• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JETOI ME MUZIKË DHE IKU SI NJË KËNGË E LEHTË

August 20, 2025 by s p

(NJË KUJTIM PËR SHABAUDIN ZHUTËN) 

Avzi Mustafa

Duket e pabesueshme, gati si një ëndërr, por vetëm para një jave teksa e gjerbnim kafenë në kafenenë “Paris” në Shkup Veri, bashkë me shkrimtarin Halil Zendelin dhe bisedonim gjatë, qartë e me ngrohtësi e zgjuarsi, duke kujtuar ngjarje të shumta të së kaluarës së arsimit e kulturës shqiptare, nuk e kisha menduar kurrë se ai do të ishte takimi ynë i fundit. Ndonëse e pabesueshme, realiteti është se unë zemërthyer jam i detyruar të shkruaj nekrolog për mikun e mirë, pedagogun e madh dhe muzikologun e papërsëritshëm, prof. Sabahudin Zhuta.

Humbja është e madhe jo vetëm për familjen, kolegët, studentët, por edhe për të gjithë ne që patëm nderin ta njihnin nga afër, ta dëgjonim e t’a ndjenim jo vetëm zërin, por edhe zemrën e tij.

Sabahudin Zhuta u lind më 1947 në fshatin Veleshtë të Strugës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollimin e mesëm do ta vazhdojë në shkollën mesme të muzikës në Prizren, ndërsa më 1981 diplomon në Akademinë e Muzikës pranë Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Studimet postdiplomike i kreu në Universitetin e EJL “Neofit Rimski” në Blagoevgrad, Bullgari. Punës edukativo-mësimore do t’i rreket që nga viti 1966, kur u punësua në Shkollën Fillore “Liria” në Shkup. Më pas, në vitin 1967, u punësua në SHF “25 Maji” në Hasanbeg të Shkupit, për t’u transferuar më tutje si mësimdhënës në shkollën e mesme “Zef Lush Marku”, njëkohësisht duke ligjëruar edhe në shkollat e mesme të Ekonomisë, Tregtisë dhe Mjekësisë, po ashtu në Shkup. Në vitet 1974-1989 u angazhua si bashkëpunëtor muzikor dhe redaktor i emisioneve muzikore në TVM – Redaksia e Gjuhës Shqipe. Në vitin 1995 Sabaudin Zhuta u angazhua si ligjërues në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup për lëndën Metodika e artit muzikor. Pasi i arriti të gjithë titujt arsimorë në Fakultetin Pedagogjik, nga ky institucion edhe do të pensionohet në vitin 2012. Që nga themelimi i Universitetit të Tetovës dhe Fakulteti i Artit Muzikor, profesor Zhuta u angazhua si profesor i lëndës te Solfezhit dhe Metodikës së muzikës. Herë pas here është marrë edhe me kompozime, muzikë teatrale dhe filmike. Ai është njëri nga themeluesit e festivalit “Këngë Jeho” në Strugë, por edhe i festivaleve “Arb Fest”, “Nota Fest” në Shkup, “Sharri Këndon” në Tetovë dhe “Show Fest” në Prishtinë. Është autor i mbi 120 këngëve për fëmije, këngëve popullore, si dhe atyre zbavitëse. 

Ikja e Sabahut la një heshtje, por edhe një melodi të përjetshme që do të jetë çdoherë në zemrat tona, në shpirtin e atyre që i mësoi ta dëgjojnë e ta shijojnë artin muzikor. 

Prehu në paqe, Profesor i dashur. Kafenë e radhës, bashkë me Halilin, do ta pimë duke e porositur edhe një filxhan për ty, duke i ndërmendur fjalët e tua që jehuan për kaq vite si një violinë e butë në zemrat e gjithë atyre që i ke mësuar, të kanë njohur e të kanë lexuar. Lamtumirë Sabahu ynë!

Filed Under: Kulture

MOTIVIMI I TË MËSUARIT TË  GJUHËS SHQIPE NË DIASPORË NËPËRMJET  PËRDORIMIT TË TEKNOLOGJISË 

August 19, 2025 by s p

Lindita Budini  

Shkodër 15 Korrik,2025

 HYRJE 

Në kushtet kur teknologjia dhe paisjet elektronike janë në përdorim masiv edhe  mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë u nevojitet “shfrytëzimi” i tyre për të motivuar si mësimdhënien dhe mësimnxënien. Kjo jo vetëm sepse sjell metoda bashkëkohore  dhe interaktive në mësimdhënie, por ndihmon nxënësit e gjuhës shqipe në diasporë të motivohen që të përmirësojnë kompetencat gjuhësore në mënyrë më efikase dhe më të shpejtë. Studimet kanë treguar që nxënësit që përdorin aplikacione gjuhësore ose  platforma online të mësimit të gjuhës së huaj kanë një nivel më të lartë motivimi. Jo  vetëm kaq por ata janë më të integruar dhe më të familiarizuar me cështje të ndryshme  sociale dhe kulturore të gjuhës që ata mësojnë. Por në anën tjetër tregohet gjithashtu se  këto rezultate të larta varen dhe nga qëndrimi, dëshira dhe aftësia e mësuesve për të implementuar teknologjinë në orën e mësimit. 

Duke qënë se shumica e mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë janë të arsimuar në institucionet e Shqipërisë, në periudha kohore para se teknologjia të bëhej një mjet i  fuqishëm në përdorim, ndihet një nevojë e madhe që mësuesi të marrë trajnime të  vazhdueshme në përdorimin e kompjuterit po aq sa edhe në metodat bashkëkohore. Kjo  e thënë sepse përdorimi i teknologjisë në ambientet e klasës nuk ka të bëjë vetëm me  përdorimin e kompjuterit. Nqs duam të kemi nxënës të motivuar atëherë dhe ne si  mësues na duhet të kërkojmë metoda dhe teknika më efikase që rrisin interesin dhe e  bëjnë të mësuarit më shumë argëtues.  

Ky prezantim ka si qëllim, që nëpërmjet rezultateve të një pyetësor të sjellë kontributin  e tij për të theksuar rëndësinë e teknologjisë në motivimin e nxënësve që mësojnë gjuhën shqipe. Gjithashtu në pjesën e fundit ky punim sjell një listë me aktivitete që  mund të përdoren lehtësisht nga mësuesit. (Aktivitetet janë prezantuar gjatë orës së punëtorisë në seminar). 

MOTIVIMI DHE PËRDORIMI I TEKNOLOGJISË 

Motivimi është faktori kyc në arritjen e qëllimit për të mësuar një gjuhë të huaj. Duke  u këshilluar me fjalorin fjala “motivim” përkufizohet si entuziazëm, dëshirë, arsye ose  zell për të bërë dicka. Gardner (2001) identifikon tre komponentë thelbësor të motivimit  për të mësuar një gjuhë të huaj: përpjekjen për të përvetësuar gjuhën, dëshirën për të  arritur qëllime specifike dhe sjelljen pozitive ndaj të mësuarit të gjuhës. Ne si mësues  mund ta kuptojmë dhe madje ta përcaktojmë motivimin e secilit nxënës duke i parë këta elementë në përgatitjen dhe arritjet e tyre. Ashtu si e thekson dhe Dörnyei (2001),  motivimi qoftë i brendshëm ose i jashtëm; me orientim instrumental ose integrues  (Gardner &Lambert 1972), (Ushoida 2011) luan një rol vendimtar në përcaktimin e  suksesit ose dështimit në cdo përpjekje mësimore.  

Është teknologjia e përdorur në orën e mësimit motivi që mban gjallë vazhdueshmërinë e të mësuarit? Le të marrim shembullin e një makinë luksoze. Nqs nuk ka karburant  nuk mund të lëvizë. Nqs zotëruesi i saj nuk ka patentë patjetër që do të kapet nga policia.

2 

Por mund të lind edhe pyetja nësë vërtet do na duhej një makinë e tillë kaq e shtrenjtë. Ose nqs jemi shumë njerëz a nuk do ishte më mirë të përdornim transportin publik?1 

Pra, ashtu si konsiderimi i cdo detaji në përdormimin e makinës për të arritur në destinacion, në të njëjtën mënyrë, mësuesi dhe nxënësi duhet të përzgjedhin teknologjinë në arritjen e objektivave të mësimit. Pa patur një ide të qartë të përdorimit  të teknologjisë edhe rezultatet e të mësuarit nuk do të jenë të kënaqshme -nxënësi do të humbasë interesin dhe për mësuesin ora e mësimit do bëhet një rutinë e mërzitshme dhe  e lodhshme. Dudeney (2022) vë në dukje se teknologjia vetë, nuk i motivon nxënësit  për një kohë të gjatë, por në kombinim me një mësues të mirë, aktivitete interesante  dhe materiale të dezinjuara mirë, mund të luajë një rol domethënës që ti mbajë nxënësit të angazhuar në të mësuarin e gjuhës. Në fund të fundit ne synojmë të kultivojmë te  nxënësit pavarësinë për të mësuar edhe jashtë ambienteve të klasës duke i mbajtur të  apasionuar në qëllimet që ata duan të arrijnë. 

Për mësuesit nuk është e nevojshme të mendojnë të krijojnë orën më të shkëlqyer të mësimit duke përdorur sa më shumë teknologji, por të realizojnë objektivat e vendosur duke integruar edhe teknologjinë nëse shihet e arsyeshme. Sipas Stanley (2013) mund  të ndiqet një listë me pyetje të thjeshta që qartësojnë mësuesit nëse përdorinmi  teknologjisë është një ide e mirë për atë orë mësimi. 

1. Pse të përdoret teknologjinë?  

2. Për kë është më i mirë përdorimi i teknologjisë? 

3. Për cfarë mund të përdoret teknologjiamë mirë? 

4. Ku duhet të përdoret teknologjia? 

5. Kur duhet të përdoret teknologjia? 

6. Si duhet të përdoret teknologjia? 

Sipas Stanley këto pyetje nuk kanë si qëllim të kritikojnë përdorimin e teknologjisë por  më shumë kanë tendencën të vënë një baraspeshë midis aftësisë që mësuesi ka në përdorimin e teknologjisë dhe përzgjedhjes së mjetit teknologjik për aktivitetin e  radhës. Sipas Reinders (2022) teknologjia mund të luaj një rol tranformues dhe me vlere  në mësimdhënie vetëm kur përdoret me qëllime pedagogjike. Ky transformim do të ketë më shumë rezultate kur mësuesit janë trajnuar për të qënë përdorues konfident dhe  entuziast të teknologjisë me qëllim që të nxisin interes të vazhdueshëm, përgjegjësi për  të mësuarin dhe motivim të lartë gjatë procesit të të mësuarit të gjuhës në të gjitha  kompetencat gjuhësore. 

STUDIMI 

Pyetësori i formuluar në Google Form, pati si qëllim të mbledh opinionet e mësuesve  rreth përdorimit të teknologjisë. Ky pyetësor u bazua në disa nga pyetjet e ngritura nga  

 1 Shembull i marrë nga “Our experts advise on Using Technology to motivate learners” fq. 9

3 

(Stanley 2013) të përmendura më sipër. Sipas tij teknologjia duhet të jetë pjesë e asaj që mësuesi është duke bërë në orën e mësimit, dhe jo një pushim, lehtësim ose  shpërblim për nxënësin. Këtij pyetësori ju përgjigjen rreth 37 mësues nga 8 shtete në  diasporë: 18 mësues nga Greqia, 11 mësues nga Italia, 2 mësues nga Austria, 2 mësues  nga Gjermania, 1 mësues nga Anglia, 1 mësues nga Kanadaja, 1 mësues nga Suedia  dhe 1 mësues nga Norvegjia. Mësuesit ishin të moshës nga 25 vjec deri në 51vjec e lart.  Gjithashtu pjesa më e madhe e mësuesve të pyetur kishin kryer studimet për mësuesi  në universitet e Shqipërise, dhe vetëm një pjesë e konsiderueshme kishin kryer studime  të tjera në vendet ku jetojnë përkatësisht.  

ANALIZË E PYETJEVE TË PYETËSORIT 

⮚ A i përdorni paisjet teknologjike gjatë orës së mësimit?  

Për të krijuar një ide sa më të qartë nëse teknologjia përdoret gjatë orës së mësimit të  gjuhës shqipe në diasporë 4 prej 37 mësuesve ju përgjigjen negativisht, dmth nuk  përdorin teknologji në një orë mësimi. Edhe pse është një numër i vogël përsëri lihet  vend për të ngritur disa pyetje të konsiderushme: 

– nëse mësuesit nuk janë të qartë me termin teknologji, pasi të gjithë jemi të  pajisur me një telefon celular të lidhur me internetin;  

– nëse mësuesit mund të kenë mungesë aftësie dhe njohurie në përdorimin e  mjeteve teknologjike në ambientet që japin mësim ose e thënë më mire mbartin  një frikë nga teknologjia;  

– ose nëse klasat ku japin mësim kanë mungesa të aparateve teknologjike.  

Prandaj ndërsa përpiqemi ti japim rëndësi të mësuarit të gjuhës shqipe në diasporë,  duhet ti japim po aq rëndësi dhe zhvillimit professional të mësuesve dhe aspekteve të  tjera që plotësojnë formimin e tyre. Në artikullin “Nuk ka vend në klasë për analfabetët  dixhital”, botuar në gazetën Guardian (2012), Gavin Dudeney thekson: 

“Ndërsa teknologjia është po aq pjesë e jetës personale dhe profesionale sa janë  edhe stilolapsat dhe librat, kam frikë se do të dështojmë të luajmë rolin tonë në  paisjen e tyre (të nxënësve) për të ardhmen. …” 

Gjithashtu ai parashikon se nëse mbetemi kryesisht analfabetë në terma dixhitalë,  rrezikojmë të përfundojmë si një bezdi e parëndësishme në jetën e përditshme të  njerëzve që pretendojmë se i ndihmojmë, pasi realiteti është se të rinjtë e sotëm janë më  shumë të përditësuar me risitë e teknologjisë sesa ne mësuesit. 

⮚ Kujt i shërben përdorimi i teknologjisë? 

Në përgjigjen e pyetjejes së mësipërme shumica e mësuesve e shikojnë teknologjinë si  një mjet të nevojshëm si për mësuesin edhe për nxënënsin. Më poshtë po ju sjell një  tabelë të përfitimeve që kanë nxënësit dhe mësuesit nga përdorimi i teknologjisë.2 

 2 Përfitimet u referohen nxënësve dhe mësuesve të anglishtes, marrë nga “Our experts advise on Using  Technology to motivate learners” Oxford University Press. fq. 10

4 

Përfitimet për nxënësit Përfitimet për mësuesit
Mundësi për tu ekspozuar me gjuhën si brenda  ashtu dhe jashtë ambientit të klasësMësuesi pasuron të mësuarit me një larmi  aktivitetsh
Përdorim i gjuhës autentike Mësuesit mund të përdorin lirshëm gjuhën  autentike
Fleksibilitet në të mësuar dhe pavarsi e  përdorimit të mjeteve teknologjike që nxënësi ka  në përdorimMësuesi i fokuson nxënësit dhe u jep udhëzime  drejt një përdorimi pedagogjik dhe të  përgjegjshëm të paisjeve
Gjuha mësohet në lidhje me vendodhjen,  interesin, nevojat ose situatat relevante të  nxënësitMësuesit i drejtojnë nxënësit në atë që është  reale për të mësuar
Nxënësit kanë mundësi të përfshihen në  komunitete sociale onlineMësuesit u krijojnë nxënësve mundësi  komunikimi dhe bashkëpunimi edhe jashtë  klasës duke krijuar rrjete komunikimi
Nxënësit kanë mundësi të përfshihen në vet vlerësim të përdorimit të gjuhësMësuesit monitorojnë rezultatet dhe  identifikojnë problemet

Sic duket nga tabela përfitimet e mësuesve janë më shumë punë diagostikuese,  feedback, më shumë monitorime dhe më shumë burime për tu përdorur. Ashtu si në cdo  aspekt jetësor teknologjia në përvetsimin e një gjuhe ka si qëllim të sjell cilësi në  rezultate dhe kursim kohe në përgatitjen e materialeve të përdorura gjatë orës së 

mësimit. 

⮚ Ku dhe si mund të përdoret teknologjia? 

Pyetjet e tjera mblodhën informacion se kur dhe si duhet të përdoret teknologjia. Duke  u bazuar në përgjigjet e dhëna nga mësuesit arrihet në përfundimin se cfarë do lloj mjeti  teknologjik që përdoret duhet të jetë në masë të caktuar, në bashkërendim me librin e  kursit dhe në një kohë të limituar për të mos humbur objektivat e caktuara për orën e  mësimit. Këto përgjigje zbulojnë angazhimin e mësuesve për të përqafuar metodat e  reja që mundësohen nga përdorimi i teknologjisë sipas njohurive, mundësive dhe  aftësive të gjithësecilit. Është për tu theksuar gjithashtu se në përgjigjet e tyre mësuesit  kishin të qartë idenë se me përdorimin e teknologjisë duhet konsideruar dhe mosha e  nxënësve duke parashtruar kështu dhe cështjen e sigurisë së fëmijëve. 

KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME 

Ky studim solli, së pari, mendime nga studiues të mësidhënies kryesisht të gjuhës  angleze të cilët hedhin dritë mbi faktin se teknologjia është e nevojshme për të motivuar  nxënësit gjatë procesit mësimor të një gjuhe. Së dyti, u sollën rezultatet e një pyetësori  që treguan se mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë e konsiderojnë teknologjinë si një 

mjet të rëndësishëm që ndihmon mbarëvajtjen e mësimit dhe angazhimin e nxënësve si  brenda dhe jashtë mureve të klasës.  

Po në anën tjetër mbetet akoma një domosdoshmëri realizimi i studimeve dhe kërkimeve më konkrete, me qëllim që rezultatet të konsiderohen për qëllime edukative  dhe arsimore vecanërisht për mësuesit e diasporës sic janë trajnimet, përgatitja e 

5 

materialeve didaktike dhe dixhitale në ndihmë të tyre apo dhe për krijimin e rrjeteve të  punës që kontribojnë në rritjen e cilësisë në mësimdhënie në diasporë dhe mërgatë. 

Teknologjia luan një rol të rëndësishëm në arsim dhe domosdoshmërisht dhe në mësimin e një gjuhe të huaj. Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë duhet të përdorë teknologjinë jo vetëm në përshtatje me mësimdhënien e lëndëve të tjera edukative por  dhe si një mjet motivimi për nxënësit me qëllim që orët e mësimit të jenë të pëlqyera  dhe të mësuarit të marri formën autonome dhe të ketë jetgjatësi.  

REFLEKTIM 

Si mësues të përkushtuar të gjuhës shqipe në diasporë, misioni ynë kryesor është t’i  orientojmë nxënësit tanë, të cilët tashmë i përkasin gjeneratës së tretë të shqiptarëve  jashtë vendit, të mësojnë gjuhën shqipe si mjet i një komunikimi që mban gjallë lidhjen  dhe bashkimin me të afërmit e tyre në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe kudo  ku familjarët e tyre gjenden. Roli ynë si mëuses kapërcen promovimin e të sjellurit në  klasë mjete novatore, metoda efektive apo informacionet e fundit për të realizuar orën  më të mrekullueshme të mësimit. Në këtë kontekst orët e mësimit marrin formën e  përgatitjes së udhëtimeve me destinacione të larmishme dhe shumë domethënëse për  cdo nxënës drejt tokës amë. 

Filed Under: Kulture

Kolë Idromeno, një testament i përjetshëm i pasionit krijues dhe i harmonisë mes artit, moralit dhe identitetit

August 16, 2025 by s p

Albert Vataj/

Kolë Idromeno nuk është thjesht një emër në historinë e artit shqiptar; ai është një univers i tërë krijues, një amalgame e rrallë talentesh që përmbledh në vete pikturën, fotografinë, skenografinë, skulpturën, arkitekturën, si dhe një ndjeshmëri të rrallë ndaj artit epistolar dhe partiturave muzikore. Një krijues që sfidon kufijtë e disiplinave, duke i bashkuar ato në një estetikë të vetme, ku dritat dhe hijet, linjat dhe ritmet, zëri dhe vizioni, bashkëjetojnë në harmoni.

Nikollë Idromeno i njohur gjerësisht si Kolë u lind më 15 gusht të vitin 1860 në Shkodër, në një familje me rrënjë arbëreshe, pargaliote dhe hidriote. Ishte geg nga Saraçët e t’amblit dhe njëkohësisht arvanit nga Idromenot e lisit. Kjo përkatësi e dyfishtë, ky urë midis dy identiteteve të pasura të Shqipërisë, bizantine dhe romane, nuk është vetëm një ngulje gjeografike apo etnike; ajo është shenjë e brendshme e veprës së tij, e cila lundron mes dy universeve, duke krijuar një dialog të pandërprerë mes traditës dhe modernitetit, mes lokalitetit dhe universalishtes. Emri i tij i pagëzimit, Spiridhon, shenjti mirëbërës i Korfuzit, i veneruar si nga ortodoksët, po ashtu edhe nga katolikët, simbolizon pikërisht këtë ekuilibër, këtë bashkim të kulturave dhe besimeve që do të ndikojë në gjithë rrjedhën e veprës së tij.

Rruga Idromeno në Korfuz, që lidh katedralen katolike me pallatin e vjetër të familjes stradiote Riki, nuk është thjesht një toponim; ajo është një dëshmi e gjallë e një gurrë të pandërprerë krijuese, një histori e rrënjosur në familjen që dha Korfuzit klerikë, dhaskalë dhe artistë të ndershëm. Kjo sintezë adriatiko-joniane, bashkë me talentin hyjnor, shpaloset në çdo pikturë të Idromenos, nga “Motrat Tone” e deri te mrekullitë plastike që ende presin të njihen plotësisht. Por Idromeno nuk qëndron vetëm në pikturë; ai është Idromeno i orkestrës “Daullja” të Palok Kurtit, Idromeno i “Dritëshkronjës” me të njëjtin emër, dhe Idromeno eksperimentues i “theatrit elektrik”, paraardhës i kinemasë moderne shqiptare. Çdo manifestim i tij është një provë e përpjekjes për të zgjeruar kufijtë e perceptimit artistik dhe shprehjes estetike.

Figura e Kolë Idromenos është jashtëzakonisht tërheqëse, jo vetëm për virtuozitetin teknik, por edhe për integritetin etiko-estetik që shpreh çdo veprë e tij. Ai ruan misterin, të cilin koha ende e ka për detyrë të zbulojë, duke na thirrur për një kontemplim të thellë mbi artin dhe identitetin.

Kolë Idromeno ndërroi jetë më 12 dhjetor 1939, duke lënë pas një opusi të plotë dhe të shumëfishtë që është pasuri e përhershme e kulturës shqiptare. Sot, bashkë me Luçianon, drejtorin ekcentrik dhe pasionant të muzeut “Marubi”, po punojmë për krijimin e Muzeut Idromeno në Shkodër, një hapësirë ku universi i tij krijues do të bëhet destinacion kulturor, akademik dhe turistik, duke ofruar një mundësi të rrallë për të kuptuar dhe përjetuar kompleksitetin dhe bukurinë e opusi të tij të plotë.

Idromeno nuk është thjesht një emër historik; ai është një testament i përjetshëm i pasionit krijues dhe i harmonisë mes artit, moralit dhe identitetit, një gur këndor ku lidhet e shkuara dhe e ardhmja e artit shqiptar.

Filed Under: Kulture

Lukë Kaçaj, zëri i artë i Operas që pas burgut punoi si hamall…E vrau xhelozia e miqve

August 14, 2025 by s p

Mevlan Shanaj

(Nga libri” Të fshehta jashtë ekranit”)/

Ndër emrat e mëdhenj botëror të belcantos kisha dëgjuar Enrico Carusso si tenor i pakrahasueshëm dhe Beniamino Xhili. Një emër i madh dhe shumë i komentuar te Opera e vjetër ishte Lukë Kaçaj, sipas pëshpërimave gjatë kohës së studimeve kishte pasur vlerësime maksimale duke e krahasuar me këngëtarin e tyre më të madh të gjithë kohërave- Chaljapin! Nga Zef Çoba një shtesë (një detaj i treguar nga të gjithë shokët e Lukës, studentë bashkëkohës në Konservatorin ‘Çajkovski’ të Moskës: Studenti i kantos, basi Nicolaj Ghiaurov (nga Bullgaria), në provim këndonte gjithmonë para Lukës, kurrë mbas Lukës….Ky artist është shpallur nder më të mëdhenjtë e shek. (XX), çka i ka taku me kenë Lukë Kaçajt?

Në Tiranë ishte padyshim vokali më tronditës edhe pse në ato vite ishin një grup me solistë të operës dhe baletmaestra që mbanin një repertor botëror! Kujtoj: Gaqo Çako, Mentor Xhemali, Gjoni Athanasi, Avni Mula e tj si edhe Agron Aliaj me Zoica Haxho një dyshe e shkëlqyer, apo Skënder Selimi, Panajot Kanaçi, Besim Zekthi, Miltiadh Papa, Xhemil Simixhiu etj. Nga viti 1967 u organizua një si tip koncerti në Operën e vjetër ku golin e bëri Lukë Kaçaj! Më kujtohet” Don Bazilio “nga Berberi i Seviljes i Rosinit dhe “O ju male” nga filmi Skënderbeu. Po në atë kohë si studentë nëpër këmbë të së njëjtës godinë ishim miqësuar me Lukë Kaçën. Miqësia erdhi spontanisht, ne ju afruam për ta uruar për suksesin dhe aty shkëmbyem nga një fërnet, që ishte më e preferuara për gjigantin Lukë Kaçaj.

Pas ca kohësh shkuam në Dajti se aty kishte fërnet Branca, pija italiane që për kohën mbahej si më e mira! Pasi u kthyen disa gota, Luka trupmadh kishte zbërthyer këmishën dhe nga kënaqësia hodhi një gotë në kokë që t’i rridhte mbi gjoks. Ne si studentë të rinj u mrekulluam nga gjesti bohem i bas baritonit më të mirë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më gjerë. Thuhej se ishte zëri i dytë në Europë për nga përmasat. Italianët që gjithë herët kanë ndikuar në kulturën tonë, shquheshin për tenorët po ky zëri i pjekur i trashë gjëmonte dhe tundte xhamat e sallës kur jepte koncert. Kështu me këtë natyrë “populiste” me ne studentët, bëheshim shumë herë si të barabartë në tavolinë. Në një rast erdhi në lokalin ku ishim ulur, Ana e bukur deri në bukuri, e shoqja veshur krejt në të zeza. Luka u çua dhe vajti i dha zarfin.

Ishte dita e rrogave, asaj me sa duket i ishin nevojitur lekët dhe erdhi papritur të vinte Luka në shtëpi! U kthye Luka në tavolinë dhe na tha, më kishte dalë prej mendjes që Ana po më priste në shtëpi! Pas disa kohësh u takuam edhe në Gradishtë ku po xhironte në filmin “ Dasma” (Ismail Kadare, regjisor Piro Milkani) aty në atë film ishin edhe Albert Minga, Timo Flloko! Sigurisht ishte ngjarje e bukur që Luka po interpretonte në film. U takuam dhe pasi u përshëndetëm provuam edhe nga një gëzuar rakie, nuk kishte fërnet! Më pas nuk di si rrodhën ngjarjet, por u çuditëm që ky gjigant u arrestua në mënyrë demonstrative në Institutin e Arteve ku ishte pedagog dhe u burgos! Atë e kishin larguar nga Opera në kulmin e karrierës dhe sipas zërave, shkak ishte madhështia e tij që e hëngrën xhelozët. Dihet që kudo xhelozia është shkatërrimtare, por në rastin e Lukës ishte vrastare. Pasi e larguan nga opera ziliqarët, ai punonte si pedagog i kantos në Institutin e Arteve. Është koha që ndoshta e mbyste trishtimin me ndonjë gotë!

Krejtësisht e pabesueshme akuza “ Agjitacion Propagandë” për aq sa e njihnim jo ne, por studentët e tij direkt. Të vetmen gjë që nuk kishin dëgjuar nga artisti i përmasave botërore, pakënaqësitë për kohën. Ishte shumë i përmbajtur si një nxënës i zellshëm i shkollës së Françeskanëve në Shkodër, për të cilën ishte krenar. Aty ishte zbuluar talenti i tij i një djali të ardhur nga Bajza! Kishte pamje malësori tipik në paraqitje si nga shtati dhe pamja! Pasi kishte ditë që kishte dalë prej burgu shtatlarti, po ecte i vetëm, buzë Lanës me plepa. Isha veti i dytë, ndalëm para tij për ta takuar, ai eci drejt nuk na përshëndeti dhe as që ndali! Mbetëm të shtangur! E biseduam më pas përse nuk përshëndetet Luka?! Na thanë që kur doli nga burgu, ka mbetur në hallet e tija, nuk përzihet me askënd. Punonte për të mbijetuar si hamall diku nga Pazari i Ri. Mendoni hamall, këngëtarit që kur kishte dhënë koncerte në disa vende i ishin bërë oferta për ta mbajtur! Të gjitha i kishte refuzuar (nga pohimet e hetuesve kur ishte i burgosur). Më vonë në RTSH isha si shef dhe nga Julian Napoleoni, erdhi si skenar Lukë Kaçaj.

Ishte një ngjarje e bukur. U bë me përkushtim dokumentari dhe për të gjithë ne qe një kënaqësi! Na buronte së brendshmi një gëzim për ta shumëzuar madhështinë e këtij martiri të regjimit diktatorial të një artisti në përmasa europiane. (Ky dokumentar duhet të jetë në Arkivin e RTSH).Mendoj se do jetë dënuar vetëm e vetëm nga shpifjet e kolegëve që stimuloheshin shumë në ato vite , por edhe pse ishte françeskan katolik që i shkonte për shtat çdo intrigë! Te shpirti i tij kishte vetëm art pasi notat muzikore i jepnin lirinë. Filozofia e tij ishte ajo e mësuesit të tij At Gjergj Fishta “Ku asht shpirti i Zotit, aty ashtë Liria” (Ubi spiritus Domini ibi libertas) Sikur të kisha mundësi të pyesja atë burrë të mençur Fishtën: A kishte ëndrra në fund të jetës dhe të çfarë karakteri? A i ishin pakësuar miqtë me kalimin e viteve pasi të njohurit dihet që shtohen deri në fund të jetës! A kishte ditë që nuk donte të mbante inat me veten? Po të keqes i kthente krahët, i qëndronte heshtur apo i rrinte përballë!

P..S. Zef Çoba, më thotë se sot pushon në varrezat e Bajzës!

Filed Under: Kulture

TË DHËNA TË REJA MBI VARRIMIN E JOSIF BAGERIT

August 13, 2025 by s p

Avzi Mustafa/

Foto kryesore Telegrafi

Josif Bageri në historiografinë shqiptare është i njohur si një ndër patriotët më shquar, si publicist, poet dhe si njeri që kishte lidhje miqësore me shumë patriotë, gazetarë e intelektualë të kohës. Edhe pse vinte nga një shtresë e varfër e vegjëlisë dhe ishte autodidakt, ai mbeti shumë i respektuar nga qarqet përparimtare të kohës. 

Si në shkrimet tij publicistike, ashtu edhe në poezitë e tij, hasim një frymë të fuqishme patriotike të ngjizur fort me tabanin kombëtar shqiptar. Kryengritje e shumta që nga viti 1909 e deri më 1912 në Malësinë e Shqipërisë Veriore, si te shumë patriotë, e kishin ngulitur bindjen se fitorja do të arrihet me anë të një kryengritjeje të përgjithshme, por të armatosur, që do çonte drejt pavarësisë kombëtare.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse mund të merret si një ndër ngjarjet më të mëdha historike, megjithatë problemi i saj ishte moscaktimi i kufijve politikë të shtetit shqiptar, edhe pse synimet e shumë patriotëve shqiptarë ishin që të gjitha tokat shqiptare të përfshiheshin brenda kufijve etnikë të shtetit. Qarqet shoviniste, duke i shfrytëzuar “dallimet fetare”, si dhe përkrahjen e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve e Londrës, vendosën në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve, ashtu që më shumë se gjysma e trojeve etnike shqiptare mbetën jashtë shtetit shqiptar. Në këtë mënyrë shtetit shqiptar ia këputën krahët, duke ia falë tokat shqiptare Malit të Zi, Serbisë e Greqisë.

Josifi, si shumë patriotë të tjerë, nuk u pajtua me këtë. Për këtë arsye ai shkoi në Kosovë për t’u takuar me patriotët kosovarë, sidomos me Bjaram Currin, por edhe me të tjerë. Në atë kohë Josifi jetonte me familjen e tij në Sofje të Bullgarisë. Udhëtimin e nisi me të ashtuquajturin ”udhëtimi me tren bullgar”, në të cilin një biletë e blerë vlente deri në stacionin e fundit ku ai mund të huazohej nga çdo udhëtar që zbriste në ndonjë stacion më të afërt. Gjatë kësaj rruge ai qëndroi disa ditë në Paraçin, ku një kohë Josifi kishte punuar, gjoja sikur edhe tash kishte vajtur për të kërkuar punë.

Më pas Josif Bageri e ndërmerr udhëtimin heroik, duke udhëtuar në këmbë deri në Prishtinë, që atje të takohet me patriotët kosovarë. Meqenëse financiarisht ishte i dobët, me të arritur në Prishtinë, u vendos në një bujtinë afër pazarit të Prishtinës, i cili ishte vendi kryesor për takime jo vetëm publike, por edhe të fshehta. Afërsia e dyqaneve aty i bënte njerëzit të afroheshin më shumë me njëri-tjetrin. Pazari kishte edhe disa kafene të vogla, që shërbenin kafe e çaj dhe, herë pas here, edhe raki, ndërsa aty ishin edhe disa kuzhina popullore. Afër pazarit ishte edhe kisha dhe spitali. Josifi, meqenëse nuk kishte mjete financiare, ushqehej në kuzhinat e lira ose rrinte pa bukë.

Kur Serbia e forcoi pushtetin në të ashtuquajturën “Maqedonia e Vardarit”, ku bënte pjesë edhe Reka e Epërme, ajo filloi që nga njerëz të ndryshëm të marrë informacione se kush mund të jenë njerëzit e rrezikshëm për Serbinë. Mësuesi i ardhur serb të parët që i denoncoi si “të rrezikshëm” ishin familja e Josif Bagerit, sidomos Josifin dhe vëllain e tij, që ishte prift. Pushteti i atëhershëm, për t’i likuiduar patriotët shqiptarë nëpërmjet policisë sekrete, e përdorte “metodën e helmimit”. Edhe pse tani Bullgaria e administronte një pjesë të Kosovës, ku bënte pjesë edhe Prishtina, një pjesë e madhe e agjentëve serbë vepronin kudo, si ndaj shqiptarëve, ashtu edhe ndaj bullgarëve, duke e përdorur metodën e helmimit.

Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Josif Bageri banonte në një han, ku ndonjëherë porosiste ndonjë gjellë. Këtë moment e shfrytëzuan serbët, që nëpërmjet një të paguari t’ia hedhin helmin në gjellë, ashtu që ai pas disa orëve, në gjendje të alivanosjes, dërgohet në spitalin që ishte afër pazarit. Megjithatë, pas disa orëve vdes. Josif Bageri nuk posedonte dokumente identifikimi, përveç një leje qarkullimi. Pasi askush nuk u interesua për të, atë e vendosën në një cep të morgut të spitalit. 

Për vdekjen e Josifit do të merret vesh nga një patriot i cili e njohu atë dhe i cili në një zarf do ta lërë këtë shënim: “Letrat e Josif Bagerit prej katundit Nistrovë – Reka e Dibrës së Madhe – ka dek në Prishtinë, Kosovë. Ish një patriot i flaktë e ka dekë në mizërie, t’ue lanë grue e tre fëmijë”. Ky zarf është gjetur në prill të 1916, ndërsa Josif Bageri kishte ndërruar jetë më 1915.

Gazeta “RODINA”, që botohej në Shkup, në nr. 52 të 15 majit 1916 do ta botojë një shkrim me titull “Pogrebenieto na Josif Bageri” (letër nga Prishtina), duke e përshkruar varrimin që do të bëhej pas një viti. Sipas këtij artikulli, varrimin e Josif Bagerit do ta inicojë një mik bullgar i Josifit, që e kryente detyrën e inspektorit të Arsimit për Rrethin e Prishtinës, e i cili e kishte njohur Josifin që në Sofje. 

Bullgarët, për të hapur shkolla në gjuhën bullgare dhe për të përfshirë sa më shumë nxënës në to, u orvatën që në këto vise të dërgojnë njerëz që e dinin edhe gjuhën e vendet, ashtu siç e kishin angazhuar edhe Anastas Albaskin në Kumanovë. Josifi nuk ishte ngarkuar me ndonjë detyrë nga bullgarët, por ardhja e tij në Kosovë kishte karakter tjetër – për ta parë gjendjen e shqiptarëve, si dhe për të marrë detyra nga Komiteti ose Shoqëria “Shkipnia”, në gjirin e së cilës ishin tubuar prijës të shquar të Lëvizjes Kombëtare nga të gjitha viset shqiptare dhe që pastaj, nëpërmjet shtypit, t’i njoftojë shqiptarët kudo që ishin.

Në bazë të këtij artikulli e mësojmë edhe se, si duket, bullgarët e kishin emëruar Josif Bagerin anëtar të Komisionit të Përhershëm Administrativ të Rrethit të Prishtinës, ku do të punonte, ashtu siç do të shprehet inspektori pranë varrit të tij, “me zemër dhe shpirt në përforcimin e miqësisë ndërmjet shqiptarëve dhe bullgarëve”. Andaj, “me vdekjen e tij ne humbëm një fuqi të pazëvendësueshme”

Meqenëse emri Josifit figuronte në aktet administrative si një nga anëtarët e Komisionit, ai filloi të kërkohet nga pushteti. Pas gjurmimeve, ata e kuptojnë se ai ka ndërruar jetë para një viti. Atëherë si anëtar i këtij komisioni u vendos të bëhet varrimi sipas protokolleve të varrimeve të njerëzve të pushtetit. Andaj udhëheqësi i Rrethit solli vendim se kush do të marrë pjesë, në sa ora do të varroseret dhe ku do të varroset. 

Kështu varrimi i Josif Bageri u bë më 2 maj 1916 (sipas kalendarit të vjetër) në orën 4 të pasdites. “Në orën 4 pasdite, prefekti i Rrethit, së bashku me të gjithë nëpunësit e administratës së Rrethit, dolën nga ndërtesa e Prefekturës dhe u drejtuan për në Spitalin “Kosova”, ku ndodheshin eshtrat e Josif Bagerit”. 

Në emër të komunës, morën pjesë kryetari i bashkisë, N. Aleksiev, dhe këshilltarë të tjerë bashkiakë, si dhe shumë qytetarë të nderuar, në mesin e të cilëve ishin mjeku shqiptar Zejnel Abidin Sadiku (viq), si dhe Shukri Xhemali. Kortezhi mortor, bashkë me klerin, nën drejtimin e arkimandritit Trifon Stojanov, u nis me solemnitet nga spitali dhe u drejtua për në kishën “Shën Nikolla”.

Pranë varrit të tij mbajti fjalim inspektori i Arsimit të Rrethit, z. L. Dimitrov, i cili foli për cilësitë personale të të ndjerit, për veprimtarinë e tij dhe lexoi disa nga fjalët dhe dëshirat që ai i kishte lënë para se të vdiste. Pas tij, një fjalim u mbajt nga mjeku shqiptar Zejnel Abidin Sadiku (oviq). 

Më poshtë do japim edhe disa thekse nga fjalimi i z. L. Dimitrov:

Qytetarë të pikëlluar,

I ndjeri Josif Bageri ka lindur në fshatin Nistrovë, Reka e Epërme (Dibra), në vitin 1868. Si fëmijë i ri u shpërngul në Stamboll, por atje nuk mund të pajtohej me politikën e asaj kohe. Menjëherë pas pavarësisë së Bullgarisë ai do të shpërngulet në Sofje. Aty jetoi me nder dhe u martua me një shqiptare, me të cilën kishte disa fëmijë. Për nga origjina ishte shqiptar, por nga edukimi ishte bullgar. Meqenëse kishte lindur në Maqedoni, në mënyrë të barabartë e adhuronte edhe popullin bullgar.

Bageri lindi nga një popull i shtypur dhe i robëruar, i cili vuante nga pushtimi turk, por i bindur në lirinë se një ditë Maqedonia dhe Shqipëria do të çliroheshin. Prandaj ai merrte pjesë në lëvizjet revolucionare në Maqedoni dhe në Shqipëri. 

Këtu do të përmendë edhe djalin e madh të Josif Bagerit, i cili në moshën 16-vjeçare i la kockat në malet e Maqedonisë si çetnik (Kristo Bageri u vra më 1 maj 1906 dhe luftoi me çetën shqiptare në Manastir – shënimi ynë), kurse djali tjetër tani e kryen shërbimin ushtarak.

—–

Si një autodidakt pa një shkollim sistematik, ai posedonte një kulturë të rrallë intelektuale dhe kishte mirësi. Ai kishte prirje të madhe në gazetari, por edhe si poet. Shkruante artikuj për patriotët, hartonte tekste shkollore në gjuhën shqipe e jepte ide për përparimin dhe ato i botonte në gazetën “Shqypeja e Shqypnisë”

Ai vepronte si mësues dhe përhapte dituri mes shqiptarëve 

———

Josif Bageri ishte i afërt me popullin, punonte me përulësi dhe ishte shembull i qytetarisë dhe moralit.

Me vdekjen e tij, u theksua edhe më shumë rëndësia e punës së tij për vëllazërim dhe bashkëpunim mes bullgarëve dhe shqiptarëve.

Humbja e tij është e madhe, por kujtimi për të do të mbetet i gjallë.

Ai ishte një burrë i madh, një i krishterë i devotshëm dhe një qytetar i ndershëm.

Shembulli i jetës së tij është frymëzues për të rinjtë që ta ndjekin rrugën e tij dhe të jenë të ndershëm, të drejtë dhe të përkushtuar për kombin e tyre.”

Në praninë e një numri të madh njerëzish, para një kryqi të madh, gjithë kjo u përjetua me emocione  të thella dhe me lot në sy nga ata që e kuptuan madhështinë e këtij njeriu.

Me vdekjen e tij u zgjua ndërgjegjja e të rinjve, u mbollën shpresa të reja dhe u ringjallën ide. Njeriu i ndershëm nuk vdes kurrë – ai jeton në zemrat e popullit.

Ai ishte njeri që e përmbushi misionin e tij – të jetonte mirë dhe të vepronte për bashkimin e shqiptarëve….

Kujtimi për të do të ruhet ndër breza – ai mbetet shembull për të gjithë.

Në vazhdim, z. Dimitrov, në fjalën mortore do të japë edhe disa mendime dhe amanete të Josifit. Mes tjerash, ai do të thotë: “Tani, kur toka e zezë do ta marrë dhe do ta mbulojë përgjithmonë nga sytë tanë, do t’jua përcjell disa porosi të tij para se para se të vdiste, që m’i ka thënë në praninë e Kmetit (Kryeplakut) në ditën e Shëngjergjit:

‘Njeriu në këtë botë lind për të vdekur me lavdi. Ajo është lumturia më e madhe, atë di vetëm ai njeri i cili i ka kryer atë që e ka premtuar.’

‘Jetoni mirë (në paqe) me shqiptarët. Ashtu do të jeni të lumtur.’

‘Me mësim do t’i fitoni qëllimet dhe idealet’.”

Po ashtu ai e lë amanet që kockat e tij të kthehen në Nistrovë të Rekës së Epërme: “Bëni çka të bëni, fitimin mund ta ktheni në lumturi, kurse trupin ta ktheni në Nistrovë”.

Fjalët e fundit të nekrologjisë që i tha z. Dimitrov ishin:

“ I Vlefshmi Bager ti nuk na le për përgjithmonë! Ne kurrë nuk do të të harrojmë! Shko i qetë në banesën e përjetshme, sepse me thjeshtësi e ke përmbushur detyrën qytetare dhe fetare. Lavdi e përjetshme për ty! Ne do të të kujtojmë përjetë!”

Amaneti i Josif Bagerit, nga ajo që është lexuar me rastin varrimit, është që eshtrat e tij të kthehen në Nistrovë. Kjo kërkesë mbetet edhe sot e kësaj dite një thirrje e heshtur, që është një kërkesë shpirtërore që meriton nderim jo vetëm për ta përmbushur dëshirën e tij, por mendoj se kthimi i eshtrave të tij në vendlindje do të jetë edhe një dëshmi se kombi nuk i harron bijtë e tij më të çmuar.

Në vazhdim janë fotokopjet e gazetës

        2.

3.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT