Prof.Dr. Roland Gjini/
Në plejadën e intelektualëve dhe figurave të shquara të qytetit të Elbasanit nuk mund të mos veçosh Jovan Dimitreskun, ndër të parët njerëz të shkolluar të këtij qyteti. Ashtu si për shumicën e intelektualëve shqiptarë, edhe për Jovanin diktatura komuniste nuk përdori vetëm harresën dhe mënjanimin, por edhe ndëshkimin dhe denigrimin.
Jovan Dimitresku, është lindur në 15 tetor 1886 në Elbasan. Familja e tij ishte banore e hershme e lagjes Shënkoll, të populluar kryesisht nga banorë me prejardhje arumune, siç ishte edhe origjina e familjes Dimitresku. Stërgjyshi i Jovanit, Papa Dhimitri, ka qenë prift në kishën e lagjes Shënkoll. I jati, Jorgji, i përkiste një familjeje të mesme zanatçinjsh, siç ishin edhe shumica e familjeve të kësaj lagjeje.
Që herët në këtë lagje të Elbasanit ishte hapur një shkollë fillore në gjuhët greke e rumune. Këtu Jovan Dimitresku mori mësimet e para. Në vitin 1898 Jovani mbaron shkollën fillore me rezultate të shkëlqyera. Etja e tij për dije tërhoqi vëmendjen e shqiptarëve të Rumanisë, të cilët u interesuan që ai të vazhdojë më tej studimet. Si rrjedhojë, autoritetet zyrtare të Vilajetit të Manastirit i japin një bursë për të ndjekur studimet në Shkollën Perandorake të Gallata-Sarajt në Stamboll. Edhe këtu Jovani i përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera.
Në vitin 1911 kthehet në atdhe, në qytetin e tij të lindjes. Po këtë vit filloi të punojë si mësues i frëngjishtes dhe i historisë në gjimnazin turk të Elbasanit. Ndërkohë, që në vitin 1908 në këtë qytet është dhënë leja nga Porta e Lartë për hapjen e shkollës në gjuhën shqipe, Jovani, i arsimuar dhe i mbrujtur nga ndjenjat atdhetare, në vitin 1913 drejton shkollën Qëndrore Shqipe të qytetit, pikërisht atë që ishte shkolla e parë e hapur zyrtarisht.
Përkushtimin e tij atdhetar ai e tregoi që në vitin 1912. Në 25 Nëntor të këtij viti ishte një ndër patriotët elbasanas që mori pjesë në aktin e ngritjes së flamurit të Pavarësisë në këtë qytet. Shpallja e Pavarësisë dhe rruga e re e nisur për krijimin e konsolidimin e shtetit shtetit shqiptar, nuk mund të linte pa përdorur kapacitetin intelektual dhe aftësitë e Jovan Dimitreskut. Ishte njohës i gjuhëve frëngjisht, turqisht, italisht, rumanisht, anglisht, greqisht, serbisht, persisht. Ishte i dhënë pas dijes, i përkushtuar pas atdheut, por edhe i apasionuar pas sportit. Ai, që kur ishte student në Stamboll, merrte pjesë në skuadrën e futbollit të Gallata-Sarajt. “Një rol për përhapjen e futbollit në Elbasan luajti patrioti elbasanas Jovan Dimitresku, i cili sapo kishte mbaruar studimet në Stamboll. Ai solli me vete dy topa futbolli, një pompë dhe mastikë. Nën drejtimin e tij u formua një skuadër e përbërë nga mësues e të rinj që stërviteshin dy herë në javë”. Pra, Jovani është i pari që futi lojën e futbollit në qytetin e Elbasanit, që ngriti një skuadër dhe drejtonte stërvitjet që në vitin 1913. Për këtë kanë dëshmuar edhe mësuesi i shquar dhe drejtuesi i shoqërisë artistike “Afërdita”, Ahmet Gashi si dhe Qamil Cela dhe Besim Qorri. Stërvitjet dhe lojërat zhvilloheshin dy herë në javë në fushat “Balashja e Beut” dhe “Cairja e Stringës” buzë Shkumbinit.
Aftësitë intelektuale të Jovan Dimitreskut nuk u përdorën vetëm në fushën e arsimit dhe të sportit. Si njeri me dije e kulturë të gjerë ai kontribuoi edhe në administratën shtetërore, në prefektura, bashki dhe në Tiranë. Ja kronologjia e detyrave dhe funksioneve të rëndësishme që kreu Jovani:
1918-1925, kryesekretar i Prefekturës së Elbasanit.
1925-1926, prefekt në qytetin e Gjirokastrës.
1927-1928, shef i Kabinetit të Posaçëm pranë Këshillit Ministruer të Republikës së Shqipërisë.
1929-1932, jeton familjarisht në ShBA.
!932-1935, pas kthimit në Shqipëri vendoset në Elbasan, në qytetin e lindjes.
1935-1938, kryetar bashkie në qytetin e Sarandës.
1938-1939, nënprefekt në Libohovë.
1939-1940, nëpunës në administratën shtetërore të Peqinit.
1940-1942, nëpunës në Ministrinë e Ekonomisë në Tiranë.
Pas vitit 1942 Jovan Dimitresku nuk angazhohet më në ndonjë punë apo detyrë shtetërore. Ndër arësyet kryesore të kësaj tërheqjeje është urrejtja e tij ndaj pushtuesit fashist si dhe mungesa e dëshirës për të punuar qoftë si nëpunës i thjeshtë në administratën shtetërore të varur nga pushtuesi.
Çlirimi i vendit e gjeti në Tiranë, në moshën 58 vjeç, megjithatë ende me dëshira e energji për të punuar. Por rregjimi komunist që erdhi në fuqi pas çlirimit, në vend që t’i jepte vendin e duhur dhe të përdorte në dobi të popullit aftësitë dhe intelektin e Jovanit, përkundrazi, e cilësoi atë armik vetëm e vetëm se ai kishte qenë nëpunës i lartë i administratës së Zogut.
Nuk mjaftoi vetëm shpërfillja dhe denigrimi që iu bë. Në vitin 1946 dëbohet nga Tirana me gjithë familjen e tij, me pesë fëmijë, më e madhja 16 vjeç e më i vogli 8 vjeç. Vendoset në Elbasan. Këtu shpresoi se do të gjente punë e përkrahje për të rritur fëmijët. Por veç ngrohtësisë së njerëzve të thjeshtë të lagjes e të qytetit, nuk gjeti përkrahje tjetër. Pushteti lokal e sulmoi më tej. E mobilizuan me dhunë të bëjë punë të detyruar tepër të rënda për moshën e tij të plakur. Ka punuar në hapje kanalesh e në ndërtim hekurudhe. Vështirësitë për rritjen e fëmijëve iu shtuan sepse e lanë pa triska fronti, madje edhe pa triska buke.
Mes sakrificave, ndonëse ai plakej, fëmijët u rritën. Ai vdiq në moshën 75 vjeçare më 11 shkurt të vitit 1961. U varros me nderime e respekt jo vetëm nga lagja por edhe nga populli i ndershëm i Elbasanit. Diktatura e harroi dhe e persekutoi, por jo ata që e njihnin dhe ia dinin meritat.
* Të dhënat biografike janë marrë nga shënime të pjesëtarëve të familjes të Jovan Dimitreskut.