*Doli libri i veprimtarit dhe biznesmenit shqiptaro -amerikani, Harry Bajraktarit
“NJË ÇEREK SHEKULLI PËR ÇËSHTJEN E KOSOVËS NË WASHINGTON”/
* Dy kopje të librit iu dhuruan Bibliotekës së VATRËS/
NGA MUHAMET MJEKU/
Tash po sa ka dalë nga shtypi libri i Harry Bajraktarit me titull ”Një çerek Shekulli për çështjen e Kosovës në Washington”, botuar nga “Albanian Media Grup” në SHBA.
Libri u kushtohet atyre që, brez pas brezi, u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Në këto shkrime dominon tematika: Washingtoni dhe shqiptarët e Amerikës për Kosovën, Shqipërinë dhe trojet tjera etnike, nëpërmjet takimeve me personalitetet të larta amerikane, komente, intervista, letër shkëmbime dhe diskutime të Harry Bajraktarit, prej se kur erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amertikës.
Në këtë vëllim janë botuar edhe shkrimet dhe intervistat e autorit të publikuar në gazetën “Illyria”, në “Bota Sot”, në gazetën “Dielli” të Vatrës, në 55 , “Panorama”, “Telegraf”, “ Lajm” , dhe në disa gazeta e revista të tjera në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Këtu gjen aktivitetin e shqiptarëve të Amerikës nga vitet e 90-ta në të sotmen që kryesisht ka të bëjë me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe me demokratizimin e Shqipërisë. Në libër ndodhen edhe disa intervista të Harry Bajraktarit, dhënë gazetave të ndryshme si dhe letra përshëndetëse, dërguar personaliteteve politike, njerëzve të kulturës dhe klerikëve.
Harry Bajraktari, krahas aktivitetit të tij si veprimtar, në vitin 1991 themeloi edhe gazetën “Illyria” dhe nga atëherë filloi t’i botojë shkrimet e tij në gjuhën angleze dhe shqipe, ndërsa më vonë vazhdoi të publikojë edhe në disa gazeta në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Nëpërmjet këtyre shkrimeve dhe letrave dërguar personaliteteve amerikane, si dhe në bashkëpunim me miqtë e tij amerikanë dhe me shqiptaro-amerikanët, z. Bajraktari, afirmoi në mënyra të ndryshme çështjen kombëtare në Washington. Lexuesi do të ketë rast të njihet për takimet e tij me ish presidentin Clinton, Hilary Clinton, Holbrooke, Joe Biden, Bab Dole, Eliot Engel e figura të tjera amerikane, si dhe me takimet e tij me Dr.Ibrahim Rugovën, Dr. Sali Berishën, me politikanë e intelektualë të tjerë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Gjithashtu janë prezentuar edhe disa nga takimet e tij me njerëz të kulturës dhe artit. Në këtë kontekst ai u takua edhe me Bianca Jagger, aktore dhe aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut, ish bashkëshortja e Michael Philip “Mik” Jager, njëri nga themeluesit e famshëm të Roling Stones. Në vitin 2006 presidenti George Bush i dha mirënjohje Harry Bajraktarit për shërbim dhe pjesëmarrje qytetare për shtetin amerikan.
Në këtë shënim po paraqesim një fragment nga ky libër:
“Amerika të jep mundësi të ngritesh ekonomikisht, të ndjehesh i barabartë me gjithë të tjerët, të shkollohesh dhe të gjesh profilin tënd, si asnjë vend tjetër në botë. Prandaj, Amerika s’ ka qenë ëndërr vetëm e shqiptarëve, por edhe e shumë popujve të këtij planeti të hequr keq. Vetëm në një demokraci e tillë mund të realizosh synimet e tua. Amerika na krijoj kushte dhe mundësi, kurse ne me punë të përditshme realizuam të mira materiale. Me këto të mira ngritem vetveten, ndihmuam atdheun dhe njerëzit tanë në Kosovë. Mendoj se pa këto mundësi ekonomike dhe pa një sistem të tillë demokratik që ka Amerika, nuk do të kishim shumë vullnet për t’ ju përkushtuar vlerave esenciale të kombit.
Mbi këtë bazë kemi vepruar, dhe kështu po veprojmë edhe sot për të qenë pranë vetvetes dhe popullit shqiptar gjithandej në Ballkan”.
Llibri është ilustruar me fotografi nga takimet e tij me personalitetet të larta të Amerikës dhe botës nga Bill Clinton tek kryetari i Izraelit Shimon Peres dhe ndahet në 15 kaptina.Vija ndarëse e një kaptine në tjetrën nuk nënkupton edhe tematikën e njëjtë të shkrimeve.
Libri i Harry Bajraktarit “Një çerek shekulli për çështjen e Kosovës në Washington” është botuar me një dizain dhe teknikë të përsosur dhe ka 365 faqe. Të gjitha fotografitë janë me ngjyra, ndërsa në kopertinë është ndërtesa e Konkresit amerikan në Washington DC.
Shënim: Sot, e Premte 27 Shkurt, autori Harry Bajraktari dërgoi për bibliotekën e Vatrës, dy kopje të librit. Në bibliotekën e Vatrës ruhen libra që prej 103 vitesh. Në të janë ruajtur dhe librat origjinalë të Fan S Nolit, Konicës, Cekrezit etj. Faleminderit!
SHBA: Kreu i legalistëve Gjana – takohet me kongresistin Eliot Engel
– Mulosmani dhe Bajraktari priten kryetarin e PLL zotin Gjana/
Gjana: “PLL dhe SHBA, kanë ndarë dhe mbrojtur në mënyrë të përbashkët vlerat universale të Lirisë dhe Demokracisë, si dhe kanë bashkërenduar veprimet e tyre në shërbim të këtyre vlerave. Gjatë takimit me Kongresmenin Engel dhe shumë miq të tjerë në Washington u shpreh bindja se në të ardhmen lidhjet tona do të përforcohen edhe më shumë”/
Nga Beqir SINA – New York/
WASHINGTON D.C: Kryetari i Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, zoti Sulejman Gjana, i cili ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara, në një vizitë disa ditore, për të marrë pjesë në një konferencë për bashkëjetesën e besimeve të ndryshme fetare, në Kombet e Bashkuara, ka shfrytëzuar vizitën e tij, për të zhvilluar disa takime, me lider të komunitetit shqiptar, kongresistin Engel dhe një intervistë e dhënë me Zërin e Amerikës, dhe shtypin shqiptaro amerikan.
Kryetari, Gjana, gjatë kësaj vizite, mori pjesë në një sërë aktivitetesh të mbajtura me rastin e Pavarësisë së Kosovës, të organizuara nga bashkësia shqiptare. Vizita e kreut të legalistëve, në Shtetet e Bashkuara, koincidoi në të njëjtën kohë, kur shqiptarët e Amerikës, kremtuan në mënyrë madhështore,17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, dhe ai ishte i ftuar nderi në dy kremtimit më të mëdha në Nju Jork, kremtimin e Vatrës dhe atë të organizuar nga asamblesiti i Njujorkut, zoti Mark Gjonaj.
Në axhendën e tij ditën e Martë, 24 Shkurt, kreu i legalistëve Gjana – pati një takim si është shprehur ai interesant dhe të përzemërt me mikun e popullit dhe kombit tonë shqiptar, Kongresmenin Eliot Engel, takim që u zhvillua në zyrën e Tij në Kongresin Amerikan – Capitol Hill Washington D.C..
“Jam i lumtur, deklaroi Gjana, mbas këtij takimi, që mu dha mundësia që në emër të gjithë legalistëve dhe kombëtaristëve shqiptarë ta falënderoj Kongresmenin Engel, për kontributin e Tij për demokratizimin e Shqipërisë dhe Pavarësinë e Kosovës si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai i ka dhënë kauzave te PLL e mbretërorëve shqiptar. Mbasi, gjatë takimit shkëmbyem mendime dhe ndamë shqetësimet tona të përbashkëta lidhur me situatën në Shqipëri, Kosovë dhe rajon” thotë kryetari i PLL zoti Sulejman Gjana.
Simbas tij, historikisht PLL dhe SHBA, kanë ndarë dhe mbrojtur në mënyrë të përbashkët vlerat universale të Lirisë dhe Demokracisë, si dhe kanë bashkërenduar veprimet e tyre në shërbim të këtyre vlerave. Gjatë takimit me Kongresmenin Engel dhe shumë miq të tjerë në Washington – u shpreh bindja se në të ardhmen lidhjet tona do të përforcohen edhe më shumë, tha Gjana.
Ndërkohë, në kuadër të vizitës së tij, disa familje të njohura mbretërore, në Nju Jork, Nju Xhersi, Kenektikët, Uashington, shtruan darkë nderi për Kryetarin e PLL zotin Sulejman Gjana.
Mbrëmë, ai ishte i ftuar në pritjen e dhënë nga zoti Musli Mulosmanaj, dhe z. Harry Bajraktari, në lokalin “Sam’s Place Restaurant” në Nju Jork, me pronarë zotin Maxhun Biberaj.
Darkë, në të cilën morën pjesë, veprimtari dhe biznesmeni shqiptar, Harry Bajraktari, ish botuesi i gazetës shqiptaro amerikane Illyria, veterani legalist Nderc Gjergji, mbretërorët Hamit Zenuni, Musli dhe Sami Mulosmani, dhe kryetari i degës së PLL, për SHBA dhe Kanada, zoti Hakik Mena.
Në emër të mikëpritësve, zotit Bajraktari dhe Mulosmani, mirëseardhjen – ja ka uruar veterani legalistë, zoti Musli Mulosmani, i cili, ka folur me këtë rast me krenari për kontributin e madh që dhanë ndër vite partitotët dhe atdhetarët në mërgim.
Me këtë rast, veprimtari dhe Biznesmeni , Harry Bajraktari, ish botuesi i gazetës shqiptaro amerikane Illyria, mbasi përgëzojë, kryetarin e legalistëve zotin Gjana, për lidershipin e tij, në krye të kësaj partie, tha ndër të tjera, duke folur për çështjen shqiptare, – “se ne jemi gjenerata më fatlume, që po përjetojmë këto ditë – Shqipëria e lirë dhe demokratike, në Nato, dhe, aspirante për në Bashkimin Europian. Kosova, e lirë dhe e pavarur, mbas atij okupimi shekullor, të egër sllavo -komunist, të Serbisë. Kurse, çështja shqiptare në viset shqiptare, fatmirësisht, ka ecur përpara, tha Bajraktari, duke kujtuar se të parët tanë, kanë ëndërruar për qindra vjetë, dhe ja vjen një ditë, që sot ne u bëmë dëshmitar të këtyre ditëve të bukura – për të gjithë shqiptarët, megjithse, duhet pranuar, shtoi ai se nuk kemi arritur gjithëçka, sepse kemi edhe më shumë për të bërë”, tha Bajraktari.
Më pasë, zoti Bajraktari, ka vlerësuar në mënyrë të veçantë, kontributin e madh të familjes Mulosmani, dhe bashkëluftërave të saj, duke përmendur figura të shquara të patriotizmit në diasporë, në dobi të çështjes kombëtare, “të cilat, tha ai u bënë burim frymëzimi edhe për brezat tanë, qysh me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, luftën kundra komunizmit e sllavo komunizmit, deri në çlirimin, lirnë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Kështu, pas shkëmbimit të dhuratave, kreu i legalistëve Gjana – nderojë me një mirënjohje anëtarin e Senatit të PLL, zotin Musli Mulosmani – me një çertifikat “Mirënjohje” me motivacionin :”Për angazhimin, kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Partisë “Lëvizja e Legalitetit”,Familjes Mbretërore, Çështjes Kombëtare, kauzave tona në kohëra të vështira”.
Veprimtari dhe Biznesmeni, i njohur zoti Harry Bajraktari, ish botuesi i gazetës shqiptaro amerikane Illyria, i dhurojë në shenjë respekti Kryetarit të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, zoti Sulejman Gjana, një paket me libra; foto albumin biografik -“Albanian American Success Stories”, ku H.Bajraktari është vetë pjesë e këtij libri, të parë voluminoz dhe luksoz(hard cover) – me pjestarë të tjerë të suksesshëm të komunitetit shqiptarë në Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu, Bajraktari, dhurojë edhe monografinë e librit të publicistit Muhamet Mjeku “A life between Kosova and America with Harry Bajraktar’s family”, -“Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës me familjen Harry Bajraktarin”, dhe librin e shkruar nga vetë, ai – dhe dalur këto ditë në qarkullim “Një çerek Shekulli për Çështjen e Kosovës në Washington” autor Harry Bajraktari.
Po…duhet hapur shkolla,per femijet shqiptar te Astorias!
Pas një bisedë telefonike me Carrie Hooper, një amerikane që të befason me njohuritë për Historinë e Shqipërisë që nga lashtësia e deri sot, me njohjen e shkëlqyer të Gjuhës shqipe, me repertorin e këngëve shqip, me dashurinë e madhe për shqiptarët…Një bisedë uruse dhe nxitëse edhe për hapjen e shkollës shqipe në Astoria, Queens, NY
Nga Kristaq PAPA/
Abetaret dhe fletoret e punës që sapo kisha sjellë nga Federata VATRA, i vura mbi tavolinë. U ula në karrigën e së njëjtës tavolinë, ku qenë vendosur librat dhe po i vështroja, sikur dic kërkoja nga ato, mbase një mbështetje për të davaritur dyshimin që po me shoqëronte në këtë pune …..mos po nxitohemi në këtë ndërmarje ,i kemi mundësit dhe kushtet për ta kryer mirë e mos ti diziluzionojmë as fëmijët e as prindërit që mezi e presin frekuentimin e saj. Nga kjo gjendje më nxori zilja e telefonit ,po pasi e pashë që ishte një numër i panjohur ,duke menduar se do të ishte ndonjë promocion i ndonjë prodhimi ,tip-reklame, nuk e hapa .Mora në dorë abetaren dhe sa bëra ta hap cicëroi përsëri telefoni .Ishte i njëjti numër.Pa u menduar gjatë e hapa dhe iu pergjigja:
-Urdhëroni !
-Mirëmbrëma ! Një e folur e kthjellët e shqipes.
-Mirëmbrëma ,ju prgjegja unë dhe po prisja.
-Unë që ju telefonoj, kam mësuar nga gazeta Dielli që ju së bashku me disa shokë tuaj po hapni një shkollë për fëmijët shqiptarë në Astoria .
-Jeni shumë e saktë ,ne jemi duke punuar,për të ralizuar nje ndërmarje te tille ,jo si biznes po si shkollë të komunitetit ,më falni që ju pyes ,po ju kush jeni !
_Unë jam Carrie Hooper,jam amerikane dhe gjuhën shqipe e kam mësuar vetë .Unë kam lexuar shumë për historinë e popullit shqiptar dhe njoh mirë edhe zakonet dhe traditat tuaja ,dhe ju mora t’ju them se unë jam e gatshme të vij e të takoj fëmijët e shkollës suaj dhe të bisedoj me ta. Ju nga dialekti më dukeni që jeni nga jugu,mos jeni nga Korca, më pyeti Carrie.
-Keni të drejtë pjesërisht, unë jam nga jugu ,por jo nga Korca ,unë jam nga Lushnja ,nëse e keni dëgjuar emrin e qytetit tim.
-Posi ,e di shumë mirë ,Kongresi i Lushnjës më 1920 që shpalli Tiranën kryeqytet.
Unë qesha ,nuk e di përse por qesha me shpirt dhe më doli me zë-dhe vazhdova -Unë ju falenderoj shumë për gëzimin e madh që më sollët , më dhatë një arsye më shumë për ta hapur shkollën shqipe këtu në Nju Jork, më dhatë një nxitje të jashtëzakonshme. Ju falenderoj edhe për gadishmërinë dhe mbështetjen tuaj ,po ne nuk e kemi hapur shkollën akoma ,atë do ta hapim më 7 Mars ditën…Pa mbaruar fjalinë unë, ajo thirri në anën tjetër të telefonit:
-Oooo e kuptova, keni zgjedhur ditën e mësuesit ,ditën e shkollës së parë shqipe …
Unë shumë i emocionuar e i befasuar. Edhe këtë e dini…_Ju thash, unë di shumë gjëra, di edhe këndoj edhe këngët tuaja. Lule bore ,Hymnin e flamurit ,i bie edhe pianos po edh ciftelisë ,a keni cifteli, ju aty në Astoria?
-Nuk kemi ,sic nuk kemi edhe shumë gjëra të tjera, por pas kësaj bisede me ju unë ju premtoi se do të plotësojmë të gjitha kushtet dhe këtë ambjent të vogël, që na e ka dhënë falas bashkatdhetari ynë kristaq Foto, do ta kthejmë në një qendër të vërtetë të kulturës shqiptare. Unë do të ndjehesha shumë i kënaqur në se ju do mund të na vinit në këtë ditë të hapje së shkollës shqipe ….
Heshtje…Një heshtje që unë e mora për hëzitim të pranushëm …kur befasi…Unë nuk ua thashë të gjitha akoma …Unë jam e verbër .. Unë mbeta…
…dhe tani që e shkruaj ,pas disa orësh të bisedës ,sytë më mbushen me lot…Pauzë e gjatë…
Unë:-Keni vështirësi të udhëtoni ,e kjo është e natyrshme ,por ne do ta gjejmë vetë mundësine dhe do t’ju marrim e t’ju sjellim një ditë midis fëmijëve shqiptarë që duan të mësojnë gjuhën shqipe,gjuhën e prindërve të tyre, që ju t’ju tregoni atyre shembullin tuaj kaq të vecantë e befasues.Bisedën që zhvilluam së bashku ,në se do ma kish treguar dikush tjetër ,unë nuk do ta besoja por do ta merrja për një trillim artistik. Unë ju falenderoj shumë për bisedën që bëmë duke ju premtuar se do të flasim përsëri duke ju konsideruar një mike të mirë të shkollës që do të hapim! Ju faleminderit dhe shumë suksese ,përfundoi bisedën mikja e shkollës sonë Unë-PO DUHET TA HAPIM SHKOLLËN PËR FËMIJËT TANË…
MARK GJONAJ:”Urime për Kosovën në 7- të Vjetorin e Ditës së Pavarësisë!”
Kremte shembullore dhe dinjitoze e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në Nju Jork/
Nga Beqir SINA – Bronx New York/
“Urime për Kosovën në 7- të Vjetorin e Ditës së Pavarësisë!”/
BRONX NY : Në kuadër të festimeve për nder të 7-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurt 2008, organizuar nga asambleisiti Mark Gjonaj, mbrëmë në lokalin “Maestro’s”, u mbajt një mbrëmje muzikore – argëtuese me moton: “”Urime për Kosovën në 7- të Vjetorin e Ditës së Pavarësisë!” – Congratulations to Kosova on the 7th Year of Independence !”
Në një ambient festiv, me mbi 300 të pjesëmarrës, morën pjesë edhe, autoritet lokale, të qytetit të Bronxit, veprimtar të dalluar të komunitetit, lider dhe mysafirë nga Shqipëria dhe Kosova, dhe disa nga përfaqësuesit e jetës politike, shoqërore e afariste të qytetarëve nga Kosova.
Po ashtu të pranishëm ishin edhe personalitete të tjera shqiptare të njohura nga jeta publike, politike, artistike, shkencore e afariste, në zonë e Tri- Shtetshit.
Kremtimin e shtatë-vjetorit të pavarësisë të Kosovës, e kishte organizuar në mënyrë shembullore, Asambleisti i Nju Jorkut, Mark Gjonaj, duke mbledhur përfaqësuesit e komunitetit shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova, Presheva, Bujanovci, Medvegja, Çamëria, Mali i Zi, dhe nga diaspora, që të kremtojnë denjësisht, ashtu siç dijnë të krmetojnë shqiptarët e Amerikës, festat më të rëndësishme kombëtare.
Për këtë kremtim, jorastësisht, në fjalën e tyre, përshëndetëse, dom Fatmir Koliqi, nga Prishtina, konsulli i Kosovës Korab Mushkolaj dhe kreu i legalistëve nga Shqipëria, Sulejman Gjana, e veçuan këtë mbremje festive si shembullore , duke faleminderuar asamblesitin e parë shqiptar në historinë e emigracionit- Mark Gjonaj.
Gjithçka, ishte përgatitur bukur për një kremte të tillë, e cila është festa më të madhe pas pavarësisë së Shqipërisë : një flamur kuq e zi – gjigand shtrihej në faqen ballore të sallës, ndërsa, krah tij ishin vendosur flamujt kombëtar të SHBA, Shqipërisë dhe ai shtetror i Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, që një program shumë i zgjedhur, me këngë e valle nga Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat e shtoi bukurinë e festës.
Kremtimin e hapi udhëheqësi i kësaj mbremje festive Flakron Pustina, ndërsa e drejtojë atë Vjosë Mujaj – Nikçi, e cila mbasi foli mbi lavdinë dhe rëndësinë e çlirimit, të pavarësisë së shtetit të Kosovës, tha se: ” Po! ashtu, sot i përkujtojmë me krenari të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”.
Mbas, intonimit të Himnit Kombëtar të SHBA, Shqipërisë, dhe atij të shtetit të Kosovës, dhe mbajtjes së një minutë heshtjeje për të gjithë të rënët në etapa të ndryshme për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, para të pranishmëve me një përshëndetje në gjuhët, shqipe e angleze, pjesëmarrësve në këtë ceremoni festive iu drejtua zoti Mark Gjonaj.
7 Vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës e bekoi dhe e pershendeti, Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës, mysafirë nderi, si dhe e përshëndetën përfaqësuesi i Konsullatës së Përgjithëshme të Kosovës, Korab Mushkola – konsull, dhe Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, professor Sulejman Gjana.
Duke ju drejtuar me një fjalim përshëndetës të pranishëmve, kolegëve të tij asambleistë, përfaqësuesve të OJQ-ve, veprimtarëve dhe personaliteteve të rëndësishëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, miqve amerikan,zoti Gjonaj tha se ashtu si çdo shqiptar, “ndjehem, i lumtur dhe krenar që të kremtojë së bashku me ju 7-Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës”.
Liria është kërkesa më sublime e çdo populli për të jetuar. Më pastaj, faktor për t’u organizuar, e gjitha me qëllim të përparimit, progresit, në të gjitha fushat, veçuar në ambicien e pashuar shqiptare për të dhënë gjithçka nga vetja, po për këtë LIRI në të cilën synojmë të jetojnë pasardhësit tanë.
Pikërisht nga kjo kërkesë sublime për LIRI, fillojnë gjithë përpjekjet shqiptare, historikisht të pastra, pasuar tradicionalisht me përcaktimin për të mos i bërë keq askujt. Një rast i shembullt, në kërkim të përjetimit të Lirisë është përpjekja e shqiptarëve të Kosovës. Kujtojmë sot, gjithë martirët e lirisë, me krenari të thellë që i përkasin historisë së popullit tim, që luftuan, për të sakrifikuar jetën-gjënë më të shtrenjtë për Liri.
Miq të nderuar, e kundërta e lirisë është okupimi, dhe në të kundërtën e kësaj lirie u vendosën nënçmimet, diferencimet, degradimet, e shtetit Serb mbi shqiptarët e Kosovës. Të
gjitha në kuriz të shqiptarit, kulmuar në fund me luftën e përgjakshme, gjenocid i cili rrallëherë ishte parë në historinë e njerëzimit përgjithësisht.
Pas përpjekjeve të shumta, diplomatike e politike, me qëllim të çlirimit paqësor të shqiptarëve nga okupimi, udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, Kosova u detyrua të hyjë në luftën çlirimtare, udhëhequr nga komandanti Legjender Adem Jashari dhe gjithë UÇK-ja që vunë jetën e tyre si çmim për lirinë e fëmijëve të tyre.
Në këtë rast bota kishte dy pozicione për të cilat duhej të deklarohej: të vihej në mbrojtje të Lirisë shqiptare, apo të arsyetonte okupimin tashmë të përgjakshëm serb.
Kështu pra, ishte veprim historik, në rradhë të parë njerëzor, pozicionimi i botës demokratike, duke veçuar këtu SHBA-të, për të ndihmuar popullin shqiptar të Kosovës, të çlirohej nga okupimi shumëvjeçar Serb, dhe të fitojë lirinë e dëshiruar.
Pas gjithë këtyrë përpjekjeve, Kosova nga 17 Shkurt 2008, u shpall shtet i pavarur dhe sovran. Një triumf i madh i lirisë, mesazh për gjithë botën se vetëm më urtësi, punë e mençuri mund të fitohet liria, e cila realisht gjendej e kultivuar historikisht në shpirtin dhe mendjen e gjithë shqiptarëve. Nuk mund të lihet pa përmendur, kontributi i Lobit shqiptar në Amerikë, një organizim i suksesshëm mendjesh të ndritura paqësore, pa të cilin nuk do festonim sot 7 vjetorin e pavarësisë.
Duke falenderuar, popullin mik amerikan, dhe gjithë vendet tjera të botës që nuk nguruan të njohin pavarësinë e Kosovës, bëj thirje te të gjithë vendet tjera që të njohin këtë shtet të ri, pra të njohin Lirinë dhe të dënojnë gjenocidin dhe okupimin.
Shtetit të Kosovës tashmë i mbetet të punojë sa më shumë, që shqiptarët të fitojnë dinjitetin dhe krenarinë për Pavarësinë për të cilën lufuan kaq shumë. Suksese dhe gëzuar.
Programin festiv e hapi këngëtarja sharmante Arbërie Hadërgjonaj me “Këngë për Ibrahim Rugovën” dhe “Marshi i UÇK-së”
Mbrëmja muzikore, vazhdoi për orë të tëra, ku të pranishmit, kënduan dhe vallëzuan së bashku në shoqërimin me muzikë të gjallë-live, me disponimin e tyre profesional me një varacion me muzikë të zgjedhur popullore, kryesisht nga Kosova, dhe trevat shqiptare nga këngëtarët Hajro Ceka, dhe Luka Hajdini.
“Mark Gjonaj, sjell në pushtet me elegancë dhe klas energjinë e Shqiptarëve!
Nga Klara BUDA/New York/
Paraqitja e buxhetit, “2015 Opportunity Agenda” të governatorit të New Yorkut Andrew M. Cuomo at the Bronx House, Bronx ishte një shëmbull se sa mund të fitojë një vend, një ethni kur ka përfaqsuesit e vetë, qoftë edhe një, në pushtetin qendror të shtetit në Amerikv, në këtë rast në New York.
Governor Andrew M. Cuomo paraqiti në 18 shkurt Agjednën e tij rajonale “2015 Opportunity Agenda” në « Bronx House » në Bronx ku ai ngriti problemet që ka në këtë borough të New Yorkut si dhe propozimet e tij për të ringjallur besimin publik në Qeverisje.
Ishte një projekt novator dhe i larmishëm që tregonte se sa thellë i ka hyrë Governatori Andrew M. Cuomo problemeve të vërteta që vuajnë zona të tilla që ende nuk e kanë zhvilluar gjithë kapacitetin e tyre. Si i biri i Governatorit të famshëm Mario Cuomo dhe pasues besnik i vlerave të tij, ai bëri një paraqitje të shkëlqyer të një plani novator për ç’rrënjosjen e problemeve më të forta sociale dhe të edukimit në Bronx. Po ndalem me kaq në këtë projekt të rrallë e novator që për herë të parë merr në konsideratë kaq thellë hallet e një borough si Bronx-i, pasi ky nuk është objekti i këtij shkrimi, desha të trajtoj një tjetër temë : atë të shqiptarëvë në Bronx dhe më gjerë në Amerikë dhe cfarë vlere të pazëvendësueshme ka prania e përfaqsuesve nga kominiteti në pushtetin lokal e qendror të një shteti, në këtë rast të New Yorkut. Ishte pra një rast i veçantë dhe sigurisht një nder i madh për distriktin e Bronxit që Guvernatori i New Yourkut Andrew M. Cuomo, të paraqesë agjendën e tij rajonale pikërisht në Bronx. Por sa i madh është efekti kur në këtë konferencë amerikano-amerikane, Kosova dhe pamvarësia e saj përmenden nga çdo folës!
Assemblymani shqiptaro amerikan Mark Gjonaj, nuk kishte qënë ndonjëherë më krenar, aq më tëpër se shqiptaro amerikanët kishin ardhur të shumtë në numër dhe nga të gjithaborough-t për ta mbështetur përfaqsuesin e tyre në instancën më të lartë legjislative të shtetit të New Yorkut. Prania e madhe e shqiptaro amerikaneve u duk nga ovacionet e fuqishme që e bënë sallën të ushtojë dhe treguan se Assemblymani shqiptaro amerikan kishte në Bronx, më shumë mbeshtetës se sa edhe vetë amerikanët e zgjedhur në këtë distrikt. Dhe kjo megjithëse takimi mbahej në në oren 10 të mëngjezit, që do të thotë se të gjithë këta shqiptare të New Yorky-ut kishin lënë punën për të mbështëtur përfaqsuesin e tyre. Duartrokitjet the thirrjet e mbështetësve ishin aq të forta sa që e bënë Mark Gjonaj ta fillojë fjalën e tij me një wooow habije, thellësisht i prekur e i emocionuar nga kjo mbështetje.
Diversiteti dhe emri Albanian, ishin në te gjitha diskutimet e kesaj paraqitje buxheti New Yorkeze…
Pa përjashtim të gjithë diskutantët që e morrën fjalën në këtë takim u uruan të pranishmëve 7 vjetorin e Pamvaresisë së Kosovës, të shënuar e kremtuar vetëm një ditë me parë.
A do të kishte ndodhur kjo nëse asambliman në këtë district nuk do të ishte një shqiptar?
President i Bronx, Ruben Diaz Juinior u uroi të pranishmëve, 7 vjetorin e Pamvaresisë së Kosovës. Ai duke nënvizuar faktin se diversiteti është një element i rëndësishëm në Bronx, permendi faktin se shembulli i gjallë i përfaqsimit të këtij diversiteti në qeverisje është vetë personi i Assemblyman shqiptaro amerikan Mark Gjonaj. Ai shënoi faktin se numri i shqiptarëve është rritur në mënyrë të ndjeshme në Bronx dhe Bronx është borrow ku shqiptaret jane faktor, dhe ata janë bërë më shumë faktor që kur njeri prej tyre është i pranishëm në vëndimmarrje. Eshtë e mençur dhe e mirë që shumë shqiptaë e kanë kuptuar se duhet ta mbështesin përfaqsuesin e parë të tyre në këtë instancë kaq të lartë shtetërore të Amerikës
Governor Andrew M. Cuomo uroi 7 vjetorin e Pamvaresise se Kosoves: “New Yorku është vendi ideal ku imigrantët vijnë dhe tentojnë ëndrën tyre me një energji të veçantë dhe është pikërisht një shqiptar që na e sjell këtë energji në Asamblenë e New Yorkut. Mark Gjonaj, sjell në pushtet energjinë e shqiptareve, si përfaqsuesi imigranteve, që janë shpirti i New Yorkut dhe e bën këtë me elegancë dhe klas.” Sigurisht këto janë komplimenta të rradhës që të zgjedhurit dinë të ua drejtojnë njëri tjetrit, por larg këtyre fjalëve të bukura, le të analizojmë dhe nënvizojmë faktin se prania shqiptare e nderoi Mark Gjonajn, por nga ana tjetër Mark Gjonaj duke bërë pjesë në këtë instancë shtetërore kaq të lart bën për njohjen e çështjes kombëtare Kosovare e Shqiptare më shumë se dhjetra manifestime të komunitetit së bashku, nuk dua aspak të nënvleftësoj manifestimet e komunitetit të cilat kanë vlerën e tyre dhe pa to nuk do të merrej vesh kurrë se sa një çështje e prek komunitetin. Kjo eshte arsyeja se pse shqiptaret duhet ta mbeshtesin Mark Gjonaj, por edhe duhet të inkurajojnë personalitete të sukseshëm të komunitetit si Richard Llukaj, Fadil Berisha apo Kim Biberaj etj., (per te permendur vetëm disa e ndërgjegjëshme se ende nuk e njoh mirë liderdshipin e komunitetit shqiptar), për të kandiduar në pushtetin lokal e qendror.
Si përfundim do të thoja se nga kjo ngjarje rrjedhin dy konkluzione:
Së pari se Mark Gjonaj duhet mbështetur pasi ai është për momentin shqiptaro amerikani zëri i të cilit dëgjohet më shpejt dhe në instancat më të larta të shtetit të New Yorkut. Mendoj se këshilltarët e afërt shqiptarë të Asambleman-it shqiptar, disa prej të cilëve nuk janë objektivë, duhet të kuptojnë përfundimisht se duhet të lënë mënjanë hollësitë e llojit: ma nxori foton time në gazetë, apo ma shkruajti emrin në artikull, sepse do të mbarojnë shpejt shqiptarët që vijnë vetëm njëherë. Duhet që ata të synojnë mbështetje më të gjerë e te ndergjegjesuar e cila është e mundur.
Së fundi, sekretarët apo këshilltarët e Gjonajt duhet të evidentojnë shqiptarët pjesëmarrës dhe fillojnë e të dëgjojnë për së mbari zërin e komunitetit që të kenë mbështetës koherentë dhe të përhershëm. Ka ardhur koha që disa antarë të ketij stafit të kalojë nga diletantizmi i tanishëm në profesionalizëm gjë që fillon nga sjellja e tyre si pjesë e lidershipit ku i ka ngritur Mark Gjonaj, duke mos i trajtuar njerzit sipas preferencave të tyre personale e pastaj të akuzojnë gezetarët profesioniste, se po flasin lart e posht. Sepse gazetarët profesionistë nuk flasin “posht e lart”, por flasin vetëm lart, që do të thotë freedom of press, shtyp i lire! Nuk e kam fjalë për ata gazetarë që në mënyrë demonstrative nuk vijnë në aktivitete të rëndësishme edhe kur këto janë për festa Kombëtare si 28 Nentori apo 17 Shkurti, dhe se e bëjnë këtë se nuk kanë marrë sa duhet rushfet, por për profesionistë dhe pjese te kominitetit që janë dekurajuar…
BRONX, February 18 2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 316
- 317
- 318
- 319
- 320
- …
- 394
- Next Page »