• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HAFIZ SABRI KOÇI – NJË KUJTESË QË SFIDOI DIKTATURËN, NJË TEST PËR NDËRGJEGJEN MORALE E POLITIKE TË SHQIPTARËVE SOT

February 27, 2026 by s p

Me rastin e muajit të Ramazanit

Nga Frank Shkreli

                                                                           Hafiz Sabri Koçi (1921–2004)

                                                                                      Atdhetar dhe fetar

 Hafiz Sabri Koçi ishte një nga figurat më të rëndësishme të Islamit në Shqipëri gjatë shekullit XX dhe periudhës së tranzicionit pas komunizmit. Të ndjerin e kisha takuar në Tiranë në Mars të vitit 1991 në vizitën e parë të delegacionit të Deparatmentit Amerikan të Shtetit, në Shqipërinë ende të sunduar nga regjimi komunist. Me atë rast, përveç aktiviteteve të tjera, delegacioni pat organizuar një pritje modeste në hotel Dajti për nja 100 zrytarë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, disa amerikanë dhe diplomatë të huaj të akredituar në kryeqytetin shqiptar të ftuar nga përfaqësia e parë diplomatike amerikane në Shqipëri, në pothuaj një gjysëm shekulli. Në atë pritje delegacioni kishte vendosur të ftonte edhe përfaqësues të feve dhe tjerë të shoqërisë shqiptare, të posa liruar nga burgjet e komunizmit: Hafiz Sabri Koçin, kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas rënies së komunizmit dhe At Simon Jubanin, (1927–2014), Nga Frank Shkreli/ Apostulli i Lirisë Fetare Dom Simon Jubani: Protagonisti i një epoke të re në Shqipëri dhe vizita e tij në Amerikë në maj të vitit 1991 | Gazeta Telegraf — prifti katolik që mbijetoi 26 vjet burg e internim — dhe i cili kishte celebruar meshën e parë në Shkodër me 4 nëntor të vitit 1990, pas 23 vitesh të ndalimit brutal të fesë nga regjimi komunist. Mesha publike e Dom Simon Jubanit u konsideruar në atë kohë si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj shpalljes së Shqipërisë si “shteti i parë ateist në botë”, dekada më parë.  Në mungesë të një kleriku ortodoks, i ftuar ishte edhe një përfaqësues civil i Kishës Ortodokse Shqiptare.  

Megjithse ai rast nuk ishte koha as mundësia të bisedoja pak më gjatë me këto dy figura të mëdha të fesë e Kombit Dom Jubani dhe Hafiz Sabri Koçin përveç përshëndetjeve të rastit – por i kujtoj si dy individë të vuajtur por të vendosur në parimet e tyre të fesë në Zotin dhe në dinjitetin dhe lirinë njerëzore – dhe si dy protagonistë fetarë, simbole të fillimit të një epoke të re.  Kësaj radhe do përqendrohem pak – duke përkujtuar — në shënjë nderimi dhe respekti, njëkohsisht, dhe me rastin e këtij muaji të Ramazanit, Hafiz Sabri Koçin, ish-Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (1991–2004).  Pas rënies së regjimit komunist, ai udhëhoqi ringritjen institucionale dhe shpirtërore të besimit islam në vend.  I burgosur politik (1966–1986) – kaloi rreth 20 vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxha për shkak të besimit dhe veprimtarisë fetare. Ai luajti rol kyç në rihapjen e xhamive, në organizimin e jetës fetare dhe rikthimin e edukimit islam pas ndalimit brutal të fesë në vitin 1967.  Sipas atyre që e kanë njohur, Hafiz Sabri Koçi është dalluar për qëndrimet e tija të moderuara, për dialog ndërfetar dhe për ruajtjen e harmonisë tradicionale fetare ndër shqiptarët.  Si i tillë, megjithse në amshim, ai vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite, një prej simboleve të qëndresës fetare, i faljes dhe i bashkëjetesës ndërfetare, ndër shqiptarët.  Ai ka kontribuar që, pas shembjes së komunizmit zyrtar antifetar, Islami shqiptar të riorganizohej mbi baza kombëtare dhe larg ndikimeve radikale. Si i tillë, figura e Hafiz Sabri Koçi zë një vend të veçantë në historinë moderne shqiptare. Ai nuk ishte thjesht një klerik mysliman; ai ishte edhe simbol i qëndresës shpirtërore përballë një prej periudhave më të errëta të shtetit shqiptar.  

Siç dihet, Shqipëria jonë e pësoi si asnjë shtet e komb tjetër në botë komunizmit anti-Zot, kur regjimi i Enver Hoxha kishte shpallur Shqipërinë shtet ateist në vitin 1967. Dhe si rrjedhim regjimi tij barbar mbylli çdo institucion fetar, shumë klerikë u burgosën, u internuan ose u detyruan të heshtin. Hafiz Sabri Koçi kaloi afro dy dekada në burgjet komuniste. Si shumë të tjerë si ai –sy pa trembur, as përball vuajtjeve e burgjeve, punës së detyruar dhe persekutimeve komuniste, ai me shokë klerikë të feve të tjera, nuk hoqën kurrë dorë nga besimi, por as nga dashuria për Kombin e vet, pa dallim. 

Pas rënies së komunizmit zyrtar, ai mori drejtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në një kohë kur institucionet fetare ishin të shkatërruara, ndërsa  shoqëria shqiptare ishte e çoroditur, shpirtërisht, por jo vetëm. Sabri Koçi me urtësi dhe maturi, udhëhoqi rihapjen e xhamive, edukimin e brezit të ri të imamëve dhe rikthimin e jetës fetare në normalitetin e traditës shqiptare.  Por ndoshta merita më e madhe e tij ishte dhe mbetet se ai punoi për ta ruajtur Islamin shqiptar në traditën e tij të moderuar, kombëtare dhe harmonike me besimet e tjera dhe me shioqërinë në përgjithsi. Në një kohë kur Ballkani po përjetonte tensione të forta fetare, politike e etnike, ai zgjodhi rrugën e dialogut dhe të bashkëjetesës midis shqiptarëve të feve të ndryshme, ashtu sipas traditës.  Pas vitit 1990, kur shumë ndikime të jashtme — jo të natyrshme për bashkjetësën fetare të shqiptarëve —  kërkonin të mbushnin vakumin shpirtëror të lënë nga diktatura komuniste, Hafiz Sabri Koçi zgjodhi rrugën e traditës shqiptare: duke predikuar një Islam kombëtar, të moderuar, të lidhur ngusht dhe historikisht, me kulturën dhe me bashkëjetesën shqiptare. Ai e kuptonte se feja pa atdhe bëhet instrument, ndërsa feja me përgjegjësi kombëtare, bëhet mburojë ndaj infleuncve të huaja.  Duke lënë kështu një trashëgimi fetare, morale dhe kombëtare, por jo vetëm. Duke na kujtuar të gjithëve, se ndryshe nga propaganda komuniste anti-fetare e Enver Hoxhës dikur, feja kur lidhet me atdhedashurinë dhe me përgjegjësinë morale, bëhet faktor stabiliteti dhe jo përçarjeje, midis shqiptarëve. Hafiz Sabri Koçi, sipas atyre që e njihnin mirë, nuk e përdori kurrë fenë për përfitime personale, as politiko-fetare. Përkundrazi, ai e mbrojti pavarësinë e institucionit fetar nga instrumentalizimi.  Prandaj, sot, si i tillë, në këtë muaj të Ramazanit, 2026, kur Shqipëria përballet me sfida identitare, emigracion masiv, korrupcion dhe polarizim politik, modeli i tij i maturisë dhe i përkushtimit ndaj harmonisë ndërfetare dhe vlerave kombëtare –mbetet shembullor dhe aktual.   Prandaj, Hafiz Sabri Koçi ishte më shumë se vetëm udhëheqës fetar. Ai ishte një ndër ata klerikët e vuajtur — nepër burgje e kampe përqendrimi, të vrarë e të persekutuar — të feve shqiptare nën diktaturën komuniste enveriste, katolikë, bektashinjë msyslimanë e ortodoksë — simbole ndërgjegjeje morale të një shoqërie që po kërkonte dhe gjithnjë kërkon të ringrihet moralisht, mbi plagët e diktaturës antifetare hoxhiste – madje edhe 35-vjet pas shembjes zyrtare të komunizmit.

Vet Hafiz Sabri Koçi vuajti afër njëzet vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxha – jo për pushtet, jo për para, por sepse refuzoi të hiqte dorë nga besimi dhe dinjiteti i tij. Ndërsa shumë ish-persekutorë të regjimit komunistë që dënuan klerikët me vrasje e burg, u ricikluan në të ashtuquajturën, “demokracinë” e sotëme. Çfarë hipokrizie kombëtare! Persekutorët komunistë edhe sot vazhdojnë në detyra të larta të “drejtësisë” së re.  Shumë oportunistë të tillë – të mbështetur nga politika e tranzicionit, mjaft prej tyre edhe ata me rrënjë të thella politike dhe akademike në ish-regjimin e Enver Hoxhës, sot janë vet- shpallur “pro-evropianë” e “pro-amerikanë”. Brenda natës u kthyen nga persekutorë komunistë në prokurorë të drejtësisë së re. Shumë prej këtyre “moralistëve” të rremë predikojnë tolerancë, “drejtësi e demokraci” nga komoditeti i studiove televizive oe nga sallat e gjykatave. Por, Hafiz Sabri Koçi – si shumë klerikë të tjerë shqiptarë, katolikë, myslimanë, ortodoks bektashinjë —  në burg dhe jasht burgut – mbeti ai që ishte: një njeri që pagoi me liri personale për të drejtën për të besuar në Zotin.

Quaje ironi, në daç hipokrizi,ose të dyja. Fakti i realitetit politik shqiptar është i hidhur: përfaqsuesit politikë të pozitës dhe opozitës të këtij shteti shqiptar që kemi sot në “demokraci”, e që dikur e burgosi për besimin e tij Hafiz Sabri Koçit dhe shumë bashkvëllezër të tij fetarë, sot krenohet nepër botë duke marrë kredinë për harmoninë ndërfetare ndër shqiptarët. Harmoninë që mbijetoi falë njerëzve si ai, jo kësaj klasës politike aktuale, as falë ideologjisë shtetërore antifetare komuniste gjysëm shekullore në të cilën shumë prej këtyre politikanëve ende mbeten të brumosur në të. Vërtetë, meritë e kujt është bashkjetesa fetare në Shqipëri?!

Sabri Koçi me shokë kërkon drejtësi historike!  E kam thënë shpesh gjatë dekadave të fundit se Shqipëria “post-komuniste”, u ka borxh këtyre përfaqsuesve të përsekutuar të Kombit – të gjallë e të vrarë nga regjimi komunist — një rivlerësim serioz historik të rolit të tyre në mbijetesën shpirtërore të Kombit gjatë komunizmit dhe në ringritjen morale të kësaj mbijetese fetare sot ndër shqiptarët.  Por politika shqiptare në “demokraci”, e ka treguar se nuk ka guximin as vullnetin që të flasë, seriozisht, për krimet e së kaluarës komuniste në përgjithësi, ndërkohë që refuzon një përballje të thellë me persekutimin fetar nën regjimin komunist në atë vend dhe me krimet e komunizmit në përgjithsi. Ende mungon një ndjesë e plotë morale dhe institucionale për atë që ka ndodhur. Një “harresë” e mirë organizuar nga politika dhe nga academia.

Nëse Shqipëria, si shtet dhe si komb — dëshiron të ndërtojë një të ardhëme me dinjitet, duhet të përballet ndershmërisht, me të kaluarën e saj të hidhur – dhe të pranojë se ndërgjegjja morale e atij tranzicioni nuk erdhi nga politika, por nga shqiptarë, kundërshtarë të komunizmit, si Hafiz Sabri Koçi. Dhe nëse sot ka stabilitet dhe bashkjetesë fetare në Shqipëri, kjo është meritë e tij dhe shumë të tjerëve si ai. Për këtë meritë,  ata nuk kërkojnë lavdërime boshe, por do donin një klasë politike dhe një shoqëri që e kupton se liria as demokracia nuk janë dhuratë – por janë një  trashëgimi e paguar me sakrifica –e që historia duhet ta njoh, për ndryshe, ajo shoqëri rrezikon të humbasë busullën morale, por jo vetëm.

Frank Shkreli

                    Takimi me Papa Gjon Palin e II-të, Shqipëri, 1993

                               Foto e rrallë — Nenë Tereza në vitin 1990, ishte takuar me Myftiun e Madh të Shqipërisë, Hafiz Sabri Koçi, njoftone gazeta zvicerane (Canton27.ch)

Filed Under: Kronike

Gazeta “Shqiptari i Italisë”

February 24, 2026 by s p

Prof. Selam Sulejmani/

Gazeta “L’albanese d’Italia” (Shqiptari i Italisë), doli për herë të parë më 23 shkurt 1848 dhe përbën një nga gurët themelorë të shtypit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo u drejtua nga figura e shquar arbëreshe Jeronim De Rada, poet, publicist dhe ideolog i çështjes kombëtare shqiptare.

Roli dhe rëndësia

Kjo gazetë kishte për qëllim:

-Mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve;

-Paraqitjen e fakteve historike për identitetin dhe autoktoninë shqiptare;

-Informimin e opinionit italian dhe evropian mbi çështjen shqiptare;

-Forcimin e ndërgjegjes kombëtare tek arbëreshët dhe shqiptarët në trojet etnike.

-Nëpërmjet artikujve me argumente historike, gjuhësore dhe kulturore, gazeta u bë një tribunë e rëndësishme politike dhe kulturore gjatë periudhës së Rilindjes.

Konteksti historik

Shtypi arbëresh lindi si nevojë jetike për ruajtjen e identitetit kombëtar të komuniteteve shqiptare të vendosura në Itali që nga shekulli XV, veçanërisht pas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Emigrimi masiv i shqiptarëve drejt Italisë solli krijimin e një diasporë të organizuar, e cila ruajti gjuhën, zakonet dhe traditat përmes shkollave, kishave dhe më vonë – përmes shtypit.

Ndikimi në Rilindjen Kombëtare

“L’albanese d’Italia” kontribuoi në:

-Konsolidimin e mendimit politik shqiptar;

-Lidhjen e çështjes shqiptare me lëvizjet kombëtare evropiane të vitit 1848;

-Përhapjen e ideve për arsimimin në gjuhën shqipe;

-Krijimin e një platforme intelektuale për bashkimin kombëtar.

Kjo gazetë mbetet një dëshmi e hershme e angazhimit të diasporës arbëreshe në shërbim të çështjes shqiptare dhe një kapitull i rëndësishëm në historinë e shtypit shqiptar.

Filed Under: Kronike

INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

February 23, 2026 by s p

Evolucioni i praktikës politike ndër vite dëshmon se ndërmjet normës deklarative dhe garancisë juridike ka ekzistuar një hendek i rrezikshëm. Për rrjedhojë, Marrëveshje e Majit e vitit 2007, e cila sanksiononte parimin që subjekti shqiptar fitues në kampusin shqiptar duhet të ishte pjesë e ekzekutivit. Në aspektin juridik, kjo marrëveshje mbeti në nivelin e një zotimi politik pa përkthim në normë të detyrueshme ligjore. Ky fakt përbën një nga dobësitë më të mëdha strategjike të subjekteve shqiptare, të cilat nuk arritën ta institucionalizojnë këtë parim në ligjin zgjedhor ose në një dispozitë kushtetuese të pakthyeshme.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001 përbën një nga aktet më domethënëse të inxhinierisë kushtetuese në Ballkanin post-konfliktual, jo vetëm si instrument për ndërprerjen e një përplasjeje të armatosur, por si projekt gjithëpërfshirës për rikonceptimin e natyrës së shtetit unitar në Maqedonia e Veriut. Ajo shënoi një kthesë paradigmatike nga një model i centralizuar mazhoritar drejt një rendi me elemente të demokracisë konsensuale dhe bashkëqeverisjes ndëretnike, duke ruajtur integritetin institucional të shtetit, por duke e ristrukturuar atë përmes mekanizmave të ndarjes së pushtetit, përfaqësimit të garantuar dhe balancave ndëretnike. Në këtë kuptim, Marrëveshja e Ohrit institucionalizoi barazinë politike të shqiptarëve jo si akt tolerimi apo koncesion të përkohshëm, por si komponent strukturor të shtetformësisë së përbashkët, duke e njohur komunitetin shqiptar si faktor të pazëvendësueshëm në ndërtimin, legjitimitetin dhe funksionimin e rendit kushtetues.

Megjithatë, evolucioni i praktikës politike ndër vite dëshmon se ndërmjet normës deklarative dhe garancisë juridike ka ekzistuar një hendek i rrezikshëm. Degradimi i frymës së Marrëveshjes nuk ka ardhur përmes anulimit formal të saj, por përmes relativizimit gradual të një prej parimeve të saj më të rëndësishme: përfaqësimit legjitim të shqiptarëve në ekzekutiv si reflektim i vullnetit elektoral në kampusin politik shqiptar. Pikërisht mungesa e kodifikimit të këtij parimi në formë të detyrueshme juridike ka krijuar hapësirë për interpretim selektiv dhe për manipulim politik të balancave ndëretnike.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2006 përbëjnë pikënisjen e kësaj dinamike. Vendimi i liderit të atëhershëm të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, për të mos përfshirë në qeveri subjektin shqiptar që kishte fituar shumicën e votave në kampusin shqiptar, nuk ishte thjesht një akt taktik koalicioni. Ai përfaqësonte një zhvendosje paradigmatike nga logjika e bashkëqeverisjes konsensuale drejt një koncepti më fleksibël, ku përfaqësimi i shqiptarëve mund të trajtohej si çështje negociate dhe jo si parim i detyrueshëm politik. Edhe pse nuk ekzistonte një dispozitë e qartë ligjore që ta ndalonte këtë veprim, në planin material ai cenonte frymën e arkitekturës së re shtetërore të ndërtuar pas vitit 2001.

Presioni i fortë i bashkësisë ndërkombëtare çoi në arritjen e të ashtuquajturës Marrëveshje e Majit në vitin 2007, e cila sanksiononte parimin që subjekti shqiptar fitues në kampusin shqiptar duhet të ishte pjesë e ekzekutivit. Në aspektin politik, kjo ishte një përpjekje për të rikthyer ekuilibrin e cenuar dhe për të ruajtur stabilitetin ndëretnik. Por në aspektin juridik, kjo marrëveshje mbeti në nivelin e një zotimi politik pa përkthim në normë të detyrueshme ligjore. Ky fakt përbën një nga dobësitë më të mëdha strategjike të subjekteve shqiptare, të cilat nuk arritën ta institucionalizojnë këtë parim në ligjin zgjedhor ose në një dispozitë kushtetuese të pakthyeshme.

Si rrjedhojë, ai mbeti i varur nga vullneti i shumicës maqedone dhe nga konfigurimet e ardhshme politike.

Kriza politike e viteve 2016–2017 e thelloi këtë problematikë. Në një kontekst tensioni të lartë institucional dhe nën presion të faktorit ndërkombëtar për stabilizim dhe integrim euro-atlantik, subjekti shqiptar me më shumë vota pranoi të hyjë në ekzekutiv në rrethana që relativizonin parimin e përfaqësimit legjitim. Ky veprim u arsyetua si zgjedhje pragmatike për të shmangur vakuumin institucional, por në planin afatgjatë ai krijoi një precedent të ri: parimi i fituesit shqiptar mund të anashkalohej nëse rrethanat politike e impononin një zgjidhje tjetër. Në këtë mënyrë, norma politike u zhvesh nga karakteri i saj themelor dhe u shndërrua në instrument fleksibël.

Zhvillimet pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024 e konsoliduan këtë precedent. VMRO-DPMNE, si forcë fituese në kampusin maqedon, e anashkaloi përfundimisht parimin e përfshirjes automatike të fituesit shqiptar në ekzekutiv. Kjo nuk përbënte më devijim të përkohshëm, por institucionalizim të një praktike që kishte filluar të normalizohej ndër vite. Mungesa e bazës ligjore për Marrëveshjen e Majit bëri që ajo të shpërbëhej pa pasoja juridike, duke e zhvendosur çështjen nga sfera e obligimit në atë të kalkulimit politik.

Nga perspektiva e teorisë kushtetuese dhe e modeleve të demokracisë konsensuale, një shtet multietnik nuk mund të mbështetet vetëm në marrëveshje politike të paformalizuara. Stabiliteti i tij kërkon mekanizma të pakthyeshëm që garantojnë pjesëmarrjen e komuniteteve konstituive në vendimmarrje. Shtetformësia shqiptare, në këtë kuptim, nuk është nocion simbolik apo retorik, por përkthehet në fuqi reale në ekzekutiv dhe në ndikim institucional në të gjitha nivelet e qeverisjes. Në mungesë të një garancie ligjore që fituesi në kampusin shqiptar të jetë pjesë përbërëse e ekzekutivit, barazia politike mbetet e brishtë dhe e cenueshme nga ciklet elektorale.

Rikthimi i ekuilibrit kërkon një ndërhyrje të qartë normative. Subjektet politike shqiptare, nëse synojnë të rikthejnë pozitën e tyre shtetformuese, duhet të artikulojnë si prioritet strategjik miratimin e një dispozite të qartë dhe të pakthyeshme në ligjin zgjedhor ose në rendin kushtetues, që garanton përfaqësimin e fituesit shqiptar në ekzekutiv. Një mekanizëm i tillë do të eliminonte ambiguitetin politik, do të forconte legjitimitetin institucional dhe do ta kthente barazinë nga koncept i negociueshëm në normë të detyrueshme.

Nëse Marrëveshja e Ohrit ishte themeli i një shteti të përbashkët, atëherë garancia e shtetformësisë reale të shqiptarëve është kushti për mbijetesën e këtij themeli. Pa këtë garanci, rreziku i degradimit institucional do të thellohet dhe debati publik do të zhvendoset drejt alternativave të tjera të rregullimit shtetëror. Përkundrazi, nëse barazia përkthehet në normë juridike të pakthyeshme, procesi i avancimit kushtetues do të zhvillohet natyrshëm, duke konsoliduar një model shteti që e ndërton stabilitetin mbi përfshirjen dhe jo mbi përjashtimin. Një shtet i qëndrueshëm nuk e sheh barazinë si kërcënim, por si kusht themelor të ekzistencës së tij.

Filed Under: Kronike

Drejtësi pa barazi: Pse Dhomat e Specializuara e kanë humbur legjitimitetin?!

February 16, 2026 by s p

Nga: Ramiz TAFILAJ

Hjuston Teksas SHBA, 16 janar 2026/

Në Hagë sot nuk po zhvillohet thjesht një proces gjyqësor. Po zhvillohet një betejë për narrativën e luftës së Kosovës. Në bankën e të akuzuarve nuk janë vetëm katër individë – është vetë legjitimiteti i rezistencës shqiptare kundër një regjimi që përdori represionin, dëbimin masiv dhe krimin sistematik si mjete politike. Për shumë qytetarë të Kosovës, kjo nuk është më çështje e fajësisë apo pafajësisë individuale. Është çështje e drejtësisë selektive. Është çështje e barazisë përballë ligjit. Dhe është çështje e dinjitetit kombëtar.

Le ta themi hapur: sot në Dhomat e Specializuara po gjykohen vetëm ish-udhëheqës shqiptarë të luftës. Nuk ka një mekanizëm të ngjashëm të dedikuar për strukturat shtetërore serbe që operuan në Kosovë. Nuk ka një gjykatë të posaçme për zinxhirin komandues që zbatonte politika të spastrimit etnik.

Po, individë serbë janë gjykuar në procese të tjera ndërkombëtare. Por këtu është thelbi i kritikës: për Kosovën u krijua një mekanizëm i veçantë, i personalizuar, i ndërtuar ekskluzivisht për të hetuar dhe ndjekur penalisht vetëm njërën palë të konfliktit.

A ishte lufta në Kosovë konflikt mes dy palëve të barabarta? Apo ishte përballje mes një aparati shtetëror të organizuar dhe një popullsie që kërkonte mbijetesë?

Nëse forcat serbe përdorën zhvendosjen masive, terrorin dhe vrasjet sistematike si mjet presioni politik, pse sot nuk ekziston një strukturë e njëjtë, me të njëjtën energji dhe përkushtim, për të hetuar përgjegjësinë shtetërore serbe?

Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë e shohin procesin në Hagë si thellësisht të njëanshëm.

Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e raportit të paraqitur nga Dick Marty, raport që tronditi opinionin publik me akuza për trafikim organesh dhe krim të organizuar në nivelet më të larta të UÇK-së.

Por sot, në aktakuzat konkrete, akuza për trafikim organesh nuk qëndron.

Mekanizmi u ngrit mbi një narrativë të caktuar, ndërsa gjykimi po zhvillohet mbi një tjetër bazë.

Kjo ngre një pyetje legjitime: nëse themeli moral dhe politik i krijimit të kësaj gjykate ishte raporti i Marty-t, dhe nëse akuzat kryesore të atij raporti nuk janë pjesë e aktakuzës aktuale, mbi çfarë qëndron sot legjitimiteti i këtij mekanizmi?

Më tej, një pjesë e madhe e materialeve që përmenden në debat publik thuhet se burojnë nga arkiva dhe struktura serbe – nga i njëjti aparat shtetëror që ishte palë në konflikt. Edhe nëse juridikisht çdo provë duhet shqyrtuar, politikisht kjo krijon një hije të rëndë: a po gjykohen shqiptarët mbi dokumente të hartuara nga kundërshtari i tyre në luftë? Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një paradoks të rrezikshëm: makineria shtetërore që dikur akuzohej për represion, sot shihet si burim materiali për ndërtimin e aktakuzave.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës. Ato u themeluan me ndryshime kushtetuese. Pra, juridikisht janë gjykatë e Kosovës.

Por pse në sallat e gjyqit nuk qëndron stema e Republikës së Kosovës? Pse dokumentet shpesh nuk reflektojnë qartë identitetin institucional të shtetit që i ka themeluar? Pse qytetari i Kosovës, kur sheh pamjet nga Hagë, nuk e ndien se kjo është gjykata e vendit të tij?

Një gjykatë që buron nga Kushtetuta e Kosovës, por që nuk mban simbolet e saj, krijon përshtypjen e një strukture të shkëputur nga sovraniteti që pretendon ta përfaqësojë. Simbolet shtetërore nuk janë dekor – ato janë shenjë autoriteti dhe përgjegjësie.

Nëse kjo është gjykatë e Kosovës, ajo duhet ta mbajë identitetin e saj pa ekuivok.

Një nga pikat më të debatueshme është ekzistenca e një zyre ndërlidhëse në Beograd. Një gjykatë që juridikisht është e Kosovës, që operon në Hagë, por që ka përfaqësi në kryeqytetin e shtetit me të cilin Kosova ka qenë në luftë.

Argumenti formal është bashkëpunimi për prova. Por simbolika politike është e fortë dhe e pakëndshme. Për shumë qytetarë, kjo duket si një përmbysje logjike: një mekanizëm që duhet të forcojë sovranitetin e Kosovës, funksionon edhe brenda territorit të shtetit që mohon atë sovranitet.

Kjo nuk është vetëm çështje teknike. Është çështje perceptimi, besimi dhe dinjiteti institucional.

Në këtë proces po gjykohen figura që për shumë shqiptarë simbolizojnë rezistencën: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin – ky është parim universal. Por asnjë proces nuk duhet të jetë mbi dyshimin publik. Kur paraburgimi zgjat me vite, kur aktakuzat ndryshojnë në thelb nga narrativa fillestare, kur gjykata perceptohet si e njëanshme, atëherë lind pyetja: a kemi të bëjmë me drejtësi apo me menaxhim politik të historisë?

Legjitimiteti nuk buron vetëm nga vota e parlamentit. Ai buron nga besimi i qytetarëve. Dhe sot, për një pjesë të madhe të shoqërisë në Kosovë, ky besim është i thyer.

Kur një gjykatë krijohet nën presion ndërkombëtar, kur operon jashtë territorit të vendit, kur nuk mban simbolet e shtetit që e ka themeluar, kur ka përfaqësi në Beograd dhe kur gjykon vetëm një palë të konfliktit – atëherë kritika nuk është vetëm emocionale. Ajo është politike, morale dhe juridike.

Si autor i këtij teksti, e them qartë: Dhomat e Specializuara, në këtë formë dhe në këtë mënyrë funksionimi, e kanë humbur legjitimitetin moral në sytë e një pjese të madhe të qytetarëve të Kosovës. Një mekanizëm që nuk bind popullin për paanshmërinë e tij, nuk mund të shërbejë si themel i drejtësisë.

Nëse procesi vazhdon të perceptohet si selektiv dhe i ndërtuar mbi balanca politike, atëherë ai nuk e forcon shtetin e Kosovës – e dobëson atë.

Nëse nuk provohet fajësia me standarde të pakontestueshme dhe të barabarta, atëherë lirimi i të akuzuarve duhet të jetë i plotë dhe i qartë. Jo si kompromis politik, por si akt drejtësie.

Kosova nuk kërkon imunitet për askënd. Por nuk mund të pranojë një drejtësi që duket e njëanshme. Sepse drejtësia selektive nuk është drejtësi – është padrejtësi me vulë zyrtare.

Dhe një padrejtësi e tillë, sado e sofistikuar, nuk mund të mbijetojë përgjithmonë përballë së vërtetës dhe ndërgjegjes së një populli.

Filed Under: Kronike

Pesëdhjetë vjetori i Operës Zgjimi – 15 Shkurt 1976 – 2026

February 15, 2026 by s p

Julika Prifti/

Në 15 shkurt 1976, në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë u dha premiera e operas “Zgjimi”. Qysh në fëmijëri, mua më pëlqente të shkoja në Teatrin e Operas dhe Baletit. Ajo pjesë e Pallatit të Kulturës, me shkallët e gjera dhe kolonat e larta prej mermeri në gjithë anën ballore, me dritare të mëdha prej xhami, si asnjë ndërtesë tjetër në Shqipëri, kishte diçka solemne e madhështore që të bënte të ndiheshe sikur po hyje në një tempull të shenjtë arti. Më vonë e mendoja veten sikur po hyja në La Scala apo në Operën e Parisit a vende të tjera që i kisha parë vetëm në kartolina apo revista të huaja.

Aty ku kisha parë shfaqje opere e balete si dhe transmetimet e Festivaleve të Këngës në Radiotelevizion, natën e 15 shkurtit, do të shihja një vepër të lidhur drejtpërdrejt me krijimtarinë e babait. Do ketë qenë një përjetim i veçantë edhe për atë, si autori i dramës Mulliri i Kostë Bardhit, që kishte frymëzuar libretin e operës, ndonëse, si pjesë teatrale, ishte rrezikuar të mos vihej fare në skenën shqiptare.

Në kujtimet e tij për veprat skenike, Naum Prifti shënon se tek “Mulliri i Kostë Bardhit” trajtoi tentativën e grabitjes së kullotave verore të fshatit nga një bej i fuqishëm i krahinës, por “duke i sjellë ngjarjet pak më afër kohës sonë.” Pasi e dorëzoi dramën pranë Teatrit Popullor, autori kujton entuziazmin e aktorëve si Sandër Prosi për dialogët plot jetë dhe vërtetësi tek mjedisi i mullirit. Mirëpo pas disa ripunimeve për skenë, që nuk patën efektin e dëshiruar, Naumi shkruan se ju kthye dhe e përfundoi redaktimin e dramës së tij të dytë, të cilën, vendosi ta çoi për botim te buletini “Teatër.”

Pas botimit, Pandi Stillu, aktor dhe regjisor shqiptar nga Korça, i spostuar nga Teatri Popullor në Teatrin Aleksandër Moisiu, deshi të bashkëpunonte me kolegun Vangjel Heba për ta vënë në skenë në Durrës. Shfaqja u rrezikua në provën e përgjithshme, kur, sipas traditës komuniste, partiakët e besuar e gjykojnë veprën me parametra, që nuk kanë të bëjnë me kritere estetike dhe artistike. Pas mosmiratimit të dramës nga Sekretari i Kulturës i Durrësit Jorgji Sota, “në provën tjetër të përgjithshme erdhi Rita Marko. Me nofullat mbështetur mbi bërryla nuk ia ndante sytë skenës. Vetëm pas aktit të dytë e çtensionua duke mbështetur shpinën në kolltuk. Si korçar, ai i njihte ngjarjet e dramës, aq sa gjatë pushimit, iu tha kolegeve: “More, ai beu i dramës tëpkë si Maliq beu i Korçës.” Kështu, premiera u dha qysh të nesërmen në teatrin profesionist të Durrësit,” shkruhet në kujtimet e autorit.

Pikërisht kjo dramë e vazhdoi rrugëtimin deri në skenën e operës pasi mjeku dhe poeti pogradecar Mirush Markaj (Misto Marku) e pëlqeu shumë dhe shkroi libretin për një opera të re shqiptare. Opera “Zgjimi” është një nga krijimet skenike të kompozitorit Tonin Harapi. Realizuesit e saj ishin regjisori Luigj Gurakuqi, dirigjent Rifat Teqja, skenografi Hysen Devolli dhe kori nga Rozmari Jorganxhi. Në rolet kryesore interpretonin artistët e mëdhenj Lefter Besho, Pëllumb Katroshi, Fitore Mamaqi, Ibrahim Tukiçi, Zeliha Sina, Gjoni Athanas, Rozmari Jorganxhi, Gaqo Çako, Emine Gjata, Janaq Mici, Ramiz Kovaçi. #OperaHistori

Opera “Zgjimi” e 50 viteve më parë mbetet një kujtim i veçantë dhe i papërsëritshëm jo vetëm sepse i përket një periudhe të rëndësishme të artit shqiptar, por edhe si pjesë e krijimtarisë së babait. Ajo mbrëmje nuk ishte thjesht një ngjarje artistike. Ishte një takim intim mes familjes sonë dhe skenës së operës që i jepte një dimension tjetër veprës së tij përtej librave, ekranit dhe teatrit.

Sot brendësia e Teatrit të Operës dhe Baletit është rinovuar e tjetërsuar. Unë nuk mund të them për mirë a për keq. Por gjithsesi kur hyj në atë sallë, kur dritat zbehen dhe perdja fillon të hapet ngadalë, më duket sikur edhe babai është atje me mua. Në atë hapësirë, kujtimi i tij nuk është mungesë, është prani. Dhe opera “Zgjimi” i 15 shkurtit 1976 është një kujtim i rrallë për mua që shpalos lidhjet shpirtërore me artin dhe dashurinë atë e bij.

Foto: Naum Prifti dhe vajza Julika, vitet ’70, Tiranë

Fotot Opera Zgjimi, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT