• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prishtinë-Etno Fest i trojeve shqiptare

September 12, 2016 by dgreca

-Gjatë katër ditëve të festivalit, nga  14 deri 17 shtator në fshatin  Kukaj të Prishtinës, edhe 4 prezantime nga Shqipëria/

3-etno2-etnoPRISHTINË, 12 Shtator 2016-B.Jashari/ Festivali i arteve dhe kulturës tradicionale, Etno Fest, edicioni i gjashtë, do të mbahet këtë javë, nga  14 deri 17  shtator, në Etnokompleksin e fshatit  Kukaj të komunës së Prishtinës. Gjatë katër ditëve të festivalit në fshatin 27 kilometra nga kryeqyteti i Kosovës pjesë e programit do jenë edhe katër prezantime nga Shqipëria: Tre  etnoansambleve – Vau i Dejes  nga Shkodëra, “Visaret e Krrabës” nga Tirana dhe “Vaçe Zela” nga Lushnja, ndërsa nga Teatri Kombëtar i Tiranës do jetë shfaqja “Marr guximin”, monodramë me Mehdi Malkajn.

Ndër prezantimet nga Kosova do jetë promovimi i 15  vëllimeve të  Eposit  të Kreshnikëve nga Zymer Neziri, ndërsa nga hapësirat tjera shqiptare pjesë e programit është edhe etnogrupi “Shpëtimi” nga Medvegja-Lugina e Preshevës.

Etnokompleksi ku zhvillohet Etno Fest disponon me 5 skena të hapura (skena e madhe, amfiteatri, skena te bunari, skena te oxhaqet dhe amfiteatri te shtëpia e vjeter); 3 skena të mbyllura (etno teatri, oda e shtëpisë së vjetër dhe shtëpiza te terrasa). Disponon gjithashtu edhe me një etno bar, etno restorant dhe një terrasë të madhe me lozha ekskluzive dhe hapësira të bukura ndeje dhe relaksi.
Poashtu, disponon me shumë hapësira ekspozuese, të hapura dhe të mbyllura, staza të bukura shetitje dhe kënde të vogëla relaksimi, meditimi dhe krijimi.

Organizatorët në ftesën e dërguar theksojnë se, për 5 vjet me radhë  Etno Fest ka promovuar vlera të mirëfillta të arteve dhe dhe kultures tradicionale të të gjitha trevave shqipatre  dhe pretetndon të bëhet në të ardhmen ngjarje  rajonale dhe ndërkombëtare.

Filed Under: Kulture Tagged With: i trojeve, Prishtinë-Etno Fest, shqiptare

Ndre Mjeda si gjuhëtar

September 11, 2016 by dgreca

Nga Kolec Topalli/*

1-kolec-topalli

Abstrakt/

-Mjeda si historian i gjuhës shqipe;/

-Mjeda si leksikograf;/

-Kontributi i Mjedës në Kongresin e Manastirit dhe në Komisinë Letrare Shqipe;/

-Fjala e rrallë shqipe në veprën poetike të Mjedës;/

– Forma gramatikore të larmishme në veprën e Mjedës;/

– Ndihmesa e Mjedës për pastrimin e gjuhës shqipe prej fjalëve të huaja të panevojshme./

 Shumëkush prej shqiptarëve e njohin Ndre Mjedën si poet; por të paktë janë ata që e njohin si gjuhëtar. E pra, ai qe njëri prej gjuhëtarëve shqiptarë më të përgatitur të brezit të tij, që e dëshmoi me studime të mirëfillta për historinë e shqipes, si një ndër aktivistët më të zellshëm në ngjarjet e rëndësishme me vlera kombëtare, studiues e transkriptues i autorëve të vjetër, mjeshtër i fjalës në krijimet e tij në poezi e në prozë, gjurmues e përdorues i fjalës së rrallë shqipe, punëtor i zellshëm për pastrimin e saj prej bykut të fjalëve të huaja të panevojshme, së fundi mësues i apasionuar i gjuhës shqipe në gjimnazin e jezuitëve të qytetit të Shkodrës.

Prirjet e tij si gjuhëtar duken që herët, kur më 1902 mori pjesë në Kongresin XIII të Orientalistëve në Hamburg të Gjermanisë, ku si përfaqësues i Shqipërisë mbajti latinisht kumtesën “Mbi shqiptimin e qiellzoreve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe”, duke qenë kësisoj i pari gjuhëtar shqiptar që përfaqëson vendin tonë në një konferencë ndërkombëtare. Si historian i gjuhës, Mjeda shfaqet sidomos me studimin “Vrejtje mbi artikuj e prêmna pronës të giûhës shqipe”, i botuar në Shkodër më 1934. Në këtë studim prej 31 faqesh, i pajisur me kulturë të gjerë gjuhësore dhe me njohjen e thellë të gjuhëve klasike e moderne dhe të veprave të autorëve të vjetër, Mjeda merr në shqyrtim nyjat dhe përemrat pronorë, që përbëjnë aspektin më problematik por edhe më origjinal të sistemit emëror të gjuhës shqipe duke arritur në përfundimin e njohur se shqipja nuk ka pasur në këtë pikë ndikime prej gjuhëve të tjera. Është vepra e parë, e shkruar nga një gjuhëtar shqiptar për një problem kaq të rëndësishëm e po kaq të vështirë. Në mbyllje të studimit Mjeda shkruan: “Âsht nji detyrë shêjte me vû në krye të çdo mësimit tjetër mësimin e giûhës kombtare. Ajo asht stolia mâ e shkëlqyeshme, kunora mâ e çmueshme në ballë të nanës sonë, së mjerës Shqipni”.

Në fushën e onomastikës, Mjeda botoi dy artikuj, ku spikasin aftësitë e tij prej etimologu: njëri me titull “Prend e Prendë”, botuar në revistën “Leka” më 1932, ku shpjegon shkencërisht prejardhjen e emrave të ditëve të javës në gjuhën shqipe; ditën e enjte e të premte prej burimi vendës, të tjerat huazime ose kalke prej latinishtes. Artikulli tjetër, “Dromca toponomastike: Zeta” është një përgjigje që i jep studiuesit kroat Josip Gelčić, që kishte botuar një artikull për Zetën dhe dinastinë e Balshajve. Dihet gjithashtu se Mjeda ka hartuar një gramatikë të shqipes prej 34 faqesh në gjuhën italiane, punim i daktilografuar, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Në fushën e filologjisë, ka botuar studimin “Nji dorëshkrim i moçem e nji kritikë e re”, ku analizon njërin prej dokumenteve më të lashta të gjuhës shqipe, Perikopenë e Ungjillit të Shën Mateut. Ai gjithashtu ka botuar në revistën “Leka” disa fragmente të veprës “Pasqyra e të rrëfyemit” të Pjetër Budit, duke qenë ndër transkriptuesit e parë të veprave të letërsisë së vjetër shqipe.

Një kontribut tjetër si gjuhëtar ka dhënë Mjeda si leksikograf, me fjalorin botanik, që ka mbetur në dorëshkrim. Në këtë fjalor prej 12 faqesh, që e bëri të njohur studiuesi Mentor Quku, Mjeda shfaqet si një mbledhës i zellshëm dhe i kujdesshëm i thesarit popullor. Fjalori është frut i punëve  të tij të para, atëherë kur ai punonte si famullitar në Mirditë, Pukë e Zadrimë, vende që citohen herë pas here në fjalor duke qenë ndër mbledhjet e para të florës shqiptare.

Këto punime shkencore të Mjedës, ku spikat historiani i gjuhës, gramatikani dhe etimologu, kanë hyrë tashmë në fondin bibliografik të studimeve gjuhësore, duke u rimarrë prej historianëve të shqipes, si Eqrem Çabej, Vladimir Orel, Shaban Demiraj, Besim Bokshi etj.

A ka punuar Mjeda për “Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe” dhe për një “Gramatikë historike” të saj? Letërkëmbimet me albanologë të kohës dëshmojnë se ai punonte për këto dy vepra, që  i kishte shumë për zemër. Por a janë përfunduar dhe ku mund të ndodhen ato? Kjo është enigmë. Mund të kenë pasur të njëjtin fat me vepra të tilla të hartuara prej Joklit, që janë zhdukur njëherë e përgjithmonë bashkë me autorin e saj.

Por punën më të madhe Mjeda e bëri si themelues dhe aktivist i shoqnisë “Agimi” dhe në institucionet me rëndësi kombëtare, si Kongresi i Manastirit dhe Komisia Letrare Shqipe, që u krijuan në fillim të shek. XX.

Si njohës i mirë i veçorive të tingujve të shqipes, Mjeda kishte krijuar një alfabet sipas parimit të Gustav Meyerit, ku çdo tingull përfaqësohej me një grafemë të veçantë. Me këtë alfabet botoi disa libra, kryesisht shkollore.

Si përfaqësues i shoqnisë “Agimi”, Mjeda mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku dha kontributin e tij duke u zgjedhur anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit. Më vonë dha kontribute të vlefshme në Komisinë Letrare Shqipe, në Shkodër, ku, ndërmjet të tjerash, së bashku me Gjergj Pekmezin e Rajho Nahtigalin, profesor i Universitetit të Gracit, mori pjesë në një ekspeditë gjuhësore prej tri javësh në Elbasan, për t’u njohur me  veçoritë e kësaj së folmeje, që mendohej të vihej si bazë e gjuhës së përbashkët letrare.

Por kontributin më të madh si gjuhëtar Mjeda e ka dhënë me veprën e tij poetike, ku tregohet një mjeshtër i rrallë i përdorimit të shqipes. Në pendën e tij shqipja gjallërohet, rinohet e zhdrervjellësohet. Ai e përdori fjalën e shqipes me një zotësi të rrallë poetike duke hulumtuar me kujdes e durim thesarin e popullit, fjalë e shprehje të rralla, që në artin e tij këndellen e marrin jetë. Në veprën e tij janë bashkuar e gershetuar cilësitë e tij të lindura prej poeti me punën e palodhur e të vullnetshme prej lëvruesi të gjuhës. Ja disa prej fjalëve të rralla, të qëmtuara në veprën e tij poetike.

– Cirilik “bëjnë zhurmë”; te “Ândrra e jetës”: cirlikne rrotllat posht’e perpjetë. Krijim i brendshëm nga një onomatope, imitim i zhurmës që bëjnë rrotat kur rrotullohen.

– Degame “grindje”; në poezinë “Mahmud Pasha”: Herë permállshem tui kqyrë, si degame / Vetë me vedi me ngrehun fillon. Formim i brendshëm prej degë me prapashtesën -ame, prej kuptimit “përçarje, ndarje”, siç janë degët që ndahen dysh.

– Dêhet “shkrin, zhduket”; në poezinë “Mustaf Pasha”: Nder festa e t’ kreme n’ fush’ e n’ malcí / burrnimi u dêjti. Është forma joveprore e një rrënje *ten-, që lidhet me foljen ndêj “hap, shtrij”.

– Denik “erë e fortë që sjell shi”; në poezinë “I tretuni”: O djalë, e n’frymë t’denikut, / N’furí të kësáj érës vajton. Fjalë e gegërishtes veriore, me kuptimin e parë “erë deti”; formim i brendshëm prej emrit det me prapashtesën -nik, me rënien e -t-së në një grup bashkëtingëllor.

– Diret “humb”; në poezinë “Të vorruemit e Sir John Moore”: Krizma e jonë me ‘j tjetrë diret. Është trajta joveprore e foljes vdjerr “humb”, formim i brendshëm nga bjerr, që ka marrë parashtesën dë- dhe ka ndjekur evolucionin e fjalëve me grupin bashkëtingëllor -db-: dëbjerr > dbjerr > bdjerr (me metatezë) > vdjerr (me hapjen e njërës mbylltore) > djerr (me rënien e –v-së në një grup bashkëtingëllor). Të gjitha këto forma gjenden në të folme të ndryshme e tek autorët e vjetër sipas prirjeve dialektore; Buzuku: mos bdiretë, por të ketë gjellënë e amëshuome; Budi: desh qenë vdjerrë frike e tmērje (SC); Bardhi: Me dierrë arësynë; Bogdani: po ende dvjerrënë shpirtinë; Kuvendi i Arbënit (si Buzuku): A asht për t’u bdjerrë moti; Kazazi (si Bogdani): nieri nuk e dvier hīrnë e Tinëzot.

– dnes “qaj me ngashërim”; te “Váji i bylbylit”: Tui dnes’ i vorfni se e mbluene t’ kijat. Formim i brendshëm prej emrit dënesë, e formuar me parashtesën dë-, rrënjën ne- dhe prapashtesën -së. Rrënja ne mund të jetë emri nye, që në trajtën e shquar e në shumës del me zanoren -e (neu, neje). Ky emër në një fjalë të tillë përligjet prej shprehjeve: nuk më shkon buka, m’asht lidhë nye; iu lidh një nyjë në grykë (nga ngashërimi), m’u mblodh një lamsh (një nye) në grykë. Dënesa është një vaj me ndërprerje, sikur ndesh në një pengesë, në një nyjë (khs. edhe nyja e fytit).

– Dudûm “halldup, turkoshak”; në poezinë “Mustaf Pasha”: Nder valle jevkash, n’lodrë dudûmash. Fjalë me origjinë onomatopeike, imitim i zhurmës së lodrës.

– Galdoj “gëzoj”, në poezinë “I tretuni”: Ju njeti galdoni: / Kû â flladi i pelqyeshem. Fjalë e gegërishtes veriperëndimore, e përdorur në shkrime poetike. Nuk ka karakter popullor; prandaj është krijim intelektualësh, që ka si bazë lat. gaudium “gëzim”.

– I errmaktë “i majtë”; në poezinë “I tretuni”: Nji pecë t’kuqe i pata qepë / N’kambë t’errmaktë qi kishte repë. Lidhet brenda gjuhës me i majtë dhe i mëngjër, të gjitha këto prej lat. mancus “dorëcung, sakat, i metë”. Sipas besëtytnive të lashta, ana e majtë lidhej me të keqen, kurse e djathta me të mirën. Mbiemri i rrëmakët, që është trajtë dialektore e gegërishtes veriperëndimore, ka marrë parashtesën rrë-, ndërsa zanorja e- është një shtesë fonetike për lehtësi shqiptimi, që e marrin në gegërishte fjalët që nisin me grupin sonante + bashkëtingëllore, një veçori që e ka edhe gegërishtja verilindore dhe ndër autorët e vjetër Buzuku me rastet ermonj, errshajë etj.

– Jes “mbes, mbetem”; në poezinë “Vllávrási”: Dy mâ t’mdhajt nder luftna mbeten / E këtû i treti qe po jet. Është forma e vetës II shumës të rrënjës ie. të foljes es- “me qenë” në një paradigmë të hershme: jemë ~ *jetë ~ jenë, ku forma e vetës II shumës është zëvendësuar nga forma më e re jeni me mbaresën e foljeve me –nṎō: jeni si bani / bëni. Kësisoj, folja jet krahasohet në plan indoeuropian me format e vetës II shumës me mbaresën -t: gr. εστὲ, sll. vj. jeste, got. sijuþ. Kjo mbaresë, që në gjuhën shqipe del në të pakryerën ishit, në të kryerën e thjeshtë qetë e në mënyrën dëshirore qofshit, ka qenë edhe në të tashmen dhe gjurmët e saj kanë mbetur te folja jet, që ka zhvilluar një zgjedhim të plotë sipas shembullit të foljes qes ~ qet. Sot është fjalë dialektore, por ka qenë e mbarë shqipes, sikurse e dëshmojnë të folmet arbëreshe të Greqisë e të Italisë, që kanë foljen vjetem “mbetem”, të formuar me parashtesën vë-. E ka edhe Buzuku.

– Kacatore “një lloj pushke”, te “Ândrra e jetës”: Me rryp rreth brêzit, me nji gjashtore / E’ j kacatore. Formim i brendshëm prej gacatore “pushkë e vjetër me strall” prej emrit gacë me kuptimin “pushkë që nxjerr zjarr”.

– Kaliboç “kaliqafë, në shpinë”, në poezinë “Vllávrási”: Neper terr qi lëshote nata, / Ngarkue teshat kaliboç. Formim i brendshëm me prefiksin kali- prej emrit kalë dhe emrin bohçe “plaçka të mbështjella në një shami të madhe”.

– kerzha “vend i mbushur me gurë e shkëmbinj”; në poezinë “Mahmud Pasha”: N’ fusha bâsa e nder kerzha t’ bungajes. Lidhet brenda gjuhës me karsh / kërsh; huazim nga sll. (skr.) krš “shkëmb, shkrep”.

– Kokot “gjel, këndes”; te “Ândrra e jetës”: Veç prej plehit gjel kokoti, / Me njat zâ qi s ndrron kurr-herë. Formim i brendshëm nga një onomatope: ko-ko, imitim i këngës së gjelit.

– Kollovrade ”pështjelluemas, rrokoll më rrokoll”; në poezinë “Vllávrási”: Tu u sjellë bora kollovráde. Fishta e ka për “njerëz pa vlerë, që sillen kot rrugash, halabakë”, te Lahuta: do shqyptarë do kallavrade. Fjalë krahinore e geg. VP, e formuar me emrin kollovar me kuptim përbuzës, që ka marrë prapashtesën -ade, si në forcade për “fuqi, forcë”.

– Kore “turp”, në poezinë “Giûha shqype”: Per lumni veç kore t’mbeti. Formim prapashkues prej foljes koris nga sll. koriti.

– Lashtë “vesë”, te “Ândrra e jetës”: E permbi kashta / Shndritë pika lashta. Formim i brendshëm me foljen lagdhe prapashtesën -shtë.

– Lavruer “kau i parmendës”; te “Ândrra e jetës”: Pau se n’at náde poshtë nji lavruer / Kish bâ nji shpuer. Formim i brendshëm me prapashtesën -or prej lavër, formë prapashkuese e foljes lëvroj prej it. lavorare “punoj”.

– Lmuç “shuk, top, njëri mbi tjetrin”, në poezinë “Shtegtari”: N’ rrugë mbet grueja brî nji lisit, / Edhè fëmija ráne lmuç. Ndajfolje e formuar me parashtesën -lë nga ermri muq, që e shënon Gazulli për “grumbull i vogël” me burim prej it. mucchio “grumbull”. Forma lëmuç, me kthimin dialektor -q- > -ç-.

– Loke “emër personazhi te “Ândrra e jetës”, antroponim për gjininë femërore. Lidhet brenda gjuhës me *lok në bablok, që ka marrë fundoren -e si formant të gjinisë femërore. Elementi *lok nuk gjendet si fjalë më vete, por del si fundore e emrave, prandaj ka qenë prapashtesë, që mund të afrohet me prapashtesën –llëk të turqishtes me ndërrim të lëngëzoreve (khs. baballëk e bablok).

– Luron “ulurin”, në poezinë “Vllávrási”: Landët e pýllës si’j ujk ju dukshin, / qi prej ûjet n’mal luron. Lidhet brenda shqipes me uluron e jashta saj me lat. ululāre “ulërij”, ulula “kukuvajkë”, lit. ulula bañgos “ulërijnë valët”.

Llastore “e përkëdhelur”; në poezinë “Mahmud Pasha”: Kqyri Pashen tui qesh’, e llastore / E muer ngryk. Formim i brendshëm me prapashtesën -tore prej llasë “përkëdhelje”, vetë kjo prej foljes llâj “fryhem, ngopem”, me burim të trashëguar, prej rrënjës *elan- “përkul”.

– Mjet “midis, ndërmjet”; te “Ândrra e jetës”: Tui rá bórë, tui frye murlani, / mjet dy vorreve si ‘j lis. Fjalë me burim indoeuropian, që lidhet me lat. medius, gr. μέσ(σ)ος “i mesëm”, gjerm. mit “me”, Mitte “mes”. Me këtë fjalë lidhet emri i një fshati në Zadrimë, prej të cilit rrjedh edhe mbiemri i poetit.

– Mungullon “mbin, nxjerr syth”; te “Ândrra e jetës”: Edhè shtâza po gazmohet, / Edhè bari mungullon. Formim i brendshëm prej emrit mug “gjysmerrësira pak përpara lindjes së diellit”, që ka zhvilluar kuptimin “gjendja kur fillon të çelë (drita)”. Ka marrë prapashtesën -o të foljeve dhe epentezën e një -n-je.

– Murgjinë “emër lope”; te “Ândrra e jetës”: del se erdh murgjina. Formim i brendshëm me prapashtesën -inë prej shumësit murgj, duke u emërtuar kafsha prej ngjyrës së errët të rrobës së murgut.

– Nget “afër, pranë”, në poezinë “Vorri i Skanderbegut”: E nget vorrit t’Skanderbegut / Rrite ‘j zojë me futë në krye. Formim dialektor që lidhet me ngjat e të dyja këto me mbiemrin i gjatë, me ndërrimin e qiellzores në grykore në të folme gege.

– Njome “fëmijë, vogëlushe”; te “Ândrra e jetës”: – Bij’, mos e prek, se njomja / Tash â tui folë me Zojen. Lidhet me foljen njom, që ka burim të trashëguar duke u lidhur me mbiemrin “i ri” të gjuhëve indoeuropiane nga rrënja neỊos,-Ṏos, ku bëjnë pjesë ind. vj. návya-, gr. (jon.) νεÃος, gal. Nevio-, got. niujis, të gjitha me kuptimin “i ri” (shq. *nṎē-m).

– Pronjet “pronat”; në poezinë “Mahmúd Pasha”: Sá t’kujtojn’ se nder pronjet e t’parit / Nji kind t’vetun perdhuni na shklet. Është trajta më e vjetër e së sotmes pronë, huazim prej gr. mes. πρόνια, që me këtë trajtë dëshmohet te Budi në emrin proniarëtë dhe në patronimin Pronjari në anët e Korçës.

– Rranje “punët e përditshme të shtëpisë”; te “Ândrra e jetës”: Lodhë prei végësh, prei rranjesh shpijet. Është shumësi i emrit rrangë, me burim prej it. vj. rangola, duke u lidhur brenda gjuhës me rrangulla, rrangalle, rrangallinë e rrangla.

– Rreshket, te Mjeda me kuptimin figurativ “dëshiron, ke dëshirë”; në poezinë “Váji i bylbylit”: E gjith kû t’rreshket / shkon fluturim. Është folja rreshk “thaj, skuq”, me burim të trashëguar, që lidhet brenda gjuhës me ndryshk, duke u lidhur në shkallë indoeuropiane me rrënjën reudh– “i kuq”, ku bëjnë pjesë sll. vj. kisht. rudъ “i kuq”, rusъ “i kuqërremtë”, rъžda “ndryshk”, lat. russus e gjerm. rot “i kuq”.

– Rrfanë “bishti ku lidhet kokrra e qershisë”; te “Ândrra e jetës”: Molla t’kputuna nji deget / Dý qershija lidhë n’nji rrfanë. Formim i brendshëm me parashtesën rrë- dhe emrin vanë “ulluk i ngushtë, që i bëhet për së gjati një dërrase që të puthitet mirë me një dërrasë tjetër”, shumësi i emrit va “shteg kalimi”. Lidhet brenda gjuhës me rruvan e rrufane “veshi i rrushit pa kokrra”.

– Rrmyeshëm “me vrull, furishëm”; në poezinë “I tretuni”: Kû qetas del kroni, / Kû gurra del rrmyeshëm. Formim i brendshëm me prapashtesën -shëm prej emrit rrymë.

– Qetë “shkëmb me majë të mprehtë”, te “Ândrra e jetës”: Sogjetarë, porsi furija / E nji rrfés qi qetat shpon. Formim i brendshëm nga qye “majë mali”, që në trajtën e shquar bën qeu e në shumës qetë. Është një shumës i singularizuar, rrënja e të cilit në shkallë indoeuropiane lidhet me ind. vj. kanda- “top, gungë”, gr. κόνδυλος “shkop, grusht”, gjerm. l. vj. hnel “majë, kulm”.

– E salikueme “që i janë bërë ceremonitë fetare gjatë varrimit”; në poezinë “Të vorruemit e Sir John Moore”: Dhimshem burrin tui ankue / Neper buzë, e salikueme. Lidhet me psalmet “këngë fetare” me burim prej gr. ψάλλω “këndoj”. Në gjuhën shqipe ka hyrë prej italishtes. Budi e ka me formën psalikoj ~ psalikime. Trajta e sotme mund të jetë ndikuar prej it. salmo, ose buzorja p- mund të ketë rënë në një grup bashkëtingëllor. Trajta e thjeshtuar del së pari te Junku e te Bashkimi. Brenda shqipes fjala ka pësuar zhvendosje kuptimore duke shprehur ceremoninë e varrimit, në vend të këngëve e lutjeve fetare.

– I shpjetë “i shpejtë”, te “Ândrra e jetës”: Cirlikne rrotllat posht’ e perpjetë / Nen kâmbë të shpjetë. E shënon Gazulli për Zadrimë dhe Marko Boçari për toskërishten; një nga trajtat që dëshmojnë lidhjen me foljen shpie ~ shpjerë, duke u lidhur me shpjert të Buzukut e me i çpjertë të Bardhit.

– Shqimit “krejt”; në poezinë “I tretuni”: I falem, se shqimit / Ju m’hiqni trishtimit. Është emër i rasës rrjedhore njëjës me vlerë ndajfoljore, i formuar me formantin -m të pjesores prej foljes shqyej, duke u lidhur brenda gjuhës me shkimëz “një pjesë e prerë a e shkëputur; copë e vogël: një shqimëz letre”, ku del kuptimi i parë i foljes.

– I shuem “i shkretë”; në poezinë “Vllávrási”: Ah! nanë shkreta! i shuemi briti. Mbiemër i nyjshëm i formuar me formantin -m të pjesores prej foljes shuej “fik”  me kuptimin “i fikur, i mbaruar”. Me kuptimin “i vdekur” në Shkodër Dita e të Shumëve “dita e të vdekurve, e atyre që janë shuar”, interpretuar gabim prej Tagliavinit si dita e të shumtëve “giorno dei molti”.

– Travajë “mundime, shqetësime”, te “Ândrra e jetës”: Shndritte at fëtyr’ të pa travajë. Huazim prej it. travaglio, që e ka edhe Bogdani.

– Tramë “frikë”; në poezinë “Mahmud Pasha”: T’rrgjanten shpatë qi kje trama e gjithkujit. E ka edhe Kuvendi i Arbënit dhe lidhet me foljen tremb me një shkallë tjetër vokalike me marrëdhënie apofonike.

– Truç “bashkë, grumbull”, në poezinë “Shtegtari”: anì prei fisit / Me i dalë para u nisne truç. Formim i brendshëm prej trumë “grumbull, bashkë, tufë” me prapashtesën -ç, që ka shkaktuar rënien e sonantes -m.

– Tytë “bosh” te “Ândrra e jetës”: Shurdh’ â vendi e shpija tytë. Fjalë e trashëguar me burim indoeuropian, që lidhet brenda shqipes me tytën e pushkës e përjashta saj me rrënjën ie. tỊō(ū)– “tub”.

– Vení “vetmi”; në poezinë “Váji i dallëndyshës”: Lerg gjithkújit e n’vení. Formim i brendshëm me prapashtesën -iprej trajtës dialektore vetun të gegërishtes veriore me rënie tingujsh. Mund të jetë krijim i autorit.

– Zgaq “fundërri, pleh”, “njeri i poshtër, pa cipë e pa nder”, në poezinë “Mustaf Pasha”: zgaq i perbuzshem, Shqypnija t’volli. Lidhet me zgaqem “zhvishem, zbulohem” e me mgaqem “vishem”, e formuar prej gaqe“shallvare prej cohe të kaltër deri në gju”.

– Zis “ngacmoj”, në poezinë “Váji i bylbylit”: E kur t’zitë edi / Nder prroje pi. Është trajta  pa parashtesë e foljes nxis, me burim indoeuropian.

– Zití “vrull, shpejtësi, nxitim”; në poezinë “Váji i bylbylit”: Neper fush’ e neper shpija, / Me zití qi s nep afat. Formim i brendshëm me prapashtesën -i nga një rrënjë zit-, që lidhet brenda gjuhës me foljen nxis e jashtë saj me rrënjën ie. gỊi-t “jetoj”, ku bëjnë pjesë let. dzît “shëroj”, sll. vj. žiti “jetoj”, ind. vj. jīrá– “i gjallë”. Formën më të hershme zit e shënojnë Weigandi e Gazulli.

Në veprën poetike të Mjedës gjejmë jo vetëm fjalë të rralla të shqipes, të përdorura me mjeshtri e elegancë, por edhe forma gramatikore me vlera të veçanta, sintagma e frazeologji, që i japin gjuhës së këtij artisti thellësi mendimi, të shprehur me fjalë të pakta. Në to gjendet shkurtësia e shprehjes dhe ekonomia gjuhësore, që poeti i mori në të folmen e vendlindjes dhe i përpunoi më tej. Vëmë në dukje rrjedhoren pa parafjalë, në raste si: Flutrojnë kû çerdhen motit e ngule; Ju m’hiqni trishtimit; U lodhne gjûmit fëmija; pjesoret e shkurtra që shprehin një gjendje, si: Vesh’ e njeshë me stoli t’vet; Lodhë prei végësh; ndajfoljet me burim mbiemëror, si: këndon permállshem, hangri shieshem, kuvendte me nanen pergjumshem; mbiemrat pa nyjë, që marrin vlera të veçanta shprehëse, si: Zi nder petka, Shurdh’ a vêndi, E tamli, bardh si bórë; emrat me vlerë ndajfoljore, si: Shkon fluturim, Rrkaj’ i ulen lott per rrudha; sintagmat emërore të formuara nga një emër e një mbiemër pa nyjë, si: nan-zeza, nan-shkreta, nan-locja; formën e pashtjelluar foljore me një emër të rasës kallëzore, si: T’ardhmenTrina mbrámje n’shpi, T’çilmen lotve syt e mi; trajtën e pashtjelluar me pjesëzën pa me vlerë ndajfoljore, si Bylbyl, pá prâ gjimò, pá dá zêmrën m’a ngushllon, tui luejtë pá-mêjun gishtat; mbiemrat në trajtë të shquar për të shprehur shkallën sipërore, si: Krajlnit mâ t’moçmet ndrrohen me t’reja. Ka edhe mjaft fjalë të reja, sidomos mbiemra, pjesa më e madhe e të cilëve janë krijime të autorit, si: rrjedha qetore, ograja bleroshe, diell i valtë, rrufé bumbullore, udhtim i rrmueshem, dallëndyshë shtegtore, giuhë vajtore, rrjedhë damtore, flakë shkrumuese, sukë mrekullore, borë amshore, hanë drapnore, kohna qytetnore, djelmëní ushtore etj.

E gjithë kjo pasuri gjuhësore e veprës së këtij poeti të talentuar, që nuk është përfshirë në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, mund të rigjallërohet duke pasuruar më tej gjuhën.

Mjeda ka qenë gjithashtu një punëtor i palodhur për pastrimin e shqipes prej fjalëve të huaja të panevojshme. Ai i përpunonte gjithnjë poezitë e tij jo vetëm për figurat e stilin, por edhe për gjuhën duke u prirur drejt një pastërtie sa më të madhe. Për këtë mjafton të krahasojmë poezitë e tij të para, që i botoi Jungu më 1887 në shtojcën e librit ”Shahiri elierz” me ato që botoi poeti më vonë në Vjenë e në Shkodër.

Të gjitha këto dëshmojnë se shembulli i Mjedës, që përpiqet ta lëvrojë dhe ta pasurojë shqipen me brumin e mjetet e saj, është frut i dashurisë së tij për gjuhën amtare, për të cilën, duke e parë si shenjë bashkimi të të gjithë kombit shqiptar, shkruan:1-kolec-topalli

Nji gjuhë shqipe t’gjith kuvesim

Nji Istori, nji atdhe na kemi

Geg’ e Toskë nji zemre jemi

me ndjek shqype hovin tand.

BIBLIOGRAFI

Mjedja Ndre

–        Juvenilia, Shkodrë, 1928.

–        Lissus. Shkodrë, 1928.

–        Prênd e Prêndë. Leka IV 1932, 351.

–        Vrejtje mbi artikuj e premna pronës të giuhës shqipe. Shkodrë, 1934.

–        Scodra. Shkodrë, 1939.

Mjedologji 1.Aktet e konferencave shkencore; Shkodër, 8 dhjetor 2007 dhe Bushat, 1 gusht 2012. Lezhë, 2014.

Osmani Tomor

–        Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918). Camaj-Pipa, Shkodër, 2004.

Quku Mentor

–        Një fjalorth botanik i Ndre Mjedës. “Studime filologjike” 3, 1984, 155-172.

–        Mjeda 3, 4, 5, 6. Shtëpia botuese Ilar.

Topalli Kolec

–        Ndre Mjeda dhe pasurimi i gjuhës shqipe; “Kumtari i Muzeut historik”, Shkodër, 2007; “Gjuha Jonë”, Tiranë, 2007.

–        Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe (i pabotuar).

*E dergoi per DIELLIN-Anton CEFA

Filed Under: Kulture Tagged With: Kolec Topalli, Ndre Mjeda si gjuhëtar

LAMTUMIRË NOLTE-s : PA TEK GULAGU PARAKUSHTIN E SHOAH

September 9, 2016 by dgreca

 

intersezioni LA SOVRANITÀ DIMEZZATA: L'ITALIA E LA CHIESA DA CAVOUR A CRISPI, DA MUSSOLINI A BERLUSCONI Nella foto: Sergio ROMANO Festival dell'Economia Teatro Sociale Trento, 1 giugno 2013 Foto Paolo Pedrotti
Sergio ROMANO/
Shkruar nga SERGIO  ROMANO/ Kur fliste për veten, Ernst Nolte, i shuar në Berlin në moshën 93 vjeçare, nuk përcaktohej thjesht “historian”. Parapëlqente të quhej mendimtar i historisë, një studjues idesh, konceptesh, kategorish e metodash historiografike. Kishte qënë nxënës i filozofit Martin Heidegger, ishte diplomuar me një tezë mbi marksizmin dhe idealizmin gjerman e kishte shmangur rekrutimin, gjatë luftës së dytë botërore, për një  të metë në dorë. Mbas universitetit i u kushtua gjatë studimit të tre lëvizjeve “fashiste” n’Evropë ndërmjet dy luftërave : fashizmi italian, nacionalsocializmi gjerman dhe Veprimi Francez.Për disa vjet librat e tij u përkthyen e u botuan në gjuhë të tjera, pa shkaktuar skandal pikëpamjet dhe përsiatjet e shprehura në to. Por ishte e qartë, që nga punimet e para, se pyetjet e hartuara nga Nolte do të kishin vënë në diskutim disa prej sigurivet të mbas luftës së dytë. Ҫ’kishte qënë Reich-u i Tretë ? E keqja absolute ? Një unicum i historisë bashkëkohore apo një dukuri e lidhur me të tjera ngjarje evropiane ? Një monokraci, një polikraci, apo madje, simbas një përcaktimi të Goebbels-it, një anarki autoritare ? Cilët qenë rrënjët e kundër semitizmit të Hitlerit ? Cili qe roli i hebrenjve në Revolucionin e Tetorit ? A ishte e pranueshme të zhdukej si “revizionizëm” gjithshka që nuk përkonte me normat e ortodoksisë historiografike ? A ishte e pranueshme të paditej një historian, sepse kishte shprehur dyshime mbi arsyet e një ngjarjeje historike të dënuar botërisht ?

Skandali shpërtheu kur Nolte, më 1987, shkruajti një libër mbi “luftën civile evropiane”, mbasi kishte botuar një vit më parë në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” tekstin e një konference të titulluar E shkuara që nuk don të shkojë. Tema e përsiatjeve të tij ishte, në thelb, fajësimi i Gjermanisë, proçesi që shumë historianë e burra Shteti i kishin bërë dy herë kombit gjerman gjatë Nëntëqindit : mbas fundit të Luftës së madhe e mbas luftës së Dytë botërore. Por ndërmjet dy proçeseve ka një ndryshim të rëndësishëm. Ai i kryer mbas 1918-ës, pati si pasojë nenin 231 të traktatit të Versailles (në të cilin Gjermania u detyrua të njihej fajtore e luftës), dhe një ngritje shqytesh të gjithë inteligjencës gjermane kundër një vendimi që u quajt i poshtër dhe i njëanshëm. Ndërsa proçesi i dytë u mbajt në Nurenberg, u mbyll me dymbëdhjetë dënime me vdekje dhe e la Gjermaninë gojëmbyllur deri sa pikërisht Nolte, kujtoi se kishte ardhur tashmë çasti për t’a vendosur nazizmin, si çdo ngjarje tjetër, në një perspektivë historike.

Nolte mendonte se në politikën e Hitlerit kishte edhe një përgjigje bolshevizmit ; që lageri ishte versioni gjerman i gulagut ; se fati i caktuar hebrenjve nuk ishte i ndryshëm nga ai që bolshevikët i kishin caktuar borgjezisë, klerit dhe aristokracisë ruse ;  që “nata e thikave të gjata”, gjatë së cilës Hitleri kishte asgjësuar formacionet naziste të Ernst Rӧhm, ishte e barazvlerëshmja  e spastrimeve me të cilët Stalini kishte hequr qafe pëdhunisht disa prej përgjegjësve më të mëdhenj të revolucionit bolshevik, nga Lev Kamenjev tek Grigori Zinoviev, nga Nikollaj Buharini tek Lev Trockij.

Filozofi Jürgen Habermas u përgjigj në “Zeit” të Hamburgut se argumentat e Nolte-s shuanin kujtesën e genocidit ebraik dhe zvogëlonin përgjegjësitë e Reich-ut të tretë. Ndonjë studjues e mbrojti, të tjerë qenë edhe më t’ashpër se Habermas. N’analizë të fundit rrahja e mendimeve qe më shumë politike se historiografike. Pak, ndërmjet kundërshtarëve të Nolte-s, mohonin mprehtësinë e analizave të tij. Ndërsa shumë druanin se argumentat e tij ndihmonin të shkarkohej Hitleri nga fajet e tij dhe tërthoras i sillnin dobi krijimit të lëvizjeve neonaziste. Ishin të njëjtat shqetësime, që u shprehën tani afër, kur Instituti i historisë bashkëkohore të Munihut vendosi të bëjë të njohur një botim “shkencor” të Mein Kampf, Bibla e Hitlerit : dy vëllime, një hyrje prej 80 faqesh, një bibliografi prej 122 faqesh. Kur vepra arriti në libraritë ndrojtjet u zhdukën. Shkenca historike gjermane e kishte varrosur Hitlerin nën një ortek shënimesh të dokumentuara përsosmërisht (3500).  Kalimi i kohës i ka sjellë dobi Nolte-s dhe veprës së tij, sot ende e kritikuar, por gjithmonë e pranuar dhe e njohur për meritat e saj.

Në disa vështrime i ka ndodhur Nolte-s ajo që i ka ndodhur Renzo De Felice-s. Të dy ishin paditur se quanin të denjë për analizë historiografike njerëz dhe lëvizje politike (në rastin e De Felice-s, Mussolini dhe fashizmi), mbi të cilët ishte shqiptuar një gjykim i paapelueshëm. Kjo spjegon faktin që Nolte, për shumë vite ishte i zgjedhuri i asaj pjese të kulturës italiane që ishte rishikuese, ose më thjesht, e lodhur nga skemat thjeshtëzuese me të cilat shkruhej historia italiane që nga Bashkimi deri te fashizmi.

Për vëmëndjet dhe dëshmitë e vlerësimit që i vinin nga Italia, Nolte ishte i lumtur. I priste me dëshirë ftesat që i vinin nga studjuesit italianë. Shfletonte me kënaqësi përkthimet italiane të veprave të tij. Gjente n’Itali një farë shpagimi për ftohtësinë me të cilën trajtohej nga një pjesë e kulturës gjermane. I shpiegova një ditë se rasti i tij i ngjiste atij të një tjetri intelektuali të huaj, Georges Sorel, i vlerësuar n’Itali për shumë vite, më shumë se sa lexohej e studjohej në Francën e tij. Ishte një profet i revolucionit, një teoricien i sindikalizmit revolucionar, por i a kushton poppullaritetin n’Itali një liberali konservator, Benedetto Croce-s. Besoj se Nolte-s ky krahasim i pëlqeu.

“Corriere della Sera” Faqja “Kultura” , 19 gusht 2016  E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Kulture Tagged With: Eugjen Merlika, Lamtumire Nolte-s, Sergio ROMANO

Emocionet e koncertit madhështor, për të Shenjtën Nënë Tereza

September 9, 2016 by dgreca

Rita Ora dhe Eva, mbesa e Presidentit të ndjerë Dr. Ibrahim Rugovës, në koncertin e madh të Shejtërimit të Nëna Terezes/
Nga  Beqir SINA – Romë – Itali/
1-inva
1-rita-e-loriku
1-rita-ora
1-rita-e-femijaROMË – ITALI, 3 Shtator 2016-  : Në një shkrim të saj, zëdhënsja e Vatikanit “Giornale-Armonia” shkruante për koncertin e Nëna Terezes në baziliken e Shën Palit në Romë, një shkrim me titull : “Emocionet e koncertit madhështor, për të Shenjtën Nënë Tereza e Kalkutës”
Në reportazhin e tyre të dielën më 4 shtator, dy gazetarët Enzo Carrozzini dhe Davide Ndoj, i Radi Vatikanit, shkruanin se në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë Françeskut, shpalli kanonizimin e Lumes Nënë Tereza e Kalkutës, murgeshës vogël shqiptare, që kushtoi jetën e saj  Jezu Krishtit dhe Madonna, lartësuar në shenjën e solidaritetit dhe dashurisë, fundit të tokës.
 Festimi i madh fetar tërhoqi më shumë se njëqind mijë besimtarëve në shesh, duke përfshirë një numër shumë i madh me origjinë shqiptare, duke demonstruar se si shembulli i Nënës nga “sari me vija të bardha dhe blu” kanë formuar objektin e ndarjes gëzueshme dhe dashuri për bashkëatdhetarëve të tij.
Ceremonia ideale mbyllur fundjavën e emocioneve të mëdha , është vlerësuar mag më shumë se njëqind milionë njerëz, që kanë ndjekur festimet televiziv për Nënë Terezën, filloi të shtunën në mbrëmje në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, ku gjatë prag – shpalljes, u mbajt një koncert të jashtëzakonshëm Bamirësie, ku morën pjesë artistë dhe personalitete me origjinë shqiptare, autoritetet civile e fetare, duke përfshirë edhe Kardinalin Angelo Bagnasco, President i Konferencës Episkopale Italiane, si dhe Kryeministërin i Shqipërisë, Edi Rama, ish-presidentin dhe ish Kryeminsitrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha, ish Presidentin e Kosovës, Dr, Fatmir Sejdiu, dhe Behxhet Pacolli, kryeparlamentarin Kadri Veseli, Presidenti i Ecolog Lazim Destani, dhe shumë personalitete të tjera nga Shqipëria Kosova, Maqedonia dhe diaspora shqiptare.
Në koncertin më të madh të mbajtur ndonjiher deri tani nga artistët shqiptarë, jashtë atdheut të tyre, në Romë më 3 Shtator, morën pjesë Rita Ora, Genc Tukiqi, Inva Mula, Gezim Myshketa, Ermonela Jaho, Shkelzen Doli, Elbenita Kajtazi, Bahri Lahaj, Lorik Cana, Lum Veseli, Andi, Bajgora.
Enzo Carrozzini dhe Davide Ndoj, i Radi Vatikanit, thonë se :’Secili me veti me vlerat e pasura artistike, deri në nivel botëror, e ka nderuar Nënë Terezën duke ngjyrosur me emocione të forta performancat etyre, të shoqëruar nga koret e orkestrave të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë të udhëhequr nga Bujar Llapaj, dhe Orkestra Filarmonike e “Filharmonisë” Drejtori Baki Jashari, që kan dhuruar një kornizë të çmuar kësaj ngjarje të madhe.
Në mesin e tyre duhet përmendur me rëndësi të veçanta, e cila duhet të jetë organizatoria  Dr. Dijana Toska, autore e Himnit të Nënë Terezës, (si rezultat i një ripunimi i një ode muzikore të shkruar nga fjalët e fundit “Nëna e fundit”), ekzekutimi i të cilave, ka arritur në majat shumë të larta të emocioneve”
Por kjo ishte një natë me interpretimet e jashtëzakonshme të Rita Ora, me rolin e saj të jashtëzakonshëm “Çfarë fëmija është kjo.?”, i shoqëruar në violinë nga Shelzen Doli, i cili dukej për të riprodhuar zërin njerëzor, si të gjithë artistët e tjerë, të cilët kanë përgatitur shpirtërisht veten dhe të gjithë besimtarët, duke përfshirë çdo nerin që i përjetojë ato emocione, apoteozë të ditës së ardhshme, me Meshën e Madhe të Mirësisë , deklarimin nga Papa Francesku të Kanonizimit të Nëna Terezes – Saint of Teresa of Calcuta .
Por, një nga momentet më të veçanta dhe ky i ngaruar me emocione të veçanta ishte ai i princeshës së vogël Eva Rugova, vajza e djalit të madh të presidentit Ibrahim Rugova, e cila ka qenë poashtu e pranishme në atë koncert dhe ajo nuk ka hezituar ta përqafoj këngëtarën shqiptare Rita Ora, duke i dhuruar asja një buqet me lule të freskta.
Ky moment, është realizuar në një set me footgrafi të cilat i ka shpërndarë më pas në Facebook dhe Instagram nga e ëma e Evës, dizejnatorja e njohur, Blerina Kllokoqi-Rugova.

Share

Filed Under: Featured, Kulture Tagged With: Beqir Sina, emocionet, koncert, Rita Ora

Vatikan- Mbahet koncerti madhështor për shenjtërimin e Nënë Terezës

September 3, 2016 by dgreca

Një koncert madhështor kushtuar Nënë Terezës u mbajt në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”, në Vatikan, ku interpretuan artistët shqiptarë më të njohur në mbarë botën./

14232528_10210502962511713_6482269064814133008_n

14184391_10210502965991800_5084377445089911419_nVatikani është shndërruar në qendrën shqiptare kur ka mbledhur yjet më të rëndësishëm të trojeve tona dhe elitën politike në koncertin e madh në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”. Në vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë, njëkohësisht 19 vjetorit të shuarjes së saj.

14238073_1261063877277286_3773486603703097689_n

1472928288_foto12

1472928296_foto13

1472927800_foto7Në fjalën e tij hyrëse, imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës dha një historik poetik për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.
Rita Ora dhe Lorik Cana zgjodhën që përshëndetjen e parë për të pranishmit ta bëjnë në shqip, në gjuhën që ushtoi në Bazilikën e Shën Palit.
“Ave Maria” me zërin e magjishëm të Inva Mulës ishte mirëseardhja muzikore.  Baritoni Gëzim Myshketa interpretoi “Libera Me”.
Një ndërthurje mes muzikës dhe narracionit të vargjeve të murgeshës së të varfërve solli më pas Andi Bajgorën me vargjet “Take Time”. Virtuozi Shkëlzen Doli, solli në fillim tingujt “Meditation të Massenet”.
Në këtë festim të madh nuk mund të mungonte edhe “Buka e Engjëjve, Panis Angelicus nën zërin e Ramë Lahaj. Lum Veseli përcolli magji me narracionin e tij sërish në gjuhën shqipe të vetë vargjeve “Gjithmonë kam në zemër” të vetë Nënës Terezë.
Rita Ora ishte shndërruar. Në pamjen e një katolikeje në një ndër bazilikat më të bukura artistikisht, ajo interpretoi simbolin “What Child is this”. Nën orkestrimin e Shpëtim Saracit.
Producentja Dijana Toska ja doli të bënte bashkë më shumë shqiptarë se asnjëherë në selinë e shenjtë për një shenjtore.
Sërish, Inva Mula finalizon himnin e Nënë Terezës “Vals Hyjnor”, me fjalët “Lamtumirë” që murgesha e të varfërve i shkroi në vitin 1928. Të ardhura nën kompozimin e Genc Tukiçit.
Kjo nuk ishte një lamtumirë, por një përkatësi më shumë, që Nënë Tereza, është e jona. Dhe kjo magji ishte e gjitha në Top Channel në transmetimin dhe mbështetjen mediatike.(Top Channel)

***

Në koncert eshte degjuar dhe duartrokitur edhe himni i Nënë Terezës “Valsi Hyjnor” me muzikë të Lorenc Antonit e me vargjet e poezisë “Lamtumirë” të shkruar nga Nënë Tereza gjatë udhëtimit të saj nga Irlanda në Kalkutë. Himni u këndua nga soprano Inva Mula e shoqëruar nga Filarmonia dhe kori i Kosovës me orkestrant nga Shqipëria e Maqedonia.

Pjesëmarrës në këtë aktivitetet ishin emra të njohur të muzikës botërore si këngëtarja me origjinë nga Kosova, Rita Ora, sopranot e famshme, Inva Mula, Ermonela Jaho etj. Zyrtarët thanë gjithashtu se presin që në koncert dhe në shenjtërimin e Nënë Terezës të ketë një numër të lartë shqiptarësh.

Ndërkohë, Këngëtarja Rita Ora ka kënduar së bashku me tenorin Saimir Pirgu këngën “What Child is This”. Nga ana tjetër, këngëtarja Ermonela Jaho ka kënduar  himin “Panis Angelicus” (Bukë për engjëjt), një liturgji e shkruar nga Shën Tomazo d’Aquino.Shenjtërimi – Mbahet në Vatikan koncerti për nder të Nënë Terezës

03/09/2016 – 19:09
 Koncerti u zhvillua në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”, ku interpretuan artistët më të njohur shqiptarë në botë. Ndërkohë, në koncert janë të pranishëm edhe krerët e lartë të shtetit shqiptarë, përkatësisht Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, etj. Fotot e vidiot kortezi Ora News TV…
***

Kosovë-Presidenti Thaçi në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan

Prishtinë, 3 Shtator 2016-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë.
Për nder të humanistës shqiptare, sonte në Selinë e Shenjtë do të mbahet edhe koncerti “Himni i Nënës Terezë”, ku do të marrin pjesë artistë të njohur botërorë.
Ndër solistët e njohur që do të përformojnë në këtë koncert janë edhe dy artistet shqiptare, Rita Ora dhe Inva Mula. Kurse futbollisti shqiptar, Lorik Cana, do të recitojë poezinë e “Nënës Terezë”.
Ceremonia e shenjtërimit të Nënës Terezë do të mbahet nesër dhe pjesë e saj do të jenë rreth 100 mijë besimtarë, si dhe liderë e personalitete të shumta botërore.
Pas ceremonisë së shenjtërimit, presidenti Thaçi në mbrëmje do të jetë i pranishëm edhe në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë.
E dekoruar me çmimin Nobel për Paqe më 1979, Nënë Tereza u lumturua nga Papa Gjon Pali më 2003, pasi që Selia e Shenjtë kishte pranuar se falë ndërhyrjes së mbinatyrshme të saj, Nënë Tereza kishte shëruar një grua indiane.
Më 17 dhjetor 2015, Papa Françesku ia njohu Nënës Terezë edhe mrekullinë e dytë, gjegjësisht shërimin e jashtëzakonshëm të një të riu brazilian, që ka ndodhur më 9 dhjetor 2008.
Njohja e mrekullisë së dytë nga Selia e Shenjtë i hapi rrugë shenjtërimit të humanistes shqiptare.

14183802_590062131118913_8493284182656677439_n

Koncerti Vatikan

14224743_590062201118906_4232826722525859814_n

Koncerti Vatikan

14232424_590062217785571_6349931137230603281_n

Rita Ora gjatë koncertit në Vatikan

14237712_590062134452246_2474537058192935037_n

Koncerti Vatikan

14238325_590062307785562_2671857258431547725_n

Rita Ora gjatë koncertit në Vatikan

Filed Under: Featured, Kulture Tagged With: i Shenjterimit, Nene Tereza, Nis Koncerti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 222
  • 223
  • 224
  • 225
  • 226
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT