• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nikolaos Dragoumis dhe libri i tij për Skënderbeun

July 27, 2026 by s p

Ndrek Gjini/

Nikolaos Dragoumis (1809–1879) ishtë një nga figurat më të shquara politike, diplomatike dhe letrare të Greqisë së shekullit të 19-të. Ai shërbeu si Ministër i Punëve të Jashtme i Greqisë në vitin 1862 dhe la gjurmë të pashlyeshme në letërsinë dhe historiografinë greke përmes librave të tij.

Në vitin 1861 ai botoi në Athinë një biografi të rëndësishme me titull “Historia e Gjergj Kastriotit të mbiquajtur Skënderbe” (greqisht: Ιστορία Γεωργίου του Καστριώτου του επιλεγομένου Σκεντέρμπεη).

Kjo vepër e Dragoumis-it ishte jo thjeshtë një përkthim, por një përpunim i përshtatur mbi bazën e jetëshkrimit të Skënderbeut marrë nga libri i autorit francez Camille Paganel të vitit 1855.

Ky botim i Dragoumi u prit mire dhe i luajti një rol të rëndësishëm në historiografinë e kohës. Kjo vepër e tij madje u ribotua më vonë në vitin 1880 dhe në 1884.

Dragoumis, i cili ishte gjithashtu bashkëthemelues i revistës prestigjoze letrare greke Pandora, e paraqiste figurën e Gjergj Kastriotit si një simbol të rezistencës së krishterë dhe si një strateg legjendar që frymëzonte lirinë në Ballkan.

Ndryshe nga disa historianë të tjerë të asaj periudhe që tentonin t’a paraqitnin Skënderbeun me origjinë sllave, versioni i Dragoumis-it theksonte qartë se Skënderbeu ishte shqiptar. Kjo bëri që figura e tij të shërbente më pas si një urë afrimi politik dhe kulturor mes shqiptarëve dhe grekëve gjatë shekullit XIX.

Vepra e Dragoumis-it nuk ishte thjesht një përkthim mekanik, por një përshtatje e thellë analitike e bazuar në biografinë e shkruar nga historiani dhe politikani francez Camille Paganel në vitin 1855 (“Histoire de Scanderbeg, héros albanais”). Dragoumis i shtoi tekstit shënime, komente dhe një strukturë që i përshtatej kontekstit politik ballkanik të shekullit XIX.

Botimi origjinal i vitit 1861 përbëhet nga 101 faqe kryesore tekst, me një parathënje nga faqja I deri VIII si faqe hyrje.

Ky libër është me përmasa 27 centimetra, gjë që e bënte një botim mjaft dinjitoz për formatet e librave të kohës.

Libri u botuas dhe qarkulloi fillimisht edhe si pjesë e suplementeve speciale të revistës letrare dhe kulturore Pandora, të cilën Dragoumis e drejtonte bashkë me figura si Konstantinos Paparrigopoulos.

Kjo siguroi që figura e Skënderbeut të lexohej nga elita intelektuale e kohës.

Për qëllime gjeopolitike, gjatë shekullit XIX, historiografia sllave dhe disa historianë perëndimorë (si Carl Hopf) tentuan ta paraqisnin Skënderbeu me origjinë sllave. Por Dragoumis, duke u bazuar te Paganel, argumenton fuqishëm dhe mbron origjinën shqiptare të Skënderbeut, duke e cilësuar atë si “Udhëheqës të Shqipërisë” (Ηγεμόνας της Αλβανίας).

Qëllimi kryesor i Dragoumis-it ishte politik. Përmes figurës së Skënderbeut, ai synonte të krijonte një urë bashkëpunimi ushtarak dhe shpirtëror ndërmjet grekëve dhe shqiptarëve ortodoksë e myslimanë për një kryengritje të përbashkët kundër Perandorisë Osmane. Ai e projektoi Skënderbeun si një hero të përbashkët të lirisë ballkanike.

Ky libër pati një ndikim kaq të madh në formësimin e mendimit kombëtar Shqiptar në Greqi, saqë ribotua disa herë. Madje disa shtëpi botuese bashkëkohore greke si Eleutheri Skepsis e kanë ribotuar sërish këtë libri edhe në vitin 2001 (me 298 faqe, duke përfshirë në të edhe analiza të reja). Kjo për shkak të vlerave dokumentare dhe fakteve historike të kësaj vepre.

Sot, dorëshkrimet origjinale, dhe krejt korrespondenca e viteve 1866–1867 e Dragoumis-it lidhur me këtë libër dhe korrigjimet e tij me shkrim dore ruhen nën kujdesin e Shkollës Amerikane të Studimeve Klasike në Athinë (ASCSA) në fondin e letrave familjare Dragoumis.

Nuk jam i sigurtë nëse ky libër është përkthyer apo botuar në Gjuhën Shqipe.

Nësë Jo,- do ndjehesha i turpëruar nga neglizhenca e pafalshme apo “harresa” gati kriminale e historianëve dhe e studiuesve shqiptarë.

Nëse Po – medoj se ky libër duhet promovuar më shumë, pasi libra të kësaj natyre, përpos vlerave hisotrike dhe kombëtare, mund të shërbejnë edhe si prova të një historie përpjekjesh të përbashkëta të Shqiptarëve dhe Grekëve kundër Perandorisë Osmane.

Madje, promovimi i veprave të kësaj natyre mund të shërbejnë edhe si ura afrimi politik dhe kulturor mes shqiptarëve dhe grekëve të shekullit XXI.

Filed Under: Kulture

UNESCO duhet ta njohë edhe Malin e Tomorit

July 25, 2026 by s p

Abedin Kaja/

Një nismë që Shqipëria duhet ta marrë seriozisht.

Lajmi se Mali Olimp po ecën drejt statusit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ngre natyrshëm një pyetje: pse të mos synojë edhe Shqipëria të njëjtën gjë për Malin e Tomorit? Nëse Olimpi është mali ku perënditë banuan në mit, Tomori është mali ku e shenjta nuk ka pushuar kurrë së jetuari. Dhe kjo e bën argumentin shqiptar edhe më të gjallë.

Së pari, shtresëzimi i shenjtërisë;

– Tomori nuk është vetëm i një besimi. Ai është Baba Tomori, i lidhur me Dodonën dhe kultin e Zeusit.

E njëjta majë ka qenë e shenjtë për paganët në antikitet. Është e shenjtë për të krishterët që ngjiten për Shën Mërinë dhe e shenjtë për bektashinjtë që ngjiten për Abaz Aliun. Ky sinkretizëm i pandërprerë pagan-kristian-mysliman në të njëjtën majë është unik në Ballkan.

Për nga historia, miti, besimi, kultura dhe pasuritë natyrore, Tomori përfaqëson një nga kandidaturat më dinjitoze që vendi ynë mund të paraqesë për njohje ndërkombëtare.

Mali i Tomorit, më shumë se një majë

– Me lartësinë 2.416 metra, Tomori nuk është thjesht një masiv malor. Ai është një nga simbolet më të fuqishme të identitetit shqiptar, ku ndërthuren natyra, historia, besimi dhe kujtesa e një qytetërimi shumë të lashtë.

Që nga koha e ilirëve, shumë përpara besimit të krishterë dhe atij mysliman, Tomori konsiderohej mal i shenjtë. Kjo e bën atë një nga qendrat më të hershme të kultit në Ballkan, me një vazhdimësi të rrallë historike dhe shpirtërore.

Vlerat e tij nuk kufizohen vetëm te tradita. Masivi i Tomorit spikat edhe për rëndësinë gjeologjike, peizazhet mbresëlënëse, biodiversitetin e pasur dhe rolin e tij në historinë e Shqipërisë.

Baba Tomori, simbol i unitetit kombëtar

– Në kulturën shqiptare nuk ka një mal tjetër që populli ta ketë nderuar me emrin “Baba”.

“Baba Tomori” është shumë më tepër se një emërtim. Ai përfaqëson respektin, besimin dhe përkatësinë kombëtare. Për shekuj me radhë shqiptarët janë betuar “Për Baba Tomorin”, duke e konsideruar këtë ndër betimet më të shenjta.

Pak vende në Evropë kanë ruajtur një lidhje kaq të fortë dhe kaq të gjatë shpirtërore me një mal.

Një trashëgimi që lidh mijëvjeçarët

– Tomori është një rast i rrallë ku në të njëjtin vend janë ruajtur dhe mbivendosur tri tradita të mëdha shpirtërore:

~ kulti i lashtë pagan i malit;

~ tradita e krishterë me pelegrinazhin e Shën Mërisë;

~ kulti bektashian, që edhe sot mbledh dhjetëra mijëra pelegrinë.

Pak vende në botë mund të dëshmojnë një vazhdimësi të tillë besimi për mijëra vjet në të njëjtën hapësirë.

Mali që bashkon shqiptarët

– Pelegrinazhi në Tomor është shumë më tepër se një rit fetar. Ai është një ngjarje që bashkon shqiptarë të të gjitha besimeve dhe nga të gjitha trojet: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, si edhe nga diaspora.

Në Tomor ngjiten myslimanë, të krishterë katolikë, ortodoksë dhe njerëz pa përkatësi fetare. Tomori nuk ndan, ai bashkon. Në një kohë kur bota kërkon modele të bashkëjetesës, ky mal mbetet një dëshmi e gjallë e harmonisë ndërfetare shqiptare.

Një thesar natyror

Përveç vlerave historike dhe shpirtërore, Tomori është edhe një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Shqipërisë. Parku Kombëtar i Tomorit përfshin qindra lloje bimësh, specie endemike e të rralla, një faunë të pasur alpine, burime ujore dhe peizazhe spektakolare shkëmbore, duke përbërë një ekosistem me rëndësi të veçantë shkencore dhe mjedisore.

Mali që frymëzoi letërsinë shqiptare

– Tomori ka lënë gjurmë të thella edhe në kulturën kombëtare.

Naim Frashëri e përjetësoi në vargjet:

“Abaz Aliu zu Tomorë,

Erdhi afër nesh…”

Ndërsa Andon Zako Çajupi shkroi:

“Baba Tomorr, kish’ e Shqipërisë,

Mal i lartë, fron i Perëndisë…”

Edhe piktori dhe udhëtari anglez Edward Lear mbeti i mahnitur nga madhështia e tij, duke e cilësuar Tomorin një “mal mbretëror”.

Siç dëshmohet, Tomori u shndërrua nga një mal fizik në një At-Baba mitik, roje e kombit.

Pse duhet UNESCO?

– Përfshirja e Tomorit në Listën e Trashëgimisë Botërore nuk do të ishte vetëm një vlerësim simbolik. Ajo do të garantonte mbrojtje më të madhe ndërkombëtare, do të nxiste turizmin kulturor e natyror, do të krijonte mundësi për kërkime shkencore, do të forconte ruajtjen e biodiversitetit dhe të trashëgimisë shpirtërore, ndërsa do ta prezantonte në botë një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit shqiptar.

Koha për një nismë kombëtare

– Nëse Mali Olimp konsiderohet një pasuri me vlerë universale, Shqipëria ka çdo arsye të nisë përgatitjen e dosjes së Malit të Tomorit për UNESCO.

Institucionet shtetërore, Akademia e Shkencave, universitetet, studiuesit, arkeologët, biologët, ekspertët e trashëgimisë kulturore dhe komunitetet fetare duhet të bashkojnë dijen dhe përvojën për të ndërtuar një kandidaturë të denjë. Tomori nuk është vetëm një mal dhe as vetëm një simbol kombëtar. Ai është një monument natyror, historik, kulturor dhe shpirtëror me vlera që i tejkalojnë kufijtë e Shqipërisë.

Ndoshta ka ardhur koha që bota të njohë zyrtarisht atë që shqiptarët e dinë prej mijëra vjetësh: Mali i Tomorit është një nga thesaret më të çmuara të qytetërimit dhe identitetit shqiptar, një pasuri që meriton të bëhet pjesë e Trashëgimisë Botërore të njerëzimit.

Filed Under: Kulture

“Rozafa” – një triumf i artit shqiptar

July 23, 2026 by s p

Dr. Zana Nikolla/

Mbrëmë, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, u shfaq për herë të parë opera “Rozafa”, e kompozitorit Ndoc Pistulli duke shënuar një sukses të jashtëzakonshëm artistik.

Që nga skenografia e mrekullueshme, e cila solli me mjeshtëri atmosferën e Kalasë së Rozafës, Bunës dhe Liqenit të Shkodrës, efektet e dritave dhe projeksioneve, te kostumet e mrekullueshme të realizuara nga Illiriana Basho, çdo detaj ishte dëshmi e një pune të jashtëzakonshme artistike.

Libreti i Zef Zorbës, me gjuhën e tij të bukur dhe të pasur të shqipes së vjetër, është një thesar i letërsisë sonë, ndërsa muzika e kompozitorit Ndoc Pistulli dëshmon një talent të rrallë dhe një vizion avangard për kohën kur u krijua.

I jashtezakonshem orkestrimi dhe dirigjimi i Gridi Kraja , i dha jetë kësaj partiture të jashtëzakonshme.

E gjithë kjo u bashkua në mënyrë magjistrale falë vizionit dhe punës së palodhur të regjisorit Andis Gjoni, i cili jo vetëm realizoi regjinë dhe skenografinë, por ishte edhe producenti i këtij projekti së bashku me Albanian Excellence. Për vite me radhë, ekipi i produksionit ka punuar me përkushtim për ta bërë realitet këtë operë.

Nen Regjine vizionare, moderne, mbushur me gjetje artistike e surpriza te shpeshta per publikun, Rozafa erdhi ne skene tejet e magjishme por ne te njejten kohe reale dhe e vertete.

Urime të gjithë artistëve, orkestrës, korit dhe ekipit realizues, veçanërisht Armando Likaj, Solen Alla dhe Denis Skura, për interpretimet e tyre mbresëlënëse.

E magjishme erdhi ne skene Rozafa Shqiptare, soprano e mrekullueshme Nina Muho. Me zerin e saj te jashtezakonshem e interpretimin fantastik, Rozafa barti gjithe dhimbjen, sakrificen, flijimin e nenave shqiptare per lirine dhe jetegjatesine e shqiptareve. Shume lote u derdhen ne salle , aq mbresenlenes ishte interpretimi i Nines.

Murosja e Rozafes ndonese nje akt i dhimbshem, mbreme u kthye ne nje triumph skenik.

Një mirënjohje e veçantë shkon për familjen Pistulli, e në mënyrë të posaçme për Nirvana Pistullin, bashkëshorten e kompozitorit. Ajo besoi tek ky projekt që në fillesat e tij dhe u bë një shtyllë e rëndësishme e realizimit të tij. Falë përkushtimit, besimit dhe mbështetjes së saj të palëkundur, muzika që Ndoc Pistulli shkroi në vitin 1969 mori më në fund jetë në skenë, në një produksion madhështor që elektrizoi publikun dhe riktheu në dritë një kryevepër të artit shqiptar. Ky ishte një moment historik që nderoi jo vetëm trashëgiminë artistike të kompozitorit, por edhe vizionin dhe këmbënguljen e familjes së tij për ta sjellë këtë vepër aty ku e kishte vendin – në skenën e TKOB.

Falenderim i vecante po ashtu dhe per drejtuesin e TKoB, zotin Aulon Naci per mbeshtetjen e ketij projekti.

“Rozafa” nuk është vetëm një opera. Ajo është një pasuri kombëtare, një kryevepër e kulturës shqiptare që meriton të jetojë gjatë në skenë dhe të përcillet me krenari ndër breza.

Urime të gjithë atyre që e bënë të mundur këtë mrekulli artistike!

Filed Under: Kulture

20 korrik 1883, në Koriliano Kalabro doli në shtyp revista e përmuajshme politike, shoqërore, kulturore e letrare “Flamuri i Arbërit”

July 20, 2026 by s p

QSPA/

Revista “Flamuri i Arbërit” u themelua nga një prej personaliteteve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të XIX dhe botës arbëreshe, Jeronim De Rada. Ai njihet si ‘babai’ i gazetarisë, pasi botoi gazetën e parë në gjuhën shqipe “Shqiptari i Italisë” (L’Albanese d’Italia) në Maq të Kozencës, në vitin 1887. De Rada, si letërshkrues, ngriti zërin për mbështetjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) duke frymëzuar të tjerë atdhetarë për ruajtjen e trojeve të pacenuara shqiptare. Kjo e frymëzoi të botonte të përmuajshmen “Flamuri i Arbërit” ose “La Bandiera Albanese” e cila u botua në vendlindjen e tij, Kozenca. Revista luajti rol të rëndësishëm për njohjen e Shqipërisë në Evropë si vendi i një populli të lashtë e me tradita, demaskoi synimet e fuqive të huaja për copëtimin e Shqipërisë, dhe shërbeu si një thirrje e përbashkët patriotike për arbëreshët dhe shqiptarët, që t’i shërbente misionit të pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimit Kombëtar. De Rada mbajti letërkëmbim me Thimi Mitkon, Zef Jubanin, Sami Frashërin, Elena Gjikën dhe Dora d’Istrian si dhe me studiues e shkrimtarë të huaj, të interesuar për Shqipërinë, si albanologu francez Ogyst Dozon, me baroneshën Jozefin fon Knorr dhe gjuhëtarin austriak Gustav Majer, në shërbim të njohjes së Shqipërisë dhe çështjes kombëtare.

https://politiko.al/flamuri-arberit-gazeta-e-pare…

Filed Under: Kulture

GJON MILI: BOTA E FЁMIJЁVE – NJЁ PENG PASIONI E DASHURIE

July 18, 2026 by s p

Kristaq Balli/

Edhe pse Gjon Mili nuk pati fëmijë, ai kishte një adhurim e dashuri të veçantë për ta. Jo dendur,  por në mënyrë të shpërndarë e  të vijueshme ai shfrytëzoi mundësitë që krijonin skenat natyrale, apo të improvizuara që lidheshin kryesisht me bukurinë lumurinë, çiltërsinë, natyrshmërinë, psikologjinë, karakteret, dëshirat, sinqeritetin, naivitetin, shpërthimet,  pafajësinë, veçoritë e moshës, veprimet e tyre nga më të pabesueshmet e të paparashikuarat,  sidomos talentet dhe, në veçanti, tiparet e tyre të larmishme e origjinale.

 Herë – herë spontanisht,  në të tjera situata të krijuara nga vetë Mili, apo të “rrëmbyera” në veprimtari fëminore si shfaqje, festa, lodra, në sheshe,  apo veprimtari publike, ku afirmoheshin prirje  të veçanta artistike, apo sportive  të tyre, ai i shfrytëzonte me  intuitën e tij artistike për të realizuar qindra foto interesante me teknikat e tij të bazuara në kombinime mjeshtërore të aparateve fotografike e talentit të tij, të shpërndara në kohra dhe hapësira të gjera. Vetëm botimet fëminore e adoleshente     në revistën LIFE mbulojnë një hark kohor  që nga viti 1938 e deri në vitin 1972, kur revista u rrallua  e Mili po e kurorëzonte krijimtarinë e tij.

 Në vitin 1938, kur  sapo  kishte filluar aktivitetin në revistën LIFE,  ai fotografoi me teknikat “stop action” dhe shpejtësi të madhe në lëvizje një vajzë 13 vjeçare,  patinatore angleze e talentuar – Hazel Franklin, e cila në atë kohë ishtë një nga tre patinatoret e vetme  që realizonte salto të rrezikshme e  sensacionale (Salchow). Kjo foto ka qenë nga botimet e para me shpejtësisë së lartë të fotografimit në lëvizje, që mahniti opinionin e revistës dhe më gjerë, e që do të paralajmëronte  shtigje të reja profesionale me këtë sport në të ardhmen. Me një harmoni e qartësi, plot gëzim  e lirizëm, me  kontrast të thellë, si pothuaje të gjitha  fotot  që do të vinin më pas, kjo vepër është një shprehje e adhurueshme artistike e teknike e fillimeve të shpejtësisë dhe saktësisë së diafragmës. 1) 

          Në  rrethana të një kurioziteti dhe  padurimi    fëminor,  Gjon Mili ka krijuar një set shumë impresionues fotosh,  në qendër të të cilave  është vendosur vajza e vogël kineze Celestine Jay Ku,  duke shfryrë e luajtur me flluskat e sapunit. Vetëm 28 muajshe, ajo  është vajza e Konsullit kinez në Nju Jorkut …“Nën drejtimin e fotografit të LIFE, Gjon Mili, i cili këto foto i realizoi me  aparat me shpejtësi të lartë, Celestine i frynte shkumbës së sapunit shumë shpejt,  e paduruar. Ajo hidhej me gëzim kur Mili frynte me pipëzën e flluskave për t’i treguar asaj si duhej bërë, por  një moment, ai e përmbysi enën e mbushur me ujë sapuni. Ajo  vështronte me habi dhe  e gëzuar tek  flluskat e  para shpërndaheshin, pastaj çaheshin e zhdukeshin në ajër.”…2) Gjon Mili i shfrytëzonte rastet e mbushura me  humorin e habinë e vajzës për të  shkrepur fotot e tij të mrekulluesme fëminore. Atë e udhëhiqte parimi për të mos e humbur çastin; sepse  për të fotografia ishtë një rastësi e llogaritur. Ndaj shkrepi për vajzën Celestine dhjetra foto nga të cilat disa u botuan në revistën LIFE, të tjerat mbeten në arkiva e memorje.  “Një fotografi nuk ka nevojë të ftojë aq shumë   se sa të krijojë një tronditje dhe t’i shkaktojë shikuesit çuditshmërinë  e  pasazhit… Kjo mund t’i  japë jetë gurit, apo  të rrëmbejë mrekullinë e një fëmija që synon të kapë një flluskë sapuni.” 3) 

Gjimnastja e shkëlqyer 15 Vjeçare, Bonnie Nebelong , “e varur” përdisa çaste të shkurtëra  në ajër në 8 foto nga dritat stroboskopike të Milit, është  duke bërë rrotullime të vështira, plot fleksibilitet të tupit duke  qeshur e sfiduar rrezikun,  pasi ajo ka bërë një salto me rrotullime anash. Fotot  e tjera të saj janë përdorur  si  modele studimi për gjimnastet e ekipit.4)

Larmia tematike, kompozicionale dhe teknologjike është për Milin një motiv profesional që iu jep fotove një  ekspresion dhe bukuri të veçantë estetike botës së tyre të pakufishme.  Ndër teknikat e mëtejshme, ai ka aplikuar me shumë sukses atë që lidhet me veprimet lodruese dhe  dritën stroboskopike të shumëfishtë, për të na dhuruar foto me impresione të veçanta vizive.  Një fëmijë i sapolindur, një djalosh që vrapon duke zbërthuer stroboskopisht  trokthin e tij , një vajzë e mitur kampione që  

kërcen pirueta  në ajër, një  vogëlushe me gërsheta që hidhet  në  litar duke krijuar një stroboskopi të përkryer lirike, pesë vajza që shkëputen nga toka dhe  mbeten “të ngrira në ajër” (me teknikën  “stop motion” që  të kujtojnë  “The Lindy  Hop” ), një djalë që mban të varur pas bishti një iguana, dy boksierë të vegjël me doreza të rriturish, një gjimnaste të vogël që luan me macen dhe një djalë e një vajzë që luajnë  me  qenin, një djalosh me ngjyrë që ha shalqi, dy fëmijët   miturakë të piktorit ekspresionist Arshile Gorky,  një tjetër vajzë me biçikletë  duke komunikuar  me piktorin e famshëm Marc Shagall në një foto të shpejtë e  të rastësishme,  Elizabeth Taylor – aktorja adoleshente  e ulur në gjunjët e aktorit Richard Burton, disa foto fëmijësh të solarizuara, një grup djemsh irlandezë që luajnë futboll në rrugët e Dublinit, si dhe të tjera foto të fëmijëve në  Irlandë; vajza Patricia me babain e vet Alfred Hitchock dhe aktoren e vogël Edna May Wonacott gjatë xhirimit të filmit “Shadow of a Doubt” (Hije Dyshimi, 1943), etj, etj…, dy miq të vegjël që shfaqen pas një dritareje, një vajzë që fshin shkallët e shtëpisë me një fshesë më të gjatë se vetja e saj, skena nga  shfaqja muzikore Peter Pan, ku  fëmijët flututojnë në skenë si engjëj5),  vajza e  mitur e  skulptorit Jacques Lipchitz në një foto mbresëlënëse me çelsin e shtëpisë të varur në dorë duke “punuar” në studion e të atit, një vajzë e varfër e trishtuar  me lotë në buzët që mban  një kukull lecke në duar, të cilën  Gjon Mili e ka ekspozuar në format të madh në disa ekspozita të rëndësishme të tij,  varkëtari i vogël   dhe shumë foto malli të rrugës (street photogaraphs),   nga Rumania fëminore, si dhe fotografia gjithëpërfshirëse “Fëmijët e Botës”,    etj. përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të kontributit të tij artistik ndaj fëmijëve.

Më në fund, me shumë interes është një superfotografim me ngjyra i Gjon Milit i shfaqjes për fëmijë “The Me Nobody Knows” (Mua s’më Përfill Njeri) më 1970,  jo vetëm  për shprehjen e talentit të veçantë krijues e interpretues të fëmijëve, por sidomos për  një teknikë të re  fotografimit, që ai e emërtoi  “Photography without shape” (fotografi pa formë), të cilën Mili e kishte  shpikur e  lëvruar nga  fillimi i viteve ’80.

I thukët e protestues, i vendosur në një muzikal që vjen valë-valë, vajton ose gurgullon, “Mua askush s’më Përfill” është një evokim pasionant i një dite të të rinjve  në jetën e getos, bazuar në një sërë fotografish dhe poezish të shkruara nga fëmijët e lagjeve të varfëra të qytetit të Nju Jorkut dhe të mbledhura në një libër nga mësuesi i shkollës, Stephen M. Joseph, shfaqja mahniti kritikët kur u dha në Nju Jork dhe fitoi menjëherë çmimin “Obie” në vitin 1970 për muzikalin më të mirë të Brodway-it. Dymbëdhjetë aktorë të rinj, tetë prej tyre me ngjyrë, këndojnë dhe imitojnë në një skenë të zhveshur përpara shembëllimit  skeletor të një banese të djegur, ndërsa projeksioni filmik i rrugëve të getos reflektohet nëpër skenë. Për të kapur fuqinë  dramatike të lojës, fotografi Gjon Mili punoi me një aparat fotografik në lëvizje nën ndriçimin e zbehtë të skenës për nëntë nga interpretimet. Në fotot e tij, dëshirat e vrazhda dhe të turbullta të getos gjejnë fytyrën e tyre të fëmijërisë. 6)

Brenda montazheve me foto të Gjon Milit janë vendosur krijime, poezi, esse të shkurtra dhe letra korrespondence, të  cilat ishin krijuar dhe interpretoheshin  në shfaqje nga vetë  krijuesit e rinj. Ja disa fragmente nga një prej tyre:

Unë them në një iluzion

Unë flas por vetëm në një iluzion

Sepse shoh dhe jo.

Jam unë dhe nuk jam

Unë dëgjoj dhe nuk dëgjoj…

Kujdesem  të kaloj një ditë në shtëpinë time të vdekjes,

Shikoni kopshtin tim, a jeni i mahnitur?

Pa pemë, pa lule, pa bar, pa kopshin vetët.

Dua dhe  s’dua,

Unë urrej dhe nuk urrej,

Unë këndoj dhe nuk këndoj, 

Unë jetoj dhe nuk jetoj. 

Sepse unë jam në një dhomë me tym të turbullt

Dhe një ere të parfumuar

Askund nuk mund të shkoj dhe t’i thyej këto lidhje

Që më mbajnë në një iluzion…

Thuajse të gjitha krijimet poetike të  vendosura mbi fotot e Milit kanë një përqasje  të habitshme   frekuencash  estetike. Modeli poetik i  nënvetëdijës,  paradoksit dhe irracionalitetit, që ngërthejnë në vetvete përjashtimin, vuajtjen, diskriminimin,  por edhe domosdoshmërinë për  protestë, shpërthimet e tyre ekzistenciale, motivimin  human nëpërmjet dëshirës për të interpretuar dhe për t’u promovuar  në shoqëri me anë të ekzaltimeve të tyre metaforike, por shpesh herë abstrakte, pa “lidhje” të rrjedhshme  të  vargjeve e strofave, janë në    sinkron të plotë me teknikën e modelin fotografik të Gjon Milit. Si rrallë herë,  fotot me një spostim  horizontal të aparatit kundër lëvizjes, diafragma e të cilit qëndron hapur  për një kohë më të gjatë se zakonisht nën veprimin e ndriçimit mjeshtëror,  krijon shtjellat, turbulencat, dallgëzimet, furtunat, një fushë magnetike  ndriçimi asimetrik në qendrat e të cilave qëndrojnë njerëz të vegullt, që i krijojnë ato me lëvizjete e tyre  demonstruese, kaotike, si reflekse të gjendjes së tyre të dëshpëruar, të mjerueshme, por  e dëshirës, shpresës, besimit, guximit e afirmimit të dinjitetit e fuqisë së tyre njerëzore. 

… Ishte viti 1937. Atë vit Mili  do të mbushte 33 vjeç.  Ai punonte ende  si inxhinier  kërkues në kompaninë Westinghouse Electric & Manufacturing Co. NY, por siç e kemi përmendur edhe më herët ai kishte filluar të mendonte edhe  ndaj pasionit për fotografinë duke sprovuar aftësitë e tij  me fotografinë. Le të kujtojmë që ai kishte kryer që kur ishte student në MIT  kursin  e fotografisë dhe,  në vitin 1934 ai kishte çelur një ekspozitë vetiake   fotografike për dashamirësit e tij.

Një vizitë e shumëpritur e nënës së tij pas 19 vitesh ndarjeje do ta shënonte atë vit. Si duket, krahas të tjerash,  misioni  kryesor i nënës së tij kishte të bënte me  merakun e saj për të ardhmen familjare të të birit. Kështu në essenë e tij të gjatë  “Her Legacy-A photographer’s Journey into the Memory of his Mother”, të botuar edhe në revistën LIFE7) Gjoni shkruan  se si sytë e nënës, të vetmet që nuk kishin ndryshuar, reflektonin lutjet e saj në letërkëmbimin midis tyre, ku midis të tjerash ajo i thosh: “Vazhdimisht të pyes,  kur do të kthehesh…?  Eja, këtej ka vajza të mira e të përshtatshme… Për punën, mos  u shqetëso…, fundja nuk jemi pa miq.” 

Por Amerika ishte si një magnet i pamëshirshëm, të kapte fort në qerthullën e tij e nuk të lëshonte, madje, i vetëm, ndodhte që njeriu nuk  mendonte të kujdesej as për fatin e vetes. 

Gjatë një komunikimi verbal me ish redaktorin e fotografive të revistës “LIFE”, John Loengard, pak kohë para ndarjes së tij nga jeta (2020),  unë e pyeta edhe rreth jetës familjare e private të  Gjon Milit. Midis të tjerash ai u shpreh se, “… Në përgjithësi Mili ka qenë një figurë shumë diskrete për jetën intime, ndryshe nga shumë artistë të tjerë të rrethit të tij. Ai la pas kryesisht trashëgiminë artistike dhe eksperimentet fotografike më shumë sesa rrëfime autobiografike, kujtime apo kronika familjare… Afërsia emocionale dhe intuitive me një botë njerëzore — në këtë rast me fëmijët — nuk duhet  të lidhet  domosdoshmërisht me  jetën familjare personale… Në fotografitë e tij me fëmijë shpesh ndihet jo sentimentalizëm paternal, por mahnitje estetike dhe humane për energjinë e jetës në formën e saj më embrionale… Pastaj, duhet pasur parasysh edhe konteksti i brezit të tij. Shumë fotografë e artistë të shekullit XX — sidomos ata të lidhur me ritmin modernist të Nju Jorkut, revistave si LIFE  dhe jetës nomade profesionale — jetonin në mënyrë tepër intensive e të paqëndrueshme për jetën tradicionale familjare. Udhëtimet, laboratorët, netët e gjata të punës dhe përqendrimi ekstrem te krijimtaria shpesh e zëvendësonin jetën private. Si duket, Gjon Mili ishte një nga këta.”

Pra, edhe pse Mili nuk  mundi të krijojë familjen e vet, megjthatë ai kishte një ndjeshmëri intuitive e subkoshiente për fëmijët  dhe tiparet  e çiltërsinë e tyre shpirtërore. 

Ndaj edhe fotot dedikuar fëmijëveqë  janë të shumta dhe mbeten një fragment i dëlirë e i qashtër i krijimtarisë së tij.  Ndjesia kryesore e krijimit të tyre ka qenë dashuria dhe dhe shpirti emotiv i Gjon Milit. 

Gjon Mili, ka patur aftësi të jashtëzakonshme për të depërtuar në botën e fëmijëve,  sepse ata  rrezatonin sinqeritet,  spontanitet dhe naivitet  “fëminor”.  Fotografia e Milit — sidomos ajo në lëvizje, e çastit vendimtar, e lojës së dritës — ka diçka shumë të afërt me ta:  impulsin, energjinë.

Së dyti, Mili ishte një eksperimentues obsesiv i teknikës fotografike. Fëmijët, me lëvizjet e tyre të paparashikueshme, lojën, gjestet e pakontrolluara dhe shprehjet autentike, ishin subjekte ideale për kërkimet e tij mbi lëvizjen dhe ritmin vizual. Ai nuk i trajtonte si “objekte sentimentale”, por si qenie plot energji jetësore.

Së fundmi, ndoshta tek Gjon Mili mund të ketë ekzistuar edhe një dimension sublimimi artistik. Shpesh artistët projektojnë në art atë që nuk e ndërtojnë dot në jetën private. Në vend që energjia emocionale të kanalizohet në familje, ajo mund të jetë transformuar në krijimtari. Kjo nuk do të thotë “neglizhencë”, por një mënyrë tjetër jetese, ku arti bëhet qendra absolute e ekzistencës.

Pra, “paradoksi” që vemë re tek raporti i  fotove të  fëmijëve me  Milin pa familje mund të jetë, ndoshta, shumë human: ai mund të ketë pasur një aftësi të rrallë për të kuptuar botën emocionale të fëmijëve, pa zgjedhur domosdoshmërisht rolin e prindit. Në disa raste, madje, kjo distancë personale i jep artistit një lloj lirie vrojtimi dhe ndjeshmërie që nuk filtrohet nga rutina familjare. Sidoqoftë, fëmijët  mbeten për Milin  një peng pasioni e dashurie e përjetshme.

□ □ □

Referenca:

  1. A Young English Skater is Sonja Henie’s Rival: LIFE November 28, 1938. pp 32,33.
  2. Celestine Ku Blows First Soap Bubbles: LIFE: July 14, 1941, pp. 6-8
  3. Gjon  MIli: Photography in the Humanity, p. 46
  4.  LIFE:  June 14, 1943 pp: 64 -69
  5.  Peter Pan: LIFE Magazine, May 22, 1950 pp.38-42
  6. “The Me Nobody Knows.” A Glamorous Cry from the Getto Becomes An off- Brodway Hit. Photographed by Gjon Mili : LIFE September 4, 1970, pp 34-38
  7. Gj.Mili: Her Legacy, LIFE magazine, May 26, 1972, p.58

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 580
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • EDI RAMA, SHQIPËRIA NUK MUND TË MBAHET PENG PËR PUSHTETIN TËND!
  • “Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut”
  • A PRIME MINISTER WHO IS BOTHERED BY THE VERY CONCEPT OF THE RULE OF LAW
  • Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë, nuk janë armiq të Shqipërisë
  • Shqipëria nuk do të jetë më e njëjtë!
  • KUSH PO E GJYKON SHKOLLËN, KUR SHOQËRIA KA HARRUAR TË DËGJOJË MËSUESIN?
  • TOM SHKRELI: FJALA E FUNDIT NË CILËSINË E KRYETARIT TË FONDACIONIT “DOM SIMON FILIPAJ”
  • Zgjidhja?
  • EDI RAMA, DIL PËRBALLË POPULLIT QË QEVERIS!
  • ALBANIAN CARDINAL ERNEST SIMONI-TROSHANI AT 98: A LIFE OF FAITH, RESISTANCE, AND HUMAN DIGNITY
  • Një shtet e një shoqëri pa rini është mallkim…
  • Grushti institucional
  • Dhuna ndaj studentëve, plagë mbi lirinë dhe dinjitetin e një kombi
  • KUR DURIMI I NJË POPULLI MBARON
  • Eminenca e Tij Ernest Simoni Troshani u nderua në New York në 98-vjetorin e lindjes dhe 10-vjetorin e emërimit si Kardinal

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT