MPJ e Shqipërisë dënon me forcë djegien e flamurit shqiptar në ndeshjen Partizani – Crvena Zvezda/-
TIRANE, 19 Tetor/-Ministria e Punëve të Jashtme dënon me forcë aktin e shëmtuar të përdhosjes dhe djegies së flamurit shqiptar në ndeshjen e futbollit Partizani – Crvena Zvezda, të luajtur mbrëmë në Beograd.
“Konstatojmë me keqardhje se huliganizmi i tifozerisë serbe dhe urrejtja patologjike ndaj simboleve shqiptare u shpreh sërish në Beograd në një ndeshje që nuk kishte aspak të bënte me Shqipërinë apo shqiptarët”, thuhet në njoftimin për mediat të MPJ-së.
Gjatë ndeshjes së luajtur mbrëmë në Beograd u përsëritën sërish aktet e shëmtuara anti-shqiptare ku tifozeria serbe, përveç djegies së flamurit shqiptar shpërtheu në fyerje të rënda ndaj shqiptarëve.
MPJ e Shqipërisë u bën thirrje autoriteteve serbe të vendosin para përgjegjësisë autorët e këtyre akteve dhe klasës politike serbe të ngrihet në lartësinë e duhur dhe të distancohet qartë nga akte të tilla që po marrin përmasa të pamenaxhueshme dhe me pasoja të rënda për të ardhmen dhe stabilitetin e Ballkanit.
“Futbolli dhe asnjë sport tjetër nuk duhet të shihen dhe as të fantazmohen si një mënyrë tjetër e të nxiturit konflikte midis kombeve. Organizata më legjitime dhe më përfaqësuese e futbollit evropian, siç është UEFA, duhet të jetë në krye të kësaj përpjekjeje esenciale, për të bërë të mundur bashkëjetesën në këtë botë të globalizuar, konform vokacionit të saj dhe thirrjeve të vazhdueshme që janë bërë dhe i bëhen jo vetëm nga sportistë por edhe nga krerë shtetesh dhe qeverish”, deklaron MPJ./a
“FLAMURI KOMBETAR” për At Zef Pllumin
TIRANE, 19 Tetor-Presidenti Nishani vlerësoi At Zef Pllumin (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin:“Klerikut, martir, të dënuar me persekutim të përjetshëm nga diktatura, i cili me veprën dhe jetën e tij, mbrojti vlerat e mëdha të fesë, kulturës kombëtare, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, të lidhura pazgjidhshmërisht këto me vetëmbrojtjen e atdheut dhe të kombit”.
Në ceremoninë e organizuar sot në Komunën e Shëngjinit, ishin të pranishëm deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kosovës, Ambasadori i OSBE-së Florian Raunig, ish-Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, përfaqësues të pushtetit vendor, drejtues të bashkësive fetare si dhe nga qytetarë të shumtë.
Duke vlerësuar figurën dhe veprën e klerikut katolik At Zef Pllumit, Kreu i Shtetit nënvizoi se Zef Pllumi lidh fijen e këputur. “Shoqëria shqiptare, që aq shumë është përpjekur për demokracinë e vet e ka demonstruar aktin e saj të refuzimit ndaj diktaturës më 20 shkurt 1991. Në këtë kontekst Pllumi është një digë e pakalueshme me jetën dhe veprën e tij”, u shpreh më tej Nishani.
Takimi Rama-Vuçiç në Beograd mbahet më 10 nëntor
TIRANE, 19 Tetor/ Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç kanë ranë dakord që takimi i planifikuar midis tyre të mbahet në Beograd më 10 nëntor.
-Njoftimi i plotë për mediat nga zyra e Kryeministrisë –
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, patën këtë pasdite një bisedë telefonike.
Ata ranë dakord se incidentet që shoqëruan ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri ishin tejet të padëshiruara. Mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t’u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve.
Prandaj, ata u morën vesh që të vazhdojnë dialogun e rëndësishëm që kanë nisur, si edhe për të siguruar që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara përmes punës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre, rajonit dhe Europës si e tërë.
Për sa më sipër, dy kryeministrat ranë dakord që takimi i planifikuar midis tyre të mbahet në Beograd më 10 nëntor./a.gegvata-ATSH
Ligji i lustracionit në Ukrainë
Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko nënshkroi të enjten një legjislacion që Kievi thotë se mund të bëjë që qindra e mijëra nëpunës civilë të humbasin vendet e punës, nëse gjendet se kanë patur lidhje me qeveritë e kaluara sovjetike apo pro-ruse.
I ashtuquajturi “ligji i lustracionit” synon të heq çdo nëpunës civil i cili ka mbajtur një pozicion federal apo rajonal në qeveri për më shumë se një vit nën ish presidentin pro-rus Viktor Janukoviç.
Një legjislacion tjetër i planifikuar për miratim javën e ardhshme do të detyrojë zyrtarët e gjyqësorit dhe të zbatimit të ligjit të deklarojnë pasuritë e tyre financiare dhe pronat e tjera, si dhe ato të familjeve të tyre.
Ky legjislacion gjithashtu do të krijojë një njësi anti-korrupsion e cila do të hetojë rastet në të cilat mënyra e jetesës së zyrtarëve i tejkalon të ardhurat e deklaruara nga familjet tyre.
Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Ukraina ka krijuar një reputacion global për korrupsion në të pothuajse të gjitha nivelet e qeverisë dhe në jetën publike.
Një aksion ndërkombëtar të përbashkët kundër imigracionit klandestin
EVROPE/ Emigrantët e parregullt do të ndalohen e skedohen në mbarë Evropën. Nis operacioni Mos Maiorum/
*Operacioni i vetmi në 60 vjet, i cili nga data 13 deri më 26 tetor do të angazhojë mijëra e mijëra policë
*Nga 13 deri më 26 tetor policitë e të gjitha shteteve anëtare të BE-së, të koordinuara nga ministria e Brendshme italiane, do të ndërmarrin një aksion kundër imigracionit klandestin. Cospe: “Çnjerëzor dhe i kotë”.
– Policitë e mbarë Evropës po përgatisin një aksion ndërkombëtar të përbashkët kundër imigracionit klandestin. Objektivi i tyre është të ndalojnë e të skedojnë në dy jave sa më shumë migrantë të parregullt për të zbuluar se si kanë ardhur e si zhvendosen në brendësi të zonës Schengen, e që më pas të mund të godasin rrjetin e trafikantëve të njerëzve.
Operacioni në fjalë, i cili nga data 13 deri më 26 tetor do të angazhojë mijëra e mijëra policë, është nismë e qeverisë italiane dhe do të koordinohet nga drejtoria e Imigracionit dhe e policisë së kufirit e ministrisë së Brendshme. Është kurioz fakti që e kanë quajtur “Mos Maiorum”, termi që përdornin romakët për “traditat (e mira) të të parëve”.
Në një dokument të rezervuar të dorëzuar në Bruksel më 10 korrik 2014 nga presidenca italiane delegacioneve të shteteve të tjera evropiane janë renditur të gjitha informacionet që agjentët duhet të mblesdhin nga migrantët e ndaluar.
Në veçanti, kërkohet të zbulohet si vijnë: “rruga që bëjnë, mjetet e transportit që përdorin deri kur mbërrijnë në një vend të BE-së”, por edhe “udhëtimi i programuar e vendmbërritja finale”. Migrantët do të pyeten gjithashtu edhe nëse kanë përdorur “dokumente udhëtimi të falsifikuara, kanë paraqitur kërkesa azili, të dhëna mbi trafikantët e njerëzve, kombësia dhe vendi i rezidencës, sa para kanë paguar për udhëtimin”.
Kontrollet do të bëhen në kufij por edhe në të gjithë territorin evropian, sepse kërkohet të mësohet prej tyre edhe rrugëtimi që bëjnë në brendësi të Schengen-it. Për të gjithë ata që janë pa leje qëndrimi parashikohen dy javë vërtet shumë të rrezikshme. Kush do të ndalohet në kuadrin e aksionit Mos Maiorum, nëse nuk është kërkues azili do të dëbohet ose do të futet në një Cie.
Është i kuptueshëm shqetësimi i shumë shoqatave. “Coordinamento migranti” i Bolonjës, për shembull, ka shpërndarë një fletëpalosje për të informuar të gjithë mbi këtë aksion. Në faqet e tij internet kujton : “Nëse të ndalojnë ke të drejtë të kërkosh azil apo mbrojtje humanitare në çdo moment. Nëse ke paraqitur kërkesë për azil ke të drejtë të paraqesësh një kërkesë të re nëse rrethanat fillestare kanë ndryshuar…”.
Cospe, Cooperazione per lo Sviluppo dei Paesi Emergenti, e konsideron këtë aksion një “fushatë çnjerëzore dhe të kotë”. Ajo pohon se operacioni është “vazhdimësi e përkryer e qasjes policore e shtypëse të politikave evropiane përgjegjëse për vdekjen e mijëra personave në Mesdhe” dhe i kërkon ministrit të Brendshëm Alfano “garanci për respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe të Konventës së Gjenevës për refugjatët”.
Sh. Ital
- « Previous Page
- 1
- …
- 438
- 439
- 440
- 441
- 442
- …
- 599
- Next Page »