TIRANE, 5 Prill / – Besimtarët katolikë festuan Pashket, ringjalljen e Krishtit. Qindra besimtare i janë drejtuar Katedrales së “Shën Palit”, ku ndoqen meshen e shenjtë që nisi në orën 23:00. Imzot Rrok Mirdita i është drejtuar dje me një mesazh urimi gjithë besimtarëve në prag të kremtimit të Pashkëve katolike. Sipas tij, ringjallja e Krishtit është mesazhi i besimit dhe shpresës për gjithë njerëzimin. “Ati i dashur qiellor që na ka krijuar të jemi të lumtur nuk na ka braktisur në mjerimin top në por kur na duket se gjithcka ka marrë fund dhe asnjë pushtet nuk mund të ushtrojë autoritet mbi ne në këtë natë të mrekullueshme të pashkëve ai e thërret Krishtin nga vdekja në jetë dhe bashkë me Krishtin thërret cdo njeri në ringjallje”, theksohet ne mesazh.
Papa Françesku-Mesazhi “Urbi et Orbi”- “Romës e Botës”
Jezu Krishti u ngjall!/
Dashuria e mundi urrejtjen, jeta e mundi vdekjen, drita e dëboi errësirën!
Jezu Krishti, për dashurinë tonë, u zhvesh nga lumnia e tij hyjnore; e zbrazi vetveten, mori pamjen e shërbëtorit, u përul deri në vdekje, e në vdekjen në kryq. Prandaj Zoti e lartoi dhe e bëri Zotëri të gjithësisë. Jezusi është Zoti!
Me vdekjen dhe ngjalljen e tij, Jezusi u tregon të gjithëve udhën e jetës e të lumturisë: kjo udhë është përvujtëria e kërkon përulje. E kjo është udha, që çon në lumni. Vetëm kush përulet, mund të shkojë kah “sendet atje lart”, kah Hyji(cfr Kol 3,1-4). Krenari shikon “nga lart poshtë”, i përvuajturi, “nga poshtë, lart”.
Në agun e Pashkëve, të lajmëruar nga gratë, Pjetri e Gjoni rendën tek varri dhe e gjetën të hapur e të zbrazët. Atëhere u afruan e “u përkulën” për të hyrë në varr. Për të hyrë në mister duhet “të përkulesh”, të ulesh. Vetëm kush ulet e kupton lumnimin e Jezusit e mund ta ndjekë në udhën e tij.
Bota propozon të imponohesh me çdo kusht, të konkurosh, të vlerësohesh. Por të krishterët, për hir të Krishtit të vdekur e të ngjallur, janë lastarë të një njerëzimi tjetër, në të cilin kërkojmë të jetojmë në shërbim të njëri-tjetrit, të mos jemi arrogantë, por të gatshëm e respektues.
Kjo nuk është ligështi, është forcë e vërtetë! Kush ka në shpirt forcën e Hyjit, dashurinë e drejtësinë, nuk ka nevojë të përdorë dhunën, por flet e vepron me forcën e së vërtetës, të bukurisë, të dashurisë.
Nga Zoti i ngjallur lypim hirin të mos i nënshtrohemi krenarisë, që ushqen dhunë e luftëra, por të kemi guximin e përvuajtur të faljes e të paqes. Jezusit ngadhënjimtar t’i kërkojmë t’i lehtësojë vuajtjet e vëllezërve tanë të shumtë të persekutuar për shkak të emrit të Tij, ashtu si edhe të atyre, që vuajnë padrejtësisht pasojat e konflikteve e të dhunës, në vijim. Janë shumë.
Paqe kërkojmë posaçërisht për Sirinë e për Irakun, që të marrë fund vringëllimi i armëve e të rivendoset bashkëjetesa ndërmjet grupeve të ndryshme të këtyre vendeve të dashura. Bashkësia ndërkombëtare të mos rrijë duarkryq përballë tragjedisë së pamasë humanitare brenda këtyre vendeve e dramës së refugjatëve të panumërt.
Paqe kërkojmë për mbarë banorët e Tokës Shenjte. Urojmë të rritet ndërmjet Izraelitëve e Palestinezëve kultura e takimit e të rifillojë procesi i paqes, që t’i jepet, kështu, fund, viteve të vuajtjeve e të ndarjeve.
Paqe kërkojmë për Libinë, që të ndalohet gjakderdhja e pakuptimtë, në vijim, si dhe çdo dhunë barbare, e ata, që e kanë për zemër fatin e vendit, të përpiqen për të favorizuar pajtimin e për të ndërtuar një shoqëri vëllazërore, që e respekton dinjitetin e njeriut. Edhe në Jemen urojmë të fitojë vullneti i paqësimit, për të mirën e gjithë popullsisë.
Njëkohësisht me shpresë ia besojmë Zotit të mëshirshëm marrëveshjen e arritur këto ditë në Lozanë, duke uruar të jetë hap përfundimtar drejt një bote më të sigurt e më vëllazërore.
Nga Zoti i ngjallur kërkojmë dhuratën e paqes për Nigerinë, për Sudanin e Jugut e për zona të tjera të Sudanit e të Republikës Demokratike të Kongos. Një lutje e paprerë të lartohet nga të gjithë njerëzit vullnetmirë për ata që kanë humbur jetën – mendoj posaçërisht për të rinjtë e vrarë të enjten e kaluar në Universitetin e Garissës, në Kenia – për ata, që janë rrëmbyer, që kanë humbur shtëpitë e ngrohtësinë njerëzore.
Ngjallja e Zotit i sjelltë dritë Ukrainës së dashur, posaçërisht atyre që pësuan dhunën e konfliktit të muajve të fundit. Vendi rigjetët paqen e shpresën, falë angazhimit të të gjitha palëve të interesuara.
Paqe e liri kërkojmë për të gjithë burrat e gratë, që i nënshtrohen formave të vjetra e të reja të skllavërisë nga ana e njerëzve e organizatave kriminale. Paqe e liri për viktimat e tregtarëve të drogës, shumë shpesh aleatë me pushtetet, të cilat duhej të mbronin paqen e harmoninë e familjes njerëzore. E paqe kërkojmë për këtë botë, që i nënshtrohet trafikantëve të armëve, që fitojnë me gjakun e burrave e të grave.
Të shtypurve, të burgosurve, të varfërve, emigrantëve, që shpesh nuk pranohen, keqtrajtohen e përjashtohen; të sëmurëve e të vuajturve, fëmijëve, posaçërisht atyre që pësojnë dhunë; atyre që janë në zi, të gjithë burrave e grave vullnetmira, urojmë t’u arrijë zëri ngushëllues i Zotit Jezus: “Paqja qoftë me ju!”(Lk 24.36). “Mos kini frikë, u ngjalla e do të jem gjithnjë me ju!” (Cfr Meshari Romak, Antifona e hyrjes e ditës së Pashkëve).
Të dashur vëllezër e motra,
dëshiroj t’ju drejtoj urimet e mia “gëzuar Pashkët” të gjithë juve, që erdhët në këtë Shesh nga vende të ndryshme, si dhe të gjithë atyre, që janë të lidhur përmes mjeteve të komunikimit shoqëror. Çojeni në shtëpitë tuaja e në zemrat e të gjithë atyre, që takoni, lajmin e gëzuar; kumtoni se Zoti i jetës u ngjall, duke sjellë me vete dashuri, drejtësi, respekt e falje!
Ju falënderoj për praninë tuaj. Një mendim i posaçëm plot mirënjohje për dhuratën e luleve, që edhe sivjet vijnë nga Vendet e Ulëta.
Gëzuar Pashkët të gjithëve!
Papa pagëzon 3 shqiptarë
Papa Françesku pagëzoi mbrëmë 10 persona, mes të cilevë 3 shqiptarë. Entela Hyseni, 35 vjeç do të quhet Tereza. U pagëzuan edhe Vjollca Muhaj, 56 –vjeç dhe Ervin Shehu që do të quhet Paolo. Të pagëzuarit e tjerë ishin nga Kamboxhia, Kenia dhe Portugalia.(KJ)
E diela e Pashkës
TIRANË, 4 Prill /- Besimtarët katolikë kremtojnë të dielën Festën e Pashkës, Ditën e Ringjalljes së Krishtit. Ndërsa përgatitjet për kremtimin e kësaj feste nisin që në mes të javës, më e rëndësishmja është e Diela e Shenjtë e Pashkës. Pak përpara mesnate nis Vigjilja e Pashkës, që në shume raste quhet Shërbesa e Mesnatës.
Ky proçesion i besimtarëve katolikë gjatë mesnatës të kujton proçesionin pagëzimor prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë, që kryhej në kishën e vjetër. Ky është proçesioni i kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë.
Mëngjesorja e Pashkës dhe Mesha Hyjnore kremtohen së bashku me orët e para të ditës së parë së javës me qëllim që t’i japë njerëzve përvojën e ‘krijimit të ri’ të botës dhe t’i lejojë ata të hyjnë mistikërisht në Jeruzalemin e ri, i cili shkëlqen përjetësisht me dritën e Krishtit.
Ja kush do ta gjykojë Mark Frrokun
Trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët Ardian Nuni, Edmond Islamaj, Guxim Zenelaj, Tom Ndreca, ndërsa Artan Broci është relator i çështjes së deputetit Mark Frroku/
Gjykata e Lartë përcaktoi sot trupin gjykues që do të vendosë masën e sigurisë ndaj deputit Mark Frroku. Trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët Ardian Nuni, Edmond Islamaj, Guxim Zenelaj, Tom Ndreca, ndërsa Artan Broci është relator i çështjes së deputetit Mark Frroku
Pesëshja gjykuese do të caktojë një masë të re sigurie tashmë mbi akuza që vijnë jo vetëm nga drejtësia belge, për të cilat Kuvendi dha autorizmin për arrestimin e tij, por edhe akuza të reja nga drejtësia shqiptare që kanë të bëjnë me fshehje dhe refuzim të deklarimit të pasurisë, deklarim të rremë të pasurisë si dhe pastrim parash.
Akt-akuza nga drejtësia belge thekson se Mark Frroku ka qënë i përfshirë në aktivitete të paligjshme edhe në Holandë ku është dënuar me tre vite burg për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike dhe dhe Itali ku është hetuar për përfshirje në një rrjet prostitucioni.
Policia ekzekutoi dje urdhërndalimin e Frrokut pak kohë pasi Kuvendi i dha autorizimin duke e votuar me 113 vota pro.
4 emrat e rremë që përdorte Mark Frroku për t’i shpëtuar drejtësisë/
Deputeti Mark Frroku ka pasur plot 4 identitete të ndryshme, përveç emrit të tij të vërtetë. Ai i përdorte këto emra për t’i shpëtuar drejtësisë belge. Sipas Top Channel, që ka siguruar dosjen belge të Mark Frrokut, i akuzuar për vrasjen e Aleksandër Kurtit, 4 identitetet e deputetit të Shkodrës ishin:
Besnik Morina, i lindur në 6 tetor 1972
Dritan Frroku, lindur në 6 tetor 1972
Dritan Frroku, lindur në 2 korrik 1969
Piro Sofrani, lindur në 2 korrik 1969
Por sikundër raportuam më herët, Mark Frroku rezulton i arrestuar dhe dënuar në Hollandë me 3 vite burg . Deputeti i Shkodrës u riarrestua ditën e sotme, pak pasi Kuvendi votoi pro heqjes së imunitetit. Avokati i Frrokut deklaroi se klientit të tij i janë shtuar edhe akuza të tjera nga ILDKP, për fshehje pasurie dhe pastrim parash.
- « Previous Page
- 1
- …
- 409
- 410
- 411
- 412
- 413
- …
- 599
- Next Page »