• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Anija e Marinës së SHBA, DDG-98, “USS Forrest Sherman” vizitoi Shqipërinë

April 2, 2015 by dgreca

Shkruan:Shefqet Kërcelli-Vlorë/
Në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak midis Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit të Mbrojtjes të SHBA, nga data 31 mars deri më 2 prill 2015, zhvilloi një vizitë në vendin tonë anija ushtarake e Marinës së SHBA, DDG-98, “USS FORREST SHERMAN”. Anija është pjesë e Flotës së 6-të të SHBA, që operon në detin Mesdhe dhe Afrikën Perëndimore. Destrojeri amerikan DDG-98, mëngjesin e datës 31 mars u prit në ujërat tona nga Anijet e Flotiljes Detare Pashaliman, “Butrinti”, P-134 dhe “Archangel-02”. Më pas për katër ditë DDG-98, qëndroi në gjirin e Vlorës. Qëllimi i vizitës ishte forcimi i mardhënieve midis Forcës Detare Shqiptare dhe Flotës së 6-të të Shteteve të Bashkuara. Vizita e kësaj anije pason vizitat e dhjetra anijeve të Flotës së SHBA në portet kryesore të vendit tonë, të realizuara mbas viteve ’90. Në programin e këtyre vizitave ka pasur stërvitje të ndryshme detare që i kanë shërbyer kualifikimit të detareve tanë dhe shkëmbimit të eksperiencës dypalëshe. Gjithashtu këto stërvitje kanë përmirësuar ndërveprimin midis dy Flotave tona si dhe rritjen e aftësive të përbashkëta operacionale për të siguruar kufijtë e detit Adriatik dhe Jon. Në vijim të këtij bashkëpunimi 25 vjecar edhe vizita e destrojerit DDG-98, nëpërmjet stërvitjes së përbashkët me Institucionet detare shqiptare, vizitave në bordin e anijes të personaliteve shqiptare, por dhe vizitave të marinarëve amerikanë në Vlorë e vende të tjera, i shërbeu më së miri forcimit të këtyre lidhjeve. Në ditën e parë të të qëndrimit, datë 31 mars, anijen e vizituan Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Donald Lu. Fillimisht Ambasadori i SHBA, u prit nga Komandanti dhe ekuipazhi i anijes “Oriku”, të cilëve i uroi suksese e mbarësi në detyrën e tyre, mesazh të cilën e shkroi në gjuhën shqipe në librin e vizitorëve të kësaj anije. Ministrja e Mbrojtjes znj.Kodheli u prit nga komandanti i anijes “USS Forrest Sherman”, Kapiten i Rangut të I-rë John Krisciunas, ku me këtë rast falënderoi ekuipazhin e anijes për pritjen që i rezervuan dhe u shpreh mjaft e kënaqur për bashkëpunimin që ekziston midis Forcës Detare Shqiptare dhe strukturave të Marinës Amerikane. Ndërkohë Ambasadori Lu theksoi se “Lidhja midis dy Forcave tona detare është vetëm një nga aspektet e shumta dhe jetëgjatë të marrëdhënies midis ushtrive të dy vendeve tona, shembulli më i fundit i së cilës është shërbimi dhe sakrifica jonë e përbashkët në Afganistan, si pjesë e misionit të qëndrueshëm të NATO-s atje”. Ishte simbolike gjithashtu servirja për pjesmarrësit e një torte me flamujt e SHBA dhe Shqipërisë, të cilën e ndau Zonja Kodheli, Zoti Lu dhe Komandanti i anijes. Më pas, Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe personalitetet e larta politike dhe ushtarake që e shoqëronin, vizituan ambientet, lokalet dhe postet luftarake të anijes “USS Forrest Sherman”. Në vijim të programit paraditen e datës 31 mars, në rajonin e gjirit të Vlorës, u zhvillua stërvitja bashkëvepruese e koduar “Peshkatari”, e drejtuar nga Qëndra jonë Ndërinstitucionale Operacionale Detare. Qëllimi i kësaj stërvitje ishte rritja e bashkëpunimit nderinstitucional, bashkërendimi i veprimeve, kryerja e procedurave operacionale detare për zbatimin e ligjshmërise detare, verifikimi i zbatimit të rregullave kombëtare e ndërkombëtare kundër kontrabandës detare dhe parandalimi i akteve terroriste në det. Gjithashtu në këtë stërvitje u synua rritja e aftësive profesionale të grupit të bordimit të Flotiljes Detare për zbatimin e ligjshmërisë detare, duke bashkëpunuar me grupin e bordimit të destrojerit “Forrest Sherman”. Për disa orë Gjiri i Vlorës, kryesisht rajoni afër bregut të Kalasë, gumëzhiu nga zhurma e motorave të anijeve të shumta, pjesë e stërvitjes. Në stërvitjen e drejtuar nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, morrën pjesë personel e forca nga QNOD, {Përfshi sallën operacionale dhe grupin e drejtimit}, Flotilja Detare Pashaliman, {Forca Detare}, ICITAP, Kapitaneria e portit Vlorë, NJLTKM, Delta Forc, Inspektoriati i Peshkimit Vlorë dhe grupi i bordimit i “USS Forrest Sherman”. Ndërsa mjete detare, nga Flotilja Detare, anija “Butrinti”, P-134 bashkë me skafin, MV R-118, “Archangel P-02”, MV e Delta Forc, Motoskafi i anijes DDG-98, një anije peshkatore, si anije imituese, me emrin “Kristo” e pronar zotin Sali Saliaj, {I cili meriton një falenderim bashkë me ekuipazhin për rolin e tij në zhvillimin me sukses të stërvitjes “Peshkatari”}, pjesë e flotiljes së Peshkimit Vlorë. Stërvitja u zhvillua në kushte reale dhe përfshiu integrimin e dy situatave në Gjirin e Vlorës, ku u zbatua ligji në det nga grupet e bordingut në bashkëpunim me institucionet e tjera që kanë interesa në det, Forca Detare, Kapitaneria e Portit, Policia e Kufirit, Forca Delta dhe Inspektoriati i peshkimit. Kështu në zbatim të skenarëve të parapregatitur filloi stërvitja në terren. Grupi i Drejtimit në QNOD, u informua se një anije peshkatore pa flamur dyshohet për aktivitet të paligjshëm në Gjirin e Vlorës. Anija nuk ju përgjigj thirrjeve në radio të bëra nga kapiteneria e Portit të Vlorës, e cila njoftoi QNOD për këtë situatë. Oficeri i Drejtimit në QNOD i kërkoi anijes së gatëshme të Rojes Bregdetare të imbarkojë grupin e bordingut dhe personel të Qendrës së Zhytjeve për të kontrolluar imtësisht anijen. Në ndihmë të grupi tonë të bordimit erdhi dhe grupi i bordimit të DDG-98. Kështu së bashku, djem të fortë shqiptarë dhe amerikanë zbatuan ligjin me forcë për të verifikuar peshkatoren. Gjatë verifikimit doli se një person nuk rezultonte në listën e ekuipazhit të peshkatores. Kështu ku person u ndalua në bordin e anijes dhe u lajmërua Forca Delta, e cila e shoqëroi personin e jashtëligjshëm në Komisariatin e Policisë Vlorë. Gjatë kontrollit nga grupet e bordingut u gjet një armë e fshehur në lokalin e kuzhinës dhe më pas lëndë narkotike në kallumin e anijes. Kështu që aksioni u forcua deri në bllokimin e peshkatores. Në këto kushte, bazuar në sendet e jashtëligjshme të gjetuar në anije, Oficeri i Drejtimit i QNOD, urdhëroi shoqërimin e peshkatores për në portin e Vlorës, me qëllim vazhdimin e procedurave të mëtejshme nga institucionet përkatëse. Drejtimi i stërvitjes u bë nga bordi i anijes “Butrinti” dhe Grupi i Drejtimit i QNOD. Në të dy skenarët e zhvilluar, u realizua praktikisht bordimi i anijes, plotësimi i listës së pyetsorit përkatës, bordimi në situata të ndryshme sipas shkallës së rrezikut, kontrolli dhe gjetja e armëve të fshehura, prangosja e personave shkelës të ligjit, teknikat e hyrjeve në lokale e kontrolli i ambienteve të anijeve, zbulimi i vendeve të fshehta në anije, i lëndëve narkotike, etj. Në fund u bë përfundimi i operacionit të bordingut dhe plotësimi i dokumentacionit përkatës. Ndjekësit dhe vëzhguesit e kësaj stërvitje specifike vlerësuan shkathtësinë, forcën, teknikat dhe guximin e treguar nga të dy grupet e bordimit për realizimin me sukses të kësaj stërvitje, e cila i realizoi me sukses objektivat e saj. Vlen të theksojmë se gjatë stërvitjes u komunikua në shqip dhe anglisht. Mbi të gjitha, gjatë stërvitjes u trajtuan dhe elementë të luftës kundër terrorizmit në det, problem kryesor për situatën e sotme. Por, aktivitetet e ekuipazhit të anijes DDG-98 dhe detarëve tanë nuk mbaruan me kaq. Ndërkohë që paradite zhvilloheshin aktivitete stërvitore dhe vizita në bordin e anijes DDG-98, mbasdite deri natën vonë, anijet e Flotiljes Detare shoqëronin për në portin e Vlorës, detarët amerikanë të cilët vizituan dhe shijuan bukuritë natyrore, historike dhe kulturore të qytetit të Vlorës dhe bregdetit të saj si dhe ushqimet tradicionale të kësaj treve. Pjesë e kësaj ishte dhe vizita në këndin {Cornerin}, amerikan të Vlorës, në bibliotekën “Shefqet Musaraj”, ku marinarët u njohën me punën e këtij këndi dhe dhuruan libra me përmbajtje të ndryshme. Njëkohësisht detarët amerikanë blenë dhurata, libra dhe suvenire të shumta në dyqanet e marketet e këtij qyteti. Gjithashtu një pjesë e marinarëve të anijes “USS Forrest Sherman”, zhvilloi vizita në qendrën arkeologjiko-turistike të Butrintit, në Apolloni dhe qytetin historiko-piktoresk të Beratit. Vlen të theksojmë kontributin që dha Autoriteti Portual i Vlorës i cili në bashkëpunim me Policinë Ushtarake të Qytetit zbatuan masa sigurie të parashikuara në këto raste. Por, mbi të gjitha ishte mikpritja dhe bujaria e qytetarëve dhe popullit të Vlorës, të cilët me sjelljen dhe qëndrimin e tyre bënë që detarët e “USS Forrest Sherman” të ndjehen si në shtëpinë e tyre dhe kjo vizitë të kurorëzohet me sukses. Para largimit drejtuesit dhe marinarët e DDG-98 shprehën mirënjohjen për mikpritjen dhe organizimin shembullor të kësaj vizite. Mëngjesin e datës 2 prill 2015, destrojeri i Flotës së 6-të, i shoqëruar përsëri nga anije të Forcës Detare Shqiptare u largua nga ujërat tona territoriale. I bëjmë me dije lexuesve se në lidhje me vizitën e sukseshme të destrojerit DDG-98, së shpejti do lexoni reportazhin e zgjeruar “Vlora hapi dyert dhe zemrën për marinarët e “USS Forrest Sherman”.
Kush është Destrojeri DDG-98.
DDG-98 është e 48 anije e klasit “ARLEIGH Burke”, me të cilët është pajisur Marina amerikane. Është destrojer me raketa, me aftësi të larta luftarake, i ndërveprueshëm dhe shumë dimensional, i destinuar për operacionet e paqes e sigurisë në det dhe krizave apo emergjencave detare kudo që ndodhin. Ka ndihmuar dhe në zhvillimin e operacioneve strategjike të Ushtrisë së SHBA. Gjithashtu ai mban kontakt, bashkëpunon e zhvillon stërvitje apo trajnime detare me aleatët e miqtë në Evropën Juglindore dhe Afrikën Perëndimore. DDG-98 u lëshu në ujë në tetor 2004 dhe filloi misionin në marinën e SHBA më 28 janar 2006. Ka këto përmasa, 509.5 x 66 foot, tonazh 9300 t dhe shpejtësi 30 nyje. Destrojeri DDG -98, mban emrin e Admiral Forrest Sherman, Ushtarak i lartë i Marinës së SHBA, i cili midis të tjerave ka shërbyer si Shef Ekzekutiv në stafin e admiralit Nimitz, 1943-1945, Komandant i Flotës Amerikane në Mesdhe, 1948-1949, Shef i Operacioneve të Marinës së SHBA, 1949-1951, etj.
****
U.S. Ambassador Donald Lu and Albanian Minister of Defense Mimi Kodheli, visited the USS Forrest Sherman ship anchored in Vlora. The navy is part of the U.S. Sixth Fleet, which enjoys a very active cooperative relationship with Albanian Navy. This relationship includes regular exercises between transiting U.S. Navy ships and Albania’s Navy. These exercises improve our interoperability and strengthen our common ability to provide maritime security in the Adriatic and Ionian Seas.
“The bond between our two navies is just one facet of the broad and enduring military-to-military relationship between our two countries, exemplified most recently by our shared service and sacrifice in Afghanistan as part of the enduring NATO mission there,” said Ambassador Donald Lu during his visit to the “USS Forrest Sherman” ship anchored in Vlora.
* Shefqet Kërcelli,bashkëpunëtor i Diellit nga Shqipëria
Vlorë, 31 mars-2 prill 2015.

Filed Under: Kronike Tagged With: “USS Forrest Sherman”, DDG-98, përfundoi me sukses, Shefqet Kercelli, vizitën në Shqipëri

Një libër që i BASHKON shqiptarët e të gjitha feve

April 2, 2015 by dgreca

Këto ditë doli nga shtypi libri ekskluziv “PRIJËS FETARË DHE SHPIRTËRORË SHQIPTARË – BASHKËJETESA NDËRFETARE DHE KONTRIBUTI I TYRE KOMBËTAR”, i autorit Faton Mehmetaj, botuar nga Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri (ISGJS), Prishtinë.
Në këtë libër të veçantë dhe tejet voluminoz, janë përmbledhur mbi 600 figura të shquara – prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë të të gjitha konfesioneve, të krishterë e myslimanë, të cilët më shumë se për fenë dhanë për atdhenë.
Libri i studiuesit Faton Mehmetaj “PRIJËS FETARË DHE SHPIRTËRORË SHQIPTARË – BASHKËJETESA NDËRFETARE DHE KONTRIBUTI I TYRE KOMBËTAR”, që vjen pas një pune disavjeçare është një ndër projektet më të mëdha për bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare si një vlerë unike e popullit shqiptar dhe njëkohësisht si një vlerë e paçmueshme e mbarë njerëzimit.
Në këtë libër voluminoz, përmblidhen figurat më të shquara të komuniteteve tona fetare që e kultivuan bashkëjetesën, prijës fetarë e shpirtërorë shqiptarë, që njëkohësisht kanë qenë edhe njerëz të shquar të kombit, të dijes, të kulturës, të artit, shkencës, etj., edhe përtej kufijve kombëtarë.
Studiuesi Faton Mehmetaj thekson se, sa më shumë që thellohej në studimin dhe në hulumtimin e bashkëjetesës dhe të tolerancës ndërfetare, haste në figura të shquara ilire-shqiptare, që i takojnë harkut dymijëvjeçar të historisë, shumë prej të cilëve i kanë dhënë shumë jo vetëm popullit të vet, por mbarë njerëzimit, prandaj e pa të nevojshme dhe të arsyeshme që të përfshiheshin në këtë album historik me titull: “Prijës Fetarë dhe Shpirtërorë Shqiptarë – Bashkëjetesa Ndërfetare dhe Kontributi i Tyre Kombëtar”, duke theksuar se ishte i vetëdijshëm se ishte e pamundur që të përfshiheshin të gjithë.
Të gjitha tablot me ngjarje kaq të mëdha të periudhave të ndryshme kohore që nga antikiteti e gjer në ditët tona janë paraqitur në këtë album historik nëpërmjet biografive të mbi 600 figurave të shquara që kanë qenë bartës të këtyre ngjarjeve. Përzgjedhja e kësaj tematike është bërë sepse ka pak studime dhe trajtime të këtij spektri, ku trajtohen prijësit fetarë në një dimension kombëtar pa dallim feje, ku xhamia, kisha, teqeja e luajnë të njëjtin rol në dobi të çështjes kombëtare.
Sipas Mehmetajt, “ky album historik është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe një letërnjoftim unikat në botë mbi bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare të popullit shqiptar, është një tablo e historisë sonë e pa trajtuar gjerë më sot nga ky këndvështrim. Biografitë, fotografitë e materialet tjera të paraqitura në këtë libër janë në kontinuitet me njëra-tjetrën dhe përbëjnë tërësinë e tekstit. Kam bërë përpjekje të ndjek vijën kronologjike, ndonëse nuk ka qenë e mundur të ndiqet në të gjitha rastet edhe për shkak të natyrës teknike”.
Sot kur në Kosovë flitet se ka përplasje ndërfetare, me theks të veçantë për ekstremizmin fetar islam, sot kur diskutohen teoritë e përplasjes në mes qytetërimeve, studiuesi Faton Mehmetaj, me këtë libër monumental i bashkon shqiptarët e të gjitha feve rreth një ideali dhe një identiteti kombëtar, ashtu siç kanë qenë vërtetë.
Ky libër i rrallë ka 535 faqe të formatit A4 kolor dhe i tëri është i ilustruar me fotografi të rralla të këtyre prijësve fetarë shqiptarë.
Është një libër që na ka munguar prej kohësh, e që secili duhet ta ketë në bibliotekën e tij! Një libër voluminoz, që duhet t’ia dhuroni çdo miku ndërkombëtar, çdo delegacioni e përfaqësie diplomatike. Një libër që i BASHKON shqiptarët e të gjitha feve!
Prishtinë, më 31 mars 2015
Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri, Prishtinë

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: e të gjitha feve, NJE LIBER, që i BASHKON shqiptarët

Sheshelj i vë flakën flamurit kroat

April 1, 2015 by dgreca

BEOGRAD, 1 prill– Ultranacionalisti serb Vojislav Sheshelj, për të cilin ICTY-ja (Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë) ka dhënë këtë të hënë një urdhër arresti, shfaqi përsëri sot ”talentin” e tij për të provokuar duke i vënë zjarrin në publik flamurit kroat.
Sheshelj i vuri flakën flamurit kroat në sheshin para Pallatit të Drejtësisë duke thënë se bëhej fjalë për përgjigjen ndaj autoriteteve të Zagrebit, të cilët u kënaqën me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) kur urdhëruan kthimin e tij në njësinë e paraburgimit.
”Është e kotë t’u përgjigjem drejtuesve kroatë pasi ata nuk duan të dëgjojnë. Prandaj vendosa t’u jap një mesazh më të kuptueshëm. Do t’i vë flakën para jush, flamurit ustash kroat”, tha Sheshelj para dhjetëra mbështetësve, para se të vepronte.
Regjimi ustash kroat ishte aleat me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vojislav Sheshelj, 60 vjeç, u lirua me kusht në nëntor nga ICTY-ja pa asnjë kufizim.
Beogradi tha se po priste një lajmërim zyrtar nga ana e ICTY-së para se të vendoste për fatin e Shesheljit

Filed Under: Kronike Tagged With: flamurit kroat, Sheshelj i, vë flakën

Vdes në New York Cynthia, ish-bashkëshortja e John Lennonit

April 1, 2015 by dgreca

NJU JORK, 1 prill /– Cynthia Lennon, bashkëshortja e këngëtarit të ”Beatles”-ave, John Lennon, nga viti 1962 deri më 1968-ën, vdiq në moshën 75-vjeçare në Majorka të Spanjës, njoftoi sot djali i tyre Julian Lennon në faqen e tij të internetit.
”Cynthia Lennon ndërroi jetë në shtëpinë e saj në Majorka, Spanjë, pas një beteje të shkurtër, por kurajoze kundër kancerit. Djali i saj, Julian Lennon ishte krah nënës”, shkruhet në faqen julianlennon.com, pa specifikuar datën e vdekjes./

Filed Under: Kronike Tagged With: Cynthia, e John Lennonit, ish-bashkëshortja, Vdes në New York

Frroku në Këshillin e Mandateve: S’kam kryer vrasje

March 31, 2015 by dgreca

Babai im ecën me të drejtën zakonore/
Mark Frroku deklaron para Këshillit të Mandateve se nuk ka kryer asnjë vrasje. Madje sipas tij në kohën kur ka ndodhur krimi ka qenë në Shqipëri, dhe jo në Belgjikë.
Deputeti prej ditësh në arrest shtëpie për dëshmi të rreme, foli dhe për mbledhjen e baballarëve.
Dokumentet per Frrokun janë të institucioneve ndërkombëtare
Përfaqësuesja e prokurorisë: “Interpol Tirana na solli urdhërarrestin ndërkombëtar më 27 mars pasdite. Informacioni që fshihet është konfidenuial dhe nuk mund ta bëj publik. Bëhet fjalë për urdhërarrest ndërkombëtar.
Dokumentet që kemi janë të institucioneve ndërkombtare dhe nuk besoj që institucionet ndërkombëtare të lëshojnë dokumente vërtetësinë e të cilave mund ta vëmë në dyshim”
Mark Frroku: S’kam qenë në Belgjikë kur ndodhi vrasja. Babai im ecën me të drejtën zakonore
“S’kam ndërmend ti fshihem drejtësisë. Kam pritur 4 orë tek lokali im policinë. Mark Frroku nuk ka vrarë njeri dhe nuk ka organizuar vrasjen e askujt. Autoritetet belge të më provojnë që unë kam qenë në Belgjikë dhe unë pranoj vrasjen dhe jam gati të shkoj atje kur do të më thërrasin. Unë kam qenë në Shqipëri dhe kjo është e garantuar.
Dëshmitari kyç: Nuk kam lidhje fare me atë çështje. Avokatët e mi do bëjnë publike provat që ka në shkresën e prokurorisë. Është e vërtetë që kanë pasur një takim shumë i vonshëm më shumë se 1 vit e një vit e ca më parë, sepse babai im është 85 vjec dhe ecë me të drejtën zakonore. Babai im i është përgjigjur atyre në të drejtën zakonore. Sa i takon të tjerave unë jam gati ti përgjigjem.
Sa i takon interpolit, jam kthyer më 22 shkurt nga Amerika e Veriut kam udhëtuar nëpërmjet shteteve Shengen dhe nuk kam pasur asnjë lloj problemi me drejtësinë as këtu as në shtetet shengen”
Avokatet: Mos miratoni autorizimin
Avokatët i kërkuan deputetëve të mos miratojnë autorizimin për arrestimin e deputetit Mark Frroku duke akuzuar prokurorinë se është anashkaluar me dashje. “ Nëse paraqitet qoftë dhe një provë të procedimit të transferimit penal prokuroria ka detyrim ligjor të regjistrojë këtë cështje” Po kështu për avokatët nuk ekziston mundësia e ikjes, pasi në kushtet kur ka një arrest shtëpia, kjo sfumohet.
S’ka pasur prova. Çështja është në gjykatë dhe nuk kemi pasur pozitë proceduriale dhe nuk jemi vënë në dijeni
Kjo është kërkesën e dytë Prokurorisë për arrestimin e deputetit Mark Frroku, por kësaj herë për llogari të drejtësisë belge, pasi deputeti akuzohet për një vrasje të një shqiptari në Belgjikë në vitin 1999.
Me kërkesë së dy avokatëve të Mark Frrokut, Saimir Vishaj dhe Genc Gjokutaj ditën e dielë, u vendos që në seancën e sotme të Këshillit të Mandateve do të jetë i pranishëm edhe vetë deputeti Frroku, i cili prej tre ditësh ndodhet i izoluar në shtëpi, pas masës “arrest shtepie”, caktuar nga Gjykata e Lartë për kallëzim të rremë.
Të martën pritet që Këshilli i Mandateve të hartoje relacionin për kristiandemokratin Mark Frroku dhe sikundër deri tani palët kanë deklaruar se nuk do pengojnë drejtësinë, pritet që në Parlament të votohet sërish për për heqjen e imunitetit të deputetit Mark Frroku duke pranuar kërkesën e Prokurorisë për autorizim për arrestimin e tij.
Belgjika kërkon arrestimin e deputetit, i dënuar në shkallën e parë në këtë shtet me 10 vjet heqje lirie për vrasjen në vitin 1999 të Aleksandër Kurtit.
Autor, sipas autoriteteve belge është deputeti Frroku, që në Belgjikë njihej me emrin Besnik Morina.

SHTYPI- Zbardhet vrasja e 1999 në Belgjikë: Porositësi ishte Arbeni, u krye nga Mark Frroku
Relacioni i Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Kuvendit për të kërkuar autorizimin për arrestimin e deputetit Mark Frroku zbardh ngjarjen e ndodhur 16 vjet më parë në Belgjikë.
Bëhet fjalë për vrasjen me thikë të Aleksandër Kurtit ndodhur më 5 mars 1999 në hyrje të stacionit “Midi” në Saint – Gilles, Bruksel për të cilën akuzohet se është kryer nga 4 persona mes tyre dhe Mark Frroku deputet.
Prokuroria kërkon autorizimin për arrestimin e deputetit të qarkut të Pukës me qëllim për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm nga Prokuroria.
Sipas dosjes së mbërritur nga autoritetet belge, ngjarja ka ndodhur më 05 mars të vitit 1999 në Bruksel.
Vëllai i viktimës i ka thënë prokurorisë belge se Arben Frroku, kishte paguar 10 mijë dollarë për vrasjen e Aleksandër Kurtit e kryer nga vëllai i tij Mark alias Besnik Morina.
Hetuesit belgë flasin dhe për një takim të baballarëve autorëve të dyshuar të krimit të ndodhur më 28 mars 1999 në Shqipëri.
Gjatë kësaj mbledhjeje, baballarët e përgjegjësve japin shpjegime mbi rrethanat e vrasjes dhe e pranojnë ose jo përgjegjësinë e tyre. Kjo mbledhje duhet t’i bëjë të mundur familjes së viktimës, të mund të ushtrojë më pas të drejtën e gjakmarrjes.
Megjithë mungesën e babait të Alex Vuka (Besnik Vuka), borxhi i gjakut është vënë dhe secila prej katër familjeve duhet që këtej e tutje “të paguante një jetë” që të vendosej serish paqja.
Sipas këtij zakoni, një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë.
Mbledhja konfirmoi se, arsyeja e vrasjes së Aleksandër Kurti ka qenë larja e hesapeve në lidhje me shtetasen L.A.
Sipas këtij dokumenti Motivi i vrasjes ishte: “Raporti midis viktimës dhe shtetases L. po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër. “
Rrethanat e faktit
Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, mbi bazën e materialeve të ardhura nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me shkresën nr. 2851/1 datë 27.03.2015 dhe Ministria e Drejtësisë me shkresën nr. 266/2 datë 28.03.2015, ka regjistruar procedimin penal nr. 2, të vitit 2015, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, në ngarkim të shtetasit Mark Frroku, i biri i Prengës dhe i Lezes, lindur me 06.10.1972, në Pukë dhe banues në Tiranë, i njohur ndryshe si Besnik Morina, alias Mark Frroku, i lindur në Gjakovë më datë 6 tetor 1972, alias Dritan Frroku, i lindur në Gjakovë me datë 6 tetor 1972, alias Dritan Frroku, i lindur në Gjakovë më datë 2 korrik 1969, alias Piro Sofrani, i lindur në Korye (Shqipëri) më datë 2 korrik 1969, me kombësi serbe, pa vendbanim apo rezidencë fikse në Belgjikë.
Vrasja në Belgjikë
Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur me 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint – Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sofrani. Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes. Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. Kristian Marinaj, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisen jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.
Me vendim të datës 15 janar 2010 në mungesë, ndaj të akuzuarve Besnik Morina, Besnik Vuka, Arjan Bytyçi dhe Bib Lek Djafa, Gjykata e Krimeve të Renda të Rrethit të Brukselit, ka dënuar secilin prej tyre me nga 10 vjet heqje lirie. Duke qenë se, nga personat e dënuar është ankimuar vendimi i dënimit, Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 Mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim Gjykatës për Krime të Rënda të Provincës Brabant-Wallon, Belgjikë. Avokati i të akuzuarit Besnik Morina, i identifikuar si Mark Frroku, ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore të datës 31 Janar 2014, për në datën 23 Shkurt 2015. Prokurori i Përgjithshëm i Brukselit e akuzon shtetasin Mark Frroku, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”.
Hetimi pas vrasjes
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, më datë 5 Mars 1999, rreth orës 17:45, Policia e Saint-Gilles, ka zbuluar në një rrugë në hyrje të Stacionit “Gare du Mid”, nr. 47A të Avenue Fonsny, Bruksel, trupin e një djali të ri në agoni. Nga këqyrja rezultoi se hunda e tij ishte e mbuluar me gjak, kishte hematoma të rënda tek sytë, plagë në dorë dhe gjoksin e gjakosur me tre gjurmë goditjeje me thikë. Viktima, në bazë të dokumenteve të identifikimit që ju gjetën, është identifikuar si Azem Shkreli, lindur në Jugosllavi, më 8 shtator 1980. Policia ka konstatuar dhe marrë poshtë një kamioni, një thikë të madhe mishi, me një dorezë prej druri, tehu i të cilës ishte njollosur me gjak. Veprimet e para hetimore kanë treguar se bëhej fjalë për larje hesapesh ndërmjet personash të përfshirë në rrjetin e prostitucionit shqiptar.
Nga deklarimi i shtetasit Nikolas Kurti, vëllai i viktimës, i cili është pyetur nga hetuesit me 7 dhjetor 2000, ka rezultuar se vëllai tjetër i tij, i quajtur George, e ka informuar për “mbledhjen e baballarëve”, të mbajtur në Shqipëri, me 28 mars 1999. Zakoni shqiptar parashikon në rastet e gjakmarrjes se, baballarët e përgjegjësve të këtij krimi paraqiten para familjes së viktimës dhe japin informacionin mbi identitetin e autorëve. Gjatë kësaj mbledhjeje, baballarët e përgjegjësve japin shpjegime mbi rrethanat e vrasjes dhe e pranojnë ose jo përgjegjësinë e tyre. Kjo mbledhje duhet t’i bëjë të mundur familjes së viktimës, të mund të ushtrojë më pas të drejtën e gjakmarrjes.
Mbledhja e baballarëve
Në “mbledhjen e baballarëve” të zhvilluar në një fshat të Shkodrës, nga ku viktima është me origjinë, kanë qenë prezente: babai i viktimës, vëllai i viktimës, George Kurti, Preng Frroku, babai i Mark Frroku (Besnik Morina), Bibë Djafa, babai i Lek Bib Djaf, Fran Ded Joka, babai i Hile Joka (Arjan Bytyçi). Babai i autorit të katërt, Nikoll Vukol nuk është paraqitur në mbledhje pasi, djali i tij Alex Vuka (Besnik Vuka) nuk e vlerëson veten përgjegjës për vdekjen e viktimës, duke pretenduar se viktima kishte vdekur para se ai të ndërhynte. Megjithë mungesën e babait të Alex Vuka (Besnik Vuka), borxhi i gjakut është vënë dhe secila prej katër familjeve duhet që këtej e tutje “të paguante një jetë” që të vendosej serish paqja.
Sipas këtij zakoni, një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë. Mbledhja konfirmoi se, arsyeja e vrasjes së Aleksandër Kurti ka qenë larja e hesapeve në lidhje me shtetasen L.A. Sipas Nikolas Kurti, vëllai i tij Aleksandër, kishte disa probleme me një farë Ben, (Arben Frroku), me të madhin e tre vëllezërve Frroku, tutor i prostitutave me emrat L. M. dhe Z. Nikolas Kurti, ka deklaruar se Arben Frroku ishte porositës i vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti, e kryer nga vëllai i tij “Mark” alias Besnik Morina. Lek Bib Djafa (Xhafa) i ka deklaruar shumë shqiptarëve se, ka marre shumën 10.000 dollar amerikanë për ekzekutimin e shtetasit Aleksandër Kurti. Nga shpjegimet e shtetasit Nikolas Kurti, rezulton se ditën e ngjarjes, ka patur një debat midis viktimës dhe tre djemve të baballarëve, në ‘Gare du Midi’ në Bruksel. Një person i katërt ka ndërhyrë, toni është rritur dhe personi ka nxjerrë thikën.
Motivi i vrasjes
Motivi i vrasjes: Raporti midis viktimës dhe shtetases L. po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër. Në shtator dhe tetor 2000, Nikolas Kurti deklaron në polici se kunati i tij është lidhur me Markun (Besnik Morina) dhe shtetasin Hile Joka për të vrarë shtetasin Aleksandër Kurti. Prindërit e Kurtit jetojnë në Amerikë me djalin e tyre, Nikolas. Vëllai i tij Georges është larguar nga Shqipëria për një destinacion të panjohur në Europë. Ai është i kërkuar nga banda e të katërve.
Marku, me vëllezërit e tij Nardi dhe Arben, ka qenë përgjegjës për tri prostituta, që banojnë bashkë. Sipas dëshmitarit anonim ata quhen “Frroku”. Viktima me origjinë nga Shkodra (Shqipëri) është hequr si polic i Interpolit dhe se në Shqipëri e njeh familjen e shtetases L. Nga frika se mos familja e saj mësonte mbi punën që ajo bënte në Belgjikë, shtetasja L. i telefonon tutorit të saj Nardi (Frroku alias Shkurt Lasku) i cili ndodhej në atë kohë në Shqipëri. Ai e këshillon të njoftojë të vëllain Dritan (Besnik Morina). Dritani e fton t’i ngrejë një kurth viktimës në “Gare du Midi”. Shtetasja L. kontakton me telefon me Aleksandër Kurtin dhe e siguron se ajo do të ishte vetëm me të në takim. Në orën dhe vendin e caktuar, nuk është L., e cila pret viktimën, por katër persona të cilët kanë për qëllim ta vrasin.
Këto veprime kualifikohen si elemente të anës objektive të veprës penale “vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Në këto kushte, nga Prokuroria e Përgjithshme është provuar se deputeti Mark Frroku ka konsumuar elemente të veprës penale të “vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Për këtë fakt është regjistruar procedimi penal përkatës nr. 2 i vitit 2015. Vepra penale e vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim, paraqet rrezikshmëri shoqërore shumë të lartë dhe në këto kushte kërkesa e organit të akuzës është për një masë sigurimi të karakterit shtrëngues “arrest në burg”, për shtetasin Mark Frroku.
Në aplikim të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale masat e sigurimit mund të caktohen vetëm nëse në ngarkim të tij ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova. Sipas parashikimeve të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penale, masat e sigurimit vendosen në raport me rëndësinë e faktit dhe sanksionet që parashikon vepra penale për të cilën dyshohet, respektivisht nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal. Për sa më sipër, me qëllim për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm nga Prokuroria, bazuar në nenet 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj nga Kuvendi autorizimin për arrestimin ose heqjen e lirisë, së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Mark Frroku.

Filed Under: Kronike Tagged With: e Mandateve:, Frroku në Këshillin, S’kam kryer vrasje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 410
  • 411
  • 412
  • 413
  • 414
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT