• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një komb, një festë dhe një urim për të gjithë shqiptarët

November 28, 2021 by s p

Gani Qarri/

Gëzuar 28 Nëntori! Flamuri Kuq e Zi, në të gjitha kohët ishte dhe do të mbetet përjetësisht, frymëzim shpirtëror dhe patriotik i të gjithë shqiptarëve atdhetar, kudo ndodhen e jetojnë ata, në trojet e tyre etnike dhe diasporë. Simbol i shenjtë i bashkimit kombëtar, i cili gjithmonë ishte në shërbim të lirisë dhe çlirimit të atdheut tonë të ndarë padrejtësisht. Frymëzim dhe identifikim për të gjithë shqiptarët i cili edhe në momentet më të vështira, qëndroi kurdoherë në ballë të çdo nisme patriotike, që nga fillimi i luftës për liri e deri te shpallja e Shqipërisë të lirë, Pavarësinë e së cilës e vulosi po ky Flamuri i shenjtë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut! Por me gjithë përpjekjet e pareshtura shekullore dhe gjakun e derdhur për çlirimin e trojeve tona edhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe çlirimit të Kosovës, duhet ditur dhe pasur parasysh secili prej nesh, se nuk u arrit të përmbushën të gjitha aspiratat e popullit të shumëvuajtur shqiptar për të cilat ai u sakrifikua dhe bëri luftë e përpjekje çlirimtare ndër shekuj,deri në vitet që po jetojmë. Kështu që edhe ëndrra e tij e shenjtë, për unifikim të tokave tona etnike dhe bashkim kombëtar, deri më sot ende nuk u bë realitet, ndaj duhen përpjekje të reja për të mos lejuar asimilimin e shqiptarëve të robëruar dhe për të shpëtuar përfundimisht, shpërfytyrimin e vazhdueshëm kombëtar të pjesëve të pa çliruara të trojeve tona. Siç dihet tanimë nga të gjithë ne, megjithëse më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria do të shpallte Pavarësinë kombëtare të të gjitha trojeve tona etnike dhe kërkonte njohjen e shtetit të sapo-shpallur shqiptar si dhe tërheqjen e ushtrive pushtuese të shteteve fqinje, të cilat kishin zaptuar pothuajse të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër anët e Shqipërisë, nuk ndodhi ajo që do duhej dhe do të ishte e drejtë për shqiptarët.Madje të përballura me luftërat e brendshme dhe mos unitetin tipik të faktorit shqiptar, Fuqitë e Mëdha, për rreth një vit, përkundër të gjithave sa ndodhnin me tokat tona, gati sa heshtën fare. Për aq më keq, vazhdimi i një gjendje të tillë kaotike dhe kulmimit të zënkave ndërshqiptare edhe brenda Shqipërisë së cunguar, bëri që pas një viti, po ato fuqi, të mos i shpërblenin shqiptarët, por agresorët me më tepër se gjysmën e trojeve tona etnike, të cilat ishin pushtuar që më parë, duke pranuar më pak se gjysmën e tyre, për një shtet (të gjymtuar) shqiptar, sipas vizatimit famoz, nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha vendimmarrëse më 1913, në Konferencën e Londrës. Ndaj ne edhe sot, të gjithë jemi dëshmitar se edhe shpallja e Pavarësisë nga shqiptarët, pa ndihmën e miqve të mëdhenj e besnik nga jashtë, siç u dëshmua disa herë gjatë luftërave tona për liri, deri te pavarësimi i Kosovës, për ne si popull do të mbetej vetëm histori. Kështu që i shqetësuar pa masë me rrezikun që i kanosej edhe vet ekzistencës së Shqipërisë londineze, vetëm pak vite pas shpalljes së pavarësisë, në qershor të vitit 1919, në prag të mbajtjes së Konferencës së Versajës, në emër të shqiptarëve prijësi dhe organizatori i kryengritjes së përgjithshme kombëtare, për çlirimin e Shqipërisë etnike, Hasan Prishtina do ti dërgonte një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Woodrow Winston, për mbrojtjen e Shtetit të ri Shqiptar, i cili rrezikohej më shumë se kurrë, me shuarje të plotë nga Serbia, Greqia dhe Italia e cila tanimë edhe kishte pushtuar Vlorën. I entuziazmuar nga kontributi i pareshtur kombëtar i Hasan Prishtinës në mbrojtjen e Shqipërisë, atdhetari i mirënjohur Sotir Kolea në gazetën dyjavore shqiptare,”L`Albanie”, e cila atëbotë dilte në gjuhën frënge në Lozanë të Zvicrës, do të shkruante: “Populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik se sa grupi i atdhetarëve të mëdhenj të udhëhequr nga Hasan Bej Prishtina”.Ndaj presidentit amerikan Winston Woodrow, pas përsëritjes së thirrjeve nga patriotët shqiptar, drejtuar ati si president dhe Qeverisë Amerikane, në konferencën e Versajës më 1919, parandaloi copëtimin e tërësishëm dhe fshirjen nga faqja e dheut, të shtetit shqiptar, kohë kur tentohej shuarja edhe e asaj pak Shqipërie që vetëm juridikisht, ende ekzistonte në kufijtë e vizatuar sipas versionit të Konferencës së Londrës. Fan Noli i madh, i frymëzuar nga përpjekjet e paepura të mërgimtarëve atdhetar në SHBA, për mbrojtjen e Shqipërisë, do të shkruante vargjet famoze të mbetura testament në histori, të cilat edhe sot e kësaj dite këndohen me shumë ëndje nga shqiptarët: “Mbahu Nëno mos ke frikë Se ke djemtë në Amerikë!”. SHBA më 1999, ndihmoi edhe Dardaninë dhe shpëtoi popullin e saj shqiptar nga asgjësimi që i kishte përgatitur regjimi okupator e gjenocidial serb dhe në krye të NATO-s, me sulmet 78 ditëshe-ajrore nga 24 marsi i atij viti, gjunjëzoi Serbinë shoviniste dhe detyroj tërheqjen përgjithmonë të saj si okupatore klasike nga Kosova. Të gjitha këto fakte dhe shumë argumente tjera, nga kronologjia e trishtë e kohëve të kaluara, na bindin se festa jonë kombëtare, 28 Nëntori, përveç si festë gjithëshqiptare, është edhe një ditë krenarie dhe rast i përzgjedhur historik, për nderim e mirënjohjeje të veçanta ndaj mikes tonë më të madhe që kemi në botë- SHBA-ve, duke filluar me falënderimet më të mira për Presidentin Winston Woodrow, i cili shpëtoi Shqipërinë nga shuarja e planifikuar, më 1919 në Konferencën e Versajës, për të vijuar me Presidentët Bill Klinton që çliroi Kosovën nga okupimi serb, si dhe Gjorgj Bush-in e “ri”, i cili nga vizita në Shqipëri, garantoi kurorëzimin e pavarësisë së Kosovës. Pra ashtu siç u shpëtua Shqipëria, edhe Kosova vet, mëvetësinë do ta arrinte vetëm falë SHBA-ve, pak kohë pas deklarimit të Presidentit George W. Bush, me rastin e vizitës së tij më 10 qershor të vitit 2007,në Shqipëri, i cili para shqiptarëve dhe mbarë opinionit ndërkombëtar tha publikisht, se mjaft është mjaft dhe Kosova do të jetë shtet i pavarur! Prandaj 28 Nëntori, ashtu siç është një festë gëzimi për ne, është edhe një ditë e shënuar falënderimi me respekt dhe pietet të pafund, për miken më të madhe të popullit shqiptar SHBA-të, si dhe një datë kujtimi për të gjithë të rënët dhe ata që nga viti 1878 e këtej, u përpoqën e luftuan pareshtur për lirinë e atdheut, bashkimin kombëtar dhe jetën me dinjitet të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, në atdhe dhe botën mbarë. Edhe me rastin e këtij 28 Nëntori, ashtu si në çdo përvjetorë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Etnike, me kënaqësi dhe gëzim të veçantë, shpreh urimet e mia më të mira dhe më të përzemërta, për të gjithë shqiptarët në atdhe, në diasporë dhe kudo gjenden e jetojnë ata. Gëzuar kombi im, Datën historike të ngritjes së Flamurit të Skënderbeut dhe Ditën e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, duke uruar nga zemra, që sa më parë të realizohet liria e bashkimi i të gjitha trojeve tona etnike dhe përfundimisht të jetësohet Shqipëria Natyrale, ku përjetësisht do të festonin shqiptarët e bashkuar! Ndërsa për të gjitha ato që as ne, si pjesëtarët e këtij brezi, të konsideruar me fat, nuk kemi mundur ti arrijmë, mbetet borxh i brezave të tashëm dhe atyre që do vinë, se rruga e nisur atëherë, duhet quar deri në fund, duke mos ndaluar përpjekjet deri në realizimin e plotë të idealit të rilindësve tanë, për bashkimin e të gjithë trojeve tona etnike në një shtet të përbashkët kombëtar, ashtu siç ëndërronin dikur ata dhe dëshirojnë sot e gjithmonë bashkëkombësit tanë kudo, shumë prej të cilëve dhanë jetën dhe sakrifikuan çdo gjë nga vetja- që një ditë-edhe shqiptarët të jetojnë të lirë e të pavarur si dhe të unisuar në një shtet të përbashkët kombëtar. GËZUAR 28 Nëntori të gjithë shqiptarëve kudo që gjenden dhe jetojnë ata në trojet e veta etnike dhe diasporën tonë!

Filed Under: Kronike

NAIM FRASHËRI NGULITI TEK SHQIPTARËT DASHURINË PËR ATDHEUN

November 27, 2021 by s p

Prof. As. Dr. Bernard Zotaj

(Mjeshtër i Madh)

Kam lexuar me vëmendje librin e autorëve të njohur Kujtim Boriçi dhe Nuri Çuni “Naim Frashërit, apostull dhe birbil i shqiptarizmës”. Është një libër me përmbajtje të thellë kombëtare, që në rrënjët e tij janë mendimtarët e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, por në mënyrë të veçantë, Naim Frashëri i cili zë një vend nderi. Ishte ky rilindas dhe të gjithë rilindasit e tjerë që ngritën dhe ngjallën dashurinë për Atdheun, ishin Bektashinjtë shqiptarë që i dhënë frymë dhe gjak shqiptarit të shek. XIX dhe gjallëruan e ndezën kudo zgjimin e vetëdijes atdhetare, i kënduan mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve.Në libër, pavarësisht se flitet për aktivitetet dhe veprimtaritë e bëra në kuadër të Vitit të Naim Frashërit, atë e përshkon fryma që ndezi Naimi, për të ushqyer shqiptarëve me ndjesinë e njësisë kombëtare. Autorët kanë gjurmuar dhe kanë dhënë çdo detaj të këtij viti që ju përkushtua nga të gjithë shqiptarët Naim Frashërit nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili për një vit rresht ishte në krye të kësaj veprimtarie madhore kombëtare.Nëpërmjet faqeve të librit njihemi se krijimi i kombit shqiptar është bazuar tek etniciteti (gjaku, gjuha, shtrirja gjeografike etj), i cili ka qenë i vetmi element unifikues. Nacionalizmi shqiptar, nuk i pati bazat e veta tek parimet liberale apo bashkimi kulturor, si në disa vende të tjera. Për shkak të izolimit nga gjithpërfshirja në mendimin europian, si pasojë e dominimit të konservatorëve e penguan zhvillimin e nacionalizmit. Shqiptarët patën një mitologji kombëtare që krijuan mitin e një prejardhjeje krenarie dhe të lashtë për vendin dhe shtetin. Këtë e bënë më së miri Rilindasit, e thekson gjatë gjithë veprës së tij, Naim Frashëri.Autorët librin e kanë ndërtuar në disa kapituj që shpalosin gjithë gjerësinë dhe shpirtin e madh të poetit që i këndosi dhe thuri vargje për Atdhenë. Pas një hyrje si lindi dhe u zhvillua ideja për vitin e Naimit, kapitulli i parë trajton Histori dhe vlerësime për Naim Frashërin. Kapitulli i dytë trajton takimin e poetëve në vitin e Naimit, si Moikom Zeqo, Nasho Jorgaqi, Petrit Ruka, Ferit Fixha, Sadik Bejko, Qazim Shehu, Pandeli Koçi, Hyqmet Hasko Dhe Përparim Hysi. Ndërsa dy kapituj, i treti dhe i gjashti trajtojnë Vitin e Naimit në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë. Kapitujt e tjerë deri në të trembëdhjetin trajtojnë takimet për Naimin në Tiranë, në Përmet, në vendlindjen e vëllezërve Farshëri, konferencë shkencore nga Kryegjyshata Botërore dhe Akademia e Shkencave, sesion shkencor në vendlindjen e tre Rilindasve, konferencë shkencore në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, pesë varrimet e Naimt, pasqyrimi i vitit të Naimit në media, si dhe risitë e projektit dhe të libri.Siç është shprehur Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj, “Naim Frashëri është dritë që do të ndriçojë përjetësisht. Sa më shumë ikin ditët, muajt, vitet e dekadat, aq më shumë ndriçon kjo ditë, aq më të domosdoshme janë rrezet naimiane për shpirtrat tanë, si fetarë e atdhetarë”. Rilindasit e mëdhenj theksonin se dashuria për Atdheun është një ndjenjë e shëndetëshme natyrale, e cila me pak përkujdesje kultivohet lehtë. Kurse prirja e kundërt, mosdashuria për të është rrjedhojë e disa faktorëve këmbëngulës. Injoranca e thellë ku u zhyt për shumë shekuj populli ynë, mungesa e shkollave, e universiteteve, e akademive, pra e të gjitha institucioneve kulturore, e natyrisht mungesa e strukturave shtetërore, e zbehu fort shqiptarizmin ose, në rastin më të mirë e la atë në një nivel primitiv, që me vështirësi e kapërcente folklorizmin. Në kushte të tilla, përballja me një kulturë të huaj ishte tronditëse për shqiptarët. Ajo krijonte dy rrjedhime: ose i shtynte ata, që në shembëllimin e kësaj kulture të ringjallnin kulturën e vendit të vet, ose e kundërta, i largonte përfundimisht prej Atdheut. Kështu, në prag të çlirimit të Shqipërisë i kemi patur të dyja prirje: atdhedashurinë dhe shqiptarizmin e disave, e kundërshqiptarizmin e disa të tjerëve. Ndërsa Naimi shfaqet nga sheshi i purpurt i Qerbelasë, i sakrificës titanike dhe konceptuale në shekuj, duke i rënë xhurasë, mes trimërive stërgjyshore, që kumbojnë rreth e qark, – ka theksuar Moikom Zeqo.Natyra unike e gjuhës shqipe përbënte një bazë për mitin kombëtar. Periudha e Skënderbeut 1443-1468, përfaqëson të parën shprehje të nacionalizmit shqiptar, i cili u venit pas pushtimit turk dhe u ringjall sërish më 1878, pas Kongesit të Berlinit që vendosi lënien e disa trojeve shqiptare jashtë Perandorisë Otomane për esap të Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë. Shek. XIX shënoi konsolidimin e mendimit nacionalist shqiptar, nëpërmjet asaj që u quajt periudha e Rilindjes Kombëtare. Shkrimtar i madh shqiptar, një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, poeti i madh i Bektashinjve, Naim Frashëri u gjend në vendin e duhur.Rilindasi Naim Frashëri dhe të gjithë rilindasit e tjerë duhet lexuar e rilexuar gjithmonë, sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani, shikojmë se përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë dhe pavarësisë së saj, ishte një ankth tjetër, i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me të parin: rizgjimin e Atdhedashurisë. Lidhja e Prizrenit, e cila pasoi Kongresin e Berlinit, shënon përpjekjen e parë për institucionalizimin e nacionalizmit dhe njëkohësisht të kombit shqiptar. Kërkesat e saj ishin bashkimi i trojeve shqiptare në një territor të vetëm me autonomi të plotë nën Perandorinë Osmane. Kështu lindi nocioni i Shqipërisë Etnike, ku për herë të parë shqiptarët do të shprehnin aspiratat e tyre kombëtare.Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim, thirrjet e zjarrta “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar” dëshmojnë një të vërtetë tepër të qartë dhe dëshpëruese. Një pjesë e shqiptarëve ishin ftohur prej Atdheut të tyre. Turqizimi i qindramijëra shqiptarëve, greqizimi i një pjesë tjetër, ngatërrimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare, dëshmojnë se ndjenja patriotike e një pjesë të shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin Atdheun e tyre me një Atdhe tjetër, një pjesë kishin turp të quheshin shqiptarë, të tjerë me lehtësi viheshin në shërbim të forcave kundërshqiptare.Nga pena e Naimit doli më 1886 “Bagëti dhe Bujqësia”, e para poemë letrare shqipe që ngjallte tek bashkatdhetarët e vet vërtetësinë e prejardhjes së tyre gjuhësore kombëtare dhe krenarinë nacionale. Kështu Rilindasit u përpoqën shumë ti bindnin shqiptarët se nuk duhet të turpëroheshin nga vendi i tyre. Ata kishin një Atdhe të bukur, kishin një gjuhë madhështore, një prej 6 gjuhëve themelore të Europës dhe një nga 10-12 gjuhët themelore të Botës. Ata ishin racë e bukur trupërisht dhe tepër të aftë mendërisht, se kishin një histori të shkëlqyer, se gjëmat kombëtare nuk ishin një arsye për t’u ftohur me Atdheun, por përkundrazi, për t’u afruar më fort me të. Aksioni i tyre për zgjimin e Shqipërisë ishte më i madh dhe më i gjëri aksion kulturor në krejt historinë tonë shqiptare. Rrallë herë emërtimi i një lëvizje përkonte plotësisht me qëllimin e saj, ashtu si në rastin e Rilindjes Shqiptare. Në të vërtetë ishte ajo që Rilindi Shqipërinë, ose me saktë, ishte ajo që lindi Shqipërinë moderne.Naim Frashëri, mori nismën e pabesueshme për të krijuar një mistikë familjare dhe shpirtërore për shqiptarët e tij, pra bektashizmin tipologjik dhe përbashkues gjithshqiptar. Ringritja morale e popullit shqiptar ishte aksioni më i ngutshëm dhe më i rëndësishëm në atë kohë të vështirë që ndërmorën rilindasit. “Naimi është dielli i kombit. Naimi ka punuar për të mos vdekur kurrë” – shkruante Ismail Qemali. Naimit, populli i dha si mbiemër emrin e Shqipërisë, e quan Naim Shqipëria.Libri “Naim Frashërit, apostull dhe birbil i shqiptarizmës”, i shkruar me shumë dashuri dhe përkujdesje nga autorët, ka për mision të përshkruaj dhe të nxjerrë në pah vlerat e poetit kombëtar, bektashiut të madh, Naim Frashëri. Për Naimin është shkruar dhe do të shkruhet në përjetësi, në kohëra dhe në brezat që do të vijnë, pasi roli i tij, i vëllezërve Frashëri dhe i të gjithë rilindasve të tjerë, të cilët u ngritën në një nga periudhat më të vështira të ekzistencës së kombit shqiptar, për kulturën e gjuhën shqipe, është jetike dhe kombëtare. Naimi si bektashi, si poeti dhe si atdhetarë shkroi perla të papërsëritshme për besimin e paqtë dhe për Shqipërinë. Autorët kanë ditur të nxjerrin në pah duke theksuar se “Naimi është e do të mbetet idhull në përjetësi, dritë e pashuar, jo vetëm për besimatart bektashinj në Shqipëri e hapësirat mbarëshqiptare, por për miliona bektashinj në mbarë botën dhe miliona miq të tjerë”.Ndaj aktivitetet për Naim Frashërin, nuk kanë munguar çdo vit dhe në hapësirat mbarëshqiptare, jo vetëm në data përvjetorësh që lidhen me poetin, por dhe në raste të tjera. Libri “Naim Frashërit, apostull dhe birbil i shqiptarizmës” i prurë me shumë përkujdesje nga autorët Kujtim Boriçi dhe Nuri Çuni dhe i drejtuar me shumë mënçuri nga Selia Bektashiane, është një risi e re, ku përshkruhet një veprimtari kombëtare mjaft komplekse e që organizohej për herë të parë. Autorët kanë ditur të përmatësojnë vlerat dhe idetë e Rilindjes Kombëtare e në mënyrë të veçantë, të Naim Frashërit.Përgëzime autorëve për punën madhore të bërë dhe risitë për librin, URIME!BERNARD ZOTAJTiranë, më 27 nëntor 2021

Filed Under: Kronike Tagged With: Bernard Zotaj

Shqipëri-Kosovë, në Elbasan u nënshkruan 13 marrëveshje

November 26, 2021 by s p

-U mbajt mbledhja e shtatë e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë/
ELBASAN, 26 Nëntor 2021-Gazeta DIELLI/


Bashkëpunimi mes dy qeverive tona, do të forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve tanë për të jetuar krenarë në vendin e tyre, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, në Elbasan.
Kryeministri tha se kjo mbledhje e dy qeverive dhe marrëveshjet e nënshkruara, janë në horizontin e integrimeve në Bashkimin Evropian, i cili është fati ynë. Ndërsa marrëveshje si këto sot, do të na mundësojnë që vizionet dhe programet e të dy qeverive, t’i përkthejmë në veprime sa më konkrete në mënyrë që ato të jenë efektive dhe frytdhënëse, theksoi ai.
Gjatë ditës së sotme, në forumin e biznesit Shqipëri – Kosovë, do të diskutohet për veprime konkrete edhe me përfaqësues të kompanive prodhuese dhe eksportuese shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova.
Në mbledhjen e shtatë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, u nënshkruan 13 marrëveshje:
1. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.
2. Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.
3. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e leje qëndrimit të përkohshëm.
4. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.
5. Marrëveshje ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës)–Krushevë (Dragash) midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
6. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.
7. Marrëveshje për sigurime shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
8. Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës
9. Marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve.
10. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë.
11. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës.
12. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës në fushën e njohjes dhe njësimit reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucione të tjera të autorizuara.
13. Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në mbledhjen e shtatë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë:
I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Z. Edi Rama, i dashuri Edi,Të nderuar ministra të kabinetit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.Ne shqiptarët jemi njerëz optimistë, edhe kur dita nuk është me diell e bie shi, themi do të jetë me bereqet.Më lejoni që fillimisht të përkujtoj që sot janë mbushur dy vjet nga tërmeti i tmerrshëm që e pat goditur Shqipërinë dhe familjarët e të afërmit e 51 të vdekurve sigurisht që në mënyrë të posaçme kanë pikëllim e mallëngjim sot. Ne bashkëndjejmë me ta duke pohuar që dhembja e tyre është edhe dhembja e jonë.Kjo është mbledhja e shtatë e përbashkët e të dy qeverive, por është mbledhja e parë e imja në të cilën marr pjesë si Kryeministër i Republikës së Kosovës.Unë vitin e kaluar isha kryeministër 4 muaj, në këtë javë, në këtë vit janë bërë tetë muaj kështu që jam duke përparuar dhe sa herë që vij në Shqipëri, jo vetëm si kryeministër, besoj sikurse edhe për shumë qytetarë tjerë të Kosovës, kam një ndjesi të veçantë e cila edhe nuk përshkruhet lehtë, e as nuk shpjegohet kollaj.Këngëtari ynë i mirënjohur Nikollë Nikprelaj thoshte se jemi si një lis me dy degë. Pra me pak fjalë jemi një, paçka se me dy dialekte të cilët sa shkon e po njësohen falë ndërveprimit në shumë fusha, falë muzikës, artit, sportit etj
Tani çfarëdo që po them po analizohet e studiohet mirë se ku desha të dalë e çfarë mesazhi po dërgoj, por edhe sikur mos të them asgjë prapë njëlloj do të ishte sepse do të thoshin se edhe ky është mesazh.Ajo që ndjej, sidomos në Kosovë e cila e kaloi shekullin e fundit duke e valuar flamurin kombëtar, është se ka një lloj ndrydhje të dëshirave dhe ndjenjave kur flitet për Shqipërinë.Një lloj i represionit të shkaktuar nga trauma e ndërrimit të befasishëm të simboleve që ka rezultuar me një lloj tronditjeje kolektive. Pra, befas e gjithë shoqëria në Kosovë përjetoi një zëvendësim për të cilën nuk u pyet e nuk u lejua të debatohet.Kjo është dhe do të mbetet një temë e dhimbshme e që e bënë edhe më të dhimbshme faktin që nuk është politikisht korrekte të diskutohet për të, pra një kërkesë për të ndrydhë një dëshirë e një mendim.

– Tash të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi.
– Të thuash se jemi të lumtur që kemi dy shtete sepse kështu jemi më të fortë, do të ishte sa tepri po aq edhe shkurtpamësi.
– Të thuash se angazhohesh për bashkimin kombëtar do të shquanin për nacionalist.
– E të thuash se do bashkohemi në Bashkimin Evropian të shquajnë për diplomat.
Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm, kështu që le të flasim si diplomatë, por le të punojmë si patriotë.E si diplomatë jemi të vetëdijshëm dhe të qartë, se mbledhja e dy qeverive tona është në horizontin e integrimeve. Sa më i mirë-projektuar dhe i mirë-ndërtuar horizonti i marrëdhënieve tona, aq më i mundshëm është integrimi në Bashkimin Evropian i cili është fati ynë.Integrimi ynë, mes shteteve tona është edhe strategjik, por edhe më tepër qëllimor. Progresi në numër i marrëveshjeve duhet të shoqërohet, siç e tha edhe kryeministri Rama, me cilësi në zbatimin e tyre sepse janë sa me rëndësi ekonomike, aq edhe historike.E si patriotë duhet t’i forcojmë të dy shtetet tona. Sepse patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar; të luftosh për lirinë e mediave dhe lirinë e mendimit; të luftosh për gjyqësor të pavarur e për ekonomi gjithpërfshirëse me drejtësi sociale. E vetëm ky lloj patriotizmi do të forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve tanë për të jetuar krenarë në vendin e tyre.Bashkëpunimin me njëri tjetrin nuk e kemi dëshirë e zgjedhje por obligim e detyrë, siç e kemi përgjegjësi lartësimin e mbrojtjen e njëri-tjetrit kudo e ndaj kujtdo.Sa më të përafruar e më të njësuar që jemi në qëndrime rreth të vërtetës tonë, aq më të fortë e të fuqishëm do të bëhemi, sepse jemi më shumë sesa dy shtete, por të shpërqendruar. Duhet të gjejmë thirrjen tonë të përbashkët.Sa më të integruar që bëhemi aq më e mirë do të bëhet jeta e qytetarëve tanë, aq më të bindur do të jenë për të ndërtuar jetët e tyre këtu dhe çdo e mirë e njërit shtet mund të përcillet te tjetri dhe anasjelltas. Çdo krijimtari shoqërore në njërën anë mund të përcillet dhe të gjej më tepër fuqi në anën tjetër.Njerëzit tanë duhet të lëvizin e të punojnë, duhet t’ju lehtësohet qarkullimi e qëndrimi; duan të prodhojnë prandaj edhe duhet t’ju zgjerohet mundësia e biznesit dhe e tregtisë. Kjo punë ka nisur të ecë, por tash duhet të vrapojmë, si në shpejtësi edhe në cilësi.Së bashku mund të prodhojmë më mirë e të fitojmë më shumë. Nuk ka humbje më të madhe se projektimi në qëndrimin brenda të ndërgjegjes së vogël, dhe nuk ka përhumbje më të madhe se shpërndarja nëpër linja të paqëndrueshme veprimi. Qartësia dhe orientimi i përbashkët na udhëzon vetë për lëvizjet më të duhura e më të mbara.Ne e kuptojmë se linja hekurudhore Prishtinë-Durrës është cilësi dhe shpejtësi në qarkullim njerëzish dhe mallrash, është ekologji dhe fuqi e tokës në det, është rritje e rëndësisë së portit kryesor të shqiptarëve. Lidhja hekurudhore është sa e një rëndësie ekonomike po aq edhe gjeopolitike e cila e rrit dhe forcon shqiptarët por edhe ndihmon rajonin, sepse ne jetojmë në rajonin tonë e me fqinjët tanë, me të cilët kemi të kaluar të përbashkët, por edhe do të ndajmë të ardhmen.Marrëveshjet që kemi përpara do të lehtësojnë edhe më tej procedurat e marrjes së lejes së qëndrimit.Po hapim pikën e re kufitare në Krushevë të Dragashit e në Shishtavec të Kukësit për të lehtësuar qarkullimin e për të zhvilluar e lidhur komunitetet tona.Po mbështesim bashkëpunimin kulturor në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, por edhe në krijiimin një kalendari të përbashkët kulturor vjetor sepse, siç thoshte Fishta, ‘Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë’ e shumë festa tona janë të përbashkëta.Po rrisim bashkëpunimin në fushën e drejtësisë me ndihmë të ndërsjellë juridike, në fushën e doganës duke lehtësuar kalimin e duke zvogëluar kohën e pritjes si dhe po lehtësojmë njohjen reciproke të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore me marrëveshje tjera të cilat na afrojnë e forcojnë më shumë.
E për t’u siguruar se marrëveshjet do të zbatohen tashmë kemi edhe një koordinator të përbashkët, për çka falënderoj qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrin Rama për dakordim dhe mbështetjen e ofruar.
Le të përshpejtojmë hapat e veprimit, të rrisim cilësinë e zbatimit që të shpejtojmë integrimin mes vendeve tona e në Bashkimin Evropian.
Ju faleminderit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari

Integrimi euro-atlantik, e vetmja rrugë për Kosovën dhe Shqipërinë

November 24, 2021 by s p

-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta: Po të mos e dija se jam në AAB dhe në Kosovë, do të kisha menduar se jam në ndonjë universitet në Norvegji apo Finlandë/

Prishtinë, 24 Nëntor 2021-Gazeta DIELLI/

Në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka vizituar sot Kolegjin AAB, ku u prit nga menaxhmenti, stafi akademik dhe studentët e AAB-së. Me këtë rast, në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, presidenti shqiptar mbajti edhe një ligjëratë për studentët, me temën “Shqiptarët si faktor stabiliteti në Ballkan”.

“Në AAB gjithmonë kanë ardhur personalitete të shquara të jetës publike, presidentë, kongresmenë, ambasadorë, etj., dhe studentët tanë kanë pasur rast të dëgjojnë ligjërata nga figura nga më të njohurat evropiane dhe botërore, por gjithmonë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, do të jetë personaliteti më i çmuar për ne”, tha në fjalën e tij mirëseardhëse rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha.

“Po të mos e kisha ditur që jam në Kosovë, do të kisha menduar se jam në një institucion universitar në Norvegji apo Finlandë”, tha në fillim të ligjëratës së tij presidenti Ilir Meta, duke shprehur mirënjohjen më të thellë për investimet e bëra në Kolegjin AAB.

Në ligjëratën e tij “Shqiptarët si faktor stabiliteti në Ballkan”, presidenti Meta theksoi se sundimi i ligjit, vlerat demokratike dhe integrimi euro-atlantik janë e vetmja rrugë për të Kosovën dhe Shqipërinë.

Ai shprehu dyshime lidhur me nismën Ballkani i Hapur, ndërsa e cilësoi nismë rivalizuese ndaj Procesit të Berlinit, si dhe shqetësuese për shkak të qasjes së Serbisë.

Në fokus të ligjëratës së tij ishin edhe pengesat ekonomike-tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa përmendi se shqiptarët si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, duhet të refuzojnë çdo rrugë që largon nga integrimi euro-atlantik.

Presidenti Meta theks të veçantë i kushtoi edhe shqetësimit për largimin e të rinjve nga Kosova dhe Shqipëria, ndërsa konstatoi se Shqipëria është vonuar në rrugën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ligjërata e sotme e presidentit shqiptar Ilir Meta, u pasua edhe me një seancë pyetje përgjigje, ku z.Meta u përgjigj në pyetjet e studentëve, ndërsa gjatë vizitës së tij ai pati rast të takohet edhe me studentët dhe personelin e AAB-së.

Filed Under: Kronike, Uncategorized

Grubi: 113 vjetori i Alfabetit na gjen me gjuhën shqipe zyrtare

November 22, 2021 by s p

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi mori pjesë në ngjarjen përmbyllëse në kuadër të manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” me temë “113 vjetori i Kongresit të Manastirit dhe 14 vjetori i ITSHKSH-së në Shkup”. Grubi në fjalimin e tij potencoi rëndësinë e momentit historik të unifikimit të alfabetit shqip në vitin 1908 dhe vazhdimësinë e misionit të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe në mënyrë institucionale në Maqedoninë e Veriut duke çmuar lartë veprimtarinë e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që pikërisht sot shënon 14 vjetorin e themelimit të saj. Ai mes tjerash potencoi se ky 113 vjetor na gjen me gjuhën shqipe zyrare në Maqedoninë e Veriut. Të pranishëm në këtë ngjarje të shënimit të 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip mes personaliteteve të shumta vendore ishin edhe drejtori i ITSHKSH-së Skender Asani, ambasadorja e SHBA-ve në vend znj. Kate Marie Byrnes, ambasadorët e Francës, Italisë dhe Izraelit – z. Baumgartner, z. Silvestri dhe z. Oran. Në vazhdim fjalimi i plotë i Zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi:  “Kënaqësi e veçantë që në hapësirat e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, shënojmë një nga datat më të rëndësishme kombëtare, ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe. Një popull nuk rron dot pa ideal, pa një qëllim që e bën të punojë, të përpiqet e të përparojë. Ideali ishte i qartë dhe plotësisht i drejtë, të ruhet gjuha e të parëve, shqipja si vlerë në mesin e gjuhëve europiane. 113 vjet u bënë sot nga konkretizimi i një ideali që përcaktoi fatin tonë ekzistencial të asaj kohe për të pasur gjuhë të shkruar. Tashmë 14 vite me rradhë po e dëshmojmë edhe në mënyrë institucionale, përmes institucioneve tona që me përpikmëri realizojmë hulumtime shkencore, aktivitete arsimore dhe kulturore për të promovuar vlerat identitare të shqiptarëve të këtij vendi. Uroj drejtorin Asani dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij për përvjetorin e Institutit dhe për përkushtimin në drejtim të realizimit të programit. Padyshim se në këtë rrugëtim misionesh, ky institucion ka përkrahjen e madhe të Qeverisë së vendit. Uroj vazhdimësi progresive të punës së Institutit dhe festë të mbarë për të gjithë shqiptarët. Gëzuar!”

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT