Kosovë-Kuvendi dy seanca, deri natën vonë
-Të dy seancat janë mbajtur në sallën alternative, derisa deputetët e opozitës kanë qëndruar në sallën plenare, të cilën, sipas diskutimeve të pozitës, e kishin uzurpuar dhunshëm/
-Veseli, Mustafa e Thaçi deklarata gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës/
-Ka mbërritur në nëntë numri i deputetëv e opozitarë të ndaluar gjatë ditës së djeshme dhe mbrëmë/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Dhjetor/ Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në orët e vona të natës së kalar, ka mbajtur një mbledhje të dytë, sipas vendimit të mbledhjes paraprake në mbrëmje për shmangie nga rregullorja e punës, lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Deputetët kishin vendosur që shqyrtimi i këtij projektligji të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke krijuar mundësinë për shqyrtimin e tij në të dy leximet brenda ditës e natës së kaluar.
Në kohën e pushimit midis dy seancave, projektligji është shqyrtuar nga komisionet përkatëse dhe i është rekomanduar Kuvendit miratimi i tij. Me shumicën e votave, Kuvendi ka miratuar për herë të dytë këtë projektligj, me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional.
Ndërsa, në mungesë të kuorumit, shqyrtimi i propozim-vendimit të qeverisë, e cila ka mbajtur mbledhje edhe natën vonë, për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pritet të bëhet të enjten, në 17 dhjetor, pas seancës së adresimit të presidentes Atifete Jahjaga me fjalimin vjetor në Kuvend.
Të dy seancat janë mbajtur në sallën alternative, derisa deputetët e opozitës kanë qëndruar në sallën plenare, të cilën, sipas diskutimeve të pozitës, e kishin uzurpuar dhunshëm.
Lidhur me zhvillimet e ditës, kryeparlamentari Veseli, duke marrë fjalën në seancë, tha se “ka tre muaj e gjysmë që Kuvendi ballafaqohet me përpjekje të deputetëve të opozitës për krijimin e një situate kaotike”. Por, vijoi ai, “Kuvendi është i përkushtuar që të vazhdojë axhendën e vet legjislative dhe të kryejë detyrat e përcaktuara me Kushtetutë, ligje dhe rregullore, konform funksioneve të tij”.
Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, në fjalën e tij në seancë, tha se “deputetëve dhe qeverisë po u mohohet e drejta për komunikim me qytetarët, ndërsa qytetarëve informimi lidhur me temat e ngritura”.
“Nga veprimet e opozitës Kosovës po i rrezikohen një varg marrëveshjesh ndërkombëtare, në vlerë prej rreth 60 milionë eurosh”, theksoi ai.
Zëvendëskryeministri dhe minsitri i Jashtëm, Thaçi, dënoi “uzurpimin e dhunshëm të sallës kryesore të Kuvendit nga një grup deputetësh opozitarë”.
Po në këtë frymë, edhe kryeministri Isa Mustafa theksoi se, “gjendja aktuale kërkon ndërmarrjen e masave përkatëse, të cilat do të ndikonin në sanimin e saj”.
“Opozita po përdor mjete të dhunshme dhe të paarsyeshme për situatën dhe se veprime të tilla po ndodhin edhe jashtë Kuvendit”, tha ai.
Kryeministri Mustafa kërkoi nga opozita “që të paraqesë arsyet e vërteta të këtyre veprimeve të saj, sepse, asociacioni dhe demarkacioni i kufirit nuk janë të tilla”.
Pas këtyre deklaratave, gjatë seancës së parë mbrëmë, Kuvendi i Kosovës iu kthye serish axhendës legjislative.
Ndërkohë, ka mbërritur në nëntë numri i deputetëv e opozitarë të ndaluar gjatë ditës së djeshme dhe mbrëmë, sipas njoftimeve zyrtare të dërguara nga Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës, mbrëmë rreth mesatës deklaroi se, duke u bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore ka vazhduar me ndërmarrjen e masave të sigurisë në vend, duke përfshirë edhe masat e sigurisë rreth objekteve shtetërore te Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Rreth orës 17:45, pas daljes nga objekti i Kuvendit të Kosovës, dy deputete, Time Kadrijaj e Teuta Haxhiu
(të AAK), me urdhër të prokurorit kompetent janë ndaluar nga zyrtarët e Policisë dhe shoqëruar në stacion policor, mbi bazën e dyshimit se kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën ku po mbahej seanca. Me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Rreth orës 22:50 , po ashtu pas daljes nga objekti i Kuvendit të Kosovës, me urdhër të prokurorit kompetent janë ndaluar edhe deputetët, Faton Topalli dhe Fisnik Ismaili, për mosrespektim të urdhër arrestit shtëpiak, si dhe deputetët Glauk Konjufca, Aida Dërguti dhe Besa Baftija, nën dyshimin e bazuar për hedhje të gazit lotsjellës. Që të pestit janë deputetë të grupit parlamentar të VV. Ata janë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtutjeshme ligjore.
Policia thekson se, të gjitha veprimet do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent.
Ndërsa, dje pasdite Policia e Kosovës njoftonte për dy ndalime të tjera të deputetëve. Në kontrollin e personaliteteve në hyrje të Kuvendit të Kosovës, gjatë hyrjes, me urdhëresë të Gjykatës kompetente zyrtarët policorë kanë ndaluar deputetin Ismajl Kurteshin (të VV) për mosrespektim të arrestit shtëpiak, me rastin e pjesëmarrjes së tij në manifestimin/protestën e datës 12 dhjetor 2015 në Gjilan. Me vendim të organeve të drejtësisë i është zëvendësuar masa e dënimit nga arrest shtëpiak me masën e dënimit prej 30 ditësh paraburgim.
Bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente, pas daljes nga objekti i Kuvendit të të Kosovës është ndaluar deputeti Pal Lekaj (i AAK), i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme.
“Zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtja e qetë e të gjitha zhvillimeve është dhe mbetet prioritet i Policisë së Kosovës”, deklaronte mbrëmë Policia.
Gjatë ditës së djeshme, tre herë është hedhur gaz lotsjellës nga opozita në Kuvendin e Kosovës. Rreth orës 15:35 gazi lotsjellës ndërpreu seancën në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës. Seanca plenare në sallë alternative nisi pak para orës 14:00, ndërsa ishte ftuar të mblidhet në orën 10:00. Por, paradite, as nuk filloi seanca, opozita hodhi gaz lotsjellës në sallën plenare, sapo mbërritën të gjithë, edhe deputetët, edhe qeveria, edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, pas kontrollit detaj, madje edhe të dyfishtë, në të gjitha hyrjet e ndërtesës së Kuvendit dhe brenda tij në holl, të cilit iu nënshtruan poashtu gazetarët.
Në këto rrethana, kryeparlamentari Kadri Veseli ftoi për një “pushim” dhe më pas për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku nënkryetarja e Kuvendit e VV-së, Aida Dërguti, hodhi gaz lotsjellës dhe e ndërpreu. Ndërkohë u mor vendimi për mbajtjen e seancës, si në disa raste të kaluara në sallën alternative.
SHBA- Kosovë-Rëndësi strategjike, zhvillimi i Trepçës
-Zyrtarët e programit të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve, respektivisht Elementit Mbështetës Civilo Ushtarak takim në AKP/
PRISHTINË, 14 Dhjetor 2015-B.Jashari/ Drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit pritën sot në një takim zyrtarët e Elementit Mbështetës Civilo Ushtarak (EMCU), progam ky i Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga udhëheqësi i Ekipit, Peter Preisinger.Gjatë takimit, (ud) zëvendës drejtori menaxhues i AKP-së, Avni Jashari e njoftoi delegacionin nga EMCU për procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë dhe për sfidat që po e përcjellin këtë proces me rëndësi për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.AKP e vlerëson interesimin e mëhershëm dhe vizitat e këtij Ekipi në ndërmarrjen Trepça, në jug dhe në veri, ndërsa delegacioni nga programi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve, respektivisht Elementit Mbështetës Civilo Ushtarak shprehu falënderime për bashkëpunimin dhe aranzhimin e vizitave të sipërpërmendura si dhe vlerësoi rëndësinë strategjike në zhvillimin e ndërmarrjes Trepça.
Kosovë-Opozita tre herë sot hedh gaz lotsjellës
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Kuvendi i Kosovës, 14 dhjetor 2015, gazi lotsjellës i opoozitës në sallën e seancave plenare /
-Seanca e Kuvendit ndërpritet edhe në sallë alternative. Janë thyer disa dritare të ndërtesës së Parlamentit/
-“Mbledhja ilegale e koalicionit të ‘Zajednicës’ po vazhdon nëpër skutat e Kuvendit. Jashtë Kuvendit qytetarë e aktivistë mbështesin aksionin opozitar, me protestë”, është shprehur VV./
Nga Kuvendi i Kosovës: Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Dhjetor 2015/ Për të tretë herë është hedhur gaz lotsjellës nga opozita sot në Kuvendin e Kosovës. Rreth orë 15:35 gazi lotsjellës ndërpreu seancën në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës.Seanca plenare në sallë alternative nisi pak para orës 14:00, ndërsa ishte ftuar të mblidhet sot në orën 10:00. Por, paradite, as nuk filloi seanca, opozita hodhi gaz lotsjellës në sallën plenare, sapo mbërritën të gjithë, edhe deputetët, edhe qeveria, edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, pas kontrollit detaj, madje edhe të dyfishtë, në të gjitha hyrjet e ndërtesës së Kuvendit dhe brenda tij në holl, të cilit iu nënshtruan poashtu gazetarët.
Në këto rrethana, kryeparlamentari Kadri Veseli ftoi për një “pushim” dhe më pas për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku nënkryetarja e Kuvendit e VV-së, Aida Dërguti, hodhi gaz lotsjellës dhe e ndërpreu.
Ndërkohë u mor vendimi për mbajtjen e seancës, si në disa raste të kaluara në sallën alternative, ndërsa deputetë të opozitës kanë vazhduar të qëndrojnë në sallën plenare.
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, i cili u miratua, ishte një nga 28 pikat e axhendës së seancës së Kuvendit sot.
Jashtë Kuvendit, që para kohës së paraparë për fillimin e seancës dhe në vazhdim kishte grumbullime të aktivitëve e përkrahësve të opozitës, dhe më pas edhe veprime të dhunëshme, nga të cilat janë thyer disa dritare të ndërtesës së Parlamentit.
“Mbledhja ilegale e koalicionit të ‘Zajednicës’ po vazhdon nëpër skutat e Kuvendit. Jashtë Kuvendit qytetarë e aktivistë mbështesin aksionin opozitar, me protestë”, është shprehur VV.
Kosovë-Kuvendi seancë në sallë alternative, miratoi Buxhetin e Shtetit
Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari: Kjo ishte pamja e kontrollit ne hyrje te kuvendit te Kosoves para fillimit te seances/
-Gazi lotsjellës i opozitës pamundësoi nisjen e seancës në sallën plenare/
-Rreth orës 15:35 gazi lotsjellës i hedhur nga opozita ndërpreu seancën edhe në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës./
-Sot, Buxheti i Shtetit 1 miliard e 680 milionë euro në axhendën me 28 pika, në 17 dhjetor presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, do të mbajë fjalimin vjetor/
Nga Kuvendi i Kosovës: Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Dhjetor 2015/ Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi pak më parë Buxhetin e Shtetit 2016 në vlerë prej 1 miliard e 680 milionë euro, me 78 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, ndërsa qeveria e ka miratuar në 30 tetor. “Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016”, ishte një nga 28 pikat e axhendës, e cila nën një kishte “kohën për deklarime jashtë rendit të ditës”.Seanca plenare në sallë alternative nisi pak para orës 14:00, ndërsa ishte ftuar të mblidhet sot në orën 10:00. Por, paradite, as nuk filloi seanca, opozita sërish hodhi gaz lotsjellës në sallën plenare, sapo mbërritën të gjithë, edhe deputetët, edhe qeveria, edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, pas kontrollit detaj, madje edhe të dyfishtë, në të gjitha hyrjet e ndërtesës së Kuvendit dhe brenda tij në holl, të cilit iu nënshtruan poashtu gazetarët, përfshirë korrespondentin në Kosovë të gazetës Dielli.
Në këto rrethana, kryeparlamentari Kadri Veseli ftoi për një “pushim” dhe më pas për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku nënkryetarja e Kuvendit e VV-së, Aida Dërguti, hodhi gaz lotsjellës dhe e ndërpreu. Ndërkohë u mor vendimi për mbajtjen e seancës, si në disa raste të kaluara në sallën alternative, ndërsa deputetë të opozitës kanë vazhduar të qëndrojnë në sallën plenare.
Jashtë Kuvendit, që para kohës së paraparë për fillimin e seancës dhe në vazhdim kishte grumbullime të aktivitëve e përkrahësve të opozitës.
Dy deputetë të opozitës, Fisnik Imaili e Faton Topalli të VV-së, edhe pse janë nën masë arresti shtëpiak, të arrestuar pas zhvillimeve të kaluara me gaz lotesjellës në Kubend, erdhën në seancën e sotme duke kaluar kontrollet e sigurimit, ku është edhe Policia e Kosovës.
“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016”, është një nga 28 pikat e axhendës, e cila nën një ka “kohën për deklarime jashtë rendit të ditës”.
Qeveria e Kosovës vlerëson se “Projektligji për Buxhetin 2016, reflekton përkushtimin për adresimin e objektivave zhvillimore dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies për qytetarët duke qenë plotësisht në harmoni edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar”.
Në 17 nëntor, Kuvendi në seancën e zhvilluar në një “sallë alternative” pa opozitën, e cila e pamundësoi me hedhje gazi lotsjellës në sallën plenare, miratoi në parim projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 me 71 vota pro, 7 abstenime e 1 kundër.
Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, javën e kaluar, në 8 dhjetor, miratoi Raportin me amendamente të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 dhe e procedoi tutje në seancë të Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës prej gati tre muajsh, nga fillimi i sesionit vjeshtor me seancën e 17 shtatorit, bllokohet nga opozita, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, edhe me gjuajtje gazi lotsjellës në seanca e jashtë tyre, pas të cilave zhvillime ka pasur 7 deputetë opozitarë të arrestuar e 1 pas orësh qëndrimi i ftuar në Polici dhe Prokurori, është liruar me procedurë të rregulltë.
Seanca e sotme është ftuar nga Kryesia e Kuvendit përkundër kundërshtimit të opozitës së bashkuar, e cila ka paralajmëruar se do vazhdojë me pamundësimin e zhvillimit të seancave plenare.
Kuvendi i Kosovës këtë javë do do mblidhet edhe në një seancë tjetër në 17 dhjetor, ku presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, do të mbajë fjalimin vjetor para deputetëve. Sipas deklaratave, opozita nuk do ta pengojë këtë seancë, megjithatë mund të japë mesazhet e saj me ndonjë “aksion politik” të parë edhe më herët në seanca të veçanta-solemne, ku deputetë opozitarë aty ku ishin ulur kanë shpalosur parulla me slogane.
Javën e kaluar u bë një vit nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës, në 8 dhjetor 2014, i cili një ditë më pas zgjodhi qeverinë e re, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Pas zgjedhjes, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, për vitin 2015 kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.
- « Previous Page
- 1
- …
- 318
- 319
- 320
- 321
- 322
- …
- 600
- Next Page »