• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PAVDEKSIA E DIN MEHMETIT

November 12, 2012 by dgreca

Nga Gani Qarri/
 Eh vitet ecin ato nuk ndalen dhe kalojnë gati pa u vërejtur, si ujët nën urë. Sa shpejt u bënë dy vjet nga shkuarja juaj në amshim, profesor dhe poeti ynë! Por kujtimet mbeten,ato nuk plakën dhe nuk vjetrohen për ju asnjëherë. Respekti, ndjenjat e ngrohta bashkë me dashurinë e veçantë ndaj jush, jetojnë në zemrat e gjithë dashamirësve tuaj edhe sot, Din Mehmeti! Poeti ynë i shtrenjtë ju jetoni bashkë me vargjet në shpirtrat e adhuruesve që nuk u harrojnë, tani dhe asnjëherë,pa llogaritur kohën e  shkuarjes suaj në amshim. Sot e gjithmonë kujtojmë kohën sa ishe me ne,adhurojmë gjithnjë miqësinë tuaj të  sinqertë, por edhe shfletojmë krijimet e shumta poetike që na i ke lënë amanet, si dëshmi e pavdekësisë suaj të përjetshme. Madje edhe tani sikur na duket se vetëm rastësia ju ndau përkohësisht nga ne , por jo edhe përgjithmonë,Profesori ynë i dashur. Nuk e di, ndoshta afria e  rrallë dhe qëndrimi juaj prindërorë, krijoj tek ne bindje të kthyer në hipnotizim, nga i cili ne as sot nuk mund të lirohemi,ndaj nuk na duket e qëndrueshme as thënia, se ty nuk do të shohim më kurrë, por “vetëm” përkohësisht apo ndoshta gjithnjë e më rrallë…. Nostalgjia e kujtimeve ndaj profesor Din Mehmetit dhe takimet me poetin tonë të madh e me renome, çdo herë na krijoj kënaqësi. Kurse bisedat me të, ishin të veçanta,ato përmbanin ide të mëdha artistike, kulturë të lart shprehjeje dhe shije të përsosur letrare,afria njerëzore e të cilit na bënë që edhe sot në hapat e tij të ndjehemi kaq sigurt dhe mirë. Ndonjëherë Bacaloku ynë i munduar nga vuajtjet dhe hallet e jetës,dinte edhe të ngrysej, bëhej natyrë paksa më e mbyllur,por ai gjithmonë mbetej dashamirës,fjalë ëmbël dhe kishte një vështrim të butë deri në dhembje, ndaj ndoshta mu kjo, atë e bënte më të veçantë në jetë që dallonte nga të tjerët. Megjithëse poeti kishte shumë adhurues që e nderonin, në kohë të vështira do të thoshte se pati pak miq të vërtetë të cilët do ta trajtonin me dashamirësi kur ai kishte nevojë, madje disa nga ta edhe në momente të rënda nuk do t’i gjendeshin pranë atij, sado që Bacaloku ynë i mirë, ishte shumë i dashur me të gjithë dhe kishte shpirt të sinqertë njeriu. Profesor Dini për alfabet kishte sinqeritetin dhe nuk njihte djallëzinë,kundërshtonte fort mjerimin e rëndë që si vello e zezë kishte mbuluar gjithë vendin tonë dhe jo rrallë do të konfrontohej me ushtruesit e padrejtësive të cilët rëndonin jetën e shqiptarëve të pa krahë nën pushtim. Ai edhe në shumë nga vargjet që do të krijonte,nuk kishin “tituj” tjerë përveç lirisë së tyre, si kryetemën e poezive të tij. Ndaj,poezitë e Din-it, do të ktheheshin në histori, të cilat shumë kush do ti mësonte përmendësh si testament që kërkonin lirinë e atdheut të robëruar. Poetët me rrugëtime të tilla jete dhe vepre, nuk vdesin kurrë por jetojnë përgjithmonë bashkë me vargjet e historisë së shkruar poetike të cilat pa asnjë dyshim edhe për Bacalokun, që me kohë  kanë vulosur pavdekësinë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Din mehmeti, Gani Qarri

ESHTE ZHDUKUR TERMI ,,ABETARE,,PER NXENESIT SHQIPTAR NE MAQEDONI

November 12, 2012 by dgreca

TH I RR J E

Me rastin e festës së fillimit të punimeve të Kongresit të Manastirit nga 14-22 Nëntorit 1908, Shoqata Humanitare dhe Kulturore “Programi Unik Shqiptar” në Maqedoni i bënë kërkesë “Programit Unik Shqiptar” në SHBA, që të ndihmojë me ndihma për blerjen e rreth 9.000 Abetareve për nxënësit shqiptar në Maqedoni pasi ka disa vite që libri me emrin ABETARE është hequr pa të drejtë. Ky projekt bëhet me qëllim që edhe nxënësit e shkollave fillore në Maqedoni të mësojnë me Abetaren e njësuar, ashtu siç mësojnë nxënësit shqiptar në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Luginën e Preshevës dhe në Diasporë. Siç shihet vetëm vogëlushët shqiptar në Maqedoni janë përjashtuar për të mësuar me librin e dashur të Abetares, kjo jo për faj të ndarjes territoriale, por për faj të politikanëve të dobët shqiptar. Këta politikanë harrojnë se në Maqedoni u vendos Unifikimi i Alfabetit të Gjuhës shqipe me shkronja latine, prandaj është ofendim i rëndë që vetëm vogëlushëve shqiptarë në IJRM tu mohohet mësimi me Abetaren mbarëkombëtare. Pra sot si pasojë e politikës diskriminuese nxënësve shqiptar u mungon libri bashkë me termin Abetare e cila është simbol i sakrificës e shumë pishtarëve të arsimit.

Ne si PUSH, duke vërejtur se asnjë parti politike, asnjë deputet dhe ministër shqiptar në Maqedoni nuk po bëjnë përpjekje që Abetarja mbarëkombëtare të mësohet edhe nga nxënësit shqiptar në Maqedoni, atëherë PUSH do t’ju krijojë mundësinë që këta fëmijë ta kenë Abetaren dhuratë-falas.

Programi Unik Shqiptar do punojë që të gjithë nxënësve shqiptar në shtator të 2013 të kenë ABETAREN UNIKE në duart e tyre. Pra nuk do të lejojmë që disa fëmijë shqiptar të trajtohen me syrin e nënës dhe disa të tjerë me syrin e njerkës për faj të politikës vasale të pushtetarëve.

Ne shpresojmë se do të gjejmë mbështetje dhe mirëkuptim nga të gjithë shqiptarët kudo në botë pavarësisht nga idetë politike dhe besimit fetar që i përkasin. Kjo iniciativë nuk është politike, por Kombëtare, Kulturore dhe Humane.

Kryetar

Prof.Teuta Kamberi-Llalla

Filed Under: Kulture Tagged With: push, Teuta Llalla, thirrje

100 VJET LETËRSI GJATË 100 VJET PAVARËSIE

November 11, 2012 by dgreca

NGA PAL NDRECAJ*/

Fati historik i popullit tone ka dashur që letërsia shqipe, në të gjitha periudhat e zhvillimit të saj të krijohet në masë të madhe jasht kufijve të shtetit kombëtar dhe jasht trojeve etnike. Emigrimet e pandërprera nxorën jasht vendit jo vetëm qytetarë të rëndomtë, që u detyruan të sigurojnë ekzistencën e tyre në vende me liri më të madhe se vendi i tyre, por ndoqën edhe disa nga mendjet më të shquara të kombit. Prandaj, studimi i letërsisë bashkëkohore shqipe nuk guxon të kufizohet në emrat që krijuan në Shqipëri, Kosovë, troje etnike në Mal të Zi, Serbi e Maqedoni, por edhe në Gjermani, Zvicër, Suedi, Francë, Itali, SHBA, etj. Gjeografia e letërsisë shqiptare është më e madhe dhe më e hapët se gjeografia e popullit shqiptar.

100 vjet kohë në krijjimtarinë letrare do të thotë një periudhë e gjatë dhe interesante. Sikurse edhe në letërsitë e tjera evropiane një periudhë kaq e gjatë kohore karakterizohet edhe me shfaqjen e shkollave, drejtimeve e formacioneve të ndryshme letrare. Dhe padyshim, ky 100 vjetësh i shënoi të gjitha këto, sa me faktin se paraqet një kohë më të përshtatshme për shkrimin letrar, aq edhe nga ndikimi i shpejtë i rrymave letrare perendimore, sidomos i asaj moderne. Tashmë në Shqipëri u shqua një numër krijuesish, të cilët do të vazhdonin traditën letrare shqipe të thelluar nga emra kolosësh, sic janë Naimi, Mjedja e Fishta. Mirëpo nuk kaloi edhe shumë kohë dhe letërsia u ndodh përpara momentit të vështirë të diktatit politik të shtetit diktatorial, kur nga letërsia u shtruan kërkesa që do ta vinin atë në funksion të përmbushjes së interesave politike e ideologjike të sistemit. Sic është e njohur, ky diktat zvetnoi një pjesë të konsiderueshme të prodhimtarisë letrare, duke e evituar atë  nga funksioni artistik. Mirëpo, megjithë përmasat dramatike që tashmë ka marrë debati here here më shumë politik sesa letrar në lidhje me krijimtarinë e shumë shkrimtarëve te kësaj periudhe, respektivisht në lidhje me raportin e tyre si krijues me kërkesat politike të përmendura, mund të thuhet se në letrat shqipe të periudhës së komunizmit u hetuan përpjekje për të dalë jasht këtyre kontureve ideologjike të imponuara. Kush njeh dhe kupton veprën e Ismail Kadaresë, kush njeh e kupton gjuhën e aluzionit e të alegorisë poetike, kush njeh fuqinë e figurave të sofistikuara poetike, kush e lexon dhe kupton atë pa ngarkesa emotive e ideologjike nuk e ka të vështirë të pranojë se edhe për rastin shqiptar vlen thënia e filozofit gjerman Friedrich Nitche: “Feja, morali dhe filozofia janë forma të dekadencës së njerëzimit. Lëvizja e kundërt është arti”!

Mirëpo, meqë qëllimi i këtij tubimi është shënimi i një përvjetori kaq të madh, i  100 Vjetorit të Pavarësisë dhe organizatori i tij ka kërkuar që të fokusohemi tek letërsia shqipe që krijohet ne SHBA , po përpiqem që në këtë bashkëbisedim të përkujtojmë rrugën nëpër të cilën ka ecur dhe është zhvilluar kjo letërsi në këtë pjesë të botës. Figurat e para që na shfaqen në këtë kohë dhe në këtë mjedis janë shkrimtari e intelektuali Faik Konica,  shkrimtari, intelektuali dhe studiuesi Arshi Pipa dhe shkrimtari, intelektuali kleriku e politikani Fan Noli.

Vepra e Konicës është, pothuajse, një shkollë më vete që e karakterizon një gjuhë dhe stil krejtësisht i ri dhe i paparë deri atëherë, me një ironi të fortë, me një sakrazëm të mprehtë dhe me një notë kritike të pamëshirshme. Historia e shkrimit tonë letrar e cilësoi atë si një “stilist të rrallë,  vrojtues të mprehtë qe i vuri themelet e një shkrimi krejtesisht tjetër nga ai i deriatëhershëm”, qe bëri “një shmanige në pikëpamje të formës dhe përmbajtjes dhe nxiti një avansim te të dyjave”.

Fan Noli është shkrimtari që njësoj si edhe Konica, nga përtej Atlantikut. Ai punoi dhe shkroi për emancipimin kulturor e politik të popullit të tij. Poezia e Nolit shquhet për angazhimin dhe funksionin shoqëror dhe për një angazhim të dukshëm politik.

Mirëpo në këtë vend ku ne jetojmë sot përpjekjet krijuese u intensifikuan sidomos në dekadën e kaluar dhe në këtë që sapo kemi nisur. Në këtë kohë ndodhi një vërshim shkrimesh nga një numër i pamasë autorësh, të cilët me dëshirën me të mirë për t`u bërë poetë, tregimtarë e romancierë provuan penat e tyre diku me sukses e diku fare pa të. Tash të flasesh për gjithë këtë prodhim shkrimor si për një lëtërsi është e padenjë, e papërgjegjësi dhe e padrejtë. Mirëpo edhe të mos i shohim në gjithë këtë perpjekje penash penat e mirëfillta është papërgjegjësi e njëjtë, e njëjtë e padenjë dhe e njejtë e padrejtë. Mirëpo, në një vështrim të tillë kalimthi është e pamundur të përmenden të gjithë ata që krijojnë vepra që përmbushin kërkesat estetiko-letrare, kështu që një shqyrtim seleksionues sado që mundohet të mbështetet në argumente stabile, nuk mund t`i shpëtojë subjektivizmit. Fundja, persiatjet kritike janë përkah vet natyra subjektive, pasi që ato përfaqësojnë shijet dhe preferencat personale. Në fushën e poezisë numri i atyre që kanë bërë emër osë që punojnë në ndërtimin e tij është më i madh se në prozë. këtu do të përmendja: Poetet: Ilir Spata, Iliriana Sulkuqi, Kolec Traboini, Elinda Marku, Aulona Goxhaj, Mehill Velaj, Adnan Mehmeti, Gjekë Marinaj, Pjetër Jaku, Pal Ndrecaj etj. Ndërkaq në prozë, pothuajse të vetmit krijues të suksesshëm të romanit e tregimit mbesin Pellumb Kulla, Ramiz Gjini, Naum Prifti, Pandeli Simsia, Albana Melyshi dhe Pal Ndrecaj.

Përderisa Pëllumb Kulla përmes një humori të lehtë, një gjuhe të ëmbël dhe shumë atraktive dhe skenave tejet interesante trajton tema të ndryshme nga jeta e perditshmëria, proza e Ramiz Gjinit synon të zbërthejë të keqen si kategori sociale, politike e filozofike. Romani “Bibollasit” i Ramiz Gjinit trajton një fenomen të rrahur mjaft në këta 20 vjetët e fundit. Ajo që e shpëton atë nga rutina e temës së trajtuar dendur është fakti se Gjini nuk i nxjerr deformimet shoqërore si pasojë të një sistemi që nuk funksionon, pra nuk e lë qasjen letrare peng të qasjes  sociologjike: ideja e romanit na shpie drejt një konkluzioni të mundshëm se deformimet shoqërore burojnë nga vet psikologjia dhe shpirti i individit. Romani i tij “Bibollasit” është një vepër, e cila përmes linjave të tij rrëfimore mëton të përfshijë sa më shumë aspekte devijante të jetës në Shqipëri, në fazën delikate të ndërrimeve të mëdha politike.

Anët më interesante të poezisë së sotme në SHBA i përmbajnë Ilir Spata, Iliriana Sulkuqi, Elinda Marku dhe poetesha e re Aulona Goxhaj. I pari, Ilir Spata, duke  aplikuar një tip poezie që tashmë është i tejkaluar dhe “anakronik” me një sukses tepër të madh, me një talent te rrallë dhe një mprehtësi të rrallë thyen një “rregull” në pikëpamje të llojit e formës; ai është një poet epik dhe epika e tij freskohet me  vecori e tipare te reja e interesante. Epika e tij është epikë e Atdheut, e fatit te tij të rëndë që i sollën shekujt. Poezia e tij “Kush jemi ne” e shkruar  para 6 vitesh është pasqyrë e gjithë rrugëtimit tonë nëpër histori, ajo është një vajtim i bukur e kranar i fatit të keq, një parashtresë tronditëse e të drejtës sonë dhe një dëshmi gjëmuese e ekzistimit të dinjitetshëm përballë pabesive aq të pashpirta që na i vuri përpara e kaluara. Iliriana Sulkuqi aplikon një poezi të lehtë kuptimmisht, një lirikë që shpërfaq ndjesitë e përjetimet personale, ndërkohë që Aulona Goxhaj synon një komunikim poetik të mbështjellur me një arsenal tropesh që mëton të përfolë dukuritë e fenomenet universale të jetës dhe te ndertoje nje sistem konceptimi filozofik qe afron me meditimin e rende, me persiatjen e mundimshme dhe me gjetjet e panumerta. Elinda Marku, nje tjeter poete interesante dhe shume produktive i sjell poezise shqipe ne keto ane dhe poezise shqipe ne pergjithesi ane te tjera karakteristike, sic jane: atmosfera e befasise dhe shperthimi i te papriturave. Krijimet e saja, jane, padyshim krijime te veshura me nje petk artistik tejet farfurites dhe te bukur, sjellin mesazhe humane dhe vecohen me ide e mendime interesante dhe shtresime e shumedimensionalitet kuptimor. Nje poezi e publikuar krejt se fundi me ka befasuar me aftesine per dyzimin semantik te mitit te Arkes se Noes. Sipas Elindes, ajo qe solli shpetimin me rastin e permbytjes, nuk eshte arka, por nje djep. Dhe, rrjedhimisht, bota nuk shpetoi ne kuptimin klasik qe jep legjenda, por ne kuptimin e rigjallimit permes atij djepi. Tematika e poezise shqipe ne keto ane, perjeton nje zgjerim e pasurim te dukshem me krijimtarine e Mehill Velajt. Poezia e tij  zgjeron interesimet shprehese duke prekur ceshtje te nduarduarta, te cilat ia nenshtron nje prizmi origjinal nga kendi i nje vrojtimi metafizike. Pra, poezia e tij meton te jete gjithperfshirese.

Një numër tjetër krijuesish, që sic permenda, mëtojnë të ndertojnë emer në letërsi has në pengesa të mëdha për të realizuar këtë. Këto pengesa duken edhe më shumë tek disa të ashtuquajtur romanciere, të cilët në “romanet” ndjekin ndonjë tregim a ngjarje te jetuar a të degjuar pa pasur as më të voglën mundësi që atë ta  transormojne ne një rrëfim letrar.

  • Kjo kumtese u mbajt me 11 nentor  ne takimin festiv vjetor, organizuar me rastin e 100 vjetorit te Pavaresise nga Shoqata e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane

Filed Under: Kulture Tagged With: 100 vjet Letersi, Pal Ndrecaj

NJE PORTRET AS LINDOR AS PERENDIMOR

November 11, 2012 by dgreca

Nga Astrit CANI/

Artisti Eltjon Valle më fton me më tregue pikturën e tij të fundit. Vizitojmë apartamentin tij, në skaj të lagjes ‘Isola’ të Milanos, ku muret janë të mbuluar nga kuadrot e tij me format të madh, në tonalitete të errëta, shpesh monokromatike. Këtu lart mbërrijnë veprat të cilat autori i ndjen më afër, ato që meritojnë të rrinë veç, larg angarisë së ateljesë. Herën e fundit që kam parë një seri prej tij, ishte një inventar i shkrimtarëve të mallkuar të shekullit XX, ku secili mund të njihte shkrimtarin e vet. E vetmja gjë që ka mbetur e pranishme edhe sot, nga ajo ‘recherche’ e dikurshme, është përdorimi i naftës në telajot e tij, me bazë bojrash vaji. Hedhja e bazës ose ‘grunti’ bëhet gjithmonë me bojra klasike. Më vonë vjen retushimi me olio di pietra ose petrolio. Elementi naftë për Vallen, është një mënyrë me sondue fëmininë e vet, në jugun industrial. Dhe fëminia është obsesioni i çdo artisti. Duke ia shtuar naftën, piktura e tij refuzon me qenë e bukur tout court. Ajo të imponohet me mënyra të tjera. Sikundër në mënyrë magjike një fëmini mund të jetë fatlume, pa qenë e bukur. Piktura e tij të imponohet në radhë të parë me dimensionin e saj urban, ku asgjë nuk i lihet rastit. Valle e vazhdon kërkimin e tij në të gjitha përthyerjet e postmodernizmit, duke kërkuar udhën e tij në peisazhin apokaliptik. Megjithatë herë pas here, ai ndjen nevojën t’i kthehet akademisë.

Këtë radhë ka marrë përsipër një subjekt pa të dytë, personalitetin më në zë dhe më të padiskutueshëm, flamurtarin e Rilindjes sonë, Ismail Qemalin. Larg zhurmës institucionale, larg fetishizimit mediatik, ka qenë vetë familja Vlora që e ka porositur këtë portret, e pakënaqur nga përshfaqjet e deritanishme të kësaj figure sa të nderuar aq edhe të shfrytëzuar. Nismëtari i projektit shprehet i kënaqur me rezultatin, dhe uron ta shohë në qarkullim sa më shumë, deri sa kjo e përshfaqje të tjera si kjo t’ia zënë vendin atyre të realizmit socialist. Për filatelistët urojmë ta kemi edhe në ndonjë seri pullash. Ka ende shumë punë me arritë tek ndryshimi i perceptimit edhe për këtë ikonë kombëtare.

Shumica e shqiptarëve e njohin atë nëpërmjet filmit, i cili, pavarësisht aktorit të pazëvendësueshëm që e luan, e rëndon gjithçka me një retorikë prapavepruese, që e prish vërtetësinë realiste të kohës dhe vendit, ‘hic et nunc’-un aristotelian. Më shumë se gjithçka, na intereson me hetue pikëpjekjen e përmasës njerëzore me përmasën historike të asaj bëme. Nga libri i edituar e botuar prej Darling I. Vlora, përmendim një citat që na jep nga afër kalimin e vështirë drejt destinacionit që bëhet destin. Nga kujtimet e delegatit Dh. Zografi: «…Vlora nga Durrësi nëpër det mban 5-6 orë, po nëpër tokë, në dimër mban 4 ditë me kuaj të mirë. Ç’kemi parë dhe ç’kemi bërë në këtë udhë bëhet një roman më vete. Fushët e Muzeqesë, të mbytura me ujë, dukeshin si nonjë det pa anë dhe i kemi shkuar kaluar 5-6 orë më këmbë në ujë gjer mbi gju, asisoj dhe udhë të gjata me baltëra të thella që mezi nxirrte këmbën kali. Për tu vënë re ish guximi, kurajua, fytyra e ëmël dhe e pandryshueshme e plakut Ismail Qemali, i cili shkonte gjithnjë përpara. Një njeri i pamësuar nër ato vise, jo plak si Ismail Qemali, po shumë më i ri, sikur në flori ta veshësh, s’ta bën atë udhëtim. Po patriotizmi dhe gazi i punës së shenjtë që kish nisur, e mbushte me kurajo që të marrë atë udhë të gjatë. Duke parë guximin e plakut të shtrenjtë, na forcohej edhe neve zemra që të kapërcejmë gjithë ato rreziqe, të cilat kur i kujtojmë sot na zë tmerri. Ç’ka bërë Ismail Qemali sot për Shqipërinë, ç’nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emri i tij, atë mund ta gjykojë vetëm ai njeri që di dhe pa veprat e tij…»

…Poezia e fortë e realitetit. Shprehja “gazi i punës së shenjtë” flet për atë nivel realiteti ku aksioni bëhet poezi. Një poezi që duhet vazhduar. Ismail beu ka qenë kapiteni i parë i kësaj anijeje që quhet Albania. Të na falni që po i përmendim emrin ndërkombëtar, por i shkon anijeve një i tillë. Ai qe i pari që vërtetoi se kjo anije e vogël lundron, dhe i siguroi asaj njohjen dhe përnjohjen ndërkombtare. Ka pasur kohë kur një pjesë e vetë shqiptarëve e kanë sekuestruar këtë anije, dhe mu si Robinson Crusoe pas anijembytjes e kanë plaçkitur atë, anijen e vet. Dritëshkurtëve kjo i është dukur racionale, thuase mund të çohet në shpi atdheu copa-copa. Por është e kundërta, duhet të vendoset shtëpia në një atdhe, atëherë begatohet shtëpia e atdheu bashkë. Robinsoni e plaçkit anijen e vet, pasi ajo nuk lundron më, e nuk mund ta shpëtojë dot, i duhet thjesht për mbijetesë. Por anija jonë Albania do lundojë sot e mot e do ketë prapë kapitenë si Ismail beu. Piratët qysh sot kanë filluar të kthehen në papagaj.

Me cinizëm prej kritiku, them se arsyeja përse Valle e ka qarë portretin e Ismail Qemalit, vjen prej distancës nga historia dhe kompleskiteti i saj. Dora e tij lëviz me ritmnin e emocionit, pa ngërçin e ideologjisë. Sikundër ka aktorë që e qajnë tekstin pikërisht sepse nuk e kuptojnë atë, dhe vetëm kështu ata bëhen vetë teksti. Por Valle e ka ndjerë subjektin e vet, s’e ka duruar dot gjatë, e ka rrokur me penelata të shkathëta, ku gjithsesi ndihet një emocion që ka lidhje me sekretet e gjakut të të parëve. Dhe kështu kemi një portret të formatit mesatar (100 me 70), të punuar mbi një fotografi të përsosur të vitit 1910, prej arkivit të familjes. Kuptohet, që shtrimi i imazhit në pikturë, i jep atij shumë më tepër jetë, ngasa do t’i jepte një zmadhim i thjeshtë i resmes origjinale.

Mbi mur, prapa një gramafoni kinse butaforik, fytyra e plakut të urtë duket sikur buzëqesh dhe na jep bekimin, a thua se mirësia e tij na qenkej edhe mirësia jonë, sikur po na dhuron pak nga ai dinjitet duke e ngjallur atë brenda nesh, ku ka qenë i topitur për shumë kohë.

I thirrur gati para përgjegjësisë, për të realizuar portretin Valles i duhet të shfrytëzojë gjithçka që i ka marrë shkollës shqiptare dhe akademisë italiane që ka frekuentuar në vitet e vështira të formimit të tij. Për gruntin dhe flamurin, ai kërkon të kuqen, por nuk mjaftohet patriotikisht me atë të Onufrit, kërkon Tintoreton, mjeshtrin e kahershëm. Mosnjohja e historisë nga ana e piktorit, i jep kësaj pikture një pafajsi të rrallë dhe e çliron nga çdo akademizën e njëherësh nga çdo ideologji. Valle pikturon njeriun prej mishi dhe ashti dhe gjestin e tij.

Nuk është këtu vendi të flasim për modernitetin dhe tagrin shumëpërmasor të figurës së Ismail Qemalit. Si individ, pavarësi-bërësi jonë ka edhe një tregues tjetër shumë të rëndësishëm, se është ndër shqiptarët me zhvillimin më të mirë psiko-fizik të kohës. Na duket i dorës së parë fakti se ai ishte një figurë që po të mos kishte bërë Shqipërinë do të kishte punuar për Turqinë moderne, e mbase kontributi i tij direkt do t’i ishte shpërblyer familjes së tij aty. Por sikur ai të kishte zgjedhur të bënte për Turqinë, familja e tij sot do të ishte mbase më e kamur, më e madhe dhe më e respektuar, por nuk do të ishte më shqiptare.‘Amor fati’ e deshi për ’të dhe për ne që pas lavdisë të vinte kupa e hidhur. Një poet amerikan ka thënë: find what you love and let it kill you.

Na frymëzon maturia, drejtpeshimi dhe personaliteti i shëndetshëm i Ismail beut (për anglishtdashësit: lord Qemali). Ai nuk anon kurrkah. Kudo ku shkon është shqiptar, nuk është as lindor as perëndimor. Njerëz si ai europianizuan edhe Turqinë. Po të ishim si ai nuk do t’imitonim, nuk do ta bënim me anue anijen tonë, duke vrapuar herë kah perëndimi herë kah lindja. Kështu do t’ishim as lindorë as perëndimorë, pra edhe lindorë edhe perëndimorë. E në këto kohëra të globalizimit ne do t’ishim mediatorë të shkëlqyer të këtyre dy Botëve, që janë e njejta botë. Pra në vend që të ishin perëndimi dhe lindja dy gurët e mokrës që na grijnë qëmoti, do të ishin dy burimet tona që na furnizojnë padà me energji sociale. Do të ishte e vetmja mënyrë për mos e e fetishizue veten, siç kemi fetishizuar të gjitha ikonat tona.

Portreti e ka vazhduar rrugëtimin e tij. Janë bërë shumëfishime të shtypura dhe është shpërndarë edhe elektronikisht. Diaspora e shqiptarëve të Kosovës e ka pritur Darlingun dhe nderuar atë me qytetari nderi. Kuptohet që për stërnipin e Ismailit, ky është një vlerësim frymëzues. Ne shqiptarët e simbas-Londrës nuk e harrojmë amà, se ishte stërgjyshi i tij që na e dha qytetarinë bashkë me nderin. Nuk do të lejojmë e as nuk do të ndodhë që piratët të na i marrin të dyja.

Sot ky portret është pjesë e koleksionit privat të zotit Renato Skënderi. Me prani të kahershme në atdheun e pikturës, ai i ndih me sa mundet artit të ri shqiptar…Të gjitha formulimet janë të tepërta dhe e lëmë portretin të flasë.

Na intereson ta ndjekim udhëtimin e portretit. Jemi shumë kureshtarë të shohim si do festohet në familjen Vlora 100 vjetori. Si një Vit-i-Ri Shekull-i-Ri?…

Pavarësia është një realitet që duhet vazhduar pa ia prishur poezinë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Cani, Eltjon Valle, Porteri i Ismail, Qemalit

HYSNI PEJA „ARNAUTI“ QË S’NJIHTE FRIGËN

November 11, 2012 by dgreca

Skruan Eugen SHEHU/

 Veçanërisht ne shqiptarët po jetojmë jo pa ankth rrëzimin e miteve . Them veçanërisht , pasi , të sunduar prej diktaturave (Enveriste – Titiste) nga më të egrat dhe të pakuptimtat në krejt Europën Lindore , vumë në piedestale idole të rremë . Mekanizmi i sofistikuar i tabuve , veprojnë në mënyrë të „përkryer“ , duke vlersuar personalitetet apo jetë krejt të zakonshme vetëm nëpërmjet kritereve politike.Ishin ato që vendosnin nëse duhej të ngjiteshe në podiumet – piedestal apo të dergjeshe nëpër qelitë e ftohta të burgjeve. Pre e këtij mekanizmi ( të denjë natyrisht për obskurantizmin mesjetar) ishte pos të tjerash edhe jeta e HYSNI PEJËS , këtij burri të mençur dhe trim .

Ka lindur në Shkodrën e kulturës dhe të traditave të hershme qytetare , në vitin 1889 . Do të edukohej që në fëmijëri me atdhedashurinë e thellë. Tek e mbramja do të ishte një brisk i shëndetshëm në trungun e një prej familjeve të dëgjuara të Kosovës. Gjyshi i tij Hasan Peja ,ka qenë pjesmarës në disa kryengritje ndaj Portës së Lartë.Edhe pse osmanët u rrekën t’i afronin tituj dhe poste në perandori , kurrsesi ata nuk ia dolën dot. Me dekret të veçantë të Vezirit të Madh , Hasanin e dëbojnë nga Peja familjarisht duke e çuar në Shkodër , natyrisht edhe këtu nën ruajtjen direkte të autoriteteve perandorake . Fryma dhe ndjenjat e thella të dashurisë për atdheun , Hasani do t’i transmetonte tek i biri i tij Tahiri , e më së fundi ky tek i biri i tij Hysniu . Kjo përcjellje nga brezi në brez e një dashurie kaq tokësore për Pejën , për shtëpitë dhe rrugët e saja , për njerëzit bujarë e trima , do të rezononte më pas në krejt jetën e Hysniut .

Mbasi mbaron me rezulltate mjaft të larta Akademinë Ushtarake të Stambollit , në vitin 1912 , kthehet për pak ditë në Shkodër. Impresionet i ka të Mëdhaja .Shkodrën e kishte lënë gati fëmijë ndërsa tani me një barrë vitesh në supe.Largohet prej qytetit të dashur , ndërsa në intimitet u kishte thënë njerëzve të shtëpisë :“Shkollën vërtet ma dha Turqia e duhet me shërbye me nder,por vendi im është këtu në Shqipëri“. Ndërkaq , Lufta e Parë Botërore , do ta hidhte fatin e djaloshit prej Peje nëpër sa e sa lutëra siç i hedh fortuna kaiket prej druri në gjirin e dallgëve të detit.Kaukazi dhe Iraku , Odesa dhe Persia do të hynin në vallen makabre të kësaj lufte duke vënë në provë karakterin e „arnautit që nuk di çfarë është frika“. Në mbarim të kësaj lufte ka marrë disa dekorata e për më tepër është ngjitur lartë në shkallët e hierarkisë ushtarake . Tek Hysni Peja kanë qenë kurdoherë të ndërthurura natyrshëm zgjuarsi,trimëria por edhe kthjelltësia e mendimit.Falë aftësive të tij plot kulturë e dinjitet , në fillim të vitit 1920 caktohet me detyrën e lartë të shefit të drejtorisë së protokolit në Ministrinë Turke të Luftës.

Gjithsesi gradat dhe nderimet askurrë nuk shëmbëllyen për të si klithmat e serenave të Circës që donin ta ndalnin vrapin e Odiseut drejt Itakës.Shqipëria e krijuar nga Zoti ,me Pejën , Shkodrën dhe Prevezën do të ishin Itaka e Hysniut deri në çastin e mbramë.Fund e krye vepra e tij u ndiçua prej mendimit se Shqipërinë do ta bënin vetëm bijtë e saj , me diturinë , diplomacinë,por edhe trimërinë e tyre.Kthehet në Shqipëri në mesin e vitit 1920. Shqiptarët ndër kohë kishin nisur të shkruanin epopenë e Vlorës.Ata kursesi nuk mund të pranonin që Adriatiku i kaltër i tyre të patrullohej prej italianëve dhe për më tepër gjiri i Vlorës së lashtë të ndjente zgjedhë të huaj.Hysniu tashmë e kuptonte se gjithshka , edhe dituritë edhe aftësitë , edhe trimëria duhej vënë në shërbim të atdheut.

Me kërkesën e disa ushtarakëve të Lartë të Ushtrisë Kombëtare , caktohet në detyrën e instruktorit të parë për pregaditjen e kuadrove ushtarake në garnizonin e Tiranës. Orienton saktë vartësit përballë detyrave , sjell shembuj dhe përvojë prej betejave ku vetë ka qënë pjesmarës , kontrollon në çdo kohë nivelet e kujdo.Ndër kohë është mjeshtër që di të përcaktojë në kohë dhe hapsirë peshën e përvojës së luftrave të tjera , të bashkëlidhura me situatën në Shqipëri , terrenin dhe cilësitë e vyera të luftëtarëve tanë.

 

 

Pushtimi fashist në vitin 1939 e indinjon pa masë.Është në radhët e para të rezistencës që populli ynë i bëri këtij pushtuesi.Por këtë qëndrim e paguan duke mos ju rezervuar asnjë detyrë në ushtrinë kombëtare,prej komandës së lartë të asaj kohe.Gjithsesi aso kohe Veriu i Shqipërisë londineze ishte ende i kërcënuar nga ushtritë serbe. Është kjo arsyeja që Hysni Peja caktohet në detyrën e perfektit të Kukësit dhe rrethinën e saj. Por gjithmonë , „nderret“ nuk do t’ja zbehin askurrë dashurinë për atdheun.Misionin e tij e sheh kurdoherë të pashkëputur nga detyra , ciladoqoftë ajo.

Ka inicuar sëbashku me disa patriotë kuksjanë , punimin në bronx të bustit të Gjergj Kastriotit dhe ka vendosur pikërisht 28.nëntorin.1939 si ditë të inaugurimit të tij.Ardhur prej Shkodre e Puke , prej Prizrenit e Dibre , prej Lume dhe Hasi , mijëra shqiptarë kanë duartrokitur daljen në shesh të Hysni Pejës e sidomos fjalët e pakta e të ngrohta që ai tha.“… Me rastin e kësaj dite , jam i lumtur që pata fatin me zbulue fytyrën e heroit të madh kombëtar ,Skenderbeut,në këto vise që ka me ngjallë shpresa dhe ëndërime që çdo kosovar ushqen në zemrat e veta.Në këtë fytyrë shkruhet historia e shkëlqyeshme e popullit tonë,në të këndohet sakrifica e stërgjyshërve tanë..z.Kryetar i bashkisë,t’i kushtoni kujdesin më të madh që ky monument të jetë përherë burim i sakrificës dhe trimërisë dhe vështrimi i tij të jetë ideali i përhershëm i djelmënisë sonë.Rroftë kujtimi i tij i përjetshëm !“.

Detyra si prefekt i Kukësit nuk e ndalon kurrsesi të shkojë në Prizëren e të ngrejë aty një administratë shtetërore me elementë atdhetarë e të shquar.Natyrishtë duke shfrytëzuar edhe miqësitë e gjyshit dhe babait të tij , disa prej kullave këtu i kthen në shkolla pa harruar në asnjë rast që në dyert e këtyre shkollave ku do të cicëronin prizrenasit në shqip të valvitej flamuri shqiptar pa sëpatat e liktorit.Si ushtarak i talentuar nuk do të kursehej për organizimin e ruajtje të kufijve shqiptarë të kërcnuar prej fqinjëve.Arti ushtarak popullorë do të përbënte në këtë organizim jo vetëm një ngazëllim për të shkuarën por më tepër shpresa dhe siguri për anën ekzistenciale të kufijve tanë.

Por edhe këtu do ta linte punën mes. Një shkresë e administratës së lartë shqiptare e urdhëron trimin e Pejës të largohet nga Kukësi dhe të shkojë në qytetin e Korçës në vjeshtën e vitit 1941 . Pjestarët e një rryme të vagullt komuniste do të përballeshin me nacionalistin Hysniun në atë kohë,por ky me anë të gjykimit  të mprehtë do të dinte t’i zbrapste pa i fyer.Në biseda me miqtë nacionalistë korçarë do të shprehej ; „Korçarët e duan atdheun e tyre njësoj si ne kosovarët.Kush i di luftërat e patriotëve të Korçës dhe Kolonjës kundër grekërve e kupton këtë“.

Edhe pse i caktuar me funksione të larta nga qeveria shqiptare me prirje italiane,Hysni Peja do të kishte kurdoherë si far nëpër tallazet e kohës nacionalizmin.Gjatë kësaj kohe ai do të vihej në krye të atdhetarëve shqiptarë duke ngritur zërin kundër spastrimeve etnike dhe vendosjes së kolonëve serbë në Kosovë dhe Maqedoninë shqiptare.Bile me kërkesën e vet kërkon të shkojë në Pejë për të ndihmuar sado pak në përballjen që populli i Kosovës i bënte genocidit serb.

Pranvera e vitit 1943 do të vinte përsëri në provë aftësitë ushtarake dhe atdhedashurinë e Hysni Pejës.Në detyrën e komandantit të xhandarmërisë,në Pejë,ai kurdoherë troket në kujtesën e bashkëqytetarëve të tij duke i ftuar ata të ngarendin drejt aspiratave të bashkimit kombëtar.

Krahas detyrave ushtarake , që ishin tepër të mprehta në ato kohë , Hysniu bën përpjekje për çeljen e shkollave shqipe kudo ku „fëmijët pejanë,ndjejnë nevojën me u arsimua“.

Janë ende të panjohura mjaft letra të tij të dërguara personaliteteve të arsimit kombëtar shqipëtar. Brenda të cilave jehon thirja prej patrioti, e Hysniut për të bërë ç’është e mundur që gjenerata më e re kosovare të rritej e ditur.Kuptohej që ky shqetsim i birrit të Pejës lidhej me vizionin e tij për të nesërmen e Kosovës të ndarë padrejtësisht nga shteti amë. Edhe pas kapitullimit të Italisë fashiste , Hysniun do ta gjejmë përsëri në rradhët e ushtrisë sonë kombëtare.Fjala e tij tanimë zinte vënd jo vetëm në rradhët e atdhetarëve dhe popullit por edhe në mbarë hierarkinë ushtarake të asaj kohe.Tepër i vëmendshëm ndaj zhvillimeve politike dhe ushtarake të vitit 1944,në disa raste ai nuk do t’i përfillte urdhërat e dhëna prej komandës gjermane. Ndërkohë në bashkëpunim me nacionalistët shqiptar,organizon në Tiranë biseda dhe takime ilegale ku denoncon si fashizmin ashtu edhe komunizmin duke paraparë te të dy këto rryma tragjedinë e popullit të vet dhe për më tepër ëndrrën e pushkatur të bashkimit kombëtar.

Kur komanda e lartë gjermane ndeshet në veprimtarinë atdhetare të Hysniut,kërkon që ai të paraqitet për të dhënë llogari.Nërkohë,miqtë e Pejanit trim,e këshillojnë të kalojnë në ilegalitet e të punojë në këtë mënyrë për organizimin ushtarak të forcave nacionaliste.Gjatë kësaj periudhe,Hysniu mban do kontakte dhe me forcat nacionalçlirimtare shqiptare pa paragjykuar asken,por gjithmonë duke vlersuar se bashkimi i shqiptarëve do të ishte më se i domosdoshëm në luftën kundër pushtuesit.

Për veprimtarinë e tij të thellë kombëtare,guximin dhe sakrificat e bëra në kuadër të bashkimit të trojeve etnike,populli i Shkodrës,do ta zgjidhte Hysni Pejën si deputet të vetin në zgjedhjet e 2.dhjetorit.1945. Shumkush prej zgjedhësve do të besonte jo vetëm tek aftësitë e tij ,por sidomos tek ndershëria,veti kjo e përcjellë në vite,prej derës së tyre që në Pejë. Është pikërisht karriga e deputetit ajo që e zhgënjen atë. Asambleja Kushtetuese jo vetëm që do t’i hapte udhë „mrekullive“ të komunizmit,por më së pari do të godiste elementët e nacionalizmit dhe demokracisë shqiptare që po kërkonte të lindte.

Pa përfillur aspak ardhmërinë e karierës së tij , Hysni Peja me logjikën e fakteve i drejtohet Asamblesë Kushtetuese me një letër ku denoncon hapur linçimin e lirive dhe të drejtave themelore të kombit shqiptar.Ndërkohë që për kte trim të Pejës , ky akt do të ishte një shërbim krejt human për popullin e vet, mirpo për komunistët e shitur tek titoja do të binte si bombë në terrin e diktaturës që po gatuhej.

Do të mjaftonte vetëm kjo letër që për atdhetarin , ushtarakun dhe burrin e mençur Hysni Pejën të fillonte kalvari i vuajtjeve të denja për t’u rrëfyer në stilin shekspirian. Hiqet emri i tij nga çdo protokoll,hidhet baltë dhe pluhur duke bërë përpjekje për të goditur kësisoj nacionlizmin e ndershëm shqiptar.Ushtaraku i denjë ai që i fali vitet më të bukura dhe krejt mundin ngritjes , funksionimit dhe modernizimit të ushtrisë shqiptare u harrua plotësishtë.

Në kënetën e Durrësit ku e çuan të internuar,kte burrë të lavdisë popullore,ai nuk doli kurrë më nga shtëpia deri në nëntorin e vitit 1963,kur edhe mbylli sytë përjetësishtë..

Kjo heshtje paradoksale më në fund triumfoi.

Bern-Zvicër

Filed Under: Kulture Tagged With: Eugen Shehu, Hysni Peja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 551
  • 552
  • 553
  • 554
  • 555
  • …
  • 559
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare
  • Speaking this Saturday, May 2, at the NYFCR Annual Statewide Conference with students and young leaders from across New York
  • Për çfarë ka nevojë Shqipëria?
  • Ernesto Sabato, gjeniu i letërsisë latino-amerikane që u rrit në prehrin e një nëne shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT