
Qendra “Nënë Tereza” e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” organizon më 1 qershor 2025: “Dita e traditës shqiptare”.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

Qendra “Nënë Tereza” e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” organizon më 1 qershor 2025: “Dita e traditës shqiptare”.
by s p

Vjosa Osmani/
Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës, njeriu që e pa pavarësinë e Kosovës si domosdoshmëri historike dhe morale.
Më 16 maj 1999, patrioti e intelektuali Ukshin Hoti u rrëmbye dhunshëm nga Burgu i Dubravës dhe që nga ajo ditë asnjë gjurmë për të.
Një mendje brilante, një shpirt i lirë dhe një vizionar i pashoq i çështjes kombëtare. Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës, njeriu që e pa pavarësinë e Kosovës si domosdoshmëri historike dhe morale.
Mungesa e tij mbetet plagë e hapur për kombin.
Ai është kujtesë, mësim dhe sfidë për të sotmen tonë, ndaj zbardhja e fatit të tij është obligim i yni i vazhdueshëm.
by s p

Mehmet Kraja*/
Shpjegimi i parë i fjalës disidencë vjen nga kuptimi i saj në latinisht dissidens, që përbëhet nga dy fjalë: dis që domethënë kundër dhe sedere, të qëndrosh, pra, të qëndrosh kundër. Në shekullin XX “qëndrimi kundër” u lidh kryesisht me regjimet socialiste të Europës Lindore, duke filluar nga Bashkimi Sovjetik, ku personalitete publike si Solzhenjicini dhe Saharovi morën famë botërore, pastaj në Çekosllovaki Haveli dhe “Kartën 77”, ndonëse në një kuptim më të gjerë disidenca do të duhej të lidhej me sfidën që i bëhet rendit ekzistuar dhe me qëndrimet e pavarura intelektuale.
Vijmë tani te letërsia shqipe: a kishte disidencë në të dy përvojat letrare të letërsisë shqipe, në Shqipëri dhe në Kosovë dhe çfarë ishte ajo? Në Kosovë nuk kishte disidencë ideologjike të mirëfilltë, sepse Kërlezha që më 1952 proklamoi pluralizmin e metodave në ish-Jugosllavi, pra largimin ideologjik të këtij shteti nga “socializmi real” dhe realizmi socialist i Bashkimit Sovjetik. Edhe Kosova ishte e përfshirë në këtë ndarje ideologjike, prandaj shkrimtarët e Kosovës nuk mund të kishin përball një armik ideologjik, por një armik tjetër më domethënës: armikun nacional. Që socializmi jugosllav të bëhej më i denjë për jetën e njerëzve edhe në Kosovë, e kishin ngritur zërin shkrimtarë si Hivzi Sulejmani (prokuror, me romanet “Njerëzit” dhe “Fëmijët e lumit tim” ) dhe Sinan Hasani (politikan i niveleve të larta jugosllave, me romanin “Era dhe Lisi”) dhe kjo mund të quhet përballja e vetme dhe e fundit e përvojës letrare kosovare me ideologjinë socialiste. Në Shqipëri diçka e ngjashme mund të thuhet për romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, por me nivel shumë më të lartë artistik. Në vitet vijuese, nga vitet ’50 deri në vitet ’90, politika në Kosovë u kujdes për disidencën nacionale dhe i dha mbështetje pa rezervë letërsisë moderne, të paangazhuar, sepse ajo natyrshëm e ndihmonte propagandën anti-Shqipëri, ku nacional-socializmi ishte bërë ideologji kombëtare, ndërsa realizmi socialist ishte metodë zyrtare e shkrimit të letërsisë.
Për t’i tejkaluar këto paradigma, do të duhej të shikonim më nga afër anatominë e disidencës letrare në Kosovë dhe në Shqipëri. Siç e thamë tashmë, në Kosovë nuk kishte disidencë ideologjike, kishte disidencë nacionale. Përmes rrëfimeve historike, mesjetare ose të antikitetit, shkrimtarët kosovarë, përmes alegorive dhe metaforave, synonin të përballeshin me realitetin e zymtë nacional. Kështu, derisa shikoja nga dritarja e banesës sime në katin e pestë patrullat e policisë që kujdeseshin për orën policore në Kodrën e Diellit më 1982, në njëvjetorin e demonstratave, unë shkruaja “Udhëzime për kapërcimin e detit”, një alegori “kodër pas bregu” për atë që ndodhte para syve të mi. Këtë e bënë edhe shumë shkrimtarë të tjerë, përfshirë edhe disa prej atyre që janë identifikuar në paradigmën e kësaj konference. Kjo disidencë nacionale shkonte deri aty, saqë disa shkrimtarë tanët me emër, u shfaqën të dyzuar: gjatë ditës flitnin serbisht në mbledhjet e partisë, në mbrëmje i jepnin krah disidencës nacionale. Pra, bashkëjetonin me persekutorin, duke kërkuar hapësirat jashtëzakonisht të ngushta ku mund të vegjetonin.
Në Kosovë nuk u burgos asnjë shkrimtar për vepër letrare, por disa prej tyre u burgosën dhe u persekutuan për aktivitetin e tyre ilegal. Mbi të gjitha, më bën përshtypje fakti, si në Kosovë,si në Shqipëri, se edhe pas rënies së socializmit, nuk doli pothuajse asnjë vepër e rëndësishme e letërsisë, e shkruar në periudhën e ndalesave të mëdha ideologjike apo nacionale. Duket se kjo ndodhi për shkak autocensurës, por edhe për shkak të përvojës së paktë letrare, ose edhe më keq, për shkak se disa shkrimtarë në Kosovë e menduan socializmin jugosllav edhe si kuadër i mjaftueshëm madje i pëlqyeshëm për realizimin e interesave të tyre nacionale, siç do të shprehet një kritik yni me emër. Ndërkohë, në Shqipëri shumica e shkrimtarë u bënë deklarativisht dhe mendërisht mbështetës të diktaturës, me krejt qenien e tyre krijuese.
Pra, as në Shqipëri nuk mund të thuhet se kishte disidencë të mirëfilltë, së paku jo ata që afishohen si të tillë, për shkak se regjimi ishte aq i ashpër, sa arriti të kontrollonte jo vetëm shkrimet, por edhe mendjet e shkrimtarëve. Mund të gjenden disa tendenca disidence, por disi embrionale, të parealizuara në formë të qartë, si kundërvënie regjimit. Do të përmend këtu disa shkrimtarë të Shqipërisë, që u persekutuan, por e kam të vështirë të them se cili prej tyre mund ta mbajë atributin e disidentit. Ja cilët janë këta: Së pari Trifon xhagjika, pastaj Vilson Blloshmi, Genc Leka, Favzi Nela, nga të cilët shquhet Blloshmi, i pushkatuar nga vetë shkrimtarët e Shqipërisë, sepse ekspertizën e poezisë së tij “Sahara” e bënë Xharxhiu dhe Çuli. Një poezi “Sahara” e shkroi edhe Kadare, por asaj nuk i bënë ekspertizë, mbase për arsye se, siç thoshin latinët “Quod licet Iovi, non licet bovi”. Më pas mund të radhiten shkrimtarët: Arbnori, Trebeshina, Xhaferri, Pllumi, Zhiti etj. Të tillë ka më shumë se një duzinë, por duhet thënë menjëherë se në veprat e tyre kishte një gjysmë-disidencë. Objekt i vërsuljes së shtetit në Shqipëri u bënë shpesh edhe ata shkrimtarë që shquheshin si mbështetës të realizmit socialist, madje duke u shpërndërruar si me magji nga shkrimtarë luajal në kundërshtarë të regjimit, siç ishte rasti me poemën “Pashallarët e kuq” të Kadaresë, e cila në analizat e mëvonshme, përmes një “përmbysjeje kuptimesh” mori atribute disidente. Apo romani “Tuneli” i Xhuvanit, që kishte vetëm një mëkat: nuk ishte si “Përsëri në këmbë”.
Ndoshta rasti Trebeshina meriton një vëmendje pak më të veçantë. Promemoria e tij ngre shumë pikëpyetje. Ky dokument nuk u gjend në asnjë arkiv të Shqipërisë, as në Arkivin e Partisë së Punës, as në Arkivin e Shtetit. Prandaj, ka dy mundësi: ose është shkruar më 1953, por nuk i është dërguar kurrë Enver Hoxhës, siç pretendonte Trebeshina; ose është shkruar pas rënies së diktaturës, në bashkëpunim me disa mbështetës të tij, si kundërvënie diskursit dhe mitit Kadare. Këto mund të quhen supozime, por është e sigurt se promemoria e Trebeshinës nuk pat asnjë ndikim në ambientin letrar të Shqipërisë së asnjë kohe. Më anë tjetër, në biografinë e Trebeshinës qëndron e shkruar se ai, që nga themelimi i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit më 1945 (OZNA e Shqipërisë – Odeljenje za zastitu naroda) ishte njëri nga udhëheqësit e Drejtorisë I, ndihnmësgjyqtar i Biblbil Klosit, ndërsa më vonë, kur dënohet me 3 vjet burg, i bën vetëm 11 muaj, sepse “tezës së tij, nënës së Fiqrete Shehut, i kishte premtuar Enver Hoxha se do t’ia amnistonte nipin”. Kështu qëndron e shkruar në biografinë e Trebeshinës. Ndërkaq, sa i përket veprës së tij letrare, konsideroj se vetëm romani “Mekami” ka elemente të disidencës në kuptimin burimor të kësaj fjale, sepse ngrihet hapur kundër shqiptarizmës. Ndërkaq, urrejtja ndaj Kadaresë nuk besoj se përbën disidencë.
*Fjalë e mbajtur në konferencën shkencore “Disidenca letrare shqipe”
by s p

Aleksandër Çipa/
Rasim Gjoka para një viti ishte qytetari me buzën e qeshjes. Buzëqeshja e tij ndante për shumëkënd që i drejtohej apo i drejtoheshin, mirësinë e zotnisë dhe qytetarit që në atë model, është i paktë në këtë vend. Por në një ditë( ditëlindjen e pati në 4 maj dhe ditëikjen në 14 maj), një vit më parë, ndalja e frymës në kurmin e tij, shpërndau një gjendje pikëllimi tek shumë të njohur dhe bashkëpunëtorë të Rasimit.
Kjo gjendje dhimbjendjerje u shpërnda në krejt vendin, ku gjenden miq, të njohur dhe njohës të zotërisë, në profesione dhe lëmi të ndryshme. Në të gjitha qytetet e vendit, Rasimi la shenja dhe kujtime të një bashkëpunëtori që kishte virtytin e të cilësishmit dhe të qytetarit që përkonte me të ardhmen. Imazhi dhe përmbajtja aq qytetare e veprimtarit në fjalë, stononte me shumicën e sjelljeve shoqërore të shoqërisë së tashme dhe sidomos komuniteteve tona profesionale. Prej këtij kontrasti, ikja e ndodhur në kohë kalendarike, bëhet aq e ndjeshme, aq e vënëreshme në këtë ditë, ndërsa u mbush viti i heshtjezemrës së tij.
Ndërsa po risjell në frizerin e kujtesës, disa takime, shkëmbime miqësie edhe familjare me Rasimin, më ngjan se gjendem në “ Botën e së djeshmes”, si në veprën autobiografike të Cvajkut. Nostalgjia për të shkuarën në këtë rast është e gjitha brendi e një mungese për njeriun e duhur që është bërë edhe më i munguar prej një viti ndër ne. Vëllai i tij, miku im i shtrenjtë, studiues dhe autor i rëndësishëm në letrat shqipe, më shtytoi ta kryej deri në mbyllje tekstin in memoriam për Rasimin.
Behari solli në vëmendjen e miqve se: ”Sot do mbushje 69 vite…Ike para kohe, le mister me ikjen tënde. Le buzëqeshjen që na ndjek ngado…Një buzagas plot jetë…Mbetesh model i njeriut idealist, i gazetarit, i pedagogut, i ndërmjetësit të përsosur në mes konflikteve. Na mungon shumë..na mungon si ditën kur ike…”
Është një psherëtimë eulogjike e vëllait për vëllain. Në ditët e para të mungesës së tij, gazetari Frok Cupi shkruante për Rasimin, një tekst sfidant për pavëmendshmërinë dhe padijeninë e shumicës së komunitetit të gazetarëve se ai ishte një ndër ne.
“ E para, pse nuk u shpërnda asnjë lajm në media ku të paktën të njoftohej se ‘kolegu ynë shkoi…”?… Rasimi i përket atij grupimi ‘lajmëtarësh’ në media, që edhe për të lajmëruar një gjë, më parë i bënte shumë pyetje vetes. Pyetjet: Sa e vërtetë?, sa e dobishme?, lajmi që po transmetoj është ajo që ndodhi apo ajo që dikush tha se ka ndodhur?, etj.”…
E duhura fjalë publike për Rasimin mbetet ende e pathënë. Sepse është reflektim i vonuar kujtese për një zotni në amëshim që la jetë në dy profesione dhe një mision. Në shumicën e jetës së vet poststudentore, ai udhëtoi si misionar i pabujshëm i shoqërisë civile. Është fiksuar në shumë kujtesa partnerësh si një kuotë e lartë zotnillëku me shumë vlera korrektese, pune, përkushtimesh dhe ndërgjegjeje.
Në Fakultetin e Shkencave Juridike e të Filozofisë kur nisi si pedagog, mbarte përvojën e gazetarit të medias publike që kishte arritur spikatjen e papërgënjeshtrimit, të besnikërisë ndaj burimeve, të drejt raportimit dhe sidomos si një përdorues i shkëlqyer i gjuhëshkrimit shqip, duke qenë njëherësh edhe zotërues elegant i gjuhëve të tjera.
Pas një viti, kohën që e shkon tashmë e përgjithnjë, në botën imagjinare të amëshimtë, në jetën reale të familjes, miqve, partnerëve të djeshëm dhe Fondacionit për Zgjidhjen e Konflikteve dhe Pajtimin e Mosmarrëveshjeve që la për vijimësi, mungesa shton një kurorë të madhueshme njerihumbjeje. Në këtë hapësirë mungese, duke gërmështuar këtë tekst in memoriam, më ngjan se zgjoj dikënd në shoqërinë tonë të hallakatur për t’i thënë një falenderim, këtij zotnie, qytetari dhe kolegu.
Ai lëvdimin apo çertifikimin tonë as i ndjeu dhe s’ka se si t’i ketë të nevojshme tashmë. Mirëpo, sikundër e thotë filozofi rumuno- francez Emil Cioran, mund të na kujtonte se :” Duhet rishqyrtuar gjithëçka, madje dhë dënesjet…” Sepse në memorien e shumicës së bashkëkohësve të vet, la shenjën e gazetarit, pedagogut dhe veprimtarit, ndërsa iku me virtytet e misionit të pastër qytetar.
by s p

Nga: Besim Muhadri/
I lindur dhe i rritur në një ambient me tradita të shquara bujarie dhe atdhetarie, rapsodi popullor hasjan, i përmasave kombëtare, Hamit Kastrati (Golaj, Has 1962), në rrugëtimin e tij nëpër vite e dekada si njeri dhe rapsod, gjithnjë është ushqyer me ndjenjën e dashurisë për atdheun. Ndonëse i lindur dhe i rritur në një kohë kur regjimi komunist në Shqipëri kishte ngulfatur jo vetëm lirinë e njeriut dhe krenarinë e tij, qoftë personale, qoftë kolektive e kombëtare, por edhe kultivimin e traditave popullore, madje duke ndërhyrë edhe në çdo aspekt të jetës, Hamit Kastrati arriti t’i shpëtojë kësaj katrahure dhe të jetonte vertikalisht. I njohur tashmë si një rapsod i këngëve të mirëfillta folklorike, Hamit Kastrati është pa dyshim një nga rapsodët më të njohur jo vetëm të krahinës së Hasit, por edhe më gjerë.
Përveç si këngëtar, ai është i njohur edhe si krijues, përkatësisht hartues i të gjitha teksteve të këngëve të cilat ai i këndon. Janë me qindra këngë të krijuara nga vetë Hamiti gjatë pothuajse tri e më shumë dekadave. Këto tekste këngësh, të krijuara dhe të kënduara nëpër vite, Hamit Kastrati, përveç në audio dhe video incizime, i ka prezantuar para lexuesit, përkatësisht dëgjuesit të tij anekënd atdheut dhe kah flitet shqip përmes librit të tij me titull simbolik dhe shumë domethënës “Kënga e shpirti kurrë nuk vdesin”, në të cilin janë prezantuar 186 tekste këngësh të tematikave të ndryshme, të seleksionuara në pesë cikle, ku secili prej tyre paraqet tematikë më vete. Libri është botuar në vitin 2017, ndërkohë që Hamiti ka shkruar edhe qindra tekste të tjera dhe i ka gati për librin e dytë.
Në ciklin e parë të këngëve, “Gjak që s’falet asht Kosova”, autori ka prezantuar këngët e tij të shkruara e të kënduara për Kosovën, këtij pengu të përjetshëm të këngës dhe të shpirtit të tij prej rapsodi dhe shqiptari. Në këtë cikël këngësh autori i këndon Kosovës dhe ëndrrës së bashkimit kombëtar. Ai i këndon edhe figurave të shquara kombëtare të Kosovës martire, të ndarë padrejtësisht e tragjikisht nga trungu i Shqipërisë natyrale. Këngët e këtij cikli janë këngë që shprehin qartë përpjekjet e shqiptarëve, veçanërisht të atyre të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e saj. Rapsodi Hamit Kastrati i këndon Adem Jasharit, kësaj figure kyçe të UÇK-së, heroizmi dhe shembulli i të cilit frymëzoi luftëtarët e lirisë. Këngët e Hamit Kastratit për dëshmorët e Kosovës jantë kënga me domethënëse, më kuptimplote, të cilat shprehin dhe përçojnë amanetin e burrave të Kosovës që lufta të mos ndalet deri në realizimin e dëshirës së tyre kryesore që të mos ketë “kufij ndërmjet”, siç shprehet në shumë vargje rapsodi.
Këngët e ciklit të dytë të titulluar “Nji asht kanë e asht Shqipnia”, janë këngë kushtuar atyre që u vranë nga regjimi komunist në Shqipëri, por edhe këngë të tjera, të cilat shpërfaqin gjendjen dhe realitetin e një kohë shumë delikate, shumë të dhimbshme, siç ishte koha e regjimit të egër komunist të izolimit dhe të vetizolimit të Shqipërisë.
Në ciklin e tretë “Kush beson veç t’mira gjanë”, autori ka seleksionuar këngët kushtuar baballarëve shpirtërorë të krahinës së Hasit, Tropojës e të Gjakovës, të cilëve ai u këndon me shumë pasion dhe konsideratë.
Në ciklin e katërt Kastrati ka radhitur këngët e kurbetit, kësaj plage të hapur e të pashërueshme shqiptarësh, ndërsa në ciklin e pestë dhe të fundit ai ka prezantuar këngët e dashurisë por edhe disa këngë të tjera humoristike, si pjesë e pandarë e jetës.
Përjetësimi i luftës së Kosovës dhe përçimi i mesazhit të dëshmorëve
Kosova dhe historia e saj plot dhimbje, sakrifica dhe përpjekje për të ardhur deri të dita e madhe e lirisë dhe pavarësisë së saj, në vazhdimësi ka preokupuar jo vetëm atdhetarët, luftëtarët, idealistët, por edhe artistët, poetët dhe këngëtarët. Një shqetësim të tillë ka edhe rapsodi Hamit Kastrati. Kam përshtypjen se asnjëri nga poetët dhe rapsodët e trojeve shqiptarë se sa Hamit Kastrati nuk i ka kënduar kaq shumë dhe me kaq pasion Kosovës dhe bijve të saj të cilët luftuan, u sakrifikuan dhe vdiqën duke luftuar për ditën e madhe të lirisë, por edhe të pavarësisë dhe ta bashkimit kombëtar. Të kësaj tematike janë 78 këngë, të cilat shpërfaqin brengën e madhe të quajtur Kosovë, për të cilën rrahën zemrat dhe u derdh gjaku në kohë dhe periudha të ndryshme të historisë e në mënyrë të veçantë gjatë kohës së luftës së UÇK-së. Këngët e Hamit Kastratit të kësaj tematike, të prezantuara në librin e tij, janë një përmendore e fortë, shumë domethënëse, të cilat, përveç që përjetësojnë heroizmin dhe sakrificën shqiptare për lirinë e Kosovës, ato njëkohësisht janë edhe një dëshmi e gjallë e një historie tashmë të ndodhur që ka dhënë e po jep frytet e saj të ëndërruara nga breza të tërë. Prandaj edhe vetë titulli i ciklit “Gjak që nuk falet është Kosova”, natyrisht i huazuar nga një varg i poetit tonë të njohur Ali Podrimja (Kosova është gjaku im që nuk falet), sikur shpërfaq qëllimin e brezave ndër shekuj. Vargjet e këngëve të kësaj tematike, janë vargje më plot figuracion, me shumë domethënie dhe me shumë mesazhe, të cilat përçohen te lexuesi, qoftë përmes penës së autorit, qoftë përmes porosisë së protagonistëve të këtyre teksteve, të cilët sot prehen përjetësisht në altarin e lirisë së Kosovës.
Shpërfaqja e përmasës së tragjedisë dhe braktisjes së atdheut
Në këngët e ciklit të dytë “Nji asht kanë e asht Shqipnia”, siç u tha edhe më lart, autori ka cikluar këngë të cilat iu kushtohen atyre burrave të Shqipërisë, të cilët u vranë dhe u persekutuan nga ana e regjimit komunist, vetëm pse ata nuk u pajtuan me të keqen që kishte pllakosur vendin, e keqe që kishte ngulfatur perspektivën e Shqipërisë së idealeve të mëdha të rilindësve dhe të të gjithë patriotëve që punuan dhe luftuan deri në pikën e fundit të gjakut për perspektivën e saj evropiane, demokratike.
Këngët e Hamit Kastratit që për kanë këtë tematikë, janë krijime që tregojnë gjithë atë tragjedi të përmasave më të dhimbshme, të përjetuar nga shqiptarët, të cilët autori në një varg i quan jo pa qëllim i quan të pafat. 48 këngët që janë të përfshira në këtë cikël tematik, mund të cilësohen si këngët e dhimbjes e të tragjedisë sonë kombëtare, ashtu siç mund të cilësohen edhe këngët e kurbetit, të kësaj plage të hapur ndër shekuj për shqiptarët, e cila jo që nuk u shërua ndonjëherë, por ka rrezik që të mos shërohet asnjëherë. Si duket të kota janë thirrjet e rapsodit të që shqiptarët të braktisin ëndrrën e kurbetit, që është ëndrra e ikjes nga atdheu për një jetë më të mirë, sepse sindromi i quajtur emigrim ka marrë përmasa të mëdha, madje edhe duke arritur nivelin e tragjikës së përgjithshme gjithëkombëtare.
Shqetësimet e rapsodit Kastrati janë shqetësime të njeriut të ndershëm shqiptar, i cili ia do të mirën atdheut dhe të cilin dëshiron ta shohë ashtu siç duhet dhe duhej të ishte. Qoftë në ciklin “Nji asht kanë e asht Shqipnia”, apo edhe te “Këngët e kurbetit”, fantazma e tragjedisë kombëtare është ajo që sillet e nuk shqitet asnjëherë e në asnjë kohë, qoftë edhe në këtë kohën e re të demokracisë. Këngët si “Kroni i Guruzhupit”, “O shqiptarë pse kaq pa fat”, “Deri kur me derdh lot nana” e shumë këngë të tjera, te cilki “Nji asht kanë e asht Shqipnia” si dhe pothuajse të te gjitha këngët e kurbetit” e në veçanti këngët “Oj Shqipnia me halle e derte”, Pranvera me lot”, “Kofsh mallkue përjetë kurbet”, etj., janë disa nga këngët më të dhimbshme, që shpërfaqin përmasën e një tragjedie të quajtur braktisje të atdheut dhe lënien e tij në vetminë vrastare.
Këngë me shumë kuptim dhe domethënie janë edhe këngët e ciklit Kush beson veç t’mira gjanë, ashtu sikurse janë edhe këngët e ciklit të fundit, këngë dashurie dhe ato humoristike, ku përveç talentit të autorit në krijimin e teksteve të tyre tematike, ato shprehin edhe respektin e autorit për figurat e respektuara fetare siç janë në këtë rast Dervish Azem Dajçi, Dervish Sadik Gaxha, Brah Alia, Pashtriku, si vend i shenjtë, simbolika hasjane dhe kombëtare të humanitetit e të bamirësisë, por edhe këngë të tjera, ku autori ka fokusuar këngën e tij në aspektin e respektit ndaj këtyre figurave fetare të Hasit, Malësisë së Gjakovës e më gjerë, qoftë për aspektin humanitar dhe bamirës të tyre, qoftë si shërues shpirtrash dhe të besimit të patundur në Perëndinë. Prandaj edhe vargu “Kush beson veç t’mira gjanë” është një varg sa domethënës, aq edhe një përçues të qartë për njeriun e kohës sonë.
Rapsodi Hamit Kastrati me shumë pasion i këndon dashurisë, por edhe temave të tjera, përmes të cilave ai prek në “telin” e ndërgjegjes dhe të shqetësimeve të shumta që preokupojnë njeriun shqiptar. Me një fjalë, tekstet e këngëve të tij janë tekste që burojnë thellë nga shpirti i tij i trazuar në vorbullën e kohërave nëpër të cilat ka kaluar ai si krijues dhe njeri.
Hamit Kastrati, padyshim se me anë të këtij libri jo vetëm që po rrombullakëson një pjesë të punës dhe kontributit të tij në fushën e artit të këngës, por njëkohësisht ai po jep një kontribut shumë të çmuar në realizimin e një projekti madhor, siç është përfshirja brenda kopertinave të një liri të qindra teksteve të këngëve të tij, të cilat tashmë janë bërë pjesë e këngës folklorike shqipe, tekste të cilat, ndonëse të shkruara nga Hamiti, tashmë i kanë përvetësuar dhe po i këndojnë edhe shumë rapsodë apo të ashtuquajtur “rapsodë”, madje edhe duke ua ndryshuar kuptimin e tyre, qoftë për shkak të moskuptimit të teksteve në të dëgjuar, apo edhe të tendencës së përvetësimit të këtyre testeve, që në botën moderne quhet plagjiaturë e që kohëve të fundit është bërë fenomen shqetësues.
Prandaj, me anë të këtij libri, Hamit Kastrati tregon qartë se është rapsod në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës.