• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Hëna e Magjishme” e Thoma Simakut në Festivalin e Estonisë

May 13, 2019 by dgreca

Ne Foto:Thoma Simaku/

–  Kompozitori shqiptar Thomas Simaku në Ditët e Muzikës Botërore 2019-

– Interpretuar nga një ansambël, fituesi i çmimit Grammy, dhe i transmetuar direkt, ky koncert u përcoll nga European Broadcasting Union./

Interpretuar nga një ansambël, fituesi i çmimit Grammy, dhe i transmetuar direkt, ky koncert u përcoll nga European Broadcasting Union. “Por moment i mbrëmjes që qëndroi më shumë në mendje erdhi në kulminacionin e veprës La Leggiadra Luna (Hëna e Magjishme) të Thomas Simakut, në të cilin një akord i stuhishëm prej tetë notash riverberoi përreth trarëve të katedrales së Shën Kollit në Tallin dhe u ndje sikur zgjati përjetësisht”.

La Leggiadra Luna– Vepra e kompozitorit shqiptar Thomas Simaku u interpretua në Festivalin e Shoqatës Ndërkombëtare të Muzikës Bashkëkohore (ISCM) – Ditët e Muzikës Botërore në Estonimë 4 maj 2019.  E kompozuar përkor a cappella, kjo vepër është bazuar në poemën e Sapphos, e përkthyer nga greqishtja e vjetër në italishten modern nga poeti siçilian, fitues i Çmimit Nobel, Salvatore Quasimodo. Ditët e Muzikës Botërore është festivali më I vjetëri I muzikëssë re. I themeluar në vitin 1922 në Salzburg të Austrisë, ky festival është konsideruar si ‘Olimpiada Botërore e Muzikës’, ku marrin pjesë rreth 50 vende nga e gjithë bota.

Që nga viti 1995, kur për here të pare një vepër e njëkompozitori shqiptar zgjidhej në këtë festival, veprat e kompozitorit Simaku janë zgjedhur nga juritë ndërkombëtare në 10 edicione të këtij festivali. Në edicionin e këtij viti, vepra e Simakut u interpretua nga Estonian Philharmonic Chamber Choir, një nga ansamblet më të njohur në Evropë,fitues të Çmimit Grammy Award.

Koncerti u transmetua direkt nga radio kombëtare e Estonisë, dhe iu dha për transmetim vendeve të Bashkimit European (European Broadcasting Union). Në recensionin e tij kritiku anglez Timmy Fisher, shkroi: “Por moment I mbrëmjes që qëndroi më shumë në mendje erdhi në kulminacionin e veprës La Leggiadra Luna (Hëna e Magjishme) të Thomas Simakut, në të cilin një akord i stuhishëm prej tetë notash riverberoi përreth trarëve të katedrales së Shën Kollit në Tallin dhe u ndje sikur zgjati përjetësisht”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Thomas Simaku-Luna- Estoni-Ditet Boterore te muzikes

Olsi Beçi, fotografi i suksesshëm që u bë kineast…

May 10, 2019 by dgreca

Olsi Beçi-Foto nga Pirro Beati/

Nga Dr. Ermira Babamusta /

Olsi Beçi është një nga personazhet e famshme të televizionit shqiptar, fama e të cilit ka shkuar përtej kufijve të Shqipërisë. Olsi ia ka dalë të fitojë një emër në Shqipëri si fotograf dhe kineast i talentuar. Para se të bëhej i njohur për publikun shqiptar në shkallë kombëtare nëpërmjet emisioneve të suksesshme të TV Klanit si “E Diela Shqiptare” dhe “Kënga Magjike”, Olsi Beçi e filloi karrierën e tij në Itali si fotograf para 10 vitesh. Pas rikthimit në Shqipëri, cilësohet si një nga fotografët më të mirë dhe avancon karrierën e tij në art dhe film duke bërë filma dokumentarë. Pas pjesmarrjes dhe suksesit të tij në programin televiziv “E Diela Shqiptare” bashkë me gruan Ariola, bëhen dy personazhe shumë të njohur dhe të dashur për publikun shqiptar.

Një nga filmat e tij që bëri bujë në skenat botërore dhe festivalet ndërkombëtare është filmi “The Other Face” me regjisore Arsa Gashi. Filmi mori çmimin e skenarit të kinemasë botërore “World Cinema Screenwriting Award” në Festivalin e Filmit të Amsterdamit.

Një tjetër film dokumentar po aq i suksesshëm i tij është “Childhood held hostage” (Fëmijëria e Mbajtur Peng) që u nominua për çmimet Kult dhe Doku Fest. Ndërsa në 2019 u vlerësua me çmimin “Ekselencë në film” dhe “Video më e Mirë” për Eko Movie 2019, për mbrojtjen e kauzës “Lumenjtë e pastër”. Pasi korri sukses me çmimet e para në festivalet kombëtare shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, Olsi Beçi debutoi me projekte ndërkombëtare në skenën botërore. Ia vlen për t’u përmendur video-projekti për Lonely Planet, një bashkëpunim me Leon Cika, për turizmin e huaj në rivierën shqiptare si dhe projekti kulturor për mbrojtjen e monumenteve të lashta bizantine në Shqipëri. Si dhe bashkëpunimet me UNICEF, Google, dhe NATO e bënë akoma edhe më të njohur.

“Me Leonin kemi shumë vite që bashkëpunojmë në disa projekte mjaft të rëndësishme si për artin, kulturën dhe filmin shqiptar. Kemi marrë pjesë si juri në shumë aktivitete si edhe kemi konkuruar me punën tone artistike në disa galeri. Në veçanti projekti për Lonely Planet që kemi bërë së bashku ka qenë me shumë rëndësi për Shqipërinë sepse e caktoi vendin tonë si një ndër 10 destinacionet botërore për t’u vizituar. Kjo ka ndihmuar në zhvillimin e sektorit të turizmit në Shqipëri duke i dhënë një imazh cilësor vendit para botës. Dhe me të vërtetë Shqipëria është një qendër kulturore turistike me një pasuri të madhe kulturore dhe historike. Ndjehem krenar që me projeket e mia si për Google dhe NATO kam përfaqësuar Shqipërinë në arenën botërore,” tha Olsi Beçi.

Sot Olsi Beçi respektohet dhe adhurohet në Shqipëri por edhe në botë për fotografitë e tij mahnitëse dhe stilin e dokumentarit dhe videove të stilit film. Mënyra se si Olsi Beçi i tregon historitë përmes filmave dokumentarë është shumë unike. Ai din se si ta mbaj audiencën të mbërthyer në ekran në emocionet e personazheve, duke shpalosur teknikën dhe stilin e tij prapa kamerës. Olsi është një fotograf i preferuar për Vipat dhe celebritetet e njohura shqiptare si dhe është një filmbërës mjaft i talentuar. Është nominuar Videografi më i Mirë (Best Cinematographer nga VIP Magazine dhe Artisti i Vitit 2019 nga NY Elite Magazine. Po ashtu ka fituar çmimin Ekselencë në Kinemane dhe Televizionin Shqiptar (Excellence in Albanian Cinema and Television) nga Albanian Excellence, Arritje në Art nga Nato (Award for Art Achievement) si dhe arritje të shkëlqyer artistike dhe ekslenencë në art (Outstanding Artistic Achievement and Excellence in Arts) me rastin e ditës botërore të OKB-së të kreativitetit dhe inovimit.

“Për vitin 2019 jam i angazhuar me disa projekte të rëndësishme në Europë dhe Amerikë. Jam i lumtur të jep pjesë e jurisë Miss Universe Albania; fotograf dhe juri te Ekspozita ndërkombëtare e Gruas të Suksesit Shqiptar që do organizohet nga nga Albanian Excellence në qershor 2019. Si dhe do jem pjesë e ekipit prestigjioz si fotograf zyrtar i festivalit International Filmmaker Festival of New York në maj 17-21, 2019. Po ashtu do jem pjesë sërish e projektit NATO Run kësaj rradhe në Budapest në tetor 2019 si fotograf/videograf dhe producent. Shpresoj që nëpërmjet artit tim të përcjell te publiku emocione të fuqishme, kënaqësi dhe mesazh inspirimi,” shtoi Olsi Beçi. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Olsi Beçi-Dr. Ermira Babamusta

FOTOGRAFI KOLË MACA I QERIM VRIONIT NUK I PËRKET VETËM SHKODRËS

May 3, 2019 by dgreca

Nga Albert HABAZAJ/*

1. Parafjalë. Qerim Vrioni, studiues i fotografisë dhe fotograf, është i krahasueshëm me veten, së paku në dy rrafshe: në aftësinë profesionale dhe në thjeshtësinë qytetare. Pa u futur në dhomëzat e 100 artikujve analitikë dhe studimorë mbi fotografinë shqiptare dhe të huaj, nga një vështrim i përshkrimit bibliografik të titujve libra të autorit në Bibliotekën Kombëtare, spikasin dy tituj: “Fjalor i fotografisë: terma, gjini, rryma e drejtime artistike, botime, revista e gazeta, konkurse, çmime, procese teknologjike, aparatura e pajisje”, i pari i llojit në gjuhën shqipe e përfshin një punë heroike të autorit, që do ta quaja Fjalor Enciklopedik të Fotografisë; si dhe studimin monografik “Pikëllim në një foto të vjetër”, ku trajtohet sidomos fotografi shkodran Kolë Maca dhe fotoja e tij “Gjon Pali dhe e bija”. Vërejmë se botimet e këtij autori janë pajisur me aparat bibliografik, indekse e kronologji, si dhe abstrakt në gjuhën angleze. Redaktorë apo konsulentë (këshillues) ka personalitete të shquar të kulturës, artit, gjuhësisë dhe letësisë shqipe si prof.dr. Agron Duro, Viktor Gjika, Ferid Hudhri, Pandeli Koçi, Suzana Varvarica Kuka, dr. Zef Paci etj. Për këtë standard të lartë studimtarie dhe botimi, ndjejmë nderim për autorin dhe mendojmë se, çdokush e kupton që kemi të bëjmë jo me libra – libra, por me punime shkencore.

2. Kush na e fali Kolë Macën, që nuk kemi njohur? Emrin e Kolë Macës nuk e kishim ndeshur deri para pak vitesh, kur na shfaqet në shkrimet e Qerim Vrionit dhe, para një viti, shpaloset me profilin e duhur në studimin monografik “Pikëllim në një foto të vjetër” të këtij autori. Sipas Vrionit, Kolë Maca diku haset me emrin Niccolo Maca, it., e diku tjetër edhe Kolec Maca. Ndërkohë në Shkollën Shkodrane të Fotografisë, emri i Macës paska pasur peshë specifike. Fatkeqësisht emri i tij nuk është përmendur jo vetëm para viteve ’90, por as pas rrëzimit të diktaturës. 20 vjet heshtje. 20 vjet indiferencë. Nga frika e shkëlqimit të emrit të Macës?! Nga xhelozia e vogël?! Nga paaftësia liliputeske apo nga ligësia e veremtë? Qe pikërisht viti 2013, kur studiuesi i sotëm i zhvillimit të fotografisë shqiptare dhe punëtori i mirë i fjalës së shkruar shqipe Qerim Vrioni ndriçoi qartësisht figurën e Kolë Macës dhe kolegut të tij shkodran Gjon Rrota (Shkodër, 1893-Vlorë, 1931). Është një shkrim me titull: “Dy fotografë shkodranë në Vlorë: Në Vlorë fotografët e parë shqiptarë ishin shkodranët Kol Maca dhe Gjon Rrota”, ku Vrioni na njeh me veprën e dy shkodranëve, sidomos me kontributin e tyre në Vlorë në vitet 1915-1920 e në vijim. Aty mësojmë se Kolë Maca ka filluar ndihmesën e tij të rëndësishme në vitet 1907-1908, kurse në qytetin bregdetar të Vlorës firma e tij shkëlqen pikërisht në vitin 1915 me atelien fotografike (Foto Studion) që çeli; ndërsa Gjon Rrota, vëllai i piktorit shkodran Simon Rrota, spikat në vitin 1919. Me librin studimor “Pikëllim në një foto të vjetër”, autori na e bën më të lehtë leximin e tekstit, shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të bukur, sipas shqipes standarde, sikur të ishte një mësues i devotshëm i gjuhës shqipe, ku shpërfaq një kulturë të gjerë e të thellë jo vetëm në fushën që rrok studimtaria e tij, por dhe me shkencat e tjera, me të cilat ka lidhje fotografia dhe na paraqet saktë e me korrektesë çfarë ka synim të na japë nga dija dhe njohja e tij. Mendojmë se tek Qerim Vrioni, fotot sipas subjektit, me llojin e paraqitjes në formë historike, kanë gjetur të zotin, mjeshtrin e duhur, që me vërtetësi dhe dashuri na shërben me informacionin e nevojshëm, për të cilin duhet t’i jemi mirënjohës autorit dhe krenarë me figurat e shquara të fushës, që i ngrenë lart ballin jo vetëm Shkodrës, Korçës e Vlorës, por mbarë Shqipërisë në rajon e ndërkombëtarisht me syrin e tyre të artë nëpërmjet shkrepjes së aparatit fotografik.

3. Kolë Maca i Qerim Vrionit. Një gjë është fort e qartë, që falë këmbënguljes studimore të autorit Qerim Vrioni, shqiptarët njohën Kolë Macën (1882-1945), një Kolë Macë që zë vend nderi në Historinë e Fotografisë shqiptare. Kolë Maca, prurë nga Qerim Vrioni, nuk i përket vetëm Shkodrës. Q. Vrioni është “gjerman” në disiplinën e punës së tij gjurmuese për hulumtimin gati deri në shterim të objektit tematik që ka përpara qenies së tij në laboratorin profesional e kërkimor-shkencor. Libri “Pikëllim në një foto të vjetër” shërben si burim referencial dhe kërkon respekt për profesionistët e fushës së dhomës së errët, që të ngelen në kujtesën pamore të ngurtësuara aq ngrohtë.

Në libër kemi shumë informacion e analizë, sidomos analizë të përpiktë, të krahasueshme dhe të klasifikuar. Përsiatjet e Q. Vrionit për biografinë e fotografit shkodran fokusohen mbi një foto simbol, kryefoton e Kolë Macës “Gjon Pali dhe e bija”, ku autori shpërfaq kulturën e tij njohëse dhe përshkruese, të menduarit thellë, rrahjen mirë me mend të gjërave për të gjetur shkaqet e arsyet që pse kjo foto e bëri Kolën pronar të një trofeu moral në “Kampionatin Shumëpërmasor të Fotografisë Shqiptare”; për të zbuluar të vërtetën, për t’i dhënë përgjigje shumë pyetjeve a mëdyshjeve, që atij i patën lindur në terren: në Shqipëri, Itali e gjetkë, si dhe laboratorin e punës së tij kërkimore-shkencore.

Libri studimor “Pikëllim në një foto të vjetër” përshkruan dhe analizon në këndvështrime dokumentare, historike, folkoristike, etnografike dhe estetike veçmas foton “Gjon Pali dhe e bija” të realizuar në vitin 1913 në Shkodër nga Maca, ndoshta i pari mjeshtër në historinë e fotografisë shqiptare arsimuar për këtë mjeshtëri në Vjenë në fillimshekulin XX e pajisur kështu me kulturë austriake. Periudha e realizmit të fotos i takon gjashtë muajve (tetor 1912-prill 1913) të Rrethimit të Shkodrës (që atëherë ndodhej nën administrimin ushtarak turk) nga ushtria e Malit të Zi, i përket asaj lufte sfilitëse 183 ditore për mbrojtjen e qytetit nga pushtimi malazez. Qyteti u dorëzua trupave malazeze në prill 1913, po vetëm për 2-3 javë sepse me ndërhyrjen e Fuqive Ndërkombëtare, Shkodra i kaloi sërish Shqipërisë dhe në të u ngrit Flamuri Kuq e Zi.

Kjo foto është botuar së pari në një gazetë italiane (“La Domenica del Corriere”, shtojcë javore e “Corriere dela Sera”) të datës 25 maj-1 qershor 1913, në një artikull redaksional me titull: “La fine della Guerra Balcanica” (Fundi i Luftës Ballkanike). Pak ditë më pas, në qershor 1913, fotoja u botua, sërish në Itali, në ballinë dhe në brendësi të librit “L’assedio di Scutari” (Rrethimi i Shkodrës) të gazetarit Italian Gino Berri, korespondent shtypi në Shkodër gjatë rrethimit të qytetit. Gjatë kësaj periudhe në qytet e rrethina pati luftime të ashpra midis sulmuesve dhe mbrojtësve të qytetit, shoqëruar me shumë të vrarë e plagosur nga të dy krahët. Njeri prej tyre, nga ana e mbrojtësve, sipas shënimeve të gazetës është edhe i plagosuri që paraqitet në foto. Kjo foto e Macës gjendet në faqen 133 të librit të G. Berrit dhe shoqërohet me poshtëshënimin: “Montagnuola che assiste il padre morente, colpito al capo e alla mano destra” (Malësore që rri pranë të atit që po vdes, i goditur në kokë dhe në dorën e djathtë). Fotoja e godit menjëherë shikuesin e saj me dhëmbshurinë e vajzës për të atin që po largohet nga kjo botë dhe të mbush me ndjenja humane universale.

Autori i librit “Pikëllim në një foto të vjetër”, studiuesi Vrioni, ka hulumtuar gjatë mbi këtë foto, ai ka gjetur, ndër të tjera, emrin e të plagosurit (Gjon Pali) si dhe fshatin nga është (Shllak), por edhe paraqitjen e saj në 2-3 botime të tjera. Ai mendon se Maca ndoshta është ndodhur në kohën e duhur në vendin e duhur për këtë foto. Pra, studiuesi e analizon foton edhe nga ana estetike, duke e vendosur atë në një vend nderi në historinë e fotografisë shqiptare. Edhe pse fotografi, nga “Gjon Pali dhe e bija” përfton gjendje emocionale të fuqishme, saqë qoftë nga ajo heshtje e dhembshme e bijës për atin e plagosur, çdokush nga ne përjeton trishtim njerëzor, trazuar me ndjesinë e së bukurës, sepse është një foto që mund të mbahet gjatë para syve e të jep kënaqësi estetike. Autori Qerim Vrioni është i pari studiues që është marrë seriozisht dhe plotësisht edhe me klasifikimin e fotos. Sipas logjikës dhe argumentimit shkencor që sjell ai, “Gjon Pali dhe e bija” klasifikohet, së pari, si fotografi familjare; së dyti, fotografi e luftës (mendohet se historikisht është fotoja më me vlera ndër fotografitë shqiptare të luftës, ndoshta e para); së treti, fotografi dokumentare dhe ikonë dokumentare, sepse fotografia nga natyra cilësohet art dokumentar; së katërti, fotografi etnografike (antropologjike); së pesti, kompozim fotografik; së gjashti, foto shtypi (foto e gazetarisë); së shtati si fotografi artistike (fiction, fotografi e artit); së teti, fotografi humanistike, sepse siç sqaron autori, “Gjon Pali dhe e bija” është hulli ku ngrihen lart vlerat mirësisë së njerëzve në botë, sidomos atyre që vuajnë pasojat e luftrave dhe konfilkteve të armatosura midis shteteve, më kryesorja e të cilave mbetet humbja e jetëve njerëzore dhe pikëllimi që shkaktojnë. 14 foto të zgjedhura nga krijimtaria e Kolë Macës, të cilat ngërthejnë gjini të ndryshme të fotografisë, një pjesë e tyre të botuara për herë të parë janë ilustrime që e zbukurojnë librin në hijeshinë e tij. Këto foto janë vetëm një shufër floriri nga thesari fotografik i mjeshtrit Kolë Maca, ndërsa “Gjon Pali dhe e bija” vërtet është kryevepra e tij, por s’i përket më as vetëm Kolë Macës, as vetëm Shkodrës, madje kalon në përmasa universale për nga realizimi simbolik gjithëpërfshirës. Mjeshtri ka shumë merita, por fjalë falënderimi meriton edhe autori Qerim Vrioni për strukturën e librit, trasenë, zhvillimin e subjektit në dinamikë, stilin, udhëtimin kronologjik deri në plotësim të synimit shkrimor që i ka vënë vetes. Detajet që përdor autori ia kanë arritur qëllimit, sepse e tregojnë thelbin që Kolë Maca është një nga ikonat më simpatike dhe interesante të imazhit nga celuloidi. Autorit ia vërejmë që përtej vëzhgimin e imtë profesional, gati si një pikasje dyshuese, qysh kur merret me pionierët e fotografisë në historinë e artit pamor botëror, veçmas me ata të Rilindjes Italiane, apo dhe kur shtjellon vdekjen e njeriut dhe pasvdekjen në arte, pasvdekjen në fotografinë botërore dhe në atë shqiptare. Ai guxon të mbajë qëndrim kritik ndaj të angazhuarve me këtë punë, qofshin dhe studiues të huaj dhe i mëshon fotografimit të vdekjes të gjumit të fundit, më saktë fotove të pasvdekjes. Me kompetencë profesionale ai e cilëson shkrepje të veçantë “Vajtimin e Nasim Elshanit, 1990” të fotografit francez George Merillon, realizuar në një fshat të Rahovecit, Kosovë, por që nuk mund të futet në historinë e fotografisë shqiptare. Lexuesi e ndjen qëndrimin konceptualisht rigoroz të autorit nëpërmjet argumentave shkencorë që paraqet, përmes karakterit prezantues, përshkrues e tematik në vijë kronologjike, analitik deri në detaje, korrekt dhe i vëmendshëm në deduksione, respektues i parimit krahasimtar midis botimeve të ndryshme për Macën dhe veprën e Mjeshtrit në italisht, gjermanisht, shqip, etj. Plotësohet me kulturën e studimeve në vite fjala e syrit të profesionistit Vrioni dhe ky element vërehet në argumentimin e shkallëzuar e mbushmendës me logjikën e ekspertit të aftë, të guximshëm e të vërtetë. Laboratori i fotografit binjakëzohet me bibliotekën e studiuesit në shërbim të kulturës shqiptare të fushës, duke na dhënë hipoteza, variante, përnjohje, gjasa paraqitje argumentash, që mund t’i bëjë kaq saktësisht vetëm një fotograf studiues dhe shkrimtar i fotografisë si Qerim Vrioni.

Ky libër dallohet edhe për gjuhë të pastër e të pasur shqipe, falë punës së vëmendshme, të kujdesshme, të matur e të panxituar gjithëpërfshirëse të autorit me personat e duhur të kontaktit në fushën e shkrimtarisë, folkoristikës dhe etnografisë, gazetarisë e publicistikës letrare, pikturës e kritikës së artit, gjuhësisë, letërsisë dhe historisë. Fjala vjen, duke vënë re këshillimet e begata me prof.dr. Afërdita Onuzi, përvojën e punës në terren dhe diturinë e së cilës e njoh mirë, guxoj të them që studiuesi Vrioni me këtë libër jep edhe një ndihmesë të vlefshme në etnologji dhe çel një dritëz etnografike, ku shquan për logjikën në njohjen e Kanunit, të drejtës zakonore të shqiptarëve, veçmas malësorëve të Shqipërisë së Veriut. Po japim një këndvështrim të autorit se si e trajton foton e Macën, që u publikua për herë të parë e shoqëruar me poshtëshënimin “Donna Albanese che assiste il padre morente per le ferite riportate in guerra” (Grua shqiptare pranë të atit që po vdes nga plagët e marra në luftë) në shtojcën javore “Domenica del Corriere” të gazetës “Corriere della sera” të Milanos në numrin e javës 25 maj – 1 qershor 1913. “… Shpjegimi kumton se shqiptari i shtrirë është goditur me armë në luftë (dhe jo në gjakmarrje do thoshim), aq më tepër kur edhe artikulli flet për fundin e një lufte dhe jo të një zakoni primitiv siç ishte vrasja për shpagim të gjakut. Kësisoj, ai mund të merret dhe trajtohet edhe si një luftëtar e dëshmor i Atdheut. Emërtimi luftëtar shkon shumë mirë pranë emrit të Gjon Palit”. Foton e Macës “Gjon Pali dhe e bija” studiuesit e huaj dhe personat publikë të angazhuar e kanë vendosur me kohë në piedestal nderi, ndërsa në Shqipëri është Qerim Vrioni, që me dëshirë, vullnet dhe vërtetësi shkencore ngriti këtë në përmendore shkrimore.

  • E dergoi per Diellin bashkepunetori yne, autor i artikullit Albert Habazaj

Filed Under: Kulture Tagged With: Kole Maca, Qerim Vrioni

Historia për shqiptarët që shpëtuan hebrenj ndriçohet në New York

April 29, 2019 by dgreca

Prishtinë, 29 prill – Një grua e re hebraike nis udhëtimin drejt një fshati të largët shqiptar, ku zbulon të vërtetën për shpëtimin e familjes së saj nga ata njerëz që rrezikojnë gjithçka për t’ua siguruar strehimin. Fill pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u pushtua nga regjimi shtypës komunist. Krejt lidhjet me botën e jashtme u ndërprenë dhe ata shqiptarë e hebrenj që për vite me radhë kishin jetuar si familje, humbën krejtësisht kontaktin. Pas rënies së regjimit komunist, në vitin 1990, familjarët e dikurshëm filluan përsëri të rivinin kontaktet dhe mes vete shkëmbyen tregime të çmuara, pothuajse të harruara.

Ky është njëri prej rrëfimeve në të cilin bazohet shfaqja kosovaro-amerikane, “Strehim” e dhënë premierë të shtunën mbrëma në New York. Produksioni i përbashkët teatror midis teatrit “Oda” të Prishtinës dhe “Blessed Unrest” të New Yorkut nëpërmjet këtij tregimi, zbërthen historinë jo të njohur nga të gjithë për atë se si Shqipëria dhe shqiptarët jashtë kufijve të saj u shndërruan në shpëtimtarë të hebrenjve. Shteti shqiptar kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, dhe kjo nuk është veç e dhënë statistikore.

Shfaqja nën regji të përbashkët të Florent Mehmetit dhe regjisores Jessica Burr, që zbërthen njerëzoren e kodin e besës që lidh mikpritjen shqiptare që ka mundësuar strehimin e hebrenjve në mesin e tyre, është dhënë në ”Baruch Performing Arts Center” në sallën e mbushur plot. Sipas pjesëtarëve të ekipit, është mirëpritur nga publiku.

Kastën e aktorëve kosovarë të “Strehimit” (Refuge) e përbëjnë aktorët Ilire Vinca, Daniela Markaj dhe Eshref Durmishi, ndërsa ajo amerikane përbëhet nga Nancy McArthur, Becca Shneider dhe Perri Yaniv.

Aktorja Daniela Markaj, që në shfaqje në rolin bazë portretizon Tanën, një vajzë shqiptare, ka thënë se shfaqja është pritur shumë mirë duke u bazuar në duartrokitjet dhe komentet e njerëzve pas shfaqjes.

Sipas saj, për tri net rresht, edhe në parapremierë, edhe në premierë, salla që ka kapacitet prej 200 ulësesh, ka qenë e mbushur plot.(Kortezi:Koha Ditore)

Filed Under: Kulture Tagged With: Histria e Hebrejeve-Shpetimi shqiptar

Profesor Muhamet Shatri dhe brezi i Normales së Prishtinës

April 22, 2019 by dgreca

Recension nga Prof. Skënder KARAÇICA, Çikago/

Shkolla Normale e Prishtinës më të drejtë është  “Universiteti i Kosovës” ndonëse në këtë vatër të dijes nëpër vite kanë dalur breza e breza të mësuesve,që me ditar në ditar në dorë u shpërndanë gjithandej nëpër shkollat shqipe me brezin e ri shqiptar,e ardhmja e ndritur e kombit tonë.

Në vitet e brezit të normalistëve në Prishtinë,kam pasur fatin e mirë që profesor të lëndës së historisë  të kem profesor Muhamet Shatri,i cili posa edhi në shkollën tonë (të mësuesve të ardhshëm)të shkollës shqipe,unë personalisht si ri që kohën e lirë e kaloja në bibliotekën e shkollës dhe leximi i literaturës,të gazetave të ditës dhe ato me përmabjtje shkencore, veçsa kisha filluar udhën e ndërtimit tim për të ardhmen dhe,kushtimisht po e theksoj të një bote të re të brezit shqiptar në Kosovë, që ëndrra jonë ishte shkolla shqipe,çështja kombëtare,statusi i Kosovës i barabartë me popujt tjerë në ish-Jugosllabvi(këto ishin disa nga tezat shkencore-mësimor)të profesor Muhamet Shatri që saherë vinte në klasë ai me vete kishte orën historike shqiptare se si bëhet Atdheu…!

Ndonëse tash me nje shtat të rritur dhe leximi në bibliotekën e shkollës,kisha tashmë njohuri për Akademik Ali Hadrin,njeriun e dijes e të shkencës shqiptare në Kosovë dhe kisha dijeni se profesori ynë Muhamet Shatri ishte studentë i tij në të gjitha angazhimet e tij deri në gradën e doktorit të shkencës historike në Universitetin e atëhershëm të Kosovës.

Pas orëve mësimore,unë i thirra shokët dhe shoqet e klasës dhe zëshëm u them se profesor Muhamet Shatri,që ishte bërë kaq i dashur,i afërm me normalistët në Prishtinë,ishte student i Akademik Ali Hadri dhe e kemi për nder që profesori ynë vjen me tabanin e pasur shkencor-kërkimor për historinë shqiptare dhe të përbotshme(periudhat historike)sipas programit të kohës,ku për fatin jo të mirë,më shumë kishte ,,program historie për sllavet dhe për ,,Jugosllavinë e re,,e fare pak për historinë kombëtare shqiptare në Ballkan.

Këtë zbrazëti të ,,programit mësimor,,e plotësoj me dijen e tij dhe me porosinë e madhe që u kishte dhënë Akademik Ali Hadri për brezin e profesorëve të kohës e të brezit të Muhamet Shatrit.

Profesor Muhamet Shatri dallohej me sjelljen e tij prej pedagogu dhe gjithnjë me synimet e tij ashtu siç na thoshte shpeshherë:,,Historia nuk duhet të mësohet vetëm për një notë në ditar,,!Perderisa do të ekzistojë bota dhe njerëzit,do të ketë histori të popujve dhe të kombit shqiptar,po i referohem orës së historisë në Normalen e Prishtinës me profesor Muhamet Shatri në vitet 1972-73.

Për fund po theksoj se unë e profesor Shatri jetojmë larg atdheut:Unë në Amerikën e largët,ndërsa ai tash sa vjet në Suedi.Ka ishte fati kolektiv i kombit tonë në kohën e padrejtësive historike dhe të kohës vrastare të Serbisë fashiste,që ndaj kombit shqiptar dhe ndaj Kosovës,që nga vitet 1844-1999,kishte në programin e vet shfarosjen dhe tokën e djegur të Kosovës.

Në Normalen e Prishtinës,profesor Muhamet Shatri nuk ishte kurrë në taborin e (disa profesorëve partiakë)që dinin të bënin me gisht kah djelmenia shqiptare dhe kah brezi i mësuesve të rinj për shkollën shqipe dhe për dritën e diturisë për kombin shqiptar në Kosovë!

Profesor Muhamet Shatri,të përshëndes nga Amerika e largët dhe po ua them që nga larg:Jam rritur,jam edukuar,kam kryer Fakultetin Filologjik(Gjuhë dhe Letësi Shqipe)dhe asnjëherë nuk e kam harruar testamentin kombëtar të profesorit tim Muhamet Shatri!

Për profesor Muhamet Shatri,duhet thënë me zemrën plotë:Lum Atdheu që ka brezin e intelektualëve që dolën nga dyert e Universitetit të Kosovës!

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 182
  • 183
  • 184
  • 185
  • 186
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT