• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar

May 5, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

29 prill, 1960, ora 18:00, Tiranë. Imazhi i parë në ekranin bardhezi ishte folësja Stoli Beli (1935-2026). Në ditën e parë të transmetimit nga Qendra Eksperimentale e Televizionit shqiptar, pas përshëndetjes së saj u shfaq një film për fëmijë, një dokumentar, një koncert dhe në fund një film artistik. Edicioni parë i lajmeve u transmetua në 1963, ndërsa dy vjet më vonë, kamera e vetme e TVSH-së u vendos në stadium për të transmetuar një ndeshje futbolli. Si nga ana teknike, ashtu edhe profesionale, Televizioni u ngrit nga kapacitetet e Radio Tiranës, themeluar në 28 nëntor 1938. Me kalimin nga faza eksperimentale në programe të rregullta ditore, një numër i madh i punonjësve teknikë erdhën nga Instituti i Lartë i Arteve. Ndërtesa e re e televizionit mundësoi shtimin e orëve të transmetimit, nga ora 18 deri në orën 22.30. Në ato vite telekronistët e televizionit si Alfons Gurashi dhe Agron Çobani, spikerët si Kiço Fotjashi, Virgjil Kule, Çlirim Poro, Amalia Dhamo, Tefta (Dobi) Radi, Violeta Kongo, e të tjerë, të cilët hynin në shtëpitë tona nga ekrani i TV-së kishin një lloj statusi të veçantë. Madje edhe operatorët televizivë si Beqir Derhemi, Stefan Gajo, Pali Kuke, Gazmir Shtino, Engjel Strazimiri, Bujar Kore, Valter Qarri, Sazan Mane, Bujar Kokonozi, Gasper Shllaku, Besnik Shima e të tjerë ishin emra të respektuar nga kolegët e tyre, si edhe në publik.

Më “të padukshmit” mbase ishin ndihmës-operatorët, operatorët e zërit, ndriçuesit, dizenjatorët, inxhinierët, montazhierët dhe qindra e qindra profesionistë dhe punëtorë shërbimi, të cilët, në shumë raste, ia kushtuan gjithë jetën e tyre punës në Televizion, për të cilën meritojnë mirënjohje si bashkëndërtues të transmetuesit publik.

Në shenjë respekti sot shkruaj pak rreshta për Beqir Derhemin “kameramani i parë i punësuar prej RTSH-së në pranverë 1960,” shkruhet në rezymenë e tij, që ma nisi vajza e tij e madhe. Eda Derhemi është edhe ish-profesoresha ime në Fakultetin Histori Filologji, në Tiranë. Rastisi të shoh postimin e Edës natën e 29 prillit 2026 në faqen e Facebook-ut dhe fotot bardhezi të ruajtura prej të atit, Beqir Derhemit. “Mbrëmë paska qene 66 vjetori i transmetimit të parë televiziv shqiptar prej 29 prillit 1960. Babi është personi në të djathtë në foton e parë, marrë në studion eksperimentale që realizoi atë debut.” Befasia ime e përzier me ngazëllimin që shkaktojnë fotot bardhezi u tulat nga mungesa e një mirënjohjeje të denjë për gur-vënësit e transmetimit të parë televiziv shqiptar. Brezat nga Shqipëria të moshës mbi 50 e 60 vjeçare, që sot i gjen nga Amerika në Australi, e kanë pasur TV thuajse program jashtëshkollor të çdo pasditeje. Thuajse i vetmi medium i vendit që dhuronte një farë informacioni dhe argëtimi të përditshëm. Me gjithë orët e reduktuara të programit të RTSH (ose shkurt “televizorit”) nga 18 deri në 22:30, me përjashtim të së dielës kur kishte program për fëmijë nga orët e mëngjesit, ekrani ishte një “qendër bote”që na çonte larg nga dhomat tona të ndjenjës, atëherë kur nuk kishim celularë, faqe Facebook-u, media sociale, Instagram, Tik-Tok e plot si këto.

“Sa i kujdesshëm dhe largpamës babi që i ka ruajtur fotot,” i shkruajta në koment. Nga kureshtja, e pyeta për disa kujtime Edën, e cila është profesoreshë në Katedrën e Italishtes dhe Frëngjishtes në Universitetin e Illinois-it (UIUC). “Fotoja ime e parë e bërë në një ambient realist (jo studio fotografike) ka qenë në Radio Tiranën e Vjetër, tek Rruga e Kavajës. Sapo kisha shpëtuar gjallë për mrekulli pasi më pat “shkelur autobusi”, dhe atë mbrëmje, si për festë, babi dhe mami më morën me vete në punën e babit që punonte edhe gjatë darkave në Radion e Vjetër. Në foto kemi dalë të tre para një monitori, që tani duket i stërvjetër, dhe unë kam një gërvishtje në ballë. Jam tre vjeç,” shkruan Eda. Ajo sqaron se fotoja përbën për të një copëz të historikut të TV, i cili në fillimet e veta ishte tek Radioja e Vjetër. “Lëvizja drejt ndërtesës që ende ekziston sot ndodhi në 1963,” dhe koha e fotos përkon me kohën e shtrirjes së njërës tek tjetra.

E rritur në ndërtesën e Televizionit të ri, Eda e vogël e ndiente sa të ndryshme ishin grupimet shumëtipëshe në RTSH-në e atyre viteve: disnivele dhe variacione sjelljeje dhe kreativiteti. Por të gjithë bashkë, si kolektiv, kujton ajo, formonin “një kombinim të përsosur energjie që për mua ishte si model ardhmërie,” pavarësisht nga produkti propagandistik që TV detyrohej të nxirrte. Eda është kujdesur të mbledhë biografinë e të atit, ku vendosen piketat kryesore të karrierës së tij, që nis me një specializim disamujor në Kinostudion Shqipëria e Re në tetor 1958, me përvojën në filmin “Furtuna” që ishte shkolla e tij televizive, vazhdon me punësimin në Radio Tiranën e Vjetër në studion televizive në pranverë 1960, dhe pastaj me kalimin e plotë në TV e ri në 1963-64. Për një dekadë të tërë, 1964-1974, Beqir Derhemi është kamera kryesore e Radio Televizionit. Ishte koha e ritmeve të jashtëzakonshme dhe e krijimit të gjinive televizive nga kronika e reportazhe tek kongrese, koncerte, festivale dhe ndeshje sportive. Pasioni i tij ishin “kamerat televizive të thjeshta apo të komplikuara të asaj kohe, që vinin së pari në duart e tij, direkt nga Kina si fillim, Franca, Polonia, dhe më pas, edhe Gjermania,” vëren me adhurim e bija. “Ishte koha”, shton ajo, “kur punohej me kamera të teknologjisë së vjetër, shumica nga Kina, që papritur ndodhte të merrnin flakë gjatë xhirimit në studio ose në stadiume.”

Ngazëllimi popullor për Festivalin e 11-të kishte në qendër TV ku gjuha e re vizuale ishte kamera e Derhemit, që ishte lejuar të lëvizte në skenë e jo të mbetej statike, siç ishte praktika. Pas Festivalit ai u dërgua në një specializim disa-mujor në Itali. Por, sapo kthehet në 1973, Beqir Derhemi dërgohet për riedukim si punëtor ngarkim-shkarkimi lënde druri (trungjesh) në Stacionin e trenit. Atje, gjatë punës, pëson dëmtim të shtyllës kurrizore dhe mbetet pa punë për dy vjet. Nga 1976-1993 punon në Institutin e Lartë Bujqësor si prodhues i filmit didaktik shkencor për Institutin, ku krijon shumë filma dokumentarë dhe ndërton arkivin filmik të Institutit. Tani në moshën 89 vjeçare tiranasi i mëhallës së derhemve është ende në shtëpinë e tij në Tiranën e Vjetër, me bashkëshorten kolonjare, “zyshën legjendare të rusishtes” tek Shkolla e Kuqe, Dhimitra Derhemin. Të ruajtura me kujdes prej tij, fotot bardhezi mund të jenë zverdhur paksa nga koha, por Beqir Derhemi mbetet një emër i shkrirë me vetë themelet e Televizionit Shqiptar.

Filed Under: Kulture Tagged With: Rafaela Prifti

Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë

May 3, 2026 by s p

Më 3 maj 1877, në Transilvani, atëherë pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, lindi studiuesi hungarez Franz Nopcsa, në një familje aristokrate me prejardhje rumune. Me rekomandimin e ungjit dhe kumbarit të tij, baroni Nopcsa, kryemjeshtër i oborrit të Mbretëreshës Elisabeta të Austrisë, studioi në liceun vjenez “Maria-Theresianum”.

Nopcsa u shqua si një nga figurat më të rëndësishme të shkencës europiane në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX. Ai ishte paleontolog i njohur dhe gjeolog i Ballkanit, duke dhënë kontribute të spikatura në themelimin e paleofiziologjisë, si dhe në albanologji dhe studimet mbi Europën Juglindore.

Udhëtimet e tij në zonat më të thella të Shqipërisë Veriore, ku asnjë i huaj nuk kishte shkelur më parë, e bënë atë një ekspert të shquar të gjuhës, zakoneve dhe kulturës shqiptare. Gjatë qëndrimeve të shumta në Shqipëri, ai kreu kërkime të gjera në etnologji, gjeografi, gjeologji dhe paleontologji, duke lënë pas një corpus të rëndësishëm shkencor mbi shoqërinë dhe territorin shqiptar të asaj kohe.

Trashëgimia e tij dorëshkruese, e njohur si “Ditarët e Nopcsa-s”, përmban përshkrime të detajuara nga ekspeditat në Shqipëri dhe Ballkan, të shoqëruara me harta, skica dhe ilustrime origjinale. Një pjesë e madhe e tyre i kushtohet Shqipërisë, duke dokumentuar strukturën shoqërore, të drejtën zakonore, kulturën materiale dhe shpirtërore.

Bibliografia e Nopsca-s përfshin mbi 186 punime shkencore, kryesisht në paleontologji, gjeologji dhe albanologji, prej të cilave një numër i konsiderueshëm i kushtohet Shqipërisë. Trashëgimia e tij shkencore në paleontologji iu dhurua Muzeut Britanik në Londër, ndërsa materiali albanologjik iu besua albanologut Norbert Jokl në Vjenë, pjesë e të cilit sot ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë.

Ndër dorëshkrimet më të rëndësishme përmenden studimet mbi fiset e malësisë së Veriut dhe të drejtën e tyre zakonore, një vepër e gjerë mbi besimet dhe zakonet shqiptare, shënime dialektologjike mbi gegërishten veriperëndimore, si dhe kujtimet e tij mbi udhëtimet në Ballkan.

Nopcsa nuk u kufizua vetëm në studime: ai u përfshi edhe në politikën e kohës dhe në vitin 1913 ofroi veten si kandidat për fronin e Shqipërisë. Megjithatë, jeta e tij përfundoi në mënyrë tragjike në vitin 1933, kur vrau sekretarin e tij shqiptar dhe më pas kreu vetëvrasje.

www.akad.gov.al

Filed Under: Kulture

SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST

May 2, 2026 by s p

Prof.Begzad Baliu/

Me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468) janë zhvilluar shumë aktivitete shkencore, kulturore e madje politike. Janë të paktë studiuesit dhe njerëzit e kulturës, të cilët nuk janë angazhuar të japin një kontribut sado modest për njohjen dhe vlerësimin e këtij personaliteti me përmasa kombëtare e europiane.

Në këtë rrjedhë një kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe njëri prej krijuesve tanë në fushë të letërsisë e kulturës në Suedi, shkrimtari Sokol Demaku, duke përkthyer njërën prej veprave të trashëgimisë skenderbeguane në gjuhën suedeze, atë të Stefan Zanoviqit, Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia. Stockholm: Anders Zetterberg, 1788. Të dhënat bibliografike në thonë se vepra është shkruar në gjuhën suedeze të shekullit XVIII. Është botuar në shtypshkronjën: Anders Zetterberg. Lloj i veprës: histori e romanizuar/biografi heroike. Tekst i mbishkruar sipas traditës barletiane. Botimi në gjuhën shqipe: Stefan Zanoviq, E quajti Kastrioti i madh i Shqipërisë Skënderbeu: Historia. Përkthyer nga Sokol Demaku (nga suedishtja e vjetër, sipas Sven Esselius). Prishtinë, 2024. ISBN: 978-91519-5595-7.

Të dhënat enciklopedike e bibliografike veç tjerash na thonë se Stefan Zanoviq (i njohur edhe si Stiepan Zanović) ishte një figurë e shekullit XVIII, me origjinë nga hapësira dalmato-ballkanike (zakonisht lidhet me Budvën ose zonat përreth Adriatikut), i cili u bë i njohur në Evropë si aventurier, shkrimtar dhe intelektual i shtirur. Ai veproi në një kontekst kulturor tipik për epokën e iluminizmit, duke lëvizur midis oborreve dhe qendrave urbane evropiane, ku ndërtoi identitete të ndryshme sociale dhe kulturore. Në literaturën enciklopedike nordike ai paraqitet si një figurë margjinale, por karakteristike për kulturën kosmopolite dhe shpesh spekulative të shekullit XVIII.

Zanoviq u dallua për prodhimin e teksteve historiko-letrare dhe për një prirje të fortë drejt fabulimit dhe stilizimit të figurave historike. Vepra e tij për Skënderbeun – Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia (Stockholm, 1788) – përfaqëson pikërisht këtë tip diskursi: një përzierje e historiografisë, moralizimit dhe retorikës heroike, e cila mbështetet në traditën e Marin Barleti, por e transformon atë në një narrativë të përshtatur për publikun evropian të kohës. Në këtë aspekt, Zanoviq nuk është historian në kuptimin kritik modern, por një ndërmjetës diskursiv i miteve historike.

Në biografinë e tij, ai mbetet një figurë kontradiktore: i përfshirë në aventura politike dhe mashtrime identitare (duke pretenduar herë pas here prejardhje fisnike ose role të fabrikuara), ai përfundoi jetën në kushte tragjike në fund të shekullit XVIII. Enciklopeditë evropiane, përfshirë traditën suedeze, e trajtojnë atë si shembull të tipit “aventurier intelektual”, një figurë që qëndron në kufirin midis kulturës së lartë dhe manipulimit letrar, duke reflektuar tensionet midis dijes, autoritetit dhe fabulës në epokën e iluminizmit.

Ndërmjet Barletit dhe Zanoviqit

Studimi në fjalë ndërtohet mbi një premisë të qartë metodologjike dhe teorike: teksti i Stefan Zanoviq nuk përfaqëson një burim historik autonom, por një konstrukt diskursiv sekondar, i ndërtuar mbi matricën historiografike të Marin Barleti. Në këtë kuptim, analiza nuk synon të verifikojë faktografinë historike, por të zbulojë mekanizmat e riartikulimit të figurës së Skënderbeut në një kontekst të ri kulturor, duke u mbështetur në një qasje të integruar historiko-filologjike, intertekstuale dhe semiotike. Kjo qasje lejon të kuptohet procesi i kalimit nga një historiografi humaniste, e strukturuar mbi modelin latin dhe mbi retorikën klasike, në një diskurs iluminist evropian, ku historia funksionalizohet si instrument i ideologjisë, i etikës dhe i modelimit kulturor.

Në rrafshin strukturor, analiza dëshmon një vazhdimësi të qartë të modelit barletian, pasi Zanoviq ruan skeletin kronikal të rrëfimit: origjinën fisnike të Kastriotëve, fazën e pengmarrjes dhe të edukimit në oborrin osman, rikthimin në atdhe dhe ciklin e luftërave kundër Perandorisë Osmane. Kjo strukturë nuk është një krijim origjinal, por një riprodhim i një modeli të konsoliduar historiografik, i cili funksionon si bazë për ndërtimin e mëtejshëm të rrëfimit. Megjithatë, në nivelin interpretativ, kjo vazhdimësi shoqërohet me një zhvendosje të rëndësishme: ajo që te Barleti paraqitet si një paradoks providencial i historisë, te Zanoviq riformulohet si një proces racional dhe pedagogjik i formimit të heroit, duke reflektuar një ndryshim të thellë në mënyrën e konceptimit të historisë dhe të individit.

Transformimi më i dukshëm ndodh në nivelin e diskursit dhe të strukturës narrative, ku rrëfimi historik zëvendësohet nga një narrativë e dramatizuar dhe moralizuese. Ndërhyrjet alegorike, si prologu me Menandrin (Burrë i fortë) dhe CLEARC-un (Modelin etik të heroit), nuk kanë funksion informativ, por vendosin një horizont etik, duke e orientuar interpretimin e figurës së Skënderbeut drejt një sistemi vlerash universale. Kështu, historia largohet nga funksioni i saj dokumentues dhe shndërrohet në një formë të artikuluar të filozofisë morale, ku rrëfimi shërben për të edukuar dhe për të modeluar perceptimin e lexuesit.

Në prizmin karakterologjik, figura e Skënderbeut pëson një zgjerim të rëndësishëm semantik dhe funksional. Nga një hero historik dhe ushtarak, i artikuluar si mbrojtës i krishterimit dhe i rendit evropian, ai shndërrohet në një model etik dhe politik, që mishëron virtyte universale si drejtësia, maturia dhe vetëkontrolli. Ky transformim realizohet përmes një strategjie diskursive që thekson cilësitë morale dhe shoqërore të figurës, duke e zhvendosur fokusin nga akti historik drejt normës etike.

Në këtë mënyrë, Skënderbeu nuk mbetet më vetëm një figurë e së kaluarës, por bëhet një model antropologjik dhe normativ për shoqërinë. Në nivelin e përfaqësimit të luftës, analiza evidenton një kalim nga një strukturë historiko-retorike drejt një estetike të hiperbolës dhe të dramatizimit. Përshkrimet e betejave te Zanoviq karakterizohen nga amplifikimi numerik dhe nga ndërtimi i një imazhi të epërsisë absolute të heroit, duke e transformuar luftën nga një fakt historik në një spektakël narrativ. Më e rëndësishmja, ky proces shoqërohet me një vetëdije të qartë të autorit për natyrën e mitizimit, çka e dallon atë nga modeli barletian dhe e vendos tekstin në një nivel më të avancuar refleksiv, ku historia dhe narrativa ndërthuren në mënyrë të ndërgjegjshme.

Në konceptin ideologjik dhe kulturor, shtesat që sjell Zanoviq janë vendimtare për kuptimin e figurës së Skënderbeut në kontekstin e shekullit XVIII. Figura universalizohet dhe integrohet në një sistem evropian referencial, ku ajo vendoset në marrëdhënie me figura të tjera paradigmatike të historisë botërore. Njëkohësisht, artikulohet një diskurs politik i tipit iluminist, në të cilin Skënderbeu paraqitet si model i sovranitetit dhe i autonomisë politike. Paralelisht, estetizimi i narrativës dhe futja e elementeve të ndjeshmërisë dhe të jetës shoqërore e afrojnë tekstin me format e romanit historik dhe të letërsisë së shekullit XVIII, duke e shndërruar atë në një strukturë hibride midis historiografisë dhe letërsisë.

Në këtë rrjedhë, analiza dëshmon një proces të trefishtë të ndërtimit diskursiv të figurës së Skënderbeut: ruajtjen e strukturës historike të modelit barletian, transformimin e narrativës në një diskurs moral dhe estetik, dhe shtimin e një shtrese të re ideologjike dhe kulturore, të karakterizuar nga universalizimi evropian dhe nga artikulimi i vlerave iluministe. Si rezultat, figura e Skënderbeut kalon nga një hero i kronikës historike në një simbol kompleks kulturor dhe konceptual, që funksionon si model etik, politik dhe antropologjik në horizontin e Evropës së shekullit XVIII.

Filed Under: Kulture

Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event

May 1, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Ledia Xhoga brought the rich landscape of Misinterpretation to the Fan Noli Cultural Center and Library in a virtual event last Sunday afternoon, April 26. The 2025 Booker Prize nominated author walked us through her haunting story of an Albanian woman in present day New York, a character defined by susceptibility to other people’s pain. Misreadings anchor the mini-plots of her debut novel, weaving the nuances of translation into the complexities of human intimacy. Thanks to her authentic storytelling and warmth, it was an afternoon of literary discovery and wonder that truly deserves an Encore!

Real places – Raw emotions Sunday’s book talk revealed just how much reality grounds Ledia Xhoga’s fiction. From the streets of New York to the historic castle of Berat, Albania, the story’s locations, right down to the specific hotel, are places readers can visit both on the page and in person. Even the bridge on the Slovakian-Hungarian border, a question put to the author by Director Bob Tochka, is real. In fact, Xhoga once considered applying for a fellowship based there.

The novel’s Albanian-ness is woven into gestures, dialogue, in silences. Her narrative captures these subtle nuances with intensity that it is no surprise she has already been approached for film adaptations.

Budding Bards Take Heart! For aspiring writers, Ledia offered a dose of reality and encouragement: reaching a final of revisions and tireless drafting and revision. The great news? She has already submitted her next novel and the Fan Noli Cultural Center and Library is ready for it. We’re even hopeful Ledia will join us in person for the launch. It seems the ‘secret weapon’ was the lure of Shkodra Byrek brought all the way from Braintree. Behold the taste of home!

Poets Welcome For poets doubting their move into prose, Xhoga views a poetic background as a major advantage in building impactful narratives.

Missed the Sunday talk? Artan Malaj’s photos can get you into the mood of the event, while Fan Noli Cultural Center will post a short video soon. Stay tuned for more highlights from our conversation with the author ️

Want to listen? Misinterpretation is available as an audiobook in both UK and US versions across most major platforms.

Why it matters? Authentic storytelling by Albanian writers elevates our cultural footprint in the contemporary world of the arts. Supporting the talented writers honors our rich literary heritage and inspires the creators of tomorrow.

Before our next live event, take a moment to read this earlier interview with Ledia Xhoga, author of Misinterpretation, longlisted for the 2025 Booker Prize.

https://gazetadielli.com/conversation-with-ledia-xhoga…

——————————————————————–

Prezantimi i librit Misinterpretation në bashkëbisedimin përmes Zoom me autoren Ledia Xhoga të dielën na fali befasi të këndshme dhe zbulime të reja interpretimi të novelës së saj të parë, kandiduar në listën e gjatë të Booker Prize 2025.

Këto mbresa dhe foto nga artisti Artan Malaj përcjellin atmosferën e takimit mujor të serisë së librit Peter dhe Naum Prifti në Qendren Kulturore dhe Bibliotekën Fan Noli në Boston.

#LediaXhoga#Misinterpretation#FanNoliCulturalCenter#ThePeterandNaumPriftiDistinguishedBookSeries#Bookstagram

Filed Under: Kulture

Talentet shqiptare, arti dhe rinia…

April 25, 2026 by s p

Nga Anila Kadija/

Intervistë me Altin Gjonin.

Një histori e shkurtër karriere?

Historia ime filloi si ajo e shumë adoleshentëve që fillojnë të luajnë kitarë dhe pastaj nuk dorëzohen kurrë. Ajo ndjenjë “cool” dhe liri për të luajtur muzikë mbeti me mua dhe më pas e përqendrova tërë jetën time në të. Që nga fillimi në dhomën time të gjumit në Tiranë duke dëgjuar grupe rock, deri më sot shumë gjëra kanë ndryshuar. Si muzikant nuk kam studiuar muzikë formalisht dhe kam pasur dhe kam mënyrën time të frymëzuar nga idhujt e mi në mënyrën se si mendoj për instrumentin dhe muzikën.

Tani, shumë vite më vonë, jam kitarist me grupin londinez Rusty Halo, grupin shqiptar Erina & The Elementals, dhe vazhdoj karrierën time si muzikant midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Anglisë, në bashkëpunim me artistë të ndryshëm dhe vepra solo, si dhe me shumë bashkëpunime si muzikant edhe me producent artistë ndërkombëtarë. Gjithçka ndryshoi për mua kur fillova karrierën time të incizimit online nga dhoma e një miku në Tiranë, gjë që më prezantoi me artistë nga e gjithë bota dhe më ndërtoi muzikalisht, por edhe me mundësitë që më u hapën nga vendi ku fillimisht nënshkrova me labelin e Mançesterit 1043 recordings me grupin tim, por edhe si artist solo.

Jeta ime ka qenë gjithmonë një ekuilibër midis performancës, por edhe një prekje biznesi ose mënyrës se si funksionojnë gjërat nga prapa. Kur u transferova në Mbretërinë e Bashkuar, shkove me një bursë Chevening nga Shteti Britanik, ku studiova industrinë muzikore, dhe gjithashtu fillova iniciativën e parë në Shqipëri për një program trajnimi për industrinë muzikore. Isha gjithashtu kryetar i konferencës së parë të industrisë muzikore në Tiranë, e cila mblodhi mbi 50 folës nga Mbretëria e Bashkuar, rajoni dhe bota.

Kohët e fundit, pas një viti si anëtar i bordit të British Albania Culture & Arts, një organizatë misioni i së cilës është të ndërtojë ura kulturore midis Anglisë dhe Shqipërisë, u zgjodha kryetar i organizatës dhe ne vazhdojmë të krijojmë evente, të hapim mundësi të tjera, të mbështesim artistët ashtu siç më kanë mbështetur ata mua. Një anë tjetër e imja është shkrimi i artikujve ose promovimi online, i cili ishte një pasion që më vonë u përzie me pasionin tim tjetër për muzikën dhe më dha mundësinë të shkruaja për marka muzikore si Digitech, Cort Guitars, etj.

Koncerti më emocional?

Në fakt ka pasur shumë, dhe secili për arsyet e veta. I fundit mendoj se ishte në shkurt të vitit 2026 me Sara Payman në Apollo Hammersmith për të mbështetur Alban Skënderajn, ishte i veçantë sepse kishte një kuptim të madh të një skene legjendare, ku nuk mund ta imagjinoja kur isha fëmijë se do të isha në gjendje të shkelja si spektator, e lëre më si muzikant në skenë.

Ndërsa po luaja, mendoja “kjo është e njëjta pamje që ka parë Brian May i Queen ose kushdo që ka luajtur këtu më parë”.

Nata e Kadaresë, e cila ishte vetëm pak ditë më parë në Apollo, ia vlen të përmendet gjithashtu sepse ishte një lloj emocioni tjetër për të përformuar dhe për të drejtuar muzikalisht dhe artistikisht një mbrëmje kaq të veçantë. Ndjesia kur je i rrethuar nga miq në skenë nga vendi në vend, njerëz që i takova rastësisht vite më parë përmes muzikës dhe tani mblidhemi për të luajtur në një skenë në Londër. Do të doja të përmendja edhe finalen e Festivalit të Këngës me orkestrën e RTSH dhe grupin tim në Tiranë ‘Erina & The Elementals’.

E para që të la pa frymë?

Herën e parë që zbulova vërtet Pink Floyd, veçanërisht solon e David Gilmour në këngën ‘High Hopes’, ishte ndoshta momenti më i rëndësishëm i jetës sime si i rritur që më çoi aty ku jam sot, jo si një nivel suksesi, pasi nuk mendoj se ekziston në fushën tonë siç e perceptojnë njerëzit, por si një zgjedhje që bëra në jetë.

Fakti që jam në Mbretërinë e Bashkuar vjen gjithashtu nga një rastësi kur u punësova për të regjistruar kitara në internet për një producent anglez i cili pa se kisha veshur një bluzë të Pink Floyd dhe më punësoi. Ai producent është tani një nga miqtë e mi më të ngushtë i cili performoi gjithashtu me mua në Natën Kadare, një anëtar i bordit të BACA dhe personi që më ftoi në Mbretërinë e Bashkuar për herë të parë si lektor i ftuar në universitetin ku punon ‘Future Works’ në Mançester.

Njerëz interesantë në art që keni takuar?

Do të thoja se njerëzit me të cilët bashkëpunoj sot janë të gjithë interesantë sepse më sfidojnë të kem një qasje të ndryshme ndaj muzikës ose vetë bashkëpunimit. Kam takuar njerëz të famshëm në art, siç kanë bërë shumë të tjerë, për mus secili prej tyre ishte “interesant” në atë që unë vlerësoj, kështu që mendoj se ndikimi vjen nga personi që ju ndikon më shumë.

Të rrugëtosh me kolegë?

Sot, nuk mund të bëhesh as shkrimtar vetëm, më tha dikush dikur, dhe unë i besoj. E njëjta gjë vlen për gjithçka në muzikë apo kudo në art. Edhe ata muzikantë që kanë karrierë solo nuk kanë realisht karrierë solo, sepse është bashkëpunim në muzikë, dhe ndonjëherë mosmarrëveshjet në grupe janë ato që krijojnë këngët ose albumet më të vlefshme.

Sipas përvojës sime, kur kalova vite duke punuar me muzikantë ose në sipërmarrje të ndryshme artistike ose biznesi, momentet kur mësova të lija egon time dhe të isha më fleksibël ose i hapur ndaj mendimeve ose ndërhyrjeve të të tjerëve ishin kur pata rezultatet më të mira.

Është gjithmonë e vështirë në art, sepse ka shumë mënyra se si gjërat mund të jenë të drejta. Por mendoj se është e rëndësishme të jesh i hapur, por edhe të dish se cili është thelbi i asaj që po krijon dhe pse po e krijon atë. Kjo të ndihmon të kuptosh se çfarë është diçka që përmirëson punën tënde, ose çfarë është diçka që e largon atë nga emocioni origjinal.

Diçka e çmendur me adrenalinë që të bën të ngresh pesha?

Kafe në mëngjes me muzikë! Muzika nuk ka shumë rëndësi në zhanër, por nëse është ajo për të cilën jam i apasionuar në këtë moment, më bën të ndihem i ngarkuar gjatë gjithë ditës. Pastaj, sigurisht, çdo performancë live me band të plotë elektrik ka atë efekt.

Kur ke kitarën në dorë, çfarë ndodh?

Përpiqem të shkëputem nga e kaluara ose e ardhmja dhe të jem në moment. Të jem ‘në zonë’ dhe të transmetoj atë që kam brenda, i lirë në instrument.

Kur jam vetëm duke luajtur kitarë akustike ose edhe elektrike, gjithmonë synoj të mos luaj këngë, por të krijoj diçka në moment që nuk tingëllon si një ‘bllokim’ ose improvizim pa ndikim, por si muzikë që përcjell diçka.

Ndërsa në studio si muzikant studioje ose producent, jam aty për t’i shërbyer këngës, për ta drejtuar muzikalisht aty ku duhet dhe për të qenë i saktë, pa dyshime në atë që bëj. Në skenë është një qasje e ndryshme, emocioni dhe momenti janë më të rëndësishëm dhe e gjej veten më të lirë dhe më të vërtetë se në çdo moment tjetër.

Njerëz të mirë?

Pafund për të qenë i sinqertë. Mendoj se fati im më i madh është që jam i rrethuar nga njerëz të tillë që më mbështesin sepse më duan vërtet. Nëse do të filloja me emra, do të zgjaste shumë sepse në vite të ndryshme ka pasur gjithmonë njerëz të tillë, si në Shqipëri me muzikantët e parë që më pranuan si pjesë të tyre.

Midis tyre do të përmendja mikun tim, producentin dhe kitaristin, Dario Meci i cili më mësoi gjithçka që di për regjistrimin dhe më hapi derën çdo mbrëmje për të regjistruar në shtëpinë e tij kur nuk kisha mundësi të blija pajisje, ose në Mbretërinë e Bashkuar ku jo vetëm artistë, por edhe miq dhe mentorë si Tomorr Kokona ose ndonjë anëtar tjetër i BACA më kanë ndihmuar dhe ende vazhdojnë të më mbështesin.

Këta njerëz janë edhe disa që nuk i kam takuar kurrë, por arti i tyre dhe mënyra se si e përcjellin atë ka qenë arsyeja pse tani kam një kitarë në dorë. Midis tyre, do të veçoja kitaristin Tom Bukovac nga Nashville, i cili vitet e fundit ka qenë mentori im muzikor, jo vetëm në kitarë.

Familja?

Familja ime gjithmonë më ka mbështetur në mënyrën e vet. Ajo që dua të them është se unë nuk vij nga një familje muzikantësh, por vij nga një familje që e vlerëson të bukurën dhe e kupton përpjekjen time për ta ndjekur atë. Mendoj vërtet se nëse ata do të kishin pasur drejtimin në rininë e tyre ose nëse do të kishte qenë e mundur, të dy prindërit e mi do të kishin qenë muzikantë. Vëllai im është gjithashtu artist në zemër, në fund të fundit, ai ishte personi që solli kitarën time të parë në shtëpi kur unë nuk e dija se çfarë ishte.

Gjëja që kam vlerësuar më shumë është liria për të zgjedhur atë që dua dhe se ata më kanë dhënë vlera që mendoj se më bëjnë të ndihem krenare për veten time.

Të rinjtë shqiptarë?

Mendoj se janë të etur për gjëra që mund t’i prekin vërtet emocionalisht dhe t’i përfshijnë më shumë në njohjen e vetvetes. Mendoj se mungesa e artit si një gjë parësore në Shqipëri ka lënë një boshllëk që nuk kam përshtypjen se ata nuk e kuptojnë dhe që i ka bërë të pandjeshëm dhe të painteresuar për bukurinë ose arritjen e më të mirës për veten e tyre.

Do të thoja se ekziston një rreze drite krijuese midis të rinjve dhe në shumë aktivitete me Kulturën dhe Artet Britanike-Shqiptare e kemi zbuluar këtë, por mendoj se nevojitet më shumë ndihmë në gjërat themelore, si ofrimi i artit në shkolla, skena të vogla për të performuar, etj.

Bashkëpunime?

Aktualisht, bashkëpunimi i fundit ishte me pianistin francez Julian Gaiffe me të cilin publikuam EP-në ‘Clouds’ me regjistrimet tona live në studio në Londër.

Jam në përgatitje për një vazhdim të atij projekti, një bashkëpunim me një kitarist nga Tirana, Xhon Treni, si dhe publikime të reja me grupin britanik ‘Rusty Halo’.

Vështirësia, ku keni ngecur ndonjëherë?

Unë shpesh dhe vazhdoj të përballem me atë ndjesi të “humbjes së kuptimit” në përpjekjet e mia artistike. Kishte një periudhë kur isha më i ri kur nuk luaja kitarë për javë të tëra dhe periudha e “kthimit” ishte gjithmonë sfiduese. Gjithashtu, periudha kur isha i bllokuar në një skenë të vogël muzikore kur isha i vendosur vetëm në Tiranë më bëri të mos zhvilloja veten si muzikant. Këto janë gjithmonë sfida, mendoj se ato gjithmonë përsëriten në çdo nivel ose vend, mendoj se thjesht jam bërë më i mirë në përballimin e tyre.

Një mesazh i fortë rock?

Krijimi i vërtetë, ai që vjen nga një vend i sinqertë dhe i pastër, është gjithmonë ai që do të mbijetojë dhe do të mbetet. Pavarësisht faktit se mediat sociale ose çdo presion për të qenë “i shpejtë”, “të bëjmë atë që dëshiron publiku” ose për të qenë gjithmonë “online” ka hedhur një hije mbi ne sot, sepse humbasim mundësinë. E vërteta është se bota do që ne të jemi ata që jemi, jo kopje të të tjerëve ose “produkte” të shpejta që ndjekin trendet.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 577
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VALLE FIT THIS SATURDAY!
  • BIOGRAFIA E GJERGJ KASTRIOTIT NGA MARTIN SEGONI
  • VDEKJA E EMPATISË DHE RRËSHQITJA E QYTETËRIMIT DREJT BARBARIZMIT
  • TRASHËGIMIA ARKEOLOGJIKE E LUGINËS SË SHKUMBINIT SI BURIM PËR TURIZMIN KULTUROR INOVATIV
  • Ambasadori i xhazit dhe i vlerave shqiptare
  • Historia e çlirimit të Kosovës do të ishte e paplotë pa Jakup Krasniqin
  • Prof.Dr. Isak Shehu, muzika i buron nga rrënjët
  • THE CANBERRA TIMES (1984) / BRITANIKJA KERIN HOPE : “UDHËTIM NË SHQIPËRI, KU MAKINAT, KONTRACEPTIVËT, MJEKRAT DHE FEJA JANË TË NDALUARA.”
  • FILATELIA SHQIPTARE NË EKSPOZITËN GJERMANE-SUEDEZE : BEPHILA-2026
  • JUSTICE FOR THE BYTYQI BROTHERS — KOSOVA AND AMERICA MUST DO MORE TO ENSURE ACCOUNTABILITY FOR SERBIAN CRIMES
  • Iliria në hartografinë Ptolemeike: Një analizë historiko – hartografike e hartës së Petrus Bertius
  • VATRA DHE DIELLI NGUSHËLLOJNË FAMILJEN HOXHA, CANI E KIRKPATRICK
  • Sovraniteti i Kosovës në arkitekturën e re ndërkombëtare
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË HOLLIVUD
  • Në përvjetorin e dhjetë të Shenjtërimit të Nënë Terezës në Michigan!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT