BEOGRAD, 1 prill– Ultranacionalisti serb Vojislav Sheshelj, për të cilin ICTY-ja (Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë) ka dhënë këtë të hënë një urdhër arresti, shfaqi përsëri sot ”talentin” e tij për të provokuar duke i vënë zjarrin në publik flamurit kroat.
Sheshelj i vuri flakën flamurit kroat në sheshin para Pallatit të Drejtësisë duke thënë se bëhej fjalë për përgjigjen ndaj autoriteteve të Zagrebit, të cilët u kënaqën me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) kur urdhëruan kthimin e tij në njësinë e paraburgimit.
”Është e kotë t’u përgjigjem drejtuesve kroatë pasi ata nuk duan të dëgjojnë. Prandaj vendosa t’u jap një mesazh më të kuptueshëm. Do t’i vë flakën para jush, flamurit ustash kroat”, tha Sheshelj para dhjetëra mbështetësve, para se të vepronte.
Regjimi ustash kroat ishte aleat me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vojislav Sheshelj, 60 vjeç, u lirua me kusht në nëntor nga ICTY-ja pa asnjë kufizim.
Beogradi tha se po priste një lajmërim zyrtar nga ana e ICTY-së para se të vendoste për fatin e Shesheljit