• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Thaçi në festën e 10-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi

May 21, 2016 by dgreca

– Mali i Zi është shteti i 48-të që ka njohur Kosovën në 9 tetor të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë/PRISHTINË, 21 Maj 2016-B.Jashari/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi merr pjesë në festimet e 10 vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, ku shkon duke kaluar nga Shkodra.“Rrugës për në Mal të Zi, ku jam ftuar për kremtimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë, u ndala për një kafe mbi Bunën e bukur të Shkodrës”, ka shkruar Presidenti i Kosovës në ‘facebook’.Ndërkohë Presidenca kosovare në njoftimin e sapodërguar thekson  se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Podgoricë, ku me ftesë të presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, do të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.Në mesin e mysafirëve të shumtë pritet të jenë edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë, Hoyt Yee, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Presidenti Thaçi fillimisht do të marrë pjesë në drekën e shtruar nga presidenti malazez, Vujanoviq, në Milloçer, me të cilin do të zhvillojë edhe një takim bilateral.

Në mbrëmje, delegacioni kosovar do të udhëtojë në Podgoricë, ku presidenti Thaçi do të jetë i pranishëm në pritjen e organizuar për përfaqësuesit më të lartë të shteteve, në Villa Gorica, ndërsa në fund do të marrë pjesë në kremtën zyrtare të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Malit të Zi në sheshin “Republika” në Podgoricë, bën të ditur njoftimi zyrtar nga Presidenca kosovare.

Mali i Zi ishte shteti i 48-të që ka njohur Kosovën në 9 tetor të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: e 10-vjetorit të pavarësisë, në festën, Presidenti Thaçi, së Malit të Zi

Incident mes avionëve kinezë dhe një avioni amerikan

May 20, 2016 by dgreca

Kina i kërkoi Uashingtonit të ndalojë mbikqyrjen nga afër të bregdetit, pas një incidenti që Pentagoni e quajti një shkëmbim të rrezikshëm ndërmjet dy avionëve luftarakë kinezë dhe një avioni amerikan. Pentagoni tha se dy avionët kinezë interceptuan një avion amerikan gjatë një patrullimi rutinë të martën në hapësirën ndërkombëtare mbi Detin e Kinës Jugore. Por, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme kineze, versioni i Pentagonit për ngjarjen nuk është i vërtetë dhe se dy avionët kinezë kishin gjurmuar dhe monitoruar avionin amerikan në bazë të rregullave dhe duke ruajtur një distancë të sigurtë, pa ndërmarrë veprime të rrezikshme. Sipas autoriteteve kineze, interceptimi u bë pranë ishullit jugor kinez, Hainan, dhe se ai përfaqëson një kërcënim serioz ndaj hapësirës ajrore kineze. Incidenti ndodhi ndërkohë që Presidenti Obama po përgatitet për një udhëtim historik në rajon, si presidenti i parë amerikan që do të vizitojë Hiroshimën, në Japoni, si dhe Vietnamin. Gjithashtu, në javët në vazhdim pritet të jepet një vendim për padinë ndërkombëtare të ngritur nga Filipinet kundër Kinës për uzurpimin e pjesës më të madhe të Detit të Kinës Jugore. {SH.K}

Filed Under: Kronike Tagged With: Amerikan, dhe një avioni, Incident mes avionëve kinezë

Presidenti Thaçi përkujton ushtarët shqiptarë të vrarë në armatën jugosllave

May 18, 2016 by dgreca

Klinë, 18 maj 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në akademinë përkujtimore me rastin e 26-vjetorit të vrasjes së Jetullah Deskut në armatën e ish-Jugosllavisë.Presidenti Thaçi në këtë tubim përkujtimor tha se një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së Kosovës në dekadën e fundit të shekullit që shkoi është ajo e vrasjes së të rinjve shqiptarë në armatën e ish-Jugosllavisë.“Sot përkujtojmë njërin prej djemve që 26 vjet më parë u vra tinëzisht në kazermën ushtarake të Suboticës, djaloshin njëzetvjeçar, Jetullah Desku. Ishte ndjenjë shumë e rëndë për familjet, të cilat i përcillnin djemtë e tyre në gjoja shërbim të rregullt ushtarak dhe pas një kohe ktheheshin në arkivole, të vrarë në lulen e rinisë së tyre”, tha presidenti Thaçi.Ai tha se është botërisht i njohur fakti që shqiptarët nën Jugosllavinë komuniste kanë qenë vazhdimisht popull i persekutuar, i diskriminuar, i ndjekur, i vrarë dhe, së fundmi, u ushtrua edhe gjenocidi e spastrimi etnik nga armata dhe policia serbe.

“Edhe atëherë kur dikush kishte iluzione se fryma e vëllazërim-bashkimit ishte në favor edhe të popullatës shqiptare nën ish–Jugosllavi, ka qenë pikërisht koha gjatë qëndrimit të të rinjve tanë në shërbim ushtarak, ajo që e zbulonte natyrën e vërtetë të Jugosllavisë. Asnjëherë shqiptarët nuk ishin trajtuar si të barabartë në armatën jugosllave, ashtu siç nuk trajtoheshin njëjtë edhe në sfera të tjera të jetës politike, arsimore, kulturore”, tha presidenti Thaçi.

Gjatë periudhës së të ashtuquajturit shërbim ushtarak, presidenti Thaçi tha se shqiptarët ishin të vëzhguar dhe të mbikëqyrur me kujdes, veçanërisht nga shërbimi sekret i APJ-së.Presidenti Thaçi tregoi se vrasja e shpeshtuar dhe sistematike u bë veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981.

“Pas këtij viti u bënë shumë arrestime, burgosje, gjykime dhe dënime të rënda të ushtarëve shqiptarë nga gjykatat ushtarake anembanë ish-Jugosllavisë. Gjithmonë si procese të kurdisura, me motive gjoja armiqësore ndaj shtetit dhe armatës jugosllave, ato shërbyen që shumë të rinj shqiptarë të kalojnë vite burgjesh të rënda kudo nëpër ish-Jugosllavi”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai tha se Jetullah Desku dhe dhjetëra shokët e tij janë viktima të shumëfishta të APJ-së dhe të ish-Jugosllavisë, dhe si të tilla janë njëmend të pakrahasueshme në historinë tragjike të shqiptarëve në atë shtet.

“Ata u vranë në tradhti nga një armatë, e cila përpiqej t’i detyronte të jenë besnikë ndaj saj. Ata ktheheshin në shtëpitë e tyre në arkivolet e bllombuara, të cilat nuk guxohej të hapeshin, me raportimin e rremë për vetëvrasjet e tyre”, tha presidenti Thaçi.

Duke iu drejtuar familjes Desku, presidenti Thaçi tha se vrasja e Jetullahut, 26 vjet më parë, ishte e rëndë për të gjithë qytetarët e Kosovës, por ajo tregoi edhe madhështinë tuaj, me qëndrimin dhe përballimin e dhembjes.

“Ju arritët të tregoni botërisht që Jetullah Desku është vrarë, vetëm se ishte shqiptar. Ju refuzuat që në varrimin e djalit tuaj të merrte pjesë armata jugosllave, autorja e krimit. Ju kërkuat që vrasja e Jetullahut të ndriçohet dhe të emërtohet me emrin e vërtetë vrasje dhe jo vetëvrasje. Ju me qëndrimin tuaj bëtë që të shpërthejë e vërteta për vrasjen e ushtarëve shqiptarë në kazermat jugosllave. Ju me qëndrimin tuaj bëtë që në varrimin e Jetullahut të marrin pjesë me dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës, që mijëra qytetarë të solidarizohen me dhembjen tuaj”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se varrimi i Jetullahut u bë manifestim i unitetit politik të shqiptarëve dhe simbol i rritjes së vetëdijes politike të qytetarëve të Kosovës se Jugosllavia e dirigjuar nga politika e Beogradit ka qenë dhe mbetej armiqësore ndaj shqiptarëve.Presidenti Thaçi, i cili në shenjë respekti përmendi edhe emrat e ushtarëve të shumtë shqiptarë të vrarë në armatën jugosllave, në fund tha se emri, jeta dhe vdekja e Jetullah Deskut dhe gjithë ushtarëve të vrarë në APJ kurrë nuk do të harrohen.Akademia përkujtimore për 26-vjetorin e vrasjes së Jetullah Deskut në armatën e ish-Jugosllavisë u mbajt në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë.

Filed Under: Kronike Tagged With: deshmoret, e vrare ne Armaten Jugosllave, Presidenti Thaçi

Ministrja Tahiri: Dialogu i Brukselit kontribuoi për MSA-në dhe liberalizimin e vizave për Kosovën

May 18, 2016 by dgreca

Ministrja Edita Tahiri u takua me ish kryeministrin Sali Berisha/

Tiranë, 18 maj 2016/Gjatë vizitës në Shqipëri, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, me ftesë të Universitetit Europian të Tiranës (UET) mbajti dje një ligjëratë para studentëve dhe pedagogëve të këtij universiteti me temë “Integrimet Euroatlantike dhe Dialogu i Brukselit”. Ministrja Tahiri fillimisht u prit nga rektori prof. dr. Tonin Gjuraj dhe prorektorja Luljeta Minxhozi të cilëve iu falënderua për ftesën dhe vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e këtij universiteti në përgatitjen e kuadrove të reja në fushën e studimeve shoqërore – politike, ekonomike dhe juridike.

Në ligjëratën e saj ministrja Tahiri foli për zhvillimin e kombit shqiptar dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë në kontekstin e avancimit të interesave kombëtare. Ajo ndër të tjerash tha se ne shqiptarët asnjëherë nuk u pajtuam me padrejtësinë e ndarjes së dhunshme të kombit shqiptar dhe tokave shqiptare, dhe lufta jonë e vendosur ka bërë që t’i kthejmë rrjedhat e historisë në favor të kombit shqiptar dhe të drejtësisë për ne. Ajo tha se shqiptarët gjetën forcën dhe u përcaktuan për lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe orientimin perëndimorë si dhe krijuam aleancën historike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Sot kemi dy shtete Shqipërinë dhe Kosovën e vizion të përbashkët euroatlantik dhe po punojmë për fuqizimin e kombit tonë, duke përfshirë këtu shqiptarët në rajon dhe lidhjet me diasporën shqiptare. Ministrja Tahiri tha se ky është shekulli jonë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë për t’i bërë shqiptarët një komb lider në rajon përmes investimeve tona strategjike për forcimin e ligjit, ekonomisë dhe kapitalit njerëzor përmes arsimimit cilësor dhe bashkëkohor si dhe përmes projekteve të përbashkëta strategjike.Ministrja Tahiri më pastaj foli për dialogun të Brukselit, duke potencuar se ky dialog po jep një kontribut për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë sidomos në marrëdhëniet mes dy shteteve të Kosovës dhe Serbisë që do të finalizohet me njohjen reciproke mes dy shteteve. Lufta dhe paqja janë procese të pashmangshme dhe derisa lufta e popullit të Kosovës ka sjell pavarësinë dhe shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, bisedimet paqësore në Rambuje, Vjenë dhe tani në Bruksel janë përpjekje për të mbyllur kapitullin e luftës dhe krijimin e një kapitulli të paqes mes dy shteteve dhe kombeve.Ministrja Tahiri tha se dialogu i Brukselit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, përkatësisht për arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së si dhe për liberalizimin e vizave, sepse me këtë proces po përmbushin kushtin evropian për fqinjësi të mirë me vendet fqinje.

Dialogu i Brukselit ka mundësuar shtrirjen e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të vendit, përmes shuarjes së strukturave paralele të Serbisë në Kosovë dhe integrimin e minoritetit serb në institucionet e Kosovës, me ndërmjetësimin dhe garancitë e BE-së dhe SHBA-ve. Dialogu i Brukselit i mundësoi Kosovës që të shuaj strukturat paralele të Serbisë në Kosovë dhe deri më tani ne kemi arritur që të shuajmë doganat paralele, policinë paralele, strukturat paralele në drejtësi, strukturën ilegale paramilitare e ashtuquajtur “mbrojtje civile” si dhe vendosëm kufirin ndërshtetëror përmes marrëveshjes së IBM-it duke vendosur autoritetet shtetërore edhe në dy pikëkalimet kufitare në pjesën veriore të kufiri. Kompanitë e pjesës veriore tashmë paguajnë obligimet doganore ndaj Kosovës, vendosëm kontroll shtetëror duke ndalur krimin e kontrabandën dhe evazionin fiskal, dhe tani do të ndërtojmë edhe ndërtesat e përhershme të IBM-it në të gjashtë pikë kalimeve kufitare mes të dyja vendeve.

Do ketë së shpejti zhvillime të reja, Kosova do ta marr kodin shtetëror telefonik 383 për të cilën angazhimet e BE-së janë maksimale që të detyrojnë Serbinë të mos e pengoj më tej këtë çështje si dhe sistemi transmetues i energjisë (KOSTT), i cili është pavarësuar në tetor të vitit të kaluar do të fillojë së shpejti zbatimin. Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ajo tha se sipas marrëveshjes kjo strukturë do të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe asnjëherë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, ndërsa statuti do të hartohet në pajtim të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke potencuar se edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini e rikonfirmoi këtë në fjalimin e saj drejtuar Parlamentit të Kosovës në fillim të majit kur e vizitoi Kosovën për të uruar liberalizimin e vizave.  Ajo potencoi se zbatimi i marrëveshjes për kodin telefonik dhe pavarësinë e KOSTT-it janë kushte pa zbatimin e të cilëve nuk do të fillon zbatimi i marrëveshjes për asociacionin, ndërsa i njëjti nuk mund të themelohet pa u zhbërë plotësisht të gjithë strukturat e mbetura paralele të Serbisë në Kosovë.Znj. Tahiri në një pjesë të ligjëratës u fokusua edhe në arritjet e fundit të sportit kosovar pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA duke i vlerësuar si arritje të mëdha në sport dhe diplomacinë e Kosovës.

Znj. Tahiri foli edhe për pozitën e shqiptarëve jashtë shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, duke filluar nga shqiptarët e Maqedonisë të cilët në aspektin politik kanë bërë progres por që nevojitet më shumë angazhim për të arritur statusin shtetformues, për shqiptarët e Luginës së Preshevës ku diskriminimi nga ana e shtetit serb po vazhdon, dhe për shqiptarët e Malit të Zi. Znj. Tahiri tha Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një program të përbashkët dhe të bëjnë shumë më shumë për shqiptarët në rajon dhe sidomos për Luginën e Preshevës. Ajo tha se në takimin me ministrin Bushati ka diskutuar edhe për këto çështje.Ministrja Tahiri ishte e shoqëruar nga Ramiz Lladrovci, ambasador i Kosovës në Tiranë, Enver Dugolli, atashe ushtarak i FSK-së, Arjeta Rexhaj dhe Gazmir Raci, këshilltarë politik të ministres Tahiri.

Ministrja Edita Tahiri u takua me ish kryeministrin Sali Berisha/

 Ministrja për Dialog, Edita Tahiri në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë, dje në orët e pas ditës u takua me ish Kryeministrin e Shqipërisë, Dr. Sali Berisha.

Gjatë këtij takimi shumë miqësor, ministrja Tahiri vlerësoi lartë personalitetin e Dr. Sali Berishës si lider historik i ndryshimeve demokratike në Shqipëri, si dhe bisedoi për zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës, ku ndër të tjerash theksoi progresin e madh në rrugën e integrimeve euroatlantike, marrjen e MSA-së dhe liberalizimin e vizave. Ajo në veçanti u angazhua që të dyja shtetet të rrisin bashkëpunimin për çështjet e interesit kombëtarë.

Krijimi i ushtrisë së Republikës së Kosovës është një prioritet kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës të cilën do ta rrumbullakojmë këtë vit, theksoi ministrja Tahiri, duke kërkuar që përvoja e Shqipërisë në këtë drejtim t’i vihet në dispozicion Kosovës. Ajo po ashtu tha se këmbimi i përvojave e përshpejton rrugën e Kosovës për integrim në BE, NATO dhe OKB, si dhe me ketë rast vlerësoi integrimin e sportit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Ministrja Tahiri tha se dialogu i Brukselit dhe angazhimi i Kosovës në këtë proces kontribuoi dukshëm në arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së që edhe juridikisht e futi Kosovën në procesin e integrimit evropian si dhe kontribuojë edhe në liberalizimin e vizave.

Nga ana e tij,  ish kryeministri Berisha, theksoi se në vazhdimësi ndjekë zhvillimet në Kosovë dhe vlerësoi progresin e arritur deri tani, duke i cilësuar si arritje të mëdha Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UEFA dhe FIFA.  Ai potencoi se stabiliteti politik në Kosovë dhe forcimi i sundimit të ligjit janë kushte të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe shtoi se veprimet e dhunshme të kohëve të fundit në Parlament kanë qenë të dëmshme për Kosovën. Z. Berisha theksoi se krijimi i ushtrisë së Kosovës i shërben paqes, stabilitetit në rajon dhe integrimit euroatlantik të Kosovës. Ish kryeministri Berisha potencoi në mënyrë të veçantë se të dy vendet duhet ta bëjnë prioritet fizibilitetin kombëtar në çdo projekt dhe duhet të shtyjnë përpara proceset e përbashkëta për fuqizimin e mëtejmë të kombit shqiptarë.

Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për rëndësinë e bashkëveprimit strategjik për fuqizimin e kombit shqiptarë si dhe të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe aleatëve ndërkombëtarë, siç është aleanca me SHBA-të, NATO-në dhe anëtarësimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

Ministrja Tahiri në këtë takim ishte e shoqëruar nga Ramiz Lladrovci, ambasador i Kosovës në Tiranë, Arjeta Rexhaj dhe Gazmir Raci, këshilltar politikë të ministres Tahiri.

Filed Under: Kronike Tagged With: kryeministrin Sali Berisha, Ministrja Edita Tahiri u takua me ish

PRISHTINA PRITI MIQ NGA DURRËSI

May 15, 2016 by dgreca

U Përurua në Prishtinë libri “Burg në Liri”/

Nga Kadri Tarelli/*

 Dy dit më parë, më sakt të Mërkurën, datë 12. Të Majit 2016,  Uniersiteti Europian i Kosovës në Prishtinë, organizoi përurimin e librit ““Burg në Liri”, me publicistikë, tregime dhe poezi, të shkrimtarit nga Durrësi z. Hysen Haxhiaj, ish i burgosur politik në vitet e diktaturës. Një ngjarje e bukur për pedagogët dhe studentët e këtij universiteti, të cilët mbushën sallën plot e për plot. “Një ngjarje madhore” e quajti, organizatori i këtij takimi z. Ali Bajgora, Rektori i Universitetit. Kjo veprimtari mbreslënse ishte njëkohësisht një nderim i veçantë për shkrimtarin e shumëvuajtur, që realizoi një ëndërr dhe dëshirë të kahershme të tij, për të qënë i pranishëm me këtë libër modest, në Kosovën që e deshte dhe e do aq shumë.

Grupi i miqëve nga Durrësi, në përbërje të të cilit kishte shkrimtarë, poetë, kritikë arti, gazetar, fotograf e telekronist, familjarë dhe miq e shokë të shkrimtarit. Në mesin tonë ndodhej edhe poeti Agim Bajrami, i cili është edhe redaktor i librit dhe këngëtari i njohur durrsak, Naim Kërçuku. Veprimtarinë e drejtoi Profesor Flamur Maloku, i cili përshëndeti në emër të stafit akademik, duke vlerësuar këtë takim si një urë bashkimi të ndërsjelltë, që i shërben njohjes së historisë mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit, sidomos atë periudhë të trishtë të izolimit, kur kufinjtë thurrur me tela me gjemba, mund t’i kalonin veç zogjtë e qiellit.

Fjalën e mirëseardhjes e mbajti rektori Ali Bajgora, i cili me oratori të zgjedhur e tone mjaft të ngrohta, përshëndeti shkrimtarin dhe grupi që e shoqëronte, duke uruar që takime të tilla mes vëllezërve të të dy anëve të ketë më shpesh. Të pranishëm në sallë ishin emra të njohur të kulturës, shkencës, letërsisë dhe institucioneve të Kosovës, mes tyre  akademikët z. Nuhi Vinca, studjues, poet e prozator, z. Shefki Stublla, muzeolog, studjues dhe historian i njohur në mbarë botën shqiptare, njëkohësisht poeti z. Adem Zaplluzha dhe znj. Teuta Musa, drejtore e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, Prishtinë.

Nikoqirët me mirëpritjen e tyre të veçantë, për paraqitjen e librit i lanë më shumë vend e kohë miqëve të ardhur nga Durrësi. Shumë ngrohtë foli shkrimtari, poeti dhe studjuesi z. Shpendi Topollaj, i cili i parashtroi një studim e analizë të bukur letare-akademike, që u duartrokit gjatë nga të pranishmit. Është e kuptueshme që dëgjuesit u preken në ndjenjat njerëzore, sepse autori i librit Hysen Haxhija, pasardhës nga një familje fisnike nacionaliste, që Shqipërinë e deshte të bashkuar me Kosovën e Çamërinë, përjetoi për 14-vjet burgun, “ferrin komunis”. Ai është një ndër ata “heronj” që nuk u thyen, por mbijetuan dhe “Rrnojtën për me tregue”, me fjalë zemre dhe ndjenja shpirti atë çka hoqën mijëra e mijëra shqiptarë të pafajshëm, që e deshën atdheun dhe kombin. Në brendinë e këtij libri ka ngjarje të shëmtuara e të trishtuara, të fshehta e të zbuluara, të thëna e të paharruara, me thirrje e rënkime të padëgjuara, njëkohësisht të jetuara me shumë dhimbje trupi e shpirti, me vuajtje skëtetrre, me durim e shpresë mbinjerëzore, se një ditë do ta prekin dritën e lirisë.

Më pas të pranishmit i përshëndeti z. Gjergj Vlashi, që mban titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”, personalitet i njohur në fushën e letrave, dramaturg, studjues, shkrimtar, përkthyes, regjizor i teatrit të Durrësit. Me finesë e mjeshtëri analizon poezitë e këtij libri, të shkruara me aq dashuri, muzikalitet, frymëzim e dashuri hyjnore për jetën, familen, atdheun, shokët, rininë e shkërmoqur në galeritë e minierave. Janë copëza jete që të mbërthejnë me mesazhet universale të qëndresës dhe vetmohimit për të vërtetën dhe lirinë e individit dhe të kombit.

Shkrimtari dhe poeti Vaso Papaj, me poezinë “Zeneli”, të shkruar nga ai vetë, mëllëngjeu dëgjuesit në sallë. Ai përcolli për të pranishmit, një gjetje tjetër për të paraqitur atë dramë shqiptare, atë zhgënjim të përjetuar me aq shpresë e dhimbje nga të rinjët shqiptarë të Kosovës, që duk e marrë rrezikun në sy, kaluan kufirin, guxuan e provuan të gjenin liri në tokën amë, në Shqipëri.

Më pas Shpëtim Kodra, mësues letërsie, prozator e kritik letrar, theksoi se heroi i librit, vetë shkrimtari, është një pjesë, një thërrime rëre në grumbullin e madh të të dënuarëve dhe të internuarëve politik të diktaturës. Vetë libri është një akuzë e mallkim ndaj të kaluarës, njëkohësisht edhe mësim për brezat. Është një përgjigje dhe mbështetje për fjalën e urtë të At Zef Pëllumbit, që thotë: “Nuk ka demokraci të pëstër kur shtrembërohet dhe mohohet historia”. Ai vlerësoi guximin dhe durimin e autorit që po thotë të vërtetën, duke shkruar se edhe tranzicioni i tej zgjatur ka ngjallur zhgënjim, meqënse gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç priteshin.

Mbas këtyre fjalimeve, takimin e përshëndeti z. Hysen, i cili me shumë emocine falënderoi të pranishmit në sallë, studentë dhe pedagogë, miq e të ftuar. Njëkohësisht falënderoi organizatorët e takimit, në veçanti z. Ali Bajgora dhe z. Flamur Maloku, sepse i dhanë mundësi të shpalosë para ajkës së arsimuar të shqiptarëve të Kosovës, kalvarin e jetës së tij, që është veç një copëz e jetës së shqiptarëve që jetuan për gati gjysëm shëkulli nën diktaturë. Bisedën e mbylli me fjalët e dala nga shpirti: “Jemi një gjak e një komb, të përpiqemi që koha të na bashkojë”. Pas kësaj ligjërate prekse, z. Ali Bajgora në emër të stafit akademik të Universitetit i dorzoi z. Hysen Haxhija “Fletë Mirënjohje”.

Në fund të takimit, z. Hysen, dhuroi për të pranishmit 50 libra “Burg në liri”, ndërsa z. Shpendi Topollaj dhe Vaso Papaj i dhuruan bibliotekës së Universitetit, respektivisht;  20 dhe 5 libra me tituj të ndryshëm nga krijimtaria e tyre.

Fotografi Luan Jaupaj dhe telekronisti Tristan Sherifi ishin të papaërtuar për të fiksuar çdo cast të këtij takimi të bukur me vlera shqiptarie.

Urojmë që takime të tilla të jenë të shpeshta në të dy kryeqytetet tona, Prishtinë e Tiranë!

Ne Foto: nga e djathta V.Papaj, Gj.Vlashi, H. Haxhiaj, F.Maloku,  Sh. Kodra, Sh. Topollaj.

Durrës më 14. 05. 2016

Filed Under: Kronike Tagged With: Burg ne Liri, Hysen Haxhiaj, Kadri Tarelli, MIQ NGA DURRËSI, PRISHTINA PRITI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 277
  • 278
  • 279
  • 280
  • 281
  • …
  • 600
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT