Anijet amerikane, pjesë e struktures së Forcës Detare, riparim të plotë nga specialistët amerikanë dhe shqiptarë/
Nga Shefqet Kërcelli*/
Në zbatim të planit të bashkëpunimit midis Forcës Detare dhe Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes, {ODS}, gjatë kësaj jave në Kantierin detar të Pashalimanit, filloi riparimi i anijeve të dhuruara këto 17 vite nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA. Sic informon Komandanti i Flotiljes Detare Pashaliman, Kapiten i Rangut të I-rë Subi Zenelaj, janë 10 anije amerikane,{3 motovedeta{MV} të klasit 65 foot, 2 MV të klasit 46 foot dhe 5 anijet patrulluese “Archangel”, që i janë nënshtuar një riparimi të plotë në Kantier. Për realizimin sa më mirë të këtij riparimi ne si si komandë bashkë me efetivat dhe specialistë e grupeve të anijeve kemi marrë të gjitha masat e nevojshme tekniko-organizative, thotë Komandant Subiu. Ky proces, nga më të rëndësishmin për Forcën Detare filloi më 29 qershor dhe do vazhdojë deri më datën 18 korrik. Gjatë kësaj periudhe specialistët amerikanë dhe shqiptarë do kryejnë riparimin e defekteve dhe problemeve teknike që janë konstatuar në anijet amerikane, gjatë operacioneve të kryera në hapësirën tonë detare. Eshtë fakt që gjatë këtyre viteve këto anije kanë mbajtur peshën kryesore në realizmin e detyrave dhe operacioneve të shumta të Forcës Detare, si ato për zbatimin e ligjshmërisë, të kërkim-shpëtimit apo stëvitjet e ndryshme në det. Kuadro të vjetër mekanikë dhe motoristë, që kanë shërbyer për vite në këto anije si Ylli Leka, Besnik Bërdoj, Arben Koci, Haki Stafa, Vaso Jazo, Artan Kojtari, Viron Brezhani, Roland Cane, Jako Kojani, Gëzim Hyseni, Alfred Mara, etj, kanë kujtimet më të bukura të jetës së tyre në det me këto anije. Anije të forta, me karakteristika të mira teknike, që s’të lenë në mëshirën e dallgëve të detit, në kuptimin e plotë të fjalës, Luan Deti, -thotë ishkryemekaniku i MV-118, Ylli Leka, tani motorist tek anija tregtare, “Frojdi II”. Ndërkohë Kordinatori i zbatimit të projektit për Forcën Detare, Kapiten i Rangut të III-të Olsi Avduli,{zv/Komandant i Grupit të I-rë Patrullues} sqaron se, që ditën e parë puna filloi nëpërmjet një bashkëpunimi perfekt midis specialistëve amerikanë, ekuipazheve tona dhe specialistëve të Kantierit Detar të Pashalimanit. Të gjithë duan të bëjnë më të mirën, duke vënë aftësitë e tyre mendore dhe fizike për cdo difekt që konstatohet. Një fillim i mbarë për realizimin me sukses të kësaj detyre të rëndësishme, thotë Kapiten Avduli. Puna kryesore gjatë këtij riparimi të plotë është riparimi i tubolarëve të anijeve “Archangel” P-01, P-03 dhe P-05, për të cilat pala amerikane ka sjellë pjesë këmbimi, pajisje dhe materiale për riparim, zvëndësim e ndërrim për të gjitha anijet. Theksojmë se gjithë kostoja finaciare e këtij procesi prej dhjetra mijë dollarësh mbulohet nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA.*Shefqet Kercelli, korrespondent i Diellit ne Shqiperi
Operacion kundër terrorizmit, 10 në pranga
Operacion i përbashkët i policisë italiane dhe shqiptare në disa qytete. Në pranga të afërmit e një cifti italo-shqiptar që po lufton në Siri. Në Lushnjë arrestohet Baki Coku, daja i luftëtarit shqiptar Aldo Kobuzi
Autoritetet italiane dhe ato shqiptare kanë ekzekutuar sot urdhër arrestet për 10 persona të dyshuar si të përfshirë në aktivitete terroriste në emër të Shtetit Islamik. Në pranga kanë përfunduar katër italianë, një shtetas kanadez dhe 5 shqiptarë, njëri prej të cilëve u arrestua nga policia shqiptare në qytetin e Lushnjes. Bëhet fjalë për 40-vjecarin Baki Coku, i cili jeton në Itali, por ishte kthyer pak ditë më parë në Shqipëri për të takuar të afërmit e tij.Coku është daja i 27 vjecarit shqiptar Aldo Kobuzi, i cili së bashku me bashkëshorten e tij italiane Maria Giulia Sergio, dhe nënën e tij, ndodhen që prej shtatorit të shkuar në Siri ku i janë bashkuar njësive të organizatës terroriste ISIS. Kanë qenë pikërisht përgjimet e komunikimeve që cifti ka patur me të afërmit, që cuan sot në arrestimin ndër të tjera edhe të prindërve dhe motrës së italianes, si dhe të tezes së shqiptarit Kobuzi, Arta Kacabuni, 41 vjec. Sipas policisë italiane edhe ata po përgatiteshin për t’ju bashkuar ciftit në Siri.(SH.K)
239-vjetori i Pavarësisë, ceremoni festive në Ambasadën e SHBA
239-vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është festuar në Pallatin e Brigadave përmes pritjes tradicionale të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit.
Në këtë eveniment, ambasadori Donald Lu shmangu komentet politike. Të gjithë fjalën përshëndetëse ai ia kushtoi njerëzve me aftësi të kufizuara, pasi këtë vit festohet edhe 25-vjetori i ligjit për amerikanët me aftësi të kufizuara.
Nëpërmjet mesazit të tij, ambasadori Lu inkurajoi dhe mbështeti përpjekjet e Shqipërisë në përmirësimin e jetesës së qyetetarëve shqiptarë me aftësi të kufizuara.
Ndërsa zëvëndësministrja e Mirëqënies Sociale, Bardhylka Kospiri tregoi dy histori suksesi të dy qyetarëve shqiptarë me aftësi të kufizuara që janë vënë në ndihmë të këtij komuniteti.
Ky event i përvitshëm i Ambasadës Amerikane shërbeu për të mbledhur së bashku jo vetëm miqtë e Shteteve të Bashkuara, por edhe aktorët e politikës shqiptare.Kryetari në ikje i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ishte shumë afër me pasardhësin e tij Erion Veliaj, por mungoi një shtrëngim duarsh.
Ish-kreu i demokratëve, Sali Berisha, që prej momentit të mbërritjes, pjesën më të madhe të kohës e kaloi në shoqërinë e ambasadorit francez dhe kryetares së komisionit parlamentar të integrimit, Majlinda Bregu.
Kosova do te nderoje Harry Bajraktarin për kontributin 30 vjeçar
PRISHTINË, 1 Korrik / Ministria kosovare e Diasporës do të organizojë sot në mbrëmje një ceremoni, për të nderuar një nga personalitetet më të spikatura të komunitetit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, për kontributin 30 vjeçar në promovimin dhe afirmimin e çështjes së Kosovës, Pavarësisë së saj, si dhe një nga investitorët më të mëdhenj.
Ceremoninë, organizuar nga ministri i Diasporës Valon Murati, do ta nderojë prania e mysafirit special, mikut te shqiptarëve për më se 25 vjet në Kongresin Amerikan dhe mik personal i Bajraktarit, Kongresmeni Eliot Engel.
Kjo ceremoni do të shënojë edhe hapjen e aktiviteteve për Ditët e Diasporës. Sipas njoftimit nga Ministria, të pranishëm do të jenë: Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryeministri Isa Mustafa, zv. Kryeministri Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministra, deputetë, diplomatë, shkrimtarë, gazetarë, studiues e të tjerë.
Kongresisti Engel: Kosova, model i promovimit të tolerancës ndërfetare
Kongresmeni Eliot Engel, bashkëkryesues i Komisionit për Punë të Jashtme i kongresit amerikan u takua sot me zëvendësministrin e Jashtëm, Petrit Selimi dhe me klerikët fetarë të Kosovës.
Zëvendësministri Selimi, bashkë me liderët fetarë dhe ekipin e Nismës për Dialog Ndërfetar, kongresmenin Engel e njoftuan me suksesin e projektit të diplomacisë publike kosovare në fushën e dialogut ndërfetar.
Selimi paraqiti projektin e dialogut ndërfetar, përfshirë edhe synimet kryesore të diplomacisë kosovare në përmirësim të imazhit të Kosovës dhe promovimit të agjendës së tolerancës. Kurse, kongresmeni Engel i dha përkrahje punës së zëvendësministrit Selimi dhe ekipit të Nismës për Dialog Ndërfetar, duke thënë se kanë përkrahjen e tij personale në Kongres, derisa shprehu mirënjohje edhe për nismën e vendosjes së gurit të Holokaustit në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
Gjithashtu, kongresmeni Engel theksoi se Kosova është shtet që mund t’i tregojë botës se nuk ka nevojë të frikësohet nga shumica myslimane, por të marrin mësim sesi shumica është respektuese dhe promovuese e tolerancës dhe mbrojtjes së pakicës.
Engel po ashtu ka premtuar përkrahje të vazhdueshme edhe për projektet e Ministrisë së Jashtme, përfshirë edhe lobimin në Izrael, Karaibe dhe Amerikën Latine.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadorja amerikane Tracy Jacobson, biznesmeni shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari, botuesi i gazetës Illyria Vehbi Bajrami, etj. Ndërsa, si pjesëmarrës dhe përkrahës të projektit të MPJ-së për dialog ndërfetar, të pranishëm ishin edhe ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu dhe përfaqësuesit e BE-së, ambasadës gjermane dhe asaj britaneze. /KosovaPress/
- « Previous Page
- 1
- …
- 391
- 392
- 393
- 394
- 395
- …
- 599
- Next Page »