblodhi dhjetëra bashkatdhetarë, kolegë dhe miq.  Ceremonia u hap nga kryetari i Forumi, z. Niko Salavaci, i cili përshëndeti pjesëmarrësit  dhe vlerësoi rolin e z. Zanaj si gurthemeli i bashkimit të ushtarakëve në diasporë.

Një histori nismash dhe vullneti

Gjatë fjalës së  rastit, z. Hys Hasa , ish-sekretar i Forumit që nga themelimi, solli historikun e krijimit të këtij organizimi. Më 21 mars 2016, nismëtarët Petrit Zanaj, Eqerem Murataj, Kiço Kokthi, Haki Çollaku dhe Hys Hasa hodhën themelet e këtij Forumi, me kryetar të parë z. Petrit Zanaj.

“Sot jemi në një stacion të jetë, në 70-vjetorin e njeriut që me vizionin dhe përkushtimin e tij u bë themeli i bashkimit tonë,” – u shpreh z. Hasa. “Të festosh 70 vite do të  thotë të kesh pas vetes një histori nderi e disipline. Për ne, Petrit Zanaj është simboli i ushtarakut, që nuk e braktis rreshtin e kontributit, duke dëshmuar se misioni vazhdon edhe përtej uniformë .”Rrugëtimi: Nga brigjet e Vlorës në “Temple University”

Në fjalën e tij, sekretari i Forumit, z. Lutfi Brami , bëri një përmbledhje emocionale të jetës së z. Zanaj, duke vënë në dukje se rrugëtimi i tij nisi në  qytetin e Kavajës ku u lind, te rrënjët e forta të brigjeve vlonjate e deri te filozofia e nënës labe, që e udhëhoqi në çdo hap, për të punuar si pedagog i përkushtuar në “Shkollën e Bashkuar” në Tiranë,oficer artilier profesionist ,shok i palodhur, që na bashkoi të gjithëve nën strehën e Forumit, e që na organizoi për rindërtimin e Godinës së shoqatës .Nuk është rastësi, që ky përvjetor na gjen këtu në Filadelfia, qyteti ku ai diti të rritej përsëri, duke këmbyer uniformën e Majorit me diplomën e Financave në ‘Temple University’, por pa e hequr nga zemra ‘gradën’ më të lartë, atë të atdhetarit, provë  e gjallë, se grada nuk është thjesht një shenjë mbi supe, por një vulë në karakter.

Poezi dhe Mirënjohje

Gjatë aktivitetit, z. Brami recitoi poezinë kushtuar mikut të tij, me titull “Nga Vlora e Flamurit te Dekada e Nderit” , ku spikatën vargjet: “Grada nuk hiqet kur zhvishet uniforma / Te Ti gjen strehë ligji, dija dhe norma…”

Aktiviteti u përshëndet në  emër të  shoqatë“ Bijtë  e shqipes “  nga z. Bujar Gjoka dhe nga Kryetari i OVL  të  UCK -së  në  USA, kolonel Astrit Huskaj.Të gjitha përshëndetjet e vunë theksin te thënia simbolike: “Grada nuk hiqet kur zhvishet uniforma” .

Në këtë përvjetor u shpërndanë edhe disa tituj:

Gjatë mbrëmjes, z. Petrit Zanaj iu dorëzuan titujt : “Dekada e Nderit” dhe “Veterani, Nderi i UÇK-së”, ndërsa u nderuan me mirënjohje edhe nismëtarët e tjerë si Eqerem Murataj, Kiço Kokthi (pas vdekjes),Gjithashtu Certifikatë  ju  dorë zua nga OVL e UCK-së  z. Tajar Domi ish kryetar i shoqatë “Bijtë  e shqipes “, i cili u vlerësua edhe për ndihmën në  vazhdimë si ndaj forumit të  ushtarakëve e rritjen e rolit të  tij. 

Aktiviteti vijoi me recitime nga z. Haki Çollaku e Sotir Goxhaj, si dhe me këngë popullore nga të gjitha krahinat, duke e kthyer sallën në Filadelfia në një copëz Shqipërie. Z. Petrit Zanaj u urua nga të pranishmit në  këtë  70- vjetor të  lindjes  për jetë të gjatë e të  lumtur, duke mbetur një pikë referimi për komunitetin tonë në Filadelfia.

“Një kala e përbashkët”

I përlotur dhe falënderues, z. Petrit Zanaj u shpreh:

“Kur hodhëm hapin e parë, dëshira ime ishte që të mos mbeteshim të vetmuar, por të mbanim gjallë frymën e sakrificës. Ky Forum nuk është thjesht punë; është një kala që ka në përmbajtje dashurinë për atdheun.”

Ky jubile rikonfirmoi vlerat e larta të diasporës dhe integritetin e ushtarakëve shqiptar.

Filadelfia ,5 mars 2026

Filed Under: Komunitet

Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!

April 6, 2026 by s p

Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!

Filed Under: Komunitet

Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait

April 5, 2026 by s p

Agim Bardha, kampioni shqiptar i golfit amerikan

Nga Rafael Floqi

Në jetën e një kombi, rrallë lindin figura që me shembullin e tyre arrijnë të frymëzojnë jo vetëm një brez, por shumë breza me radhë. Figura që nuk dallohen vetëm për suksesin, por për rrugën e vështirë që kanë ndjekur për ta arritur atë. Sot, me respekt dhe përulësi, kujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e Agim Bardhës – një njeri i thjeshtë në dukje, por i jashtëzakonshëm në shpirt dhe në vepra.

I lindur më 7 prill të vitit 1937 në Shqipëri, jeta e tij nisi në një kohë të vështirë për vendin dhe për popullin shqiptar. Fëmijëria e tij nuk ishte e lehtë. Ishte një kohë kur liria ishte e kufizuar dhe ëndrrat shpesh mbeteshin të parealizuara. Në vitin 1953, përballë një regjimi që nuk lejonte frymëmarrjen e lirë, ai dhe familja e tij morën një nga vendimet më të vështira – të largoheshin nga atdheu i tyre.

Ky nuk ishte thjesht një udhëtim gjeografik. Ishte një rrugëtim i mbushur me sakrifica, pasiguri dhe sfida të mëdha. Nga Shqipëria në Greqi, më pas në Gjermani dhe në fund në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – çdo hap ishte një provë e forcës së karakterit dhe e shpresës për një jetë më të mirë. Në Amerikë, Agim Bardha nuk kërkoi rrugë të lehta. Ai filloi nga e para, si shumë emigrantë të tjerë, duke punuar si berber. Me përkushtim, disiplinë dhe ndershmëri, ai ndërtoi një jetë të denjë për veten dhe familjen e tij. Por brenda tij jetonte një shpirt që kërkonte më shumë, një shpirt që nuk kënaqej vetëm me mbijetesën – por kërkonte të sfidonte vetveten.

Përtej sukseseve të tij në botën e biznesit dhe sportit, Agim Bardha ka lënë gjurmë të rëndësishme edhe në fushën e modës dhe estetikës. Në “Sallonin Bardha”, ai jo vetëm ofroi shërbime të nivelit të lartë, por krijoi një hapësirë ku stili, eleganca dhe profesionalizmi u ndërthurën në mënyrë unike. Ky sallon u kthye në një pikë referimi për komunitetin, duke reflektuar vizionin e tij për bukurinë dhe përkushtimin ndaj detajit.

Në moshën 27-vjeçare, në një moment që shumëkush do ta konsideronte të vonuar për të nisur një karrierë sportive, ai mori në dorë për herë të parë shkopin e golfit. Pa trajner, pa mbështetje profesionale, pa një rrugë të hapur përpara – vetëm me vullnetin e tij dhe besimin se mund të arrinte diçka më të madhe. Vetem duke pare se pronari Nino Gena lunte golf. Ai u dashurua me Golfin, luante dhe stervitej papushim.

Dhe pikërisht aty fillon historia e tij e jashtëzakonshme.

Me këmbëngulje të rrallë dhe një disiplinë të hekurt, Agim Bardha arriti të zhvillojë aftësitë e tij në golf, duke u bërë një lojtar i respektuar në arenën ndërkombëtare. Ai garoi në turne prestigjioze si Senior PGA Tour në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në European Senior Tour në Europë.

Në këto gara, ai nuk ishte thjesht një pjesëmarrës. Ai ishte një konkurrent i denjë, që përballej me lojtarë me përvojë të madhe dhe arriti rezultate të shkëlqyera. Vendosjet e tij në pozicione të larta në turne si Scottish Seniors Open janë dëshmi e talentit dhe përkushtimit të tij.

Por madhështia e Agim Bardhës nuk qëndron vetëm në rezultatet sportive. Ajo që e bën historinë e tij të pavdekshme është mënyra se si ai arriti këto suksese. Ai nisi vonë. Ai ishte autodidakt. Ai nuk kishte privilegjet që shumë të tjerë i kishin. Dhe megjithatë, ai arriti të ngrihej në një nivel që shumëkush vetëm mund ta ëndërrojë.

Jeta e tij është një mësim i madh për të gjithë ne. Një dëshmi se asnjëherë nuk është vonë për të ndjekur ëndrrat. Se pengesat nuk janë fundi i rrugës, por fillimi i një sfide të re. Se forca e njeriut nuk matet me rrethanat ku lind, por me mënyrën se si ai i përballon ato.

Sot, Agim Bardha nuk është vetëm një emër në historinë e sportit. Ai është një simbol i krenarisë shqiptare në botë. Një shembull i gjallë i asaj që mund të arrijë një shqiptar me punë, përkushtim dhe besim në vetvete.

Ai përfaqëson historinë e mijëra emigrantëve shqiptarë që lanë pas gjithçka për të ndërtuar një jetë më të mirë, dhe që me mundin e tyre i dhanë emër dhe dinjitet komunitetit shqiptar kudo në botë.

Në këtë moment reflektimi, ne nuk kujtojmë vetëm një sportist. Ne kujtojmë një njeri që jetoi me dinjitet, që luftoi me ndershmëri dhe që arriti me meritë.

Le të jetë jeta e tij një frymëzim për të rinjtë, për ata që dyshojnë në vetvete, për ata që mendojnë se është vonë për të filluar. Le të jetë historia e tij një dritë që na udhëheq drejt besimit se gjithçka është e mundur kur nuk dorëzohesh.

Dhe ndërsa e kujtojmë me respekt dhe mirënjohje, le të themi me bindje të plotë:

Agim Bardha nuk ishte vetëm një kampion në golf.

Ai ishte një kampion i jetës.

Lavdi jetës dhe veprës së tij.

REFUGJATI SHQIPTAR GJEN SUKSES TË RI NË SENIOR TOUR, LARG NGA BERBERHANA

The Telegraph , 14 Korrik 1988

Nga Lee Benson, Redaktor Sporti

Të dielën e kaluar, përpara raundit final të turneut GTE Northwest Classic në Kenmore, Washington, Agim Bardha, duke luajtur mes pretendentëve në grupin e tretë nga fundi, iu afrua partnerit të tij të lojës dhe i tha:

“Prej kohës kur u arratisa nga Shqipëria nuk kam ndjerë kaq shumë emocione në stomak.”

Arnold Palmer i buzëqeshi me mirëkuptim.

Pa dyshim, rruga nga Shqipëria e izoluar nga komunizmi deri në Senior PGA Tour në Amerikë është e gjatë, e ndërlikuar dhe plot vështirësi — një rrugë që Bob Rosburg do ta përshkruante si “një goditje e pamundur.”

Por ja ku është Agim Bardha — i gjatë vetëm 1.65 m dhe 63 kg — dëshmi e gjallë se është e mundur. Se mund të arrish këtu nga atje.

Këtë javë ai ndodhet në Jeremy Ranch, duke luajtur në Showdown Classic, me dollapin e tij mes lojtarëve me mbiemra që fillojnë me “B”, pranë Butch Baird dhe Miller Barber — dhe siç thotë vetë:

“Shpresoj të mos zgjohem kurrë nga kjo ëndërr.”

Ai ka fituar tashmë 27,293 dollarë këtë sezon — një shumë e madhe në krahasim me prerjet e flokëve (do vijmë tek kjo më vonë). Vetëm javën e kaluar fitoi 9,625 dollarë në Northwest Classic — çeku më i madh në karrierën e tij profesionale. Ai realizoi 71 goditje në raundin final — një më shumë se Arnie (Palmer) me 70 — dhe përfundoi në vendin e shtatë, vetëm katër goditje pas fituesit, Bruce Crampton.

Të thuash që Agimi dhe Arnie ndoqën rrugë të ndryshme për të arritur në të njëjtin vend është pak.

Kur Palmer u bë profesionist në vitin 1954 dhe nisi një nga karrierat më të mëdha në histori, Agimi jetonte në një kamp refugjatësh shqiptarë në Greqi, duke nisur jetën e tij drejt lirisë.

Agimi e donte vendlindjen, por regjimi komunist i instaluar pas vitit 1947 nga ndikimi sovjetik e kishte shkatërruar atë jetë. Në vitin 1953, në moshën 14-vjeçare, ai u arratis bashkë me nënën dhe tre vëllezërit. Familja kaloi malet drejt Greqisë, duke shmangur patrullat kufitare komuniste.

“Ishte e rrezikshme?” — e pyesin.

“E rrezikshme? Mendoni se është e rrezikshme të arratisesh nga Rusia? Kjo ishte edhe më keq,” përgjigjet ai.

Megjithatë, ia dolën.

Pas 14 muajsh në Greqi, shkuan në Gjermani, ku jetuan dy vite, dhe më pas emigruan në Shtetet e Bashkuara. Agimi u vendos në Detroit dhe filloi punë në industrinë e makinave.

Ai punoi në prodhimin e modeleve Lincoln-Mercury të vitit 1957, por më pas u pushua nga puna.

Në kërkim të stabilitetit, u regjistrua në një shkollë kozmetike në Detroit, u diplomua dhe hapi sallonin e tij të flokëve.

Për 25 vite ai punoi si berber.

Deri në moshën 50-vjeçare… kur vendosi të ndiqte golf-in.

Ai e kishte nisur këtë sport në moshën 27-vjeçare, pasi një operacion në shpinë e detyroi të linte futbollin. Shpejt u bë një lojtar i apasionuar, autodidakt, që luante në fundjavë — i varur nga loja, por edhe i frustrur, sepse koha ishte para.

Megjithatë, ai arriti të fitojë disa turne amatorë në Michigan. U kualifikua katër herë në kampionatin kombëtar Mid-Amateur dhe çdo herë kaloi fazën e prerjes.

Por golfi mbeti një pasion… deri vitin e kaluar, kur fitoi kampionatin Michigan Mid-Amateur dhe Michigan Senior Open.

Shumë njerëz e inkurajuan të provonte Senior Tour.

Njëri prej tyre ishte Chuck Koches, anëtar i Red Run Country Club në Birmingham, Michigan — një lojtar me përvojë në Walker Cup dhe Masters.

Agimi vendosi ta provojë.

Ai mori pjesë në shkollën kualifikuese të PGA në Florida dhe u kualifikua për sezonin 1988 të Senior Tour duke u renditur në vendin e 9-të. Çeku i parë profesional ishte 1,000 dollarë.

Ai e vendosi çekun në kornizë, e vari në murin e sallonit të tij… dhe e mbylli derën.

Që atëherë, ai udhëton në turneun Senior, duke luajtur krah emrave të mëdhenj si Palmer, Casper, Player dhe Crampton — yjet që dikur i shihte në televizor ndërsa priste flokë.

“Po kaloj kohën më të bukur të jetës sime,” thotë ai.

“Nuk kam fjalë të përshkruaj sa mirë më kanë pritur të gjithë. Më ndihmojnë, më japin këshilla, më qetësojnë që të mos bëj gabime.”

Dhe në këmbim… ai u pret flokët atyre.

Kujtdo që ka ende flokë, ai i stilon — në dhomat e zhveshjes, në hotel, kudo.

Vetëm dje, Butch Baird hyri në dhomën e zhveshjes dhe i tha:

“A nuk mendon se më duhet një prerje?”

“Po dukesh pak i çrregullt,” iu përgjigj Agimi.

“Ky djalë është i shkëlqyer… na duhej një berber këtu,” tha Baird.

Dhe nuk e kishte fjalën për Miller apo Jerry.

E kishte për Agim Bardhën — refugjatin shqiptar që arriti në këtë nivel me shumë mund — dhe që nuk ka ndërmend të harrojë kurrë rrënjët e tij.

Filed Under: Komunitet

Kush ishin 12 Apostujt?

April 4, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Të Dymbëdhjetë Apostujt luajtën një rol thelbësor në përhapjen e krishterimit të hershëm, ndonëse historitë e tyre shpesh janë objekt debatesh.

Të Dymbëdhjetë Apostujt, të quajtur ndonjëherë edhe dishepuj, ishin një grup ndjekësish të zgjedhur nga Jezusi për të përhapur mesazhin e tij, sipas Dhiatës së Re. Shkrimet e krishtera i përshkruajnë ata si figura kyçe në lëvizjen e hershme të krishterimit.

Kush ishin Të Dymbëdhjetë Apostujt — dhe çfarë thonë burimet më të hershme për ta?

Ungjijtë përmendin Pjetrin, Andrenë, Jakobin (birin e Zebedeut, i njohur edhe si Jakobi/James i Madh), Gjonin, Filipin, Bartolomeun (i quajtur edhe Natanael), Thomën, Jakobin (birin e Alfeut, i njohur si Jakobi i Vogël), Judën (i quajtur edhe Tadeu), Simon Zelotin dhe Judë Iskariotin.

Veprat e Apostujve (1) thonë se Matia u zgjodh për të zëvendësuar Judën pas vdekjes së tij. Pali/Pavli përshkruhet gjithashtu si apostull në Dhiatën e Re, por ai nuk përfshihet ndër të dymbëdhjetët e përmendur në Ungjij.

Apostujt kishin tre detyra kryesore. “Ata udhëtonin në çifte në qytete dhe fshatra përreth për të predikuar fjalën e Perëndisë, për të shëruar të sëmurët dhe për të dëbuar frymërat e liga,” shkruan BBC. Në Dhiatën e Re, shton Ruffin, apostujt përshkruhen si dëshmitarë që ndanë me të tjerët historinë e ringjalljes.

Të katër Ungjijtë e Dhiatës së Re — Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni — si edhe Veprat e Apostujve, i përmendin apostujt, megjithëse disa emra ndryshojnë nga një libër në tjetrin. Shkrimtarë të hershëm të krishterë, përfshirë Klementin e Romës dhe Ignacin e Antiokisë, kanë shkruar gjithashtu për apostujt si persona realë. “Letra drejtuar Korintasve” e Klementit përmend apostujt Pjetër dhe Pavël si të përndjekur, duke u bërë një nga tekstet më të hershme jashtëbiblike që i referohet jetës së tyre.

Fjala “apostull” vjen nga greqishtja apostolos, që do të thotë “i dërguar” ose “lajmëtar”. Megjithatë, fjalët “dishepull” dhe “apostull” nuk janë të njëjta, siç shkruan C. Bernard Ruffin në librin The Twelve: The Lives of the Apostles After Calvary.

Sipas tij, “dishepull” është një term i përgjithshëm për ndjekësit e Jezusit, ndërsa “apostull” zakonisht i referohet dikujt që dërgohet si lajmëtar. Jo çdo dishepull ishte apostull dhe jo çdo apostull ishte pjesë e grupit të njohur si “Të Dymbëdhjetët”.

Cili apostull doli si udhëheqës?

Ruffin e përshkruan Pjetrin si një zë udhëheqës ndër apostujt. “Ai ishte më i hapuri, më kureshtari, më guximtari, edhe nëse ndonjëherë zemra i paraprinte arsyes,” shkruan ai.

Në Ungjillin sipas Mateut, Jezusi citohet të ketë thënë: “Ti je ‘Shkëmbi’, dhe mbi këtë shkëmb do të ndërtoj Kishën time… Do të të besoj ty çelësat e mbretërisë së qiejve.” Shumë të krishterë e interpretojnë këtë si dhënie e një roli të veçantë udhëheqës Pjetrit.

Cili apostull e tradhtoi Jezusin?

Sipas rrëfimeve biblike, Juda Iskarioti e tradhtoi Jezusin në këmbim të 30 monedhave (aspra) argjendi. Kjo çoi në arrestimin, gjyqin dhe kryqëzimin e Jezusit — ngjarje qendrore në traditën e krishterë.

Ungjijtë japin shpjegime të ndryshme për veprimin e Judës, duke përfshirë lakminë dhe ndikimin e Satanit. Dhiata e Re jep gjithashtu versione të ndryshme për vdekjen e tij: Mateu thotë se ai i ktheu paratë përpara se të vetëvritej, ndërsa Veprat e Apostujve përshkruajnë një vdekje të dhunshme në një arë.

Çfarë ndodhi me apostujt pas vdekjes së Jezusit?

Dhiata e Re jep pak hollësi për fatin e mëvonshëm të apostujve. “Pjetri mori menjëherë drejtimin e bashkësisë së krishterë,” shkruan Ruffin, duke udhëhequr shpejt mijëra besimtarë të bashkohen me lëvizjen. Në Veprat e Apostujve thuhet se Herodi Agripa I ekzekutoi Jakobin (birin e Zebedeut). Pretendime të tjera mbi jetën e apostujve vijnë nga shkrime më të vona të krishtera. Për shembull, teksti i shekullit të tretë Veprat e Thomës e lidh apostullin Thomë me udhëtime misionare në Siri dhe Indi.

Filed Under: Komunitet

Bostoni shqiptar përballë historisë: Ambasadori Walker sjell të vërtetën e Raçakut

March 29, 2026 by s p

Flamur Vezaj – mashqip.com/

Në ambientet e Katedrales Ortodhokse Shqiptare të Shën Gjergjit, aty ku historia dhe identiteti shqiptar në Amerikë kanë rrënjë të thella falë Fan S. Noli, u zhvillua një aktivitet me peshë të veçantë kombëtare: promovimi i librit “Raçak” nga ambasadori William Walker, organizuar nga Qendra Kulturore dhe Libraria “Fan S. Noli” në bashkëpunim me VATRA dega në Boston.

Në një atmosferë të ngrohtë, patriotike dhe plot emocion, aktiviteti u moderua me profesionalizëm nga gazetarja dhe editorja Rafaela Prifti, e cila udhëhoqi diskutimin mes kujtesës historike dhe mesazheve për të ardhmen.

Momenti më prekës i aktivitetit ishte momenti kur ambasadori Walker takoi një shqiptare nga fshati Reçak, e cila jetonte në Boston. Ky takim solli emocione të forta në sallë, duke rikujtuar se për shumë njerëz, masakra e Reçakut nuk është thjesht histori, por plagë e gjallë dhe dëshmi e sakrificës.

Në fjalën e tij, ambasadori Walker e cilësoi masakrën e Reçakut si një krim lufte që tronditi botën, duke theksuar se pikërisht ajo ngjarje nxiti reagimin ndërkombëtar dhe ndërhyrjen për të ndalur gjenocidin e regjimit të Slobodan Milošević. Ai u shpreh se e vërteta nuk mund të fshihet, pavarësisht përpjekjeve për ta mohuar, dhe se vendimi për të ndërhyrë ishte i drejtë dhe i domosdoshëm.

Me një modesti të rrallë, Walker tha se kontributi i tij ishte i vogël në krahasim me figura të mëdha si Madeleine Albright, duke nënvizuar rolin e diplomacisë amerikane dhe mbështetjes ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës.

Ai gjithashtu dha një mesazh të qartë politik: Kosova nuk sulmon askënd, ndërsa Serbia vazhdon të mbajë një qasje armiqësore ndaj saj. Sipas tij, e vërteta historike dhe drejtësia duhet të mbizotërojnë mbi propagandën.

Në një moment më të lehtë, por po aq domethënës, ambasadori shprehu admirimin e tij për kulturën shqiptare, duke veçuar muzikën dhe dasmat kosovare, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës: “Ruani lidhjet mes jush, qëndroni të bashkuar, kjo është forca juaj.”

Ky aktivitet nuk ishte thjesht një promovim libri, por një rikujtesë e fortë se historia e Kosovës është e shkruar me gjak, sakrificë dhe qëndresë. Për ata që janë pjesë e kësaj historie, libri “Raçak” mbetet një dëshmi e gjallë dhe një thirrje për të mos harruar kurrë.

Bostoni shqiptar, përmes këtij organizimi, tregoi edhe një herë se kujtesa kombëtare nuk shuhet, përkundrazi, ajo forcohet në çdo brez që e mban gjallë.

Në fund të aktivitetit, ambasadori Walker firmosi librin e tij për të pranishmit dhe lexuesit, duke u dhënë atyre mundësinë të marrin një kujtim të veçantë nga ky takim me vlerë historike.

Filed Under: Komunitet

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 395
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade
  • Zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
  • STILISTIKA DHE BOTA E PERSONAZHEVE
  • Nga kërcënimi te kompromisi: Realpolitika e armëpushimit Trump–Iran
  • KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 DHE RËNDËSIA E SAJ HISTORIKE
  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT