• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Legacy on the Runway

April 25, 2026 by s p

Join the Albanian American Club of Westchester for an unforgettable evening at our Legacy on the Runway: Spring Fashion Showcase. Experience a stunning celebration where tradition meets modern style, highlighting the beauty of Albanian heritage through both traditional veshje and contemporary fashion.

The event will take place on Thursday May 14th at 6:00 PM, hosted at Lotus Threads New York in Tuckahoe. Guests will enjoy an elegant and vibrant atmosphere filled with culture, style, and community, as models take the runway showcasing pieces from different regions of Albania alongside modern designs.

Come celebrate with us, connect with the community, and immerse yourself in a night that honors our roots while embracing today’s fashion. The evening will also include raffles, with proceeds supporting our AACW College Scholarship Fund.

Event Highlights:

• Live fashion showcase featuring traditional Albanian costumes and modern styles

• Cultural celebration bringing together community and heritage

• Raffles supporting the AACW College Scholarship Fund

• Elegant, social, and high-energy atmosphere

Pricing:

$60 AACW Members

$80 Non-Members

How to Attend:

CLICK HERE to reserve your ticket or send payment via Zelle to:

home@albanianamericanclub.com

Spots are limited—secure your ticket today and be part of a night celebrating culture, fashion, and legacy.

Filed Under: Kulture

Skënder KAMBERI – Mjeshtri i Madh i pikturës

April 24, 2026 by s p

Vepra që na vënë në mendime 

 Viron Kona

Shkrimtar e studiues

      Skënder Kamberi, “Piktor i Popullit”, “Mjeshtër i Madh”, ndër piktorët e  spikatur të vendit tonë në 30 vitet e fundit të shekullit të kaluar dhe në vazhdim të mijëvjeçarit të ri, derisa mbylli  sytë në prill të këtij viti (2026). Ai ishte kurdoherë mbresëlënës me karakterin e tij të papërsëritshëm, por mbi të gjitha me vlerat e larta artistike, kolorin dhe origjinalitetin e pikturave të tij. 

Skënder Kamberi

    (1939 – 2026)

      Në pikturat e Kamberit, pothuajse të gjithë elementët tërheqin vëmendjen, të vënë në mendime sa herë që ndodhesh përpara tyre: edhe kompozicioni, edhe vizatimi, edhe kolori… dhe, shpejt, shikuesi arrin  në konkluzionin se ka përpara një piktor të kompletuar të kohëve moderne. Veprat e  tij janë tashmë të njohura dhe gurë themeli në historinë e pikturës shqiptare: “Buka e duarve tona”, “Kthimi i nëndetëseve”, “Betimi i Vrana Konti”, “Vajza e valëve”, “Kosovarja”, “Në Belvederë në Vjenë sikur pashë Skënderbenë“,“Otranto, 1997”, portreti i luftëtarit Sali Vranishti…etj. etj. Lista e veprave të tij është e pafund, numërohen mbi 1400 piktura… 

1.Tabloja “Në Belvederë në Vjenë…”                    

2.Tabloja “Buka e duarve tona”

      Skënderi nuk përsëriste asnjëherë vetveten, por krijonte vazhdimisht, ai kishte zërin e tij, mendimin  tij, penelin dhe kolorin e tij. Të njihje Skënder Kamberin, duhej të njihje shpirtin e tij krijues, impulset shpërthyese, energjitë e pandalshme që vrullonin nëpërmjet “armës” së tij, penelit të magjishëm skënderian.  

      Kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin ta njihja Skënder Kamberin që në rininë time. I mblidheshim përqark në studio, bashkëbisedonim dhe shfaqnim mendimet tona për veprat  e tij, teksa Skënderi, duke punuar, na dëgjonte me një buzagaz të lehtë, shikim të çiltër  dhe me ndjenjë respekti, i bindur se  ne  që i vinin në studio dhe shprehnim dëshirën t`i qëndronim pranë kur ai punonte, ia donim dhe ia vlerësonim punët e shkëlqyera që realizonte me penelin e tij të magjishëm, sikurse e donim Skënderin edhe si shokë e mik, si njeri të formuar dhe me kulturë. E teksa ne shfaqnim respektin ndaj tij për shfrytëzimin në maksimum të kohës, ai hiqte një çast vështrimin nga piktura:

-E dini se ç`më thoshte Çabej në një bisedë: ”Po të flesh 1 orë apo, qoftë  edhe gjysmë ore pasdite, ditën e ndanë në dy ditë dhe punon i freskët deri në orët e vona”.

-Po ja, ti Skënder po mëson edhe gjermanisht, ku e gjen kohën? – e pyesnim.

-T`ju them një sekret! Ja më dëgjoni: sa herë që rruhem në mëngjes, përpara pasqyrës ngjisë disa fjalë e fjali në gjermanisht dhe gjatë gjithë kohës që rruhem, i përsëris ato me zë pa pushim. Dhe,  kini parasysh se, unë, rruhem çdo ditë…”

Hëm! Vërtetë i çuditshëm ky Skënderi! Ku s`i vete mendja! – thoshim ne me njëri-tjetrin.

Nestor Jonuzi, Viron Kona, Skënder Kamberi, 

                             Vlorë 1979      

     Uniteti i Skënder Kamberit dhe Piktorit tjetër të Popullit  Nestor Jonuzi, ndihmuan shumë në krijimin rreth viteve 70 dhe 80 të shekullit të kaluar, në krijimin e “Shkollës vlonjate të pikturës”. Ky unitet, shkathtësoi atëherë degën e shkrimtarëve dhe artistëve krijues vlonjatë, të cilët duke respektuar krijimet e njëri – tjetrit, jo vetëm në pikturë, por edhe në muzikë, letërsi, skulpturë, qeramikë etj., mblidheshin vazhdimisht, bashkëbisedonin, shfaqnin mendime, debatonin dhe largoheshin me përshtypje dhe emocione të reja nga studiot e  punës të kolegëve të tyre. 

       Karakteri tepër i veçantë i  Skënderit, në njohje të parë,  të bënte të vije buzën në gaz për pasionin me të cilin ai fliste, vullnetin që tregonte, dëshirën e mirë dhe botën e tij të pasur, humanizmin dhe kulturën e veçantë. I vëmendshëm në bisedë, një njeri që të shihte në sy kur flisje me të, Skënderi ishte i drejtpërdrejtë, e shprehte gjithnjë hapur atë që mendonte, pa u druajtur se çdo të mendonin të tjerët për fjalët dhe mendimet e  tij. Edhe atëherë, para viteve 90-të, edhe në vitet e demokracisë, kur punonte me ritëm dhe shpaloste vrulle të reja të pasionit të tij krijues, ishte po ai Skënder, energjik dhe vital, aspak xheloz, por gjithnjë kërkues në rrugën e  tij. 

        Duke hedhur këto shënime, sjellë në kujtesë edhe disa nga pyetjet dhe përgjigjet  që i mora atij në një intervistë, para shumë vitesh, më saktë më 16. 06. 2000, të cilën atëherë e  botova te gazeta “Pasqyra’.

-Ndjeni konkurrencë në pikturën tuaj? – ishte kjo njëra nga pyetjet që  i bëra atëherë. 

Skënderi m`u përgjigj: 

“-Nuk konkurroj kurrë. Bilbili këndon për qejf të vetë. E jo për të konkurruar me ndonjë zog tjetër. Lulet kanë secila ngjyrat e veta e nuk konkurrojnë me ferrat. Ngjyrat e peshqve dhe të fluturave, u përkasin atyre e jo për të konkurruar me kafshë e insekte të tjera. Konkurrenca është rudiment i njeriut, që e ndalon të bëhet njeri i së ardhmes. Unë jam pak xheloz për muzikën, e cila është më superiore se figurativi, por në asnjë mënyrë të konkurroj. Fusha  e muzikës ka shumë konkordanca me pikturën. Madje janë bërë eksperimentime shkencore që puqen me figurativin, po prapë se prapë mua më çudit sesi veshi të superoj syrin! Ai të jetë më i rëndësishëm se të parit? Po mallkimi bëhet: “Mos paç sy!”, “U bëfsh qorr!” e, nuk thotë:  “Mbetsh shurdh!” Muzika është diçka hyjnore, piktura: shpirtërore, njerëzore.

Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit të Vlorës, 1984.

-Sa ka ndikuar Vlora, njerëzit dhe natyra e saj në krijimtarinë tuaj?

-Vlora është qyteti i fëmijërisë sime, i rinisë, i burrërisë, është qyteti i paraardhësve të mi, qyteti ku u linda dhe krijova familjen time, e, mbi të gjitha është krijimtaria ime pjellore në fushën e pikturës. Vlora më ka frymëzuar për qindra peizazhe. Po, përse e lashë Vlorën? Kur bëhej luftë në Firence, Mikelanxhelon e  gjeje në Romë. Arti kërkon një qetësi shpirtërore specifike, gjë që pjesërisht kohët e  fundit më mungoi. Vlonjatët e  dinë mirë se jam i lidhur tepër me artin e, për hir të tij, mund të më justifikojnë që u largova prej Vlorës dhe erdha këtu në Tiranë.

-Keni ndonjë pikturë të kohës së monizmit për të cilën sot do të kishit dashur të mos e kishit bërë? Sa i lirë ose i penguar jeni ndjerë në atë kohë?

-Asnjë. Të gjitha i kam bërë me ndjenjë e racionalitet: Kultura të bën të lirë e jo skllav. Mua s`më kanë penguar kurrë konceptet e shumta patriarkale me të cilat ndeshesha përditë në shkollë, në studio e ambiente të ndryshme. Rrotat e mia për progres nuk janë ndalur nga askush edhe pse kanë vënë cipenj nën rrota. Pra çdo gjë e kam bërë me vetëdije e dashuri. Nuk kthej kokën prapa, s`jam nga ata që bëhen pishman për atë që kam nxjerrë nga studioja ime. E kam ndjerë veten të lirë, sepse  e vlerësoja artin tim. Ndofta më quani mendjemadh, – por edhe modestia e tepruar është mendjemadhësi. Si artist kam reflektuar me art kohën e bashkëkohësve të mi, detyrë imperative për çdo krijues. Më vjen keq që u zgjata, por edhe pyetja provokon për një epokë që ka shumë e shumë për të folur e shkruar…Koha që kalon Shqipëria në tranzicion prek edhe artin. Artistët e vendit, më të shumtët janë larguar, sidomos të rinjtë, por këta që janë punojnë e krijojnë këtu me shumë sforco e strese, nën diktaturën financiare. E ardhmja e artit është në dorë, jo vetëm të artistëve, por edhe të zhvillimit total të vendit”.

Zemra e “Mjeshtrit të Madh” dhe “Piktorit të Popullit”  Skënder Kamberi ka ndalur, por arti ynë, Vlora dhe populli ynë fisnik, do t`i ruajë në kujtesë veprat e piktorit të madh, pikturat e mrekullueshme skënderiane. 

Filed Under: Kulture

Ramë Dardania dhe fluturimi i bletëve në Carroussel du Louvre

April 22, 2026 by s p

Luan Rama/

Ekspozita ndërkombëtare e Artit Pamor në Carroussel du Louvre sapo është mbyllur. Artistë të ndryshëm nga bota prezantuan veprat e tyre e mes këtyre artistëve ishte dhe Ramë Dardania. Ishte miku im Saimir Strati, fitues i 11 çmimeve Giness me mozaikët dhe teknikat e tij i cili ma prezantoi: një artist nga Kosova ! Punimet e tyre ishin pranë e pranë. Ai kishte lindur dhe rritur në Ferizaj dhe më pas ishte marrë shumë me teatrin, aktrimin si videoast gjithashtu, dhe më pas është vendosur në Gjenevë të Zvicrës duke iu rikthyer ëndrrës së parë, pikturës, figurës, atëherë kur fëmijë luante me baltën duke krijuar figurat por kur kthehej në shtëpi dëgjnote gjithnjë qortimet e nënës për rrobat gjithë njolla të tij. E pra, në këto ekspozime ishte përsëri bota fëminore: Rozi nga Kosova, një vajzë 12 vjeçare që e magjepsur nga bleta puntore dhe kosherja si një organizëm i gjallë dhe i perfeksionuar, e kishte bërë për vete dhe tashmë ajo kishte vendosur të merrej me rritjen e bletëve, një ëndërr që donte ta bënte realitet.

Një art i lashtë i njeriut dhe mjaft fisnik. Ishte pikërisht kjo histori që e shtyu Ramën të pikturonte këtë pasion fëminor, ndoshta i kujtoi fëmijërinë pasionante të tij, duke kërkuar kështu të hyjë në botën fëminore. Por është interesante se kur Rozi e mori vesh se tablotë e tij do të vinin në Paris, ajo erdhi menjëherë ta takonte bashkë me prindërit e saj. Një takim i bukur jo vetëm për Rozin por dhe për artistin. Ky pikëtakim si në Carroussel du Louvre ndodh rrallë. Ja pse kur Rama flet, ka një ndjesi ngazëllimi, pasi tema ka poetikë në thelbin e vet. Kjo më kujtoi një film mjaft të bukur « Rritësi i bletëve » e njëkohësisht, duke qenë se i pëlqej bletët, një nga personazhet kryesore të romanit tim « Gruaja që vinte nga mjegulla » e bëra bletërritës… Kështu bletët e artistit në muret e Carroussel du Louvre duket se ende fluturojnë.

Ramë Dardania është audidakt. Në fillim ishte bota e ngjyrave që e ka sugjestionuar dhe e ka bërë për vete dhe kështu bota e pikturës filloi të pasurohej me elementët e figurave : një pikturë optimiste, e gëzuar, shpesh bota fëminore me naivitetin e vet të pastër human. Të gjitha këto na bëjnë ta pëlqejmë pikturën e tij, ti afrohemi tablosë dhe ta shohim pikturën gjatë për të zbuluar akoma më shumë botën humane, jetën, herë-herë dramën, fytyrën njerëzore, që siç thotë ai, « fytyrat janë pasqyrat e shpirtit ». Dhe dihet që një fytyrë e tillë është e vështirë në proçesin e krijimit artistik. Ky artist tashmë i vendosur në Gjenevë këto vite ka krijuar një eksperiencë të mirë artistike duke ka hapur ekspozita jo vetëm në Zvicër por dhe në Itali, Spanjë e gjetkë, madje dhe në Ballkan apo në Shkodër. Duket që piktura e tij e kërkon formatin e madh.

Ngjyrat janë të ndezura dhe kjo e shtyn të komunikojë menjëherë me publikun. Dhe është gjithnjë humania e veprës që e bën të mundur këtë. Në stilin e tij është origjinal por nuk mungon ti drejtohet dhe kërkimit të trupit njerëzor, aty ku është trupi që flet, që mban dramën, nudo që ka një histori dhe që vjen nga diku. Një tripik i tillë në format të madh para disa kohësh është padyshim një kërkim me vlerë të veçantë artistike çka më shtyn të them se aty pikëtakova taablotë e piktorit të famshëm francez Ernest Pignon, i cili trupin njerëzor në format të madh e nxjerr nga atelieri dhe e vendos në muret e vjetra të rrugëve apo shesheve me një ide të përcaktuar.

Ramë Dardania ka tablo të mëdha që vërtet të tërheqin dhe të bëjnë të mendosh, të kërkosh të deshifrosh mendimin e artistit, siç eshtë dhe një tablo e ndërtuar bukur me elemente figurative që të kujtojnë embrionin njerëzore dhe që të bëjnë ti referohesh zanafillës së jetës. Në tone gri ku spikat e bardha dhe bluja, tabloja të tërheq në imazhin e saj enigmatik.

Filed Under: Kulture

Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi

April 21, 2026 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Në historinë moderne të kombit shqiptar, rrallëherë gjejmë një bashkëveprim kaq të fuqishëm ndërmjet vizionit kombëtar dhe mbështetjes ndërkombëtare sa ai që u ndërtua në Boston në fillim të shekullit XX. Në këtë qendër të rëndësishme të botës së lirë, Fan Noli dhe Faik Konica hodhën themelet e një diplomacie shqiptare moderne, e cila për herë të parë artikuloi me qartësi dhe dinjitet çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Në një kohë kur shteti shqiptar, i dalë nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, ishte ende i brishtë dhe i kërcënuar nga pretendimet territoriale të fqinjëve, veçanërisht nga qarqe politike në Serbia dhe Greqia, diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mori mbi vete një mision historik: mbrojtjen e ekzistencës politike të Shqipërisë.

Ky mision nuk do të ishte i mundur pa krijimin e një infrastrukture të mirëfilltë kombëtare në diasporë. Themelimi i Vatra dhe funksionimi i gazetës Dielli shënuan lindjen e një platforme të organizuar, përmes së cilës shqiptarët jo vetëm që ruajtën identitetin e tyre, por u shndërruan në një faktor ndikues në politikën dhe opinionin publik amerikan.

Fan Noli, me vizionin e tij të gjerë politik dhe kulturor, arriti ta përkthejë çështjen shqiptare në një gjuhë të kuptueshme për elitën amerikane. Ai ndërtoi ura komunikimi me qarqet vendimmarrëse, duke shfrytëzuar në mënyrë të zgjuar hapësirën demokratike që ofronte Amerika. Në prag të Konferenca e Paqes në Paris, aktiviteti i tij dhe i strukturave që ai drejtonte u materializua në memorandume dhe dokumente të mirëstrukturuara, të cilat mbronin të drejtën e shqiptarëve për shtetësi dhe integritet territorial, në përputhje me parimet e vetëvendosjes.

Në anën tjetër, Faik Konica përfaqësonte dimensionin e sofistikimit intelektual dhe diplomatik. Ai e ngriti diskursin shqiptar në nivelin e standardeve evropiane dhe amerikane, duke kundërshtuar me argumente të forta propagandat që synonin delegjitimimin e Shqipërisë. Si përfaqësues diplomatik në Washington, ai kontribuoi në ndërtimin e një imazhi serioz dhe të besueshëm të shtetit shqiptar në sytë e institucioneve amerikane.

Roli i Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë proces mbetet historikisht i pazëvendësueshëm. Nën frymën e parimeve të artikuluara nga Woodrow Wilson, politika amerikane në atë periudhë kontribuoi në ruajtjen e Shqipërisë nga skenarët e copëtimit. Në një kohë kur interesat gjeopolitike të fuqive të tjera shpesh anonin drejt ndarjes së territoreve shqiptare, qëndrimi amerikan krijoi një balancë vendimtare në mbrojtje të së drejtës së një kombi për të ekzistuar.

Megjithatë, një analizë e drejtë kërkon të theksojë se ky “shpëtim” nuk ishte një akt i njëanshëm. Ai ishte rezultat i një sinergjie të fuqishme ndërmjet përpjekjes shqiptare dhe mbështetjes amerikane. Pa veprimin e organizuar të diasporës, pa vizionin e Nolit dhe Konicës, dhe pa artikulimin e qartë të interesit kombëtar, edhe mbështetja ndërkombëtare do të kishte qenë e pamjaftueshme.

Bashkëveprimi i Fan Noli dhe Faik Konica në Boston përfaqëson një model të rrallë të harmonizimit të interesit kombëtar me parimet universale të drejtësisë ndërkombëtare. Ata e shndërruan diasporën shqiptare në një aktor të besueshëm dhe të respektuar, duke dëshmuar se edhe një komb i vogël mund të ndikojë në rrjedhat e historisë kur vepron me vizion, unitet dhe profesionalizëm.

Në kohën tonë, kur sfidat ndaj çështjes shqiptare marrin forma të reja, ky model mbetet një udhërrëfyes i qartë. Ai na mëson se forca e një kombi nuk qëndron vetëm në territorin e tij, por edhe në aftësinë për të ndërtuar aleanca të drejta, për të artikuluar me dinjitet interesat e veta dhe për të qenë pjesë aktive e rendit ndërkombëtar.

Kjo është trashëgimia e Bostonit shqiptar—një trashëgimi që nuk i përket vetëm së kaluarës, por që vazhdon të jetë një thirrje për veprim në të tashmen dhe në të ardhmen.

Filed Under: Kulture

Pashk Përvathi, poeti i peizazhit, virtuozi i ngjyrave të thella dhe dritës së vezullimtë të natyrës

April 18, 2026 by s p

Natyra shqiptare, me egërsinë e saj sublime dhe brishtësinë magjepsëse, do të mbetej një dëshmi e pazëshme, pothuajse e paeksploruar në përmasën e saj hyjnore, nëse nuk do të përthyhej përmes thjerrëzës së perceptimit shpirtëror të piktorit impresionist, Pashk Përvathi. Ajo që rrok syri dhe përpin adhurimi nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, por një gjendje shpirti që pret të pagëzohet në telajo, nën shpimin e butë të penelatave dhe lëdhatinë e dritës.

Gjini të ndryshme të artit, me të njëjtën etje zbuluesish, janë përkulur para kësaj bukurie, duke e stolisur me adhurim dhe duke e burgosur “egërsinë” e saj në butësinë e penelit. Është një përpjekje titanike për ta përjetësuar natyrën në një ndalim kohe, siç bën Përvathi, aty ku rrahja e zemrës sinkronizohet me fëshfërimën e gjetheve dhe ku hapi i udhëtarit nuk rend më drejt destinacionit, por drejt përjetësisë, skajeve të tejme ku mund të mos mbërrij syri, por arrin të ndjej shpirtërorja.

Mjeshtri në kurthi e mrekullimit

Në këtë “kurth” magjik të mrekullimit ka rënë piktori Pashk Përvathi, i cili nuk mjaftohet me pasqyrimin e asaj që sheh syri, por kërkon atë që rrok instinkti, asaj që përbën përjetimin në çdo nivel të tij perceptues. Pashk Përvathi është një arkeolog i dritës, gërmon nën sipërfaqen e ngjyrës për të gjetur shkëlqimin e brendshëm të tokës sonë, njëjt si koha dhe stina që ngërthejnë parmendën në thellësi për të zgjuar thirrjet e bresave që prehen nën këtë truall betejash të shpirtit.

Për Përvathin, peizazhi nuk është dekor, por një monument i gjallë. Ai e ka marrë hirin e kësaj natyre të bekuar dhe e ka ngjitur në altarin e veprës së tij me një përkushtim pothuajse klerikal.

Te vepra e tij, impasti i rëndë dhe dridhja impresioniste krijojnë një teksturë, ku drita duket se ka peshë dhe ajri ka aromë. Çdo tablo është një “trokitje” mbi portën e të bukurës universale që deh vështrimin duke u derdhur brenda nesh si një zgjim në një magjepsje përjetimi.

Përvathi shkon atje ku qielli takon tokën

Vepra e tij qëndron lart, në atë lartësi ku kufiri mes tokës dhe qiellit fshihet nga mjegulla e artë e agimeve. Aty, ku ngjiten altaret dhe dëgjohen kambanat e qiellit, Pervathi ka ndërtuar një strehë për shpirtin shqiptar dhe ka shkruar një dhjatë për predikimin e asaj që për të është besim. Peneli i tij nuk pikturon thjesht pemë apo lumenj, male që futin kokën në re dhe maja që zbardhëdhojnë dimër-verë, det që valëzon si vello nuseje dhe panoramë që u mëkon hir largësive, por shkruan “këngën” që ata lëshojnë nën dritën e diellit tonë dritës.

Në këtë rrugëtim, ai mbetet jo vetëm një piktor, por një gardian i kujtesës estetike, duke na kujtuar se natyra është katedralja jonë e parë dhe vepra e tij, shënjimi që na lidh me të vërtetën e kësaj toke.

Arkitekt i dritës së ngjyrshme

Pashk Pervathi nuk është thjesht një piktor i peizazhit, ai shfaqet si arkitekt i dritës dhe një dëshmitar i shpirtit të tokës shqiptare. Peneli i tij nuk mjaftohet me pasqyrimin e nji pamjeje, por kërkon me nxjerrë në pah “frymëmarrjen” e natyrës, ti japë zë nji kodre e një mali, një lumi apo një shtëpie të vjetë, që duket sikur është shkrirë me dheun dhe me kohën, me hapësirën dhe mahnitjen.

Në universin e tij piktorik, drita nuk asht thjesht element ndriçues, por substancë që ndërton formën dhe emocionin. Ajo rrëshqet mbi sipërfaqe, depërton në thellësi dhe shndërrohet në gjuhë, në rrëfim të heshtun që flet për ciklet e natyrës dhe për përjetësinë e çasteve të vogla. Ngjyrat, të përzgjedhura me një ndjeshmëri të hollë, nuk përplasen, por bashkëjetojnë në harmoni, si një orkestër e qetë ku çdo ton gjen vendin e vet në një ekuilibër të menduem.

Peizazhet e tij nuk janë kurrë “zhurmuese”, ato ftojnë në meditim, duke u bërë pasqyrim i një qetësie të thellë shpirtnore.

Janë hapësina ku koha duket sikur ka ndaluar, ku e tashmja dhe e kaluara treten në njëra-tjetrën, duke krijue atë ndjesinë e kthimit, jo thjesht në një vend, por në një gjendje të brendshme, në një përjetim që pluskon në ngjyrje shpirti. Në to, shikuesi nuk është spektator, por pjesëmarrës në një përjetim që shtrihet mes kujtesës dhe ëndrrës.

Në këtë kuptim, arti i Pervathit është një formë e përkorë e kontemplimit. Ai nuk kërkon spektaklin, por thelbin, nuk ndërton për të impresionuar, por për të depërtuar butësisht në vetëdijen e atij që e sodit. Çdo tablo është një ftesë për të ndaluar hapin, për të dëgjuar heshtjen dhe për të kuptue se bukuria shpesh qëndron në atë që nuk thirret, por vetëm ndihet, thellësisht, thelbësisht.

Kështu, Pashk Pervathi mbetet një prej atyne zërave të rrallë të pikturës shqiptare që nuk e kërkojnë vëmendjen me forcë, por e fitojnë atë përmes një autenticiteti të qetë dhe një besnikërie të palëkundur ndaj natyrës dhe dritës, dy elemente që në duart e tij shndërrohen në poezi vizuale.

Poeti i dritës dhe magjisë së peizazhit

Nëse arti do të kishte nji stinë të përjetshme, ajo do të ishte stina e Pashk Pervathi. Profili i tij krijues përfaqëson një përqendrim të rrallë të harmonisë mes akordit të ngjyrave dhe ndjeshmërisë lirike, ku çdo goditje peneli funksionon si një njësi ritmike në ndërtimin e një simfonie vizuale, është një varg dhe një metaforë, është një drithërimë shpirti që shndërrohet në shpërthim drite në bredësi të ndijimit.

Tek ai, peizazhi nuk është thjesht një gjini, por një sistem shprehës, ku drita organizon hapësirën dhe ngjyra artikulon emocionin. Çdo element piktorik është i reduktuar në thelb, pa teprime, duke i dhënë veprës një pastërti strukturore dhe një qartësi ndijimore që komunikon drejtpërdrejt me shikuesin.

Në këtë përmasë të përkorë dhe të menduar, Pashk Pervathi shfaqet si një poet i dritës, ku magjia e peizazhit nuk qëndron në spektakël, por në aftësinë për të krijuar një gjendje, të qetë, të thellë dhe të qëndrueshme në kujtesë.

Estetika e dritës dhe atmosferës

Pashk Pervathi e trajton dritën jo si një faktor të jashtëm që ndriçon objektet, por si një substancë imanente që strukturon vetë pikturën, shtresëzim i ngjyrave dhe i gjëndjeve. Ajo nuk bie mbi formën, ajo lind prej saj, duke u bërë njëkohësisht burim dhe përmbajtje e përjetimit vizual.

Ai zotëron një ndjeshmëri të rafinuar për çastet kalimtare, për ato intervale të brishta ku drita transformon realitetin, arin e perëndimit që përkëdhel relievin, mjegullën e mëngjesit që zbut kufijtë e formave, apo transparencën e ajrit që e bën hapësirën të pulsojë. Këto nuk janë thjesht efekte atmosferike, por gjendje të artikuluara me një saktësi pothuajse meditative.

Në tablotë e tij, atmosfera nuk është sfond, por prani aktive. Ajri fiton densitet, freski dhe jetë, duke krijuar një ndjesi përfshirjeje ku shikuesi nuk e sodit thjesht peizazhin, por e përjeton atë si një realitet të brendshëm, të depërtueshëm dhe të gjallë.

Penelata dhe tekstura e “shpirtit impresionist”

Në gjuhën piktorike të Pashk Pervathi, penelata nuk është thjesht mjet ndërtimi, por akt shprehës që mbart ritmin e përjetimit. Stili i tij anon drejt një impresionizmi të përditësuar dhe të kudogjendur, ku forma nuk ngurtësohet në konture të prerë, por shpërndahet dhe ribashkohet me mjedisin përmes një lëvizjeje të lirë, të gjallë dhe të vetëdijshme, ku soditja shtanget dhe ngjyrat na tavolet jepen si një joshjeje.

Kjo liri nuk është spontane në kuptimin e rastësisë, por e disiplinuar nga një sens i mprehtë harmonie. Paleta e tij, e pasur dhe e nuancuar, ndërton marrëdhënie delikate mes të gjelbrave të thella, të kaltërave të tejdukshme dhe toneve tokësore, ku çdo ngjyrë nuk qëndron më vete, por hyn në dialog me tjetrën, duke krijuar një unitet organik të sipërfaqes.

Tekstura, ndërkohë, fiton një dimension taktil. Ajo nuk është vetëm për t’u parë, por për t’u ndier me sy: relievi i penelit sugjeron ashpërsinë e gurit, lagështinë e dheut, butësinë e gjethes. Kështu, piktura e Pashk Pervathi kapërcen kufirin e imazhit dhe bëhet një përvojë ndijore e plotë, ku “shpirti impresionist” nuk është stil, por gjendje që pulson në çdo fragment të sipërfaqes.

Profili i piktorit, dashnor i etnos dhe peizazhit

Pashk Pervathi shfaqet si një piktor që e ka përshkuar Shqipërinë me kavalet në krah, duke e përkthyer peizazhin në një gjuhë identitare. Për të, natyra nuk është thjesht një objekt estetik, por një strukturë ku ndërthuren memoria, karakteri dhe fryma e vendit, si një kushtrim i brendshëm që dëgjohet nga thellësia.

Ai nuk pikturon “bukurinë” në kuptimin sipërfaqësor, por thelbin e saj, atë që e bën një hapësirë të njohshme dhe të papërsëritshme. Në këtë sens, ai duket se njeh jo vetëm anatominë e pemës, por edhe psikologjinë e reve; jo vetëm formën, por edhe gjendjen që ajo mbart.

Kompozimet e tij mbështeten në një ekuilibër organik, ku çdo element gjen vendin e vet në një rend natyror dhe të paimponuar. Syri i shikuesit nuk drejtohet me forcë, por ftohet të lëvizë lirshëm brenda hapësirës piktorike, duke gjetur aty një ndalesë të qetë, një mundësi meditimi.

Tek Pashk Pervathi, horizonti nuk është kufi, por një vijë e hapur ku fillon kërkimi. Ai mbetet gjithmonë një ftesë për të parë përtej së dukshmes, për të depërtuar në atë dimension ku peizazhi shndërrohet në përvojë dhe në vetëdije.

Piktura si akt dashurie

Për Pashk Pervathi, akti i pikturimit merr trajtën e një raporti etik me natyrën, pothuajse një lutje e heshtur, ku subjekti nuk pushtohet, por respektohet dhe lartësohet. Ai nuk e imponon vizionin mbi peizazhin, përkundrazi, i nënshtrohet ritmit dhe frymëmarrjes së tij, duke kërkuar të kapë një të vërtetë që nuk është thjesht optike, por thellësisht emocionale.

Qoftë në ashpërsinë e relievit verior apo në butësinë e hapësirave bregdetare të jugut, ai ruan një besnikëri të qëndrueshme ndaj kësaj të vërtete të brendshme, që nuk kufizohet nga korniza e tablosë. Piktura e tij nuk mbyllet, ajo vijon përtej, si një jehonë që mbetet në ndërgjegjen e shikuesit.

Në këtë kuptim, Pashk Pervathi na mëson një mënyrë të të parit, jo thjesht si akt perceptimi, por si ushtrim mirënjohjeje. Ngjyra, në duart e tij, nuk është vetëm element formal, por bëhet gjuhë shpirtërore, një medium përmes të cilit realiteti përjetohet dhe fisnikërohet.

Në pikturën shqiptare të dekadave të fundit, ai qëndron si një hapësirë e veçantë drite, ku peizazhi nuk është pamje, por përvojë, jo vetëm një fragment i natyrës, por një gjendje që lind nga bashkëjetesa mes syrit që sodit dhe botës që i shfaqet. Në këtë marrëdhënie të rrallë, ai mbetet një figurë e përmbajtur, por e qëndrueshme, një “gardian i dritës” që e ruan dhe e përcjell atë si një trashëgimi të ndjeshme në historinë e artit shqiptar.

Peizazhi si gjendje e përthithur, meditimi i dritës dhe heshtjes

Pervathi nuk e trajton natyrën si objekt për t’u riprodhuar, por si një gjendje për t’u përthithur. Në tablotë e tij, drita nuk bie, ajo merr frymë. Ajo shpërndahet në sipërfaqe me një butësi që kujton një melodi , ku çdo ngjyrë është një notë e menduar, e matur dhe e vendosur me një vetëdije të lartë estetike. Peizazhet e tij, shpesh të zhveshura nga prania njerëzore, nuk janë bosh, por përkundrazi, të mbushura me një prani të padukshme, një qetësi që flet.

Në këtë kuptim, arti i Pervathit është një akt meditimi. Ai e ndërton hapësirën me një ekonomi të admirueshme formash, duke shmangur çdo teprim dhe duke kërkuar thelbin. Kjo e afron atë me një traditë të pikturës evropiane ku peizazhi është një mënyrë për të reflektuar mbi qenien, më shumë sesa për të dokumentuar një vend. Në disa prej punëve të tij ndihet një jehonë e largët e impresionizmit, jo si ndikim formal, por si një afri shpirtërore me idenë se drita dhe momenti janë thelbi i së dukshmes.

Profili i tij si piktor formësohet pikërisht në këtë tension mes disiplinës dhe ndjeshmërisë. Ai është një kërkues i heshtur i harmonisë, një ndërtues i hapësirave që nuk imponohen, por që të ftojnë të hysh brenda tyre.

Pashk Pervathi shfaqet si një poet i dritës dhe i heshtjes, një piktor që nuk e përdor penelin për të treguar botën, por për ta dëgjuar atë. Dhe pikërisht në këtë dëgjim të thellë, arti i tij fiton atë dimension të rrallë, të qenit jo vetëm pamje, por përvojë.

E shkuara në sytë e përlotur të së tashmës

Gjithnjë më kanë magjepsur sytë që notojnë në lot, njësoj si brigjet që, përmes shkumëzimeve, përcaktojnë skajet e pafundme të horizontit. Por në sytë e Pashk Përvathit, emocioni nuk mbetet thjesht ndjesi: ai shpërthen, shndërrohet në përjetim dhe merr trajtë në një përpjekje të pandalur për të prekur kufijtë ku drita e shpirtit të tij është mbrujtur deri në tablo.

Ëndrrat e tij u mëkuan në atë eter të brishtë shpirtëror të Manatit të Lezhës, në atë fshat ku zëri poetik i jetës përzihet me përditshmërinë e njerëzve që e sfidojnë kohën me mund, me shumë mund dhe sakrificë.

Atje nisi rrugëtimi i mjeshtrit, një udhëtim që do ta çonte drejt emrit dhe veprës, drejt vlerësimit dhe vendit që ai zuri, me të drejtë, në traditën e ndritur të pikturës shqiptare. Ai erdhi si një prani e heshtur, por me një akt të pazëvendësueshëm shprehjeje, duke e kthyer gjendjen dhe përjetimin në gjuhë ngjyrash e peneli.

Çdo copëz e së shkuarës ku ai hodhi hapat e parë drejt pushtimit të botës së madhe të artit, çdo kujtim e mall, lexohet me një qartësi gati drithëruese në ata sy që përloten, si një zë i thellë që zhytet në qenien dhe në gjendjet ku ai është mbrujtur, e ku rikthehet herë pas here për të ruajtur të paprekur Betlehemin e tij shpirtëror.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 577
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VALLE FIT THIS SATURDAY!
  • BIOGRAFIA E GJERGJ KASTRIOTIT NGA MARTIN SEGONI
  • VDEKJA E EMPATISË DHE RRËSHQITJA E QYTETËRIMIT DREJT BARBARIZMIT
  • TRASHËGIMIA ARKEOLOGJIKE E LUGINËS SË SHKUMBINIT SI BURIM PËR TURIZMIN KULTUROR INOVATIV
  • Ambasadori i xhazit dhe i vlerave shqiptare
  • Historia e çlirimit të Kosovës do të ishte e paplotë pa Jakup Krasniqin
  • Prof.Dr. Isak Shehu, muzika i buron nga rrënjët
  • THE CANBERRA TIMES (1984) / BRITANIKJA KERIN HOPE : “UDHËTIM NË SHQIPËRI, KU MAKINAT, KONTRACEPTIVËT, MJEKRAT DHE FEJA JANË TË NDALUARA.”
  • FILATELIA SHQIPTARE NË EKSPOZITËN GJERMANE-SUEDEZE : BEPHILA-2026
  • JUSTICE FOR THE BYTYQI BROTHERS — KOSOVA AND AMERICA MUST DO MORE TO ENSURE ACCOUNTABILITY FOR SERBIAN CRIMES
  • Iliria në hartografinë Ptolemeike: Një analizë historiko – hartografike e hartës së Petrus Bertius
  • VATRA DHE DIELLI NGUSHËLLOJNË FAMILJEN HOXHA, CANI E KIRKPATRICK
  • Sovraniteti i Kosovës në arkitekturën e re ndërkombëtare
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË HOLLIVUD
  • Në përvjetorin e dhjetë të Shenjtërimit të Nënë Terezës në Michigan!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT