• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“SOUNDS OF ALBANIA”, NGA PREZANTIMI DINJITOZ I KULTURËS SHQIPTARE TE NDËRTIMI I URAVE ME PUBLIKUN AMERIKAN

August 29, 2026 by s p

Ilir Rizaj, ideatori dhe producenti i “Sounds of Albania”: “Muzika shqiptare meriton të prezantohet me seriozitet, elegancë dhe në nivelin më të lartë artistik, në skenat e New York-ut”

Intervistoi: Sokol Paja

1. I nderuar Ilir, si lindi ideja për koncertin “Sounds of Albania” në New York dhe çfarë pritshmërie keni këtë vit?

Ideja për “Sounds of Albania” lindi para së gjithash nga dashuria ime për muzikën dhe nga dëshira për ta prezantuar pasurinë e jashtëzakonshme të muzikës shqiptare para publikut amerikan. Vitin e kaluar isha në një koncert ku kompozimet e Ennio Morricone-s interpretoheshin nga një kuartet harqesh. Teksa i dëgjoja, më lindi pyetja: Pse të mos bëjmë edhe ne diçka të tillë me muzikën tonë tradicionale? Angazhova Edmond Xhanin për të bërë aranzhimet dhe, përmes lidhjeve të mia në botën e muzikës, arrita të gjej dhe të bashkoj muzikantët që do t’i jepnin jetë këtij projekti.

Një frymëzim i rëndësishëm për mua ka qenë edhe veprimtaria e Shqipe Malushit, e cila, në atë kohë kryetare e “Motrat Qiriazi”, organizoi në New York, në vitin 1998, një koncert të një niveli të lartë artistik — nga çiftelia deri te Mozart-i — me artistë shqiptarë nga diaspora këtu në Amerikë, nga atdheu dhe nga Evropa, përfshirë edhe kitaristin Ehat Musa, i cili erdhi nga Parisi posaçërisht për koncertin.

Fadil Berisha, ky kolos i kulturës sonë në diasporë, është gjithashtu një frymëzim i përhershëm për mua. Që në vitin 2007, Fadili organizoi një koncert të veçantë bamirës me Aurela Gaçen dhe Edmond Xhanin, ku të gjitha të ardhurat iu dhuruan dy prej ikonave më të mëdha të muzikës shqiptare, Vaçe Zelës dhe Nexhmije Pagarushës.
Kur e konceptova Sounds of Albania, nuk doja thjesht të organizoja një koncert me muzikë shqiptare. Ideja ishte të sillnim së bashku muzikantë të jashtëzakonshëm shqiptarë dhe amerikanë dhe ta paraqisnim këtë muzikë në një formë të re kamertale, duke ruajtur shpirtin dhe autenticitetin e saj.

Pas debutimit tonë të suksesshëm vitin e kaluar në Kaufman Music Center, këtë vit vijmë në Tribeca Performing Arts Center me një program më të përmbledhur dhe më dinamik, me aranzhime edhe më të rafinuara dhe me një identitet artistik gjithnjë e më të konsoliduar. Shpresa ime është që Sounds of Albania të vazhdojë të rritet dhe, mbi të gjitha, që këtë muzikë ta dëgjojnë gjithnjë e më shumë njerëz që ndoshta nuk kanë pasur kurrë më parë mundësi të njihen me kulturën tonë.

2. Çfarë e bën të veçantë koncertin e sivjetshëm dhe çfarë dëshironi t’i përcillni publikut shqiptar dhe amerikan?

Koncerti i këtij viti është në shumë mënyra një vazhdim dhe një evoluim i programit që në bashkpunim me Petrit Pulën, e prezantuam në Kaufman Music Center vjet në Dhjetor. Kemi dashur ta bëjmë më të përmbledhur, më dinamik dhe artistikisht edhe më të rafinuar. Edmond Xhani ka punuar përsëri mbi të gjitha aranzhimet, duke i pasuruar dhe përsosur më tej, por gjithmonë duke ruajtur karakterin dhe shpirtin e muzikës origjinale.
Programit i kemi shtuar Valsin e Lumturisë të Avni Mulës, ndërsa Kaçurrelat e Tua këtë herë merr një dimension të ri: violinistja jonë e parë, Margret Radovani, përveçse luan në kuartet, do t’i japë edhe zërin e saj kësaj kënge kaq të bukur. Ne klarinet e kemi tani virtuozin Ismail Lumanovskin, qe ka master nga Juilliard School. Por për mua ndryshimi më i rëndësishëm nuk është domosdoshmërisht te repertoari. Është fakti se ky projekt po piqet. Pas koncertit të parë, kemi pasur mundësinë ta dëgjojmë muzikën, ta analizojmë dhe të kuptojmë se ku mund ta çojmë edhe më tej. Koncerti në Tribeca është, në njëfarë mënyre, versioni më i rafinuar i asaj që nisëm në Kaufman.

Publikut shqiptar dhe shqiptaro-amerikan dëshiroj t’i përcjell para së gjithash një ndjenjë krenarie — jo thjesht sepse kjo është muzika jonë, por sepse kjo muzikë meriton të prezantohet me seriozitet, elegancë dhe në nivelin më të lartë artistik, në skenat e New York-ut.

3. Sounds of Albania sjell në skenë nga serenatat e Korçës, meloditë nga veriu, këngët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Sa e rëndësishme është për ju që kjo mbrëmje të paraqesë larminë dhe pasurinë e të gjithë hapësirës shqiptare?

Për mua kjo është thelbësore. Një nga mrekullitë e kulturës sonë muzikore është pikërisht larmia e saj. Brenda një hapësire relativisht të vogël gjeografike kemi tradita, ritme, mënyra këndimi dhe ngjyra muzikore jashtëzakonisht të ndryshme.
Programi udhëton nga serenatat e Korçës te muzika e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, nga Kosova te tradita e Arbëreshëve të Italisë, të cilët e kanë ruajtur gjuhën, zakonet dhe muzikën shqiptare për më shumë se pesë shekuj. Për këtë arsye, për mua “Sounds of Albania” nuk duhet të përfaqësojë vetëm një krahinë apo një traditë. Dua që publiku të ndiejë se po bën një udhëtim nëpër hapësirën tonë kulturore dhe të kuptojë se sa e pasur dhe shumëdimensionale është ajo.

4. Queen Teuta Quartet – çfarë përfaqëson për ju figura e Mbretëreshës Teuta dhe si lidhet simbolika e saj me identitetin, qëndresën dhe kulturën shqiptare?

Kur kërkoja një emër për kuartetin, dëshiroja diçka që të mos ishte thjesht një emër, por një simbol. Figura e Mbretëreshës Teuta më tërhoqi pikërisht për këtë arsye. Ajo përfaqëson forcë, qëndresë, dinjitet dhe një lidhje me një histori shumë të lashtë të këtyre trojeve. Emri Queen Teuta Quartet krijon gjithashtu një urë mes së kaluarës dhe asaj që po përpiqemi të bëjmë sot: të marrim një trashëgimi të vjetër dhe ta sjellim atë në një kontekst bashkëkohor, pa humbur identitetin e saj. Dhe më pëlqen shumë fakti që një ansambël ku gratë kanë një prani kaq të rëndësishme artistike mban emrin e një figure historike femërore kaq të fuqishme.

5. Çfarë roli mund të ketë muzika për ta mbajtur rininë shqiptare në mërgim të lidhur me gjuhën, historinë dhe identitetin kombëtar?

Mendoj se muzika mund të arrijë aty ku ndonjëherë fjala nuk arrin. Brezi i dytë apo i tretë në diasporë mund të mos e flasë shqipen në mënyrë perfekte, mund të mos njohë çdo episodë të historisë sonë, por një melodi mund të krijojë menjëherë një lidhje emocionale. Mund të zgjojë kureshtjen: “Çfarë është kjo këngë? Nga vjen? Çfarë historie ka pas saj?” Pikërisht aty mund të filloj lidhja. Por mendoj gjithashtu se, nëse duam që të rinjtë të interesohën për trashëgiminë tonë, nuk mjafton t’u themi se duhet ta duan sepse është shqiptare. Duhet t’ua prezantojmë me cilësi, me kreativitet dhe në një gjuhë artistike që komunikon edhe me botën në të cilën ata janë rritur.

6. A është projekti Sounds of Albania një formë e diplomacisë kulturore shqiptare?

Po, unë e shoh edhe në këtë mënyrë, megjithëse projekti nuk lindi si një iniciativë institucionale apo politike. Diplomacia kulturore, në kuptimin më të bukur të fjalës, ndodh kur njerëzit njihen me njëri-tjetrin përmes kulturës. Një person që ndoshta di shumë pak për Shqipërinë, Kosovën apo historinë tonë, mund të vijë në një koncert, të dëgjojë një serenatë korçare, një melodi nga Kosova apo një këngë arbëreshe dhe të largohet me një perceptim krejt tjetër për kulturën shqiptare. Për mua, kjo është diplomaci kulturore. Dhe fakti që këtë muzikë e interpretojnë së bashku artistë shqiptarë dhe amerikanë e bën mesazhin edhe më të fuqishëm. Nuk po ndërtojmë një mur rreth kulturës sonë për ta ruajtur atë. Po ndërtojmë një urë që të tjerët të mund ta njohin dhe ta përjetojnë atë.

7. Të ardhurat e koncertit do t’i dhurohen organizatës “Motrat Qiriazi” dhe organizatave të tjera bamirëse. Sa domethënëse është për ju që një aktivitet artistik që promovon kulturën shqiptare të shërbejë njëkohësisht edhe për fuqizimin e grave shqiptaro-amerikane dhe komunitetit shqiptar në SHBA?

Kjo ka një domethënie të veçantë për mua, sepse besoj se kultura dhe komuniteti nuk duhet të ekzistojnë të ndara nga njëra-tjetra. “Motrat Qiriazi” kanë bërë një punë të çmuar në komunitetin shqiptaro-amerikan, veçanërisht në mbështetjen dhe fuqizimin e grave, në edukim dhe në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Në rastin e Sounds of Albania, ato na kanë dhënë një përkrahje të jashtëzakonshme. Prandaj më duket shumë e natyrshme që një projekt që feston kulturën shqiptare të kontribuojë konkretisht edhe në komunitetin që e mban gjallë këtë kulturë. Për mua, suksesi i “Sounds of Albania” nuk matet vetëm me numrin e biletave të shitura apo me duartrokitjet në fund të koncertit. Nëse përmes muzikës mund të krijojmë diçka artistikisht të bukur, ta prezantojmë kulturën tonë me dinjitet, të ndërtojmë ura me publikun amerikan dhe, njëkohësisht, të ndihmojmë komunitetin tonë, atëherë projekti ka arritur diçka shumë më të madhe se një koncert.
@followers @top fans

Filed Under: Kulture Tagged With: Ilir Rizaj, Sokol Paja

Skënderbeu midis humanizmit barletian dhe iluminizmit evropian: analiza intertekstuale e veprës së Stefan Zanoviq

August 27, 2026 by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/

Çdo lexim i veprës Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia duhet të nisë nga një premisë metodologjike themelore: ky tekst nuk përfaqëson një burim historik autonom, por një konstrukt sekondar të ndërtuar mbi matricën historiografike të Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis të Marin Barleti. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një proces tipik intertekstual, i cili realizohet përmes tri mekanizmave themelorë: transmetimit të bërthamës narrative, transformimit stilistik dhe ideologjik të materialit të trashëguar, si dhe ri-semantizimit të figurës së Skënderbeut në një horizont të ri kulturor. Figura e heroit, për rrjedhojë, nuk riprodhohet thjesht si një kopje e modelit barletian, por rikodohet dhe riartikulohet në funksion të kërkesave të diskursit evropian të shekullit XVIII, ku historia fillon të shërbejë si mjet për artikulimin e ideve dhe vlerave universale.

Në nivelin e parë të analizës, Zanoviq ruan pothuajse të pandryshuar arkitekturën kronikale të modelit barletian, duke riprodhuar skeletin themelor të rrëfimit historik: origjinën fisnike të Kastriotëve, marrjen peng të Skënderbeut në oborrin osman, procesin e edukimit dhe formimit të tij, rikthimin në atdhe dhe marrjen e Krujës, si dhe ciklin e vazhdueshëm të luftërave kundër osmanëve. Një ilustrim i qartë i kësaj vazhdimësie strukturore gjendet në formulime të tilla si: “Gjergj Kastrioti ishte djali i Gjon Kastriotit dhe i Vojsavës… Gjergji nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç… u bë synet… Murati… i kishte dhënë një edukim mjaft të mirë…” . Ky fragment riprodhon një nga skemat themelore të Barletit, sipas së cilës heroi formohet në mjedisin e armikut për ta mposhtur atë më pas. Megjithatë, nëse te Barleti kjo paraqitet si një paradoks providencial, i lidhur me një logjikë teologjike të historisë, te Zanoviq ajo interpretohet si një fazë e domosdoshme e formimit të karakterit heroik, duke i dhënë procesit një dimension më të racionalizuar dhe pedagogjik.

Një nga devijimet më të dukshme nga modeli barletian shfaqet në transformimin e hyrjes së veprës, ku prologu historik dhe retorik i traditës humaniste zëvendësohet me një prolog alegorik dhe filozofik. Episodi i Menandrit dhe CLEARC-ut – “Menander… bëri flijime… orakulli tha: CLEARC… më i dashuri për Perënditë… ai dorëzonte vetëm fruta… jetonte sipas ligjeve të natyrës…” – nuk ka analogji në strukturën e Barletit dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me historinë e Skënderbeut. Funksioni i tij është të vendosë një horizont etik, duke artikuluar një model të virtytit natyror, i cili do të mishërohet më pas në figurën e heroit. Në këtë mënyrë, Zanoviq realizon një zhvendosje të qartë nga historiografia humaniste drejt një filozofie morale të tipit iluminist, ku rrëfimi historik bëhet mjet për artikulimin e parimeve të përgjithshme etike.

Në karakterin e tij, transformimi bëhet edhe më i theksuar përmes rikonfigurimit të figurës së Skënderbeut, e cila kalon nga një hero historik në një model etik dhe antropologjik. Përshkrime të tilla si: “Ai ishte i kujdesshëm, fisnik, i sjellshëm… zotëronte dhunti shoqërore dhe njerëzore…” e zhvendosin fokusin nga aktet ushtarake drejt cilësive morale dhe shoqërore. Nëse te Barleti Skënderbeu paraqitet kryesisht si strateg dhe mbrojtës i fesë, te Zanoviq ai shndërrohet në një figurë që mishëron një sistem të tërë virtytesh: etikë personale, moral publik dhe virtyt politik. Ky zgjerim i dimensioneve karakterologjike prodhon një zhvendosje thelbësore nga heroi i historisë drejt një figure normative, e cila funksionon si model për shoqërinë dhe për individin.

Në të njëjtën kohë, transformimi i narrativës së luftës përbën një element kyç të rikonfigurimit estetik të tekstit. Ndryshe nga struktura relativisht e balancuar historiko-retorike e Barletit, Zanoviq e amplifikon përshkrimin e betejave përmes hiperbolizimit dhe dramatizimit, siç dëshmohet në formulime të tilla: “Ata lanë 20 000 ushtarë… Kastrioti humbi jo më shumë se 26 burra…” . Ky disproporcion ekstrem prodhon një efekt të fortë estetik dhe mitizues, duke e shndërruar luftën në një spektakël narrativ të madhështisë heroike. Më e rëndësishmja, vetë autori reflekton mbi këtë proces, duke pranuar se “kronikanët janë si poetë… zbukurojnë tiparet e heronjve…” . Kjo vetëdije për natyrën e mitizimit e dallon qartë Zanoviq-in nga Barleti, i cili, ndonëse përdor mjete retorike dhe hiperbolike, nuk e problematizon në mënyrë eksplicite raportin midis historisë dhe fabulës. Në këtë mënyrë, lufta nuk mbetet më thjesht një fakt historik, por bëhet një hapësirë ku ndërtohet dhe artikulohet miti i heroit në mënyrë të vetëdijshme dhe estetike.

Në vijim të rikonfigurimit të figurës së Skënderbeut, një nga shtesat më të rëndësishme që realizon Stefan Zanoviq është universalizimi i saj në hapësirën evropiane, përmes të cilit ajo shkëputet nga kufijtë e ngushtë etno-historikë dhe integrohet në një sistem më të gjerë simbolik dhe kulturor. Kjo vihet re në formulime të tilla si: “Ai u urua si Aleksandri i Dytë… nga princër dhe mbretër të Evropës…” , ku figura e Skënderbeut vendoset në një marrëdhënie analogjike me figura universale të historisë botërore. Në këtë mënyrë, ai nuk përfaqëson më vetëm një hero shqiptar apo ballkanik, siç ndodh në thelb te Marin Barleti, por shndërrohet në një figurë paradigmatike të kujtesës evropiane, e cila përvetësohet dhe riartikulohet nga një horizont më i gjerë kulturor. Ky proces i universalizimit nuk është një zgjerim i thjeshtë gjeografik, por një transformim i funksionit të figurës, e cila kalon nga një identitet historik lokal në një ikonë transkulturore me vlefshmëri universale.

Njëkohësisht, teksti i Zanoviq-it artikulon një diskurs politik të tipit iluminist, në të cilin figura e Skënderbeut funksionon si model i sovranitetit dhe i refuzimit të nënshtrimit. Në fragmente të tilla si: “Ai nuk do t’i paguajë askujt taksa… shpata e tij nuk ka paguar tjetër…” , shprehet një konceptim i qartë i pushtetit të pavarur, i bazuar në autonomi dhe në legjitimitet moral. Këtu kemi të bëjmë me një zhvendosje të rëndësishme nga logjika e mbijetesës dhe e mbrojtjes së fesë, që karakterizon diskursin e Barletit, drejt një konceptimi të luftës si afirmim i një parimi politik universal: sovranitetit. Në këtë kontekst, figura e Skënderbeut nuk interpretohet më vetëm si luftëtar kundër një armiku të jashtëm, por si përfaqësues i një etike të pushtetit që refuzon çdo formë varësie dhe që afirmon autonominë si vlerë themelore.

Paralelisht me këto zhvillime ideologjike, Zanoviq realizon edhe një estetizim të theksuar të jetës dhe të rrëfimit, duke futur elemente që mungojnë ose janë shumë më pak të zhvilluara te Barleti. Përshkrimet e martesës me Donikën, festimet, ceremonitë dhe episodet e jetës shoqërore nuk shërbejnë vetëm si zbukurim narrativ, por si mjete për të humanizuar figurën e heroit dhe për ta afruar atë me ndjeshmëritë e lexuesit. Këto elemente shoqërohen me një ndjeshmëri të shtuar narrative dhe me një tendencë drejt dramatizimit emocional, që e afrojnë tekstin me format e romanit historik dhe me letërsinë e ndjeshmërisë (sensibility literature) të shekullit XVIII. Në këtë mënyrë, rrëfimi largohet nga një kronikë e thatë historike dhe shndërrohet në një tekst me dimension të theksuar estetik dhe emocional.

Në përfundim të këtij kapitulli, analiza krahasimtare dëshmon qartë se Zanoviq ndërton figurën e Skënderbeut përmes një procesi të trefishtë: ai merr strukturën dhe bërthamën historike nga modeli i Marin Barleti, transformon diskursin humanist në një narrativë morale dhe estetike, dhe shton një dimension të ri, të karakterizuar nga universalizimi evropian, artikulimi filozofik dhe konceptimi politik i figurës. Si rezultat i këtij procesi, Skënderbeu kalon nga statusi i një heroi të kronikës historike në atë të një simboli universal të virtytit, sovranitetit dhe rezistencës, duke u bërë një figurë që tejkalon kontekstin e saj origjinal dhe që funksionon si model interpretativ në horizontin kulturor të Evropës së shekullit XVIII.

Filed Under: Kulture

MBAHET FESTIVALI FOLKLORIK MBARËKOMBËTAR “RAPSHA 2026” NË VITOJË TË TUZIT

August 24, 2026 by s p

Hazir Mehmeti

Rexhep Rifati/

Pjesëmarrës ansamblet nga trojet etnike e mërgata

Festivalit Mbarëkombëtar të Folklorit “Rapsha 2026 – Malësi e Madhe”, filloi më 21 gusht dhe ne te për tri net do të prezantohen mbi 20 grupe artistike nga të gjitha trojet shqiptare dhe mërgata. Pa dyshim se ky festival është ndër organizimet më madhështore kulturore shqiptare, dhe atë në një ambient të mrekullueshëm të rregulluar nga dora vullnetare e vendasve.

Derisa nata e parë pati karakter prezantues dhe u përshëndet nga autoritetet e vendit dhe organizatorët në natën e dytë ky festival unik si perka organizimi ashtu edhe mbështetja e mërgimtarëve, madje sidomos e atyre nga Amerika, bëri që ky manifestim i jashtëzakonshëm që ruan, promovon dhe përcjell brez pas brezi vlerat e folklorit, traditës dhe kulturës sonë kombëtare, të arrijë një lartësi të madhe arti, duke pas pa vetës edhe një publik të shkëlqyeshëm edhe ate në një ambient fantastik natyror por të rregulluar mjeshtërisht nga duart vullnetare të Shoqatës “Rapsha” dhe të banorëve vendas. Ndaj edhe SHKA-së “Rapsha” dhe të gjithë pjesëmarrësit për këtë ngjarje të madhe kulturore, meritojnë një notë shumë të lartë.

Nga nata e parë shkëputa një pjesë të fjalës shumë përmbajtjesore të drejtoreshës së këtij festivali dhe një herësh kryetare e Shoqatës Rapsha, zonj. Gentijana Junçaj: “I nderuar nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, z. Nikollë Camaj, i nderuar kryetar i Komunës së Tuzit, z. Lindon Gjelaj, të nderuar përfaqësues të institucioneve,

Të nderuar përfaqësuesë të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës në Mal të Zi, të nderuara personalitete të kulturës dhe artit, të nderuar drejtuesë të shoqatave dhe ansambleve, të dashur artistë, këngëtarë, valltarë e instrumentistë, të dashur miq që keni ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, vëllezër e motra nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Malësia dhe diaspora shqiptare, zonja dhe zotërinj,

të dashur bashkëkombës, mirë se erdhët në Malësi; mirë se erdhët në “Rapsha 2026”!

Sonte nuk jemi mbledhur thjesht për të hapur një festival. Jemi mbledhur për të hapur një kujtim, një trashëgimi, për të vënë një urë.

Një urë që lidh të shkuarën me të ardhmen, vendlindjen me diasporën, këngët e të parëve me zërat e brezave të rinj.

Një urë që lidh Malësinë me të gjitha trevat shqiptare…”

Ndërsa nga mbrëmja e dytë shkëputëm disa shkrepje të grupeve artistike nga trojet etnike dhe mërgata , madje edhe ajo tëj Atlantikut, Miçigeni i Shteteve të Bashkuara. Kënaqësi e veçantë ishte kënga dhe loja e fëmijëve sidomos e atyre që kishin ardhur nga Shtetet e Bashkuara.

Është ky edicioni i shtatë i radhës së festivalit i cili mbahet në çdo pesë vite.

Filed Under: Kulture

An Evening of Music and Friendship: Honoring the Friendship Between Kosovo, Switzerland, and the United States

August 20, 2026 by s p

https://www.state.gov/freedom-250-foreign-mission-events…

The Swiss Residence 2920 Cathedral Avenue, NW, Washington, DC 20008

The Embassy of the Republic of Kosovo and the Embassy of Switzerland hosted a memorable concert celebrating music, friendship, and shared values ahead of the United States’ 250th anniversary of independence. A highlight of the evening was a captivating performance by the internationally acclaimed ARIADITA Duo – pianists Ardita Statovci and Ariane Haering – whose program beautifully reflected the enduring friendship between Kosovo and Switzerland. The event brought together distinguished guests from government, academia, the arts, and civil society to celebrate the strong partnerships connecting Kosova, Switzerland, and the United States.

Filed Under: Kulture

Petro Nini Luarasi dhe sfidat e shqiptarëve të shekullit XXI

August 17, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

PETRO NINI LUARASI: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”

“Shqiptarët nuk kanë shembuj për t’u ndjekur.” Kjo është një thënie që dëgjohet shpesh. Por nuk është e vërtetë. Nuk është historia e shqiptarëve që është e varfër me shembuj atdhetarësh. Shpesh është kujtesa jonë që është bërë më e varfër. Se shqiptarët kanë nxjerrë burra dhe gra që e deshën atdheun më shumë se veten. Kanë pasur luftëtarë që mbrojtën lirinë, mendimtarë që ndriçuan rrugën e kombit, shkrimtarë që ngritën gjuhën shqipe në majat e letërsisë dhe mësues që sakrifikuan gjithçka për dijen. Njëri prej tyre është Petro Nini Luarasi. Ai nuk u bë i pavdekshëm sepse mbajti pushtet, pasuri apo privilegje. U bë i pavdekshëm sepse i kushtoi jetën një ideali: gjuhës shqipe, arsimit dhe ndërgjegjes kombëtare. Në një kohë kur të shkruaje e të mësoje shqip ishte akt guximi, ai zgjodhi rrugën e sakrificës dhe jo të heshtjes. Për këtë arsye, emri i tij mbetet i lidhur përgjithmonë me martirizimin për gjuhën amtare.

Por Petro Nini Luarasi nuk na la vetëm veprën e tij. Ai na la edhe një amanet që tingëllon sot po aq i fuqishëm sa më shumë se një shekull më parë: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” Këto fjalë nuk janë vetëm një thirrje për qëndresë. Janë një program moral për çdo brez shqiptar. Ato na kujtojnë se rënia nuk është turp; turp është dorëzimi. Humbja nuk është fundi; fundi vjen vetëm kur humbet besimin!

Në një kohë kur shumë shqiptarë shohin largimin si rrugën e vetme drejt një jete më të mirë, kur zhgënjimi shpesh zë vendin e shpresës dhe kur përçarja zëvendëson bashkimin, Petro Nini Luarasi na kujton se asnjë komb nuk ndërton të ardhmen duke hequr dorë nga vetvetja. Prandaj, kur dikush thotë se shqiptarët nuk kanë shembuj për t’u ndjekur, përgjigjja nuk duhet kërkuar larg. Ajo gjendet në faqet e historisë sonë, te ata që nuk kërkuan lavdi për veten, por liri dhe dinjitet për kombin.

Petro Nini Luarasi është një prej atyre shembujve të shumtë. Ai nuk na kërkon të bëjmë gjëra të pamundura. Na kërkon vetëm të mos dorëzohemi. Sepse kombet nuk bëhen të mëdha nga mungesa e pengesave, por nga njerëzit që, edhe pasi rrëzohen shumë herë, gjejnë forcën të ngrihen përsëri. “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” Kjo thënie nga rilindasi i madh Petro Nini Luarasi nuk është thjesht një thënie e bukur. Është një filozofi mbijetese. Është testamenti moral dhe atdhetar i një njeriu që pa burgun, përndjekjen dhe flijimin, por nuk pa kurrë dorëzimin. Sot më shumë se një shekull më vonë, shqiptarët nuk përballen më me ndalimin e gjuhës shqipe. Ata nuk përballen me shkollat e mbyllura apo me ndalimin e alfabetit, si në kohën e Petro Nini Luarasai. Megjithatë, shqiptaria sot përballet me një rrezik tjetër, po aq të madh: humbjen e besimit. Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhëton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen | Gazeta Telegraf.

Në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare, mijëra të rinj nuk e shohin më të ardhmen në vendin e tyre. Çdo ditë, avionët mbushen me djem e vajza që largohen jo sepse nuk e duan atdheun, por sepse nuk besojnë se mund të ndërtojnë një jetë me dinjitet në të. Emigrimi nuk është vetëm një zgjedhje ekonomike; shpesh ai është shprehje e një zhgënjimi të thellë ndaj institucioneve, politikës dhe mungesës së mundësive. Frank Shkreli: Zbrazja e trojeve shqiptare sot dhe rreziku i brendshëm aktual | Gazeta Telegraf

Ky është rrëzimi i kohës sonë. Por Petro Nini Luarasi do të pyeste: A është largimi zgjidhja e vetme, apo është shenja se kemi pushuar së besuari se vendi ynë mund të ndryshojë? Ai nuk do t’i gjykonte ata që largohen për të siguruar jetën e familjes. Edhe vetë ai njohu mërgimin dhe veproi për çështjen kombëtare nga Shtetet e Bashkuara. Por ai do të na kujtonte se mërgimi nuk duhet të kthehet në dorëzim dhe se lidhja me atdheun nuk mbaron në kufi.

Sot, shqiptarët nuk kanë aq nevojë vetëm për rrugë, ura apo pallate e ndërtesa, por kanë nevojë të rindërtojnë besimin në vetveten dhe në atdheun e vet. Sepse kur një popull humbet besimin, fillon të largohet jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht nga vendi i vet. Shqiptarët kanë kaluar pushtime, luftëra, diktaturën e egër komuniste, varfëri dhe mërgime të panumërta. Megjithatë, kanë mbijetuar sepse çdo brez ka gjetur forcën të ngrihet edhe një herë. Pikërisht, këtë na mëson Petro Nini Luarasi: rrëzimi nuk është fundi. Fundi vjen vetëm kur pranojmë të mos ngrihemi më. Prandaj thënia e tij është sot më aktuale se kurrë. Ajo sot u drejtohet sidomos qytetarëve, mësuesve, prindërve, të rinjve dhe diasporës. Ajo thënie na kujton se ndryshimi nuk lind nga dëshpërimi, por nga këmbëngulja dhe nga besimi për një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Nëse brezi i Petro Nini Luarasit do të ishte dorëzuar, Shqipëria ndoshta nuk do ta kishte fituar kurrë të drejtën për të shkruar e për të mësuar në gjuhën e saj. Nëse ky brez i shqiptarëve sot dorëzohet përballë korrupsionit, padrejtësisë, polarizimit politik apo varfërisë, rrezikojnë të humbasin jo gjuhën, por edhe shpresën. Dhe një komb që humbet shpresën, fillon të zbrazë vetveten. Sepse pa u distancuar nga e kaluara komuniste, nuk fitohet as besimi për të ardhmen. Frank Shkreli: Pa u distancuar nga e kaluara, nuk fitohet besimi i së ardhmes | Gazeta Telegraf

Prandaj porosia e Petro Nini Luarasit mbetet një detyrë për çdo brez se edhe nëse rrëzohemi në përpjekjet për të ndërtuar një shtet më të drejtë, një shoqëri më të ndershme dhe një të ardhme që i mban të rinjtë pranë atdheut, shqiptarët duhet të ngrihen përsëri. Jo një herë, por nëntëdhjetë e nëntë herë, e nëse duhet, edhe të njëqindtën, citohet të ketë thenë Petro Nini Luarasi. Sepse kombet nuk maten me numrin e rrëzimeve, por me forcën për t’u ringritur. Ai do këshillonte se rënia nuk është humbje, por dorëzimi është! Shpesh thuhet se shqiptarët kanë kaluar shekuj të vështirë. Kjo është e vërtetë. Por ndoshta sfida më e madhe e kohës sonë nuk është varfëria, as emigrimi, as përçarja politike. Sfida më e madhe më duket se është është lodhja shpirtërore, lodhja me politikën e këtyre 35-viteve. Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i një epoke politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf.

Një popull mund të përballojë shumë vuajtje, nëse beson se nesër do të jetë më mirë. Mirëpo, kur humbet besimin, ai fillon të largohet jo vetëm nga vendi, por edhe nga vetvetja. Kjo është drama që, fatkeqsisht, shohim sot në shumë vise shqiptare. Në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës, shumë shqiptarë ndajnë të njëjtën pyetje: A ia vlen të qëndrosh këtu? Përgjigjet janë të ndryshme, por vetë pyetja është një tregues i një shqetësimi të thellë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Ajo nuk lind vetëm nga vështirësitë ekonomike. Ajo lind edhe nga ndjenja, sidomos në radhët e të rinjve, se përpjekja personale shpesh nuk shpërblehet, se e mira ecën ngadalë dhe se shpresa vonon – siç provojnë protestat prej pothuaj dy muajsh në Tiranë.

Por historia shqiptare na mëson se brezat që ndërtuan kombin nuk jetuan në rrethana më të lehta. Ata nuk kishin shtet, nuk kishin universitete shqiptare, nuk kishin administratë kombëtare dhe, në shumë raste, nuk kishin as të drejtën të mësonin në gjuhën e tyre. Megjithatë nuk hoqën dorë nga ideja se Shqipëria dhe shqiptaria meritonin një të ardhme më të mirë. Petro Nini Luarasi nuk u ngrit vetëm kundër ndalimit të gjuhës shqipe. Ai u ngrit kundër dëshpërimit. Ai e kuptonte se pushtuesi më i rrezikshëm nuk është ai që merr tokën, por ai që të bind se nuk ia vlen më të luftosh për të. Ky është mesazhi që i flet edhe brezit të sotëm. Shqiptarët kanë ndërtuar komunitete të suksesshme në Amerikë, në Europë, në Australi e gjetkë. Ata kanë dëshmuar se me punë, dije dhe ndershmëri mund të arrijnë majat. Kjo tregon se problemi nuk është mungesa e aftësive. Sfida është si të krijohen kushte që kjo energji krijuese të ketë mundësi të lulëzojë edhe në trojet shqiptare.

Në këtë kuptim, diaspora nuk duhet parë si një kapitull i mbyllur i historisë sonë, por si një pjesë e gjallë e kombit. Mërgimtari nuk pushon së qeni shqiptar kur kalon kufirin. Ai mbetet bartës i gjuhës, kujtesës dhe kulturës sonë. Por asnjë diasporë, sado e suksesshme të jetë, nuk mund ta zëvendësojë jetën që zhvillohet në trojet shqiptare. Kombet kanë nevojë për rrënjë, jo vetëm për degë. Prandaj thënia e Petro Nini Luarasit merr sot një kuptim të ri. “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”, nuk është një thirrje për optimizëm naiv. Është një detyrim moral për të mos e pranuar dëshpërimin si fat. Sepse historia nuk ecën gjithmonë në vijë të drejtë. Ka periudha kur duket se gjithçka ngec, kur idealet zbehen dhe kur largimi duket më i lehtë se qëndrimi. Por pikërisht në ato çaste provohet karakteri i një kombi.

Periudha në të cilën jetojmë mund të jetë një ng ato. Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf — Janë pikërisht, periudha të tilla kur duhet të na kujtohen fjalët e Petro Nini Luarasit: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” Shqiptarët nuk kanë nevojë të bindin botën se dinë të mbijetojnë. Këtë e kanë dëshmuar prej shekujsh. Sfida e shekullit XXI është tjetër: të ndërtojnë një shoqëri ku të rinjtë të mos largohen vetëm nga nevoja, por të kenë edhe lirinë reale për të zgjedhur të qëndrojnë. Ky do të ishte, ndoshta, triumfi më i madh i amanetit të Petro Nini Luarasit. Jo vetëm ta ruajmë gjuhën shqipe, por ta bëjmë atë gjuhën e një shoqërie që u jep bijve dhe bijave të saj arsye për të jetuar, për të krijuar dhe për të ëndërruar në vendin e tyre. Sepse një komb ringrihet jo vetëm kur kujton heronjtë e tij, por edhe kur gjen guximin të bëhet i denjë për sakrificat e tyre.

Më 17 gusht 1911, Petro Nini Luarasi u nda nga jeta në rrethana që historiografia shqiptare i ka lidhur me helmimin e organizuar nga qarqe shoviniste greke, të cilat e konsideronin atë një pengesë për politikën e tyre të asimilimit të shqiptarëve ortodoksë. Për breza të tërë shqiptarësh, ai është nderuar si Martiri i gjuhës shqipe, sepse jetën e vuri në shërbim të shkollës, gjuhës dhe ndërgjegjes kombëtare.

Petro Nini Luarasin e helmuan sepse donte që shqiptarët të mos humbnin gjuhën e tyre. Një shekull më vonë, askush nuk na ndalon ta flasim shqipen. Por, lind pyetja: a po e lënë vetë shqiptarët pas dore atdheun, gjuhën dhe shpresën? Ky shkrim modest imi në kujtim të këtij rilindasi të madh nuk është një thirrje kundër dikujt, por një thirrje për ringritje për shqiptarët kudo, sidomos për shqiptarët në trojet shekullore iliro-arbërore — në 115-vjetorin e vdekjes së Petro Nini Luarasit (17 gusht 1911 – 17 gusht 2026). Besnikërisht, në frymën e porosisë së Petro Nini Luarasit: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.”

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 583
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kinematografia e Kosovës shkëlqen në Nju Jork
  • NGA UNITETI I ALFABETIT TE UNITETI I VIZIONIT
  • “Dyqani i helmeve”, një parabolë groteske mbi zbrazëtinë ekzistenciale
  • Rinia në shesh, intelektualët në dilemë dhe përgjegjësia morale e një kombi
  • LASGUSH PORADECI – POEZIA SI PIKTURË
  • Alfabeti dhe kokat e mendjes shqiptare
  • AT GJERGJ FISHTA DHE KONGRESI I ALFABETIT – KUR SHKRONJAT U BËNË BESË, GJUHË DHE BASHKIM KOMBËTAR
  • VOTUESIT AMERIKANË FOLËN — DEMOKRACIA KA NEVOJË PËR EKUILIBËR DHE KONTROLL TË PUSHTETEVE
  • PARIMI I NACIONALIZMIT SHQIPTAR
  • Shkrimtari dhe ndjenja e detyrimit moral ndaj shoqërisë
  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT