
QSPA/
Libri “ Kastriotët, princa të Shqipërisë në Urdhrin Sovran dhe Ushtarak të Maltës – Zanafilla e derës së Kastriotëve” i shkruar nga prifti arbëresh Francesco Chetta – Schirò, botuar së pari në Maltë, në vitin 1929, vjen në gjuhën shqipe në përkthimin e studiuesit Arben Ndreca, si botimi më i ri i QSPA-së. Përkthyesi e ka pajisur këtë libër edhe me një Hyrje diturore ku parashtron thelbin e përmbajtjes së librit, si dhe disa të dhëna plotësuese. Fati i pasardhësve të familjes Kastrioti pas vdekjes së Gjergj Kastriotit ka qenë, si edhe në këtë libër, temë qendrore e mjaft studimeve historike. Në këtë kontekst, edhe ky studim u kushtohet tre kalorësve me origjinë shqiptare të Urdhrit Sovran dhe Ushtarak të Maltës: Fra Don Giuseppe Antonio Felice Castriota, Fra Don Costantino Castriota dhe Gaspare Bruni. Dy të parët janë pasardhës të Kastriotëve, ndërsa i treti është ulqinak nga familja Bruni. Libri përmban të dhëna historike me rëndësi për fatin e pasardhësve të familjes Kastrioti në Itali e më gjerë, të cilat janë bazuar në dokumente të ruajtura në Arkivin e Shtetit në Maltë dhe përfshijnë periudhën kohore nga shek. XV-XVIII. Këto dokumente, me vlerë të lartë për historinë shqiptare, ishin pjesë e dosjes personale që murgjit-kalorës paraqitnin para trupit gjykues të Urdhrit për të vërtetuar prejardhjen e tyre nga dyer fisnike. Autori Chetta-Schirò i cilëson këto dokumente me vlerë kombëtare, si të tilla i ka paraqitur ato të plota dhe të përkthyera në italisht, duke i bashkangjitur si shtesë në këtë studim. Përveç këtyre, në libër zënë vend edhe dokumente të tjera të cilat flasin për titujt e rinj të fisnikërisë që fituan Kastriotët në Mbretërinë e Dy Sicilive, ku zunë vend pas shpërnguljes nga dheu i Skënderbeut. Vetë autori shprehet se këto dokumente nuk kanë vlerë kombëtare, ndonëse lëshojnë një dritë të fortë mbi ata që njëherë e një kohë qenë princa të Shqipërisë.
Duke qenë se kemi të bëjmë me një vepër kryesisht historike, autori ka zgjedhur t’i përcjellë këto dokumente në trajtë rrëfimtare, duke e bërë tekstin edhe më tërheqës për lexuesin e gjerë dhe jo vetëm lexuesin kultivues të historisë.



