• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARTISTI VASIL RAKAJ DHE VEPRAT QË FRYMËZOHEN NGA GJENDJE EMOCIONALE, PATRIOTIKE E LIRIKE…

June 1, 2026 by s p

Suzana Varvarica Kuka/

Shqipnia o Shqypnia, e thërritur kësisoj nga gegërishtja e zërit burrëror të malësorëve të Veriut, në ditët e sotme e cilësuar Shqipëria, ishte dikur Arbëria e arbërve, një komb i njohur e i madh, pasardhës i fiseve të lashta pellazge e ilire. Familja Rakaj dhe skulptori Vasil Rakaj janë me origjinë nga Malësia e Madhe, vend i rrallë verior shqiptar. Kaherë, Shqipëria është një vend i pasur natyror dhe bën pjesë gjeo-politikisht në Europën Juglindore dhe shtrihet në pjesën jugperëndimore të Ballkanit. Shqiptarët, gjatë dhjetëra shekujve, kanë qenë faktor kryesor i zhvillimit të trojeve të tyre. Ata, herë në begati e herë në luftëra kundër pushtuesve fqinjë apo të largët, i kanë rezistuar me forcë ekzistencës së fiseve të tyre. Prej dy a tri shekujsh, e kanë rritur ndërgjegjen e tyre sociale dhe kanë trashëguar kulturën e zakonet e tyre. Për shqiptarët, shekulli XX, është shumë i rëndësishëm dhe plot me ngjarje, të cilat përbëjnë historinë e shkruar të tyre. Nga mesi i shekullit XIX dhe në kapërcyell të shekullit XX, zhvillimet industriale në vendet e mëdha europiane, ndryshimet e thella në sistemet e tyre politike, rritja e oreksit të tyre për sundime të reja dhe rënia e perandorisë osmane përgatitën kushtet ndikimplota në shfaqjen e një epoke të re në Europë dhe në Shqipëri. Ishte koha e ngjizjes dhe formimit të shteteve, e gëlimit të lëvizjeve për pavarësinë e kombeve dhe e nxitjes së edukimit me frymën kombëtare. E tillë situatë ndikoi edhe në trojet shqiptare, që kërkonin të formohej kombi shqiptar. Përpjekjet diplomatike kryesuan dhe u angazhuan për zgjidhjen e çështjeve kombëtare.

Inteligjenca shqiptare, e shpërndarë në disa vende të botës, u mobilizua për të arritur qëllimin final të pavarësisë, duke sjellë në mesin e shqiptarëve figurën e kryetrimit Gjergj Kastriot Skënderbeu, për t`i frymëzuar dhe kujtuar lavdinë e kahershme. Dhjetëra çeta luftëtarësh të Veriut dhe Jugut u bashkuan dhe luftuan të armatosur, për të ruajtur kufijtë e trojeve shqipfolëse. Epoka e re europiane, që po hynte në shekullin XX dhe të gjitha përpjekjet e brendshme krijuan kushtet që më 28 nëntor 1912, nën drejtimin e Ismail Qemalit (1944-1919), të shpallej në Vlorë Pavarësia Kombëtare dhe të krijoheshin strukturat shtetërore, që sipas akademikut Arben Puto “…janë produkt i lëvizjes kombëtare shqiptare”. (2)Në mbarë botën asokohe dhe gjatë shekullit XX ranë dhjetëra mbretëri, shpërthyen dhe u zhvilluan dy luftëra botërore, humbën jetën miliona njerëz, u shkatërruan qytete të rëndësishme, u rrënua ekonomia dhe prodhimi, si dhe ndaloi jeta e përditshme. Në Shqipëri, në muajin prill të vitit 1939, Mbreti Zogu I braktisi vendin, i cili ra nën pushtimin e Italisë Fashiste.

Në vitin 1943, vendi u uzurpua nga ushtria e Gjermanisë Naziste dhe në nëntor të vitit 1944 u çlirua prej ushtrive pushtuese. Në mesin e këtij shekulli, fituesit e Luftës së Dytë Botërore

(LDB), luftë në të cilën ishin pjesëmarrës edhe shqiptarët, e radhitën Shqipërinë, gjysmëfeudale dhe me varfëri ekstreme, në kahun komunist dhe nën çatinë e Bashkimit Sovjetik (BS). Fatkeqësisht, në vitin 1945, kufijtë e saj, përcaktuar në Konferencën e Paqes në Londër, në periudhën 1912-1913, kishin lënë jashtë kufijve toka të shumta, duke u bërë sipërfaqe toke për shtetet e ish-Jugosllavisë si: Mali i Zi, Serbia, që gllabëroi Dardaninë (Kosovën), Maqedonia e Veriut dhe Greqia.

Që nga dhjetori i vitit 1944, shqiptarët patën fatin e keq të jetonin si një shoqëri kompakte, e varfër, e mbyllur kah Perëndimit dhe nën sundimin e një kaste diktatoriale komuniste. Prej viteve 1950 e deri në vitin 1990, shteti dhe politika shqiptare, në mëkëmbje të ekonomisë, ushtrisë, arsimit dhe kulturës ishin të lidhur me shtete diktatoriale të majta dhe iu dhanë atyre potencialin propagandistik dhe ideologjik autokratik. Popullsia iu nënshtrua rregullave dhe ideologjisë së ashpër të shtetit monopartiak, partisë komuniste dhe adhurimit të Enver Hoxhës. Në tërësi ajo u kaplua nga një zhvillim kolektiv me elemente të theksuara të një varfërie në standarde masive. Asaj kohe qindra e mijëra familje, si dhe individë lëviznin vetëm brenda vendit. Në kapërcyell të shekullit XXI u përgatitën kushte të tjera të një epoke globale, krejt të re dhe plot trysni politike. Rënia e Murit të Berlinit, në vitin 1989, solli ndryshime thelbësore në territoret europiane, si dhe në Shqipëri përgatiti kushtet që në vitin 1990 të niste rënia e komunizmit. Nga viti 1991 shqiptarët jetojnë në një sistem liberal – konsumist. Ata emigrojnë, punojnë dhe jetojnë me dinjitet për arsye ekonomike dhe profesionale në dhjetëra vende të botës. Artisti Vasil Rakaj është një nga të vlefshmit dhe të përveçmit shqiptar, që emigroi së bashku me familjen e tij jashtë vendit. Sot jeton dhe krijon në Connecticut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë vend të mundësive të shumta, ai i krijoi vetes hapësirën krijuese dhe vazhdimësinë e artit. Veprat e tij të artit janë shprehi artistike që frymëzohen nga gjendje emocionale, patriotike e lirike si të vendlindjes ashtu dhe të vendit, ku banon dhe krijon. Një proces i tillë krijimtarie, që merr jetë në studion e tij, pranë familjes, në Connecticut, e mban Vasil Rakajn, të lidhur fort me historinë e të dyja vendeve.

Portreti në reliev i quajtur “Heroi i parë i Ansonias në Connecticut-ShBA”, realizuar në vitin 2020 në bronz prej artistit, është vepra e tretë që i dhuroi atij njohje e famë edhe më të madhe në komunitetin amerikan, pas dy veprave dinjitoze të krijuara më parë që janë portrete buste si: Martin Luther King Jr. dhe John W. Gatison Jr. Skulptori me bindjen e një patrioti i dhuroi qytetit dhe banorëve të tij imazhin figurativ skulpturor të dy personaliteteve të njohura dhe punën prej artisti të mirëfilltë realist dhe të përkushtuar.

Veprat e tij të çmuara e pasurojnë qytetin me artin e skulpturës dhe popullsinë me emocione të veçanta artistike, kulturore dhe historike. Gjithkush e sheh dhe e cilëson Amerikën si vendin e mundësive të mëdha dhe për familjen Rakaj kjo shprehje ka funksionuar mjaft mirë. Veprat e artit të Vasil Rakajt dhe qytetaria shembullore e familjes së tij e kanë bërë, jo vetëm të njohur në qytetin ku jeton, por artisti përmes punës së tij krijuese dhe pjesëmarrjeve në ekspozita ka arritur të lidhet me shoqata artistësh dhe artistë të ndryshëm, që kontribuojnë me krijimtarinë e tyre kudo në ShBA.

Filed Under: Kulture Tagged With: Vasil Rakaj

Uni hyjnor i skulptorit Ilmi Kasemi Beati

May 29, 2026 by s p

Arben Iliazi/

Mjeshtri i mirënjohur i skulpturës, Ilmi Kasemi Beati, të cilin dikur e kam mbiquajtur “Mikelanxheloja shqiptar”, në një interpretim mitologjik të një variacioni metaforik, që përcjell koncepte komplekse, emocione ose mesazhe historike, e quan të famshmin Osman Taka, valltarin e papërsëritshëm çam, “Kërcimtar i Anteut”. Është sa legjendë, aq dhe e vërtetë që luftëtari dhe valltari O. Taka, simboli i mishëruar i dashurisë për jetën, fuqinë për të larguar vdekjen e mori nga Toka. Beati na jep një O. Taka pagan, një hero të shenjtë, të ngjashëm me figurat e lashta njerëzore, edhe pse ai është një kryengritës i Rilindjes Kombëtare si edhe një valltar i shquar i shekullit të 18-të.

Beati është një artist “gnostik”, që e lë shpirtin të lirë dhe nuk e tërheq poshtë te materia, duke punuar me projeksion astral, për të dëshmuar histori dhe civilizime të shenjta në tokë. Punimet e tij, në të shumtën e rasteve, ndikohen nga frymëzimet e larta heroike shpirtërore, si rrjedhojë e lidhjes së thellë e tepër frymëzuese me rrathanat shoqërore të fisit dhe bashkësisë, me frymën që i jep trajtë imagjinatës, duke na lënë një Testament të Ri artistik në kohët tona.

Valltari që kërcen me shpinë në sipërfaqe të botës nuk është një marifet i yshtjeve magjike, por është një alter ego e imagjinuar, një reflektim i absolutes mbi shpirtin e pavdekshëm të njeriut-artist, që është i aftë për të shkaktuar gjëra të mrekullueshme, duke thyer ligjet e natyrës. Kjo magjepse e kryemjeshtrit Beati, me një aureolë drite dhe reflektimi, qëndron denjësisht përballë kryeveprave botërore. Sikur t’i kisha këto imazhe kur shkrova dramën Osman Taka, në vitin 2023, ndoshta do të kisha një tjetër frymëzim e kahje dramaturgjike, një triller efektiv të simbiozës Taka-Anteu.

Filed Under: Kulture

Birçe Hasko, mjeshtri i karaktereve dhe detajit, i nuancës dhe thellësisë, i atij realiteti që u frymon përjetësinë personazheve

May 26, 2026 by s p

Post Mortum – Birçe Hasko është tashmë një tjetër emër në radhën e atyre që ikin, duke shënuar një humbje të ndjeshme në shterimin e ngadaltë të një plejade artistësh që e ngritën kinematografinë shqiptare mbi shpirtin, përkushtimin dhe një ndjenjë të thellë përkatësie estetike e njerëzore. Ata nuk lanë pas vetëm role, por mënyra të të menduarit artistik, gjurmë që nuk zbehen por plazmohen në kujtesën tonë dhe shndërrohen në thesar.

“Birçe Hasko ishte një personalitet me një integritet qytetar dhe njerëzor të pashembullt. Në dimensionin artistik ai zë një vend të veçantë në kinematografinë shqiptare, ku krijoi një galeri të gjerë karakteresh të paharrueshme. Në skenë dhe në jetë, në karakterin që kishte, rrallë do të gjesh zëvendësim. Vlerat e tij shtrihen edhe në edukimin e brezave të rinj të aktorëve. Do ta kujtoj gjithmonë si një mik të paharruar”, – do të shprehej Timo Flloko në lamtumirën e fundit të mjeshtrit të karaktereve të kinemasë shqiptare.

Në historinë e teatrit dhe kinemasë shqiptare, ka aktorë që mbeten të lidhur me rolet e mëdha, me protagonistët që mbajnë peshën e rrëfimit. Por ka edhe mjeshtër të tjerë, që, edhe kur qëndrojnë në plan të dytë, arrijnë të krijojnë figura aq të gjalla, aq të skalitura dhe të paharrueshme, sa bëhen pjesë e pandashme e kujtesës kolektive të publikut. Në këtë kategori të rrallë dhe të çmuar, Birçe Hasko zë një vend të sigurt, si një nga mjeshtrat më të spikatur të karakterit në kinematografinë shqiptare, me një individualitet të fortë interpretativ dhe një kontribut të vyer pedagogjik.

I lindur më 15 mars 1942 në Dukat të Vlorës, ai u formua në një mjedis ku kultura labe ruante ende gjallërisht forcën e saj shprehëse: humorin e hollë, gjuhën e pasur dhe temperamentin dramatik të përditshmërisë. Ky univers i hershëm do të bëhej më vonë një nga burimet kryesore të energjisë së tij skenike, duke i dhënë interpretimit një autenticitet që vinte drejtpërdrejt nga jeta.

Rruga e tij drejt artit nuk ishte e menjëhershme. Në vitin 1961 përfundoi shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga” dhe për disa vite shërbeu si mësues dhe drejtor shkolle në Amanikaj, Nivicë të Tepelenës dhe Poro të Vlorës. Kjo periudhë e formimit njerëzor, e kontaktit të përditshëm me jetën e zakonshme, me gjuhën dhe psikologjinë e njerëzve të thjeshtë, do të ishte një shkollë e dytë, ndoshta më vendimtare se e para: aty ai njohu tipologjitë njerëzore që më vonë do t’i kthente në personazhe artistikisht të besueshme.

Në vitin 1965 ai nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, të cilat i përfundoi në vitin 1969. Që prej asaj kohe dhe për dekada me radhë, ai iu përkushtua aktrimit dhe pedagogjisë, duke u bërë një figurë qendrore në formimin e aktorëve të rinj në Akademinë e Arteve. Në vitet 1989–1994 shërbeu si dekan i Fakultetit të Artit Skenik, duke ndikuar drejtpërdrejt në konsolidimin e një shkolle profesionale të aktrimit në Shqipëri.

Në teatër, Hasko u dallua veçanërisht në rolet komike, ku gjenin shprehje natyrshëm instinkti i tij i ritmit, sensi i situatës dhe aftësia për të ndërtuar tipa të gjallë. Personazhe si Milo Tafani në “Shi në plazh” të Teodor Laços, Abaz Kola në “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës apo Shazo në “Familja e peshkatarit” të Sulejman Pitarkës, dëshmojnë një aktor që e ndërtonte karakterin jo si skemë, por si jetë të brendshme në lëvizje.

Fizikaliteti i tij, mënyra e të folurit dhe energjia skenike i jepnin mundësi të krijonte figura me një ngjyrim të dallueshëm “popullor”, jo si karikaturë, por si përthyerje artistike e realitetit social. Ai e njihte gjuhën e trupit dhe të zërit si instrumente dramaturgjike dhe i përdorte me një instinkt të rrallë profesional.

Megjithatë, përmasën e tij më të plotë ai e gjeti në kinematografi. Birçe Hasko nuk ishte aktor i protagonizmit qendror në kuptimin klasik, por mjeshtër i roleve dytësore, të cilat në duart e tij fitonin gravitet narrativ dhe emocional.

Në filmografinë e tij prej 32 rolesh spikasin interpretime të paharrueshme në disa nga filmat më të rëndësishëm të kinemasë shqiptare: në “Kur zbardhi një ditë” si ballisti Sulo; në “Malet me blerim mbuluar” si Osmani; në “Njeriu me top” si Tosun Baçi; në “Koncert në vitin 1936” si Tellalli; në “Radiostacioni” si Mete Aliu; në “Dhe vjen një ditë” si dajë Alushi; në “Përrallë nga e kaluara” si plaku i sertë; në “Shkëlqim i përkohshëm”, rol për të cilin u vlerësua me çmimin e dytë në Festivalin e Filmit; si dhe në “I dashur armik”.

Loja e tij karakterizohej nga një humor i brendshëm, i çlirët dhe i padeklaruar, që nuk kërkonte efekt të jashtëm, por lindte organikisht nga situata dhe psikologjia e personazhit. Ai ndërtonte figurën përmes detajit: një pauzë, një intonacion i papritur, një shikim i shkurtër, elemente që, në duart e tij, bëheshin dramaturgji më vete.

Një tipar dallues i interpretimit të tij ishte përdorimi i gjuhës së folur me ngjyrim krahinor, sidomos lab, të cilën e shndërronte në instrument karakterizimi social dhe psikologjik. Ky “zhargon i përpunuar artistikisht” i jepte personazheve të tij një identitet të qartë dhe një vërtetësi të pakontestueshme.

Përtej skenës dhe ekranit, Birçe Hasko mbetet një figurë e rëndësishme e pedagogjisë së aktrimit shqiptar. Për vite të tëra ai formoi studentë, udhëhoqi etyde dhe vepra teatrore, duke vënë theksin jo vetëm mbi teknikën, por mbi etikën e profesionit: kërkimin e së vërtetës së brendshme të personazhit dhe ndërtimin e një raporti të ndershëm me skenën.

Për kontributin e tij është nderuar me tituj të rëndësishëm: “Artist i Merituar” (1989), “Profesor” (1995), “Mjeshtër i Madh” (2002), si dhe “Qytetar Nderi” i Orikumit (2002), ndër të tjera.

Birçe Hasko mbetet një dëshmi e gjallë se madhështia në aktrim nuk matet me numrin e roleve kryesore, por me thellësinë e gjurmës që lë një karakter. Ai ishte mjeshtër i detajit, i nuancës, i atij realiteti të vogël që e bën një personazh të pavdekshëm.

Në kujtesën e kinemasë shqiptare ai do të mbetet si një aktor me plasticitet të rrallë, me autenticitet të pakrahasueshëm dhe me një prani skenike që e tejkalonte rolin vetë. Një artist që i dha zë dhe fytyrë një bote të tërë personazhesh të vogla në dukje, por të mëdha në kujtesë. Prej sot 24 maj, ai i përket tashmë përjetësisë jo si mungesë, por si prani e vazhdueshme në kujtesën e artit shqiptar: një nga ata mjeshtër që nuk largohen, por mbeten të shkruar në mënyrën se si ne shohim dhe kuptojmë skenën.

Albert Vataj

Filed Under: Kulture

Përtej gjakut: Identiteti, trashëgimia dhe kërkimi i së vërtetës

May 25, 2026 by s p

Çfarë na zbulon debati mbi ADN-në e Petrović-Njegoš për Ballkanin.

Nga Cafo Boga, M.A. IRD – 24 Maj 2026

“Sa më larg të mund të shikosh prapa, aq më larg ka gjasa të shohësh përpara.”— Winston Churchill.

Për breza me radhë, popujt e Ballkanit kanë debatuar jo vetëm për politikën dhe kufijtë, por edhe për origjinën e tyre. Janë ndërtuar narrativa të tëra kombëtare mbi pretendimet se kush ka ardhur i pari, kush rrjedh nga kush dhe kujt i përkasin rrënjët më të thella në këtë rajon. Megjithatë, herë pas here, shkenca hyn në këtë debat dhe na kujton se historia rrallëherë është aq e thjeshtë sa do të dëshironte politika.

Një rast i tillë është diskutimi i fundit rreth gjetjeve gjenetike që lidhen me pasardhësit e dinastisë Petrović-Njegoš, familjes që formësoi identitetin modern të Malit të Zi dhe që i dha botës sllave të jugut një nga figurat e saj më të shquara, Petar II Petrović-Njegoš.

Sipas një interviste të botuar në gazetën malazeze Pobjeda, testimet gjenetike të vijës atërore të kësaj dinastie e vendosin atë në haplogrupin E1b1b, një prej linjave gjenetike më të lashta të Evropës. Ky zbulim tërhoqi menjëherë vëmendjen, pasi E1b1b lidhet zakonisht me popullsi të lashta mesdhetare dhe ballkanike, prania e të cilave në rajon paraprin ardhjen e fiseve sllave me mijëra vjet.

Siç pritej, reagimet ndoqën vijat e zakonshme ballkanike. Disa e interpretuan rezultatin si provë se familja Petrović nuk ishte me origjinë sllave. Të tjerë nxituan ta shpallnin atë shqiptare, ilire, greke apo pjesë të ndonjë trashëgimie tjetër ekskluzive. Në të vërtetë, rëndësia e këtij zbulimi qëndron diku tjetër.

Më Shumë se Një Çështje Gjaku

Mësimi më i rëndësishëm nuk është se dinastia Petrović-Njegoš i përkiste një kombi modern dhe jo një tjetri. Përkundrazi, ai qëndron në faktin se historia e Ballkanit është shumë më e ndërlidhur sesa e pranojnë narrativat kombëtare konkurruese të dy shekujve të fundit.

Gjenetika moderne po konfirmon gjithnjë e më shumë atë që historianët seriozë kanë dyshuar prej kohësh: popujt e lashtë të Ballkanit nuk u zhdukën. Ilirët, Dardanët, Trakët, Grekët, Romakët dhe shumë popullsi të tjera që banonin gadishullin përpara migrimeve të mëdha të Antikitetit të Vonë lanë pasardhësit e tyre. Kur grupet sllavishtfolëse hynë në Ballkan gjatë shekujve VI dhe VII, ato nuk e zëvendësuan popullsinë ekzistuese; ato u përzien me të.

Nga ky proces lindën popujt që sot i njohim si shqiptarë, malazezë, serbë, kroatë, boshnjakë, maqedonas dhe të tjerë. Edhe pse gjuhët, fetë dhe identitetet e tyre politike evoluan në mënyra të ndryshme, trashëgimia e tyre gjenetike mbeti thellësisht e ndërthurur.

Paraardhës të Përbashkët, Identitete të Ndryshme

Kjo shpjegon pse gjurmët gjenetike të popullsive të lashta ballkanike gjenden në të gjithë rajonin. Një linjë atërore që mund të ketë ekzistuar në Ballkanin Perëndimor shumë kohë përpara ardhjes së sllavëve, sot mund të gjendet ndër shqiptarë, malazezë, serbë, grekë dhe shumë popuj të tjerë. Kjo nuk duhet të habisë askënd. Popujt e Ballkanit kanë ndarë të njëjtat male, lugina dhe brigje detare për mijëra vjet.

Njëkohësisht, këto gjetje na kujtojnë një dallim të rëndësishëm midis prejardhjes dhe identitetit. Gjenetika mund të tregojë se nga e ka origjinën një linjë atërore mijëra vite më parë. Por ajo nuk mund të përcaktojë kulturën, gjuhën apo identitetin kombëtar të një personi. Një marker gjenetik nuk mund të na tregojë nëse dikush ka folur shqip, serbisht, greqisht, latinisht apo ndonjë gjuhë tjetër. Këto janë çështje historie dhe kulture, jo biologjie.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në diskutimet mbi trashëgiminë ilire të Ballkanit Perëndimor. Shumë studiues i konsiderojnë shqiptarët si popullin që ruan vazhdimësinë më të fortë gjuhësore me popullsitë e lashta të rajonit. Gjuha shqipe konsiderohet gjerësisht si dega e fundit e mbijetuar e botës gjuhësore paleo-ballkanike. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se trashëgimia gjenetike e atyre popullsive u përket ekskluzivisht shqiptarëve. Përkundrazi, shekuj bashkëjetese, migrimesh dhe martesash ndërmjet popullsive kanë bërë që kjo trashëgimi të bëhet pjesë e trashëgimisë biologjike të shumë popujve të Ballkanit.

Çfarë Mund të Na Mësojë Shkenca

Nga ky këndvështrim, gjetjet lidhur me Petrović-Njegoš nuk duhet t’i ndajnë popujt e Ballkanit. Përkundrazi, ato duhet t’i bashkojnë në një kuptim më të thellë të së kaluarës së tyre të përbashkët.

Ndoshta ironia më e madhe e historisë së Ballkanit është se popullsi që shpesh theksojnë dallimet e tyre ndajnë shumë më tepër prejardhje të përbashkët sesa e kuptojnë. Të njëjtat male që ndanin komunitetet, njëkohësisht i lidhnin ato. Të njëjtët lumenj bartnin tregtarë, migrantë, ushtarë dhe familje nga një brez në tjetrin. Shumë kohë përpara se të vizatoheshin kufijtë modernë, popujt e Ballkanit tashmë po formësonin fatet e njëri-tjetrit.

Shkenca nuk mund të zgjidhë çdo debat historik. As nuk duhet të përdoret për të mbështetur agjenda politike. Por ajo mund të sfidojë mitet dhe të na mësojë përulësi. Mësimi që del nga debati mbi ADN-në e Petrović-Njegoš nuk është se një komb ka fituar një debat kundër një tjetri. Mësimi është se rrënjët e historisë së Ballkanit shtrihen shumë më thellë sesa politika moderne dhe se ato rrënjë, në shumë aspekte, janë të përbashkëta.

Guximi për të Njohur të Vërtetën

Nëse shkenca na ndihmon të kuptojmë më mirë se kush ishin paraardhësit tanë, nuk ka arsye t’i frikësohemi këtij zbulimi. Asnjë komb nuk duhet të turpërohet nga rrënjët e tij, cilado qoftë origjina e tyre. Njohja e së vërtetës mbi prejardhjen tonë nuk është humbje identiteti, por një afirmim më i thellë i tij.

Është si një fëmijë i rritur me dashuri nga prindër adoptues, i cili një ditë zbulon identitetin e prindërve të tij biologjikë. Ky zbulim nuk ndryshon jetën që ai ka jetuar, por mbush një boshllëk që për vite me radhë kishte mbetur pa përgjigje. Në të njëjtën mënyrë, popujt që arrijnë të kuptojnë origjinën e tyre të vërtetë historike nuk humbasin asgjë nga vetvetja; përkundrazi, fitojnë një kuptim më të plotë të asaj që janë dhe se si u bënë të tillë.

Siç është shprehur me urtësi Marcus Garvey:

“Një popull pa njohuri për historinë, origjinën dhe kulturën e vet është si një pemë pa rrënjë.”

Për individët, ashtu si edhe për kombet, e vërteta mbi origjinën nuk është një barrë që duhet pasur frikë, por një dhuratë që duhet përqafuar. Vetëm duke kuptuar se nga vijmë, mund të kuptojmë plotësisht se kush jemi. Në një rajon që shpesh është përcaktuar nga kujtime konkurruese dhe narrativa kundërshtuese, ky mund të jetë zbulimi më i vlefshëm nga të gjithë.

Filed Under: Kulture

Dita Ndërkombëtare e Muzeve

May 18, 2026 by s p

Prof. Skender Asani/

18 Maji, i shpallur Ditë Ndërkombëtare e Muzeve nga International Council of Museums në vitin 1977, përkujtohet në mbarë botën si simbol i kujtesës kolektive, identitetit historik dhe ndërgjegjes kulturore. Për shqiptarët në Maqedonin e Veriut, kjo datë shfaqet si një kujtesë e dhimbshme e mungesës së një institucioni të mirëfilltë muzeor ku do të konservohej dhe prezantohej trashëgimia e pasur iliro-arbërore-shqiptare. Kjo trashëgimi, në vend se të mbrohej, analizohej dhe interpretohej mbi baza shkencore, për dekada me radhë i është nënshtruar projekteve sistematike të zhdukjes, deformimit dhe falsifikimit historik, kulturor dhe identitar.

Një shoqëri që nuk arrin ta ruajë historinë e saj, rrezikon të humbasë vetëdijen historike, të asimilohet dhe përfundimisht të shndërrohet në një entitet tjetër kulturor. Në këtë realitet tragjik, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të mbeten pa një muze kombëtar që do të dëshmonte vazhdimësinë e tyre historike në këto troje. Ndërkohë, elitat politike shqiptare kulturën dhe trashëgiminë e kanë lënë nën mëshirën e politikave shtetërore të karakterizuara nga qasje të ngurta dhe asimiluese ndaj trashëgimisë iliro-arbërore-shqiptare, në vend që ato t’i shndërronin në projekt kombëtar. Në depot dhe bodrumet e muzeve shtetërore vazhdojnë të heshtin miliona artefakte, të privuara prej dekadash nga interpretimi i tyre autentik shkencor, ndërsa dëshmitë e pakta që dalin në dritë shpeshherë i nënshtrohen shtrembërimeve interpretative me synim zbehjen e gjurmëve të identitetit shqiptar.

Si mund të anashkalohen gurët mbivarrorë të zbuluar në Scupi, të cilët dëshmojnë qartë vazhdimësinë dardane të këtyre territoreve, por që ende nuk gëzojnë njohjen e merituar institucionale dhe kontekstin e tyre të drejtë historik? Kjo heshtje institucionale ndaj trashëgimisë nuk paraqet vetëm krizë kulturore, por edhe krizë të memories historike të një populli që ende përpiqet të ruajë ekzistencën e tij në një hapësirë ku historia e tij i paraprin shumë narrativave politike të ndërtuara më vonë mbi të.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 577
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VALLE FIT THIS SATURDAY!
  • BIOGRAFIA E GJERGJ KASTRIOTIT NGA MARTIN SEGONI
  • VDEKJA E EMPATISË DHE RRËSHQITJA E QYTETËRIMIT DREJT BARBARIZMIT
  • TRASHËGIMIA ARKEOLOGJIKE E LUGINËS SË SHKUMBINIT SI BURIM PËR TURIZMIN KULTUROR INOVATIV
  • Ambasadori i xhazit dhe i vlerave shqiptare
  • Historia e çlirimit të Kosovës do të ishte e paplotë pa Jakup Krasniqin
  • Prof.Dr. Isak Shehu, muzika i buron nga rrënjët
  • THE CANBERRA TIMES (1984) / BRITANIKJA KERIN HOPE : “UDHËTIM NË SHQIPËRI, KU MAKINAT, KONTRACEPTIVËT, MJEKRAT DHE FEJA JANË TË NDALUARA.”
  • FILATELIA SHQIPTARE NË EKSPOZITËN GJERMANE-SUEDEZE : BEPHILA-2026
  • JUSTICE FOR THE BYTYQI BROTHERS — KOSOVA AND AMERICA MUST DO MORE TO ENSURE ACCOUNTABILITY FOR SERBIAN CRIMES
  • Iliria në hartografinë Ptolemeike: Një analizë historiko – hartografike e hartës së Petrus Bertius
  • VATRA DHE DIELLI NGUSHËLLOJNË FAMILJEN HOXHA, CANI E KIRKPATRICK
  • Sovraniteti i Kosovës në arkitekturën e re ndërkombëtare
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË HOLLIVUD
  • Në përvjetorin e dhjetë të Shenjtërimit të Nënë Terezës në Michigan!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT