Nga Fatjona R. Lubonja
Për qytetin dhe njerëzit që janë larguar për t’u kthyer vetëm si vizitorë të heshtur që herë pas here lënë gjurmë vetëm në kujtimet e tyre. Jeta është një koleksion me gjëra të vogla të përditshme.
Mendimet e saj ishin ngjitur si qukat ne lëkurë sa herë që ajo vizitonte atë qytet. Fillonte lehtësisht me të nxehtin e ditës që lodhte edhe pluhurin përreth dhe përfundonte me netët e Jazz-it. Ky qytet ishte si një rrjet i pluhurosur në trupin e saj që ndryshonte formë sa herë që ajo e vizitonte. Instiktivisht, qyteti kishte një efekt të çuditshëm tek ajo, pothuajse një koktejl bukurie dhe shëmtie, një fushëbetejë mes groteskes dhe thjeshtësisë. Nuk e vizitonte shpesh atë qytet. Çdo herë që ata përballeshin me njëri-tjetrin dukej sikur udhëtonin në drejtime të kundërta. Ajo plakej dhe qyteti rinohej. Me ledhatime narciziste qyteti vazhdimisht vetë-reklamohej sikur kishte vajzat më të bukura, kafetë më të mira, dhe thashethemet më të paimagjinueshme që i quanin pa ndrojtje, “terapike”. Çudija fillonte me dritat. Në mënyrë alergjike kishte një problem me energjinë elektrike, pasi lidhja vinte dhe ikte kur kishte qejf edhe pse për habinë e saj, lidhjet e internetit kishin pushtuar në perfeksion të gjithë qytetin. Shtëpitë në ndërtim e sipër ishin të shpërndara kudo, nga të dyja anët e rrugës. Jeshillëku mezi dukej vërdallë, si jetim, jo aq i fuqishëm sa pisllëku. Por për atë, nuk ishte dhe aq pamja që e impresiononte, sesa aroma që vinte.
Qyteti kshte një diçka të veçantë, që ngacmonte kujtesën e saj dhe ishte ndjesija e aromës së çuditshme. Ky qytet mbante erën e qumështit të djegur! Grupe vajzash shiheshin të shpërndara nëpër qytet. Ndiheshin të pakujdesshme, si personazhe thashethemesh nëntokësore. Nën bukurinë e një nate, i rastisi të rinte me një grup të tillë vajzash. Edhe pse i njihte shumë pak, ndihej në mënyrë spontane e mirëpritur. Feminiliteti ishte një komponent i detyrueshëm, ndërsa ndjeshmëria delikate ndihej herë pas here gjatë bisedës së pacensuruar. Qëndrimi rebel ishte prezent në çdo moment, kur trazonin koktejin me pije të buta, deri në madhështinë e duhanpirjes, i rrëngjethur nga kuqësija e buzëve. Seksualiteti ishe më shumë se prezent, i vetëkënaqur, xheloz dhe i pudrosur me arrogancë joshëse. Me koketëri, mendimet e saj rrugëtuan përgjatë mbrëmjes padashje, moment pas momenti, çdo lëvizje sensuale. Një ngrohtësi që vetëm ajo e ndjeu, surprizoi edhe atë kur papritmas, një kujtimi nga dashuria e saj e hershme u shfaq në imagjinatën e saj. Duhet të ketë qënë diçka e pandërgjegjshme që ngacmoi mendimet, megjithëse asaj i pëlqeu kjo ndjesi. Mendja e saj i kujtoi momente që ajo besonte se i kishte harruar plotësisht.
Koha ishte kalimtare, si ajo, u largua për të mos u kthyer më kurrë. Do ishte e pamundur për t’u ndjerë ndryshe, megjithatë ajo ende besonte si atëherë, që dashuria ia vlente më shumë edhe pse me cinizëm shqetësonte vëmendjen e kujtdo. Në mendje, ai qëndronte i ulur para saj. Ajo kujtonte të njëjtat karakteristika si të ishin lënë me bujari të paprekura ndër vite. Megjithëse mendimi ishte një grimcë e kujtesës së saj, pas një përgjumësie të gjatë, nuk ndjeu aspak nostalgji, por kujtimet ishin të mjaftueshme për të kënaqur vrullin e momentit rebel të saj. “Çfarë e tërheq apo rebelon një person shumë vite më pas, edhe pse në mungesë?” – pyeti ajo rastësisht. Vetëm kujtimet, ose vetëm perceptimet e kultivuara, ndoshta të ndërlikuara me histori të tjera. Sofistikimi i gjuhës, që shkaktoi fluturimin e mendjes së saj diku tjetër, papritur u shndërrua në mendim elegant. Lëkura e saj ndjeu se po luante një lojë erotike, jo aq seksuale, por më tepër estetike.
Ajo e quajti një orgazëm intelektuale, që të kënaqte po aq sa një gjëegjëzë që të lë pa fjalë. Ndjeu se ishte e dashuruar atë moment me vetë ndjenjën. Mendimet i kënaqën imagjinatën, duke u harruar paksa në flladin e embël të mesnatës, që ky qytet dhuronte me zemërmadhësi. Për disa çaste, ishte ai fllad që e skllavëroi atë, të ndjejë diçka që s’e kishte vëne re ndër vite, shikimin me mall të dikujt për të, buzeqeshjen, qetësinë që të jep një ndjenjë edhe pse padrejtësisht e harruar. Atë mbrëmje ajo e pranoi të ishte rrobëruar nga kujtime që i ishin ngjitur si qukat në lëkurën e saj. Një sekret ky, që i takonte vetëm asaj, duke e fshehur me naivitet midis të qeshurave çapkëne të vajzave përreth. Atë natë ajo udhëtoi zbathur nëpër rrugicat që i dhuroi flladi i mbrëmjes, pa lënë pas qukat që vizatuan lëkurën e saj.
Copyright Fatjona R. Lubonja