TIRANE, 19 Tetor-Presidenti Nishani vlerësoi At Zef Pllumin (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin:“Klerikut, martir, të dënuar me persekutim të përjetshëm nga diktatura, i cili me veprën dhe jetën e tij, mbrojti vlerat e mëdha të fesë, kulturës kombëtare, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, të lidhura pazgjidhshmërisht këto me vetëmbrojtjen e atdheut dhe të kombit”.
Në ceremoninë e organizuar sot në Komunën e Shëngjinit, ishin të pranishëm deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kosovës, Ambasadori i OSBE-së Florian Raunig, ish-Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, përfaqësues të pushtetit vendor, drejtues të bashkësive fetare si dhe nga qytetarë të shumtë.
Duke vlerësuar figurën dhe veprën e klerikut katolik At Zef Pllumit, Kreu i Shtetit nënvizoi se Zef Pllumi lidh fijen e këputur. “Shoqëria shqiptare, që aq shumë është përpjekur për demokracinë e vet e ka demonstruar aktin e saj të refuzimit ndaj diktaturës më 20 shkurt 1991. Në këtë kontekst Pllumi është një digë e pakalueshme me jetën dhe veprën e tij”, u shpreh më tej Nishani.