Në festimin përmbyllës organizuar nga ansambëlmeni Mark Gjonaj të Dielën me 30 nëntor në Maestros u ngrit Droni me Flamurin kuq e Zi dhe Flamurin Amerikan./
Nga Dalip Greca/
Ndeshja e përfolur e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, përveçse një tensioni dramatik në kohëndodhjen mes dy kombeve, na la pas dhe një imazh simbolik kombëtar, gati e kishim harruar pikërisht simbolikën e shpalljes së Flamurit Kuq e Zi në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Realisht në Vlorë nuk u shpall ajo që ne e quajmë jo rrallë “Shqipëria Londineze”, jo, në Vlorë u shpall Shqipëria natyrale përderisa përfaqësuesit ishin nga të gjithë trojet. Në atë akt simbolik të ngritjes së Flamurit ishte e përfaqësuar e gjithë Shqipëria përderisa të gjitha trojet etnike kishin aty përfaqësuesit e vet: Shqipëria, Kosova, shqiptarët e Malit të Zi, ata të Maqedonisë dhe Çamëria.Kjo pjesmarrje tregon se me 28 Nëntor u shpall e pavarur e gjithë Shqipëria, pavarësisht okupimit apo uzurpimit të bërë me dekrete apo symbyllje Evrope. Simbolika shprehej edhe me praninë e dy figurave qëndrore Shqipëri-Kosovë; Ismail bej Qemali dhe Isa Boletini. Pikërisht këtë simbolikë, të njësimit të Shqipërisë Natyrale-Harta në mes- e rrethuar nga të dy anët prej atit të Pavarësisë Ismail Bej Qemali dhe Isa Boletini, përcolli Droni -enigmë i ngritur në Beograd gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, ç’ka Beogradi e konceptoi dhe e interpretoi si simbol të “Shqipërisë së Madhe”.
Tash këtë simbolikë e gjejmë gjithëandej, në iamzhe televizivë, fotografikë, në veshje-bluza, në tatauazhe, në etiketa, por ja që u bë dhe simbolikë përkëtej Oqeanit në festa. Gazeta më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës “DIELLI” 105 vjeçar, zgjodhi si emblemë të festime në botimin e vet të 26 Nëntorit 2014, një botim me 108 Faqe, numër special kushtuar Pavarësisë, pikërisht simbolikën e atij imazhi që kishte Droni i ngritur mbi qiellin e Beogradit: Në një sfond të zi të faqes së parë, me hartën e Shqipërisë natyrale, e rrethuar anash nga portretet e Ismail bej Qemalit dhe Isa Boletinit. E punuar mjeshtrisht nga dizajneri prizrenas Hazer Hajrullaga, gazeta Dielli, ishte nga më të pëlqyerat në këtë edicion dhe më e kërkuar. Shumë porosi janë marrë për këtë edicion nga shqiptarët që nuk janë të abonuar si në Europë, Kanada e Australi.
***
…Por një befasi e këndshme ishte edhe momenti festiv i Ditës së Flamurit nga ansambleisti shqiptar në Ansamblenë e Shtëtit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, organizuar pasditen e së Dielës me 30 Nëntor në mjediset e restorantit Maestros.
Pas pjesës solemne të festimit, ku morën pjesë rreth 600 veta, të pranishmit po prisnin me padurim që të shfaqej enigma e paralajmëruar, por kurrësesi nuk ua rrokte mendja se ishte fjala për një Dron. Pas perdes së kuqe që ndante sallën nga vendi ku qëndronte i fshehur droni, nuk dukej asgjë, por pas 3-4 minutash, një zukatje e lehtë, heqja e perdes, dhe u shfaq Droni “magjik” ku në mënyrë horizontale ishin instaluar dy flamuj të vegjël, Flamuri Amerikan dhe ai Shqiptar. Pjesmarrësit e shumtë, shqiptarë dhe amerikanë brohorisnin dhe lëshonin thirrje entuziaste. Pasi e përshkoi të gjithë sipërfaqen gjatësore të Maestros, duke fluturuar në gjysëm lartësinë e sallës, droni u ul, duke krijuar një atmosferë kënaqësie. Një lojë e bukur dhe shumë e duartrokitur. Simbolikë e gjetur.
Po cila ishte kronika e këtij takimi festiv organizuar nga amerikano-shqiptari më i suksesshëm në politikën amerikane, Mark Gjonaj?
Ashtu siç ishte njoftuar nga rrjetet sociale si dhe media lokale, përfshi dhe TV 12 në Bronx, në orën 2 të pasmesditës restoranti Maestros nisi të mbushej me shqiptarë dhe amerikanë. Salla ishte e mbushur me simbolet tona kombëtare dhe flamuj amerikanë. E konceptuar si veprimtari festive, ku gërshetohej oratoria e folësve me shfaqjen artistike, në restorant u servirën edhe ushqime të bollshme dhe pije.
Për katër orë e gjysëm shqiptarët dhe amerikanët festuan së bashku dhe ndoqën fjalimet dhe programet artistike.
Festën e ka hapë e reja Iliriana Zeneli, e cila ka përshëndetur në shqip dhe anglisht:Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar!
Happy Albanian Flag Day!
Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë janë përcjellë me solemnitet.
Dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” ka bekuar festën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Dom Popaj evokoi qëndresën dhe luftrat për liri të kombit shqiptar, që në kohën e Gjergj Kastriotit, që udhëhoqi luftën kundër Perandorisë Otomane; më pas përmendi luftën e malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve, luftë që u finalizua me ringritjen e Flamurit në Vlorë me 28 nëntor 1912. Famullitari Popaj falenderoi Amerikën për ndihmën e madhe që i ka dhënë Kombit shqiptar. Në qendër të fjalës së tij ishte dhe Nënë Tereza, si dhe vizita historike e Papa Françeskut më 21 shtator 2014 në Shqipëri.
Ansambleisti Mark Gjona e ka ngritur sallën në këmbë me fjalimin e tij, ku evokoi trimëritë dhe kontributet shqiptare përgjatë historisë. Jashtë vëmendjes së tij nuk u lanë marrdhëniet e hershme të shqiptarëve me Amerikën, vlerësimin amerikan për heronjët dhe kulturën e historinë shqiptare; ai përmendi edhe poemën e Gjergj Kastriotin të shkruar nga amerikani i madh i letrave, Longfellow, ndihmën e madhe që dha presidenti amerikan Wilson në mbrojtjen e pavrësisë së Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore-në konferencën e Paqes në Paris, apo presidenti Klinton gjatë luftës në Kosovë.
Në veprimatrinë festive kanë përshëndetur edhe Jeffrey Klein-senator i shtetit të Nju Jorkut, përfaqësues për Bronxin dhe Westchester Counties, Michael Benedetto, ansambëlmen i Distrikit 82 në Bronx, si dhe nga Unioni 32BJ SEIU, BJCC: Komunitetit Këshilli i hebre në Bronx etj.
Në përshëndetjen e tij ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha, nuk i ka kursyer komplimentet dhe vleresimet e larta për ansambleistin e shtetit të Nju Jorkut, shqiptarin e lindur në SHBA, Mark Gjonaj, tek e ka quajtur kampion, heroi, inspirus për shqiptarët. Ai ka falenderuar dhe amerikanët pjesmarrës ne kete feste madheshtore. Pas tij, Konsullja e përgjithshme e Kosovës, Vlora Çitaku ka uruar festën dhe ka përgëzuar z. Gjonaj.Ajo tha se 28 nëntori nuk ëshët vetëm i Gjegj Kastriotit Skënderbeu e Ismail Qemalit, por edhe Adem Jasharit! Po ashtu, diplomatja e Kosovës, ka falenderuar pjesmarrësit e shumtë, të cilëve u ka thënë: Edhe pse ju ndanë një Oqean me vendlindjen, ju vazhdoni ta doni, ta respektoni, t’i ruani zakonet e kombit tonë!
Më pas koncerti artistik i përgatitur nga fëmijët dhe drejtuesit e tyre kanë argëtuar pjesmarrësit. Fëmijët e Stamfordit-CT, të drejtuar nga Mhill Velaj,si dhe ata të Shkollave shqipe në Bronx dhe Shkollën Alba Life në Brooklyn dhe Staten Island, dhe Paterson, New Jersey, të veshur me kostume kombëtare nga vise të ndryshme të trojeve shqiptare, kanë kënduar e kanë kërcyer në ritmet e valleve janë përshfirë dhe të rriturit.
Meda, Arberie Hatergjonaj dhe kengetare te tjere kane performuar ne kete festim masiv.
Ishte një festim përmbyllës ky i shqiptarëve në Amerikë për 102 Vjetorin e Pavrësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit Kuq e Zi!
Në këtë festë ishin dhe shumë vatranë dhe familjet e tyre.
Faleminderit Mark Gjonaj!
(Fotografite i gjeni ne adresen tim ne facebook)
Carrie Hooper:SHQIPTARE- GEZUAR 28 NENTORIN!
HAPPY ALBANIAN FLAG!/
HAPPY ALBANIAN INDEPENDENCE DAY!/
I dashur Dalip;
Editor i DIELLIT!/
Përshëndetje! Desha t’i uroja të gjithë shqiptarët kudo në botë për Ditën e Flamurit. Në këtë ditë të madhërishëm t’i kujtojmë atdhetarët tanë që me gjak dhe djersë flijuan vetveten për lirinë e kombit shqiptar dhe për daljen nga robëria pesëshekullore të vendit e shqiponjave. T’i lartësojmë margaritarët e historisë shqiptare si motrat Qiriazi, Dora d’Istrias, Edith Durham, Gjerjj Fishtën, dhe mijëra dritë të tjera që shkëlqenin me praninë e tyre. Ta kujtojmë heroin tonë më të madh Gjerjj Kastrioti-Skënderbeun! T’i kujtojmë me mirënjohje kontributet e shqiptarëve në mërgim dhe punën e palodhur të shoqatave shqiptare si Vatra dhe të lidhjeve të tjera të shkrimtarëve dhe të artistëve. T’i festojmë virtytet shqiptare si mikpritje, trimëri, tolerancën fetare, dhe dashurinë për lirinë. Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Carrie Hooper
Ermira/ New York
URIM PER 28 NENTORIN NGA BOSTONI
Komiteti i Veteranëve ushtarakë Shqiptaro-Amerikanë me qëndër në Boston uron shqiptarët kudo që janë, gëzuar 102 vjetorin e pavarësisë/
Në ditën e mrekullueshme të 102 vjetorit të pavarësisë, 28 nëntor 2014, Komiteti i veteranëve ushtarakë shqiptaro-amerikanë organizon ngritjen e flamurit tonë kombëtar në sheshin Boston. Me këtë rast Komiteti uron të gjithë shqiptarët kudo që janë shëndet, gëzim e lumturi në familjet e tyre! Gjithashtu komiteti vlerëson përpjekjet shekullore të popullit tonë për paqe, zhvillim e prosperitet në bashkëpunim me aleatin më të madh, SHBA dhe shtetet e tjera pjesmarrëse në strukturat Euro-Atlantike.
Urimet më të mira
Për Komitetin e veteranëve ushtarakë Shqiptaro-Amerikanë
Kryetari
Ronald Nasson
Boston
28 nëntor 2014
Anamalasit u mblodhën si Shiponjë rreth Flamurit Kombëtar
Nga Keze Kozeta Zylo/
Në mjediset lluksoze të Hotelit “Hilton” në Staten Island, New York shoqata e mirënjohur shqiptaro-amerikane “Ana e Malit” organizoi 102 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Ditës së shenjtë të Flamurit.
Qindra shqiptarë me vajzat si Zana dhe djemte si azgan së bashku me prindërit e tyre vinin grupe-grupe kuq e zi për të festuar 102 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në një atmosferë krejtësisht festive dëgjohej Gjuha e bukur Shqipe në fjalët e mirëseardhjes nga organizatorët e shkëlqyer me kryetar Ismet Kurtin, n/kryetar Xheladin Zenelin dhe Fatmir Kallaba si dhe bordin drejtues. Programin e ka hapur znj.Leonarda Gjoni në fjalën e të cilës plot kulturë ndihej shpirti i zjarrtë i patriotizmit, dashuria për gjuhën Shqipe dhe vendin e të pareve të saj.
Moderatori i programit ishte Flamur Anamali, emri dhe mbiemri i të cilit është binom i simbolit të shenjtë të shqiptarëve, që në syte e mi dukej dhe Flamur dhe Anamalas si krah shqiponje në Flamur. Me zë burrëror dhe me një shqipe të bukur ai ftoi të gjithë të pranishmit për të kënduar dy Hymnet kombëtare, shqiptare dhe amerikane. Hymnet janë interpretuar nga nxënësja e shkëlqyer e shkollës Shqipe “Alba Life”, nga artistja e vogël që premton shumë në të ardhmen Kristina Melo. Pas hymneve kombëtare u mbajt një minutë heshtje në shenjë nderimi dhe respekti për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për Lirinë e Atdheut.
Znj.Leonarda Gjoni ka prezantuar para publikut filantropistin dhe bankierin nga më të suksesshmit amerikan shqiptarin Richard Lukaj “Nderi i Kombit” duke thënë se ai është një superstar. Ai pasi i ka uruar pjesëmarrësit për Festën e Flamurit tha se kam kënaqësi që ndodhem midis bashkatdhetarëve të mi Anamalas dhe i falënderoj për një punë të palodhur që po kryejnë në shërbim të Kombit. Ne duhet ta mbështesim shoqatën Ana e Malit për misionin e saj fisnik, të bashkuar përballë integrimit. Shoqata “Ana e Malit” me seriozitetin e duhur ka ditur të përballojë sfidat përpara dhe të jetë pjesë e përfaqësimit të denjë shqiptar dhe patriotik në rrugë demokratike. Ajo mbron interesat kombëtare dhe ky do të jete dhe në të ardhmen shërbimi më i madh që i bëhet Kombit.
Fjalimi i Z.Lukaj ishte mbresëlënës, plot dashuri për Kombin, Flamurin dhe vizion të qartë për Diasporën dhe të ardhmen e Mëmëdheut tonë.
Në skenë ka dalë përsëri Kristina Melo e cila ka përshëndetur të pranishmit në emër të gjithë mësueseve, prindërve dhe nxënësve të Shkollës Shqipe Alba Life me këngën “Gjuha Shqipe” që është dhe himn i shkollës. Interpretimi i saj dhe bukuria melodioze e këngës nën drejtimin e prof.Petrika Melos ka bërë që të mirëpritet me duartrokitje në këtë ditë të shenjtë.
Në këtë mbrëmje përshëndeti Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në New York, Vlora Çitaku e cila ishte dhe folësja kryesore. Znj. Çitaku iu ka uruar gjithë pjesëmarrësve: Gëzuar festën e Flamurit, Gëzuar 102 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ambasada e Kosovës është dhe shtëpia juaj ngase ne jemi vëllezër dhe motra që flasim një gjuhë, kemi të njëjtat doke dhe zakone, prandaj jeni më se të mirëpritur. Gjithë Kosova është shumë mirënjohëse për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në Pavarësinë e Kosovës. Znj. Çitaku solli dhe një detaj të bukur për emrin e saj shumë domethënës, Vlora, emër të pagëzuar nga gjyshi i saj i cili ishte pjesëmarrës në ditën e Pavarësisë në Vlorë.
Ambasadori Ferit Hoxha, përfaqësues i përhershëm i Republikës së Shqipërisë ka përshëndetur të gjithë të pranishmit në emër të shtetit shqiptar dhe iu ka uruar atyre: Gëzuar Festën e Flamurit! Ambasadori Hoxha foli me krenari për arritjet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Me duartrokitje është mirëpritur Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut, shqiptari i parë që është ulur në karrigen e Senatit të Nju Jorkut, z.Mark Gjonaj, i cili pasi uroi pjesëmarrësit për 102 Vjetorin e Pavarësisë tha se bekuar qofshin prindërit që marrin me vehte në këto ditë festash kombëtare dhe fëmijet e tyre. Me këtë veprim ata transmetojnë tek brezat traditat dhe vlerat e mrekullueshme të Kombit shqiptar. Z.Mark Gjonaj me prindër me origjinë nga Ulqini i cili ndihej si në shtëpinë e tij në këtë festë, por në fakt ai kudo që vete e ka vendin në krye të qoshesë, ngase ai është i të gjithë shqiptarëve dhe i ka lënë vend vehtes për punën e palodhur, i kudogjendur dhe përkushtimin qe ka karshi bashkatdhetarëve dhe Kombit.
Në emër të komunës së Ulqinit ka përshëndetur z.Fatmir Gjeka njëherazi dhe kryetar i Komunës së Ulqinit. Z.Gjeka sillte nga larg bukën e Ulqinit, bukën e Mëmëdheut për ta ndarë së bashku në këtë pervjetor të Pavarësisë. Z.Gjeka tha se Diaspora është një urë lidhëse midis Amerikës dhe Atdheut dhe për këtë ju jemi shumë mirënjohës për gjithcka që ju keni bërë dhe vazhdoni me këmbëngulje dhe dashuri të ecni në gjurmët e të parëve tuaj. Ne ju jemi mirënjohes për kontributin tuaj dhe ju falënderojmë në emër të gjithë Komunës së Ulqinit duke premtuar se do të vazhdojmë lidhjet tona të ngushta për çështjen kombëtare foli plot krenari vazhdoi z.Gjeka.
Të njëjtën gjë do bëja dhe unë si amerikan për të mbrojtur Flamurin tim
Me mjaft interes është pritur fjalimi i Kongresistit republikan amerikan z.Michael Grimm i zgjedhur për të tretën herë në Kongresin Amerikan. Me një fjalim të shkurtër dhe thënë gjithçka pasi i uroi gjithë pjesëmarrësit ai falënderoi gjithë shqiptarët kudo që janë për mbështetjen maksimale që i kanë dhënë në rizgjedhjen e tij në Kongresin Amerikan dhe për dashurinë që keni për Amerikën. Përballë meje vazhdoi Kongresisti Grimm ndodhet Droni me Flamurin Kuq e Zi, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin që u lëshua nga ajri në stadiumin e sportit në Serbi. Sportistët shqiptarë e mbrojtën me gjoks dhe zemër Flamurin Shqiptar, Flamurin e tyre, të njejten gjë do të bëja dhe unë dhe çdo amerikan për Flamurin e tyre. Fjalimi i tij u ndërpre me duartrokitje ku në sytë e pjesëmarrësve shprehej respekti për z.Grimm i cili merr pjesë vazhdimisht në aktivitetet e shqiptarëve dhe i mbështet ata kudo.
Në këtë mbrëmje nderonin përfaqsues të organizatës “Rrënjët” me president z.Marko Kepi, nga shoqata Dibra me kryetar z.Musa Pacuku. Gjithashtu kishte dhe përfaqsues nga Fondacioni Plavë e Guci me kryetar Esad Gjonbalaj, njëherazi dhe koordinator i shoqatave në SHBA, i cili në broshurën që ishte shpërndarë rreth aktivitetit të shoqatës “Ana e Malit” si dhe dhurimet që ishin bërë nga afaristë, kompani dhe biznesmenë të ndryshëm, në tekstin e përshëndetjes thuhej se: Shoqatat tona me veprimtari në SHBA me origjinë nga trojet tona etnike nen Malin e Zi, kanë më shumë se një vit që bashkëpunojnë me pikësynim unifikimin e veprimtarive në një zë të vetëm në aspektin Kombëtar.
Sot në trupin koordinues të shoqatave bashkëpunuese kemi 9 shoqata. Ne shpresojmë dhe besojmë në unifikimin e tërësishëm të Diasporës Shqiptare në SHBA në një zë të vetëm, zë që do të jetë ma i fortë më i fuqishem në sherbim të interesave nacionale shqiptare në tërësi.
Në fund të përshëndetjeve të ndryshme e ka marrë fjalën i zoti i shtëpisë kryetari i shoqatës “Ana e Malit” z.Ismet Kurti i cili me një shqipe të bukur dhe fjalë mirësjelljeje ndër të tjera tha se: Kam nderin që në emër të të gjithë komunitetit Anamlas , kryesisë dhe bordit të shoqatës të falënderoj për pjesëmarrje të gjithë mysafirët e mbrëmjes të cilët me prezencën e tyre e rritën madhështinë e mbrëmjes sonë.
Prandaj në këtë ditë të shenjtë, unë bashkë me ju dhe të gjithë shqiptarët anë e mbanë botes, duhet së pari të shprehim nderimet dhe mirënjohjen më të lartë përpara veprës së dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për të na mundësuar të gëzojmë Lirinë që kemi sot. Historikisht, Kombi ynë dhimbjen gjithmonë e ktheu në forcë. Duke marrë parasysh antagonizmat dhe përçarjet e tanishme politike, si në Shqipëri, në Kosovë, por edhe në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, dëshmorët janë ata që duhet të na bashkojnë të gjithëve pasi ata luftuan për një ideal të shenjtë, megjithëse ato vinin nga të gjitha krahinat dhe u përkisnin rrymave të ndryshme politike. Qëllimi i vetëm dhe i përbashkët i tyre ishte: të krijojnë një Atdhe të denjë dhe të pavarur për shqiptarët. Pavarësia është fituar me luftë kur ishte nevoja, ndërsa sot dashuria për Atdhenë dhe për Pavarësi, do të duhej të tregohej me punë e vepra. Sot, kombi shqiptar ka nevojë për vizionarë, politikanë dhe aktivistë që me punë përpiqen të çojnë në vend amanetet e të parëve dhe të shpërblejnë gjakun e derdhur të dëshmorëve për Lirinë dhe Pavarësinë e kombit shqiptar. Mysafirë të nderuar, më lejoni ta mbyll duke ju thënë se shumë sfida të mëdha ende ngelen para nesh dhe ne të gjithë së bashku duhet të jemi të përgatitur për të bërë përpjekjet dhe sakrificat e duhura për t’i kaluar ato. Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Kombin shqiptar!
Pas përshëndetjeve znj. Naile Tahir Taipi me veshje të bukur të krahinave ka prezantuar grupin artistik “Tradita”. Në sallë kanë hyrë vajzat me kostumet e bukura tradicionale me ngjyra marramendëse dhe burrat me kostumet burrërore të grupit artistik “Tradita” me president Selaudin Gjeloshi të cilët kishin ardhur nga Ulqini me ftesë të Anamalsve të Amerikës për të festuar së bashku Ditën e Flamurit. Pamja e tyre magjike, vallëzimet profesioniste ndezën sallën me duartrokitje të cilët shkrepnin aparatet, filmonin dhe valëvisnin flamujt kuq e zi. Vajza e talentuar nga Shkodra Egzona Salaj me zërin e saj melodioz shoqëronte grupin “Tradita” duke interpretuar aq bukur dhe me pasion këngën:
Ty Flamur të duam shum’/ Ti për ne je nën’ e bab’/ Për ty gjakun derdhim lum’/ O Flamur i kuq me shkab.
Me duartrokitje kanë dalë në skenë artistët e mirënjohur të komunitetit Shaban Lajci si Ismail Qemali, Tom Gjergji si Isa Boletini dhe aktori Agim Rugova të cilët me një tekst mjaft të përzgjedhur interpretuan mjeshtërisht përballë pamjes së Dronit që kishte Flamurin, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin. Mbrëmjes nuk i mungoi dhe humori i hollë shkodran interpretuar nga Bujar dhe Besnik Cinari.
Mbrëmja madhështore u mbyll nën tigujt e Valles së Shqipeve e cila ishte një shfaqje e mrekullueshme dhe arriti kulmin me valëvitjen e Flamurit nga një valltar i cili e çoi në majë, që dukej sikur shpoi tavanin dhe doli në kupë të qiellit për Bashkimin e Kombit. Ndërsa valltari valëviste Flamurin, publiku thoshte me brohorima: Prapë, prapë, me një fjalë të përsëritej Vallja e Shqipeve dhe ashtu u bë. Gjithë salla u çua në këmbë duke mbajtur Flamurin ndër duar, Flamur që pothuajse mbulonte pistën e sallës komplet.
Pjesëmarrësit kaluan një natë të mrekullueshme, të paharruar, të cilët u argëtuan nën tingujt e muzikës DJ Sam, nën orkestracionin e Tom Lleshaj me këngëtarë Shkëlzen Jetishi, Suad Shaptafi nga grupi “Tradita” dhe Valdet Luka.
Anamalasit u mblodhën atë natë si shqiponjë rreth Flamurit Kombëtar.
25 Nëntor, 2014
Staten Island, New York
Qyteti i Nju Jorkut stoliset me flamuj kuq e zi me rastin e Ditës së Flamurit
Më shumë se 800 flamujt që mbajn shqiponjën e zezë me dy koka në një sfond të kuq janë janë vendosur qysh dje në disa nga rrugët kryesore në zemër të qytetit të Staten Island dhe Bronxit- Nju Jork. /
Nga Beqir SINA – New York/
BRONX – STATEN ISLAND NYC – Lagjia më e madhe e shqiptarëve të Nju Jorkut, Bronxi, për të pestën herë dhe për herë të parë edhe ishulli i Staen Island ku mendohet se jetojnë afro 30 mijë shqiptarë, është përfshirë këto ditë nga atmosfera e festave të nëntorit, teksa i gjithë qyteti është zbukuruar e hijeshuar, i mbushur përplotë nga ngjyrat kuq e zi të flamurit tonë kombëtar.
Zbukurimet e “kryeqytetit” të ri të Shqiptarëve të Amerikës, Nju Jorkut, janë bërë në të gjithë shtëpitë klubet, e lokalet e shqiptarëve, në disa prej rrugeve më të frekuentuara nga shqiptarët si në Bronx, Bruklin, Staten Island, Kuins, e Longa Island.
Mirëpo ajo që të bie në sy menjëherë sa hynë në zemër të qytetit natyrisht që për të 5-tin vit me rradhë janë dy anët e rrugët e hijeshuar këto ditë me flamurin kuqë e zi, në segmenti e rrugës që mbanë emrin Nëna Tereses ” Lydig Avenue dhe Hollanda Avenue,” Avenyja e famshme “Arthur Avenue”, si edhe anët e rrugëve që kanë shumë biznese e dyqane shqiptare, si në “Morris Park”, “Huge Avenue”, “187 Street”, “William Bridge”, “Pelham Park”,etj.
Këto rrugë dhe disa të tjera në ishullin Staten Island gjithë këtë javë, janë lajmëtarët e festës së pavarësisë, teksa janë të stolisure me flamurin kuq e zi. Ndërkohë, që edhe kompani argëtimi, shoqatat e arganizatat e komunitetit kanë ditë që kanë nisur përgatitjet për mbrëmjet festive, dhe kan paraljmëruar koncerte me këngëtar edhe nga Kosova, Shqipëria dhe trevat e tjera shqiptare
Dy qytet më të mëdha me popullsi shqiptare në Nju Jork ishulli i Staten Island dhe Bronxi janë mbuluar këto ditë në vigjilje të 28 Nëntorit Ditës së Flamurit – Shpalljesë Pavarësisë së Shqipërisë me flamuj kuq e zi, dhe përkrah tyre në shenjë falënderimi ndaj SHBA-së për terë kontributin e saj që ka dhanë dhe që vazhdon të jap për Kosovën e çështjen shqiptare me flamuj amerikan.
Vendosja e flamujve është bërë i mundëshëme nga inisiativa Mark Gjonaj – i cili është dhe sponsorizuesi kryesorë me kontributin financiar edhe atë të veprimtarëve të tjerë të komunitetit si : Harry Bajraktari , Ben Çelaj, Beqir Kuka, dhe të rinjëve dhe të rejave nga Rrënjët Shqiptare (Marko Kepi president) dhe nga bordet e komuniteteve dhe disa anëtarëve të Këshillit të Qytetit.
Mark Gjonaj-Zëri Shqiptar në Asamblenë e Shtetit te New Yorkut, gjithmonë veprues për komunitetin tonë për dy vjet skuq sheshet dhe rrugët e Bronxit me Flamujt kuq e zi me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë
Me këtë rast krenaria shqiptare – flamuri kuq e zi mund të shihet, këto ditë vigjilje duke u valivitur krah atij amerikan – lart mbi shtyllat e ndriçmit në rrugët e qyteti të Bronxit dhe ishulllit të Staten Island në nder të 102 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit 1912.
Këtë vit më shumë se 800 flamujt që mbajn shqiponjën e zezë me dy koka në një sfond të kuq janë janë vendosur qysh dje në disa nga rrugët kryesore në zemër të qytetit të Staten Island dhe Bronxit- Nju Jork.
“Kjo i jep bashkësisë shqiptare, këto ditë feste edhe një ndjenjë tjetër të krenarisë sonë kombëtare, kur këto ditë në prag të festës së madhe Ditës së Flamurit, kemi për të parë këto flamuj kuq e zi – duke u valëvitur, përkrah flamurit amerikan si një faleminderim për atë çkan bërë për ne Shtetet e Bashkuara”, thotë Mark Gjonaj – i cili shtonë “Se kjo është diçka që së bashku po e bëjmë për herë të pestë çdo nëntorë në Nju Jork.”
Mark Gjonaj, ose siç njihet ndryshe edhe si asamblesiti i parë shqiptarë në historinë e emigracionit shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, – i cili në fund të javës do të organizojë me shpenzimet e tij një festim darkë, e hapur për publikun e gjerë, në Nju Jork, darkë, e cila do të mbahet në Caterers Maestro-së në Bronx – Nju Jork, thotë se :”Ne jemi të inkurajuar të gjithë për të marrë pjesë këto ditë në shumë aktivitete të komunitetit shqiptarë në nderim të ditës së flamurit kuq e zi” dhe shtonë se “shqiptaro amerikanët dhe jo-shqiptarët pra komunitetet e tjera, gjithashtu, janë ftuar të marrin pjesë në ditën e kremtimit të pavarësisë tonë, për të festuar së bashku idealet tona të përbashkëta – të lirisë dhe të demokracisë.”
Sipas Gjonaj, jo zyrtarisht në zonën e Tri-Shtetshit, mendohet se janë mbi 250.000 shqiptarë dhe afërsisht 100,000 jetojnë në lagjet Bronx, Kuins, Bruklin dhe Staten Island në Nju Jork. Është e rëndësishme për shqiptarët që të vazhdojnë për të festuar kulturën e tyre dhe trashëgiminë,” ka deklaruar Gjonaj .
- « Previous Page
- 1
- …
- 326
- 327
- 328
- 329
- 330
- …
- 394
- Next Page »