• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRANVERA E DINJITETIT – KUJTESË E SAKRIFICËS DHE GUXIMIT PËR LIRI

March 15, 2026 by s p

“Pranvera e Dinjitetit” nuk është vetëm një manifestim përkujtimor. Ajo është një kujtesë e gjallë e sakrificës, e guximit dhe e vendosmërisë së një brezi që u ngrit për liri. Kjo veprimtari kujton një nga datat më të ndritura të historisë sonë të re – 14 marsin e vitit 2001. Një datë që mbetet e gdhendur në ndërgjegjen kombëtare si momenti kur bijtë dhe bijat më të mirë të këtij kombi u ngritën për dinjitet, për barazi dhe për liri.

Rajoni ynë ka kaluar nëpër shumë sprova historike. Ka përjetuar konflikte, padrejtësi dhe përpjekje të vazhdueshme për ta zbehur identitetin dhe të drejtat tona. Por historia na ka mësuar një të vërtetë të madhe: se kur kombi shqiptar bashkohet rreth idealit të lirisë, ai bëhet i pathyeshëm.

Qëndresa jonë nuk filloi në vitin 2001. Ajo është vazhdimësi e një rruge të gjatë sakrifice. Filloi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nën udhëheqjen e Komandantit legjendar Adem Jashari, vazhdoi me Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, dhe mori hov të ri me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Lufta e vitit 2001 ishte një moment i madh i ndërgjegjes kombëtare. Në atë kohë u ngritën të rinj e të moshuar, studentë, intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë. Ata u bashkuan rreth një ideali të vetëm, t’i shërbejnë lirisë dhe dinjitetit të kombit shqiptar.

Pas 25 vitesh, ne përulemi me respekt të thellë para atyre që sakrifikuan gjithçka për këtë ideal. Kujtojmë me nderim dëshmorët tanë, bijtë dhe bijat që me gjakun dhe veprën e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit. Falë qëndresës dhe vendosmërisë së tyre u krijuan rrethana të reja politike dhe juridike, që sollën avancimin e statusit dhe të drejtave të shqiptarëve në vendin tonë.

Prandaj, kujtimi i dëshmorëve dhe respekti për sakrificën e tyre nuk është vetëm një detyrë morale. Është një obligim kombëtar për çdo shqiptar, kudo që ndodhet në botë. Le ta ruajmë këtë kujtesë, ta përcjellim te brezat e rinj dhe ta mbajmë të gjallë idealin për të cilin u sakrifikuan më të mirët tanë.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

Qoftë e lavdishme vepra e tyre!

Filed Under: Kronike

IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR

March 14, 2026 by s p

 Nga Frank Shkreli

Vendimi që Katedralja e Shkodrës të marrë më në fund pronësinë e saj të ligjshme mund të duket si një akt normal drejtësie. Por, në të vërtetë, ai zbulon një ironi të thellë dhe një hipokrizi që shoqëron historinë e marrëdhënies së shtetit shqiptar, jo vetëm me trashëgiminë fetare dhe kulturore të vendit, por edhe qendrimet aktuale të shtetit shqiptar për pronën.

Po çfarë ç po ndodh realisht? Një institucion fetar, që e ndërtoi vetë këtë tempull, që e ruajti me sakrifica dhe që e mbrojti me gjakun e martirëve të tij, sot trajtohet sikur Kishës Katolike në Shqipëri po i bëhet një “dhuratë” pronësie nga pushteti vendor, ndërsa shohim e dëgjojmë deklarata triumfale, sikur pushteti vendor po dhuron diçka nga xhepi i vet.  Kjo pasi shteti shqiptar, nën sundimin komunist e kishte zhdukur nga faqja e dheut, për pothuaj 50-vjetë, fenë dhe entet e tjera fetare. Në këtë rast duke e kthyer atë vend të shenjtë — Katedralën e Shkodrës — në sallë sportive, duke vrarë e burgosur klerikët e saj që, lirisht, mund të thuhet se ishin ajka e kulturës kombëtare dhe të gjuhës shqipe, por varret e të cilëve — nëqoftse eshtrat e tyre nuk i ka marrë Drini — as sot nuk dihet se ku janë. Një regjim, si asnjë tjetër në botë, me një vendim e ligj absurd, kishte shpallur Shqipërinë shteti i parë ateist në botë, kundër fesë dhe Zotit. Kështuqë, në vend që të pranohet një padrejtësi historike që i është bërë gjatë dekadave Kishës Katolike dhe enteve të tjera fetare në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë, duhej të kërkohej falje në emër të shtetit për krimet e komunizmit kundër klerit dhe Kishës. E drejtë dhe morale do të ishte që të pranoheshin krimet e regjimit komunist, të korigjohet me, përulësi, padrejtësia historike ndaj të gjitha enteve fetare në Shqipëri, në vend që përfaqësuesit politikë vendor të shtetit aktual në Shkodër dhe kudo tjetër të krijojnë përshtypjen sikur shteti po tregon bujari, duke “legjitimuar”, me letër “pronësie”, Katedralën e Shkodrës.

Unë po e quaj këtë veprim si ironik dhe hipokritik!  Sepse nuk e dijë nëse, këta zotërinj dhe zonja të pushtetit vendor në Shkodër dhe më gjërë janë ose jo të vetdijshëm se Katedralja e Shkodrës nuk është thjesht një ndërtesë guri e tullash. Ajo nuk është as një banesë private e buldozuar nga shteti, në Theth dhe asnjë një copë tokë në Rrjoll të Velipojës. 

Katedralja e Shkodrës ka qenë dhe mbetet një simbol i historisë së qytetit dhe i rezistencës shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve ndaj pushtuesve të huaj. Në atë altar janë lutur breza besimtarësh, ndërsa shumë nga bijtë e bijat e saj u persekutuan, u burgosën dhe u martirizuan gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Po ai shtet që dikur e grabiti pronën dhe e përdhosi fenë, sot paraqitet si arbitër që vendos, nëse duhet apo jo dhe kur t’ia kthejë atë prone, por që nuk duhej t’i ishte marrë kurrë. Kjo është hipokrizia, por mund të interpretohet edhe si kërcënim, njëkohsisht me mesazhin se unë si pushtet, dje të kam zhdukur klerikët dhe kam kthyer katedralën në sallë sporti, sot të njoh pronësinë mbi këtë ndërtesë, por kjo nuk do të thotë se nesër, unë si pushtet, nuk t’a heq prap këtë të drejtë, pronësie, nëse dhe kur të më teket!? 

Sepse, siç e kam thënë qindra herë, tashti e më shumë se tri dekada pas rënies së komunizmit zyrtar, Shqipëria ende nuk ka bërë, zyrtarisht, një përballje dhe distancim të ndershëm nga krimet dhe padrejtësitë e së kaluarës komuniste, as me kthimin e pronave private tek i zoti. Pronat e konfiskuara nga diktatura komuniste vazhdojnë të trajtohen si një problem administrativ dhe jo si një plagë morale e historisë kombëtare. Në këtë kuptim, rasti i Katedrales në Shkodër nuk është një përjashtim. Ai është vetëm një simbol i një mentaliteti arrogant pushtetor shqiptar nga i cili shoqëria shqiptare ende nuk është çliruar, seriozisht dhe zyrtarisht, e që është trashëgimia e shtetit grabitqar komunist dhe nga mentaliteti se partia e shteti janë mbi të gjitha. 

 Në vend që kthimi i pronës të shihet si një akt drejtësie historike, ai akt shpesh shoqërohet me retorikë politike, me fotografi ceremoniale, si në këtë rast, dhe me deklarata që ata, si pushtetarë, vendorë ose qendrorë meritojnë dhe kërkojnë t’u thurin lavdi, atyre dhe partisë, për diçka që është, në çdo shoqëri normale, thjesht, detyrim moral e ligjor dhe nuk është e tyre për tu “dhuruar”, as për t’u mohuar.  I nderuar lexues, ironia më e madhe e kësaj pune, është se në një vend ku drejtësia për pronën– pas 35-viteve — duhej të ishte një akt i natyrshëm, si në shumë vende të ish-komuniste të Evropës, në Shqipëri, ajo shitet si “sukses politik” i një individi ose  një partie në pushtet.

Jam i mendimit se nëse Shqipëria dëshiron, vërtetë, të ndërtojë një shtet të drejtë dhe të besueshëm vendor e qendror, ajo duhet të heqë dorë nga kjo hipokrizi ironike. Pronat e grabitura nga diktatura komuniste – qofshin ato të Kishës Katolike, të komuniteteve të tjera fetare, apo të qytetarëve të thjeshtë – nuk janë çështje favori, as merite askujt. Prona private është e drejtë ndërkombëtare e sanksionuar me konventa dhe marrveshje ndërkombëtare. Pronat janë çështje drejtësie. Dhe drejtësia nuk jepet me bujari.  Ajo rikthehet me përgjegjësi dhe pa bujë.

Rasti i Katedrales në Shkodër është vetëm një pasqyrë e kësaj tragjikomedie kombëtare. Dihet se mijëra prona të tjera të pronarëve legjitim, të konfiskuara nga diktatura komuniste në Shqipëri, mbeten ende të bllokuara në labirintet e burokracisë shqiptare, ndërsa politika vazhdon të kërkojë merita për çdo korigjim minimal të një padrejtësie të madhe historike, siç ishte dorëzimi i letrës së pronësisës Katedralës së Shkodrës, para disa ditësh. Një shtet serioz nuk kërkon duartrokitje kur ndalon së mbajturi një pronë të grabitur ilegalisht, si kjo. Në vend të kësaj, pushteti normal kërkon falje dhe e kthen pronën pa zhurmë, tek i zoti legjitim.  Derisa kjo të kuptohet seriozisht, nga klasa politike shqitare, çdo ceremoni për “dhënien bujare” të Katedrales ose ndonjë prone tjetër, do të mbetet ajo që në të vërtetë është: një akt simbolik që zbulon, jo bujarinë e pushtetit, por zbardhë rishtas ironinë dhe hipokrizinë e tij ndaj kthimit të pronave private tek i zoti, sidomos pronat e enteve fetare.

Frank Shkreli

Filed Under: Kronike

Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

March 12, 2026 by s p

Besnik Fishta

Filatelia nuk është vetëm një hobi koleksionistësh, por edhe një formë komunikimi kulturor dhe historik. Përmes pullave postare, shtetet shpesh përcjellin mesazhe identitare, historike dhe sociale që lidhen me vlerat e tyre më përfaqësuese. Një shembull domethënës i këtij komunikimi simbolik është emisioni postar i Postës Shqiptare i datës 25 prill 2022, kushtuar bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Në këtë emision, i cili shoqërohet me zarfin e ditës së parë (First Day Cover – FDC), me pullën postare dhe vulën përkatëse, përmes gjuhës vizuale të filatelisë paraqitet një nga tiparet më të rëndësishme të identitetit shqiptar, harmonia ndërfetare.

Ky material filatelik përbën një objekt me kuptim të fortë simbolik dhe kulturor. Ai mund të interpretohet në disa plane: vizual, historik, kulturor, fetar dhe politik. Në të gjitha këto dimensione, mesazhi kryesor mbetet i njëjtë, qe bashkëjetesa paqësore e komuniteteve fetare është një vlerë e rrënjosur në historinë dhe kulturën shqiptare.

Në planin vizual, zarfi FDC paraqet një peizazh urban të stilizuar, ku dallohen qartë simbolet kryesore të besimeve fetare në Shqipëri. Në kompozim shfaqen katër ndërtesa kulti: kishat katolike dhe ajo ortodokse, si edhe një xhami dhe një teqe bektashiane, të vendosura në të njëjtën panoramë qyteti. Kjo vendosje në të njëjtin horizont urban nuk është rastësore. Ajo përbën një metaforë të qartë vizuale për bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në shoqërinë shqiptare. Në vend që të paraqiten të ndara apo në kontrast me njëra-tjetrën, këto objekte arkitekturore shfaqen si pjesë e një hapësire të përbashkët urbane, duke krijuar një imazh simbolik të një qyteti ku komunitetet fetare jetojnë në paqe dhe respekt të ndërsjellë.

Edhe përdorimi i ngjyrave në kompozim ka rëndësi simbolike. Sfondi kalon gradualisht nga vjollca në rozë, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe harmonike. Kjo paletë ngjyrash përcjell një ndjenjë paqeje dhe stabiliteti, ndërsa yjet e vegjël në qiell i japin imazhit një dimension më hyjnor, duke sugjeruar se bashkëjetesa fetare është një vlerë që i përket jo vetëm Shqipërisë, por gjithë njerëzimit.

Një rol të rëndësishëm në realizimin artistik të këtij emisioni postar ka edhe autori i tij. Krijues i këtij dizajni është artisti shqiptar Xhoan Guga, i cili në vitet e fundit është dalluar për kontributin e tij në projektimin e disa emisioneve postare të Postës Shqiptare me nivel të lartë artistik dhe konceptual. Punimet e tij karakterizohen nga një gjuhë grafike e pastër, simbolikë e qartë dhe aftësi për të përcjellë mesazhe kulturore që vërehen qartë edhe në këtë emision kushtuar harmonisë fetare.

Për të kuptuar plotësisht domethënien e këtij emisioni postar, është e rëndësishme të merret parasysh edhe konteksti historik dhe kulturor i Shqipërisë. Shoqëria shqiptare është karakterizuar për shekuj nga pluralizmi fetar. Në territorin shqiptar kanë bashkëjetuar komunitete të ndryshme fetare, si myslimanët (sunitë dhe bektashinj), katolikët dhe ortodoksët. Ky pluralizëm është formuar gjatë periudhave të ndryshme historike, duke përfshirë periudhën bizantine, sundimin osman dhe periudhën e shtetit shqiptar modern.

                                    Ndertesat e kultit ne qytetin Shkoder

Në shumë qytete shqiptare, si Shkodra, Tirana, Berati apo Elbasani, është e zakonshme që kisha dhe xhamia të ndodhen pranë njëra-tjetrës. Këto elemente arkitekturore janë bërë pjesë e identitetit urban dhe kulturor të vendit. Për këtë arsye, peizazhi i paraqitur në zarfin FDC nuk i referohet një qyteti të vetëm konkret, por përfaqëson një sintezë të hapësirës urbane shqiptare. Ai përmbledh në mënyrë simbolike realitetin e shumë qyteteve të vendit ku komunitetet fetare jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe dhe respekt reciprok.

Dimensioni politik dhe identitar i këtij emisioni postar është gjithashtu i rëndësishëm. Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990, Shqipëria përjetoi një proces të thellë transformimi shoqëror dhe kulturor. Gjatë periudhës komuniste, feja ishte ndaluar dhe institucionet fetare ishin mbyllur. Pas rikthimit të lirisë fetare, shoqëria shqiptare u përpoq të rindërtonte traditën e saj pluraliste dhe tolerante. Në këtë kontekst, promovimi i harmonisë ndërfetare u bë një element i rëndësishëm i identitetit kombëtar dhe i imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Emisione postare si ky shërbejnë jo vetëm si objekte filatelike, por edhe si mjete komunikimi diplomatik dhe kulturor. Përmes tyre, shteti shqiptar përcjell një mesazh pozitiv për vlerat e tolerancës dhe dialogut ndërfetar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një botë ku konfliktet me bazë fetare kanë qenë shpesh burim tensioni dhe përçarjeje.

Edhe në planin fetar, kompozimi i pullës dhe zarfit paraqet një ekuilibër simbolesh. Kryqi përfaqëson traditën e krishterimit në Shqipëri, si në variantin katolik ashtu edhe në atë ortodoks. Gjysmëhëna, nga ana tjetër, simbolizon traditën islame. Vendosja e këtyre simboleve në të njëjtën hapësirë grafike përcjell një mesazh të qartë, fe të ndryshme mund të bashkëjetojnë në të njëjtën shoqëri pa konflikt dhe në respekt të ndërsjellë.

Pulla postare e këtij emisioni paraqet të njëjtin motiv grafik si zarfi. Në të shfaqet emërtimi i shtetit emetues, Shqipëria, si dhe ilustrimi i bashkëjetesës fetare. Në filateli, pulla të tilla konsiderohen tematike universale, sepse lidhen me koncepte si paqja, toleranca dhe dialogu ndërkulturor. Për këtë arsye, ato tërheqin interes jo vetëm të koleksionistëve shqiptarë, por edhe të filatelistëve ndërkombëtarë që koleksionojnë tema si religjioni, paqja apo kultura e bashkëjetesës.

Një element tjetër i rëndësishëm i këtij emisioni është vula e ditës së parë të qarkullimit. Vula përmban tekstin “Posta Shqiptare – 25.04.2022 – Bashkëjetesa Fetare në Shqipëri”. Në qendër të saj paraqiten sërish elementet arkitekturore nepermjet ndertesave te kulteve. Kjo vulë ka një funksion të dyfishtë. Së pari, ajo konfirmon datën zyrtare të hyrjes në qarkullim të pullës. Së dyti, përforcon simbolikisht temën e harmonisë ndërfetare që përshkon gjithë emisionin postar.

Nga këndvështrimi filatelik, ky zarf FDC ka një vlerë të veçantë. Ai përfaqëson një emision tematik modern të Postës Shqiptare dhe trajton një nga temat më karakteristike të identitetit shqiptar. Përtej dimensionit filatelik, ky emision postar mbart edhe një mesazh të rëndësishëm etik dhe shoqëror. Ai thekson rëndësinë e respektit për tjetrin dhe të bashkëjetesës paqësore mes komuniteteve të ndryshme fetare. Në një kohë kur shumë shoqëri përballen me tensione dhe konflikte identitare, shembulli shqiptar i tolerancës ndërfetare paraqitet si një model pozitiv.

Përfundimisht, ky emision filatelik nuk është vetëm një produkt i koleksionueshëm, por një dokument kulturor që dëshmon për traditën shqiptare të respektit dhe bashkëjetesës. Ai e ngre pullën postare nga një objekt i vogël praktik në një simbol të madh akademikisht të vlefshëm për studimin e tolerancës, identitetit dhe kohezionit shoqëror. Duke e parë në këtë dritë, pulla postare bëhet një mjet i vogël, por me ndikim të madh, për të kuptuar dhe promovuar vlerat universale të paqes dhe harmonisë.

Filed Under: Kronike

Mësuesit çamë, ata që u sakrifikuan me dashuri për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe

March 7, 2026 by s p

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”/

Sot, ne kujtojmë një ngjarje të rëndësishme për historinë tonë: hapjen e Mësonjëtores së Parë Kombëtare Shqipe në Korçë, më 7 mars 1887!

Në këtë përvjetor kujtojmë edhe figurat e shquara që bënë përpjekje të shumta për përhapjen e mësimit shqip dhe për çeljen e shkollave në gjuhën amtare në Çamëri.

Kështu, në vitet e fundit të shekullit të 19-të, atdhetari Rexhep Demi bashkërendoi punën me Sabri Prevezën, me synimin kryesor përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe në të gjithë Çamërinë.

Në Prevezë, Sheh Sabri Preveza, formoi shoqërinë “Dituria” dhe në teqën e tij çeli “shkollën” shqipe. Në Prevezë u kërkua me ngulm që mësimi i shqipes të futej, përveç idadijes, edhe në shkollat fillore turke. Të papërtuar në përhapjen vullnetarisht të mësimit të gjuhës amtare te fëmijët e të rriturit u treguan intelektualët atdhetarë Qamil Çami, Musa Demi e të tjerë. Atdhetarët shqiptarë shtruan detyrë përgatitjen e mësuesve të shqipes në shkollat pedagogjike, që u menduan të hapen në Margëlliç e Janinë. (Dr. Apostol Pango, Sarandë, 28.02.1999).

Në Filat, atdhetari Rexhep Demi mbante lidhje të dendura me klubet dhe shoqëritë shqiptare të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes, Janinës, Aleksandrisë etj, dhe menjëherë pas Hyrjetit (korrik 1908), formoi klubin “Vëllazëria”, duke mundësuar kështu që përmes klubit të përhapte aktivitetin e mësimit të gjuhës shqipe.

Ai edhe vet punoi si mësues në Konispol, Gjirokastër, Libohovë etj. Shkolla e parë në Filat u çel më 7 shtator 1908, ku mësues të parë ishin Qamil Izet Çami dhe Hamit Demi. Pas kësaj, deri më 1910 u çelën edhe disa shkolla tjera, në Luros, Mallakastër, Konispol, Ninat, Koskë, Janjar, Konicë, Mazarek, etj. Qamil Çami bëri përpjekje edhe për hapjen e një shkolle të mesme në Filat, për të përgatitë mësues për shkollat shqipe. Përveç mësimit të fëmijëve gjatë ditës në shkollë, mësuesit mbanin edhe kurse të natës, për të mësuar edhe të rriturit shkrim e lexim shqip. Me insistimin e aktivistëve dhe të popullit të Çamërisë, gjuha shqipe nisi të mësohej edhe në shkollat turke dhe në ato greke, ndonëse me fond të vogël orësh dhe e nënçmuar nga udhëheqësit e atyre shkollave. Një formë të mësimit të shkrim-leximit në gjuhën shqipe e ndihmuan edhe “mësuesit shetitës”. Shkollat shqipe (1908-1912) i ndihmuan me libra e financa klubet dhe shoqëritë atdhetare brënda e jashtë atdheut, ndërsa populli i lëshoi shtëpitë për shkolla.

Ndihmë të veçantë asokohe dha Dervish Hima, doktori Asaf Çami-Ajdonati po edhe shumë të tjerë. Rasih Dino mbante me financat e tij katër shkolla dhe paguante nga 350 grosh në muaj tre mësues “shetitës”, për t’ua mësuar njerëzve shkrim-këndimin, dhe kishte filluar ndërtimin e një godine shkollore në Filat. Rexhep Demi, në moshën 62 vjeçare kreu kurse për mësues. Dhe këta mësues e aktivistë, sa bënin luftë për gjuhën, poaq bënin për alfabetin latin, pasiqë xhonturqit ua impononin alfabetin arab, ndërsa kisha greke alfabetin grek.

Pra, gjatë viteve 1908-1912, ashtu si në krahinat e tjera, mësimi i shqipes në Çamëri mori përhapje edhe jashtë dyerve të shkollave shqipe. Sali Filati (Çeka) shkruante kështu: “Çamëria sot mori një lëvizje përparimi. Ky çip i vjetër i Shqipërisë ngreh gjerdhet nga kopështrat e diturisë dhe sheh bilbilët, lulet, fatbardhësinë e qytetërimit”. (Gazeta “Korça”, nr. 9, 20.05.1910).

Por ai proces, ai aktivitet dhe ai enthusiazëm i popullit të Çamërisë e gjithë Shqipërisë për mësimin e gjuhës dhe për shkollën shqipe, u ndërpre me shpërthimin e kryengritjeve të armatosura për çlirimin e vendit dhe me Luftën Ballkanike, me ndarjen e Çamërisë nga Shqipëria, të cilën Konferenca e Londrës (1913) ia dha Greqisë, e cila jo se nuk lejoi shkolla shqipe, por bëri terror mbi popullsinë myslimane të Çamërisë, duke i detyruar të shpërngulën për në Turqi, Shqipëri e deri në Amerikë, ndërsa shqiptarët e krishterë duke i asimiluar në grekë.

Megjithatë, kudo që i çuan valët e jetës, në zemrat e tyre mbeti kurdoherë e gjallë dhe pashuar dashuria për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe.

Filed Under: Kronike

Hapet shkolla shqipe “7 Marsi” në Calcinato, Brescia të Italisë

March 2, 2026 by s p

Lidhja e shkollave shqipe në Itali/

Me 28.02.2026, në një mjedis të vënë në dispozicion nga imprendtorët Cekrezi, u rihap Shkolla Shqipe “7 Marsi” në Calcinato, Brescia.

Falënderojmë prindërit e nxënësit që iu bashkuan këtij projekti të mbështetur nga Shoqata Alba dhe Centro Culturale ODA.

Përgëzojmë mësueset Landa Gjoni e Xhuliiana Bardhi për angazhimet e tyre.

Falënderojmë zonjën Luljeta Cobanaj, e cila, me interesimin direkt të saj, siguroi tekstet mësimore në kohë rekord, të cilat i solli Ardit Aliaj!

Falënderojmë për aktivizimin dhe ngulmimin e aktivistit Petrit Aliaj, i cili ndoqi dhe punoi çdo hap për realizimin e këtij projekti të bukur.

Diçka vërtet i bukur mbetet fakti që nga Parma erdhi të na nderojë në ceremoninë e rifillimit të mësimit, Presidentja e Lidhjes së Shkollave shqipe në Itali, prof. Anila Berberi!

Akoma më i mirë është lajmi, sepse u regjishtruan 24 nxënës. Kjo na vë para një përgjegjësie që t’i përgjigjemi misionit tonë më me përkushtim e më me profesionalizëm!

Oggi 28.02.2026, in uno spazio messo a disposizione dagli imprenditori Cekrezi, è stata riaperta la Scuola Albanese “7 Marsi” a Calcinato, Brescia.

Ringraziamo i genitori degli alunni che si sono uniti a questo progetto, sostenuto dall’Associazione Alba e dal Centro Culturale ODA.

Ci congratuliamo con le insegnanti Landa Gjoni e Xhuliiana Bardhi per il loro impegno.

Ringraziamo la signora Luljeta Cobanaj, che grazie al suo diretto interessamento ha assicurato in tempi record i testi scolastici, consegnati da Ardit Aliaj.

Ringraziamo per l’attivazione e la determinazione dell’attivista Petrit Aliaj, che ha seguito e lavorato su ogni fase per la realizzazione di questo bel progetto.

Un fatto davvero significativo è che da Parma è venuta a onorarci con la sua presenza alla cerimonia di ripresa delle lezioni la Presidente della Lega delle Scuole Albanesi in Italia, prof.ssa Anila Berberi.

La notizia è ancora migliore perché sono stati iscritti 24 alunni. Questo ci pone di fronte alla responsabilità di rispondere alla nostra missione con ancora maggiore dedizione e professionalità!

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT