
Ndriçim Kulla/
Një sqarim i vogël për një debat që nuk ka nevojë për zemërim.
Pas shkrimit tim mbi kolonën zanore të The Odyssey, më kanë ardhur disa komente, veçanërisht nga Vlora, ku me njëfarë zemërimi më është vënë në dukje se duhej të kisha përdorur fjalën “polifoni” dhe jo “iso-polifoni”. E mirëkuptoj shqetësimin. Kur bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore, fjalët ndonjëherë peshojnë më shumë se sa duket. Por pikërisht për këtë arsye, ndoshta ia vlen të matim pak më mirë edhe fjalët që përdorim për të kundërshtuar fjalët e tjetrit.
Së pari, polifonia është termi i përgjithshëm muzikologjik, ndërsa iso-polifonia përcakton një traditë të veçantë shumëzërëshe, ku isoja përbën një nga elementet e saj karakteristike. Prandaj përdorimi i njërit apo tjetrit duhet gjykuar sipas kontekstit dhe jo me logjikën e “të drejtës së pronësisë” mbi një fjalë.
Së dyti, dhe kjo është ndoshta më e rëndësishmja: iso-polifonia shqiptare nuk është një dukuri që fillon dhe mbaron në Vlorë.
Ajo është një pasuri e një hapësire shumë më të gjerë të traditës sonë jugore, me veçori, stile, mënyra interpretimi dhe repertore të ndryshme nga një trevë në tjetrën. Vlora ka kontributin dhe traditën e saj të jashtëzakonshme, ashtu si Mallakastra, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Saranda, Himara ,Delvina e treva të tjera ku kjo trashëgimi ka jetuar dhe vazhdon të jetojë.
Dhe, nuk kemi medoemos të bëjmë me dy terma që përjashtojnë njëri-tjetrin. Njëri është më i përgjithshëm; tjetri më përcaktues.
Dhe këtu vjen edhe një hollësi që, për hir të së vërtetës, nuk duhet anashkaluar: “iso-polifonia shqiptare” nuk është një emërtim i shpikur nga unë në atë shkrim dhe as një lajthitje terminologjike e çastit. Është pikërisht emërtimi me të cilin kjo trashëgimi është paraqitur edhe në nivel ndërkombëtar dhe është regjistruar nga UNESCO.
Unë në studimin tim të mundshëm të cilin po e shkruaj , ndoshta mund të mbaj edhe një qëndrim të ri mbi këtë përcaktim.Paraprakisht mendoj, se Akademia e Shkencave ka përgjegjësinë e veçant dhe sidomos specialisti i fushës, i cili nuk e ka sqaruar në mënyrë shteruese, por e ka lënë të gjallë konfuzionin.
Por përsëri përtej përsosmërisë, nëse dikush preferon termin “polifoni”, mund ta përdorë. Nuk kam asnjë kundërshtim. Nëse dikush përdor “iso-polifoni”, gjithashtu nuk shoh arsye për t’u zemëruar.Por përsëri kjo meriton të sqarohet edhe njëherë. Do të ishte pak e çuditshme që një pasuri kaq e madhe muzikore të bëhej shkas për një luftë kaq të vogël fjalësh.
Unë do të preferoja të merreshim me atë që këndohet, sesa të zemërohemi për emrin me të cilin e quajmë.
Sepse, në fund të fundit, isoja nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë me zë të lartë. Ajo ka mbijetuar për shekuj duke bërë diçka shumë më të mençur: duke vazhduar të këndojë.
Dhe ndoshta këtu qëndron edhe një mësim i vogël për ne: kur kemi përpara një trashëgimi të madhe, duhet të dimë të matim jo vetëm zërat, por edhe fjalët.
Fjala e matur, siç e dinin mirë edhe jezuitët, shpesh thotë më shumë se fjala e ngritur. Në përfundim, duke u mbështetur në vëzhgimin dhe ballafaqimin e shpejtë të materialeve, prirem të mendoj se Ramadan Sokoli e kishte përcaktuar më qartë se kushdo tjetër karakterin dhe veçantinë e polifonisë labe. Kjo nuk e përjashton nevojën për rishikim apo plotësim të këtij përfundimi, por kërkon që çdo ndryshim të mbështetet në argumente të verifikueshme dhe në një ballafaqim sa më të gjerë. Prandaj, këtë qëndrim e paraqes jo si një të vërtetë të mbyllur, por si një përfundim të hapur ndaj diskutimit dhe provave të reja.
Foto: ata.gov.al