• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Feim Ibrahimi – Kompozitori i modernitetit dhe himnit shpirtëror të shqiptarëve – “Rrjedh në këngë e ligjërime”

August 2, 2025 by s p

Në përvjetorin e 28-të të ndarjes nga jeta të kompozitorit Feim Ibrahimi (1935–1997), kujtojmë jo vetëm figurën e një prej krijuesve më të mëdhenj të muzikës shqiptare, por edhe trashëgiminë e një vizionari që i dha tonin e kohës së tij muzikës serioze dhe vokale shqiptare. Ai ishte produkt i një shkolle të mirëfilltë kombëtare të muzikës, e cila në gjysmën e dytë të shekullit XX filloi të konsolidohej në përpjekje për të krijuar një identitet të veçantë të muzikës shqiptare, të përshkuar nga ndërthurja e traditës dhe modernitetit.

Feim Ibrahimi i përket brezit të parë të kompozitorëve shqiptarë të formuar në Shqipëri, të cilët sollën në krijimtarinë e tyre një ndjeshmëri të re, një guxim eksperimental dhe një ndërlidhje të fortë midis përjetimit personal dhe fatit historik të popullit. Krijimtaria e tij është pasuri e çmuar e muzikës shqiptare dhe përfaqëson një vepër të gjerë dhe të shumëllojshme: nga muzika simfonike e deri te muzika për fëmijë, nga kënga artistike te baletet dhe muzika korale.

Një prej kulmeve të veprës së tij, që ka kaluar përtej kohës dhe është shndërruar në një himn shpirtëror të shqiptarëve kudo në botë, është kënga “Kënga rrjedh në këngë e ligjërime ” me vargjet e ppetit Gjok Beci dhe melodinë e ndërtuar mbi një strukturë të thjeshtë por prekëse, e intepretuar mjeshtërisht nga Vaçe Zela, , kjo këngë mishëron ndjenjën e përkatësisë, të dhembjes dhe krenarisë kombëtare. Ajo u bë simbol i një fryme të re kulturore në fund të viteve ’70 dhe vazhdon të mbetet një prej pikëreferimeve më të forta muzikore në kujtesën kolektive shqiptare. Nuk është e rastësishme që kjo këngë këndohet në raste të mëdha kombëtare, në diaspora, në shkolla dhe institucione, duke përforcuar rolin e saj si një thirrje për unitet, dashuri dhe identitet.

Por Feim Ibrahimi nuk u kufizua vetëm në formën klasike të muzikës vokale. Ai guxoi të futë në muzikën shqiptare elementë të avangardës europiane, teknikën seriale dhe ekspresivitetin e përmbajtur të muzikës moderne. Ishte ndër të parët që eksperimentoi me përmasa të reja harmonike dhe ritmike, duke zgjeruar ndjeshëm horizontet e muzikës shqiptare.

Një shembull i veçantë i përballjes së tij me tematikat historike dhe mitologjike është baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”(1983), një vepër që përpunon në mënyrë metaforike motivin e qëndresës dhe flijimit të Gjergj Elez Alisë, një prej figurave më të fuqishme të epikës legjendare shqiptare. Në këtë balet, Ibrahimi përçon jo vetëm dhimbjen, përpjekjen dhe heroizmin, por edhe dramën shpirtërore të njeriut që mbart mbi supe plagët e historisë. Muzika është e fuqishme, herëherë therëse, me kontraste të forta që e lidhin veprën me një ndjeshmëri moderne europiane, duke e universalizuar kështu një mit shqiptar.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i krijimtarisë së tij është pasqyrimi i ngjarjeve historike dhe sociale përmes gjuhës muzikore. Veprat e tij nuk janë të shkëputura nga konteksti, përkundrazi, ato shërbejnë si pasqyra të realiteteve të kohës: lufta, ndërtimi, idealizmi, dilemave të brendshme të individit dhe shoqërisë. Muzika e tij është angazhuese dhe meditative, por asnjëherë propagandistike. Ai i qëndroi gjithnjë besnik artit të vërtetë dhe përkushtimit ndaj cilësisë dhe origjinalitetit artistik.

Feim Ibrahimi pati gjithashtu një rol të madh institucional dhe formues në jetën muzikore të Shqipërisë. Ai ishte organizator dhe drejtues i festivaleve dhe ngjarjeve muzikore, duke ushqyer zhvillimin e brezave të rinj të kompozitorëve shqiptarë. Puna e tij në fushën e edukimit muzikor ishte po aq e rëndësishme sa edhe krijimtaria artistike.

Trashëgimia që ai la pas përfshin qindra vepra, shumë prej të cilave janë të arkivuara në fonotekat dhe bibliotekat muzikore shqiptare. Fatkeqësisht, siç ndodh shpesh në vendin tonë, një pjesë e veprës së tij pret ende të rigjendet, të restaurohet dhe të rivlerësohet siç e meriton. Rikthimi i veprave të tij në skenë, sidomos simfonitë, baletet dhe veprat për kor dhe orkestër, është një detyrë kulturore e domosdoshme për institucionet tona.

Sot, në 28-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, përkujtojmë Feim Ibrahimin jo vetëm si një kompozitor të shquar, por edhe si një figurë formuese të identitetit muzikor shqiptar të shekullit XX. Ai ishte një zë i rrallë që solli thellësi, elegancë dhe kurajë në muzikën tonë, dhe që me veprën e tij vijon të frymëzojë, të sfidojë dhe të prekë zemrat e dëgjuesve, përtej kohës dhe kufijve.

© Dorian Koçi

Filed Under: Kulture

Emocione nga Festivali i Skulpturave të Rërës në Revere Massachusetts

August 2, 2025 by s p

Ndriçim Bejko/

Sivjet ishte viti i 21-të Festivalit të Skulpturave të Rërës këtu në Revere të Massachusetts. Festivali si fillim ka filluar vetëm me bërjen e 1 kështjelle prej rëre për të impresionuar publikun dhe testuar dëshirën për të vazhduar garën më tej. Vitet e tjera që do pasonin do e kthenin këtë eveniment në një konkurs të mirëfilltë arti dhe një traditë që bëhet akoma më tërheqëse dhe e pandarë nga kalendari vjetor i publikut artdashës.

Pjesëmarrja e publikut i kalon 200,000 mijë vizitorë çdo vit duke e kthyer në konkursin dhe festivalin e skulpturave të rërës më të rëndësishmin në botë. Pas një pritjeje të gjatë që prej 2010 -ës, më së fundi çifti i ri që menaxhon këtë festival që prej 2021 fill pas Corona Virusit më dha shansin që vjet të merrja pjesë për herë të parë duke u përfshirë në 15-shen më të mirë të skulptorëve të përzgjedhur. Kjo u arrit pas një testi që unë kalova në vitin 2023.

Ndërsa sivjet ata më dërguan ftesën që të bëhesha pjesë e 10 skulptorëve të përzgjedhur posaçërisht për këtë eveniment. U paraqita me kompozimin tim me titull “I want to break free”. Kompozimi im përfshin një figurë femërore e cila gjendet brënda një kornize ashtu si zakonisht ne shikojmë pikturat nudo nëpër shumë sallone apo galeri arti. Krijimi im nuk ka të bëjë thjeshtë me një figurë femër që përpiqet të dalë jashtë 1 kornize por ka të bëj me 1 fenomen shumë të theksuar shoqëror ku seksi mashkull e sheh seksin femër si një pronë dhe përpiqet ta ketë gjithmonë atë nën kontroll. Fatkeqësisht ky fenomen është shumë shqetësues në vendin tonë dhe pa folur për ato vënde ekstreme ku gruaja mbahet e mbuluar si një skllave, goditet me gurë dhe përçudnohet në mënyrë barbare.

Kjo skulpturë është një thirrje shpirtërore për të dy gjinitë që ky fenomen të marrë fund duke respektuar njëri-tjetrin në mënyrën më reciproke dhe humane të mundshme.

Pjesëmarrja në festival konsistoi në faktin që 3 ditë para konkursit ne u grumbulluam për të krijuar skulpturën qëndrore e cila sivjet kishte temën 250 vjetorit të fillimit të revolucionit me Paul Revere.

Sasia e rërës për skulpturën qëndrore shkon rreth 200 ton ndërsa për ne konkurentët rreth 30 ton. Konkursi filloi të mërkurën dhe mbaroi të shtunën. Çdo ditë punuam fort nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 5 pasdite përveç të shtunën ku Festivali u mbyll në orën 2 për ti dhënë kohë komisionit për ndarjen e çmimeve. 3 pjesëtarë të komisionit vlerësues ishin prezent dhe pjesa tjetër online.

Nuk arrita të merrja çmim por për mua çmimi më i madh është të isha pjesë e 10 skulptorëve më të spikatur në botë me një eksperiencë të gjatë në skulpturat e rërës. Mesa mora vesh të gjithë pjesëmarrësit jetonin vetëm nëpërmjet skulpturave të të rërës, akullit dhe borës. Dita më sfiduse për mua ishte e mërkura e cila fillonte me ngjeshjen e rërës. Format që u përdorën i përgatitëm 1 dit më parë që çdo gjë të ishte gati sipas dizanjit të zgjedhur.

Skulptura ime ishte në kufijtë e maksimales me një përllogaritje ekzakte ku dhe lopata e fundit e rërës u përdor në krijim. Dimensionet e skulpturës sime duke përfshirë edhe bazamentin ishin 2m45cm x 2m45cm ose (8’ x 8’) ndërsa dimensioni i 3-të është me gjerësi 2m45cm x 2m45cm x 75cm ose në inch! 8’ x 8’ x 2’1/2”. Një eksperiencë e paharrueshme.

Filed Under: Kulture

𝐈𝐧 𝐦𝐞𝐦𝐨𝐫𝐢𝐚𝐦, 𝐕𝐢𝐧𝐜𝐞𝐧𝐭 𝐯𝐚𝐧 𝐆𝐨𝐠𝐡, 𝐢 𝐜𝐢𝐥𝐢 𝐮 𝐧𝐝𝐚 𝐧𝐠𝐚 𝐣𝐞𝐭𝐚 𝐦𝐞̈ 𝟐𝟗 𝐤𝐨𝐫𝐫𝐢𝐤 𝟏𝟖𝟗𝟎

July 30, 2025 by s p

Nga Dr. Bledar Kurti/

37 vjeçar, i shuar nga jeta në të njëjtën moshë me mjeshtrin e Rilindjes, Raphael-in, Vincent van Gogh, simbol i post-impresionizmit, meteori i artit botëror, gjatë jetës nuk arriti të kishte famën dhe njohjen që meritonte. Nga mbi 900 vepra ai shiti vetëm një tablo, 𝑉𝑟𝑒𝑠ℎ𝑡𝑎𝑡 𝑒 𝐾𝑢𝑞𝑒 𝑛𝑒̈ 𝐴𝑟𝑙, e cila gjendet në Muzeun Pushkin në Moskë. Sot, veprat e tij janë më të shikuarat, admiruarat, e vlerësuarat në mbarë botën dhe tablotë luledielli vazhdojnë të mahnitin njerëzimin me trishtimin e tyre hyjnor, të cilat reflektojnë gjendjen vdekatare të njeriut, të sjellë në jetë nga Hyji përmes diellit, drita jonë e përjetshme, e të dhuruar ndaj nesh përmes artit.

Vincent van Gogh vdiq më 29 korrik 1890 e u varros të nesërmen. Emile Bernard, një piktor impresionist dhe mik i Van Gogh në një letër të tij e përshkruan kështu varrimin:

“Në dhomën ku ishte vendosur trupi i tij, të gjitha pikturat e tij të fundit ishin varur në mure si një aureolë për të, dhe madhështia e gjeniut që rrezatonte prej tyre e bënte atë vdekje edhe më të dhimbshme për ne artistët që ishin aty. Arkivoli ishte i mbuluar me një rrobë të thjeshtë të bardhë dhe mbi të kishte shumë lule, luledielli që ai i donte aq shumë, gjeogjina të verdha, e lloj-lloj lulesh të verdha gjendeshin kudo. Ajo ishte ngjyra e tij e preferuar, simbol i dritës që ai ëndërronte, si në zemrat e njerëzve, si dhe në veprat e artit. Pranë tij në dysheme, përballë arkivolit, ishte kavaleti, stoli portativ, dhe penelët e tij.”

Shkrim shterues mbi veprat dhe jetën e Van Gogh 👇

https://exlibris.al/bledar-kurit-luledielli-e-vincent…/…

Filed Under: Kulture

“Dasma shkodrane”, monumenti që Kol Idromeno i dedikoi traditës dhe kulturës, historisë dhe pasurisë shpirtërore të Shkodrës

July 23, 2025 by s p

Albert Vataj/

Ka çaste kur një vepër arti bëhet më shumë se një dritare mbi të shkuarën; ajo kthehet në një rit të gjallë, një këngë pa zë që rreh në zemrën e kujtesës. “Dasma shkodrane”, kjo kryevepër e Kol Idromenos e vitit 1924, është një prej atyre mrekullive ku historia dhe arti bashkëjetojnë në një përqafim të rrallë. Një kanavacë ku ngjyrat janë të rrahura nga drita e një qyteti që mbartte mbi supe peshën e traditës dhe hijeshinë e një elegance qytetare, që e shndërron momentin e dasmës në një ikonë të shpirtit kombëtar.

Vështroni këtë peizazh të gjallë: oborri me kalldrëm, muret e larta, portiku që hapet si një skenë teatri, aty ku përplasen zërat e këngëve dhe hapa të veshjeve të trasha, të gjera e të hijshme. Femrat me çitjane të zeza e përparëse të bardha, me shallin e mbështjellë rreth kokës, ecin në një ritëm solemn, një koreografi e lashtë që përçon rregulla dhe krenari. Fëmijët e vegjël, të veshur me rroba festive, mbahen prej dore nga nënat apo qëndrojnë kureshtarë në skaj, duke marrë pjesë pa e ditur në një liturgji të përjetshme. Në sfond, një minare e hollë përshëndet qiellin dhe tingujt e largët të qytetit.

Idromeno nuk e pikturoi thjesht një dasmë; ai ngriti një monument të një qytetërimi të tërë, një kod të heshtur zakonesh e marrëdhëniesh që merr formë përmes veshjes, qëndrimit dhe hapit. Dhe kjo tablo, e veshur me atë tejdukshmërinë e kujtesës që na bën të ndjehemi sikur jemi të fshehur pas xhamit të një dritareje, ose hipur mbi një pemë të lagjes, është një dëshmi e rrallë se si arti shndërrohet në dokument dhe rit njëherësh.

Në të vërtetë, kjo nuk është vetëm një pikturë, por një mjet për të eksploruar shpirtin e një bashkësie. Në fjalët e antropologut Clifford Geertz, një vepër arti është një mekanizëm që forcon rregullat, vlerat, lidhjet shoqërore. Dhe “Dasma shkodrane” bën pikërisht këtë, na lejon të lexojmë kodin e heshtur të një shoqërie ku familja, nderi dhe riti janë të shenjtë.

Nga kjo tablo mësojmë se si ndërtohej marrëdhënia midis fiseve, si peshoheshin rolet gjinore, si merreshin vendimet që mbartnin peshën e një fisi të tërë. Dhe ndonëse sot emocionet tona janë të tjera, ndonëse syri ynë modern sheh më shumë folklor se sa kod social, fuqia e kësaj vepre është se ajo i tejkalon kohët, ajo na lidh me një identitet që, edhe pse i kaluar, është ende i gjallë në rrënjët e shpirtit shqiptar.

Kështu, Kol Idromeno nuk na la thjesht një pikturë; ai na la një rrëfim të përjetshëm, një akt solemn dashurie ndaj qytetit të tij dhe kulturës që e ushqeu. Dhe çdo herë që sytë tanë ndalen mbi këtë kryevepër, ne bëhemi pjesë e asaj dasme, dëgjues të këngëve të vjetra, pjesëmarrës në një vallëzim që nuk resht kurrë.

“Dasma shkodrane” mbetet kështu një dritare drejt një kohe kur arti, tradita dhe jeta ishin një, dhe ku çdo hap i nuseve e çdo vështrim i burrave ishte një poezi e shkruar me ngjyrë e dritë.

Filed Under: Kulture

𝐌𝐄̈𝐒𝐈𝐌𝐄 𝐀𝐑𝐓𝐈 – “𝐴𝑀𝐵𝐴𝑆𝐴𝐷𝑂𝑅𝐸̈𝑇” – nga Hans Holbein i Riu

July 22, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti

Vepra Ambasadorët (1533) nga artisti gjerman Hans Holbein i Riu është një nga tablotë më të ndërthurura me simbolika dhe mesazhe të mprehta. Kjo tablo është një portret i dyfishtë i dy ambasadorëve francezë në oborrin e mbretit të Anglisë, Henry VIII. Në të majtë është Jean de Dinteville, ambasador francez në Angli në vitin 1533. Në të djathtë qëndron miku i tij, Georges de Selve, peshkop i Lavaur, i cili vihej shpeshherë në shërbim si ambasador për Perandorin, Republikën e Venedikut dhe Selinë e Shenjtë. Kjo tablo paraqet dy burra të rinj, të edukuar dhe të fuqishëm, por të cilët nuk donin të ishin aty dhe nuk do preferonin aspak të gjendeshin në kontekstin historik që po kalonte Anglia, Franca, Vatikani, e mbarë Evropa.

Jean de Dinteville, figura kryesore, në të majtë, shpaloset plot fisnikëri, me një veshje aristokrate të zezë e të kuqe, e me një gëzof të bardhë mbi rrobën e tij, duke imponuar autoritet, force e pushtet. Supet dhe busti i tij duken më të mëdha sesa duhet dhe kjo është bërë e qëllimshme, pasi ishte ai që e porositi këtë vepër, dhe roli i tij në tablo është të transmetojë mesazhin e njeriut të aksionit. Ai mban në dorën e djathtë një thikë të artë, në të cilën është gdhendur AET. SV Æ/ 29 (ai është 29), duke na treguar moshën e ambasadorit kur u realizua kjo tablo. Mëndafshi i kuq i këmishës dhe gëzofi i bardhë janë pikturuar me një delikatesëdhe mjeshtëri të rrallë. Në kapelen e tij të zezë gjendet një spilë me imazhin e njëkafke, dhe në hijen e këmbës së tij të djathtë dallohet, me vështirësi për shkak tëzbehjes së kohës, edhe firma e artistit.

E gjithë ana e majtë e tablosë simbolizon vita activa, jetën aktive, e shpalosur me Jean de Dinteville, i cili me këmbën përpara, supet e zgjeruara dhe me thikën në dorë tregon aksion, ndërsa në të djathtë vërejmë vita contemplativa, jetën medituese, peshkopin Georges de Selve, i cili në një pozë të tërhequr, me veshje të shtrenjtë por të thjeshtë, ka mbështetur krahun mbi libër, në faqet e së cilit dallohet AETAT/IS SV Æ 25 (mosha e tij është 25) duke dokumentuar kështu edhe moshën e peshkopit.

Por pëveç ndarjes vertikale në dy aspekte e natyra, tabloja është e ndarë në katër nivele horizontale. Dy prej tyre janë në qendër të veprës të shpalosura qartë tek rafti mbi të cilin janë mbështetur dy figurat, e ku gjenden një seri objektesh që na tregojnë për kontekstin historik por edhe qëllimin e misionit të dy ambasadorëve francezë në Londër. Në raftin e poshtëm dallohen objekte të cilat mund të çkodohen si tokësore ndërsa në raftin e sipërm janë objektet qiellore.

Niveli tokësor nis me dyshemenë e vazhdon të shtjellohet me objektet e globit tokësor, një kompast, një mandolinë, çantë fyelli, dhe libri i hapur i himneve. Dyshemeja në pikturë është e përshkruar me saktësi dhe ajo është qendra e dyshemesë që gjendet në kishën e Westminster Abbey, në abacinë ku Kryepeshkopi kurorëzon Mbretin apo Mbretëreshën. Në dyshemenë e kishës shkruhej Spericus archetypum, globus hic monstrat macrocosmum (Ky top sferik tregon makrokozmosin).

Por dyshemeja e Westminster Abbey luan edhe një rol tjetër në tablo. Ajo na tregon se dy ambasadorët, kundër dëshirës së tyre ishin dërguar në Angli për shkak të martesës së mbretit anglez, Henry VIII me Anne Boleyn të zhvilluar në fshehtësi e jo në Westminster Abbey siç i takonte. Dhe ajo nuk ishte një martesë e zakontë, por një lidhje që do ndryshonte përgjithmonë historinë e botës.

Martesa e Henry VIII me Anne Boleyn ishte martesa e tij e dytë. Gruaja e tij e parë Catherine e Aragon-it, nuk i kishte lindur dot një fëmijë mashkull mbretit, ndaj Henry VIII kërkonte ta divorconte. Catherine kishte qenë gruaja e vëllait tëHenry, dhe pasi ai vdiq, Henry duhej të martohej me të siç ishte tradita, por i shtyrënga paranoja se ai nuk kishte djalë pasi ishte nën mallkimin e faktit që ishte martuar me gruan e të vëllait, për më tepër, shtyrë edhe nga lidhjet e shumta dashurore që kishte me femra të tjera, ndër të cilat edhe Anne Boleyn, ai kërkonte të martohej sërish. Por, për ta bërë këtë atij i duhej që të merrte lejen e anullimit të martesës nga Papa Clement VII. Papa e refuzoi anullimin dhe Henry kokëshkretë vendosi të shkëputej nga autoriteti i Papës dhe e shpalli veten si kreu i Kishës së Anglisë. Ndarja nga Roma do sillte pasoja të jashtëzakonshme politike e fetare, dhe për ironi, Henry jo vetëm nuk bëri dot djalë me Anne Boleyn, por vajza që lindi me të ishte Elizabeta I, mbretëresha më e shquar në historinë e Anglisë e cila do ishte monarke e një Anglie protestante, dhe në pagëzimin e saj mori pjesë edhe Dinteville, ambasadori në tablo, i cili kishte shkuar në oborrin e Henry, me misionin për ta ndaluar atë të shkëputej nga Kisha Katolike, e t’i rezistonte valës së Protestantizmit që kishte përshkruar të gjithë Evropën.

Gjatë krijimit të kësaj tabloje, vetë Holbein njihej nga afër me Anne Boleyn, pasi Henry e kishte punësuar atë të krijonte bizhuteri për gruan e tij të ardhshme. Fati i Anne ishte tragjik pasi tri vite pas martesës Henry e dënoi atë me vdekje me prerje koke.

Holbein e kuptonte fare mirë realitetin e vështirë politik dhe fetar në të cilin gjendej kontinenti, dhe situatën në të cilën ndodheshin dy ambasadorët, ndaj edhe ai e shprehu atë përmes simbolikave tek objektet tokësore në raftin e poshtëm. Mandolina ka një tel të këputur, e cila nënkupton shkëputjen e Anglisë dhe prishjen e harmonisë evropiane. Ndërsa fyellit i mungon një tub. Muzika është simbol i harmonisë. Harmonia, është etimologjikisht një “bashkim” i elementëve të ndryshëm. Ajo përdoret për të treguar një lidhje midis elementeve të një sistemi dhe kësisoj është në të njëjtën kohë një koncept ontologjik që përshkruan strukturat e qenieve dhe të universit, por edhe një koncept politiko-etik që përfaqëson rendin e një bashkimi, strukture apo shoqërie ideale. Dhe rendi kishtar e bashkë me tëedhe shoqëria ideale evropiane sipas katolikëve tashmë po prishej, dhe me shkëputjen e Henry VIII nga Roma, Protestantizmi po depërtonte edhe në Angli e madje po zgjerohej në pjesën më të madhe të Evropës. Ndaj, edhe poshtë mandolinës Holbein ka pikturuar librin luterian tëhimneve në të cilin shkruhet Veni Sancte Spiritus, një himn i Shpirtit të Shenjtë, i cili tradicionalisht përdorej si një thirrje e fortë për bashkimin e kishave. Ëndrra e pajtimit të shprehur në këtë hollësi të vogël nga dora e Holbein, sigurisht, nuk do të materializohej kurrë.

Në të majtë dallohet një libër tjetër. Ai është libri i Petrus Apianus, humanistit gjerman, i shquar për studimet e tij në matematikë. Libri është paksa i hapur nga një vizore e në faqe arrihet të lexohet fjala dividirt, që do të thotë “le të bëhet ndarja,” një referencë e qartë për ndasinë fetare që kishte zaptuar Evropën. Mbi librin e përllogaritjeve gjendet globi tokësor, ku dallohet Anglia dhe Franca, por për çudi, Holbein, duke qenë se ishte gjerman, me sa duket nuk dinte mirë anglisht, ose ndoshta aspak, kështu që emrat Paris dhe Britania i ka shkruar sipas dëgjimit, ndaj në glob ai ka shkruar Baris dhe Pritannia.

Në raftin e sipërm gjendet globi qiellor, i cili simbolizon inteligjencën dhe natyrën intelektuale të dy personazheve të tablosë. Krahas globit qiellor janë të pikturuara me saktësinë më të madhe disa mjete matëse si ora diellore e barinjve; ora diellore e ekuinokseve; një lartësimatës; një orë diellore polihedrale; dhe, turkuetë e cila përdorej për matjen e koordinatave të horizontit, ekuatorit, dhe eklipsit. Një nga orët diellore tregon datën 11 prill, e cila korrespondon me Ditën e Pashkës për vitin 1533.

Trajtimi delikat që artisti i bëri veshjeve dhe detajet e përpikta në çdo objekt të tablosë bëjnë kontrast me trajtimin e shpejtë dhe të shkujdesshëm që vërehet tek perdja jeshile në sfond. Motivet e saj janë të thjeshta dhe perdja duket e sheshtë. Hijet duket se janë shtuar në fund për të treguar palat, megjithatë ky trajtim mund të ketë qenë i qëllimshëm në mënyrë që shikuesi të përqendrohej më shumë tek detajet e objekteve dhe figurave parësore. Dhe, në fakt, e kuptojmë që ka funksionuar më së miri.

Tani vijmë tek kafka që gjendet në plan të parë të tablosë.

Ajo është e pikturuar për t’u parë nga ana e djathtë e tablosë. Dhe kjo na le të kuptojmë se vepra ishte caktuar të varej në një mur përbri shkallëve, dhe u konceptua që teksa shikuesi të ngjiste shkallët ai të përballej me imazhin e vdekjes. Kafka është e pikturuar sipas perspektivës anamorfike, kjo një shpikje e Rilindjes. Imazhet anamorfike shërbenin si gjëza dhe lojra për ta përfshirë shikuesin në njëvepër arti e për të përthithur më mirë mesazhin që jep ajo. Kafka shërben si një momento mori, që do të thotë “mos harro se një ditë do të vdesësh.” Momento mori ishte një koncept mesjetar. Për shkak të sëmundjeve të mëdha dhe murtajës që pllakoste vazhdimisht popujt e Evropës dhe më gjerë, vdekja ishte reale dhe e prekshme ngado. Njerëzit e përdornin kafkën si kujtesë se vdekja ishte shumë pranë tyre, ndaj ata nuk duhet të jepeshin pa fre ndaj kënaqësive tokësore por të luftonin për shpëtimin e tyre, duke besuar tek Perëndia, pasi mund të përballeshin me të në jetën e përtejme nga momenti në moment.

Por pas mesazhit të vdekjes, tokës, dhe qiellit, ai shpalos edhe një nivel tjetër në tablo. Niveli i katërt gjendet në këndin e sipërm në të majtë të tablosë. Pas perdes jeshile fshihet një kryq i argjentë. Ai është niveli i shpëtimit. Si një mesazh për shikuesin, ambasadorët, mbretërit, dhe popujt evropianë të përfshirë nëkonflikte fetare, përmes atij kryqi të fshehur pas perdes ai tregon se shpëtimi gjendet tek Jezus Krishti. Ai e ka pikturuar Krishtin në kryq, me kurorën me gjemba në kokë dhe këmbët e duart e gozhduara, por vetëm gjysma e trupit arrin tëshihet ndërsa pjesa tjetër fshihet pas perdes, si një ftesë e nxitje për katolikë e protestantë, mbretër e intelektualë, të shikojnë përtej perdes së dijes dhe ndasive tokësore, dhe të hedhin sytë për nga kryqi, e ta shohin Krishtin e plotë si rruga e vetme e shpëtimit të kontinentit, e globit dhe e çdo njeriu.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT