• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARIA NE 100 VJETORIN E MADH

November 11, 2012 by dgreca

Nga Ajet Nuro*/

Prej kohësh kam dashur të shkruaj diçka për 100-vjetorin e Pavarësisë së shqiptarëve, për 100 vjetorin e krijimit të shtetit të tyre pas 500 vjetë roberie otomane. Dhe ja, ku me një seri shkrimesh dua të shprehem për atë se si po e gjenë kombin tone ky Jubile i madh. Sigurisht që këto janë mendime personale dhe kuptohet që ndoshta nuk përmbushin standartet e të gjithëve atyre që do kenë rastin t’i lexojnë…

100 –vjetori i Pavarësisë është Jubileu i të gjithë shqiptarëve.

Ndonëse në atë nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë për të shpallur të pavarura të gjithë territoret shqiptare të okupuara nga Turqia e ndonëse atij iu bashkua edhe Isa Boletini, krahina apo vilajeti i këtij të fundit nuk do kishte të njëjtin fat si dhe ajo pjesë që do të përbënte Shqipërinë zyrtare. Viti 1913 do të linte jashtë Shqipërisë toka shqiptare që tash janë të (ç)integruara në 5 shtete të tjera. Sigurisht që Kosova dhe aneksimi i saj nga Serbia ishte edhe goditja më e madhe që iu bë çështjes shqiptare. Megjithatë, Jubileu i madh i 100-vjetorit të Pavarësisë e gjen sërish Kosovën të lirë dhe pa Serbinë mbi kokë. Dhe, pikërisht 100-vjetori i Pavarësisë, është rasti më i mirë për të bërë bilancin dhe për të parë perspektivën e çështjes sonë kombëtare.

Çështja kombëtare në këtë Jubile pavarësie

Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së shqiptarëve, çështja e tyre kombëtare është më e avancuar se kurr. Dhe, shqiptarët ngado që janë i ka kapur një entuziazëm i jashtëzakonshëm. Flamuri ynë kombëtar është bërë i pranishëm kudo dhe duket se ai është bërë edhe simboli i zhvillimit të mëtejshëm të çështjes së tyre. Por, entuziazmi bie shpejtë kur nuk ka një plan, kur nuk ka një program të qartë për t’u realizuar. Më keq akoma kur ka dhjetra plane që çorodisin këdo. E në këtë katrahurë futet dhe politika dhe llogaritjet politike… parti me simbole kombëtare, parti që premtojnë zgjidhje të çështjes kombëtare … filozof që pasi nuk shesin dot më Marksin dhe Engelsin tek shqiptarët, kanë gjetur një mjet për t’u dalluar nga të tjerët, matrapaz që kanë gjetur një rast për të realizuar planet e tyre personale…

Në harkun e këtij shekulli, kombi ynë ka bërë përpjekjet maksimale për t’ia arritur të ketë shtetin e vetë dhe mbi të gjitha të riparoj pjesërishtë një gabim të shkaktuar nga politika europiane e shekullit të kaluar, kur me vendime arbitrare, tokat shqiptare iu dhuruan fqinjëve tanë. Personalitetet historike më të mëdha të dala nga kombi ynë, janë pikerisht ata që sakrifikuan gjithçka kishin në emër të shqiptarisë dhe që luftuan për flamurin tone kuq e zi, simboli i bashkimit kombëtar. Por nga ana tjetër, presioni i të huajve të interesuar drejtë për drejtë apo edhe tërthoras në ndarjen jo vetëm të tokave shqiptare por edhe të shqiptarëve vetë mes tyre, nuk kanë reshtur për të punuar në ndarjen e tyre. Aty ku ata nuk mundën t’i ndajnë sipas besimit fetar, e bënë këtë në ndarje provinciale. Prova më e mirë është teoria serbe se shqiptarët e Kosovës, nuk janë njëlloj si shqiptarët e Shqipërisë. Të qenit ndryshe, të qenit jo si shqiptarët e atdheut mëmë, mund të n’a bind se ata nuk ke pse i bashkon, nuk ke pse i mbron, nuk ke pse flet për një komb. Ata janë ndryshe. Dhe kjo propagande e bënë punën aq mirë sa i kish bindur një pjesë të të huajve (sidomos para viteve ’90 dhe në fillim të viteve ’90 se shqiptarët e Kosovës, sado që të ankoheshin, nuk kishin të drejtë, sepse ata siç thonë edhe serbët janë … janë … janë …

Edhe më keq, propaganda serbe ka mundur të futet edhe në teoritë e ndonjë shqiptari nga Kosova, që nuk heziton të n’a paraqesi teorinë e një kombi kosovar, këtë herë ndoshta jo mbi paragjykime negative ala-serbe, por mbi bazën e ndonjë vlere dhe veçantie që e dallon për mirë këtë pjesë të popullsisë shqiptare të quajtur « kosovare ». Unë do të thosha se teoria e një kombi kosovar është më e rrezikshme edhe se teoria serbe e veçantisë së shqiptarëve të Kosovës, sepse nëse teoria serbe shkakton zemërim tek shqiptarët, ajo ka shërbyer për të afruar shqiptarët me njëri-tjetrin (sidoqoftë ajo ka ndikuar për keq që qarqet vendimmarrëse në kancelaritë më të fuqishme të botës…), teoria e « kombit kosovar » hap rrugën e përçarjes me efekte të pariparueshme. Personalisht, fjalën « kosovar » në vend të shqiptar si pjestar i një kombi do t’a quaja fyes. Nëse mua më thonë « lab » për të treguar origjinën time nga një krahinë me tradita dhe patriotike siç është Labëria kjo do të përbënte kënaqësi e madje përkëdhelje për mua, por do të ishte fyese nëse do të thoshin « ai nuk është shqiptar por lab » do t’a quaja fyese. Dhe nuk ka dhuratë më të mirë për Serbinë se një ndarje e tillë mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të tjerë që banojnë në Ballkan përfshi këtu shqiptarët e Shqipërisë Londineze…

Nëse teoria e kombit « kosovar » mbështeten në teoritë e ndarjeve ballkanike siç janë ndarja mes maqedonasve dhe bullgarëve apo ndarja mes malazezëve dhe serbëve, bashkimi i Italisë bëri krijimin e një kombi dallimi mes përbërësve rajonal e provincial do çudiste të gjithë botën. Pasi Italia u bashkua, thënia e Garibaldit « Italinë e bëmë, tani duhet të bëjmë italianët » është monumentale. Përball këtij fakti, homogjeniteti i shqiptarëve është i pashoq. Shqiptarët nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria apo Çamëria, kanë një gjuhë të përbashkët, një histori të përbashkët, mentalitet të përbashkët dhe dallimi i vetëm është qëndresa që shqiptarët e Kosovës i bënë Serbisë dhe serbëve gjë, që i bëri ata edhe më të fortë edhe më atdhedashës por gjithësesi jo ndryshe. Nëse, ata janë ndryshe nga shqiptarët e tjerë, mos duhet të quhen më të afërt me serbët?

Orientimi gjeo-strategjik i shqiptarëve

Nëse ka një gjë që shqiptarët duhet të kenë një emërues të përbashkët mes tyre është orientimi gjeostrategjik i shqipatarëve dhe lidhja e aleancave strategjike me të tjerët. Ne nuk kemi lidhje gjaku apo gjuhe me të tjerë kombe (një arsye më shumë për të mbajtur njëri-tjetrin si shqiptarë) kështu që n’a duhet të kemi dhe ne aleancat tona, miqtë tanë për të përballuar ditë të këqia siç ndodhi në fund-shekullin e kaluar. Në vitin 1999, pa mohuar qëndresën e faktorit kombëtar, le të jemi të ndërgjegjshëm që pa aleatët tanë perëndimor me Shtetet e Bashkuara në krye, ajo që në hartat e sotme të botës (jo të gjitha) njihet si Republika e Kosovës, do të kishte qenë një copë histori që mund të përmblidhej me një frazë : Këtu ka qenë ish Krahina Autonome e Kosovës, nën Ish-Jugosllavinë, e tash është pjesë e Republikës Serbe…

Dikur një bashkëbisedues më tha : « Ti je filo-amerikan? » Pa një pa dy, iu përgjigja me një po që nuk linte dyshime në këtë pikë. Ndonëse unë nuk e pyeta, ( a nuk duket pak vulgare t’i drejtohesh me pyetjen, po ti me kë je sikur t’a pyesim për ekipin e futbollit për të cilina i bënë tifozllëk?) ai dihet që është filo-oriental. Një parantez të vogël. Nëse dikush më quan filo-amerikan (dhe nuk kam asnjë problem të jetoj me një fakt të tillë) kjo ka të bëjë me një sërë shkrimesh që unë kam shkruar për Amerikën për sistemin politik aty, për ekonominë, për ndarjen dhe ekulibrin e pushteteve sipas « check e balance » dhe sidomos për politikën e tyre të jashtëme sidomos qëndrimin e tyre historik ndaj kombit shqiptar. Demokracia amerikane ka lënë pa gojë francezin Alexis de Tocqueville që, dy shekuj e ca më parë u çudit me demokracinë këtij shteti të ri aq sa shkroi librin « Demokracia në Amerikë » me qëllim që dhe kombi i tij dhe ata që do lexonin « Demokracia Amerikane » të mësonin prej saj. Dhe të them të drejtën, ndonëse e pranoj me gjithë qejf epitetin « filo-amerikan » unë jam po aq kritikë ndaj tyre, po aq sa një do të ishte një mik i tyre që ua do të mirën. Pra, unë nuk kam ndonjë arsye të jem një mik pa kushte. Kështu, besoj se kur flasim për shqiptarët që nërgjithësi janë ashtu su dhe unë « filo-amerikanë », arsyeja mud të gjendet tek fakti që shqiptarët e ëndërrojnë një demokraci ala-amerikane apo edhe perëndimore dhe, pse t’a mohojmë, se ata kanë gjetur tek ata një aleat natyrel që i ka ndihmuar në kohët më të vështira të ekzistencës së tyre, në kohën e presidentit Wilson dhe në fund të shekullit të kaluar nën presidencën e Klintonit e Bushit.

Bashkëbiseduesi im i përmendur më sipër, nuk ka lënë tribunë ku i është dhënë fjala, që të mos mbroj teorinë se ne shqiptarët duhet t’i kthehemi historisë sonë të përbashkët me turqit dhe Turqinë. Asgjë e keqe nëse kjo do të ishte në kuadrin e fqinjësisë së mirë, në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, në bazë të reciprociteti e në kuadrin e dy vendeve anëtare të NATO-s. Por, jo, sipas këtyre « shkencëtarëve », Turqia duhet të jetë violinë e parë në marrdhëniet e Shqipërisë me botën. Ju kujtoj se Turqia dëshironë t’i bashkohet BE-së por ende pa sukses. Rezultatet ekonomike të fundit të këtij vendi, që duhet përshëndetur, gjithashtu nuk janë një arsye për t’a quajtur vendin kryesor nga i cili duhet orientuar politika jonë e jashtëme. Kur them politika jonë kam parasysh dy qeveritë shqiptare që nuk duhet t’a orientojnë politikën e jashtëme sipas cikleve ekonomike që janë fenomene kalimtare.

Bashkimi i shqiptarëve?

Nëse së fundi është hedhur teoria e marrjes shembull në marrdhëniet Serbi-Kosovë, të dy Gjermanive të ndara pas Luftës së Dytë Botërore, më natyrale do të ishte që këto marrdhënie dhe sidomos zgjidhja (ribashkimi) t’i vishen dy shteteve shqiptare të Ballkanit. Shqiptarët i ndanë me forcë, i detyruan të okupohen nga serbët dhe tash i kanë ndarë. Ku qëndron e keqja e ribashkimit të tyre. Por, as (ri)bashkimi nuk është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet një kombi që në këtë shekull ka vuajtur aq shumë ku nga të tjerët dhe ku nga vetvetja. Ndihma më e madhe që mund t’i bëhet çështjes kombëtare është padyshim respektimi i vetvetes që do të thotë respektimi i shtetit ligjor, respektimi i institucioneve dhe i mekanizmit të përzgjedhjes së përfaqësuesve të popullit. Dy janë përbërësit që do të garantojnë suksesin e bashkimit kombëtar : 1. Dëshira e popullit shqiptar për t’a bërë një gjë të tillë dhe 2. Përshtatja e klasës politike ndaj një relaiteti të till. Ndoshta do të duket absurde por ja që klasa politike ka fjalën e saj në një projekt të till siç është çështja e ribashkimit kombëtar. Nëse elementin e parë e kemi gati dhe mund të themi se shqiptarët janë gati që sot të hedhin një hap përpara, klasa politike shqiptare është pak e vonuar dhe e pa-aftë të ndjek shqiptarët në këtë projekt madhështor. Ata politikanë që trumpetojnë me të madhe çështjen kombëtare e bëjnë për të fituar ndonjë pikë që mund të kthehet në votë. Ata politikanë që duan t’a bëjnë vërtetë ribashkimin, nuk kanë nevojë të bërtasin, mjafton të veprojnë konkretisht dhe pa u kërkuar leje të tjerëve.

Një shekull më parë shqiptaria, përkatësia në një njësi si kombi, gjuha dhe historia e përbashkët, bëri që shqiptarët të bashkohen për të krijuar shtetin e tyre, duke u ngritur mbi dallimet fetare, krahinore, dialektore etj etj. 100 vjetë më vonë është pikërisht kjo fjalë magjike, shqiptaria, që i thërret të bashkohen në një, që i thërret të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët. Gëgë, tosk malci jallia / janë një komb m’u da s’duron ishte motoja e para një shekulli … lab, çam e kosovarë, janë një komb/ s’abn me diskutu… duhet të jetë motivi i pas një shekulli përpjekjesh…

Ajet Nuro

Montreal – Tiranë – Prishtinë, shtator , tetor 2012

anuro@albemigrant.com(Tribuna Shqiptare)

Filed Under: Kulture Tagged With: Ajet Nuro, e madh, Shqiptaria ne 100 vjetorin

“NJË KOMB, NJË GJUHË, NJË KULTURË”

November 11, 2012 by dgreca

Në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë-  Libri është përgatitur: Dr. Ibrahim Gashi/

Nga Prof. MURAT GECAJ/

Dje  në mesditë, në sallën “Alakd Buda”, të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë,  u oranizua përurimi i veprës së re të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, “Një Komb, një Gjuhë, një Kulturë”. Ajo ishte përgatitur nga i ndjeri dr. Ibrahim Gashi dhe u botua në SHB “Vest Print”-Tiranë, me drejtues Eduard Vathin. Kishin ardhur akademikë e profesorë, “Mësues të Popullit” e “Mësues të merituar”, punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, nga trojet shqiptare të Ballkanit e diaspora dhe mndia e shkruar e ajo elektronike  e tjerë.

Pas Hamnit Kombëtar, drejtuesi i programit të veprimtarisë, Qani Sulku, ia dha fjalën e rastit, në këtë tibim, drejtorit të IIKSH, Rezart Gashi. Ndër të tjera, ai u ndal një mjaft veprimtari të këtij institucioni vullnetar, si brenda vendit dhe në trojet shqiptare të Ballkanit e në diasporë. Veprimtari kulmore e këtij Instituti ishte Konferenca e Parë Mbarëkombëtare, me temë “Studimi i mundësive të përafrimit, deri në njësim, të  programeve e teksteve mësimore, në të gjitha shkollat e trojeve amtare e në diasporë”, mbajtur në Tiranë, në shtator 2011. Temat e 30 refereuesve në atë tubim, i redaktoi dhe i përgatiti për botim Dr. Ibrahim Gashi, kryetar i Komisionit Qendror të IIKSH e i Bordit të tij, i cili fatkeqësish tu nda nga jeta më 9 maj 2012. Në vazhdimësi, punuan një grup kolegësh dhe u arrit që këto ditë vepra të dalë në qarkullim, në prag të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Më tej, në emër të Akademisë së Shkencave të RSH përshëndeti prof.dr. Emin Riza, i cili theksoi punën e thelluar kërkimore, studimore e botuese në fushën e shkencës, nga dr. Ibrahim Gashi dhe e vlerësoi këtë vepër një arritje të re kolektive  për trajtimin e çështjheve të ndyrshme, sidomos për gjuhën, tekstet e traditat kombëtare.  Duke e përshëndetur punën e secilit, ai i lexoi edhe emrat e gjithë bashkatutorëve. Për vlerat e shumanshme të kësaj vepre foli edhe prof.dr. Hulusi Hako. Ai nënvizoi se kjo vepër lidhet organikisht me punën e palodhur,  frymëzuese e organizuese të të ndjerit Dr. I.Gashi, duke u bërë kështu tani e tutje atë, pronë dhe mjet të mbrothësisë sonë mbarëkombëtare, duke plotësuar kështu edhe një dëshirë të madhe e amanet të tij.

Në emër të kyesisë së Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë përshëndeti znj. Yllka Beçi, e cila tha se Dr. Ibrahim Gashi ishte arsimtar dhe veprimtar shembullor, studiues e botues i palodhur edhe në ndihmë të shkollave shqipe, me tekste e botime të tjera. Ai u dallua  në punën  dhe veprimtaritë e disa institucioneve e shoqatave, si të SHASH e Shoqatës “Tirana”, në Institutin Shqiptar të Mendimit e Qytetërimit Islam (AIITC) e tjerë.

Po kështu, kryetari i Shoqatës atdhetare-kulturore “Tirana”, z.Arben Tafaj, nënvizoi veprimtarinë e palodhur shoqërore të dr. Ibrahim Gashit, shprehur kjo gjë dukshëm  me ndjenjat fisnike e atdhetare. Për këtë arsye, duke e vlerësuar lart tërë punën  dhe përkushimin e tij, ai i dorëzoi familjes titullin “Mirënjohja tiranase”, shoqëruar me motivacionin përkatës.

Prof.dr. Emil Lafe, në fjalën e tij, u ndal në punën e përkushtuar të dr.I.Gashit në dejtimin e Komisionit Qendror e të Bordit të IIKSH. Po kshtu, nënvizoi disa nga vlerat kryesore të kësaj vepre të re, duke cituar dhe emrat e 30 autorëve të saj, të cilët janë  profesorë e doktorë shkencash, studiues e shkrimtarë dhe peronalitetetjerë të letrave, jo vetëm nga Shqipëria e trojet shqiptare të Ballkanit, por dhe nga diaspora. Në vazhdim foli M.Gecaj, i cili solli kujtime nga takimet e bashkëpunimi me autorin e përmbledhjes, përmendi mjaft vepra të tij të botuara ose të lëna dorëshkrim dhe pastaj tha: “E falënderoj nga zemra birin e Dr.Ibrahim Gashit, Rezartin, drejtor i Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, që ngulmoi dhe u kujdes pandërprerje, që ky libër ta shihte dritën e botimit, duke patur edhe ndihmën e kolegëve! Kështu, tani ne jemi disi më të qetë, se me këtë vepër nderojmë, kujtojmë dhe vlerësojme sadopak punën e përkushtuar, atdhatare e profesionale, të këtij kolegu e mikut tonë, të dashur e të paharruar”.

Me interes u ndoq përshëndetja e dr. Nail Dragës, studiues dhe botues i njohur në Ulqin të Malit të Zi. Ndër të tjera, ai kujtoi edhe udhëtimin e një grupi të IIKSH, me dr. I. Gashin atje, në vitin e kaluar,si dhe Konferencën, që u mbajt në shtator 2011 në Tiranë, me pjesëmarrje të veprimtarëve nga të gjitha trojet shqiptare të Ballkanit e diaspora. Më tej, për nevojën e bashkëpunimit dhe me diasporën shqiptare në Turqi foli shkrimtari i ri, Ahmet Okçun. Ai premtoi se, në periudhën  vazhduese  do t’i përkushtohet këtij qëllimi, në përbërje të IIKSH. Kujtime nga jeta në arsim  e dr. I. Gashit solli studiuesi i njohur Uran Butka. Ai nënvizoi edhe disa nga vlerat atdhetare, arsimore, kulturore e shkencore të kësaj vepre të re.  E frymëzuar ishte fjala e mësuesit dhe poetit Namik Selmani, i cili në këtë vepër ka ndihmesën e çmuar për trajtimin e çështjes së pazgjidhur të Çamërisë.

Në vijim u laxua një mesazh mjaft i ngrohtë, dëruar posaçërisht për këtë tubim, nga z. Sadik Elshnai, kryetar  i Shoqatës atdhetare e kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të SHBA. Në pamundësi ardhjeje, në këtë veprimtari të IIKSH, i kishin dërguar përshendetjet dhe mesazhet e tyre, disa persona të veçantë, si: Sokol Demaku: Qendra Atdhetare-Kulturore Shqiptare “Migjeni” (Suedi); Shefqet Hoxha, “Mësues i Popullit” dhe Isa Halilaj, “Mësues i merituar” (Tiranë); Prof. Skënder Skënderi  dhe prof. Gani Pllana (Prishtinë); Viron Kona: shkrimtar e publicist, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (Tiranë); Halil Haxhosaj: arsimtar dhe poet i njohur (Gjakovë); prof. Musa Kraja: rektor i Akademisë Pedagogjike (Tiranë); Hysë Hasa dhe Vlashi Fili: shkrimtarë (Amerikë) dhe të tjerë.

Po kështu, emocione të forta shkaktoi te të pranishmit leximi nga Enkelejda Gashi i mesazhit, që u kishin drejtuar pjesëmarrësve në këtë përurim dy bijat e dr. Ibrahim Gashit, Ardiana e Entela, emigrante në Amerikë. Ndër të tjera, ato nënvizonin cilësitë e mrekullueshme të babait të tyre, bashkëshort e prind shembullor, si dhe studiues i palodhure pasionant  për çështjen kombëtare shqiptare. Për këtë gjë, foli me mallëngjim edhe bashkëshortja e bashëapunëtorja e tij, arsimtarja e metodistja, Liliana Gashi. Gjithashtu, ajo i falëndroi nga zemra të gjithë bashkautorët e veprës në fjalë dhe pjesëmarrësit në këtë përurim.

Gjatë veprimtarisë, familjes Gashi iu dhuruan libra nga autorë të ndryshëm, si dhe një grup famijësh u dhanë atyre buqeta me lule të freskëta. Pastaj, të gjithë së bashku, morën pjesë në koktejin e organizuar nga familjarët e dr. Ibrahim Gashit, i cili do të mbetet përherë në kujtesë edhe me këtë vepër të re kolektive  të  IIKSH, të cilën ai e ideoi, e redaktoi dhe e bëri gati për botim.

Tiranë, 11 nëntor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Ibrahim Gashi, Murat Gecaj, Nje Komb

MIT’HAT FRASHЁRI “RIKTHEHET” NЁ NJU JORK PЁR 100 VJETORIN E PAVARЁSISЁ

November 11, 2012 by dgreca

Nga Ilir Hysa, Ph.D./

Nё kuadrin e Javёs sё Filmit Shqiptar qё po mbahet nё Nju Jork dhe  jubileut tё 100 vjetorit tё Pavarёsisё sё Shqipёrisё, tё Shtunёn mё 10 Nёntor 2012 nё Producers Club Theatres (358 W 44th St, New York, New York 10036), nё “shtёpinё” bujare tё vёllezёrve patriotё nga Lura piktoreske Alfred dhe Ernest Tollja, u shfaq dokumentari “Mit’hat Frashёri”. Ja si i ftonte bashkёatdhetarёt e tij pёr pjesёmarrje nё kёtё aktivitet, nёpёrmjet faqes sё tij nё Facebook, biznesmeni i suksesshёm dhe atdhetari Alfred Tollja:

“Historia e kombit shqiptar ka njohur shumё figura qё kanё luftuar e sakrifikuar pёr kombin, por tё rrallё janё ata qё kanё sakrifikuar pasurinё, familjen e deri edhe jetёn, jo pёr pushtet e para por pёr Shqipёri, e i tillё ishte Mithat Frashёri. Njё figurё qё shqiptarinё e kishte nё ҫdo hap tё jetёs sё tij, qё nga lufta ballkanike e kuvendi i pavarёsisё deri kur dha frymёn nga helmi komunist pak metra larg nga kёtu. Ёshtё njё detyrim i joni si shqiptarё nderimi e respekti pёr kёtё figurё tё ndritur tё shqiptarisё. Falenderime edhe zotit Lamaj pёr punёn e lavdёrueshme nё realizimin e kёtij dokumentari.”

Pra, dokumentari ёshtё realizuar nga ish-studenti i “Universitetit” tё Spaҫit, nacionalisti dhe veprimtari vlonjat, zoti Pёllumb Lamaj. Zoti Lamaj ka pasqyruar me ndjenjё tё thellё nё kёtё dokumentar jo vetёm figurёn prej kollosi tё Mit’hat Frashёrit, por edhe rrjedhёn kronologjike tё ngjarjeve tё mёdha historike nё tё cilat, pa pёrjashtim, konstatohet pjesёmarrja dhe ёshtё lёnё vula e patriotit, djalit tё Frashёrit tё Pёrmetit, birit tё Abdylit dhe nipit tё Naimit e Samiut, Mit’hat Frashёrit. Testamenti i Mit’hat Frashёrit pёr ti lënё shtetit shqiptar pasurinë e tij, të tundshme dhe të patundshme me qëllim krijimin e një instituti albanologjik në Tiranё, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë, ёshtё dёshmia mё e qartё e njё zemre e cila rrihte pareshtur pёr atdhe. Ajo ёshtё dёshmi e njё zemre qё jo vetёm mori pjesё me zell dhe pёrkushtim nё ҫdo ngjarje madhore tё atёhershme tё Shqipёrisё, por edhe dёshmi e njё zemre qё shqetёsohej pёr fatin e mёmёdheut pas ndarjes sё tij nga jeta.

 

 

Botimi i gazetës “Liria” në Selanik, pjesëmarrja dhe zgjedhja Kryetar në Kongresin e Manastirit, zgjedhja Ministër i Botores në Qeverinë e Ismail Qemalit,  detyra e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, botimi i revistës “Diturija” dhe themelimi i librarisë “Lumo Skëndo”, themelimi i Partisë së Ballit Kombëtar, botimi i “Kalendari Kombiar”, dhe biografia kushtuar Naim Frashërit janë vetëm disa nga kontributet politike, atdhetare dhe letrare të njërit nga firmëtarët e pavarësisë, birit të Abdyl Frashërit, nipit të Samiut e Naimit, birit të Janinës shqiptare.

Pёrveҫ fakteve historike tё paraqitura nё rrjedhё kronologjike, dokumentari pёrmban edhe zёrin origjinal tё Mit’hat Frashёrit duke folur nga radioja e shёrbimit British Broadcasting Corporation (BBC) nё 26 Gusht 1949 rreth jehonёs qё shoqёroi krijimin e Komitetit Shqipnija e Lirё. Ai flet aty se si rruga pa krye ku e kish futur Shqipёrinё komunizmi, po rriste dita-ditёs ndёrgjegjёsimin dhe revoltёn popullore.

Aktiviteti u ndoq me shumё interes nga tё pranishmit. Ata duartrokitёn gjatё mbylljen e filmit sikur donin tё pёrҫonin mesazhin se balta qё hodhi diktatura komuniste mbi Mithat Frashёrin dhe lёnia nё harresё e tij gjatё tranzicionit 22 vjeҫar nuk justifikohen nё asnjё mёnyrё. Nё biseda me njёri-tjetrin, pas shfaqjes sё dokumentarit, disa prej pjesmarrёsve vunё nё dukje nevojёn imediate pёr t’iu transmetuar brezave tё rinj historinё e vёrtetё, tё pahelmatisur nga propaganda e kuqe sllavo-komuniste. Ata falenderuan zotin Lamaj pёr kёtё realizim me kaq vlera dhe vazhduan bisedat rreth nevojёs pёr njё rivlerёsim tё historisё qё iu mёsohet brezit tё ri. Zoti Lamaj falenderoi tё pranishmit pёr pjesёmarrjen dhe theksoi se ka ardhur koha qё shqiptarёve t’iu tregohet historia e vёrtetё. Ka ardhur koha qё ata tё cilёt diktatura i etiketoi padrejtёsisht si armiq dhe tradhёtarё tё marrin pёruljen dhe nderimin tonё mё tё thellё pёr shёrbimin qё i kanё bёrё kombit. Ka ardhur koha, tha ai, qё heronjtё tё quhen heronj dhe tradhёtarёt tё quhen tradhёtarё. Zoti Lamaj ёshtё autor edhe i dokumentarёve tё tjerё si “Spaç-Simboli i Qёndresёs Antikomuniste” dhe “Gёrhot”. Pёr tё interesuarit, dokumentarёt e zotit Lamaj mund tё gjenden nё internet (Youtube). Dokumentari “Mit’hat Frashёri” ёshtё i ndarё nё 4 pjesё dhe mund tё gjendet nё adresёn http://www.youtube.com/watch?v=SY9ENozyQeo.

Nё pёrmbyllje, duhet thёnё se duke nderuar Mit’hat Frashёrin ne nderojmё veten. Nё tё kundёrt, heshtja tregon se jemi njё shoqёri e zhveshur nga vlerat universale tё cilat bazohen nё bindjen se ata qё shkrijnё jetёn pёr atdheun meritojnё nderim dhe mbeten heronj nё memorjen kolektive tё shoqёrisё. E thёnё ndryshe, ne rrezikojmё tё quhemi njё shoqёri mosmirёnjohёse, madje ende mё keq, tёrёsisht e zvetёnuar dhe hipokrite. E kush tjetёr qё qёndroi nё krah tё Ismail Qemalit nё shpalljen e pavarёsisё, mё shumё se Mit’hat Frashёri, meriton respekt nё kёtё 100 vjetor tё Pavarёsisё?

Manhattan, New York – 10 Nёntor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Ilir Hysa, kthehet ne NY, Mit'hat Frasheri

JAVA E FILMIT SHQIPTAR NE NEW YORK

November 8, 2012 by dgreca

Java e Filmit shqiptar ne New York po organizohet me rastin e 100 vjetorit te Pavaresise se SHQIPERISE/

NEW YORK CITY : Në kuadrin e aktiviteve kulturore artistike të 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më datën 5 nentor 2012, ora 07.00, të mbrëmjes në kompleksin e njohur të kinemave Tribeca në qytetin e New Yorkut, u çelë “Java e Filmit Shqiptar”. Një aktivitet ky i organizuar prej komunitetit të arstistëve, producentëve, kienastëve dhe aktorve shqiptarë në SHBA, i cili i është dedikuar 28 nëntor 1912 – përvjetorit të 100- të, të Shqipërisë së Pavarur.
Në koordinim me Konsullatën e Përgjithëshme të Kosovës në New York, dy organizatorët kryesorë këtij evenimenti janë regjizoria nga Kosova Mrika Krasniqi, dhe aktori i njohur i komunitetit Ariot Myrtaj – me sponosrizimin(donatorë) e disa biznesmeneve dhe firmave shqiptare, të cilat kan bërë të mundur që për një javë rresht nga data 5 nëntorë deri në datën 11 nëntorë, të shfaqin 100 filma në tre kinemat e qytetit të New York-ut: Tribeca Cinemas, atë me pronar shqiptar Producers Club ( të Alfred dhe Ernest Tollja) dhe salla e Tetarit në Lehman College – Bronxnet .

Arena e këtyre shfaqjeve për herë të parë në historinë e shqiptarëve në këtë qytet është bërë edhe Kompleksi i kinemave nga më të njohurit në qytetin e New Yorkut – SHBA dhe në botë, i shquar për organizmin e festivaleve ndërkombëtare të filmit, Tribeca Cinemas, me festivalin i saj të filimit ndërkombëtar “Tribeca Film Festival in New York City”, i cili të hënën hapi dyert, jo për “Tribeca Film Festival in New York City”, por për shqiptarët dhe “foli shqip”, edhe Kinemja më prestigjoze në qytetin e New Yorkut, duke uruar mirëseardhjen edhe në shqip.

Tribeca Cinemas në tabelën elektronike në hyrje të kinemasë ku u zhvillua ceremonia e çeljes së Javës të Filimit Shqiptarë në New York – jo vetëm mysafrirëve e artëdashësve shqiptar por edhe atyre amerikan në anglisht dhe shqip ua urojë ditën e pavarësisë me një tabelë të madhe elektronike me shikim nga bulevardi ku shkruhej ” Happy 100th Birthday Albania – Urime- Urime – Urime”.
Kjo ngjarje, shkruan në Tweeter – aktori Ariot Myrtaj do të u japë kineastëve shqiptarë dhe artistëve të saj një shans i madh për të paraqitur punën e tyre në qytetin e Nju Jorkut, në një audiencë shumë të madhe dhe ndërkombëtare.
Java e Filmit Shqiptar në Nju Jork – “100 filma për 100 vjetor” në ceremoninë e hapjes është përshëndetur edhe nga Ambasadori Bekim Sejdiut , Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në New York.

Ambasadori Sejdiu përveç tjerash theksoi se :” Kjo javë e filmit shqiptar organizohet në një vit të rëndesishëm për shqiptarët , përkatsisht muajin që shënon 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Përmes promovimit të kulturës tonë, në këtë rast duke shfaq filma nga Kosova, Shqipëria dhe viset tjera ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, duke shfaqë kështu para publikut këtu në Amerikë vlerat tona shoqërore dhe fuqinë shpirtëreore të kombit tonë.”

Më pasë Ambasdori Sjediu vuri në pah se megjithse ne jemi komb i vogël, por kemi dhënë artist të mëdhenj, që nga Aleksander Moisiu, Bekim Fehmiu, Sandër Prosi, e deri tek Bellushet , Liza Dushku, Blerim Destani, Stan Dragoti, Arta Dobroshi e shum të tjerë, kemi me se çfarë të mburremi dhe të krenohemi

Pra, tha ai ne kemi me çfar të prezentohemi dhe në këtë 100 vjetor këtu në SHBA, dhe duhet ta bëjmë sa me shum që të jetë e mundur këtë prezantim të filmatografisë shqiptare në SHBA dhe në botë, andaj edhe ne si Konsullatë e Republikës së Kosovës në qytetin e New Yorkut, kemi kontribuar në organizimin e këtij aktiviteti kulturorë dhe jemi të përkushtuar që edhe në të ardhmen t’i japim mbështetje maksimale jetës kulturore e artistike të këtij komuniteti të diasporës tonë në SHBA, si dhe në promovimin e kulturës tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë vend mik të madh të shqiptarëve dhe të Kosoves .

Në fund të përshëndetjes së tij në ceremoninë e hapjes së Javës e Filmit Shqiptar në Nju Jork – “100 filma për 100 vjetor”, Ambasadori Bekim Sejdiu – Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në New York, ka theksuar se :” Këtë mund t’a bëjmë më mirë nëse e bëjmë së bashku dhe Java e Filmit që po e fillojmë sonte është dëshmia më mirë e kësaj në prag të kremtimit të 28 Nëntorit 1912 – 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, dhe për këtë tha ai falenderoj oranizatorët për punën e bërë, si dhe falenderoj të gjithë ata(donatorët) që e kan mbeshtëtur këtë aktivitet.”(Kortezi Beqir Sina)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Beqir Sina, java e filmit shqiptar, ne New York

VLORA HISTORIKE NË EKSPOZITËN ME 400 FOTOGRAFIT TE PIRO STEFËS

November 8, 2012 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/ Arkitekti i njohur nga Vlora Piro Stefa i quan 400 gjurmë historike 400 fotografit të vendosur në ekspozitën Vlora -100 vjet pavarësi”të ekspozuara në hollin e teatrit Petro Marko Vlorë. Kanë qenë punimet e mbledhur ndër vitet që ai ka kaluar në punën e arkitektit si dhe një rrugëtim disa vjeçar jashtë vendit në kërkim të thesareve historike shqiptare .Të gjitha gjurmët dhe dëshmitë që kja kanë ruajtur breznit dhe janë gjurmuar koleksionuar nga arkitekti Stefa tregojnë historinë e qytetit të flamurit në një rrugëtim të gjatë historik nga kohët me mjegull për tu finalizuar në ditët që përmbajnë 100 vite kohë nga pavarësia e vitit 1912. E veçantë e eksponateve të arkitektit Stefa është se ekspozita është ndarë veçanërisht sipa kohëve historike që ka përshkuar qyteti. “Lundërtarë e udhëtarë”, është një hartë e vitit 1521, ku shfaqet qyteti, Kanina si qendër e fortifikuar me kalanë e Vlorës ndërtuar në 1534 nga Sulltan Sulejmani i Madhërishëm. Fotografit e paraqitura në këtë ekspozitë në Portin e Vlorës, shkolla së parë shqipe në gra rruga Vlorë-Skelë. Atë që arkitektika sjell me imazhe të fikësuara në celluloid ne po mundohemi ta sjellim shkurtimisht:Historia moderne e bulevardit Vlorë-Skelë, nis në vitin 1906, kohë kur qyteti që shtrihej në pjesën e vjetër të saj, deri tek Xhamia e sotme e Muradies, lidhej me Skelën përmes një gjurme, që nuk kishte asgjë të përbashkët me një rrugë. Paria vlonjate e kohës vendosi që kjo rrugë të ndërtohej e shtruar me kalldrëm.Gjatë periudhës deri në fund të viteve 1940-të të shekullit të kaluar, rruga ishte e paasfaltuar dhe qarkullimi në të ishte jashtë standardeve. Pas vitit 1920, ajo përshkohej nga një linjë hekurudhore(dekovil), që ishte mjeti kryesor i transportit për qytetin e Vlorës, të atyre viteve. Rruga e ngushtë me kalldrëm përshkohej nga karrocat e pakta, si dhe nga linja e dekovilit që shkonte deri në Skelë dhe në port. Në të dy krahët e rrugës, ndërtimet pothuajse mungonin. Kjo situatë vazhdoi deri në fillim të viteve 1950-të, kur investimet për zgjerimin e qytetit, nisën të shtriheshin edhe në këtë pjesë, ku u ndërtua fabrika e Orizit dhe gradualisht, mjaft godina banimi 2-3-4 katërshe, që nisën të krijonin profilin e një rruge moderne. Shumë fotografi nga kohet e para të qytetit janë interesante.Duke qenë në zanatin e arkitektit Piro Stefa veçanërisht është ndalur tek arkitektura e qytetit ajo e hershme dhe sotmja. pamje e Vlorës e vitit 1916 marrë nga ajri mbetet impresionuese. Unë jam pjesë e asaj gjenerate, shprehet arkitekti Piro Stefa, që kam kontribuar në ndërtimin e qytetit të ri, për të rritur kualitetin e jetesës së komunitetit dhe në këtë pikë nuk duhen mohuar sukseset. Vlora sot tregon jo vetëm fuqinë ekonomike, fuqinë turistike, që respekton aq sa mundet këtë tranzicion të stërzgjatur, por nga ana tjetër, ka bërë pak për të respektuar traditën e vjetër historike, moshën e qytetit. E vërteta është se këtë dukuri, Vlora e ekspozon më pak se qytetet e tjera. Shkodra është një shembull, që ka bërë hapa pozitivë për të rivlerësuar të shkuarën. Duke folur për koleksionet pasura të këtij arkitekti pasionant ai është shprehur: Unë kam një koleksion të pasur me gravura të vjetra, harta të vjetra mesjetare, që në të shumtën e rasteve janë bërë nga gjeografë venecianë, por edhe të Perandorisë Osmane. Ka kronika të shumta për Vlorën e Kaninën, ku shkruhet gjerë e gjatë, studiues të jashtëzakonshëm me potencial ndërkombëtar, sikurse është Eqrem Bej Vlora, që ka shkruar jo vetëm me një saktësi shkencore, por edhe me një dashuri të madhe për këto treva. Harta më e vjetër që unë disponoj, është ajo e vitit 1521 e Reispirit. Që të gërmosh dhe arrish të gjesh diçka, kërkon impenjim dhe shumë kohë, sigurisht kërkohen edhe shpenzime. Pra nuk është e thjeshtë, por nëse dikush interesohet, materialet për Shqipërinë, për Vlorën, gjenden në arkivat e shteteve rrotull si në Itali, Greqi, ish-Jugosllavi, por edhe në vende të tjera. Është një koleksion i tërë i kartolinave të vjetra, që janë që nga viti 1900 deri më 1990, ku numërohen disa qindra kartolina. Në to konstaton të fiksuar realitetin vlonjat, mënyra se si kanë jetuar, traditat, zejet, qyteti. Si ka evoluar qyteti, zejtaria, jeta qytetare. Elementë shumë të rëndësishëm, që janë konsensualë për qytetin, janë rruga Vlorë-Skelë, Sheshi i Flamurit, bregu i detit etj. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë edhe një gjë, që gjatë shekullit 20-të, që shtrihet në kohë edhe ky koleksion, që është solid, nga më të pasurit, ku janë disa qindra, një pasuri shumë e madhe, që shtrihen në 100 vjet dhe aty konstaton me lehtë ndryshimet që janë bërë.

Filed Under: Kulture Tagged With: e Piro Stefes, ekspozite, Gezim Llojdia, Vlora historike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 552
  • 553
  • 554
  • 555
  • 556
  • …
  • 559
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare
  • Speaking this Saturday, May 2, at the NYFCR Annual Statewide Conference with students and young leaders from across New York
  • Për çfarë ka nevojë Shqipëria?
  • Ernesto Sabato, gjeniu i letërsisë latino-amerikane që u rrit në prehrin e një nëne shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT