• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U shënua 115-vjetori i Kongresit të Manastirit dhe 16-vjetori i themelimit të ITShKSh-së

November 22, 2023 by s p

Shkup, 22 nëntor 2023 – Me praninë e korit diplomatik dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore dhe akademike, ITShKSh sot shënoi 115-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 16-vjetorin e themelimit të Institutit.

Drejtori Skender Asani, veçoi faktin se sivjet për herë të parë në kuadër të manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, u bënë bashkë tri akademitë e shkencave të rajonit tonë, të Maqedonisë së Veriut, të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke i folur njëri-tjetrit në gjuhën e shkencës dhe albanologjisë. Ndërkaq, duke ndarë një falënderim të veçantë për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e dhënë, ai theksoi se në këtë 16-vjetor të themelimit, ITSHKSH ka arritur të shndërrohet në një institucion që arrin të “shkrijë, unifikojë dhe përbrendësojë të gjitha virtytet e homobaklanikusit”.

Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë, Artan Grubi, theksoi se kjo ditë ka peshë të rëndësishme kombëtare, e në veçanti për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët me përpjekje të mëdha arritën që hap pas hapi të legalizojnë një ditë feste të rëndësishme kombëtare në shtetin ku jetojnë si dhe ta kurorëzojnë atë me çmimin 22 Nëntori që u ndahet profesionistëve të shquar kombëtarë shtetërorë për të arritur deri në pikën ku ndodhemi sivjet, kur të gjitha aktivitetit dedikuar Kongresit të Manastritit mbulohen krejtësisht nga Qeveria e RMV-së.

Më tej, përfaqësues të korit diplomatik që morën fjalën në këtë ngjarje solemne, madje duke folur në gjuhën shqipe, si ambasadori i Austrisë – Marin Pammer dhe ambasadori i Çekisë – Jaroslav Ludva. Fjalë rasti pati edhe ambasadori i Kosovës – Florian Qehaja dhe zëvendësambasadorja e Francës – Emanuelle Gardille. Ndërkaq, të pranishmëve iu drejtua edhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, si përfaqësues i një institucioni, thesari i trashëgimisë së të cilit kontribuon dukshëm në punën e ITSHKSH-së.

Me këtë rast u përurua dhe pulla postare me figurat e motrave Qiriazi, me ç’rast mori fjalën drejtoresha e përgjithshme e Postave të Maqedonisë së Veriut, Bujare Abazi.

Manifestimi u mbyll me fjalimin e stërmbesës së Sevastie Qiriazit dhe Kristo dakos, Rozi Dako, e cila kishte ardhur nga Italia për ta nderuar këtë aktivitet kulturor.

Nderimi i ditës së Kongresit të Alfabetit do të vijojë këtë pasdite në Muzeun e Alfabetit ë Gjuhës Shqipe në Manastir me ekspozitën me dokumente dhe fotografi “Qiriazët – themeltarët e arsimit kombëtar”, në bashkëpunim me Kolegjin “Qiriazi” nga Tirana.

Këtij manifestimi, shije të ëmbël i dhanë tingujt e zërave të korit të fëmijëve “Fluturat”, në dirigjimin e Arjana Kuriu-Grubi, që interpretuan disa këngë tematike, mes të cilave dhe Himinin e Alfabetit.

Filed Under: Kronike

Manifestim paqësor me plisa në kokë e veshje kombëtare në nderim të Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijëve!

November 21, 2023 by s p

20 nëntor 2023, Teatri Kombëtar – Prishtinë

Shkruan: Prof.dr.Nusret PLLANA/

Me kontributin e stafit udhëheqës të fakultetit të edukimit të Universitetit “Hasan Prishtina”, të Prishtinës, në krye me dekanin e këtij fakulteti, Prof.dr. Blerim Saqipi dhe Prof. dr. Nusret Pllana, e të studenteve tona me plisa të bardhë në kokë, por edhe të mësueseve Ligatinë Berisha e Vera Berisha, së bashku me nxënësit e tyre, të Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit”, të fshatit Gllamnik të Besianës, të veshur bukur me kostumet kombëtare, sot( më 20 nëntor 2023), në ora 12:00, para Teatrit Kombëtar të Prishtinës, për nderë të Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijëve, në shenjë respekti dhe nderimi të përjetshëm, përmes një manifestimi paqësor protestues, por edhe një programi të pasur kulturo – artistik, i kujtuam me dhimbje 1432 fëmijët shqiptarë, viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashiste, të cilët barbaria dhe mizoria e ushtrisë dhe policisë kriminale serbe na i pat vra në periudhën e viteve 1981/1999, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm e vetëm pse ishin racë e kundërt me ekzekutorin, e për fat të keq, për këto masakra dhe krime gjenocidiale nuk është dënuar asnjë kriminel serb deri më sot.

Njëherit, studentja Gentianë Kutllovci dhe mësuesja Ligatinë Berisha, përmes fjalimeve të tyre të përgatitura në mënyrë shembullore, enkas për sot, shprehën pakënaqësinë e tyre që, Institucionet tona kompetente qe 25 vite rresht, nuk e treguan as kujdesin minimal ndaj gjithë këtij gjaku të derdhur lum, të fëmijëve tanë ‘engjëj’, që t’paktën, të ju ngritet, qoftë një Kompleks Memorial (OBELISK), qoftë një përmendore a shtatore për ta.

Por, për fat të keq, edhe përkundër premtimeve të Qeverive tona të njëpasnjëshme, ato asnjëherë nuk u bënë realitet..

Fatkeqësisht edhe sot, në mungesë të këtij OBELISKU, Ing. Xhavit Muqolli( përfaqësuesi i Familjes martire të Poklekut të Drenicës heroike), bashkë me studentet tona dhe nxënësit e mësueseve Legatinë Berisha e Vera Berisha, kurorat me lule i vendosën pranë Obeliskut të improvizuar, përballë Teatrit Kombëtar të Prishtinës.

Për përkrahjen dhe kontributin moral e material, që ky manifestim të bëhej sa më madhështor, kontribuan “ODA LLAPJANE”, Agjensioni “DITA”, Nebih Balaj, Arsim Bajrami, Muhamet Latifi, Shefki Sejdiu, Pajazit Jashari, Irfan Miftari dhe Irfan Kutllovci, të cilët i falënderojmë përzemërsisht.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i fëmijëve tanë ‘engjëj’, gjaku i të cilëve është liria vet!

Filed Under: Kronike

PËRUROHEN PUNIMET NË KISHËN E KUVENDIT TË ARBËRIT  NË AFËRSI TË LEZHËS

November 20, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Sipas nismëtarit të këtij projekti të madh por edhe shumë të tjerave në ato anë, Dom Nikë Ukgjinit dhe bazuar në informacion nga rrjetët sociale, të shtunën me 18 Nëntor, 2023 në Mërci të Lezhës u zhvillua ceremonia e përurimit të punimeve në Kishën e Kuvendit të Arbërit. Ky Kuvend Kishtar Arbëror është mbajtur aty me 14 e 15 Janar, 1703, i organizuar me porosinë nga Papa shqiptar, Klementi i XI – Albani.  Frank Shkreli: Papa Klementi  i XI me origjinë shqiptare – mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve | Gazeta Telegraf

Nën përkujdesjen e të palodhoshmit Dom Nikë Ukgjinit, të shtunën u zhvillua ceremonia e përurimit të punimeve përfundimtare — në Kishën e Shën Gjonit ku 320-vite më parë është mbajtur Kuvendi Arbërit në Mërci të Lezhës — punime të cilat kanë filluar kohë më parë për rehabilitimin e kësaj kishe historike – me vlera të mëdha fetare e kombëtare për të gjithë shqiptarët pa dallim – të rëndësishme për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe ruajtje së gjuhës shqipe.  Frank Shkreli: Kanë filluar punimet për rehabilitimin e Kishës së Kuvendit të Arbërit afër Lezhës | Gazeta Telegraf

Përurimi i punimeve të shtunën që kaloi në Kishën e Shën Gjonit – Kishën e Kuvendit të Arbërit, është një tjetër projekt i përfunduar në rrethin e Lezhës, nën përkujdesjen e Dom Nikë Ukgjinit,  Në ceremoninë e përurimit morën pjesë personalitete kishtare dhe vendore nga Shqipëria, Kosova por edhe nga vende të largëta si Dalmacia, Kroacia, Bosnja e Mali i Zi.  Nga trojet shqiptare dalloheshin, ndër pjesëmarrsit në këtë aktivitet, Arkipeshkvi i Shkodrës, Angjelo Massafra, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, Ipeshkvi i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj, Ipeshkvi i Lezhës, Ottavio Vitale, si dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, klerikë, intelektualë e historianë nga Shqipëria e Kosova. Pjesëmarrësit që folën me këtë rast, me të drejtë, vlerësuan lartë punën dhe mundin e Dom Nikë Ukgjinit, jo vetëm për realizimin e këtij projekti, por edhe shumë të tjerëve, në përpjekjet e tija të vazhdueshme për të ruajtur dhe mbrojtur atë trashëgimi qindra-vjeçare fetaro-kombëtare, që ende mund të shpëtohet nga shkatërrimi prej njerëzve dhe prej natyre.

Realizimi i këtij projekti – përurimi i punimeve të shtunën i këtij monumenti të rëndësishëm për identitetin, gjuhën dhe klutuurën shqiptare – është meritë e Dom Nikë Ukgjinit me disa bahkpuntorë të tij të ngushtë e që kanë vazhduar t’a mbështesin me mundësitë e tyre, në ringritjen e këtyre objekteve kulturoro-fetare në atë zonë – të cilat janë dëshmi e gjallë e vazhdimsisë së identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve në ato anë, prej shekujsh.  Objekte këto, të cilat, ishin lenë pas dore nga ish-regjimi komunist – bazuar në ideolgjinë e tij anti-fetare dhe anti-kombëtare — por edhe nga qeveritë post-komuniste të 30-viteve të fundit, objekte të harruara dhe lenë në mëshirë të fatit – një praktikë kjo anti-kombëtare që vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe që po kontribon në zhdukjen e trashëgimisë kulturore të mbi-dheshme dhe nën-dheshme, si dhe identitetit historic kombëtar të shqiptarëve në ato anë.  Por falënderës Zotit për shqiptarë të mirë e të palodhun, patriotë si Dom Nikë Ukgjini me bashkpuntorët e tij, i cili po mundohet të shpëtoj atë që mund të shpëtohet me mjetet e tyre të kufizuara materiale e financiare për rehabilitimin dhe ruajtjen e këtyre vendeve të shënjta, me rëndësi për historinë e asaj zone dhe mbarë trojeve shqiptare në Ballkanin Përendimor. Duhet t’i jemi mirënjohës Dom Nikës dhe të gjithë atyre mbështetsve të tij, si Gjergj Liqejza, Viktor Jushi e të tjerë, që sipas të dhënave, i janë bashkuar Dom Nikës në këtë mision të shënjtë me vlerë historike, fetare e kombëtare.

Pak të dhëna për të venë në njëfarë perspektivë historike rëndësinë që kishte në atë kohë mbajtja e Kuvendit të Arbërit dhe për rëndësinë e trashëgimisë identitare fetare dhe kombëtare që ka ose që duhet të ketë sot për të gjithë shqiptarët pa dallim.  Në një artikull botuar nga Radio Vatikani me 14 Janar, 2019 flitet për kushtet dhe rrethanat shumë të vështira nën të cilat është mbledhur Kuvendi apo Koncili i Kishës Katolike i trojeve shqiptare në atë kohë – përball sfidave dhe problemeve të mëdha që perandoria osmane kishte imponuar mbi jetën dhe veprimtarinë e Kishës Katolike shqiptare, 320-vjetë më parë. Kuvendi Kishtar i Arbërit u mor me të gjitha ato probleme të rënda që përjetonte çdo ditë fisi i shqiptarit, e sidomos përballimi me rrezikun e humbjes së identitetit kombëtar dhe zhdukjen e gjuhës shqipe dhe të drejtave fetare.   Kuvendi kishtar i Arbërit dhe mbrojtja e identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve – Vatican News   

Si rrjedhim, përveç gjendjes së mjeruar fetare në viset e Arbërisë, Kuvendi Kishtar i Arbërit i vitit 1703, ka shqyrtuar, ndër të tjera, sipas atij artikulli, kufizimet e rënda të imponuara nga okupimi Osman mbi shqiptarët e që kërcënonin seriozisht identitetin kombëtar dhe fetar të shqiptarëve – dy çeshjte këto me rëndësi e që u mbrojtën si jetike për mbijetesën e shqiptarëve si Komb me identitetin e tij të veçant kombëtar e fetar. I një rëndësie të veçantë historike, sipas historianëve dhe gjuhëtarëve, është botimi në gjuhën shqpe i punimeve të Kuvendit të Arbërit – që konsiderohet si i pari botim shqip, të pakën deri tani i akteve kishtare sinodale në gjuhën shqipe nga një takim i atij niveli të lartë, 320-vjet më parë, sipas artikullit në fjalë.   

Shkrimtari e studiuesi Tonin Çobani në një vlersim të librit të shkrimtarit e historianit të ndjerë nga Kosova, Engjell Sedaj: “Papa shqiptar Klementi XI-Albani & Kuvendi i Arbënit”, botuar më 1998 nga Ndërmarrja botuese “Gjon Buzuku”, citon autorin Sedajn të ketë shkruar në librin e tij se Kuvendi i Arbërit është një “Kujtesë e dokumentuar dhe e pashlyeshme e historisë së popullit shqiptar në dimensionet më të gjëra të jetës së tij.” 

Urime Dom Nikë Ukgjinit dhe të gjithë atyre që e mbështetën atë në këtë përpjekje të suksesshme — që me mund e mbështetje të mëdha financiare, fizike e mendore, më në fund ia dolën:  që me ceremoninë e përurimit të punimeve në Kishën e Kuvendit të Arbërit, të shtunën që kaloi, Dom Nika me bashkpuntorët e vet, përjetësuan këtë, “Kujtesë të dokumentuar dhe të pashlyeshme të historisë së popullit shqiptar në dimensionet më të gjëra të jetës së tij”, duke e kthyer këtë Monument të historisë së Kombit shqiptar – Kishën e Kuvendit të Arbërit — në identitetin e saj origjinal, duke ndriçuar kështu sadopak errësirën shekullore të historisë së kaluar të Kombit shqiptar, jo vetëm për brezat e tanishëm dhe të ardhëshm të shqiptarëve, por edhe për të huajt.

Frank Shkreli

No photo description available.

Dom Nikë Ukgjini nismëtari dhe organizator i rinovimit dhe punimeve në Kishën  historike katolike të Shën Gjonit afër Lezhës ku është mbajtur Kuvendi i Arbërit (320-vjetë më parë – Janar 1703) nën përkujdesjen e Papës me origjinë shqiptare, Klementit të XI-Albani 

                             “Populli em u ba rob, se nuk pat dien” –

Shtatorja e Papa Klementit XI – Albani, me origjinë shqiptare, nën përkujdesjen e të cilit është mbajtur Kuvendi i Arbërit — Janar 1703 — Kisha e Shën Gjonit në Mërqi të Lezhës 

Filed Under: Kronike

BURRAT E KOMBIT S’ HIDHEN NË HARRESË

November 16, 2023 by s p

Ismail Arsllani/

Çka i thoshin Mehmetriza Murtezanit-Gegës, inspektorët e UDB-së në Tetovë. -Kalvari i Gegës fillon në mars të vitit 1948, kur emërohet mësues në Nerasht të Tetovës, ku pas një muaji shpallet “informbyroist” dhe dërgohet për hetuesi në Beograd. -Si e zunë organet e Sigurimit Shtetëror “Mandelën tetovar”, me afishe në Shkup. -Gega ishte prijës dhe ideolog i rinisë tetovare për demonstratat e 1968-ës.

Tashmë kanë kaluar 55 vjet nga demonstratat e njohura të Tetovës të mbajtura më 22-23 dhjetor 1968, të parat në Maqedoni, në kohën e komunizmit më të egër, të ushtruar me shumë persekutime mbi popullin shqiptar në ish-Jugosllavi. Me këtë rast, me pietet të posaçëm kujtohet i pari i grupit, ideologu i këtyre demonstratave që tronditën regjimin komunist të atij shteti, i cili ishte i padrejtë me shqiptarët. Ishte ky Mehmetriza Murtezani – Gega nga Tetova, patrioti sypatrembur për çështjen kombëtare shqiptare, një atdhetar i madh, i cili sakrifikoi veten dhe familjen, për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve.

Për kauzën shqiptare ishte angazhuar që në moshën më të re, duke shndërruar jetën e tij në një “skëterrë”, prapa grilave të burgut të Idrizovës në Shkup. Veprimtarinë e tij atdhetare e vazhdoi edhe pas paraqitjes së pluralizmit partiak (1990), kur iu vu në shërbim të popullit, duke marrë pjesë në shumë tubime, protesta, shënim-data, jubile, konferenca, tryeza etj., duke ndihmuar edhe punën e partive politike shqiptare, pa u përcaktuar për asnjë parti, me të vetmin qëllim që të sendërtoheshin synimet shekullore të shqiptarëve.

Mehmetriza Gega ishte i dashur, i mirëpritur dhe i respektuar kudo ku paraqitej mes popullit. Njerëzit e afronin me respekt të veçantë, sepse e nderonin si një veprimtar të dëshmuar me kohë, si një njeri me guxim deri në fanatizëm, njeri që kishte vuajtje në shpirt dhe zemër, të cilat i bartte nga burgjet ndëshkuese komuniste. Një kohë, Gegën e njihnin edhe si “Mandela i Tetovës”, sepse shumë vite kishte kaluar në burgje, për veprimtari ilegale politike e patriotike. Inspektorët e SPB të Tetovës e këshillonin që të mos merrej me politikë: “Politika është një lavire, së cilës ia sheh sherrin!”, i thoshin sa herë që para tyre s’pranonte se është marrë me politikë. Gjithçka që bëri, ishte për të mirën e popullit të vet dhe asnjëherë nuk u tremb nga pasojat.

Shtigjet jetësore të tij ishin përplot vuajtje, persekutime e dënime të rënda me burg. Duke kujtuar fillimet e veprimit të vet atdhetar, kishte thënë: “Në mars të vitit 1948, zura punë në shkollën fillore të fshatit Nerasht të Tetovës. Ishte kohë e Informbyrosë. Vetëm një muaj më pas, pa kurrfarë shpjegimesh, më arrestojnë dhe më dërgojnë në një burg të hetuesisë në Beograd, me pretekst se jam informbyroist. Kur panë se nuk jam as informbyroist dhe as komunist, pas një muaji më lëshuan nga burgu”, kishte shpaluar autorit të këtij punimi, këto kujtime përplot me vuajtje e përndjekje, që në vitin 2005, derisa Mehmetriza Gega ishte në jetë.

Nga burgu hetues i Beogradit sërish ishte kthyer në shkollën e Nerashtit, ku me angazhimin e tij dhe të kolegëve kishte shtuar numrin e nxënësve prej 60 në 240 sish, duke përfshirë edhe shtimin e numrit të vajzave. Pas katër vjet pune të suksesshme, e transferojnë në fshatin Grupçin, ku, pas një kohe të shkurtër, Inspektorati i Arsimit e kishte pezulluar nga puna.

“Nuk e di shkakun e largimit tim nga puna, por supozoja se ishim tepër të angazhuar në përfshirjen e nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, përderisa pushteti punonte në një kurs tjetër, për hapjen e shkollave turke, në vitet 1950-1952”, ishte shprehur Gega.

Ishte kjo një kohë e zymtë për shqiptarët, të cilët, për shkak të presioneve të shumta të pushtetit të atëhershëm, detyroheshin të shpërnguleshin për në Turqi. Arsimtarët ishin ata që pengonin këtë proces të projektuar nga pushtetarët, ndaj dhe vazhdimisht ishin të përndjekur. Sistemi i egër komunist i asaj kohe nuk lejonte veprimtari legale, andaj ata vepronin në konspiracion dhe në ilegalitet të plotë, duke përgatitur dhe duke shpërndarë afishe me këto përmbajtje: “Mos shkoni në Turqi!”, “Vendi ynë është këtu!”, “Këtu do ta gjejmë lirinë!” etj.

Një ditë, nga ato të mes-viteve të 50-ta të shekullit të kaluar, organet e sigurimit shtetëror e kishin zënë në rrugë Gegën me afishe e parulla të shkruara, që duhej t’i shpërndante në rrethinën e Shkupit, ndaj dhe e kishin arrestuar. Pasojnë pesë muaj hetime të mundimshme në Tetovë, Gostivar dhe Shkup. Ndërkaq, aktakuza e ngarkonte për diçka krejt tjetër, “për shkëputje të këtyre viseve të Jugosllavisë dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë”. Për këtë shkak, me kodin penal të legjislaturës së atëhershme, dënohet me 10 vjet heqje lirie në burgun e Idrizovës, prej të cilëve 5 vjet në izolim të plotë. Pas afër shtatë vjetësh vuajtje dënimi, me një amnisti të përgjithshme, lirohet nga burgu në mars të vitit 1962.

Pas gjashtë vjet jete jashtë grilave të burgut, menjëherë pas shpërthimit të demonstratave shqiptare në Tetovë, më 22 e 23 dhjetor të vitit 1968, organet e sigurimit shtetëror sërish e arrestojnë Mehmetriza Gegën, si ideolog kryesor.

“Kisha bërë disa vjet stazh pune në fabrikën e tekstilit “Teteks” të Tetovës, kur më 24 dhjetor, një ditë pas demonstratave në Tetovë, sërish më arrestojnë organet e sigurimit shtetëror dhe më mbyllin në Burgun e Tetovës. Pas dy javë keqtrajtimesh, ma dorëzojnë aktakuzën, në të cilën cilësohem si prijës i “demonstratave armiqësore” të vitit 1968 në Tetovë, ndërsa aty ishin radhitur edhe emrat e 14 personave të tjerë të “grupit”, në mesin e të cilëve kishte studentë, arsimtarë, punëtorë etj. Sipas aktakuzës, “kjo organizatë ka dashur që me dhunë ta bëjë shkëputjen e viseve perëndimore të Maqedonisë dhe bashkimin e tyre me Kosovën dhe Shqipërinë”.

Hetimet kishin zgjatur 5-6 muaj, deri në gjysmën e vitit 1969, kur në Gjykatën e Qarkut në Shkup kishte filluar procesi gjyqësor. “Prokurori më akuzonte për atë që kisha vënë në spikamë padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve në një shoqëri socialiste, ku të gjithë duhej të ishin të barabartë, pavarësisht nga përkatësia kombëtare”, shprehej me atë rast Gega, duke shtuar se kishte vërtetuar me argumente se ka shumë diskriminime që u bëhen shqiptarëve, përballë maqedonasve, të cilët kishin të gjitha të drejtat.

Sipas tij, gjykimi kishte qenë i inskenuar dhe kishte momente tragjike-komike, sepse dëshmitarët, të cilët ishin “përpunuar” nga policia, dilnin qesharakë gjatë seancave gjyqësore. “Ashtu siç mund të pritej nga organet e një sistemi totalitar, pas një procesi gjyqësor që zgjati një muaj, trupi gjykues më dënoi me shtatë vjet heqje lirie, të cilën e kam vuajtur në burgun e Idrizovës, prej nga, me një vit amnisti, lirohem më 24 dhjetor të vitit 1974, në përvjetorin e gjashtë të demonstratave të Tetovës”, kishte deklaruar asokohe, Mehmetriza Gega, në një bisedë me autorin e këtij shkrimi, të cilën pranoi ta bëjë, ndonëse ishte në moshë të shtyrë dhe në një gjendje të rëndë shëndetësore.

Filed Under: Kronike

Bab Dud Karbunara

November 15, 2023 by s p

I djegur nga dashuria për shqipen

NT: Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, 2008, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, thuhet se Bab Dudë Karbanura “mori pjesë si përfaqësues i popullit të Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, ku u zgjodh anëtar i Pleqësisë”.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë/

Në mbledhjen e dytë të Pleqësisë së Vlorës, më 3 dhjetor 1912, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Bej Vlora, paraqiti listën e anëtarëve të kabinetit të parë shqiptar. Si njohës i mirë i politikës dhe diplomacisë, i vetëdijshëm që puna më e madhe e qeverisë do të ishte në planin ndërkombëtar, kryeministri i parë i Shqipërisë kishte menduar si anëtarë të kabinetit “emra të njohur ndë Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë”. Zgjedhjet e Ismail Beut s’kishin të sharë, askush nuk pati asnjë vërejtje për propozimet e tij, por Babë Dudë Karbunara, veteran i çështjes kombëtare dhe më i moshuar se Plaku i Vlorës, mori fjalën dhe ndryshoi rendin e gjërave. Ai shprehu keqardhjen që në listën e anëtarëve të kabinetit nuk ishte asnjë i krishterë. Shqetësimi i tij u mor aq shumë në konsideratë, saqë mbledhja mori fund me fjalën e tij dhe votimi i qeverisë u shty për të nesërmen.

Zgjedhja e qeverisë ishte e drejtë e Kryeministrit, i cili i paraqiste propozimet për votim Kuvendit. Mënyra si u soll Ismail Beu dhe qeveria që doli prej mbledhjes së 4 dhjetorit 1912 janë një shembull tolerance i pashfaqur më në historinë e politikës shqiptare. Kryeministri ia la në dorë Kuvendit që t’i bënte propozimet dhe t’i votonte ato. Ai bëri vetëm një specifikim: kërkoi që qeveria të kishte tetë ministra dhe jo shtatë ministra, siç e kishte menduar një ditë më parë. Arsyeja e shtimit të një ministri ishte që numri i anëtarëve të kabinetit të bëhej çift dhe postet të ndaheshin në mënyrë të barabartë: katër myslimanë dhe katër të krishterë. Dhe kështu u bë.

Shqiptarë janë krenuar gjithmonë me tolerancën e tyre fetare. Kjo është një cilësi e tyre e njohur historikisht dhe në arenën ndërkombëtare. Vetëm historianët vendas nuk i kanë kushtuar vëmendje mënyrës si u krijua kabineti i parë. Nëse do t’i kishin kushtuar vëmendje, ata nuk do të kishin bërë gabime trashanike si ai që të hiqnin nga lista e firmëtarëve të pavarësisë Babë Dudë Karbunarën.

Në disa botime të Akademisë së Shkencave në vend të tij është konsideruar firmëtar i pavarësisë një person tjetër me të njëjtin mbiemër. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, 2008, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, thuhet se Bab Dudë Karbanura “mori pjesë si përfaqësues i popullit të Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, ku u zgjodh anëtar i Pleqësisë,” por nuk i përmendet fakti që ka firmosur certifikatën e lindjes së shtetit Shqiptar. Në një botim tjetër të Akademisë, albumi fotografik “Ismail Qemali, 2012, me autor Kristo Frashërin, është botuar lista e firmëtarëve të pavarësisë. Numri 4 në listë (në deklaratën origjinale firmat nuk kanë numër rendor, por e ka vënë autori i albumit), është shkruar shkronja e parë e emrit të Bab Dudës dhe mbiemri, por shpjegimi i mëtejshëm që jep Kristo Frashëri merret vesh që ai nuk e ka fjalën për patriotin veteran të Beratit. Në faqen 72 emri është shkruar në këtë formë “I(brahim). Karbunara”. Në deklaratën origjinale emri është shkruar kështu “I. Karbunara”. Në një kohë që alfabeti i shqipes nuk ishte njësuar ende, emrat shkruheshin në disa forma. Emri i Bab Dudës ishte Jorgji dhe në deklaratë është shkruar, nga vetë ai, me formën I(orgji). Ibrahim Karbunara, 1880-1947, i cili thirrej më shumë Sheh Karbunara, personi që historiani Kristo Frashëri e ka vendosur në deklaratën e pavarësisë në vend të Bab Dudës, ka qenë patriot i shquar, thuhet se ka qenë në Vlorë në 1912, por nuk e ka firmosur deklaratën e pavarësisë. Sheh Karbunara dhe i biri, Hyseni, u pushkatuan nga komunistët në 1947.

Më 1927 komisioni i Beratit për kremtimin e 25-vjetorit të qeverisjes shqiptare është treguar shumë i kujdesshëm në përpilimin e jetëshkrimit të Bab Dud Karbunarës. Ashtu ka bërë, në fakt, për të gjithë patriotët e tjerë të prefekturës së Beratit, të cilën po e sjellim të plotë, për përcjellë, veç informacionit, frymën që mbart gjuha dhe mënyra e ndërtimit të tekstit:

Bab Duda Karbunara ka lindur në lagjen Kala të Beratit në datën 3 maj 1842, ka vdekur në 19 dhetor 1917 dhe është varrosur në Kishën Shën Gjergji të lagjes në fjalë ku gjindet ende varri i tij. Ishte biri i Theodhor Karbunarës; mëma e tij quhej Aleksandra. U martua me të ndyerën Katrina e motre e Sotir Gjikës nga lagja Goricë e Beratit. I patën lindur tri vajza, të martuara, Athina, Maria, Tepsikori, nga të cilat kjo e fundit i ka vdekur.

Bab Duda kreu në vogjëli mësimet e tij në shkollën fillore të lagjes Kala të Beratit (asikohe në gjuhë greqishte), mandej shkoi në Korfus ku studioi për disa kohë dhe në fund mbaroi studimet e tij të mesme klasike në gjuhë italishte në Trieste, e mbasandej u kthye në gjirin e Atdheut të vet për të ushtruar deri në fund të jetës veprimtarinë e tij Kombëtare me një flagë të idealizmës dhe Atdhedashuris dhe kësaj idheollogjije të shenjtë i kushtoi të gjitha fuqit e tij morale, mendore e lëndore.

Bab Duda ka qenë në bashkpunim me Konstandin Kristoforidhin dhe Hoxha Tahsinin. I ndyeri veteran i frymëzuar nga ndjenjat e nxehta Kombëtare veprimtarinë e tij patriotike e kish zgjeruar edhe deri në Kishë, ku asikohe ishte mëkatë e madhe të flitej një fjalë Shqipe dhe përkundra kërcënimeve të metropolitëve të asaj kohe, shumë herë Ungjilli thehej Shqip dhe ai vetë psalte (këndonte hymne) në gjyhën Amtare. Ka qenë i persekutuar shumë herë. I ndyeri ka shërbyer edhe si mësues në shkollat e Beratit; në vjetët 1901-1902 në shkollën Rumune në lagjen Goricë për gjuhën Italishte. Në vitin 1908 pas shpalljes së konstitucionit Otoman ka dhënë mësime në gjuhën Shqipe në shkollën gjysëm gjimnazi Turqishte në Berat. Prap po në atë vjet ka qenë mësues i gjuhës Kombëtare në shkollën fillore qendrore afër xhamisë Mbret, e më pastaj në vitin 1910 në shkollën fillore të lagjes Murat Çelepi të Beratit. Pas konstitucionit Otoman në Qershor të vitit 1908 ka qenë një nga themeluesit e KLUBIT BASHKIMI në Berat. Pas çpalljes së mëvehtësis Shqiptare në datën 28 nëndor 1912 ka shkuar në Vlorë ku ishte dërguar i zgjedhur si pjestar i delegatëcies Beratase. Në vitet shkollore 1912-13-14 ka shërbyer si mësues i kursit Shqip për t’u mësuar nëpunësve të asaj kohe gjuhën Amtare. Pas turbullimeve të rebelizmës që filluan në Berat, Veterani plak Bab Duda u burgos bashkë me shumë nacionalista të tjerë Beratas”.

Profecia e Bab Dud Karbunarës: në 27 nëntor 1937, në Berat u përurua busti në mermer i tij, në një shesh që mban emrin “Babë Duda”. Busti u vendos me vendim të komisioni të Beratit për kremtimin e 25-vjetorit të pavarësisë.

Burimet historike për Bab Dudën nuk janë të shumta, por dhe në këto që kemi mundur të gjejmë ka disa mospërputhje që ia vlen t’i përmendim. Në një artikull të datës 27 qershor 2012, në gazetën Telegraf, autori Viktor Papa jep datëlindje të ndryshme nga komisioni i 37-ës dhe djegien e shtëpisë tij. Sipas këtij burimi, i cili i referohet shtypit të kohës (pa dhënë detaje të mëtejshme), shtëpia e Bab Dudës është djegur “duke u gdhirë 14 shtator 1894”, kurse komisioni, siç e kemi cituar më sipër, thotë kjo ngjarje ka ndodhur në 1895. Viktor Papa flet për një fotografi të Bab Dudës, në shpinën e së cilës ai vetë ka shënuar kushtimin për dy nipërit, kohën e daljes, tetor 1910, dhe ditëlindjen e tij, 22 prill 1942. Dhe, po aty, thotë Papa, është shkruar një fjali, e cila përcjell gjithë thelbin e jetës së Bab Dudës: “Ay që s’mëson gjuhën e vet, është i dënuar përjetë”.

Shënim: Emrin e personazhit e kam shkruar Bab Dudë dhe jo Babë Dudë, siç gjendet në botimet akademike, duke ruajtur formën si e përdornin bashkohësit e tij dhe komisioni i 25-vjetorit të qeverisjes së Shqipërisë. Për këtë artikull janë konsultuar disa burime. Në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta. Për natyrën eseistike të Shenjës nuk janë përfshirë në këtë botim. Burimet e konsultuara janë: AQSH, Fondi 170, Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, Shtypshkronja Nënë Tereza, Tiranë; Nevila Nika, Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare, 1910-1912, botim i Institutit të Historisë-Prishtinë, 2003; Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Fjalor enciklopedik shqiptar”, tre vëllime, Tiranë, 2008; gazeta Telegraf, Tiranë. Kristo Frashëri, “Ismail Qemali”, album, Tiranë, 2012.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT