TIRANË, 4 Prill /- Besimtarët katolikë kremtojnë të dielën Festën e Pashkës, Ditën e Ringjalljes së Krishtit. Ndërsa përgatitjet për kremtimin e kësaj feste nisin që në mes të javës, më e rëndësishmja është e Diela e Shenjtë e Pashkës. Pak përpara mesnate nis Vigjilja e Pashkës, që në shume raste quhet Shërbesa e Mesnatës.
Ky proçesion i besimtarëve katolikë gjatë mesnatës të kujton proçesionin pagëzimor prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë, që kryhej në kishën e vjetër. Ky është proçesioni i kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë.
Mëngjesorja e Pashkës dhe Mesha Hyjnore kremtohen së bashku me orët e para të ditës së parë së javës me qëllim që t’i japë njerëzve përvojën e ‘krijimit të ri’ të botës dhe t’i lejojë ata të hyjnë mistikërisht në Jeruzalemin e ri, i cili shkëlqen përjetësisht me dritën e Krishtit.