Dr. Dorian Koçi/
Kemi pasur nevojë gjithmonë për njerëzit e urtë, për njerëzit që kanë mbledhur një eksperiencë të madhe në jetë dhe mund të na e përcjellin neve sa herë që kemi në nevojë në kohën dhe vendin e duhur. Mungesa e tyre për shkak të ndryshimeve drastike që kanë ndodhur në jetën politike shqiptare ka qenë fatale. Kjo gjë ka rënë më tepër në sy në kohën e ndryshimeve të mëdha, të ndryshimeve të sistemeve ku nxitimit dhe ideologjisë së shpërbërjes është dashur që ti kundërvihet maturia dhe ideologjia e gjithëpërfshirjes. I urtë natyrisht nuk do të thotë që të jesh gjithmonë i matur dhe ngadaltë por ashtu si me të drejtë e ka përjetuar populli në mbiemrin që i ka bashkangjitur fjalëve kur vërtetë ato duhen të tingëllojnë të mençura, nënkuptojnë dhe iniciojnë veprime të mençme për kohën dhe epokën. Një i tillë p.sh ka qenë personazhi poetik i poemës “Histori e Skënderbeut” të Naimit, Kamani që në kulm të dilemës së Arbrit për të kundërshtuar apo jo pushtimin otoman, zgjedh luftën. Natyrisht, që Kamani prezanton dhe kredon e Naimit si poet e rilindës por në jetën tonë të përditshme ne s’kemi pasur nevojë që të kemi vetëm personazhe letrarë të urtë pasi mes nesh kanë gjalluar njerëz të tillë që na kanë inspiruar të gjithëve.
Para pak ditësh u nda nga jeta politikani dhe shkrimtari Sabri Godo, një plak i urtë dhe i mençëm i jetës publike shqiptare që me veprën dhe fjalën e vet kontribuoi aq shumë në ndërtimin e dialogut politik në vend, hartimin e ligjeve dhe mbarëvajtjen e një politike të jashtme dinjitoze në rajon. Por si është zakoni në politikën shqiptare menjëherë pas vdekjes nuk ngurruan që të vinin komentet pozitive duke vënë në dukje më të drejtë meritat e këtij personazhi të rëndësishëm të tranzicionit të vështirë shqiptar dhe asnjëherë nuk u pyet sesa u vlerësua dhe iu dha rëndësi sa ishte në jetë. Po të ishte gjallë i urti Godo, me humorin që e karakterizonte do të thoshte se nëse Dr Adhamulli i komedisë “Pas vdekjes” të A.Z.Çajupit e shijoi për së gjalli nekrologjinë e tij, Godo s’mundi të dëgjonte një të tillë dinjitoze dhe kur vdiq. Kjo mos arritje për të bërë një nekrologji të plotë të Godos por dhe jo vetëm atij, nuk besoj se vjen nga dëshira e keqe për ti përçmuar këta figura por në fakt nxjerr në dukje një problem të madh të shoqërsië shqiptar, atë të mungesës së theksuar të kulturës politike në vend. Për të gjithë ata që mund të besojnë se politikani dhe shkrimtari Sabri Godo ishte një nga partizanët e shumtë që zbritën nga mali në 1945 dhe duke u arsimuar dhe edukuar në kohë u bë ai personalitet që ne kishim, mund të zhgënjehen lehtë. Sabri Godo ishte nip i tre figurave të shquara të historisë së Shqipërisë, të persekutuar dhe vrarë në dy regjime të ndryshme. Ethem dhe Ismet Toto, i pari ministër i brendshëm në qeverinë liberale të Mehdi Frashërit në 1936 dhe i dyti një nga intelektualët më të shquar të kohës, biografi i parë i monografisë së Ataturkut në shqip ishin nga organizatorët e kryengritjes së Delvinës më 1937, një lëvizje që kërkonte modernizimin e mëtejshëm të regjimit në Shqipëri dhe të nxirrte në pension një klasë politike që vazhdonte të vozitej sa në kujtimet e ëmbla të orientalizmit dhe sa në korrupsionin nepotike të kohës. Të dy pësuan një fat tragjik, i pari vrau veten pas dështimit të kryengritjes kurse i dyti u var publikisht. Vëllai tjetër Selaudin Toto, deputet i opozitës në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e dhjetorit 1945 u arrestua dhe u pushkatua barbarisht nga regjimi komunist si “agjent i borgjezisë dhe i kapitali të huaj”. Me këtë trashëgimi politike, Sabri Godo do të fillonte jetën e tij politike si partizan i përhershëm i republikanizmit, një ëndrre që ai i mbeti besnik deri në fund të jetës. Zhgënjimet e mëdha që ai dhe shumë të tjerë do të pësonin pas triumfit të luftës antifashiste me instalimin e diktaturës komuniste nuk do t’i mpaknin shpirtin dhe revoltën djaloshit të ri progonatas të lindur në Delvinë.
Ashtu si gjithë talentet e mëdha që kufizimi i lirisë nuk i lejonte që të shpreheshin për atë që ndodhte në Shqipëri iu kthye historisë dhe nëpërmjet saj i dha mesazhet që dëshironte popullit dhe kombit të vet. Në kohën kur Safet Butka, një nacionalist atdhetar shqiptar i vetëvrarë tragjikisht për t’iu shmangur vëllavrasjes përqeshej dhe vihej në lojë nga propaganda komuniste, Sabri Godo botoi romanin “Plaku i Butkës”, kushtuar babait të Safetit duke dashur t’i tregojë lexuesve se familje dhe c tradita patriotike përfaqësonin Butkajt që regjimi i konsideronte kundërshtarë. Kur vendi ishte i mbushur me terror dhe pushteti komunist rivendoste marrëdhëniet diplomatike me Greqinë më 1971 duke “shitur” për interes të njohjes së vet diplomatike çështjen çame, Sabri Godo botonte romanin historik “Ali Pasha Tepelena” si për tu treguar kombit se ku përfundojnë miqësitë e pamenduara mirë me fqinjët dhe se ku përfundon çdo udhëheqës që ushton një pushtet të pakufizueshëm. Kur vendi ishte i tronditur pas spastrimeve të viteve 70’, Sabri Godo boton romanin historik “Skënderbeun’ për të treguar të gjithë shqiptarëve se heroi i tyre i vërtetë nuk është diktatori, por Skënderbeu heroi kombëtar dhe mbrojtësi i Evropës. Me këtë pasuri shpirtërore të madhe që ai kish falur kombit të vet do të hynte në kapërcellin e viteve 90’ kur sërish si për të përmbushur detyrën deri në fund drejt atdheut do të themelonte së bashku me Petro Markon , një shok të hershëm të dajove të tij martirë, Partinë Republikane duke luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë liberale në Shqipëri. I qetë dhe përherë i matur, politikani Godo do të hidhte gjithmonë ujë zjarrit të politikës së pamatur shqiptare si në 1992, 1997,1998, 2002 apo dhe në 2011.
Për më tepër do të luante një rol përherë prej qëndrestari përsa i përket politikës së shtetit shqiptar në rajon duke kontribuar sa mundte në stabilitetin e situatës në Maqedoni, zbulimin dhe prerjen e orekseve të qarqeve shoviniste greke të sëmura nga nacionalizmi primitiv i shekullit të XIX apo qartësimit dhe përforcimit të pavarësisë së Kosovës. Në gjithë këtë rrugëtim idealist të tij, ashtu si romanin autobiografik “Udhëtari” ai s’kërkoi asnjëherë që ti imponohej jetës politike të vendit me poste por kërkoi në mënyrë të vazhdueshme që shqiptarët të bëheshin qytetarë të mirëfilltë që respektojnë rregullat e demokracisë dhe shtetin ligjor. Një dëshirë dhe vullnet që ai e shprehu në hartimin e Kushtetutës së vitit 1998, dokumentit themeltar të shtetit si për të mbyllur kontributin e vet ndaj kombit me një gjest kaq fisnik që të kujton ligjvënësit e lashtë të demokracisë antike greke. Mesa duket , ky ishte dhe testamenti i fundit i tij politik, ndaj nëse vërtetë duhet ta respektojmë të urtin Godo në radhë të parë duhet të respektojmë kushtetutën e vendit dhe të heqim dorë nga ndërhyrjet e pavenda sa herë që nuk përmbushen me rezultatet zgjedhore dhe dëshirën për pushtet të pakufizuar. Në fakt , kjo mbetet dhe sfida e radhës e respektit tonë ndaj tij por dhe konsilidimit të kulturës politike, një dëshire të kahershme të politikanit, shkrimtarit dhe republikanit, Sabri Godo.