• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA fillon shpërndarjen e vaksinës kundër COVID-19

December 14, 2020 by dgreca

Shtetet e Bashkuara kanë filluar të shpërndajnë vaksinat kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer-BioNTech, thanë zyrtarët. Shpërndarja e saj pritet të jetë një operacion logjistik kompleks, pasi muajt e ardhshëm pritet të vaksinohen dhjetëra miliona njerëz. 

Gjenerali Gustave Perna, një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane, tha më 12 dhjetor se procesi i shpërndarjes ka filluar tashmë me paketimin e vaksinave Pfizer në fabrikën e saj të prodhimit. Kompanitë e transportit do të fillojnë të zhvendosin vaksinën në mëngjesin e 13 dhjetorit në qendrat e shpërndarjes, nga ku do të dërgohen në spitale dhe qendra shëndetësore duke filluar nga 14 dhjetori.

Shpërndarja dhe administrimi i vaksinës përbën një sfidë të madhe logjistike për shkak se ajo duhet të mbahet në temperaturë -70 gradë Celsius.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në SHBA, më 11 dhjetor, miratoi vaksinën, e cila jepet me dy doza. Vaksinimi do të bëhet tek njerëzit e moshës 16 deri 85 vjeç. Pfizer ka në plan të sigurojë rreth 3 milionë doza në dërgesën e parë këtë javë, ose të mjaftueshme për 1.5 milion njerëz. 

Vaksinimet e para do t’i japin përparësi punonjësve të kujdesit shëndetësor.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se vaksina Pfizer-BioNTech dhe të tjerat, do të jenë më të disponueshme për një masë më të gjerë të njerëzve, deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Fillimi i menjëhershëm i fushatës së vaksinimit masiv vjen derisa virusi po përhapet në të gjithë vendin. Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara nga koronavirusi ka arritur në gati 300.000.

Filed Under: Kronike Tagged With: Nis shperndarja, SHBA, vaksinave

THYERJA E MURIT MES DY DIBRAVE

December 13, 2020 by dgreca

-13 DHJETORI SI DITË E MADDHE MBARËDIBRANE-

Nga Abdurahim Ashiku/

Njëzet e tetë vjet të shkuara, saktësisht më 13 dhjetor 1992, u hap zyrtarisht Pika Kufitare e Bllatës, u përqafuan për të mos u shkëputur më kurrë burra e gra të moshuar që 45 vjet të shkuara ishin ndarë dhimbshëm, me lot në sy, me brengë në zemër, të rinj e të reja që nuk e kuptuan (dhe nuk e kuptojnë) pse në vitin e egër 1913 i ndanë për palce fuqitë e mëdha në Londër, pse 45 vjet i ndau ideologjia e mbjellë në një tokë shterpë që as e ujiste, as e prashiste, as e ushqente…
Më 13 dhjetor 1992 u thye kufiri shqiptaro-shqiptar…


Një precedent pak ndryshe nga thyerja e Murit të Berlinit…
I Dibrës, megjithatë mbeti. Mbeti si një litar i kalbur që nuk mban peshën e një varbeci…
Çdo vit në Gjermani, në ditën e rënies së Murit të Berlinit, bëhet festë e madhe edhe tej tri dekadave të ngjarjes.
Çdo vit…


Pse, asnjëherë, nga 13 dhjetori 1992, nuk është bërë asnjë festë popullore, nuk kanë vërshuar në të dy krahët dibranët për tu gëzuar e festuar?
Nuk e di por ngjarje më të madhe midis dibranëve të kësaj e asaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar… NUK KA.
Pse Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Peshkopisë dhe Këshilli Komunal i Komunës së Dibrës së Madhe nuk janë mbledhur bashkërisht në Bllatë e të caktojnë 13 Dhjetorin ngjarje të madhe e FESTË POPULLORE?
E përsëris edhe njëherë:
NGJARJE MË TË MADHE SE KJO DIBRA NUK KA PASË…
E mbase nuk do të ketë…
Sigurisht,  PO QE SE E HARROJMË ATË DITË…
Për të ardhë ajo ditë, 13 dhjetor 1992, u desh që një ditë të fillimit të erës së re të shkuleshin gardhet e të rrafshohej kloni, u desh një udhëtim prej më se 480 kilometrave (kur mund të udhëtoje vetëm 8 kilometra) i dy skuadrave me të njëjtin emër, me të njëjtin gjak, me të njëjtën gjuhë, skuadrave të “Korabit” të Peshkopisë” dhe “Korabit” të Dibrës së Madhe, udhëtim që e kam ndjekë me reportazhe e skica dhe me fotografi.
U desh një udhëtim masiv në këmbë në Ditë Bajrami drejt Dibrës së Madhe dhe Dibrës së Vogël për tu gëzuar, për tu çmallur…
U desh pena e gazetarëve për ta bërë publike e për ta shpejtuar hapjen zyrtare të kufirit midis “Dy Dibrave”, ndarë dhunshëm nga Londra 1913…
Personalisht, por edhe kolegët e mi Sami Selishta në Peshkopi, Nefail Spahiu, Ramadan  Telqiu, Kujtime Kica në Dibër të Madhe dhe në Shkup, punuam me penë të fortë, me kamerë televizive dhe me mikrofon radiofonik, duke sensibilizuar qeverinë e Shkupit dhe Tiranës për të përshpejtuar rrugët e bashkimit, për të mbushur me zhavorr e beton përroin natyror të ndarjes, për ndërtimin e pikave përkatëse kufitare…
Dhe dita e kalimit zyrtar të njerëzve erdhi…
Erdhi me një protokoll zyrtar…
Erdhi me një vërshim popullor pa doganë, pa leje kalimi, thjesht si njëherë e një kohë kur nuk ishte vënë gurë kufiri, tela me gjemba e rrjeta elektrike.
Ishte një festë e madhe popullore…
Nga dhjetëra shkrime e fotografi (të mjaftueshëm për një libër) që kam bërë në kërkim të kësaj dite por përcjell, një…
“SHËNUAR NË BLLATË, MË 13 DHJETOR 1992”
Këto shënime, së bashku me shënimet e asaj dite ia përcolla, Kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Dionis Ymer…
Më premtoi se do të bisedonte me homologun e tij në Dibër të Madhe.
Më kërkoi edhe mendimin tim se si mund të organizohej festa, FESTA
E MADHE E BASHKIMIT TË DIBRËS…


Po përcjell emocionet e 13 dhjetorit 1992…
Po përcjell edhe një letër drejtuar kryetarit të bashkisë së Dibrës, Dionis Ymeri me dëshirën që një ditë të jem një meditues i thjeshtë në një festë që do të jetojë në shekuj.

SHËNUAR NË BLLATË, MË 13 DHJETOR 1992

Meditim ‘92

Bllatë. E diele 13 dhjetor 1992…
Pas asaj nate me shi e borë e atij mëngjesi të ftohtë me mjegull, pason një ditë e bukur.
Një pamje e mrekullueshme fiksohet në retinën e syve të gëzuar, në objektivin e qelqtë të aparateve fotografikë e televizivë. Kërçini dhe dorë për dore me të Malet e Dibrës, të Dibrës së Sipërme dhe të Dibrës së Poshtme, janë veshur në të bardhë.
Kronika zyrtare e 13 dhjetorit 1992 është kjo: Në orën 12 delegacioni shqiptar i përbërë nga Safet Zhulali, ministër i mbrojtjes, Mentor Bunguri, kryetar i këshillit të rrethit, Kadri Rrapi, kryetar i bashkisë së qytetit të Peshkopisë, deputetë, përfaqësues të partive politike etj. kalon Bllatën.
Para kompleksit doganor të sapondërtuar delegacioni pritet nga Beqir Zhuta, nënkryetar i qeverisë së Maqedonisë, Vllado Popovski, ministër i mbrojtjes Qemal Xhafa, kryetar i këshillit komunal të qytetit të Dibrës, deputetë, përfaqësues të partive politike etj.
Përshëndet Qemal Xhafa, kryetar i komunës së Dibrës. Në fillim në maqedonisht e pastaj në shqip.
Përshëndet Mentor Bunguri, kryetar i këshillit të rrethit të Dibrës.
Fjalimi i oratorëve në esencë është një: 13 dhjetori 1992, hapja e pikës së kalimit kufitar të Bllatës (bashkë me të edhe i dy pikave të tjera që hapen në të njëjtën ditë) është një ngjarje e shënuar, një ëndërr 45-vjeçare e realizuar.
Pritet shiriti i përurimit. Delegacionet vizitojnë kompleksin e ri doganor.
Shqiptarët e të dy krahëve të kufirit, pas marrëveshjes së palëve për takim masiv (për atë ditë) “pa rregulla doganore” shpërthejnë drejt njeri tjetrit. Pleq e të moshuar, gra, të rinj e të reja, fëmijë takohen me njeri tjetrin me gëzimin e njerëzve të një gjaku në zemër, me lotin e përmallimit në sy. Drejt Maqellarës e Peshkopisë, drejt Dibrës së Madhe e fshatrave të saj, udhëtojnë njerëz me krahët e hedhur supeve të njeri tjetrit. Arteriet e vjetra të shqiptarëve zgjerohen e në to rrjedh gjaku i pastër i vëllezërve…
Jashtë kronikës zyrtare është e domosdoshme të shënojmë:
Vonë, në mbrëmje  teksa nata kishte rënë, magjistrali i Bllatës ziente nga lëvizjet e ndërsjella…
Në shënimet e mija të 13 dhjetorit 1992 dua të përcjell kontributin e gazetarëve, luftën e tyre me penë, valë radioje e figurë televizive që kjo ditë të vinte sa më shpejt.
Nefail Spahiu, gazetar i “Flaka e Vëllazërimit” në numrin 4431 të 13 dhjetorit 1992 shënon: “Sot në Bllatë të Dibrës hapet kalimi i rregullt me Shqipërinë. dhe vazhdon “Pas shumë kërkesave dhe negociatave më në fund 13 dhjetori i këtij viti do të shënojë datën kur Bllata merr statusin e vendkalimit të rregullt ndërkombëtar kufitar…”
E takoj Nefailin i cili thotë: “Maja a lapsit të gazetarëve e shpoi murin dibran. Tani duhet të punojë për ta shembur, për ta shkulur…”
Ramadan Telqiu më kujton një moment nga kalimi i dibranëve të Dibrës së Madhe nëpër Bllatë në maj 1992: “Tek kalonim kufirin, thotë ai, emisioni shqip i Radio Shkupit përcillte një reportazh të “Zërit të popullit” për kalimin masiv të 15 prillit për Bajram të Madh. Zëri i spikeres Kujtime Kica i jepte reportazhit emocion të fortë. Për një moment ai ndërpritet dhe pak sekonda më vonë në efir përhapet zëri i Lutfi Turkeshit…
“Kujtimja, tregon Lutfiu të nesërmen e asaj dite në Peshkopi, nga emocionet u bllokua. Ia mora nga dora gazetën dhe vijova leximin…”
Marr nga kujtesa (i kthehem edhe bllokut të shënimeve) diçka nga kujtesa  në maj 1991, kur “Korabi” i Peshkopisë dhe “Korabi” i Dibrës së Madhe takohen në “kryeqytetin” e trevës së moçme, në Dibër.
Atëherë Lutfiut e Ramadanit për të përcjellë në radio informacionin, iu desh të ndiqnin linjën telefonike Peshkopi- Tiranë- Athinë- Beograd-Shkup…
Tani këto distanca janë shkurtuar. Nga Peshkopia mund të lidhesh e të bisedosh me linjë të drejtpërdrejt me Dibrën e Madhe nëpërmjet linjës Peshkopi-Maqellarë-Bllatë-Dibër në çdo kohë të ditës.
Midis dy Dibrave ka edhe një pengesë që duhet shembur: detyrimet doganore, taksa e kalimit të kufirit. Për xhepin e grisur të dibranit (të të dy anëve të kufirit) taksa e vënë është një pengesë në rrugën e afrimit të vëllait me vëllanë.
Më 14 dhjetor 1992 në mesditë, nga Peshkopia përcolla Nefail Spahiun. Nxitonte për ti dhënë “Flakës së vëllazërimit” reportazhin e vet me mbresa të dibranëve  në të dy anët e kufirit arbitrar të viti 1913…

DIBRA, E MADHJA DHE E VOGLA, NË NEVOJËN PËR BASHKIM

Një letër publike…

Kryetarit të Bashkisë Dibër

Zotit Dionis Ymeri

Peshkopi

E kam jetuar vrullshëm jetën në Dibër, ku linda një ditë maji 1941, ku punova me përkushtim e dashuri, ku brodha nga Llanga në Draj Reç e Mërkurth të Lurës, ku derdha shpirtin tim në shkrime që do të desha ti mbledh një ditë bashkë në libra, ku fiksova në celuloid mijëra e mijëra pamje, njerëz e evenimente historike, ku më se dhjetëmijë prej negativëve kam arritur ti fusë në një arkiv vetjak. Dibra ku ika prej dhunës të forcave të egra që erdhën në pushtet, ka qenë edhe në këtë një çerek shekulli  mërgim, në mendjen time, në shpirtin tim, në krijimtarinë time.
Po jo vetëm ajo, edhe “koka e ndarë” e saj, Dibra e Madhe, qendrën e së cilës e kanë pas në pronësi me troje të lashta paraardhësit e bashkëshortes sime, Sheh Hysen Kuçi, shoqërues i Amdyl Frashërit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me rastin e 100 vjetorit të saj, pushkatuar nga serbi më 22 shtator 1913 si pjesëmarrës dhe organizator i kryengritjes popullore dibrane…
Kërkimet në shtypin e kohës dhe në arkiva më afruan me Dibrën, ma bënë ëndërr të jetës sime për të shkuar një ditë…
Dhe shkova një ditë maji 1991, si gazetar shoqërues i skuadrës së futbollit “Korabi”…
Dhe shkova një “Ditë Bajrami” masivisht me mijëra dibranë…
Më pritën bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët njerëz të një gjaku…
I prita me dashuri e respekt në kthimin e tyre masiv në Peshkopi…
Ajo që nuk do ta harroj kurrë është 13 dhjetori i vitit 1992, Dita e Bashkimit Shpirtërorë të dy Dibrave, vendosja e pikë kalimeve përkatëse kufitare.
Nga ajo ditë nuk ka dhe nuk do të ketë udhëtim “480 kilometra” por vetën “8 kilometra” për të shkuar e për të ardhë nga Peshkopia dhe Dibra e Madhe.
Ajo thënia popullore e “zierjes së jufkave në Peshkopi dhe ngrënia të nxehta me njerëz të gjakut në Dibër të Madhe,” atë ditë u bë realitet.
Atë ditë e përcolla në shtyp në një reportazh që më doli nga shpirti…
Më vjen keq që filmin ku fiksova fotografitë e asaj ditë të shënuar nuk e gjej midis dhjetëmijë negativëve që kam skanuar. Mbase ka humbur përgjithnjë së bashku edhe me shumë negativë të tjerë.
Por ngushëllohem me mbi 100 fotografi që kam fiksuar në ndeshjet e “Dy Korabëve” në Peshkopi dhe në Dibër të Madhe.

13 DHJETORI 1992, SI NJË FESTË E PËRHERSHME POPULLORE
MBARËDIBRANE

Për mendimin tim 13 dhjetori 1992 mund e duhet të shndërrohet në një FESTË E PËRHERSHME POPULLORE MBARËDIBRANE.
Mbase mund ta quajmë “BASHKIMI DIBRAN”, nisur edhe nga një shoqatë dibrane me të njëjtin emër e vitit 1921, statuti i së cilës gjendet në bibliotekën e Peshkopisë.
Vendimi mendoj se duhet të dalë nga mbledhjet e këshillave bashkiake e komunale të Dibrës (Peshkopi) dhe Dibrës së Madhe (Maqedoni) mbase në një mbledhje të përbashkët pikërisht në pikë lidhjen e dy Dibrave.
Vendimi duhet të gjejë përkrahjen e pushtetit në Shqipëri dhe në Maqedoni për të qenë si detyrim e mbështetje zyrtare.
Vendimi duhet komunikuar në masmedie të të dy vendeve.
Në vijën e kalimit kufitar, pikërisht në lartësi të përroit që ndante dy Dibrat (e që u mbush me zhavorr e tokë të virgjër, një gjë e bukur dhe domethënëse kjo) të vendoset një memorial i lartë që të simbolizojë atë ditë por edhe të flasë me gjuhën e bashkimit përfundimtar të dy Dibrave e të shqiptarëve nën Maqedoni.
Në ditën e caktuar të mblidhen mijëra banorë dibranë të të dy krahëve dhe të kalojnë lirshëm drejt Peshkopisë e Dibrës së Madhe, si një herë e një kohë, si atë ditë të 13 dhjetorit 1992.
Atë ditë të organizohet nga të dy anët “PANAIRI DIBRAN” me prodhime bujqësore, blegtorale, industriale, artizanale etj. dhe mallrat me pakicë të kalojnë në të dy krahët pa doganë.
Atë ditë grupet e përbashkëta kulturore të zhvillojnë veprimtari të gjera kulturore e artistik, në kufi por edhe në pallatet përkatëse të kulturës në të dy qytetet.
Ajo ditë duhet të shoqërohet me një ekspozitë të arteve figurative e fotografike.
Atë ditë në Dibër ose në Peshkopi duhet të bëhet një ndeshje midis dy skuadrave futbollistike respektive.
Atë ditë dy skuadra alpinistësh duhet të ngjiten nga të dyja anët e maleve dhe të takohen në kufi ose në manastirin që ndodhet atje.
Unë do të përgatis një ekspozitë fotografike me pamje nga takimi futbollistik  i “Dy Korab-ëve”.
Po mu krijua hapësirë kërkimi mund të përgatisë edhe një libër kushtuar bashkimit.
Atë ditë të ndahen çmime simbolike për persona që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për zhvillimin e mëtejshëm të Dibrës mbarë.
Në Këshllanë e  Dibrës së Madhe, në ditën e kryengritjes dibrane kundër serbit, më 22 shtator 1913 janë pushkatuar 5 vetë nga paria e Dibrës. Emrat e tyre janë përmendur nga gazeta “Përlindja e Shqipnies” ( “Më parë se të vijnë luftëtarët në Dibër, – shkruan gazeta “Përlindja e Shqipërisë” Nr.13 Vjeshtë e Parë -1913 ushtria serbe burgoi tetëdhet veta nga parësia e vendit, me qëllim që t’i vrasin dhe të nesërmen. Kur u rradhuan për me i plumbos, i arritën Malësorët, andaj s’munden me i vra të gjithë, por veç pesë shpirt.

Këta janë ata që ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia meriton t’i shkruaj emënat e tyne për një kujtim të përjetshëm: Sheh Hyseni, Sadullah Strazimiri, Ramiz beu, Karafil beu, Numan Efendiu. U ndrittë shpirti”) dhe në shumë gazeta të kohës. Për nder të tyre të planifikohet ngritja e një memoriali ku të përjetohen betejat dibrane për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Një shkollë apo institucion në Peshkopi apo Dibër të marrë emrat e tyre.
Këto janë mendimet e mija shkruar “me vrap”. Shpresoj që ata të zgjerohen në procesin e vënies në jetë të nismës.
Koha e shkurtër, koronavirusi mbase për këtë vit nuk mund të bëhet një festë e madhe popullore.
Një festë me përmasa të mëdha duhet të organizohet në dhjetorin e vitit tjetër por hapat duhen nisur pa humbur kohë.

Abdurahim Ashiku, 23 shtator 2020

Filed Under: Kronike Tagged With: 13 Dhjetor 1992, Abdurrahim Ashiku, Dy dibrat, muri

KOSOVA KËRKON TË ZHDUKURIT E LUFTËS

November 20, 2020 by dgreca

-Ministrja Hardinaj-Stublla bën kërkesë zyrtare për ta vizituar lokacionet e varrezave masive në Serbi/

PRISHTINË, 20 Nëntor 2020–Gazeta DIELLI/ Ministrja Kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë kërkesë zyrtare për të realizuar të shtunën, me 21 nëntor, një vizitë në vendet e varrezave masive ku ditëve të fundit u gjetën trupat e shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, e që së shpejti pritet të nisë procesi i zhvarrosjes së tyre.
Ajo ka shprehur vendosmërinë e saj për të qenë afër familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre në mënyrën më ç’njerëzore nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, duke lartësuar sakrificën dhe dhimbjen e tyre duke kërkuar përgjegjësinë dhe drejtësinë, 21 vjet pas!

Shefja e diplomacisë Kosovare pret që ta realizojë këtë vizitë dhe përmes saj ta sheh nga afër procesin e gërmimeve dhe ta sensibilizojë ndërkombëtarisht të vërtetën kriminale për fshehjen e qëllimshme që është bërë dhe po bëhet nga Serbia të varrezave masive të shqiptarëve nëpër Serbi.

KOMUNIKATË PËR SHTYP E EULEX-it:

Sqarimi për Kizhevakun: ekspertët e EULEX-it e përshkruajnë mënyrën se si e identifikuan ata lokacionin e saktë ku u zbuluan mbetjet mortore…

Të hënën më 16 nëntor 2020, ekspertët nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur zbuluan mbetje mortore në Kizhevak, ku ndodhet një gurore e madhe në Serbi.

Ekspertët e EULEX-it kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015. Pas disa sezonave të pasuksesshme të gërmimeve në Kizhevak, në vitin 2020 ndodhi një përparim falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.

“Problemi ishte se këto janë lokacione guroresh të mëdha dhe se peisazhi ka pësuar ndryshime të vazhdueshme me kalimin e kohës për shkak se kjo gurore ka qenë në përdorim ende për një numër të viteve,” tha Javier Santana, arkeolog forenzik i EULEX-it. Procesi i identifikimit të vendndodhjes së saktë të mbetjeve mortore ishte komplikuar edhe më shumë për shkak të faktit se në këtë minierë janë katër deri pesë galeri ku secila ka një lartësi prej përafërsisht 13 metrash.

Pas kërkesës së EULEX-it për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri të vitit 1999, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ia siguroi imazhet fotografike nga ajri Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur në fund të vitit 2019.

“Ne i pranuam imazhet fotografike nga ajri në fund të vitit 2019. Mes fundit të vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020, koordinatori i EULEX-it për zhvarrime Krassimir Nikolov dhe unë i kemi analizuar fotografitë. Në bazë të analizave tona ne u kthyem në atë lokacion në muajin shkurt 2020 dhe e piketuam vendndodhjen e saktë të këtij lokacioni. Kjo është koha kur filloi puna gjatë këtij viti”, tha Santana.

Pas identifikimit të lokacionit, ekspertët nga EULEX-i, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur kanë kryer punën në terren në Kizhevak, e cila solli deri te zbulimi i mbetjeve mortore.

“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjinden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së. Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”, tha Koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.

“Zbulimi i mbetjeve mortore në Kizhevak është një zhvillim tejet pozitiv dhe shpërblim për përpjekjet tona të vazhdueshme për ndriçimin e fatit të më shumë se 1640 personave, të cilët janë ende të pagjetur në Kosovë. Çështja e personave të zhdukur është çështje e të drejtave të njeriut. Ajo ka të bëjë me të drejtat e njeriut të afërmëve për të kuptuar se çfarë u ka ndodhur më të dashurve të tyre”, tha Zëvendës Drejtorja e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Tarja Formisto. Formisto u bëri thirrje edhe një herë të afërmëve të gjithë personave të zhdukur që t’i japin mostrat e gjakut për ta lehtësuar procesin e identifikimit.

Nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më 19 nëntor 2020, EULEX-i i ka kryer 662 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, përfshirë 169 zhvarrime. Janë identifikuar mbetjet mortore të 457 personave, përfshirë edhe ato të 317 personave të zhdukur.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova

KOSOVA, KONSULLATË NË STRUGË

November 19, 2020 by dgreca

 -Inaugurohet Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë – Maqedoni e Veriut/

Strugë , 19 Nëntor 2020-Gazeta DIELLI/

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka inauguruar sot Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strugë – Maqedoni e Veriut.

Hapja e kësaj Konsullate është dëshmi e përkushtimit dypalësh për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndër-shtetërore të cilat vazhdojnë të jenë të shkëlqyera, e që është ri-konfirmuar edhe gjatë vizitës së fundit zyrtare të Kryeministrit dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë do të shërbejë si urë lidhëse për avancimin e mëtejmë të raporteve të ndërsjella, të ndërveprimit ekonomik e kulturor, por edhe përfaqësimit e mbrojtjes së të drejtave të shtetasve kosovarë në këtë pjesë të Maqedonisë së Veriut.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e vlerëson këtë si sukses të diplomacisë kosovare, e cila edhe përkundër sfidave të jashtëzakonshme me pandeminë COVID19, ka arritur të zgjerojë rrjetin e saj diplomatik duke siguruar përfaqësim dinjitoz të Republikës së Kosovës në rajon e më gjerë. 

Filed Under: Kronike Tagged With: KONSULLATË NË STRUGË

9 Nёntor- Dita kur Muri i Berlinit u rrёzua

November 9, 2020 by dgreca

Mё 9 Nёntor 1989 mori fund Lufta e Ftohtё globale mes diktaturave dhe demokracive. Liria e rifituar çoi nё afrimin mes Lindjes dhe Perёndimit – por ende nuk janё arritur nivele tё njёjta jetese.

Nga Marcel Furstenau/DW

Ai ishte simboli pёr ndarjen e botёs nё Lindje dhe Perёndim, pёr luftёn mes komunizmit dhe kapitalizmit: Muri i ngritur nё Berlnin mё 1961 nga Republika Demokratike e Gjermanisё (RDGJ) e qeverisur nё mёnyrё diktatoriale. Pjesa perёndimore ishte njё zonё 155 km e rrethuar me beton e tela me gjemba, por megjithatё njerёzit nё kёtё zonё mund tё lёviznin anё e mbanё tё lirё. Berlini Perёndimor ishte pra njё ishull i lirisё nё mes tё territorit tё RDGJ-sё komuniste.Berlin Mauer Jahrestag (AP)

Ngritja e Murit, imazh nga viti1961

Nё tё kundёrt pёr shumicёn e gjermano-lindorёve qё ishin kaq pranё Perёndimit pёr dekada Berlini Perёndimor ishte si toka e ёndёrruar. Kjo ndryshoi rrufeshёm mё 9 Nёntor 1989, pasi nё njё konferencё shtypi tё transmetuar drejtpёrdrejt nё televizion nё Berlinin Lindor u shpall ligji i ri pёr udhёtimet jashtё vendit. Nё bazё tё kёtij ligji do tё lejoheshin edhe udhёtimet nё Perёndim – ligji hynte nё fuqi menjёherё!

Imazhet e njerёzve duke brohoritur nё kalimet e hapura kufitare nё Berlin u pёrhapёn nё mbarё botёn. Ato shёnuan nё mёnyrё emocionuese fundin faktik tё ndarjes gjermane. Njё vit pas kёsaj mё 3 Tetor 1990, vendi i ndarё politikisht pas fundit tё Luftёs sё Dytё Botёrore festoi ribashkimin. Kjo ngjarje historike botёrore u bё e mundur vetёm sepse katёr fuqitё fituese tё luftёs ishin dakord: aleatёt perёndimorё demokratё SHBA, Britania e Madhe dhe Franca nga njёra anё dhe Bashkimi Sovjetik (BRSS) komunist nga ana tjetёr.

Konferenca e shtypit e Günther Schabowskit, Berlini Lindor, 9.11.1989

Fjalёt magjike “Glasnost” und “Perestroika”

Vendimtare pёr kёto ndryshime ishin lёshimet, qё pati bёrё komunisti reformator Michael Gorbatchov, i cili mori pushtetin nё vitin 1985. I kёtij mendimi ёshtё drejtori i memorialit Muri i Berlinit, Axel Klausmeier . Ai thekson, se politika e hapjes (Glasnost) e Gorbatchovit dhe ajo e rinkonstruktimit (Perestroika) shёnuan shkёputjen prej sё ashtuquajturёs doktrina e Brezhnjevit, qё pёrcaktonte, se vendet europiane tё bashkuara nё “Traktanin e Varshavёs” nuk duhej tё devijonin nga kursi, qё jepte Kremlini.

Klausmeier fundin e kёsaj dogme e pёrshkruan pёrmbledhtas: “Çfarёdo qё tё ndodhё nё shtetet vёlla socialiste, kёto shtete janё vet pёrgjegjёse pёr vetveten”. Ndryshe nga dekadat e mёparshme, sovjetikёt nuk ndёrhynё mё kur nё Poloni, Hungari e nё RDGJ u shtuan lёvizjet pёr reforma. Para erёs sё Gorbatchovit lёvizjet pёr liri nё vendet e Bllokut Lindor ishin mposhtur brutalisht prej BRSS-sё: Mё 1953 nё RDGJ, mё 1956 nё Hungari dhe mё 1968 nё Çekosllovaki.

Pas 9 Nёntori blloqet e betonit nga Murii Berlinit hiqeshin nga dita nё ditё, fotografi e marrё mё 11 nёntor 1989 nё afёrsi tё sheshit “Potsdamerplatz”

Polonia jo monopol pushteti 

Mbrojtёsit e tё drejtave tё njeriut nё mbarё Europёn Lindore ndiheshin tё inkurajuar pёr tё imponuar edhe nё vendet e tyre Glasnostin dhe Perestroikёn. Nё Poloni nё verёn e vitit 1988 pati kontakte mes udhёheqjes komuniste dhe sindikatave Solidarnost, tё ndaluara zyrtarisht. Njё etapё e rёndёsishme nё kёtё rrugё ishin edhe zgjedhjet parlamentare nё Poloni nё qershor 1989, ku pёr herё tё parё u lejuan edhe kandidatё tё opozitёs. Megjithatё pushtetarёt qё qeverisnin prej dekadash paraprakisht u kujdesёn qё tё fitojnё dy tё tretat e votave.

Edhe nё vende tё tjera u shtuan shenjat pёr njё kthesё. Nё Hungari qeveria nё maj pati nisur tё heqё komplekset e vrojtimit nё kufirin me Austrinё. Nё kёtё mёnyrё u hap rruga drejt lirisё nё kёtё pjesё tё Perdes sё Hekurt. Qindra qytetarёt tё RDGJ-sё pёrmes kёsaj rruge u larguan nga vendi i tyre.

Njёkohёsisht nё verёn e vitit 1989 disa mijёra gjermano-lindorё u strehuan nё ambasadat perёndimore nё vendet e Europёs Lindore. Pakёnaqёsia rritej dita ditёs e bashkё me tё edhe presioni ndaj regjimit tё RDGJ-sё nё Berlinin Lindor. Nga shtatori nё qytetin e panaireve Leipcig çdo tё hёnё dhjetra mijёra qytetarё protestonin nё rrugё. Kulmin e shёnoi marshimi mё 9 tetor, kur dolёn nё rrugё 70.000 vetё duke protestuar paqёsisht pёr tё kёrkuar ndryshimin nё RDGJ.

“Ne kemi fituar”

Sloganet e demonstruesve ishin „Ne jemi populli!” dhe “Jo dhunё!”. Meqёnёse nuk dihej si mund tё reagonte regjimi i RDGJ-sё, frika ishte „jashtёzakonisht e madhe, i kanё pohuar shumё dёshmitarё tё kohёs drejtorit tё Memorialit tё Murit tё Berlinit, Klausmeier. Pёrderisa nuk pati ndёrhyrje kundёr kёsaj demonstrate, edhe opozita pati ndjenjёn, se:„Ne kemi fituar.”Berlin Mauer Jahrestag (AP)

Dita pas hapjes, imazhe nga Porta e Brandenburgut, 10.11.1989

Mё 9 Nёntor mё nё fund arriti pika kulmore: Günter Schabowski, kryetari i Partisё sё Bashkuar Socialiste (SED) nё Berlinin Lindor shpalli ligjin e ri pёr udhёtimet jashtё shtetit. Ai shkaktoi me ose pa dashje me kёtё deklarim rёnien e Murit tё Berlinit. 30 vjet mё pas megjithatё nuk janё kapёrcyer tё gjitha muret mentale. Nё standardet e jetesёs mes Lindjes e Perёndimet ende ka dallime tё mёdha.

Pagat nё landet e reja tё federtarёs, sipas njё raportit tё fundit vjetor mbi stadin e bashkimit tё Gjermanisё, kanё arritur vetёm nё 82 pёrqind tё nivelit perёndimor. Emigracioni dhe rёnia e natalitetit nё landet e reja kanё shkaktuar mungesёn e forcave tё kualifikuara tё punёs dhe plakjen e popullsisё. Ende asnjё sipёrmarrje nga landet lindore nuk ёshtё regjistruar nё indeksin gjerman tё aksioneve DAX-30.

Çfarё mbetet ёshtё kujtimi i revolucionit paqёsor dhe kthesa historike. Presidenti Frank-Walter Steinmeier personalisht e ka falenderuar Michail Gorbatchovin. Nё njё letёr drejtuar ish-presidentit tё BRSS-sё, nobelisti i paqes, Steinmeier shkruan: “Mrekullia e ribashkimit paqёsor nuk do tё kishte qenё e mundur, nёse Ju atёherё nuk do tё kishit marrё vendime tё guximshme dhe njerёzore.”

Filed Under: Kronike Tagged With: 1989, 9 nentor, Muri i berlinit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 130
  • 131
  • 132
  • 133
  • 134
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT