SHBA- Kosovë-Rëndësi strategjike, zhvillimi i Trepçës
-Zyrtarët e programit të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve, respektivisht Elementit Mbështetës Civilo Ushtarak takim në AKP/
PRISHTINË, 14 Dhjetor 2015-B.Jashari/ Drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit pritën sot në një takim zyrtarët e Elementit Mbështetës Civilo Ushtarak (EMCU), progam ky i Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga udhëheqësi i Ekipit, Peter Preisinger.Gjatë takimit, (ud) zëvendës drejtori menaxhues i AKP-së, Avni Jashari e njoftoi delegacionin nga EMCU për procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë dhe për sfidat që po e përcjellin këtë proces me rëndësi për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.AKP e vlerëson interesimin e mëhershëm dhe vizitat e këtij Ekipi në ndërmarrjen Trepça, në jug dhe në veri, ndërsa delegacioni nga programi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve, respektivisht Elementit Mbështetës Civilo Ushtarak shprehu falënderime për bashkëpunimin dhe aranzhimin e vizitave të sipërpërmendura si dhe vlerësoi rëndësinë strategjike në zhvillimin e ndërmarrjes Trepça.
Kosovë-Opozita tre herë sot hedh gaz lotsjellës
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Kuvendi i Kosovës, 14 dhjetor 2015, gazi lotsjellës i opoozitës në sallën e seancave plenare /
-Seanca e Kuvendit ndërpritet edhe në sallë alternative. Janë thyer disa dritare të ndërtesës së Parlamentit/
-“Mbledhja ilegale e koalicionit të ‘Zajednicës’ po vazhdon nëpër skutat e Kuvendit. Jashtë Kuvendit qytetarë e aktivistë mbështesin aksionin opozitar, me protestë”, është shprehur VV./
Nga Kuvendi i Kosovës: Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Dhjetor 2015/ Për të tretë herë është hedhur gaz lotsjellës nga opozita sot në Kuvendin e Kosovës. Rreth orë 15:35 gazi lotsjellës ndërpreu seancën në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës.Seanca plenare në sallë alternative nisi pak para orës 14:00, ndërsa ishte ftuar të mblidhet sot në orën 10:00. Por, paradite, as nuk filloi seanca, opozita hodhi gaz lotsjellës në sallën plenare, sapo mbërritën të gjithë, edhe deputetët, edhe qeveria, edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, pas kontrollit detaj, madje edhe të dyfishtë, në të gjitha hyrjet e ndërtesës së Kuvendit dhe brenda tij në holl, të cilit iu nënshtruan poashtu gazetarët.
Në këto rrethana, kryeparlamentari Kadri Veseli ftoi për një “pushim” dhe më pas për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku nënkryetarja e Kuvendit e VV-së, Aida Dërguti, hodhi gaz lotsjellës dhe e ndërpreu.
Ndërkohë u mor vendimi për mbajtjen e seancës, si në disa raste të kaluara në sallën alternative, ndërsa deputetë të opozitës kanë vazhduar të qëndrojnë në sallën plenare.
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, i cili u miratua, ishte një nga 28 pikat e axhendës së seancës së Kuvendit sot.
Jashtë Kuvendit, që para kohës së paraparë për fillimin e seancës dhe në vazhdim kishte grumbullime të aktivitëve e përkrahësve të opozitës, dhe më pas edhe veprime të dhunëshme, nga të cilat janë thyer disa dritare të ndërtesës së Parlamentit.
“Mbledhja ilegale e koalicionit të ‘Zajednicës’ po vazhdon nëpër skutat e Kuvendit. Jashtë Kuvendit qytetarë e aktivistë mbështesin aksionin opozitar, me protestë”, është shprehur VV.
Kosovë-Kuvendi seancë në sallë alternative, miratoi Buxhetin e Shtetit
Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari: Kjo ishte pamja e kontrollit ne hyrje te kuvendit te Kosoves para fillimit te seances/
-Gazi lotsjellës i opozitës pamundësoi nisjen e seancës në sallën plenare/
-Rreth orës 15:35 gazi lotsjellës i hedhur nga opozita ndërpreu seancën edhe në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës./
-Sot, Buxheti i Shtetit 1 miliard e 680 milionë euro në axhendën me 28 pika, në 17 dhjetor presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, do të mbajë fjalimin vjetor/
Nga Kuvendi i Kosovës: Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Dhjetor 2015/ Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi pak më parë Buxhetin e Shtetit 2016 në vlerë prej 1 miliard e 680 milionë euro, me 78 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, ndërsa qeveria e ka miratuar në 30 tetor. “Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016”, ishte një nga 28 pikat e axhendës, e cila nën një kishte “kohën për deklarime jashtë rendit të ditës”.Seanca plenare në sallë alternative nisi pak para orës 14:00, ndërsa ishte ftuar të mblidhet sot në orën 10:00. Por, paradite, as nuk filloi seanca, opozita sërish hodhi gaz lotsjellës në sallën plenare, sapo mbërritën të gjithë, edhe deputetët, edhe qeveria, edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, pas kontrollit detaj, madje edhe të dyfishtë, në të gjitha hyrjet e ndërtesës së Kuvendit dhe brenda tij në holl, të cilit iu nënshtruan poashtu gazetarët, përfshirë korrespondentin në Kosovë të gazetës Dielli.
Në këto rrethana, kryeparlamentari Kadri Veseli ftoi për një “pushim” dhe më pas për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku nënkryetarja e Kuvendit e VV-së, Aida Dërguti, hodhi gaz lotsjellës dhe e ndërpreu. Ndërkohë u mor vendimi për mbajtjen e seancës, si në disa raste të kaluara në sallën alternative, ndërsa deputetë të opozitës kanë vazhduar të qëndrojnë në sallën plenare.
Jashtë Kuvendit, që para kohës së paraparë për fillimin e seancës dhe në vazhdim kishte grumbullime të aktivitëve e përkrahësve të opozitës.
Dy deputetë të opozitës, Fisnik Imaili e Faton Topalli të VV-së, edhe pse janë nën masë arresti shtëpiak, të arrestuar pas zhvillimeve të kaluara me gaz lotesjellës në Kubend, erdhën në seancën e sotme duke kaluar kontrollet e sigurimit, ku është edhe Policia e Kosovës.
“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016”, është një nga 28 pikat e axhendës, e cila nën një ka “kohën për deklarime jashtë rendit të ditës”.
Qeveria e Kosovës vlerëson se “Projektligji për Buxhetin 2016, reflekton përkushtimin për adresimin e objektivave zhvillimore dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies për qytetarët duke qenë plotësisht në harmoni edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar”.
Në 17 nëntor, Kuvendi në seancën e zhvilluar në një “sallë alternative” pa opozitën, e cila e pamundësoi me hedhje gazi lotsjellës në sallën plenare, miratoi në parim projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 me 71 vota pro, 7 abstenime e 1 kundër.
Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, javën e kaluar, në 8 dhjetor, miratoi Raportin me amendamente të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 dhe e procedoi tutje në seancë të Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës prej gati tre muajsh, nga fillimi i sesionit vjeshtor me seancën e 17 shtatorit, bllokohet nga opozita, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, edhe me gjuajtje gazi lotsjellës në seanca e jashtë tyre, pas të cilave zhvillime ka pasur 7 deputetë opozitarë të arrestuar e 1 pas orësh qëndrimi i ftuar në Polici dhe Prokurori, është liruar me procedurë të rregulltë.
Seanca e sotme është ftuar nga Kryesia e Kuvendit përkundër kundërshtimit të opozitës së bashkuar, e cila ka paralajmëruar se do vazhdojë me pamundësimin e zhvillimit të seancave plenare.
Kuvendi i Kosovës këtë javë do do mblidhet edhe në një seancë tjetër në 17 dhjetor, ku presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, do të mbajë fjalimin vjetor para deputetëve. Sipas deklaratave, opozita nuk do ta pengojë këtë seancë, megjithatë mund të japë mesazhet e saj me ndonjë “aksion politik” të parë edhe më herët në seanca të veçanta-solemne, ku deputetë opozitarë aty ku ishin ulur kanë shpalosur parulla me slogane.
Javën e kaluar u bë një vit nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës, në 8 dhjetor 2014, i cili një ditë më pas zgjodhi qeverinë e re, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Pas zgjedhjes, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, për vitin 2015 kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.
Protesta e opozitës në Gjilan
Bota Sot-Ka përfunduar i qetë manifestimi i opozitës në Gjilan, përmes së cilit u kundërshtuan marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe asaj për Demarkacionin kufitar me Malin e Zi.Me thirrje “Duam shtet me sovranitet” dhe “Zajednica nuk kalon”, qytetarë të Gjilanit dhe Anamoravës ishin mbledhur në qendër të qytetit për të dal në mbrojtje të siç po thonë ata “sovranitetit të Kosovës”.Rikujtojmë se opozita të shtunën e kaluar kishte organizuar një manifestim të tillë edhe në komunën e Gjakovës ku morën pjesë qytetarë të shumtë.
Ymeri: Kryepolicët Mustafa e Thaçi po përdorin Policinë në shërbim të “Zajednicës”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë para protestuesve në Gjilan se dy kryepolicët, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi flasin vetëm me polici jo kundër krimit dhe korrupsionit po kundër opozitës duke e keqpërdorur policinë për ta kthyer atë kundër qytetarëve dhe për t’i vendosur ata në shërbim të “Zajednicës”.
Ai tha se qeveritarët argument nuk kanë përveç argumentit të forcës, pasi ata e dinë që qytetarët e Kosovës janë kundër këtyre marrëveshjeve dhe ata nuk e dëgjojnë qytetarin sepse nuk e duan atë.
“Këta kryepolic flasin vetëm me polici jo kundër krimit dhe korrupsionit po kundër opozitës duke e keqpërdorur policinë e qytetarëve të Kosovës për ta kthyer atë kundër qytetarëve dhe për t’i vendosur ata në shërbim të Zajednicës. Tashmë e kemi bërë të qartë se marrëveshjet nuk do të kalojnë asnjëherë sepse republika nuk mund ta donë atë Zajednicës dhe nuk mund të pranojë të ju falen tokat Malit të Zi. Dje kemi protestuar për ta mbrojtur Republikën, sot duhet protestuar për ta mbrojtur Republikën dhe ashtu do protestojmë edhe nesër deri të kthehet Republika”, ka thënë ai.
Ymeri shtoi se Isa dhe Hashimipo duan t’i frikësojnë duke i burgosur aktivistët e opozità «s por ata duhet të dinë se nuk mund ta burgosin krejt popullin e Kosovës.
Limaj: Kosova e përgjumur po zgjohet
Kryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj ka thënë në manifestimin e opozitës që po mbahet në qytetin e Gjilanit përmes së cilës po kundërshtohet marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe asaj për Demarkacionin kufitar me Malin e Zi se gjilanasit, familjet e dëshmorëve, e anamoravasit fuqishëm përmes peticionit dhe prezencës fizike po i thonë jo këtyre marrëveshjeve.
“Pjesëmarrja juaj është dëshmi se Kosova e përgjumur po zgjohet. Ju ftoj ti bashkohemi kësaj Kosove aktive, e cila është në mbrojtje të interesave tona. Opozita po forcohet edhe më shumë. Ngritni kokën sepse është momenti për të mbrojtur vendin tonë, Kosovën”, tha Limaj.
Haradinaj: Askush nuk mund t’i detyroj shqiptarët të pranojnë diçka të dëmshme
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se vendi ynë është më i korruptuari. Sipas tij, Zajednica dhe demarkacioni nuk kalojnë sepse Kosova ka nevojë për dikë që të përkujdeset për qytetarët e saj.
“Po duan të na kthejnë Serbinë në Kosovë, e Mali i Zi po thotë që nuk do tokë por qeveritarët tanë po duan tia japin. Kanë arrestuar deputetë, nënë të fëmijëve vetëm për të na frikësuar neve, por gabojnë sepse nuk munden ti detyrojnë shqiptarët të pranojnë dicka të dëmshme. Na kanë quajtur banditë e kriminel, në mënyrë që ju mos të na përkrahni, por e kanë gabim”, tha Haradinaj.
Kurteshi: Populli është me shtetin e jo me pushtetin
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosja, Smajl Kurteshi tha gjatë manifestimit se sot janë mbledhur sikurse në të gjitha rastet e vështira për Kosovën deri më tani.
Ai theksoi se sot po e kryen detyrën e qytetarit dhe atë të deputetit, i cili e ngarkon atë ta mbroj Republikën e Kosovës, të cilën me gjak e sakrifica e kanë sjell deri këtu.
“Republikën do ta mbrojnë qytetarët në cdo mënyrë. Qeveritarët po ikin vetëm drejt hoteleve, e sikur ata që na përfaqësojnë të mos pranonin të bisedonin me Serbinë, atëherë sot ajo nuk do të ishte hisedare në Kosovë”, tha tutje Kurteshi.
Sipas tij, nëse qeveritarët mos të dialogonin me Serbinë, Kosova do të ishte shtet funksional dhe Republika nuk do të zëvendësohej me fusnotë.
“Heqin dorë nga evokimi me Serbinë, dhe kthehuni me popullin sa nuk është vonë. Populli është me shtetin e jo me pushtetin. Ne nuk i falim sovranitetin që e fituam”,potencoi ai.
Kadriu: Asociacioni e dëmton në mënyrë drastike Gjilanin
Ne Gjilan ka filluar manifestimi i opozites kundër marrveshjeve per asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.
Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i cili është edhe kryetar i degës së AAK-së në Gjilanë, ka thënë në manifestimin e opozitës që po mbahet në qytetin e Gjilanit përmes së cilës po kundërshtohet marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe asaj për Demarkacionin kufitar me Malin e Zi se sot kur duhet të diskutohej për të arriturat, qytetarët janë detyruar të dalin në rrugë.
“Sot Gjilani manifeston me dinjitet për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës. Në vend që sot të diskutojmë për të arriturat tona, jemi detyrua të dalim në shesh për ti thënë jo dy marrëveshjeve që cenojnë integritetin e Kosovës. Ne gjilanasit gjithmonë kemi reaguar kur është cenuar territori ynë. Asociacioni e dëmton në mënyrë drastike Gjilanin sepse jemi të rrethuar me tri komuna serbe dhe nuk e pranojmë këtë”, tha ai.
Qindra protestues në Gjilan
Numri i protestuesve në Gjilan tanimë është rritur në qindra. Së shpejti fillon manifesti i opozitës në Gjilan, ku do të kundërshtohet marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshje këto të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës.
Kurse, në protestë po marrin pjesë edhe tre liderët e opozitës, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.
Protestuesit po mbajnë në duar pankarta me mbishkrimin ”Poshtë Zajednica”, “Nuk i falim tokat tona”, “Hasha e nisi, Isa e bitisi”, e të tjera.
Gjilani para protestës së opozitës
Së shpejti pritet të filloi manifesti i opozitës në Gjilan, ku do të kundërshtohet marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshje këto të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës.
Te Teatri i Gjilani ku pritet të mbahen fjalimet kryesore, për momentin janë dikur rreth 30-40 qytetarë që janë mbledhur.
Rruga ende nuk është bllokuar edhe pse sipas policëve rrugorë, do të bllokohet vetëm nëse ka numër të madh të qytetarëve.
Po ashtu, në këto momente në Gjilan nuk vërehet numër i madh i pjesëtarëve të policisë së Kosovës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 315
- 316
- 317
- 318
- 319
- …
- 596
- Next Page »












