• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Violeta e sopranos shqiptare Ermonela Jaho sundon në MET

May 12, 2026 by s p

Julika Prifti/

Gjatë viteve 70-të jam magjepsur nga Violeta e sopranos Anna Moffo në transmetimet televizive të kësaj opere në RAI dhe në TVSh. Ajo debutoi në rolin e protagonistes të operës La Traviata në sezonin inaugurues të kompleksit operistik MET të hapur në Lincoln Center gjashtëdhjetë vjet më parë. Atë kohë nisën edhe transmetimet e shfaqjeve operistike, të cilat vazhdojnë të ndiqen me sukses në ekrane sot. E kisha përjetuar Violetën mijëra kilometra larg nga ajo skenë edhe përpara se të shkoja në shfaqje në MET pasi erdha në Nju Jork. Në dekadat e fundit kanë qenë artistët shqiptarë që e kanë rishkruar historinë e operës në MET dhe Violeta e Ermonelës e ka bërë atë të lotojë.

Në vitin 2013 skenografia dhe veshjet bashkëkohore të protagonistëve të një konceptimi modern të operës La Traviata nuk ishin të shijes sime, por tenori shqiptar Saimir Pirgu në rolin e Alfredo-s arriti suksesin e merituar.

Pesë vjet më pas në skenën e MET u magjepsa nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho në rolin e Cio-Cio-San tek Madama Butterfly. Publiku e duartrokiste pa pushim për minuta të tëra dhe triumfi i saj u sigurua.

Katër shfaqjet e La Traviatës në maj 2026 me Ermonela Jaho-n në MET janë një rast për të ndjerë thellësinë emocionale dhe pasurinë e nuancave që ka zhytja e saj e plotë në rolin e Violetës, përshkruar edhe nga kritika si rrëqethëse dhe zemër-thyese. Nga aftësia e saj e rrallë e përvetësimit emocional dhe muzikal të rolit të protagonistes, interpretimi i saj përçon sallën që nga nota e parë deri në rënien në skenë në aktin e fundit.

Zëri i saj lavdërohet për frazimin delikat, inteligjencën dramatike dhe aftësinë e jashtëzakonshme për të përcjellë një brishtësi të skajshme. Violeta e saj paraqet rënien fizike dhe psikologjike të protagonistes me një realizëm të prekshëm. Edhe pa qenë kritik arti, spektatori e ndjen në qenien e vet interpretimin e Jaho-s dhe e përjeton dramën e Violetës.

Kur ndiqja interpretim e transmetuar të Anna Moffo-s nga ekrani, nuk e imagjinoja se një ditë një bashkë-atdhetare në rolin e Violetës do ishte një sundimtare e fronit operistik të një roli kërkues për nga zotërimi i nuancave të zërit dhe interpretimit dramatik, aq sa konsiderohet se qëndron “në një kategori më vete”.

Në 2018 Madama Butterfly e Jaho-s u prit me duartrokitje të pandërprera nga publiku. Edhe në shfaqjen e 7 majit publiku e ndjeu me shpirt Violetën e Jaho-s. Pranë meje ishin vizitorë nga Franca, Barbados dhe Rumania, të cilët kishin ardhur si turistë në Nju Jork. Ata e kishin planifikuar vizitën në koordinim me operën La Traviata në MET për të parë sopranon tonë në një nga shtëpitë më të madha operistike të botës.

Ndërsa spektatorët, mes tyre shumë shqiptarë, shpërthenin në duartrokitje dhe thirrje entuziaste Brava! Brava! ndjeva vërshimin e kujtimeve të rinisë dhe emocione e krenari. Violeta e sopranos shqiptare, Ermonela Jaho në MET rrëmben zemrat e gjithë spektatoreve dhe vulos në kujtesë një përvojë të paharrueshme.

Foto: www.theoperaqueen.com

Filed Under: Kulture

“Nân” e Alis, plaga shqiptare që shndërrohet në art universal në Vjenën e Eurovision Song Contest 2026

May 11, 2026 by s p

Më 12-16 maj, kënga e re e kontinentit plak, do të shndërrojë Vjenën e gjigandëve të muzikës dhe artit, arkitekturës dhe mendimit, në kryeqendrën e kryengjarjeve. Me nisjen e gjysmëfinaleve në Vjenë këtë të martë, kryeqyteti austriak është shndërruar në epiqendrën e një tërmeti artistik që ka përfshirë mbarë kontinentin. Eurovision Song Contest 2026 nuk është thjesht një garë televizive; është rikthimi i një rituali dekadash që e shndërron muzikën në të vetmen gjuhë ku emocionet dhe identiteti europian bashkëjetojnë pa pasur nevojë për përkthim.

Në këtë atmosferë të ndezur, rrjeti prestigjioz britanik BBC ka publikuar një analizë shteruese të 35 këngëve konkurruese, duke skanuar çdo detaj nga produksioni deri te mesazhet gjeopolitike. Skena e madhe e Vjenës këtë vit nuk po dëshmon thjesht një performancë muzikore, por një akt rrëqethës dëshmie njerëzore. BBC e ka klasifikuar këngën “Nan” të Alis në kategorinë elitare të “Teksteve me kulturë të lartë”, duke e vlerësuar si një nga narrativat më të fuqishme emocionale të edicionit të fundit të Eurovisionit.

Ajo që nisi si një moment katarktik në netët e Festivalit të Këngës në RTSH, tashmë është shndërruar në një himn të dhimbjes universale. Alis, me një vokal që duket se mbledh lotët e një kombi, ka arritur të thyejë barrierën gjuhësore. Kritika ndërkombëtare e BBC-së vëren se kënga nuk është thjesht një baladë, por një përjetim: “Alis e interpreton “Nân” me një sinqeritet dhe pasion që është i vështirë të krahasohet; ai nuk këndon thjesht vargjet, ai jeton traumën e ndarjes.”

Në thelb të këngës qëndron figura e nënës, një simbol i qëndresës dhe dëshpërimit, e cila pret në pragun e shtëpisë, në zemrën e çarë nga dhimbja e mungimit, kthimin e fëmijës nga emigrimi. BBC nënvizon se ky tekst godet fort sepse buron nga një realitet historik në plagën e tranzicionit. Tema e emigrimit është “vula” e historisë shqiptare post-1991.

Përtej dhimbjes, kënga rrezaton një shpresë kokëfortë që vetëm dashuria prindërore mund ta mbajë gjallë.

Përdorimi i elementeve autentike e bën “Nân” një manifest të kulturës së Ballkanit, ku pritja është shndërruar në art. Sipas ekspertëve të muzikës, suksesi i “Nân” qëndron te thjeshtësia e saj brutale. Ndërsa shumë shtete konkurrojnë me efekte vizuale dhe ritme sintetike, Shqipëria këtë vit ka zgjedhur zhveshjen shpirtërore. Ky rikthim te “teksti me peshë” tregon se muzika mbetet mjeti më i fuqishëm për të treguar historitë që shifrat e emigrimit nuk mund t’i shpjegojnë dot.

Vjena, kryeqyteti i muzikës klasike, duket se e ka gjetur te zëri i Alis atë “shpirtin e humbur” që arti modern shpesh e harron në kërkim të spektaklit. Në një kohë kur zhvillimet globale po diktojnë ndarje dhe mure, skena e Vjenës ofron atë që diplomacia shpesh dështon ta bëjë, bashkimin përmes estetikës. Për Shqipërinë, “Nân” nuk është vetëm një këngë, por një mjet i “soft power”, duke treguar se pasuria jonë më e madhe mbetet autenticiteti emocional. “Nëse ka një këngë këtë vit që të bën të harrosh se po dëgjon një garë dhe të kujton se po dëgjon një shpirt, ajo është “Nân” nga Alis.” citohet në esen kritike të BBC.

Albert Vataj

Filed Under: Kulture

𝐌𝐔𝐙𝐄𝐔 𝐌𝐀𝐑𝐔𝐁𝐈 𝐍Ë 𝐍𝐉Ë 𝐃𝐄𝐊𝐀𝐃Ë

May 10, 2026 by s p

Më 9 Maj, përkujtojmë dhjetëvjetorin e inaugurimit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Në Ditën e Europës, një dekadë më parë, hapi dyert një institucion që nuk u mendua vetëm si hapësirë ruajtjeje e imazhit, por si një vend ku fotografia do të vazhdonte të jetonte si kujtesë, dëshmi historike dhe formë reflektimi mbi shoqërinë.

Kjo datë përkon edhe me ditëlindjen e Gegë Marubit, fotografit të fundit të Dinastisë Marubi, falë të cilit u shpëtuan dhe u ruajtën përjetësisht koleksionet e fotografëve të Shkodrës, themeli i arealit të fotografisë shqiptare.

Në këto dhjetë vite, Muzeu “Marubi” është shndërruar në një hapësirë dialogu ndërmjet historisë dhe së tashmes, ndërmjet arkivit dhe interpretimit bashkëkohor. Përmes rreth 40 ekspozitave, mbi 60 bisedave, konferencave e tureve, si dhe afro 200 punëtorive dhe masterklasave të edukimit, muzeu ka ndërtuar një marrëdhënie të re me fotografinë dhe publikun.

Paralelisht me aktivitetin publik, puna mbi arkivin ka qenë një nga dimensionet më të rëndësishme të institucionit. Nëse para dhjetë vitesh arkiva numëronte rreth 493.823 negativë, sot ajo i afrohet 542.823 fotografive, ndërsa rreth 80% e fondit është konservuar, duke garantuar ruajtjen e kësaj kujtese vizuale për brezat që vijnë.

Në vetëm një dekadë, Muzeu “Marubi” arriti të afirmohej edhe ndërkombëtarisht: në vitin 2017 u përzgjodh në listën e ngushtë për European Museum of the Year Award, ndërsa në vitin 2025 arkivi i tij u regjistrua në Regjistrin Ndërkombëtar “Memory of the World” të UNESCO-s.

Në vijim të këtij vizioni për pasurimin dhe riaktivizimin e arkivës, Muzeu “Marubi” do ta shënojë këtë dekadë me një ekspozitë kushtuar fotografit shqiptaro-amerikan Gjon Mili, duke e sjellë për herë të parë në Shkodër koleksionin e tij origjinal nga New York-u.

Dhjetë vite më pas, Muzeu “Marubi” mbetet jo vetëm një institucion i kujtesës, por një vend ku arkivi vazhdon të dialogojë me kohën tonë.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi

Filed Under: Kulture

Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes albanologun e shquar austriak Nobert Jokli

May 8, 2026 by s p

Nobert Jokli, i cilësuar si babai i albanologjisë, lindi më 25 shkurt 1877 në Bzenec të Moravisë Jugore, në një familje hebreje. Fillimisht u doktorua në jurispondencë, por shumë shpejt iu përkushtua gjuhësisë krahasuese indoevropiane, sllave, gjermanike e romane. Si përgjegjës i bibliotekës së Universitetit të Vjenës dhe ligjërues i gjuhësisë fino-ugriane dhe i filologjisë baltike-sllave-shqiptare, ai u bë një figurë e respektuar në qarqet akademike europiane. Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Rumanisë dhe Danimarkës, ndërsa në vitin 1937 u nderua nga mbreti Zog me “Urdhrin e Skënderbeut” gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Kontributi i Joklit për studimet shqiptare është i pazëvendësueshëm. Ai hapi shtigje të reja në fonetikën historike, në vendosjen e kronologjive relative të ndryshimeve fonetike, në morfologjinë historike, në historinë e fjalëve dhe etimologjinë. Studimet e tij për raportet e shqipes me gjuhët e lashtësisë — ilirishten, trakishten, greqishten e vjetër, latinitetin ballkanik — dhe me gjuhët fqinje si rumanishtja, greqishtja e re e gjuhët sllave, mbeten me vlerë edhe sot. Veprat e tij madhore, si “Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” dhe “Kërkime gjuhësore – kulturohistorike nga fusha e shqipes”, janë gurë themeli të albanologjisë. Miqësia e tij me intelektualë shqiptarë si Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, Ernest Koliqi e Gjergj Fishta, si dhe korrespondenca e dendur me personalitete europiane, dëshmojnë përkushtimin e tij të rrallë ndaj kulturës shqiptare.

Jokli krijoi një bibliotekë albanologjike e indogjermanistike me rreth 3000 libra, ku ruhej edhe dorëshkrimi i një fjalori etimologjik të shqipes — vazhdim i punës së Gustav Meyerit. Fatkeqësisht, ky dorëshkrim humbi në pranverën e vitit 1942.

Kalvari i Joklit nisi në vitin 1938, kur iu mohuan të drejtat profesionale për shkak të origjinës hebreje. Përpjekjet e miqve shqiptarë e italianë për ta sjellë në Shqipëri si organizator të bibliotekave dhe arkivave shtetërore dështuan. Më 4 mars 1942 ai u arrestua nga Gestapoja në Vjenë dhe më 6 maj 1942 humbi jetën, sipas burimeve ose në kazermën Roßauer, ose në kampin e shfarosjes Maly Trostenets pranë Minsk-ut. Me vdekjen e tij, albanologjia humbi mjeshtrin e saj më të madh, ndërsa biblioteka dhe dorëshkrimet e tij u shpërndanë ose u zhdukën.

Norbert Jokli mbetet një nga figurat që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare. Trashëgimia e tij është një thesar i gjallë për brezat e studiuesve dhe një dëshmi e përjetshme e dashurisë së tij për Shqipërinë.

www.akad.gov.al

Filed Under: Kulture

Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913

May 6, 2026 by s p

6 maj 1405 – 6 maj 2026 – në kujtim të 621-vjetorit të lindjes së Skënderbeut.

Nga: Hysen S. Dizdari

Tiranë, më 5 maj 2026

Autor i librit: “Skënderbeu në pullat shqiptare (1913–2023)”

Nderim dhe mirënjohje për skulptorin prof. Heinrich Kautsch (1859–1943), autor i medaljeve me portretin e Skënderbeut

Populli shqiptar dhe, veçanërisht, ne studiuesit e historisë së filatelisë shqiptare, duhet t’i jemi mirënjohës një studiuesi të ri dhe shumë të talentuar, i cili jeton dhe punon në Francë dhe quhet Aurenc Bebja. Ai na ka gëzuar pa masë me zbulimin e një dokumenti të ri: një libër i botuar në vitin 1912 në Romë, Itali, të cilin e ka publikuar në blogun https://www.darsiani.com më 13 janar 2018, ku shkruan:

“Në veprën me titull ‘L’Albania’ të Vico Mantegazzas, botuar në vitin 1912 në Romë nga shtëpia botuese ‘Bontempelli e Invernizzi’, gjejmë në faqen 17 një portret të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në medaljen e krijuar nga skulptori Heinrich Kautsch.”

Zbulimi i medaljes me portretin e Skënderbeut, i botuar në librin “L’Albania” të autorit Vico Mantegazza, mund të konsiderohet si një nga zbulimet më të rëndësishme të vitit 2018 në lidhje me studimet përkujtimore për 621-vjetorin e lindjes së Skënderbeut, për këto arsye:

Skulptori i njohur, prof. Heinrich Kautsch (1859–1943), është autor i disa medaljeve dhe skulpturave, të cilat janë vlerësuar nga specialistët e arteve figurative si ndër më të arrirat; ato spikasin për stilin e veçantë të kompozimit dhe për bukurinë e rrallë artistike.

Libri me titull “L’Albania”, i cili paraqet një medaljon të skulptorit Heinrich Kautsch, vërteton nga një burim i dytë i pavarur se autori i medaljonit me portretin e Skënderbeut, që ka shërbyer për të ilustruar pullën e parë shqiptare, është pikërisht Heinrich Kautsch.

Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se medaljoni që paraqitet në librin “L’Albania” nuk është identik me atë që shfaqet në pullën e emetuar më 1 dhjetor 1913; megjithatë, mendohet se Qeveria e patriotit Ismail Qemali mund të ketë porositur disa medaljone te skulptori Heinrich Kautsch (studiues të tjerë në të ardhmen mund të zbulojnë dokumente apo libra me medaljonin autentik).

Portreti i Skënderbeut në medaljonin e krijuar nga skulptori Heinrich Kautsch, i paraqitur në pullën e parë shqiptare të emetuar më 1 dhjetor 1913, ka disa veçori të spikatura:

Së pari: Pulla me portretin e Skënderbeut, e krijuar fillimisht në medaljon, u emetua me vendim të Qeverisë së Ismail Qemalit më 1 dhjetor 1913 dhe u shtyp në një tirazh prej 2 milionë e 950 mijë kopjesh, sipas John S. Fipps-it në librin e tij “Pullat dhe postat e Shqipërisë dhe të Epirit 1878–1945”, faqe 121.

Megjithatë, një dokument i zbuluar nga Thimi Nika, studiues i njohur dhe autor i librit “Historia e filatelisë shqiptare” (2013), faqe 95, thekson: “Përlindja e Shqipërisë”, në numrin 21 të datës 15–28 mars 1914, shënon se të gjitha pullat me portretin e Skënderbeut u shtypën në tirazhin 2 875 000 copë.

Pra, bazuar në këto dy burime të pavarura, portreti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, është shtypur në rreth tre milionë kopje dhe kjo pullë është përhapur në të gjithë botën. Ajo e ka bërë më të njohur portretin e tij se çdo dokument tjetër dhe, me të drejtë, është cilësuar si emisioni me tirazhin më të madh në historinë e pullës shqiptare.

Së dyti: Kjo pullë shënon realizimin e parë artistik të portretit të Skënderbeut në një pullë shqiptare, me tipare që përputhen me përshkrimet autentike të dhëna nga At Dhimitër Frangu, bashkëkohës i tij dhe arkëtar personal, në librin “Veprat e lavdishme të Skënderbeut”, përkthyer nga Lek Pervizi (Tiranë, 2005).

Ky libër, siç theksohet nga përkthyesi, është ndër të vetmit që bazohet në dëshmi të drejtpërdrejta të bashkëkohësve dhe është botuar fillimisht në italisht në vitin 1506, duke u ribotuar më pas rreth 20 herë në gjuhë të ndryshme. Edhe portreti në kopertinën e këtij libri ngjan me atë të pullës së vitit 1913.

Së treti: Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje ndaj prof. Heinrich Kautsch-it, propozohet që Komisioni Shtetëror i Pullës Shqiptare të emetojë një pullë përkujtimore me portretin e tij, së bashku me medaljonin e Skënderbeut të realizuar prej tij, brenda vitit 2026.

Gjithashtu, pjesë e këtij emisioni mund të jenë edhe studiues të njohur si John S. Fipps dhe Thimi Nika, të cilët kanë kontribuar në dokumentimin e origjinës së këtij portreti.

Fragment nga poema “Skënderbeu” – Naim Frashëri (1898)

Kush nuk e di Skënderbenë,

Që nderoi mëmëdhenë?

Dhe sot nga armët e tija

Kullon thjesht trimëria!

E di njerëzia e tërë

Atë zot ç’punë ka bërë:

Kur hiq Skënderbeu shpatë,

Trimave u jepte datë!

A e shihni Skënderbenë,

Mbret i mirë, trim e burrë,

U përpoq për mëmëdhenë,

Po s’i vdes emri kurrë.

Skënderbeu është i gjallë,

Rron e mbretëron për jetë;

Kjo fjalë s’është përrallë,

Ndaj të urtit është e vërtetë.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 577
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VALLE FIT THIS SATURDAY!
  • BIOGRAFIA E GJERGJ KASTRIOTIT NGA MARTIN SEGONI
  • VDEKJA E EMPATISË DHE RRËSHQITJA E QYTETËRIMIT DREJT BARBARIZMIT
  • TRASHËGIMIA ARKEOLOGJIKE E LUGINËS SË SHKUMBINIT SI BURIM PËR TURIZMIN KULTUROR INOVATIV
  • Ambasadori i xhazit dhe i vlerave shqiptare
  • Historia e çlirimit të Kosovës do të ishte e paplotë pa Jakup Krasniqin
  • Prof.Dr. Isak Shehu, muzika i buron nga rrënjët
  • THE CANBERRA TIMES (1984) / BRITANIKJA KERIN HOPE : “UDHËTIM NË SHQIPËRI, KU MAKINAT, KONTRACEPTIVËT, MJEKRAT DHE FEJA JANË TË NDALUARA.”
  • FILATELIA SHQIPTARE NË EKSPOZITËN GJERMANE-SUEDEZE : BEPHILA-2026
  • JUSTICE FOR THE BYTYQI BROTHERS — KOSOVA AND AMERICA MUST DO MORE TO ENSURE ACCOUNTABILITY FOR SERBIAN CRIMES
  • Iliria në hartografinë Ptolemeike: Një analizë historiko – hartografike e hartës së Petrus Bertius
  • VATRA DHE DIELLI NGUSHËLLOJNË FAMILJEN HOXHA, CANI E KIRKPATRICK
  • Sovraniteti i Kosovës në arkitekturën e re ndërkombëtare
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË HOLLIVUD
  • Në përvjetorin e dhjetë të Shenjtërimit të Nënë Terezës në Michigan!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT