• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Na iku nga kjo jetë dhe një shok, dhe një vëlla yni……….

January 8, 2013 by dgreca

Ne Fotografi: Gani Bajram Hoxha  12 shkurt 1955-19 Dhjetor 2012 /

Nga Beqir SINA/

BRONX – NEW YORK : Ikja në moshë të re e disa prej bashkëvuajtësve tanë, atyre që u lindën e u rritën në kampet e interrnimit, për në botën e amnueshme në dy dekadat e fundit, kudo ka qenë më shumë se një dhimbje e përzier. Jo vetëm se ata ikën në moshë të re – por edhe pa e gëzuar këtë ditë të bekuar, që vet Zoti na i dha si peshqesh që edhe ne të jetojmë një ditë në liri e demokraci. Por, përsëri ne i falemi për këtë dhurat të Perendisë, që të paktën fëmijët tanë , nuk e patën fatin tonë, mbasi ata u rritën si fëmijët e gjithë botës, sot.

Mirëpo, s.d.q ikja e tyre, dhe e prindërve tanë për në amshim ka qenë e madhe dhe shumë tronditëse, jo vetëm për familjet, por për të gjithë ne, që patëm fatin të jetojmë së bashku dhe u rritëm si vëllezër e motra . Por, edhe ata që mbeten për ne si prindërit tanë, na qortonin, mësonin dhe na edukonin. Ne bashkëmoshatarët, ashtu si prindërit tanë, ndamë së bashku në atë kohë edhe ato ditë të rinisë së kampeve, aty “fsheshein” mes ëndërrave rinore dhe frikës dhe privimit nga çdo e drejtë e asaj kohe.

Si çdo bashkëvuajtës në kampin e interrnimit, duke përfshirë edhe prindërit tanë që e paguan më shtrejtë nga ne, me një jetë të tërë nëpër burgjet famëkeqe të Enver Hoxhës, duke u bërë si mburojë edhe për ne fëmijët e tyre, mbasi ishim fëmijë, dhe nuk na erdhi rradha, deri sa edhe ata prindëri vdiqën – pa parë një rreze Dielli, sot po ti pesje do të përgjigjeshin se :”çdo gjë ndoshta do t’ia falinim edhe po të ishin gjallë atij regjim katil “por kurrë e kurrës nuk do t’ia falnim rininë që na e mohuan dhe na e morën”.

Në dy dekadat e fundit Perendia, thuhet se “ashtu si i do dhe i merr”, kështu ndodhi edhe me disa prej tyre, njëri iku nga kjo jetë nga një aksidentet, dikush nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, por që të gjithë kanë një të përbashkët :”Ikën si engjuj për në pariz ose xhehnet”.

Kështu iku nga kjo jetë në një aksident trafiku, bash në lulen e rinisë Govalin – Lin Konti, së bashku me babain e tij Rrok Konti dhe nënë Lulen, vdiq nga një sëmundje e rëndë Ndoc Vokrri i biri i Bardhok Zefit, vdiq Kujtim Nela, i biri i Sheriff Nelës, dhe së fundi këto ditë u nda nga jeta edhe Gani Hoxha, i biri i Bajram Hoxhës dhe Zyle Metalisë – Hoxha.

Por, të paharruar në kujtimin tonë do të mbeten edhe disa nga shokët tanë, bashkëmoshatarët tanë, të cilët nuk jetonin në rrethanat tona politike në Kampin e Interrnimit të Savrës, por që edhe ata ishin dhe do të mbeten gjallë në mendjen e zemrat tona si shok të mirë, dhe të vërtet ata që iu bashkëngjiten në ato kohë të vështira rinisë tonë.

Mirëpo pra, jeta e këtyrë njerëzve që e kaluan gjithë jetën e tyre, burgjeve të tmershme dhe kampeve të interrnimit, që “humbën” gjënë më të bukur në këtë botë, pra rininë e tyre, natyrisht që ka lënë gjurmë kudo! Në 50 vite diktaturë, vite që janë të “skalitur” si me daltë në zemrat e tyre, janë si një histori, sot jo histori e vetem disa viteve, por si ato historit që megjithse kalojnë shekuj nuk mund të harrohen lehtë.

Për çdo njerin nga ne sot kur nisë me kujtimet, mund të shkruaj fare lehtë( dhe kështu lusë çdo njerin nga ne të mos u “dridhet” dora dhe të mos “druhen”, por të shkruajn diçka se kan jetën e tyre mes këtyre njerëzve me plot kujtime, me të mira por dhe të hidhurat e jetës. Të cilat janë shenja e tregues të përjetshëm, edhe në syt e fytyrat tona, që mbetëm deshmitarët e gjallë të atij kalvari. Ato janë janë dëshmitë e një jete që u ngrtitë si përbindësh dhe padrejtësisht nga disa njerëz mbi fatin e e kurrizin disa njërëzve të tjerë . Njerëzë të cilët i vetmi faj që kishn bërë, ishte se kishin qenë paria e atij vendi, patritot e atdhetarë të flaktë, fisnik e intelektual të kohës, të pasuruar me djerës, deri edhe luftëtar dhe firmëtarë të pavarësisë së Shqipërisë. Bile edhe anëtarë të familjeve nga ata që morën pjesë në ngritëjen e flamurit në Deçiç 1911 dhe deri në Vlorë më 1912.

Pra, ishin si më tregonte axha im edhe si i Përndershmi Dom Pjetër Mashkalla që kishin në zemër vetëm – Fe e Atdhe- “Një ditë thoshte i ndjeri axha im Musa Sina- kur një gardian, një xhelat i kuq me yll në ballë, injorant dhe zemër katil, i ra më pëllëmbë në mes të burgosurve, Dom Pjetër Mashkallës, sepse, ai po lexonte një roman të huaj, Prifti, iu drejtua gardianit me dy pika loti që rëshqitën padashje, se: “Nuk ka dhimbje dhe tmerr më të madh në këtë botë, se kur fuqia e injorancës dhe e padijes, pra fuqia e forcës, del e qëllon mbi forcën tjetër; atë të dijes, ndershmërisë, atdhedashurisë dhe të besimit fetar – vë dorë edhe ndaj njeriut të Perendisë”.

Pra , kjo ishte pak a shumë një pjesë e jetës së këtyre njerëzve, të cilët lindën e u rritën nga këto “shtëpi” dhimbjesh dhe vuajtjesh të papërshkrueshme, të ngritura kudo si kërpudhat,e që nisën nga Tepelena, Delvina, Vlora, Fieri, Lushnja, Durrësi, Korça, Porto Palermo, dhe Berati”.

Ishte interrnimi dhe burgu i tyre, ishte ajo “shtëpia” që lindi dhe i rriti, ose i mbajti brenda mureve të saj ” shpirtin dhe zëmrën e këtyre, njërëzve, e cila ushqente në atë kohë jo vetëm ata, por edhe fëmijët e tyre me ndjenja të flakta të familjes, të patriotizëmit, të dashurisë për atdheun e tyre , për fenë e tyre, lirinë dhe demokracinë.

“Ra ky mort dhe u pamë” – do ta titullonte romanin e tij shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare. Dhe vërtet këshu ndodh edhe ndodhi edhe këtë të djelë në Bronx New York. Aty u mblodhën në të pamen e Gani Bajram Hoxhës (12 shkurt 1955-19 Dhjetor 2012) -Lindur në Savër (Lushnjë, në Kampin e Internimit) të gjithë familjarët, të afërmit e tij, ish të burgosurit politik dhe ish të interrnuarit, por edhe ata që e njihnin nga Lushnja dhe nga Savra . U mblodhën t’i jepnin një nderim e respekt – vëllait të ndjerit, Beslim Bajram Hoxha me Familje me mixhën Avdullah Tahir Hoxha, motrat Servete Mulosmanaj, Myrvete Kotaj, me vllazninë Hoxha, nipa e mbesa, të cilët sipas zakonit hapën të pame për burra e gra me datën 6 Janar 2013 (Ditën e Dielë) në restorantin “ROZAFA” Bronx New York,

I ndjeri u varros me nderime në Tiranë me datën 22 Dhjetor 2012, duke lënë pas vetes gruan dhe tre fëmijë.
    ****

Jeta e tij në kampin e interrnimit në Savër të Lushnjes, i ngjan asaj të artistave të famshëm të muzikës, modës dhe filmave, sot. I lindur në një kamp interrnimi – në Savër një fshatë ose katundë rreth tre kilometra larg qytetit të Lushnjes, ngjitur me rrugën nacionale Lushnje – Fier ( ata që e vizitonin Savrën në atë kohë e quanin atë nga kultura dhe intelektualizmi “nji Parisë të vogël”. Ganiu, ishte ndër të parët që vishej me modë qysh në atë kohë, bashkë me bashkëshorten e tij Bajame Çelikun.

Gruaja e tij ishte Bajame Çeliku – Hoxha, e cila vinte nga një familje e njohur fisnike në trevën e Kukësit. Bashkëshortia e e Ganiut së bashku me familjen e saj – u internua edhe ata në kampin e Interrnimit në Savër të Lushnjës. Bajame Hoxha u bë e njohur vetëm me ardhjen e demokracisë, mbasi ajo disa vjet shkruajti poezi, por me një emër anonim Ama Çeliku . Mirëpo sot në botën e lirë, ajo ka botuar gjithsej 16 libra dhe librat e saj janë vlersuar, edhe nga shkrimtar e poet të njohur shqiptarë . Sa që poeti Përparim Hysi, thotë në një esse se :” Se,ndërsa komunistët e qëlluan Bajamen me gurë, ajo ua ktheu me vargje. Ua ktheu me vargje mbushur me dashuri;me blerim jete. Se e tillë ishte, gen pas geni, si familje dhe nuk kish se si,ta shëmtonin këtë karkter të fortë. Pra, ata me gurë e Bajamja me grurë. Grurë të shëndosh poetik.Për ta patur zili.
Më tej në essen :” GJysma ime” të Bajame Hoxha ( Çeliku ) poeti Përparim Hysi, thotë se :” Asnjë shkollë nuk të bën poet – si asnjë shkollë nuk të bën njeri. Si njerzillëku ashtu dhe poezia i kanë rrënjët thellë:në zëmër. Dhe zëmra e Bajames qe e butë si prej sute. Tek vuante,në vënd të rënkimit, këndonte. Se,vetvetiu,i këndonte shpirti. Poezia e Bajames është aq e bukur dhe aq e ëmbël,që,sa e lexon,zë dhe dhe ti si lexues dhe këndellesh,se të futet,si pa kuptuar,drejt e në shpirt dhe je si je,po tak dhe fiton një ndjesi tjetër:relaksohesh dhe ndjen një kënaqësi dhe dlirësi,si pak,magjike.Mos po flas me superlativa? Jo.Aspak.”
Ganiu jetojë pjesën më të madhe të jetës në Savër, e cila ishte një ndër ato 20 kampet interrnimit, ku në atë kohë ishte mbledhur paria e vendit, njerëzit më të shkolluar të vendit,( dhe që të gjithë jashtë shtetit me nga një gjuhë të huaj, dy tre ose katër e më shumë ndonjeri).
Savra ishte për arsye të pozicionit gjeografik, edhe vendi ku për herë të parë mbas Tiranës, Shkodrës, Durrësit dhe Elbasanit, hynte, libri i parë, filmi i kohës së atëhershme, vendi ku njihej bota mbasi aty dëgjohej fshehurazi vetëm Italia, Savra ishte vendi ku moda dhe muzika mbas Tiranës, Shkodrës, Durrësit dhe Elbasanit, përhapej menjëherë. Moda për- vajzat dhe djemtë e kampit të Savrës, ishin të parat mbasi kishte nja dhjetë makina qepse, që qepnin nëpër shtëpia, prej nga pantallonat kaubojë, këmishat e ngushta , ose vajzat fustanet e modës, aty djemtë e vajzat qetheshin me shokët e tyre, sipas modës së atëhershme.

Savra ishte vendi ku librat e autorve më të njohur në botë ishin si biblotekat e shtetit, ku adhuruesit e librit mbanin në shtëpitë tyre, në rafte prej dërrase librat. Një i interrnuar kishte më shumë se një mijë libra të autorve më të njohur në botë, dhe quhej Spiro Anastasi. Ndërkohë, që me nga 500 libra dhe më poshtë ishte gati e mbushur dhoma e çdo shtëpie e familjeve intelektuale të kampit
Mirëpo kur kujtojmë Gani Hoxhën na vinë ndërmend ato kujtimet, kur :”Në tabelën e fletërrufeve jo vetëm në Savër, por edhe në qender të qytetit të Lushnjes, nuk kishte ditë që të mos dilte në Fletë – Rrufe, e ndonjërit nga Savra dhe sidomos Gani Hoxhës e Flamur Spahiut, Ahmet Lahollit e të tjerëve, por edhe shokëve të tij të tjerë, që edhe ata jetonin vetëm me shpresë dhe ëndrra të asaj moshe. Shumë prej të cilave, tash i realizoi vetëm rënia e komunizmit, dalja në botën e lirë në vitet e para të tranzicionit.
Edhe pse emri i Gani Hoxhës ishte vënë në shenjestër të spiunave të Degës së Punëve të Brendeshme, ai pati shumë kurajo dhe shok shumë, bashkëmoshtar jo vetëm nga të interrnuarit, por edhe nga ata që jetonin në anën tjetër të getove “të lirët” si i thërrisnim ne ata në atë kohë, ishin Përparim Jahobashi, Namik Toska, Xhoxhi Çerepi edhe shumë të tjerë……
E pra kështu Ganiu kujtohet sot me shume simpati dhe respekt, nga të gjithë moshatarët e fshatit si një djalë i gjate me trupin e bukur si djemt nga Tropoja , si një djalë që po të ishte në rininë e tij si sot, natryrisht që do të ishte ndonjë “Top model”. Ai kishte fizikun dhe parametrat tipike të një modeli dhe karakteristikat e atyre djemëve, që lindin e rritën si “kreshtat e maleve”, djem e vajza të gjatë dhe të bukur, dhe të shëndetshëm e të mençur. I till ishte Gani Hoxha djali që vinte nga Alpet e Shqipërisë nga Tropoja.
“Tropoja, e cila është një emër lavdie e krenarie që nëpër shekuj e breza, nderoi kombin e atdheun. Tropoja e besës, e burrërisë, e traditës, e trimërisë, e këngës dhe e bujarisë. Ajo është pjesë e Malësisë së Gjakovës ose siç quhet ndryshe e Malësisë së Mirë dhe paraqet një mrekulli të veçantë në gjithë hapësirën shqiptare. Në Tropojë jeton një popull me zemër të pastër, me mendje të kthjellët, i shëndetshëm, i bukur, i buzëqeshur, i zgjuar,- konstaton studiuesi i kësaj treve, Ibrahim Kadri Malaj, në librin e tij “Tropoja në breza” (Tiranë, 2003).”
Dhe së fundi Gani Hoxha është i biri Bajram dhe Zylë Metalisë – Hoxhës, ose nipi i nacionalistit të njohur tropojanë si Tahir Hoxha dhe miku i derës së Madhe të Binak Alia (Mulosmanaj). Shkrimtari i njohur tropojan Ramiz Lushaj – ka shkruar për këto dy familje se : “Në gjithë trevën dardane kulla e Binak Alisë (Rama) ka mbetun historikisht një derë e mirë për të gjithë brezat e saj të shpërndarë në degëzime nga Tropoja e Shqipëria Etnike deri në Amerikë. Kjo kullë (bashkë me atë të Hoxhaje në Gash të Tropojës) u godit më 8 prill 1941 nga një skuadrilje prej tre aeroplanësh me urdhër direkt nga Roma e Musolinit për besnikërinë e tyre ndaj Mbretit Zog e rezistencën ndaj pushtuesve fashistë italianë” shkruan ndër të tjera shkrimtari tropojan Ramiz Lusha.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, Gani Hoxha, iku nje vella

ME VUAJTJET E POPULLIT NË ZEMËR E NË SHPIRT

January 7, 2013 by dgreca

Të dashura familje të heronjëve dhe dëshmorëve të kombit! /
Të nderuara familje të të masakruarve dhe të të vrarëve nga dora gjakatare e kriminale pushtuese serbe dhe ish-jugosllave!/
Të nderuar të mbijetuar nga dhuna dhe barabaria serbe!/
Të nderuar të pranishem!/

Nga Ismet Sylejmani*/

Nusret Pllana,shekullin e pavarësisë së 100 vjetorit të shtetit shqiptar, e permbylli me perfundimin e shpërndarjes nëpër qendrat më të medha të globit,të librit të tmerrit dhe të vuajtjeve të pafund të popullit shqipar të Kosoves dhe viseve të saja,nga ish- Jugosllavia përkatësisht nga Serbia pushtuese.
Nuk ka as më të voglin dyshim,se këtë maratonë prej  heroi të gjallë të llojit të vet, të cilin historia e lavdishme e popullit shqiptar nuk e ka njohur deri me sot, emblema e radios luftarake çlirimtare,Kosova e Lirë,folësi legjendar dhe historik i saj Nusret Pllana,e sjellë me plotë madheshti të dhembjes kombëtare,si pasuri të historisë moderne të Kosovës së çliruar nga dhuna pushtuese  shekullore serbe.
Nusret Pllana,ky burrë i popullit dhe i Atdheut tonë,me vendosmeri  prej besniku të madh të idealeve liridashëse të qindra dhe  mijëra të rënëve për liri dhe të gjallëve çlirimtarë e veprimtarë të devotshëm,u bë zemra e çdo pjestari të popullit shqiptar dhe si bleta shkoi dhe e dergoi në çdo vend të botës,realitetin tragjik të cilin e kishte jetuar dhe provuar në kurriz populli i Tij i vuajtur e duarthatë,i cili kishte qenë pre e krimeve monstruoze të xhelatëve serb.
Gjak,masakra,vrasje,dhunë dhe terror permanent njerëzor e kombëtar,ka shkaktuar Serbia pushtuese më shumë se 100 vjet.
Këtë realitet nacional të hidhur e tragjik,e ka pasqyruar në librin e tij  tanimë të njohur” TERRORI  I  SERBISE PUSHTUESE MBI SHQIPTARET”,njëri prej më të mëdhenjëve të kombit tonë,zeri çlirimtarë,fatosi i maleve liridashëse të Kosovës së lirë, Nusret Pllana.
Të këqijat e mëdha që iu shkaktuan popullit tonë  nga Serbia pushtuese,erdhën valë- valë e kurrë pa pushuar e pa u ndalur.
Këtu në këtë libër të cilin pa e lexuar dhe shfletuar nuk bën,kurse po e lexove dhe i  shikove me kujdes fotot të tjetërson,të tmerron,të shterron e të cfilit,sepse aty sheh një e nga një,me fakte e argumente bindëse,se sa shume i ka shkaktuar gjakëderdhje,dhembje e vuajtje popullit tonë Serbia antishqiptare e antinjerëzore.
Në këtë libër sheh se sa shumë plagë i ka hapur Serbia popullit tonë,dhe ato nuk janë mbyllur por kanë mbetur të hapura,dhe përgjithmonë do të  kullojnë gjak.
Gjak të popullit tonë të pambrojtur e duarthatë,i cili vetëm në epokën e UÇK-së dhe me luftën e saj të lavdishme e me ndihmën e Shqiperisë dhe aleatëve si SHBA,Britania e Madhe,Gjermania, Franca etj., ka nisur jetën e re,të  lirë dhe të pavarur në  Kosovën Republikë,e cila po vazhdon të njihet e të pranohet nga shtetet e ndryshme të botës.
Çdo faqe e çdo fletë e këtij libri,të godet në palcë,të dërmon shpirtërisht,sheh aty se sa shumë e në mënyrë sistematike Serbia shfarosëse e antishqiptare,ka tentuar të  likuidojë perjetësisht çdo gjë që ishte shqiptare.
Por në këtë libër,që do të jetë një nga majat e memories së gjallë të të kqijave që i janë shkaktuar një pjese të kombit tonë,përnjëherë të ngjallet një forcë e madhe dhe një krenari enorme shqiptare dhe njerezore,sepse nga afër bindesh,se megjithë orvatjet dhe veprimet e pafund e të sinkronizuara politike,ushtarake e shteterore serbe,Serbia pushtuese,nuk ia ka arritur të shkatërrojë e ta  zhbëje nga faqja e dheut popullin shqiptar të Kosovës,trim e të papërkulur,që me luftë e heroizëm, perballoi shfarosjen e asimilimin dhe si feniksi u ringjall dhe ecë e përparon me sukses përkrah popujve të Evropës dhe botës demokratike.
Karla del Ponte,Dik Marti dhe tërë të ngjashmit sikur këta kudo nëpër botë, e veçanerisht disa prokurorë antishqiptar ndërkombëtar këtu te ne në Kosovë,duhet ta kenë këtë libër në bibliotekat e tyre, të mos e shkyejnë dhe të mos e djegin pasi ta kenë lexuar,por ta ruajnë në bibliotekat e tyre sepse u duhet pasardhësve, nipërve e mbesave që i trashegojnë,por edhe të marrin anën e popullit shqiptar,sepse populli ynë ishte ai që vuajti e heqi të zitë e ullirit;populli ynë ishte ai që u vra e u masakrua,që u djeg e u pjek në hell,që pjestarëve të popullit tonë pasi ua qane gjokset me thikë e sopatë, xhelatët ua mbushnin me prush,duke ua djegur e shkrumbuar zemër e mushkri, kështu nëpër histori na ka trajtuar Serbia pushtuese,por kurrë,kurrë nuk arriti të na e humbte farën,sepse ne dëshmuam se kishim komb e Atdhe,sepse një popull i tërë ishim vazhdues të denjë i kryengritsit dhe Komandantit, të madhit Skenderbe.
Të nderuar të pranishëm!
Imagjinojeni një njeri që për 10 vjet nuk u ndal kurrë!
Një shqiptar të përmasave heroike,që niset në rrugën e gjatë të udhëtimeve të ndryshme nëpër botë.
I vetëm në aeroplan,i vetëm nëpër aeroportet ndërkombetare, i vetëm në netët dhe ditët e 10 viteve,i vetëm me vuajtjet e popullit të Tij në zemër e në shpirt.
Nëpër qendra të ndryshme të globit,me valigje e libra në krah,mbi supet e Tij rëndonte pesha  e bagazhit të barbarisë serbe të 570.000,- mijë shqiptarëve të vrarë e të masakruar, gjatë më shumë se një shekulli,të cilët Serbia fashiste dëshironte t’i mbante përgjithmonë të pazbuluar.
I tërë ky udhetim historik nëpër gjeografinë e planetit,sa i vështirë aq edhe i rëndë,është bërë nga ky njeri me vendosmeri prej titaniku,të paparë e të padegjuar kurrë më parë,për ta derguar në çdo vend,e te çdo popull nëpër botë, librin e Terrorit të Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët,për ta informuar edhe në këtë formë  opinionin botërorë për ngjarjet dhe tragjeditë e shkaktuara  të xhelatëve serbë,mbi popullin shqiptar në Kosovë.

Washingtoni,New Yorku,Parisi,Roma,Shtutgarti,Nurnbergu, Dortmundi,Vjena,Zurichu,Ankara,Istanbuli, Stokholmi,Kopenhaga,Budapesti e Melburni,ishin disa nga metropolet e mëdha, në të cilat është promovuar ky liber,dhe aty përfundimisht është arkivuar në formë fizike dhe elektronike,në bibliotekat nacionale dhe universitare,për të mbetur e përjetshme dëshmia gjenocidale serbe  mbi shqiptarët e Kosovës.
Zonja dhe zotrinjë!
2.750  ekzemplarët, janë  6.875,- kg,  pesha totale e librit të shpërndarë anë e kënd globit tokësorë.
Ndërkohë që pesha e informacioneve të brendshme të përmbajtjes shokuese të këtij libri,është e përmasave antologjike.
Një ndër sukseset  e veçanta të promovimit të këtij libri,konsiderohet futja e tij në Bibliotekën botërore të Kongresit Amerikan,në selinë e OKB-së,në Bibliotekën  Shtetrore të Bajernit të  Gjermanisë,në Akademinë Ushtarake të Bundesvehrit të Gjermanisë,në Bibliotekën Shteterore Viktoria të Australisë dhe në bibliotekat kryesore nacionale dhe universitare të Evropës dhe botës. Prandaj edhe ky fakt e bënë të përjetshëm rëndësinë e këtij libri,jo vetëm për historinë shqiptare por edhe për atë botërore.
Këtë rrugëtim maratonik,e bënë përfundimisht edhe më të pavdekshëm fakti se e perjetëson në celuloid filmi dokumentar: RRUGTIMI I NJË LIBRI NËPËR BOTË,i përkthyer edhe në gjuhën angleze,e të cilin do të kemi rast ta shohim sonte së bashku.

Kështu duhet t’i kontribuohet popullit e Atdheut,edhe në këtë mënyrë,duke ua treguar tërë botës,se sa shumë Serbia ka ushtruar dhunë e terror mbi shqiptarët e Kosovës dhe viseve të saja!

Me siguri se autori i këtij libri,do të vazhdojë të sjelle vepra të reja,me këtë rast i urojme suksese edhe më të mëdha,kurse Folësit Legjendar të Radios së Luftës Kosova e Lirë,ish-ushtarit të UÇK-së, Prof.Dr. Nusret Pllanës,  shokut e bashkluftëtarit tonë,i urojmë jetë të gjatë sikur të bjeshkëve, atje prej nga  jehonte zeri i Tij, sa malet e berishes heroike.
Faleminderit!
* Fjalim i mbajtur në Sallën e Kuqe të pallatit të rinisë dhe sporteve në Prishtinë,me rastin e promovimit të filmit dokumentar:”RRUGËTIMI I NJE LIBRI NËPËR BOTË”.
Prishtinë,24 Dhjetor 2012

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Ismet Sylejmani, Nusret pllana

Tjetër sulm me armë zjarri në KOLORADO

January 6, 2013 by dgreca

Një tjetër sulm me armë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara, që ka lënë 4 viktima, mes tyre edhe personi i dyshuar si autor i sulmit.
Sulmi ndodhi në shtetin e Kolorados, vetëm 6 kilometra larg vendit kur korrikun e kaluar ndodhi incidenti me armë zjarri në Qendrën tregtare Aurora, ku u vranë 12 vetë dhe dhjetra të tjerë u plagosën në kinemanë që po shfaqej filmi “The Dark Knight Rises”.
Sulmi ndodhi brenda në një shtëpi, ku u gjetën të vrarë dy burra dhe një grua, si dhe personi që mendohet se kreu vrasjet. Një fqinj lajmëroi policinë, që qëlloi me armë zjarri, duke e vrarë autorin e sulmit. Nuk janë bërë të njohura motivet e këtij sulmi.(VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Colorado, sulm me arme, VOA

ATA QE VEC E FSHIKIN PAKSA JETEN TONE…

January 6, 2013 by dgreca

 Ne kujtim te Vehip Hoxhes, qe vdiq ne kampin e internimit ne Saver te Lushnjes/

Nga Jozef Radi/

Ka njerëz që veç ta fshikin paksa jetën tënde, po brenda asaj fshikje është krejt magjia e së përjetshmes dhe ai mesazh i tyre, paksa i heshtur, pa e ditur as vetë pse, të merr dhe përcjell ngado që vërtitet jeta jote. Vërtet mund të harrosh shumçka të rëndsishme të jetës tënde, po magjia që ai njeri, pothuaj i panjohur, ka lënë …tek ti është aq e madhe dhe e pabesueshme, sa ti e ke jo të pamundur ta harrosh, po e ndjen të domosdoshme ta kujtosh në at përmasë të veçantë, që edhe pse vështirë të kuptohet se ç’është; sepse ajo çka ke lexuar, mësuar e leçitur në jetë s’ta ka dhënë at çelsin e duhur të mbrritjes tek e vërteta e asaj vogëlsie që ka lënë nji gjurmë të madhe, të dukshme e të pashlyeshme…
E nisur diku prej fëminisë së hershme ajo sërish të ndjek ngadoqë ti vërtitesh: ndër kohra, hapsira dhe njerëz… derisa gjen ditën e disi përdhunshëm, të thotë: “Ajo e vërteta që të përkiste ty duhet të jetë edhe e të tjerëve…!”
Dhe ky personazh i jetës sime nuk vjen prej asnji fantazie, prej asnji përralle, prej asnji trimërie; ai thjesht ishte aty në jetën time deri at mbasdite, kur më mori përdore dhe me hijen e nji gjyshi të munguar dhe të nji mësuesi që mosha s’ia kish shterrur pasionin e parë, më tregoi se dashuria për çdo vogëlsi të jetës bëhet pasuria më e madhe, e njeriu atë mund ta fitojë përditë, në shpërfillje të ashpërsisë së jetës, pa iu nënshtruar rrethanave edhe kur ato shfaqen të përbindëshme!
Ky plak i urtë përtej të shtatëdhjetave quhej Vehip Hoxha, e derës së Hoxhatëve të Gjirokastrës, arratisja e djalit të vetëm Asafit, në fund të viteve ‘50, vërtet e kish degdisur Myzeqesë, po s’kish mundur t’ia cënonte at pamjen e tij prej dendy, as veshjen gjithnji perfekte si i posadalë kutie, as sjelljen prej fisniku, as shikimin e mprehtë që s’i shpëtonte asgjë, veçanërisht e bukura, as ecjen e hijshme e të ngadaltë, e pothuaj të përditshme drejt qytetit; aq sa të krijonte idenë se ishte nji krijesë jashtë realitetit komunist… dhe jo nji i dënuar rëndomtë i gulageve shqiptare!
Vehip Hoxha kishte qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër, drejtor banke në Korçë gjatë viteve ‘30, nëpunës i lartë Banke për shumë kohë në Tiranë… burrë i emnacipuar, baba i tenistes së parë shqiptare: Andan Hoxhës, dajko i Nedim dhe Vedat Kokonës, u detyrua forcërisht, edhe pse mbi të shtatëdhjetat, bashkë me tri vajzat: Andanin, Suzanën e Nerimanin dhe gruan, Zonjën Nalo, nga fisi i Bejove, të kalonin vite pafund mes baltrat aspak mikpritëse të Myzeqesë… aty ku përbaltesh jeta e shumë familjeve të nderuara shqiptare e aty ku sapo kish mbirë fëminia ime dhe e shumë sivllezërve të mi.
Ishte pamja e tij tejet serioze, që më shtynte ta shihja Xha Vehipin, si nji sfidant të regjimit, si nji shpërfillës të madh, si njeriu që edhe ndaj baltës së madhe myzeqare “vishte dy palë këpucë!!”, bile nji shoku im, që mori përsipër t’ia pastronte palën e përbaltur duke u tallur, provoi edhe shijen e bastunit të tij… që ende sot e ka të freskët!
Edhe pse ndër më të moshuarit, Xha Vehipi gjithë grave të kampit u thoshte Zonja dhe gjithë burrave Zotëri… aq sa edhe unë që s’kisha më shumë se 7-8 vjeç, një mbasdite u shfaqa si “zotëri” edhe pse përdore më ftonte në shtëpinë e vet, duke iu drejtuar gruas dhe vajzave: “Ku është djali i zotit Lazër dhe miku im i vogël, prej sot kët zotni ju duhet ta nderoni dhe respektoni si burrë të madh!” Dhe toni dhe fjala e tij ishte ligj!
Xha Vehipi, ishte sigurisht filatelisti më i zellshëm shqiptar… albumet e tij të pullave postare ishin të panumërt dhe koleksionet e tij nga më të pasurat që kishte Shqipëria!
Filatelia u bë afërsia e madhe mes nesh!
Unë do të përpiqem t’i jap gjithë bisedat si nji e vetme, mbasi ato ishin aq të bukura dhe të shtrira në vite… duke u rrekur të jap thelbin e tij prej mësuesi, njeriu dhe vizionari!
Duke më treguar albumet e tij të shumta më thoshte: “I sheh këto pulla poste, duket sikur s’kanë asnji rëndësi, duken si ca gjëra pavlerë që shoqërojnë veç letrat dhe kartolinat! Jo, s’është kështu… çdo pullë ka një informacion të shkëlqyer! Ja shikoje: së pari tregojnë shtetin nga vjen, së dyti tregojnë vitin kur është emetuar, së treti aty mund të gjesh nji ngjarje, nji personazh, nji lule, nji qytet, një kafshë, një sport, një olimpiadë… e ku e di unë, pra po të jesh i vëmendshëm, ti pa pyetur askënd merr vesh shumë gjera. Fjala vjen ti nga pullat mëson se Ingliterra s’ka mbret po mbretëreshë, dhe s’ka pullë të mbretërisë së saj të pashoqëruar nga figura e mbretëreshës… E di si quhet mbretëresha…? Ja s’e di! Queen Elisabeth! Ja pra e mësove dhe këtë… Po do mësosh se figurën e Mbretëreshës s’e kanë vetëm pullat e Mbretërisë, po edhe të gjithë kolonive si fjala vjen Australia, Zelanda e Re, Kanadaja, e shumë koloni të vogla. Mëson kryeqytetet e botës, mëson emrat e udhëheqsave, mëson gjeografinë, mëson historinë, mëson edhe politikë… Mëson si t’i mbledhësh pullat, si t’i pastrosh, si t’i vendosësh nëpër albume, si t’i shkëmbesh ato që i ke me shumicë, me të tjera që ti s’i ke… si të bësh miq në Shqipëri pse jo dhe nëpër botë. Pullat së pari të pasurojnë me kulturë, me informacion, e shpenzon kohën e lirë për nji pasion tëndin, pse jo mund të bëhesh edhe i pasur, shpirtërisht e sigurt, po edhe me para sepse po t’i mungojë një koleksionisti të njohur një pullë që e ke vetëm ti… ai ta paguan sa frëngu pulën… Pra, po të jesh i zoti e kupton se ajo pulla e parëndësishme, befas bëhet e madhe e të ndihmon në jetë, që çdo që gjë ta shohësh me interes… Se ai që di të vlerësojë nji pullë, pra nji copë letre; ai di të vlerësojë një libër, di të vlerësojë nji ngjarje, nji grua, nji aeroplan, një personazh… atij që s’i hyn në sy ajo pulla e vogël që kushton pak qindarka, atij s’i hyn në sy asgjë e kësaj bote! Ai lind kot, jeton kot dhe vetëm vdes plot… kurse ai që jeton me interesa dhe mendon për diçka të rëndësishme, ai e jeton jetën me të vërtetë, dhe mos harro se ka mjaft prej atyre që edhe pse vdesin u lenë vlerë emrit dhe vështirë se harrohen! Ja edhe ato pullat që ti i sheh me tallje të mësojnë ta bësh bukur jetën tënde!!!”
Nuk e di se ç’ngjyra mund të ketë pasur fytyra ime fëminore gjatë atyre shpjegimeve magjike të atij njeriu, i sigurt jam se drita e tij edhe mbas katër dekada ka mbetur e paprekur brenda meje, atë dritë s’mundi të ma shkulë askush! Sepse në jetë ndodh rrallë të takosh personazhe të kësaj përmase, po më e rëndësishmja është që nëse fati të ndihmon t’i takosh, të paktën ruaje me kujdes dhe shpërndaje imazhin e tyre që mos të harrohen…
Xha Vehipi, më percillte nëpër oborrin e barakës, ku kishte dy trëndafilë të mëdhenj rozë dhe me gërshërë këpuste nji gonxhe dhe më thoshte: “Merre se e meriton, më dëgjove me vëmendje dhe s’u mërzite, jam i bindur se ajo çka të thashë, do të shërbejë…”
Dhe mbeti mësuesi më i madh i jetës sime!
Xha Vehipi vdiq papritur në vitin 1967! Grupit të interrnuarve që e shoqëruan në varrezat e qytetit at ditë do t’i ngjitesha edhe unë, mbasi iu luta me lot ndër sy tim eti! Isha i vetmi fëmijë që përcillja një mikun timin të Madh, një mësues të papërsëritshëm, që edhe pse i hedhur midis baltës, jetoi dhe vdiq si Zotni!
Xha Vehipi, është prej atyre që veç e kanë fshikur paksa jetën time, po brenda asaj fshikje ka mbetur krejt magjia e së përjetshmes dhe ai mesazh i tij, paksa i heshtur, pa e ditur as vetë pse, më merr dhe më përcjell ngado që vërtitet jeta ime…

Filed Under: Kronike Tagged With: Jozef Radi, ne kujtim, te Vehip Hoxhes

KALVARI SHQIPTAR NË NJË FILM DOKUMENTAR

January 5, 2013 by dgreca

U shfaq filmi RRUGËTIMI I NË LIBRI NËPËR BOTË, i publicistit Nusret Pllana/

nga Agon FONIQI/

Në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, të mbushur përplotë me dashamirë të artit,  është shfaqur filmi dokumentar, me skenar të Nusret Pllanës dhe me regji të Arsim Halitit “Rrugëtimi i një libri nëpër botë”. Filmi është ndërtuar i bazuar në librin e Nusret Pllanës “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999, i cili i kishte “përjetuar” mbi 30 promovime në të katër kontinentet e botës.

Përmes këtij libri, i cili tashmë në mënyrë të kondensuar është shfletuar edhe në film, Pllana ka treguar për terrorin njqëqidvjeçar të pushtetit gjenocidal serb mbi shqiptarët, duke dëshmuar me fakte para botës se çfarë të këqijash i kë bërë në kontinuitet ky shtet  mizor një populli të tërë.

Për filmi  foli Profesori i Akademisë së arteve të Universitetit të Prishtinës, regjisori Ekrem Kryeziu,i cili çmoi lart punën e Nusret  Pllanës, për tërë këtë projekt kombëtar, i cili me dëshmi e fakte i tregoi botës së qytetëruar se çfarë është në gjendje të bëjë një shtet gjenocidal, i cili për njëqind bënë që Serbia kokulur dhe me turp të ikën nga Kosova.vjet ka shfarosur shumë shqiptarë dhe ka bërë gjenocid mbi gjithçka shqiptare, por për fat të mirë nuk ia ka dalë, sepse lufta e drejtë e UÇK-së dhe ndihma e shteteve aleate, e sidomos e SHBA-së,

Çdo faqe histori në vete

Ndërsa, Ismet Sylejmani, ish – zëdhënës i UÇK-së për Zonën e Karadakut,tha sekur njeriu e shikon këtë film, nuk mund të jetë i qetë, sepse këtu tregohet një fat kombëtar tragjik, por edhe krenar dhe heroik. Sylejmani vazhdoi se Serbia përmes dhunës sistematike dhe gënjeshtrës ushtroi gjenocid shtetëror mbi një popull të tërë, vetëm e vetëm pse dëshironte të jetonte i lirë dhe sovran. “Çdo faqe e këtij libri është një histori në vete, sa e dhimbshme dhe e hidhur, aq krenare dhe e ndritur”, tha Sylejmani.

Në fund foli edhe autori i filmit, Nusret Pllana, i cili tregoi se në Tiranë, në Festivalin e X Ndërkombëtar, më 23 dhjetor 2012, në Teatrin e Operas dhe Baletit, i është ndarë çmimi “IMAZHI SHQIPTAR”, të cilin, sikurse tha ai, ia dedikon 570 mijë viktimave shqiptare,që pësuan nga Serbia në periudhën e viteve 1844-1999.(Kortezi: KOSOVA SOT)

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Agon Foniqi, Nusret pllana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 577
  • 578
  • 579
  • 580
  • 581
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT