KRISTAQ BALLI
Në aradhën e pafundme të artistëve dhe personaliteteve të shquar botërorë në të gjitha fushat e krijimtarisë intelektuale, falë të cilëve fotografi ynë gjenial Gjon Mili krijoi një prej kulmeve të fizionomisë së vet artistike, ishte edhe Bertolt Breht (Brecht).
Bertolt Breht (1898-1956)-poet, dramaturg, skenarist, studiues, kritik dhe drejtor teatri gjerman i shek XX ka dhënë kontribut të dukshëm individual e origjinal në prodhimin dramaturgjik e teatror të shek. XX.
Fillimisht, ka studiuar mjekësi të cilën thuajse nuk e ushtroi, si dhe privatisht dramë me themeluesin e lëvruesin më të madh të studimeve të dramaturgjsë gjermane, Arthur Kutscher.
“Ju mund ta keni hasur atë, ndoshta disa dekada më parë duke luajtur në benxho (mandolin) në një tavernë të mbushur plot tym në Mynih, apo Berlin, duke kënduar një nga baladat e tij “Legjenda e ushtarit të vdekur” ose “Balada e Baal-it”. Ai vishte një xhup shoferi, një kravatë lëkure dhe qethej allosoj me balluke. Dukej si një kryqëzim hibrid i një studienti jezuit dhe një gangster” 1)
Ai filloi të shfaqet në shtyp me emrin Bert Brecht në vitin 1916 me poezi dhe disa artikuj kritikë rreth teatrit. Dramën e parë të plotë, “Baal” e shkroi më 1918, ndërsa të dytën “Tamburët e Natës” në vitin 1919.
Sipas studiuesve, ai ka qenë i sëmurë nga simptoma të mungesës së ndjeshmërisë pozitive shpirtërore. Ai urrente luftën, padrejtësinë, urrente ndjenjën false. Ai dashuronte të urrente. Dhe, sajë kësaj, u shfaq karakteri i jashtzakonshëm i krijimtarisë së tij, amalgama e hudhurimit (zemërimit) dhe mëshirës (keqardhjes). Kaosi i varfërisë së Gjermanisë pas Luftës I Botërore i kishte ngacmuar atij telat drithëruese të shpirtit dhe kështu ai u gjend në botën e krijimtarisë së tij. Fillimisht ai shkroi poezi, pamflete, tregime, ndonjë balet, opera dhe disa drama.
Gjatë vitit 1922 Brehti tërhoqi vëmendjen e kritikut të njohur berlinez, Herbert Ihering: “Në 24 orë, shkrimtari Breht ka ndryshuar fizionominë letrare gjermane”- shprehej ai me entusiazëm për dramën e parë të inskenuar të Brehtit Tamburët e Natës; ai i ka dhënë kohës sonë një kumbim të ri, një melodi të re, një vizion të ri…Ajo është një gjuhë që ju do ta ndjeni në gjuhën tuaj, në veshët tuaj, në shtyllën tuaj kurrizore.”
Po atë vit atij iu akordua çmimi prestigjioz Kleist Prize për tre dramat e para (“Baal”, “Tamburët e Natës” dhe “Në Xhungël”, megjithëse vetëm “Tamburët” ishte vënë në skenë)
Motivacioni ishte ky: “Gjuha e Brehtit është e gjallë, pa qenë qëllimisht poetike dhe simbolike, pa qenë pothuajse letrare. Breht është një dramaturg sepse gjuha e tij ndjehet fizikisht shqeto.” Më 1923 Breht shkroi një skenar për një film të shkurtër, “Misteret e një Berberane”. Për nga aspekti krijues eksperimental, ai konsiderohet sot si një nga filmat më të rëndësishëm në historinë e filmit gjerman.
Ndërkohë studionte Marksizmin dhe shprehej “Kur lexova Kapitalin e Marksit, kuptova veprat e mia. Marksi ishte i vetmi spektator që mund t’u përshtatej atyre.”
Tendenca ekstravagante eksperimentuese, herë e suksesshme, apo jo, ishte motoja krijuese teatrore e punës së tij krijuese. (“…betejë e madhe për supremaci midis fjalëve, muzikës dhe produksionit”).
Kur Hitleri mori pushtetin, më 1933, duke parashikuar rrezikun e persekutimit, Brehti me familjen e tij emigruan fillimisht në Danimarkë, më pas në Suedi, Finlandë, dhe, së fundi, në SHBA. Gjatë viteve të Luftës II Botërore Brehti u bë një shkrimtar i spikatur i letërsisë së ekzilit politik. Ai shprehte oponencën e tij rebele ndaj lëvizjeve nacional socialiste dhe fashiste në dramat e tij më të famshme: “Jeta e Galileut”, “Nënë Kurajo”, “Arturo Ui”, “Rrethi prej Shkumësi i Kaukazit”, “Frikë dhe Mjerim i Rajhut të Tretë” dhe shumë të tjera. Në SHBA ai shkroi të vetmin skenar për filmin hollivudian “Xhelatët gjithashtu vdesin”, si dhe skenarët e tjerë “Vizionet e Simone Makard”, “Shvejku në Luftën II Botërore” dhe “Duka i Malfit”.
Pas mbarimit të Luftës II Botërore, ai vërtetoi më 1947 mes shakave e ironive para një komisioni investigativ në SHBA se nuk kishte aderuar ndonjëherë në Partinë Komuniste; po këtë vit u kthye në Europë, fillimisht në Zvicër e më pas, më1949, në Berlin për të vazhduar drejtimin e kompanisë të teatrit të tij “Berliner Ensemble”. Ai shkroi shumë pak gjatë viteve të fundit në Berlin. Ai ia dedikoi veten drejtimit të dramave talenteve të reja të një gjenerate tjetër të regjisorëve dhe dramaturgëve të rinj. Dialektika marksiste kishte influencuar shumë tek Brehti në të dy aspektet teorike e praktike teatrale të tij. Brehti mori Çmimin Stalin të Paqes më 1954.
Bertolt Breht ndërroi jetë në vitin 1956 nga një atak në zemër në moshën 58 vjeçare.
Bertolt Breht mbetet një shkrimtar, dramarurg, estet e drejtues teatri origjinal dhe antikonformist i teatrit të deriatëhershëm kontemporan gjerman. Ai zbatoi idetë e vizionet e tij artistike të influencuara edhe nga zhvilimet politike e ekonomike të kohës duke qëndruar në frontin kundër nacional-socializmit dhe nazizmit dhe aleat në frontin antikapitalist. Veprat e tij sollën një këndvështrim të ri në prodhimtarinë dramaturgjike gjermane e botërore, sidomos në marrëdhëniet midis synimit të artit në raport me zhvillimet historike, ekonomike e sociale në shoqërinë gjermane gjatë periudhave të social-nacionalizmit, nazizmit e Luftës II Botërore, si dhe Luftës së Ftohtë. Brehti shkelmoi të gjitha kornizat e pothuajse krejt klisheve teatrore. Ai dëshironte që një teatër të ishte objekt debatesh, jo i ëndrrave. Ai nxiste audiencën e tij të mendonte, të mbante një qëndrim konfliktual, si tifozat gjatë një loje. Nuk ka asnjë të dhënë që një dashamirës i Brehtit të ketë hedhur ndonjë shishe birre në skenë, por nqs do të kishte, Brehti do ta kishte dëshiruar atë.2)
Gjon Milit, në vitin 1963, i duhej të fotografonte në Berlinin Lindor për revistën “LIFE” disa shfaqje dramatike të Bertolt Brehtit të performuara nga kompania “Berliner Ensemble” që drejtohej tashmë nga gruaja e tij Helene Weigel.3)
Si zakonisht, për të realizuar këtë angazhim, ai ishte përgatitur paraprakisht me shumë seriozitet, por mbi të gjitha me ide artistike që i përshtateshin botëkuptimit konsekuent politik dhe personalitetit artistik e estetik të Bertolt Brehtit si një krijues i vështirë, kondraversal.
Në kuadrin e këtij udhëtimi “të vështirë ideologjikisht” (sidomos për revistën), lidhur me pasionin dhe koherencën morale e profesionale të Gjon Milit, jo vetëm në këtë rast, por gjatë gjithë angazhimeve të tij artistike për revistën “LIFE” e gjetkë, na vijnë në ndihmë disa mbresa përgjithësuese të vyera të botuesit të njohur të kësaj reviste, George P. Hunt, i cili, në të vërtetë, sipas meje, i ka bërë Milit një nga portretizimet më realiste, më sintetike, më pikante, më argumentuese, më të sinqerta, ku shprehet me dashamirësi të jashtëzakonshme profesionale e humane, por edhe me pak humor dhe që, tek ne, s’ka qenë e njohur deri sot. Nuk ka nevojë për komente veçse ta perifrazojmë : “E kam shumë të vështirë për ta përshkruar Gjon Milin në një rubrikë të tillë të shkurtër. Ai është më shumë se 6 këmbë (1.85 m.) i gjatë me gjithë flokë, por edhe arritjet e tij janë po aq të larta. Kur ai erdhi të punojë me revistën LIFE, 25 vjet më parë, ai kishte qenë gjetkë për shumë kohë; pat lindur në Shqipëri, kreu shkollën e mesme në Rumani, u diplomua në M.I.T në degën e inxhinierisë dhe punoi për 10 vjet në Westinghouse Lab., duke u specializuar në teknikat e ndriçimit. Gjatë viteve në Westinghouse ai shpenzoi një pjesë të mirë të kohës duke ndihmuar në zbulimin e një drite me fuqi të fortë – blic (flash) që do të quhej stroboskop (dritë stroboskopike-KB). Ai ishte i pari që njohu potencialet e saj të zbatimit dhe shumë nga ju duhet të kujtoni fotografitë e tij të mrekullueshme të atletëve dhe kërcimtarëve në apogjeun (kulmin) tejet të shkurtër e shumë të hijshëm të lëvizjeve, të ngrira gjatë shkrepjeve të shumëfishta në një çast (frizë) shumë të hijshëm të veprimit.
Fotoja e portretit të Milit (që shoqëron shkrimin e G. P. Hunt – K.B.) shfaq një anë tjetër të tij. Këtu ai është prapa murit në Berlinin Lindor duke bërë gjeste se si ai po punon për realizimin e një pune (foto-eseje) mbi dramat e Bertolt Brehtit. Në këtë rast ai është duke punuar jo me strobe, por me situatat, njerëzit dhe idetë, duke u përpjekur të distilojë në mendjen dhe aparatin e tij fotografik esencën e mprehtë të kësaj dramaturgjie. Dhe ai e ka përkryer këtë ushtrim intelektual në mënyrë dinjitoze, si mund ta shikoni në esenë e faqeve 112B-122 të këtij numuri.
Njerëzit e shikojnë Milin në mënyra të ndryshme. Koncepti i tij konstant për fotografinë kuptimplotë të kujton, sipas Zhan – Pol Sartrit atë të një brejtësi milingonash (pra me fytyrë të zgjatur e të mprehtë-KB) duke nuhatur botën për subjektet dhe për të kapur (në çarkun e aparatit të tij – J.P. Sartri) njerëzimin. Një reporter në Konferencën e Paqes së Parisit shkruanrte që Mili i dukej atij si një zog që fluturonte para e pas, midis dritave dhe aparatit fotografik. Ne ishim duke folur për të prapa shpinës së tij ditën tjetër dhe dikush tha se ai ishte më shumë redaktor sesa fotograf. Ishte e vërtetë: Mili paramendon bërjen e fotografisë më shumë se asnjë tjetër. Dikush thoshte se Mili është një profesionist i vërtetë. Edhe kjo, gjithashtu, është e vërtetë. Mili e di se çfarë do, di gjithashtu se çfarë duam ne, ndaj shumë rrallë ndodh të mos i përfshijë të dyja. Ai i shqyrton nëpërmjet idesë kryesore të një historie dhe mund të përkthejë atë ide në fotografi që kanë veprim domethënës, elementë të rëndësishëm kompozimi dhe kontraste dramatike të dritës.
Në Berlinin lindor Mili i kërkoi Helene Wiegel – së vesë së Brehtit, e cila është jo vetëm një nga aktoret e mëdha botërore por edhe një nga idhujt personalë të tij – të pozonte për të. Pasi ia kish refuzuar kërkesën, ai e gjeti atë në bufenë e teatrit ku ajo mbizotëronte rreth një grumbulli aktorësh të rinj admirues të saj. Ai iu bashkua grupit dhe i propozoi zonjës nëse ai mund t’i qeraste të gjithë me nga një pije. Ajo e miratoi dhe ai porositi disa herë. Por kur ardhi fatura, zonja Wiegel këmbënguli që ajo të paguante. Mili bëri, atëhere një veprim të habitshëm. Duke ia rrëmbyer faturën kamerierit, iu kthye aktores: “Ju keni dy zgjedhje, i tha ai, ose unë paguaj, ose ju nuk mund ta keni faturën.” Ajo pëshpëriti “Ç’do të thotë kjo?” Ai futi faturën në gojën e tij dhe filloi ta përtypte. Tavolina shpërtheu nga të qeshurat brohoritëse dhe mëngjesin tjetër Helen Wiegel pozoi për të.4)
Situatën e fundit, por më shkurt e modestisht e tregon me fjalët e tij edhe vetë Gjon Mili në vitin 1980, në librin e tij “Gjon Mili Photographs & Recollections” : “Një person më shpëtoi nga situata: Helene Weigel, e veja e dramaturgut, “Nëna Kurajo”, e famshme ndërkombëtarisht dhe drejtuese e kompanisë që nga vdekja e tij (Bertolt Behtit). I përsëritja lutjet me shumë kujdes për t’i bërë një foto-portret fisnik, por ajo refuzonte. Ishte dita ime e fundit në Berlinin Lindor. Në mbrëmje, pas përfundimit të shfaqjes “Opera për Tre Grosh” takova Madam Weigel dhe kolegët e saj në bufenë e ansamblit për një pije ceremoniale para lamtumirës. Kur ne u ngritëm të largoheshim, unë insistova të paguaja, por sigurisht ajo kishte të njëjtën ide e nuk pranoi. Unë isha i vendosur të bëja zgjidhjen time. Zgjata dorën për të rrëmbyer faturën, e cila ishte vendosur në një pjatë dhe iu ofrua Madamës për ta firmuar, e shukosa, e futa në gojë dhe e përtypa sakaq. Të gjithë shpërthyen në të qeshura, ndërkohë që rivalja ime me një buzëqeshje kënaqësie që luante në fytyrën e saj, me shumë takt u ngrit e u largua. Kur arrita në hotel, gjeta këtë mesazh: “Madam Weigel ka kënaqësinë të pozojë për ju në orën dhjetë para dite”.5)
Fotografitë, disa prej të cilave fotomontazhe (të vetmet e artistit), që ka realizuar Gjon Mili në Berlin me trupën teatrore të Brehtit, të botuara në revistën Life disa muaj më vonë, pasqyrojnë jo vetëm aftësitë e tij fotografike por edhe depërtimin psikoanalitik në botëkuptimin kompleks ideologjik e artistik të Brehtit. Ato janë, le të themi module apo matrica të Brehtit, që Gjon Mili i zbërthen figurativisht nëpërmjet “diçiturave” dramatike që ai i vendos (si asnjëherë tjetër) jo poshtë fotos, por brenda kuadratit të tyre (sikur Mili të ketë hyrë brenda lëkurës së Brehtit), pra si pjesë organike e revoltës së Brehtit, i cili pasqyron fenomene të njerëzimit: luftën, heroizmin, qëndresën, mbijetesën, dinjitetin, (“Nëna Kurajë”), diktaturën, çmendurinë, vulgaritetin (“Shvejku në Luftën II Botërore”), tradhtinë (“Corolianus”), intrigat, demagogjinë, korrupsionin (“Arturo Ui”), hipokrizinë (“Mahagonia e Vogël”), grykësinë (Opera për Tre Grosh), etj.
□ □ □
Referenca:
__________________
1) Tom Prideaux: A Poet who Lovet to Hate, “LIFE”, September 18, 1964, f. 122
2) In Death a Playrigh Grows into a Great Figure of the Theater” LIFE, September 18, 1964, f.113
3) Po aty. “…komunistët… i dhanë Brehtit një shtëpi dhe një teatër (bashkë me trupën e tij të shkëlqyer të aktorëve, të quajtur Berliner Esemble, për të luajtur pjesët e tij) në Berlinin Lindor. f.113
4) Po aty: George.P. Hunt, Managing Editor: Trapping Mankind With His Camera” ”, f. 3
5) Gjon Mili, Photographs & Recollection, f. 94