• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar

July 3, 2025 by s p

Julika Prifti/

Kur Radio Tirana më kërkoi të shkruaja një emision të plotë për Bajronin në vitin 1986, nisa të hulumtoj me dëshirë dhe kureshtje të madhe. Mblodha materiale në disa gjuhë, përktheva dhe krijova skena si për një dramë më vete. Më në fund, mbeta e kënaqur nga puna ime edhe nga komentet për emisionin që u pëlqye shumë nga dëgjuesit. Ndjenja e kënaqësisë ishte e lidhur edhe me zbulimin e fakteve të jetës së tij të panjohura deri atëherë nga publiku shqiptar.

Mbase e gjitha kjo do kishte vetëm në kujtesën time sepse, nëse e kam të saktë informacionin, programet e radios nuk janë ruajtur ngaqë mbi incizimet e vjetra janë regjistruar të reja, gjë që është për të ardhur keq. Por ja që mes dorëshkrimeve të babait këtë verë, gjeta edhe dorëshkrimin tim për Bajronin dhe shënime interesante për poetin e madh bashkë me materialet kërkimore të miat.

Në poemën e tij të njohur “Çajld Harold” Xhorxh Gordon Bajron veç përshkrimit aq të bukur të Shqipërisë ka dokumentuar edhe thesare të folklorit shqiptar. Në të vërtetë në dy këngë ose valle të kënduara ia vlen të thellohemi edhe më tej.

Këngët “Bobobo bobo” dhe “Në sevda tënde u llavasa” Bajroni i mblodhi gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri në vitin 1809. Ato u botuan së bashku me poemën ” Çajld Harold” më 1912, me shënimet sqaruese e plotësuese në fund të tekstit. Në një kolonë teksti shqip e në anën tjetër përkthimi i lirë në anglisht, hera – herës mjaft larg ” ad literam” sepse Bajroni donte të jepte bukurinë e mendimit poetik.

Në shënime Bajroni jepte këtë sqarim: “Vërej se shqipja nuk është gjuhë e shkruar, për këtë arsye fjalët e dy këngëve që po i rrëfej lexuesit bazohet në fonetikë. Ato u mblodhën nga një grek që e flet dhe e kupton mirë shqipen”.

Ndryshe nga sa besonte Bajroni mbledhësi mund të mos e ketë ditur aq mirë shqipen ose nuk kishte njohuri për folklorin tonë. Duke lënë mënjanë edhe gabimet e shtypit e po ashtu dhe pamundësinë e alfabetit grek për të shprehur në mënyrë të saktë e besnike një seri fenomenesh karakteristike për gjuhën shqipe, në revistën “Albania” (1897 – 1909) bëhen përpjekje për të rindërtuar këto vargje me anë të logjikës së gjuhës e të këngës, por edhe në përkthimin e lirë anglisht. Ndihet si një punë e nxituar me pasaktësi e gabime, greqizmat ose u transliteruan keq ose u lanë mënjanë, kësisoj u cungua bukuria e këngës.

Në vëllimin e tretë ” Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar” janë botuar tekstet siç gjenden në origjinalin anglisht e si janë kopjuar te “Albania” duke plotësuar vende-vende boshllëqet e duke rregulluar gabimet. Megjithatë edhe aty kanë mbetur pa u plotësuar e vihet re ndonjë interpretim jo i saktë. Madje nga kënga e dytë janë lënë jashtë dy vargje me shënimin e bërë me sa duket te “Albania”: “Kënga e Bajroni zgjatet edhe me dy vargje të tjerë”. Ato së pari mund të jenë lënë jashtë nga vështirësitë që hasen për të dhënë në shqip kuptimin e tyre. Së dyti, sepse vetë Bajroni shfaq dyshimin: “Besoj se këto dy vargjet e fundit, ku ndryshon metri, i përkasin ndonjë balade tjetër,” thotë ai. Bajroni, si poet, ndien ritmin dhe kadencën, kap ndryshimin ritmik dhe prandaj bën atë vërejtje.

Ka shumë të ngjarë që kemi të bëjmë me një dukuri të njohur në folklor. “Për të dhënë një ide të dialektit shqiptar ose arnaut të Ilirisë, po përkthej këtu dy këngë popullore që këndohen me valle si nga burrat dhe nga gratë pa dallim,” shkruan Bajroni. Pra, kemi të bëjmë me një këngë që shoqërohet me valle, ose më saktë një valle e kënduar. Një pjesë e valleve të kënduara e ndryshojnë ritmin në fund. Koda më e shpejtë e më dinamike shënon njëherësh kulmin dhe mbylljen. Bajroni ka të ngjare të mos e ketë ditur këtë karakteristikë të disa valleve tona, prandaj edhe thyerjen e tetërrokëshit në gjashtë rrokësh e merr si pjesë e huaj që i është asimiluar rastësisht.

Transliterimi i saktë i këngëve të mbledhura nga Bajroni ka interes në radhë të parë për të dhënë hijeshinë e bukurinë e vërtetë folklorike sepse u zgjodhën nga një poet i njohur, por nuk mbeten jashtë edhe interesat gjuhësore dhe semantike.

Te kënga e parë, vargu 5 në origjinal është: “Ha pe nderi escrotini”. Te “Albania” është dhënë “Hape derën e shkretë”. Duhet të ishte “Hape derën shkretënë” sepse kësisoj ruhet i plotë edhe ritmi edhe rima, edhe fonetika historike. Duhet përmendur se shqipja ka pasur shumë më tepër fjalë proparaoksitone.

Dy vargjet e fundit të këngës ” Bobobo bobo”, “Plu hari te tire te/ Pluhur cia pra seti”, nga “Albania” janë lënë bosh, kurse nga instituti janë plotësuar në mënyrë hipotetike. “Pluhuri të errëtë/ pluhuron çaprazetë”. Në përkthimin e lirë këto vargje jepen: “Mos ngri shumë pluhur se të rëndohen armatimet”. Rindërtimi më i afërt i tyre do të qe: “Pluhuri që tirretë ( ngrihet) të pluhuron çaprazetë “. Te kënga e dytë “Në sevdanë tënde u llavdosa” plotësimet dhe korrigjimet e bëra nga redaktori Qemal Haxhihasani (1916-1991), folklorist dhe historian me shumë reputacion, duken me vend, me përjashtim të vargut “E ti m’u bëre e pabesë si një dhëndro të lartë” ku kuptimi ka mbetur i errët dhe greqizma ” dentroi” (dru) e përkthimit fillestar është marrë si fjala shqipe dhëndër. Mendoj se rindërtimi më besnik do të ishte: “U dashurova vashëzo me zemërën të haptë. / E ti më braktise si një dru i thatë”. Edhe përkthimi i lirë në anglisht këtë kuptim ruan: ” Ti më abandonove si nje pemë yë thatë”. Dy vargjet e fundit që i mungojnë tekstit tek “Albania”: “Udi vura dorini, udiri cicova cilti mora”, në përkthimin e lirë të Bajronit janë: “Ç’ndjesi provova kur vura dorën time mbi gjinë tënd/. Unë dorën e hoqa po ajo më dridhet akoma”. Përafërsisht mund të rindërtohet në formën: “U të vura dorënë në gjinj që t’ i mora/ U dorëthatë ç’heq (?) u edhe të ftohtë mora” që mund të ketë edhe rindërtime të tjera më të sakta.

Për këto ndijesi që e gjen tek poezia popullore shqipe, Bajrpni shprehet me habi se gjen një lloj paragonizmi me ato që thotë Sokrati i lashtë ndër shkrimet e veta.

Studiuesit e folklorit mund t’i kenë analizuar edhe më tej këto vargje dhe këngë. Nëse jo, ky shkrim mund të jetë një nxitje që do të jepte një rezultat të kënaqshëm edhe për lexuesit e sotëm.

Filed Under: Kulture

Ekspozitë e artistit Erjon Hajnaj në Ohio

June 26, 2025 by s p

Artisti shqiptar Erjon Hajnaj do të hapë ekspozitën e tij personale më 11 Korrik, nga ora 5:00 PM deri në 8:00 PM, në Sullivan Family Gallery pranë Bay Arts, me adresë 2875 Lake Rd, Bay Village. Ftohet mbarë komuniteti shqiptar në Ohio për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe artistike.

Filed Under: Kulture

NGA KONKURSI POETIK NE MUZEUN HISTORIK TE WORCESTER, MA.

June 25, 2025 by s p

Në vitin 2023, në qytetin e Worcester-it në Massachusetts, u hap konkursi “Poems In and Out of Places” sponsorizuar nga projekti Mapping Worcester in Poetry i krijuar nga Profesorja Susan Elizabeth Sweeney që punon në College of the Holy Cross. Ky projekt është pjesë e ekspozitës The Poem Next Door, për të cilën Sweeney fitoi një bursë dhe që aktualisht është e hapur për publikun në Muzeun Historik të Worcester-it. Ekspozita paraqet poezi nga gjashtë poetë të njohur amerikanë që kanë jetuar dhe shkruar për Worcester-in, ndër ta Elizabeth Bishop, Frank O’Hara, dhe Stanley Kunitz.

Mbi 100 krijues morën pjese në këtë konkurs dhe 27 u vlerësuan e u përzgjodhën fitues e nën-fitues nga Poeti Laureat i Worcester-it, Oliver de la Paz. Komuniteti shqiptar u përfaqësua nga dy poete: Julia Gjika dhe Irena Kaci, poezitë e së cilave u vlerësuan fituese. Irena, si gjithë krijueset/it e kishte hartuar poezinë e saj në anglisht, kurse Julia në shqip. Përkthimin në anglisht të kësaj poezie e realizoi vajza e saj, poetja e përkthyesja Ani Gjika.

Në datën 16 qershor 2025 në një nga sallat e Muzeut Historik të Worcester, MA u realizua ceremonia e recitimit të poezive fituese. Poezinë e Julia Gjikës e recitoi autorja në shqip dhe Ani Gjika në anglisht.

Muzeu ka në plan që këto 27 poezi t’i botojë në një libër më vete kopje të së cilit do të bëhen pjesë e përhershme e Muzeut të Worcester-it. Po ashtu është planifikuar që secila poezi të gdhendet në pllakë metalike dhe secilën pllakë ta vendosin në ambjentin që përshkruhet në secilën poezi.

Presim me padurim ditën kur karshi kishës shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë” në Worcester, MA, pranë hyrjes veriore të godinës Illyrian Gardens, do të vendoset pllaka me poezinë e Julia Gjikës shqip dhe anglisht.

GRATE E MOSHUARA TE ILIRIAN GARDENS

Larg nga bota që bie erë luftë, netëve të qeta vonë,

ulur në një stol jashte kishës Shqiptare në Worcester, MA

kuvendojnë gratë e moshuara të Iliran Gardens. Unë jam një prej tyre.

Kur diktatura komuniste dështoi, Amerika na u bë shtëpi.

– Ika nga fshati pasi isha bërë gjyshe, – thotë flokëgrija V.

– Sollëm ato pa të cilat s’ rrojmë dot, – shton G., kujtimet

i lulëzojnë përditë përpara syve si kacurrelat e saj në kokë.

– Lavdi Zotit, për këtë kishë shqiptare, thotë P., pëllëmbët bashkë e sytë përpjetë,

– Na mblodhi Fr. Spiro, Fr. Mark dhe këmbana e Kishës, nën këtë qiell lirie.

Rrethuar me parqe, me muzetë e qytetit,

katër liritë e Rooseveltit arrijnë tek ne nga cdo cep i Massachusettsit.

I thithim ato thellë. Duke ditur se e ardhmja jonë është e sigurtë këtu, nxjerrim frymë.

Rikthimi i pranverës na fton të dalim nga apartamentet.

Në stinën e ringjalljes,

ne ecim nëpër oborrin e Kishes dhe ndalojmë të lutemi përpara saj.

Vetëm një herë shkova në atdhe, – thotë L., që ka hequr rrobat e zeza.

Dhe shton: erdha të pleqërohem këtu pranë djalit të vogël,

se pensioni i Shqipërisë ishte sa 1/6 e asistencës së këtushme.

– Sa bukur dukej mbeska jote, – i thotë z-nja P. z-njës L.

me gjoksin e shalëkat jashtë, njësoj si vajzat amerikane.

– Kështu vishen tani dhe në Shqipëri, ja pret L.

Gratë e moshuara s’ kërkojnë shumë: shëndet për veten dhe për fëmijët.

Një herë në dy vjet oborri i Kishës gjallërohet me këngë e valle

të Festivalit Shqiptar. Këtë vit, gjithashtu, Shqiptarët përtërihen

duke ndarë ushqimin e traditat me shumë Amerikanë.

Shqipëria s’ është një vend i largët, por i gjallë, këtu mes nesh.

E shkruaj këtë cdo ditë në fletore. E sjell në shtëpi, në shtëpinë time të re

në Salisbury Street, një pjesë e së cilës shkon pranë Kishes Shqiptare

dhe do mbajë emrin e Heroit Kombëtar GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU!

– Zoti e bekoftë Amerikën!, lutem unë. Kështu luten të gjithë shqiptarët e Worcester MA.

* * *

THE ELDERLY WOMEN OF ILLYRIAN GARDENS

Far from the world that smells of war, in the late quiet evenings

sitting on a bench outside the Albanian church in Worcester, MA

speak the elderly women of Illyrian Gardens. I am one of them.

When the Communist dictatoriship failed, we made America our home.

I left my hometown after becoming a grandmother, says silverheaded V.

We brought what we can’t live without, adds G., memories

blooming before her eyes daily like the white curls on her head.

Thank God for this church, says P., palms together and eyes up,

Father Spiro, Father Mark and the church bell gathered us under this free sky.

Surrounded by parks, the city’s museums,

Roosevelt’s four freedoms reach us from all the corners of Massachusetts.

We breathe them in. Knowing our futures are safe here, we breathe out.

The return of spring invites us to leave our apartments.

In the season of the resurrection,

we walk around the church parking lot and stop to pray in front of it.

I went back home only once, says L. who no longer wears black,

I came to spend my old age here near my youngest son

because the Albanian pension is 1/6th of the assistance they provide here.

How beautiful your niece is, P. tells L. Her low cut blouse,

her thighs out like the American girls.

That’s how they dress in Albania now, too, L. responds.

Elderly women don’t ask for much—just health for themselves and their children.

Every other year the church’s parking lot thrives with the songs and dances

of the Albanian Festival. This year, too, Albanians are renewed

sharing their food and traditions with many Americans.

Albania is not a distant country, but a living one, right here among us.

I write this down every day in my notebook. I bring it home into my new home

on Salisbury Street, a part of which crosses my Albanian Church

and will soon bear the name of our National Hero, George Kastriot Skenderbeu.

God bless America! I pray. That’s what all Albanians of Worcester pray.

Filed Under: Kulture

EROTIKA E VIOLINÇELËS NGA BALLKANI NË DOWN TOWN NË CHICAGO

June 21, 2025 by s p

Nga Visar Zhiti/

– Mbresë koncertale –

Ishte emocionuese – një violinçelë që këndonte, rinore, vallëzuese plot pasion dhe elegancë, mbresëlënëse për shumë gjatë – me dritat dhe ngjyrat marramendëse të skenës… 

Në “Chicago Theatre” violinçeslisti kroat, Stjepan Hauser, i njohur botërisht me emrin HAUSER dha një koncert. 

Ështe nga Ballkani, thashë, kroatët janë dhe ilirë… duhet parë, më tha ime shoqe, Eda, dhe porosditi dy bileta, herët….

Më pëlqejnë rradhët e gjata para teatrit ashtu si në muzeume, në librarira… janë dhe si e kundërta e rradhëve të dikurshme në atdhe për të blerë bukën a qumëshin a copën mujore të mishit, është sfida e mrekullueshme dhe… dhe… për mua është dhe hakmarrja ndaj rreshtave të trishta të të burgosurve, ku isha, kur na numëronin a na çonin në punën e detyruar në minierë… nga ajo errësirë në vezullimet e dritave të teatrit..

Po hynim në një tjetër botë, në atë të artit, ngjante me shumë me të ardhmen që ëndërronim. Ndërkaq “Chicago Theatre” është mbi një shekullor, i ndërtuar në vitin 1921, kur në këtë kohë atdheu ishte bërë skena e rrezikshme e një copëtimi të ri dhe në qytetin e rinisë time të parë, në sarajet që i ngjanin ngrehinës së një teatri, ishte mbledhur ai që në histori quhet “Kongresi i Lushnjës” për të shpëtuar vendin.  Jetike ishte mbëshetja e SHBA….

Po unë po shkoja në koncert, dreqi e marrtë dhe jo në konferencë me historianë…    

Me turmave të bukura në “Chicago Theatre” do të kishte dhe shqiptarë, patjetër, i takuam nën ata shandanët e mëdhenj si planete. Ngazëllyese e gjitha, me një lloj estetike mallëngjimi, jo vetëm prej largësisë…

Ky teatër ka parë artistë të mëdhenj, por rrallë skena e tij është bërë “kaq trupore dhe kaq shpirtërore”, – po thoshin… Po dhe unë si ballkanas në Chicago do të doja të thosha diçka…

Një koncert fantastik… si një poemë, dramë, mall… ishte si një natë dashurie…  

Hauser nuk dha thjesht tinguj, por ndjesi. Ai e bëri muzikën të ndizet si zjarr dhe të përkëdhelë si puhi. Nuk mbaroi me duartrokitjet, por vazhdoi si dridhërimë melodioze dhe në ditët më pas. 

Hauser e bëri violinçelin e tij të vallëzojë si vetë muzika në telat e violonçelës, por edhe në sytë dhe gjestet e spektatorëve. 

Ai jo vetëm interpretoi, por bëri dashuri me violinçelën e tij, në sytë e një publiku që nuk u skandalizua, por u rrëmbye në ekstazë.

Në sfond qëndronte një orkestër e gjallë, që shumëfishonte emocionin e çdo fraze muzikore të violinçelit. Kishte dhe një këngëtare të njohur, soprania  australiano-amerikane Amy Manford, zëri i së cilës e bëri skenën të kumbojë si kambanë dhe ajo që njihet si “violinistja e yjeve”, amerikania, Caroline Campbell, që hyri në dialog me violinçelin. 

Në qendër të gjithë universit skenik ishte violinçela dhe Hauseri i saj. E merrte midis këmb:eve, jo si vegël muzikore, por si një grua. E përkëdhelur nga gishtat virtuozë dhe harku që herë rrëshqiste butë, si zgjatim i ethëruar i dorës dhe herë godiste me pasion të vërtetë erotik. Meloditë vërshoni si psherëtimë, si ofshamë, si klithmë, si thirrje, si këngë – ku çdo tingull ishte një puthje, bëheshin përqafim, shpërthim ndjenjash. Dhe kur ai u shtri mbi skenë, me violinçelën sipër dukej sikur bota kishte ndryshuar gravitetin dhe ishte nënshtruar ndjeshmërisë përmbysëse të trupit artistik.

Dritat që shoqëronin shfaqjen, nuk ishin thjesht inxhineri ndriçimi, ashtu herë të zbehta si vegimet, pastaj të fuqishme si flakadanë të pasionit, shpërthyese si një festë krijuan vallëzim dritash në harmoni me gjuhën e trupit muzikor. 

Ngjyrat ndërronin nga bluja melankolike tek e kuqja e dashurisë, e blerta pranverore,  e verdha e mesditave, përsipër harku i violinçelit që zhbënte ndarje mes skenës dhe sallës. Publiku u bë pjesë e spktaklit magjepsës. Po këndonte së bashku me violinçelën nën një dihatje të përbashkët këngë të njohura, klasike, italiane, amerikane, botërore. Dukej sikur çdo njeri në sallë mbante brenda vetes një violinçelë të padukshme që dridhej në harmoni me shpirtin e Hauserit.

Bir i Ballkanit, jo larg Shqipërisë sime, po thosha prapë me vete. Rrënjët kroate që zgjaten si kordat e violinçelit e shkojnë thellë në Ilirin:e tonë, përzjehen… një afërsi që nuk është vetëm gjeografike, por edhe shpirtërore. Vijmë nga ai truall i ndjeshëm e i pasionuar që ka lindur dhimbje dhe yje, tragjedi dhe artistë të shndritshëm. 

Me gjak të lashtë dhe frymë moderne, Hauseri është një prej tyre – një zë që flet gjuhën e përjetshme të shpirtit me muzikë.

Lexoj që është formuar në akademitë më të mira evropiane, përfshirë Royal Academy of Music në Londër, ai ka shpërthyer skenave ndërkombëtare – fillimisht si pjesë e duetit 2Cellos, sot si artist solo, me një identitet që tejkalon kufijtë e muzikës klasike duke thyer skemat e zakonshme të interpretimit dhe i ka dhënë violinçelës jo vetëm një zë të tijin, por dhe një trup identitar.

Çfarë e bëri të papërsëritshme atë mbërmje? Po edhe marrëdhënia trupore me violinçelën, që s’ishte më një instrument, por një grua, një dashuri, një jetë. Ai përdori atë për të prodhuar muzikë – po dhe muzikën për ta prekur atë. Dhe ajo kumboi… Ai nuk “luan”, ai jeton me violinçelën. 

 Chicagos – një qytet që di të dëgjojë dhe të duartrokasë artin, ai i ofroi më shumë se një performancë klasike, por një ritual sensualiteti muzikor. Herë e ngrinte harkun si dirigjent që komandon orkestrën, herë si një shpatë, ku mundeshin të gjitha heshtjet. 

Violinçeli i Hauserit është dashuri, duel, përqafim, lutje dhe zjarr. Dhe magjia e tij, në Chicago apo kudo tjetër, shenjon një arritje që arrin kufijtë e legjendës. Duartrokitjet shpërthenin si një liri kolektive, të gjithë ndjenin se kishin përjetuar jo thjesht një koncert, por një jetë, një bashkim dhe shkrirje të vetes me artin, në një padukshmëri mrekullie, një epifani ndjenje, një muzikë që prek njeriun atje ku asgjë tjetër nuk mund të arrijë. Duhet të ishe ti këtu, bir, – mërmërisja si një violinçel i mallëngjyer. Dhe s’kisha aspak druajtjen se mund të të shikonin lotët, ku xixëllonin shandanë ëndrrash. 

Filed Under: Kulture

Albania Fashion Week: Java zyrtare e modës shqiptare

June 19, 2025 by s p

Alessio Marrari

Zyra e Shtypit – Albania Fashion Week

Përkthimi në shqip: Arjentina Kola/

Epokë e re: ku tradita dhe inovacioni global bashkohen për të ridizenjuar të ardhmen e modës shqiptare.

Në zemër të Ballkanit, Shqipëria po përgatitet të përjetojë një moment historik që do ta vendosë në hartën botërore të modës: Albania Fashion Week. Ky event synon të bëhet një traditë vjetore me ndikim të madh ndërkombëtar. Eventi feston jo vetëm modën, por edhe kulturën, artin dhe trashëgiminë shqiptare, duke e pozicionuar Tiranën si një kryeqytet të ri të modës në nivel global. Në qendër të kësaj nisme është Gentiana Dervishi, një profesioniste me një karrierë të gjatë në botën e modës, Presidente e Shoqatës APS Showteam, e cila ka sjellë përvojën e saj të gjerë ndërkombëtare, të fituar me GX Fashion Week Milan|Paris, për të krijuar një projekt revolucionar. Me origjinë nga Maminasi, në rrethin e Durrësit, ajo ka kthyer lidhjen e saj me vendlindjen në një mundësi për të ngritur skenën e modës shqiptare, duke kombinuar traditën me inovacionin. Nën udhëheqjen e saj, eventi nuk kufizohet vetëm në festimin e bukurisë dhe stilit, por synon të transformojë Shqipërinë në një pikë referimi për industrinë krijuese botërore. Java e Modës nuk do të jetë vetëm një pasarelë sfilatash, por një event i plotë që bashkon modën, artin dhe kulturën shqiptare.

Ndër momentet kulmore të eventit do të jenë sfilatat e modës, ku stilistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë do të prezantojnë krijimet e tyre, duke ndërthurur ndikimet lokale me tendencat globale, për një përvojë që feston modën si shprehje të identitetit kulturor. Gjithashtu, eventi do t’u japë hapësirë traditave artizanale, si qëndisjet dhe punimet me dorë, që dëshmojnë trashëgiminë kulturore të vendit. Konferencat dhe seminarët do të eksplorojnë marrëdhënien midis kulturës dhe industrisë globale të modës, duke ofruar një mundësi unike dialogu dhe mësimi. Media globale, VIP dhe profesionistë të modës do t’i bashkohen eventit, duke krijuar mundësi për rritjen dhe prezantimin e talenteve shqiptare dhe për një lidhje ndërkombëtare në këtë sektor. Ky nuk do të jetë vetëm një rast për të promovuar modën, por edhe një motor ndryshimi social.

Eventi do të dallojë për angazhimin e tij ndaj inkluzivitetit dhe diversitetit, duke krijuar mundësi për talente që vijnë nga kontekste të pafavorizuara dhe duke nisur programe mentorimi e fuqizimi për gratë. Parashikohet gjithashtu që t’u jepet një dukshmëri e konsiderueshme stilistëve të rinj, të cilët do të kenë mundësinë të shfaqin punën dhe artin e tyre në një kontekst ndërkombëtar. Angazhimi për qëndrueshmëri do të jetë një tjetër pikë fokale e eventit, me konferenca të dedikuara për modën e qëndrueshme dhe punëtori mbi teknikat tradicionale artizanale, që promovojnë një qasje të ndërgjegjshme ndaj modës dhe dizajnit. Java e Modës në Shqipëri do të ketë gjithashtu një ndikim të rëndësishëm ekonomik. Eventi do të përfaqësojë një mundësi për të nxitur industrinë tekstile lokale, për të tërhequr investime ndërkombëtare dhe për të krijuar vende të reja pune. Fluksi i vizitorëve dhe pjesëmarrësve do të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë lokale, me një rëndësi të veçantë për turizmin, gastronominë dhe sektorë të tjerë ekonomikë që do të përfitojnë nga prania e publikut ndërkombëtar.

Ndër objektivat kryesore do të jetë amplifikimi i promovimit të talenteve vendës, duke krijuar një hapësirë ku stilistët dhe dizajnerët shqiptarë të mund të dalin në shfaqje dhe të lidhen me emra të njohur të industrisë globale. Eventi synon të bëhet një takim i përhershëm në kalendarin ndërkombëtar të modës, duke ngritur profilin e Shqipërisë në botë dhe duke pozicionuar Tiranën si një destinacion të ri për modën, artin dhe kulturën. Objektiva të tjera thelbësore përfshijnë vlerësimin e trashëgimisë kulturore të vendit, e cila do të jetë në qendër të shumë prej aktiviteteve të propozuara, si dhe forcimin e sektorit të modës shqiptare, duke krijuar ura bashkëpunimi midis vendit dhe platformave ndërkombëtare të këtij sektori. Një hap epokal për të ardhmen e një vendi që shikon me pasion dhe vendosmëri potencialin e tij në panoramën botërore të modës, duke u konfirmuar i pari në shpejtësinë e zgjerimit ekonomik dhe teknologjik.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 555
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT