• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PREJARDHJA ILIRE E EMNIT TË LASHTË TË QYTETIT TË SHKODRËS: “SCODRINON”

December 21, 2021 by s p

Filip Guraziu

 Në përiudhën kohore 2000 deri 1000 vjetë p.K.  zona e  Mesdheut ( përfshi Ballkanin) përjetoi   emigrimin masiv të popujve prej lindjes së Europës, të quejtun ” popujt e stepave”, të cilët gradualisht, shekull mbas shekulli, ( në dualizëm kontradiktor me popujt egzistues mesdhetarë) mbrritën me popullue tokën rreth detit Mesdhe. Me qenë se këta popuj  kishin vendbanime relativisht të përafërta, në origjinën e largët të tyne,  në zonën e stepave që shtrihej në  veri të Detit të Zi  deri te malet  Urale, fiton bazë logjike teza, se ato popuj kishin  afërsi edhe në gjuhë, rite e zakone. S’bashku me emigrimin ato sollën edhe kulturën e tyne që u përhap në të tana   anët e Mesdheut.   Në përiudhën e mijëvjearit të parë p.K., emigrimet e popujve prej lindjes filluen gradualisht të shuhen  dhe në zona të ndryshme të Mesdheut ( Ballkanit) popujt a ardhun zunë vend  tue u dallue edhe prej emnave të tyne si; Ligurët, Venetët, Latinët, Etruskët, Mesapët, Keltet, Ilirët, Trakët, Dakët, Maqedonasit, Helenët, Baskët, Iberët etj. Kjo situatë gjeo-historike  na orjeton me kuptue arsyen, pse pasardhësit e këtyne popujve, ende sot që  kanë kalue mbi 2500 vjetë përdorin disa fjalë të përbashkëta në fjalorët e tyne. Për konkretizim mundemi me kujtue se fjalen ” berr” e përdorin me të njajtin kuptim  shqiptarët dhe baskët; fjalën “çika”, shqiptarët dhe iberikët; fjalët ” shteg dhe ruhen“, shqiptarët e gjermanët, fjalën ” përpajna“, shqiptarët dhe sardët, fjalën “dri“, shqiptarët, kroatët boshnjakët, grekët, italianët: fjalët arno dhe maraz, shqiptarët dhe etruskët; fjalën “dhi – dhia“, shqiptarët dhe helenët e vjeter etj. Asht e qartë, se kushtet gjeopolitike dhe mjedisore në të cilat jeton nji popull ndikojnë direkt  në zhvillimin e përparimin e atij populli. Fakti që populli helen u pozicionue në brigjet e detit Egje dhe nëpërmjet tregtisë detare mori kontakt me popujt e tjerë  të zhvilluem të lindjes (Fenikas, Egjyptian, Sirian etj.) ndikoi  drejt rritjes së mirëqenis së tij, dhe paralelisht në zhvillimin kulturor të tij. Ngjajshëm me helenet u zhvilluen , për të njajtat arsye edhe  etruskët në gadishullin e Apeninëve.  Me njohunitë që kemi mundemi me pohue se këto dy popuj  praktikuen shkrimin ma parë ( përjashto egjyptianët dhe fenikasit)  se popujt e  tjerë që popullojshin  në atë kohë Mesdheun . Ashtu si sot që 95% e popujve të Europës përdorin vetem dy alfabete për  shkrimin e tyne edhe në atë kohë fitoi terren përdorimi i  alfabetit helen e ma vonë edhe ai latin. Kjo situatë ndikoi që edhe fjalët në përdorim të përbashkët të popujve të mesdheut (të trashigueme prej origjinës së tyne të largët e  të njajtë) të lexohen me alfabetin helen ( ose latin)  dhe ne dukje të parë, gabimisht të konsiderohen fjalë helene  ose latine. Por realiteti mundet me qenë edhe ndryshe…Në shumicen e rasteve burimi i nji fjale të lashtë proto indoeuropiane  lidhet direkt me efektin e tingullit qe shkakton nji dukuni natyrore; p.sh. rrjedhja e ujit qe vjen prej malit krijon nji zhurmë të vazhdueshme që dikush e ka përceptue të krahasueshme me tinguj si: dr, der, dri, dre,dro,dra  dhe simbas evolucionit gjuhësor, vija e ujit ose lumi dhe në përgjithësi ‘uji’ mori kuptim prej shqiptimit të bashkimit të germave  ma sipër ( dr, der,dri, dre, dro,dra ) etj.  Shëmbujt hidronimesh që lidhen me ” ujin”  kemi: Skodrinon – Iliri, emni i qytetit të Shkodrës; Adriatik – deti që lagë bregun e Ilirisë; Drini – lum në Iliri ( Shqipni); Drino – lum në Iliri ( Shqipni); Drinasa – lum në Iliri (Shqipni);  Drilon – lum në  Iliri ( Shqipni); Balldr(e)  – Iliri, ( Shqipni), fshat përballë lumit Drin; Jadro – lum në Iliri ( Kroaci); Drina –  lum në Iliri( Bosnje); Drava – lum në zonën ku patën banue venetët, kufitarë me Ilirët ( Itali veri-lindore, Austri, Slloveni, Kroaci etj.); Chidro – lum ku patën jetue Mesapët, popull Ilir ( Salento – Puglia-It); Idro  – liqen në  Provincen e  Brescia-It.,  kufitare me Veneton) etj. Në qoftë se rastësisht kontrollojmë ndonji  fjalor të gjuhëve  europiane do të shohim se fjala “Hidronim” që tregon  mjedise ujore, konsiderohet me prejardhje helene, por po ” të gërmojmë ma thellë” në shkrimet shkencore që lidhen me etimologjinë e fjalëve  të cilat përmbajnë kombinimin e germave (dr, der,dri, dre, dro,dra)  kemi me pasë tjeter përfundim. 

Prof. Roberto Bigoni  ( Itali) në studimin e tij shkencor mbi prejardhjen ( etimologjinë)  e fjalëve që kanë lidhje me kuptimin e ujit (ujë,  vijë uji, lum , liqen, kënetë, moçal etj.) të “nënshtresave indoeuropiane para latine”; “Le acque. Il substrato indoeuropeo prelatino” -(https//www.robertobigoni.it) konfirmon se: shqiptimet që vijnë prej bashkimit të  germave   a-dro  të cilat shoqnnojnë konceptin e  ujit që rrjedh si dhe të ujit në përgjithësi si koncept, vijnë prej rrajëve të lashta  indoeuropiane ( Aveste, kelte, venetiane, ilire; ( Jadro – lum në Iliri); kjo rrajë takohet në Iliri dhe në brigjet italiane të Adriatikut; Për kët përfundim ai i referohet edhe  veprës së J.Pokorny; ” Indogermanisches etymologisches Wörterbuch“. 

Besoj se asht e qartë;  hidronimet që përmbajnë bashkimin e germave dr dhe që gjinden kryesisht, në territoret ku dikur ishin të banuem prej Ilirëve ( Kroaci, Bosnje, Mali i zi, Shqipni, Kosovë, Puglia) nuk kanë prejardhje helene, por Ilire. 

Pra, emni i lashtë i qytetit të Shkodrës, “Scodrinon” i dokumentuem në monedhën ilire 230 vjetë p.K. asht  ILIR e njikohësisht dëshmi  konkrete e autoktonisë së popullit shqiptar në trojet e veta.  Përfundoj, tue kujtue me nderim gjuhëtarin e shquem shkodran, të ndjerin prof. David Luken i cili  ishte  i pari që argumentoi emnin e lashtë  ” Scodrinon” të qytetit të Shkodrës si element hidronim në lidhje me pozicionimin e qytetit pranë lumit Drin. 

  Filip Guraziu

Filed Under: Kulture

Një meteor që ndriçoi bukur…

December 20, 2021 by s p

Ymer Çiraku

Këto ditë, sapo ka dalë nga shtëpia botuese Toena libri me titull: “Aroma e një kohe që po ikën”, i cili i kushtohet aktivitetit të trupës së njohur profesioniste të estradës së Sarandës. Libri është përgatitur nga regjizori, Vangel Agora, ku kanë bashkëpunuar me shkrime e kujtime mjaft emra të njohur si: Josif Papagjoni, Limoz Dizdari, Pëllumb Kulla, Niko Kacalidha, Filip Çakuli, Viktor Zhusti, Miho Gjini, Luftar Paja, Enver Isufi, Osman Mula, Alqi Lepuri e mjaft të tjerë. Botime të tilla, marrin vlerë sepse mbajnë gjallë kujtesën dhe vlerësimin e nderimin për punët e vyera nëpër vite. Që te ne për fat të keq, ndodh që të treten lehtësisht në terrin e harresës. Prandaj është për t`u çmuar edhe nisma e Bashkisë së qytetit për ta mbështetur botimin e këtij libri.Për dikë të interesuar më shumë, kam vendosur më poshtë, shkrimin tim të përfshirë në këtë botim.Kur nga miku im i kahershëm dhe i çmuar, Josif Papagjoni, mora vesh për projektin e përgatitjes së një historishkrimi mbi aktivitetin e trupës së teatrit të estradës së Sarandës, vetëtimthi m`u ngjallën edhe mua kujtimet e bukura rreth kësaj trupe artistike, që përcillte aq shumë buzëqeshje, humor të mençur dhe melodi të ngrohta joniane, atyre viteve të hershme. Pikërisht të asaj kohe të mesviteve `70-të, kur edhe unë, pata rastin dhe kënaqësinë e madhe, që ta njihja e ta shijoja emocionalisht nga afër repertorin e kësaj trupe. Mbresat janë të shumta për ata njerëz që punuan si regjizorë, aktorë, instrumentistë e libretistë. Ata kishin talentin e lindur, por kishin edhe shpirtin qytetar për të t`iu krijuar e dëshmuar spektatorëve – atë jetën e magjishme paralele të artit. Duke ua larguar kështu për ca çaste atë grinë e realitetit të përditshëm. Kjo trupë besoj se e arriti majën e lartë të saj, sidomos me vënien në skenë të disa komedive të plota muzikore, me librete të shkrimtarit të talentuar Enver Isufi, me muzikë të kompozitorit të shquar Agim Prodani. Përballimi i pjesëve të këtij formati, ishte vërtet një guxim i madh artistik, me të cilat nuk ishin përballur dot edhe trupa qëndrore profesioniste. Por këto pjesë të plota skenike u realizua pikërisht në Sarandë, ku do të shpaloste fantazinë e tij krijuese regjizori i njohur Thoma Milaj, si dhe skenografi Lefter Çeko. Kompozitori A. Prodani, sëbashku dhe me bashkëshorten e tij, këngëtaren e mirënjohur Anita Take, ndihej si në shtëpinë e tij për disa muaj qëndrimi pranë kësaj trupe. Këngëtarja A. Take, pas shumë vitesh tërheqjeje nga skena, pikërisht këtu, ajo dha një nga koncertet e saj të mrekullueshme, që do t`i krijonte pasionin dhe besimin e rifillimit të karrierës së saj shkëlqimtare por të ndërprerë, karrierë që pastaj nuk do të ndalej më viteve më pas. Saranda falte mikpritje, falte dashuri, frymëzim dhe energji të pandalur për krijimtari artistike. Shkrimtarët korifej të satirës dhe humorit si Qamil Buxheli e Pëllumb Kulla, ishin për disa vite të ftuarit e nderit për realizimin e materialeve të repertorit të trupës profesioniste. Ato ishin vërtet shfaqje të mëdha – për nga niveli profesionist i repertorit, i aktrimit, i muzikës. Dua të vë në dukje se ato ishin përgjithësisht pjesë të atilla skenike, aq të mirëpritura nga spektatori vendas dhe ai i gjithë vendit, gjatë pushimeve të verës, ku ndihej hareja dhe gëzimi i bukur njerëzor, ashtu si i derdhte këto me farfuritje të mrekullueshme edhe vet ai qytet dhe ato anë kudo, nga deti, fusha e mali, që nga Konispoli e Leshnica, e deri bregut të detit. Sepse përcilleshin me art e përkushtim dhe pa ngarkesa të rënda e të rëndomta ideologjike. Veçanërisht bisedat mes mjeshtrave të ftuar, ishin akademi të vërteta arti, ku shkëmbeheshin përvoja, pikëpamje dhe informacion mbi letërsinë dhe artin në përgjithësi. Të gjithë përfitonin prej njeri tjetrit dhe të gjithë shijonin batutat në harenë e pushimeve buzë detit, ulur në lokale, ku të çante hundët jodi i Jonit dhe aroma e peshkut të pjekur. Dhe ku nuk mund të mungonin e ishin përherë të pranishme sigurisht sirenat tërheqëse e të magjishme, që vinin prej mrekullive të mozaikëve të shumtë të tempujve të Onhezmit antik (Saranda e sotme), prej statujave të Butrintit e prej jehonave të largëta të këmbanave të kishës së njohur të dyzet shënjtorëve, atje sipër në kalanë e Lëkursit.Kjo trupë, pati një shkëlqim të vërtetë mbresëlënës për kohën e vet. U shfaq me rrezatimin e një meteori, që trupëzoi bukur dritën e artit, të cilën, e shijuam dhe e kujtojmë me përmallim të gjithë ne, që patëm rastin dhe fatin t`i ndjekim shfaqjet e saj. Nuk i heq nga mendja kupletet e bukura të Theofil Haxhijanit, këtij zë ëmbli, bashkë me të shoqen, Violetën. Edhe sot kur i kujtoj, më zë hareja me rolet e bukur të Lekë Mosit, Mufit Brajës, Jorgo Nanos, Illo Martikos, lëre pastaj zhdërvjelltësinë e Haki Spahos, karakteret e Gaztere Shkurtit, natyrshmërinë e Karafil Shenës, hirin skenik të Vangjel Agorës; dhe më tej muzikën e Thoma Gjonit, që na mbushte shpirtërat, tingujt virtuozë të kitarës së Adem Dacit, violinistin e talentuar Tomi Stefanidhi, zërin e ngrohtë të Telemak Papapanos, interpretimet solide të Lefter Agorës, timbrin vokal të Gani Dokos,, Pëllumb Zotos, Fane Kombulit etj. Do t`i quaja pa droje: Artistë të vërtetë. Po sot? A mund të ringrihet, a mund ta shohim sërish një trupë të tillë?Sigurisht, që kjo do të ishte një dëshirë e bukur, por sot për sot, me sa duket, mbetet në kufijtë e të pamundurës. Por fundja, mbetet Kujtimi i Bukur për institucionin e atij teatri të varietesë, e bashkë me atë kujtim, ngjizet edhe një Shpresë. Shpresa se ai teatër, mund të ringrihet një ditë. Doemos, me një profil strukturor e filozofi funksionimi të rinovuar. Por përherë me misionin e panegociushëm të rrezatimit të artit të bukur, që fal pa kushte buzëqeshjen dhe dashurinë njerëzore.

Filed Under: Kulture

Shtegëtim…

December 18, 2021 by s p

Nga Fatjona R. Lubonja

Për qytetin dhe njerëzit që janë larguar për t’u kthyer vetëm si vizitorë të heshtur që herë pas here lënë gjurmë vetëm në kujtimet e tyre. Jeta është një koleksion me gjëra të vogla të përditshme.

Mendimet e saj ishin ngjitur si qukat ne lëkurë sa herë që ajo vizitonte atë qytet. Fillonte lehtësisht me të nxehtin e ditës që lodhte edhe pluhurin përreth dhe përfundonte me netët e Jazz-it. Ky qytet ishte si një rrjet i pluhurosur në trupin e saj që ndryshonte formë sa herë që ajo e vizitonte. Instiktivisht, qyteti kishte një efekt të çuditshëm tek ajo, pothuajse një koktejl bukurie dhe shëmtie, një fushëbetejë mes groteskes dhe thjeshtësisë. Nuk e vizitonte shpesh atë qytet. Çdo herë që ata përballeshin me njëri-tjetrin dukej sikur udhëtonin në drejtime të kundërta. Ajo plakej dhe qyteti rinohej. Me ledhatime narciziste qyteti vazhdimisht vetë-reklamohej sikur kishte vajzat më të bukura, kafetë më të mira, dhe thashethemet më të paimagjinueshme që i quanin pa ndrojtje, “terapike”. Çudija fillonte me dritat. Në mënyrë alergjike kishte një problem me energjinë elektrike, pasi lidhja vinte dhe ikte kur kishte qejf edhe pse për habinë e saj, lidhjet e internetit kishin pushtuar në perfeksion të gjithë qytetin. Shtëpitë në ndërtim e sipër ishin të shpërndara kudo, nga të dyja anët e rrugës. Jeshillëku mezi dukej vërdallë, si jetim, jo aq i fuqishëm sa pisllëku. Por për atë, nuk ishte dhe aq pamja që e impresiononte, sesa aroma që vinte. 

Qyteti kshte një diçka të veçantë, që ngacmonte kujtesën e saj dhe ishte ndjesija e aromës së çuditshme. Ky qytet mbante erën e qumështit të djegur! Grupe vajzash shiheshin të shpërndara nëpër qytet. Ndiheshin të pakujdesshme, si personazhe thashethemesh nëntokësore. Nën bukurinë e një nate, i rastisi të rinte me një grup të tillë vajzash. Edhe pse i njihte shumë pak, ndihej në mënyrë spontane e mirëpritur. Feminiliteti ishte një komponent i detyrueshëm, ndërsa ndjeshmëria delikate ndihej herë pas here gjatë bisedës së pacensuruar. Qëndrimi rebel ishte prezent në çdo moment, kur trazonin koktejin me pije të buta, deri në madhështinë e duhanpirjes, i rrëngjethur nga kuqësija e buzëve. Seksualiteti ishe më shumë se prezent, i vetëkënaqur, xheloz dhe i pudrosur me arrogancë joshëse. Me koketëri, mendimet e saj rrugëtuan përgjatë mbrëmjes padashje, moment pas momenti, çdo lëvizje sensuale. Një ngrohtësi që vetëm ajo e ndjeu, surprizoi edhe atë kur papritmas, një kujtimi nga dashuria e saj e hershme u shfaq në imagjinatën e saj. Duhet të ketë qënë diçka e pandërgjegjshme që ngacmoi mendimet, megjithëse asaj i pëlqeu kjo ndjesi. Mendja e saj i kujtoi momente që ajo besonte se i kishte harruar plotësisht. 

Koha ishte kalimtare, si ajo, u largua për të mos u kthyer më kurrë. Do ishte e pamundur për t’u ndjerë ndryshe, megjithatë ajo ende besonte si atëherë, që dashuria ia vlente më shumë edhe pse me cinizëm shqetësonte vëmendjen e kujtdo. Në mendje, ai qëndronte i ulur para saj. Ajo kujtonte të njëjtat karakteristika si të ishin lënë me bujari të paprekura ndër vite. Megjithëse mendimi ishte një grimcë e kujtesës së saj, pas një përgjumësie të gjatë, nuk ndjeu aspak nostalgji, por kujtimet ishin të mjaftueshme për të kënaqur vrullin e momentit rebel të saj. “Çfarë e tërheq apo rebelon një person shumë vite më pas, edhe pse në mungesë?” – pyeti ajo rastësisht. Vetëm kujtimet, ose vetëm perceptimet e kultivuara, ndoshta të ndërlikuara me histori të tjera. Sofistikimi i gjuhës, që shkaktoi fluturimin e mendjes së saj diku tjetër, papritur u shndërrua në mendim elegant. Lëkura e saj ndjeu se po luante një lojë erotike, jo aq seksuale, por më tepër estetike. 

Ajo e quajti një orgazëm intelektuale, që të kënaqte po aq sa një gjëegjëzë që të lë pa fjalë. Ndjeu se ishte e dashuruar atë moment me vetë ndjenjën. Mendimet i kënaqën imagjinatën, duke u harruar paksa në flladin e embël të mesnatës, që ky qytet dhuronte me zemërmadhësi. Për disa çaste, ishte ai fllad që e skllavëroi atë, të ndjejë diçka që s’e kishte vëne re ndër vite, shikimin me mall të dikujt për të, buzeqeshjen, qetësinë që të jep një ndjenjë edhe pse padrejtësisht e harruar. Atë mbrëmje ajo e pranoi të ishte rrobëruar nga kujtime që i ishin ngjitur si qukat në lëkurën e saj. Një sekret ky, që i takonte vetëm asaj, duke e fshehur me naivitet midis të qeshurave çapkëne të vajzave përreth. Atë natë ajo udhëtoi zbathur nëpër rrugicat që i dhuroi flladi i mbrëmjes, pa lënë pas qukat që vizatuan lëkurën e saj.

Copyright Fatjona R. Lubonja 

Filed Under: Kulture

NATA E KINEMATOGRAFISË NË VATËR

December 17, 2021 by s p

Dielli

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA do të organizojë ditën e Mërkurë më 22 Dhjetor 2021, në orën 6.30 PM, një natë speciale kushtuar kineastëve të rinj shqiptarë në New York. Erald Kraja dhe Savina Alimani do të shfaqin për publikun dhe komunitetin shqiptar në New York dy filma me metrazh të shkurtër të vlerësuar maksimalisht në Universitet ku ata kanë studiuar. Eraldi dhe Savina janë dy talente shumë premtuese dhe me të ardhme të sigurtë në botën e filmit. Dy studentët shqiptarë të sapodiplomuar në Departamentin e Filmit ne Brooklyn Film College dhe Hunter College në New York, prezantojnë filmat e tyre të diplomës ku në qendër të realizimit artistik janë histori urbane që ndodhin në Metropolin Amerikan, njerëz në kërkim të identitetit dhe konfliktet që burojnë nga botë të ndara dhe mirësia që i superon dhe i zbut këto konflikte në një shoqëri globale. Ky aktivitet zhvillohet me pjesëmarrjen e veçantë të kineastit të vlerësuar ndërkombëtarisht z.Bujar Alimani.Vatra fton të gjithë komunitetin që të bëhet pjesë e një feste të shkëlqyer të filmit shqiptar në New York. Ju mirëpresim të gjithëve në Selinë Qëndrore të Vatrës në adresën:2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458.

Filed Under: Kulture

Viron Kona dhe libri drejt “Bregut të erës”

December 16, 2021 by s p

                                               Përjetim

Shkruar nga: Fran GJOKA

C:\Users\viron\Desktop\TAKIME-SKICA\frangjokav.jpg

Drejt “Bregut të erës” titullohet libri më i ri i shkrimtarit Viron Kona. Ai përmban nëntë tregime me tematikë të larmishme, që në vetvete përbëjnë një mozaik tërheqës e mbresëlënës. Janë tregime të shkruara thjesht, siç shquhet në përgjithësi krijimtaria e Viron Konës, teksa ato dallojnë për origjinalitetin dhe mjeshtërinë e rrëfimit, që të rrëmben dhe të përfshinë në përfytyrime. Mund të them se, për cilindo nga tregimet, të lind dëshira t`i rikujtosh, duke sjellë ndër mend jo vetëm mesazhet, por dhe fragmente,episode, batuta, dialogje, figura artistike e shprehje frazeologjike. Ato na ngazëllejnë dhe kemi dëshirë t`i përmendim në bisedat tona.

I zhytur në një heshtje krijuese e modestie, shkrimtari Kona  ia arrin të na bëj menjëherë për vete me krijimet e  tij, siç dhe ka ndodhur shpesh herë me librat e tij për fëmijë dhe për të rritur, ku ai është nderuar e vlerësuar, por edhe është përkthyer në gjuhë të huaja, sidomos në gjuhën suedeze. 

Libri nis me tregimin “Radioja”, që na çon në vitet 60 të shekullit të kaluar kur në Shqipëri nisën të hynin masivisht radiot, të cilat deri atëherë për shumë njerëz ishin ende të panjohura. Subjekti i tregimit zhvillohet përmes një konflikti, fillimisht të qetë e, pastaj të dukshëm mes autoriteteve vendore dhe banorëvet të thjeshtë, që duke iu gëzuar radios, valëve të saj dëshironin të dinin edhe për ata njerëz që e shpikën atë. Libri ofron situata, sa komike, aq edhe të dhimbshme, por ndërkohë përcjellë te lexuesi edhe një informacion të nevojshëm, si për kohën kur zhvillohet ngjarja, ashtu dhe për shkencëtarët botërorë: amerikanin  Nikola Tesla (1856-1943,) italianin Guglielmo Markoni (1874 – 1937), (por edhe Edisonin, Popovin, Hercin, Faradein, Ërstedin)…të cilët, me kërkimet e tyre shkencore ia arritën të shpiknin aparatin e radios. 

Një ironi e mprehtë dhe bukuri artistike përshkon faqet e tregimit, që, me të drejtë është vlerësuar dhe nga albanologu i njohur suedez Ullmar Qvick, i cili, kur ka lexuar këtë tregim në revistën “Dituria”, botim  i Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” të qytetit Borås të Suedisë, është shprehur i ngazëllyer: “Më ka paëlqyer shumë tregimi “Radioja”, i shkruar nga shkrimtari shqiptar Viron Kona dhe do ta përkthejë.” Dhe, “me të thënë e me të bërë”, albanologu suedez, njëherazi përkthyes dhe poet i njohur, e përktheu tregimin në gjuhën suedeze. (Suedisht tregimi është i botuar në revistën “Dituria” në janar 2020, por dhe në revista suedeze).    

Temën e tregimit “Thesi bosh”, shkrimtari e merr nga jeta reale dhe  ia ofron lexuesit nëpërmjet një rrëfimi të thjeshtë, duke satirizuar ata njerëz snob e servilë, që edhe tek një libër kërkojnë shkaqe që të bëjnë sa më shumë lajka dhe vlerësime të pamerituara, duke vërtetuar kështu praktikisht thënien proverbiale të mjeshtrit të romanit grotesk, Servantesit se “S`ka plaçkë më të lirë se lajkat”. Shkrimtari nënvizon artistikisht shkakun e lajkave dhe qejfbërjeve dhe shpreh artistikisht befasinë zhgënjyese të protagonistit: 

-Çfarë…, për shkak se jam drejtor, këta njerëz më kanë  mbuluar me lajka muaj e vite me radhë: edhe për librat me tregime dhe me poezi, për novelat dhe romanet që kam shkruar e botuar…! Më kanë lavdëruar kot, pa lexuar asgjë nga unë, vetëm e vetëm se ua ka dashur interesi të më bënin qejfin, vetëm për ta mbajtur mirë me mua, mbase që, në këmbim të atyre lajkave, të nxirrnin ndonjë përfitim… 

C:\Users\viron\Desktop\vironietyde.jpg

Si për ta çlodhur lexuesin nga mendimet e zymta, shkrimtari Kona sjellë në vazhdim tregimin lirik dashuror ”Lirika e ullinjve”, ku  me një gjuhë të thjeshtë, na rrëfen dashurinë e dy të rinjve në një fshat në vitet 60-70, dashuri e cila frenohen dhe pengohet për shkak të paragjykimeve, patriarkalizmit dhe nga mbeturinat e kohës, teksa lexuesi, në fund ngulit thellë mendimin që aq bukur na i ofron Shekspiri se “Çdo pengesë për dashurinë vetëm e forcon atë”.

Në vëllim tërheqin vëmendjen dy tregime satirike: “Ushtarët dhe tri macet e fshatit”  dhe “Na mjaftojnë gjelat tanë për t`u argëtuar”. Janë tregime që flasin për dy periudha kohore, atë të diktaturës dhe të demokracisë, por që shkrimtari,  nëpërmjet groteskut, godet thellë, si formalizmin, ashtu dhe skenat mashtruese, që zhvillohen në brendinë e këtyre tregimeve. Ndonëse përpiqemi të çlirohemi prej tyre, ato na mbajnë të rrethuar si me gardhe shkurresh e gjëmbaçësh, e prej të cilave shkëputemi me vështirësi. Në tregimin “Ushtarët dhe tri macet e fshatit” përshkruhen episode dhe situata komike që ndodhnin në ushtri. Me një rrëfim të bukur e gazmor, autori fshikullon rreptë falcitetin e kohës. Kurse tek tregimi tjetër ’Na mjaftojnë gjelat tanë për t`u argëtuar” autori rrëfen plot humor bashkëbisedimin e një fshatari të mençur me një zyrtari bashkiak. Fshatari, ashtu si pakuptuar, tallet dhe vë në lojë mënyrat dhe veprimet e nëpunësve të shtetit dhe të të zgjedhurve të popullit, të cilët me premtimet boshe dhe fjalët e bukura, përpiqen të vënë në gjumë popullin dhe të vetmin qëllim kanë sigurimin e  votës. Është një nga ato tregimet, ku përjetojmë artistikisht thënien proverbiale “Qeshim se s`qajmë dot!”: 

Bariu heshti një çast dhe vijoi:

-Kur zotëria jote më tregon vështirësitë e punës dhe qan me mua hallet e mëdha, që kini ju në bashki,  apo, ata në qeveri,  them  me vete: “Mjerë  këta të gjorë se ç`i ka gjetur ! U duhet të zgjidhin hallet tona dhe të gjithë dynjasë”. Veç këtyre, edhe sherret nuk iu ndahen. Sidomos atje në parlament, ato bëhen përnatë. “-Pse, o të gjorë, – them me vete, – nuk bëheni në një mendje dhe të merreni vesh me njëri-tjetrin, ashtu siç merrem vesh  unë  me bagëtitë  e mia!” Po kot u qaj hallin se ata vetëm shahen e sa s`theren. Atje gjithnjë  vetëm njëra  palë  ka  të  drejtë. Pala tjetër vetëm gabon dhe nuk ka hiç të  drejtë. Shaj njëri e shaj tjetri. Akuzo njëri e akuzo tjetri. Njëra palë  i thotë  tjetrës: “Ju jeni hajdutë !” Ata ua kthejnë me tërsëllëmë:  “Hajdutë,  jeni ju !” Këta u thonë: “Ju jeni mashtrues !” Ata ua kthejnë: “Mashtrues jeni ju!” Me një  fjalë,  sipas kësaj mendjes sime, po t`u japim të  drejtë  të  dy palëve,  na dalin të  dy palët barazim: Të gjithë “hajdutë” dhe të  gjithë  “mashtrues”.

-Në të vërtetë, ata  atje në parlament, ju i keni zgjedhur, – vërejti zyrtari i bashkisë. 

-Eh, kjo puna e të zgjedhurit, është ca e ngatërruar. Se nuk ndodh ashtu siç po thua zotrote! Ata, zgjedhin njëherë veten atje lart, pastaj vijnë këtu…”

Tregimi “Dikproli dhe Zëngjiruri”, rrëfen me ngjyrime artistike shfaqjet e dyfytyrësisë njerëzore, ku njeriu pa karakter, duke ngjasuar me një “xhaketë të kthyer”,  dhe “duke u kthyer nga fryn era”, kërkon të përfitojë padrejtësisht. Të tillë njerëz, që sot i gjenë me bollëk në shoqërinë tonë, shfaqen si heronj dhe shpëtimtarë të popullit, duke u paraqitur ndryshe nga ç`janë…Kështu, personazhi kryesor i tregimit, nga një ish kuadër në diktaturë, që zbatonte në mënyrë ekstreme dhe qesharake vijën e partisë, shdërrohet në një “demokrat” të shquar, që përdor çdo mjet dhe çdo mënyrë për të fituar simpatinë e drejtuesve partiakë, për të përfituar sa më shumë prej tyre. Ai shkërmoqet përpara lexuesit, veçanërisht  nga vargjet-bejte, që i ka “krijuar” vetë: Me diktaturën isha, /Me demokracinë jam,/Levat e pushtetit,/ Në dy duar i kam!/ Dikur “Dikprol”,/Me mushkë dhe gomar,/Sot Zëngjirur,/Në fshat jam i parë”.(Ai përdorte fjalën “Dikprol”, si shkurtim të “Dikaturës së proletariatit”)

Në vijim, zhvillohen dy tregime, që e kanë burimin nga përshtypjet e Viron Konës në vende të huaja e që titullohen: “Çaji që ju pitë, çfarë lloji ishte?” dhe “Kujdes, miqtë e mi, kujdes momentet e fundit”. Të dy tregimet e marrin temën nga përshtypjet në Turqi, ndërkohë që të dy janë rrëfime emocionale, njëri fshikullon ekstremizmin partiak në Shqipëri, në kohën e  diakturës, kur, ata që ktheheshin nga jashtë shtetit kalonin në skanerin e “popullit” dhe të autoriteteve partiake, kurse, nëpërmjet tregimit të dytë, shkrimtari rrëfen me një emocion që të mban gjatë gjithë tregimit, humbjen e një valixheje nga njëri prej pjesëtarët e  ansamblit.( brenda saj kishte dokumente të rëndësishme dhe pasaporta të disa prej ansamblistëve). Kishin kryer një detyrë me shumë sukses, por që vetëm pas një pakujdesie momentale, gati sa nuk shkatërruan gjithçka kishin arritur me shfaqjet artistike që kishin dhënë në Turqi.

Tregimi i fundit i këtij vëllimi Drejt “Bregut të erës”, është më shumë një rrëfim disi i gjatë, por që të mban gjallë, zgjon kureshtje te lexuesi  dhe është tërheqës deri në fund. Aty rrëfehen peripecitë e një ushtari të ushtrisë shqiptare, i cili kishte detyrë të çonte një letër në komandën e repartit, diku në “Bregun  e erës”, në një ditë të ftohtë dimri, mes luginash, greminash e malesh, mes frikës nga kafshët e  egra etj. Ky përshkrim, krahas emocionit, herë – herë drithërues, është i pasuruar edhe me rrëfenja të thjeshta e të shkurtëra , të cilat tregohen nëpërmjet retrospektivave nga  protagonisti dhe që nxjerrin në dritë vlerat më të mira të skraparllinjve dhe të bukurive natyrore të krahinës së Skraparit. 

Viron Kona është nga ata shkrimtarë që përthithë dhe përjeton ngjarjet bashkëkohore, por ai i rikthehet herë-herë edhe ngjarjeve që ngacmojnë kujtesën e tij, ndërkohë që, ky shkrimtar ka një cilësi si rrallë kush, ai, sa herë shkon në vende të huaja, nga përshtypjet që krijon atje gjatë vizitave, sjellë përpara lexuesit episode, ngjarje, tipa njerëzorë, portrete etj., duke i shndërruar ngadalë ato në tregime, novela dhe romane. Kështu, kur ai shkoi në Turqi në vitin 1982 në krye të një ansambli të këngëve dhe valleve popullore, ai, kur u kthye, me ato përshtypje, krijoi romanin e bukur e tërheqës “Yje mbi Bosfor”. Kur shkoi në Greqi, si refugjatë ekonomik  dhe përjetoi atje të gjithë të këqiat që mund të përjetoj njeriu nga një shfrytëzim i egër e barbar, ai shkroi romanin aq të pëlqyer e të vlerësuar nga kritika “Drithërimat e yjeve”. Kur shkoi në Budapest, për një operacion të rëndë të pankreasit, ai, me përshtypjet vetjake, shkroi librin e mrekullueshëm dëgjoma “Zemrën Budapest!”, që është konsideruar një “simfoni letrare për jetën”. Ndërkaq, Viron Kona ka një “dritë jeshile” në Suedi, pas përkthimit atje të romanit për fëmijë “Eh, more Bubulino!” fitues i çmimit UNICEF. Ai ka shkuar atje i ftuar disa herë, ka zhvilluar vizita dhe biseda me fëmijë, të rinj, njerëz të thjeshtë dhe intelektualë, shkrimtarë dhe artistë, dhe, gjatë disa vjetëve i ka kushtuar Suedisë, popullit të saj të mbrekullueshëm dhe mërgimtarëve shqiptarë atje, 7 libra: ”Bukuri suedeze”, ”Për ju miqtë e mi”, “Zonja nga Boråsi”,”Ju dua më shumë se veten!”,”Kur vjen Sokoli” dhe “Poleni viking”, ky i fundit me bashkautorë Sokol Demakun. Duhet të pohojmë faktin se Viron Kona, është vlerësuar shpesh herë si një nga shkrimtarët më prodhimtarë dhe cilësorë, ai sot është autor i mbi 50 librave, vëllime me tregime dhe romane për fëmijë dhe për të rritur; anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve prej vitit 1981, anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë, anëtar i Këshillit Kombëtar të Librit, kryeredaktor i revistës “Siguria rrugore”. Shumë nga librat e tij janë rekomanduar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (Sportit) për lexime jashtë klase, kurse tregime, novela dhe poezi të veçanta janë botuar në disa antologji të letërsisë shqipe. Viron Kona është fitues i 8 çmimeve në gjininë e tregimit dhe të novelës. Fitues i çmimit UNICEF, për librin më të mirë për fëmijë 2006 “Eh, more Bubulino!”, si dhe fitues i çmimit “Penda e Artë e Migjenit”(Festivali Internacional i Poezisë, Borås, Suedi, 2021).  Dy vëllimet e para të librit “Eh, more Bubulino!” janë përkthyer në një vëllim të vetëm në Suedi (Men kära Bubulino!). Disa nga tregimet janë botuar në anglisht, frëngjisht e suedisht. Kohët e fundit është përkthyer në gjuhën hungareze libri “Dëgjoma zemrën, Budapest!” Në biografinë shkrimore të Viron Konës ka qindra artikuj letrarë, studimorë, socialë, kulturorë e arsimorë të botuar në gazeta, revista e portale brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë që, ai, i heshtur punon e punon pareshtur, pa e ngritur kokën dhe pa synuar aspak që t`i bëj reklamë vetvetes. Ai niset nga parimi që, nëse vepra letrare meriton të vlerësohet dhe të përmendet, ajo, sot apo nesër, e gjen vendin e  vetë. ”Asgjë s`bëhet me sforco, – thotë ai, – gjithçka duhet të vijë natyrshëm, ashtu siç vijnë stinët, siç rriten lulet, siç shtegtojnë zogjtë…

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • 153
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT