Ditën e sotme u mbajt takimi i parë zyrtar i hapur i Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
‘’Pas një rruge të gjatë për të krijuar një themel të fortë, jam fort i lumtur t’iu uroj mirëseardhje në takimin e parë zyrtar të hapur të Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.” u shpreh kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij.
“Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë sa ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi më shumë se 13.000 persona të vrarë gjatë luftës së fundit, mijëra persona të përdhunuar, mijëra të torturuar e të burgosur.” shtoi ai.
Ai theksoi se Instituti për herë të parë në historinë e pasluftës parasheh divizion të veçantë për dëmin e shkaktuar material e jo material dhe për nevojat e viktimave.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri fuqizoi mesazhin se qëllimi i të gjithë neve është i përbashkët: krijimi i kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe gjithë gjeneratave të ardhshme që do të vijnë pas nesh.
“Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme, por mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur në mend është që paqja kërkon drejtësi por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhë asnjëra, e viktimat e luftës i meritojnë që të dyja.” tha kryeministri.
Me këtë rast Drejtori i Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, u shpreh se Instituti simbolizon një hap të rëndësishëm në mbështetjen dhe përpjekjen e tij për njohje dhe promovim të së vërtetës, për krijimin e parakushteve për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.
Synimi kryesor është bashkëpunimi i ngushtë me të gjithë ata që kanë interes në dokumentimin, hulumtimin dhe zgjerimin e njohurive rreth krimeve të kryera gjatë luftës, ku veçoi se Instituti do të punojë në shërbim të paqes dhe drejtësisë, e do të sigurohet që krimet të cilat kanë ndodhur në Kosovë, të mos kalohen pa u dokumentuar, si detyrë e institutit ndaj viktimave dhe shoqërisë.