
Akad. Vasil Tole/
• Në studimin HIMNI KOMBETAR kemi shkruar për disa nga regjistrimet ndër vite të Himnit tonë Kombëtar.
Shih https://www.vasiltole.com/?product=himni-kombetar
Regjistrimi i parë muzikor në disk i himnit tonë kombëtar, është bërë në Amerikë, në vitin 1918, pranë shoqërisë diskografike “Columbia” (disku me nr. B-21711, dt. 28.03.1918, “Betimi mi flamur”), seksioni i publikimeve patriotike muzikore, i interpretuar nga tenori me origjinë arbëreshe Giusepe Mauro (1880-1928) dhe muziktari shqiptar Spiridon Tasi Ilo, të shoqëruar me një orkestër të vogël.
Shih https://www.youtube.com/watch?v=lmX0kATk0WM
Disa vjet më vonë, po në Amerikë, në vitin 1923, himni kombëtar interpretohet dhe regjistrohet nga banda “VATRA”, si dhe publikohet ne disqe nga shoqëria diskografike “Albanian Phonographs Records”, me titullin “Marshi i Flamurit, Valo-valo”, më konkretisht disku Nr. 960-A i kënduar nga Spiridon TAsi Ilo.
Shih https://www.youtube.com/watch?v=1yXTxgCWeEA
Më tej kemi evidentuar regjistrimin e bërë pranë firmës “PATHE”-Francë, në vitin 1929 me solist Koço Cakalli, i shoqëruar nga piano dhe dy violina, pjestar i grupit të Neço Muko Marjoti (1899-1934), disku Nr. 4400 si dhe regjistrimin pranë “ODEONIT”, me nr. Ab 56 me mbishkrimin: “Hymni i flamurit”, një pjes e korit të shkollës Normale Femërore të Korçës drejtue prej Maestro Z. Sotir V. Kosmos.
Shih https://www.youtube.com/watch?v=Lvp6pSVFtag
Regjistrimim që po sjellim sot i përket atij që gjendet në diskun e Columbia-s, nr. 72048-F (206564) “Hymni Flamurit”, me shënimin: “Orqestra dhe kor shqiptare”, kondoktor Ajdin Asllan Leskoviku, muziktar, kompozitor i Himnit te Federates Vatra ne USA.
Per Ajdinin shih https://www.vasiltole.com/…
Regjistrimi fillon me solo trompet dhe fjalët emocionuese: “Betim pranë flamurit, gati për nder” dhe vijon pjesa instrumentale. Më pas këndohen fjalët me duet nga Ajdin Asllan Leskoviku dhe një tjetër këngëtar që nuk përcaktohet në të dhënat e diskut dhe që nuk mund ta identifikojmë dot. Në disk këndohen 2 strofa me përsëritje të refrenit.
Publikohet për herë të parë.
Falenderojmë koleksionistin Kristofer King dhe Ina Shkurti.