• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Vlora ime” nga 9-10 maj në Vlorë

February 16, 2014 by dgreca

-Albanian Excellence dhe ATSH, me mbështetjen e bashkisë së Vlorës, çelin sezonin turistik me projektin “Vlora ime”-/

Nga Harilla Koçi/- Albanian Excellence dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare, me mbështetjen e bashkisë së Vlorës, do të organizojnë nga data 9-10 maj projektin “Vlora ime”, një projekt i cili do të evidentojë historitë e suksesit të qytetarëve vlonjatë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në vende të ndryshme të botës.

Në një në takim që presidentja e Albanian Excellence, Flora Nikolla dhe stafi i AE-së zhvilluan të shtunën në Vlorë me kryetarin e bashkisë, Shpëtim Gjika, u konfirmua realizimi i këtij projekti në ditët e çeljes së sezonit turistik, një ngjarje e rëndësishme për qytetin bregdetar në jug të vendit, i cili gjatë stinës së verës shndërrohet në kryeqendrën e  pushimeve jo vetëm për shqiptarët, por edhe qytetarët e vendeve të rajonit, Evropës dhe më gjerë.

Kalendarit të ngjeshur të aktiviteteve në çelje të sezonit veror, kryebashkiaku i Vlorës ka vendosur që t’i bashkangjisë edhe projektin “Vlora ime”, i cili përfshin botimin e librit “Vlora- histori suksesi 2014”, organizimin e lëvizjes qytetare me protagonistë qytetarët e suksesshëm vlonjatë në botë si dhe organizimin e mbrëmjes Gala, ku vetë personazhet në libër do të jenë protagonistë të asaj mbrëmje.

Kryebashkiaku Gjika, duke mbështetur projektin “Vlora ime”, e konsideroi me rëndësi realizimin e tij në ditët e çeljes së sezonit turistik, ndërsa  vlerësoi kontributin që Albanian Excellence dhe ATSH jep në evidentimin e suksesit shqiptar në botë si një pjesë e rëndësishme e integrimit të Shqipërisë.

Në të njëjtën kohë, Albanian Excellence është duke punuar për realizimin e projektit “Si dje dhe sot në Fier”, i cili do të zhvillohet në datat 2-3 maj në qytetin në qendër të Shqipërisë, që njihet si simbol i bashkëjetesës mes vendasve dhe shqiptarëve të ardhur nga treva të ndryshme, Çamëria, Kosova, etj.

Ashtu si “Vlora ime”, projekti “Si dje dhe sot në Fier” që do të konkludojë me botimin e librit “Fieri- histori suksesi 2014”, realizimin e lëvizjes qytetare me protagonistë qytetarët e suksesshëm fierakë si dhe organizimin e mbrëmjes Gala, ka gjetur mbështetjen e kryebashkiakut Baftjar Zeqaj.

“Albanian Excellence” u krijua në vitin 2012 si një organizatë jo fitimprurëse, e cila në programin e saj afatgjatë ka krijimin e një database të shqiptarëve nga të gjitha trevat, të cilët në vendet ku kanë emigruar kanë shënuar arritje të larta profesionale. Fusha e veprimtarisë së Albanian Excellence shtrihet në studime,  botime, promovime, aktivitete kulturore, shkencore, artistike, etj; në takime, simpoziume, konferenca si dhe çdo aktivitet tjetër që lidhet me qëllimet e saj.

“100 histori suksesi në 100 vjetorin e Pavarësisë” ishte botimi i parë që Albanian Excellence, me mbështetjen e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, promovoi në nëntor të vitit 2012, si asnjëherë më parë, në një mbrëmje Gala në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Të paktën 50 shqiptarë të suksesshëm në botë, pjesë e botimit “100 histori suksesi në 100 vjetorin e Pavarësisë” ishin protagonistë të asaj mbrëmje që u transmetua në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar.

Me sukses, Albanian Excellence organizoi në pranverën e vitit të kaluar edhe aktivitetin “Përgjithnjë Berat”, një lëvizje tipike qytetare që u kurorëzua me librin “Berati- Histori suksesi” dhe me një mbrëmje Gala, protagonistë të së cilës ishin personazhet e librit të cilët erdhën në vendlindjen e tyre enkas për këtë event. Aktiviteti gjeti një përkrahje të madhe nga qytetarët berates, sikundër u pasqyrua gjerësisht në median lokale dhe kombëtare.

Gjatë muajve të fundit, Albanian Excellence ka marrë përsiper lëvizjen qytetare mbarëkombëtare “Për sot dhe nesër”, e cila synon të sensibilizojë qytetarët në  përdorimin  e biçikletave, në mbrojtje të mjedisit, si dhe  ndërtimin e rampave që do të lehtësonin lëvizjen e e invalidëve. Deri më tani kjo lëvizje është organizuar me sukses në Vlorë, Pogradec dhe Fier dhe imazhi i saj është aktori i njohur, Ardian Cerga.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: albanian Exellence dhe Atsh, Vlora Ime

“Vizatimet me dritë”

February 16, 2014 by dgreca

 … të  dorës së Pikaso-s, apo të aparatit të Milit?!/

Nga Qerim VRIONI/ Michigan/
Dihet se vizatimi përbën gërmat e para të alfabetit “pikturë“, dhe njëkohësisht  shërben edhe si dëshmi në se dikush duhet t’i hyjë mësimit dhe lëvrimit të saj ose jo. Historikisht,  vizatimet e para, siç thonë  studiuesit, janë shenjat e pëllëmbës së dorës së njeriut të lyer me baltë e të vendosur mbi sipërfaqet e mureve të shpellës. Kjo bëhej për të shikuar se si riprodhohej dora, por ndoshta edhe fare rastësisht. Më pas, po në muret e shpellës, njeriu parak nisi të gërvishtëte, me gur më të fortë, më vonë edhe me qymyr druri, subjekte të ndryshëm si kafshë, armë primitive dhe  skena gjahu, duke realizuar vizatimet e para të njeriut. Disa prej këtyre vizatimeve dolën mjaft jetëgjata dhe  kanë mbërritur të paprishura edhe në ditët tona.  Nga Shqipëria, le të përmendim vizatimet e hershëme (petroglifet) në guvat e Trenit (Korçë), Mesaplikut (Vlorë) dhe të Rubikut (Mirditë).

Vizatimet e mëvonëshme, me mjete të përmirësuara dhe mbi sipërfaqe më të përshtatëshme, të realizuara nga njerëz me aftësi të veçanta dhe shkollim përkatës, do vinin sot nga largësitë e shekujve si të ishin bërë para fare pak kohe, duke na krijuar ndjesi estetike. Edhe në ditët e sotme vizatimi lëvrohet shumë, pavarësisht veglës ekzekutuese (qymyr ose karbon, laps ose grafit, penel, majë e mprehtë çeliku etj.) dhe sipërfaqes rrafshe ku bëhet (letër, dru, xham, plastikë, mur, kanavacë etj.) dhe, që përgjithësisht pasqyron një subjekt të caktuar.

Piktori spanjoll, Pablo Pikaso, aty nga fundi i viteve ’40,  kishte  arritur njohje e prestigj të madh në botë. Për këtë, përveç vlerave të spikatura estetike të punëve të tij, ndoshta e ndihmoi edhe një vizatim (litografi) i një pëllumbi të bardhë, që shërbeu si poster i Kongresit Botëror të Paqes që u mbajt në Paris në prill 1949. Më pas, ky pëllumb  u kthye nga lëvizje pacifiste  (sidomos në Europë) në simbol paqeje, duke e quajtur “pëllumbi i paqes”.  Në këtë kohë (1949), Gjon Mili, fotografi amerikan me origjinë dhe vendlindje shqiptare, i cili kishte mbi dhjetë vjet që punonte për revistën amerikane “LIFE”, kishte marrë detyrë të fotografonte artistë të shquar europianë. Fotografi këtë mision e priti me dëshirë të madhe, sepse  vet Mili do të shkruante me vonë se, “kisha kënaqësinë të punoja me disa nga artistët më të mëdhenj të shekullit”.  Kështu, objektivin e aparatit të tij e nëpërkaluan njeri pas tjetrit imazhet e piktorëve të njohur Raoul Dufy, Georges Braque, Henri Matisse, Giorgio de Chirico, violonçelistit të shquar Pablo Casals etj, për të mbetur  në histori edhe përmes këtyre fotoportreteve tradicionale.

Me Pikaso-n, fotografi kaloi nga një rrugë tjetër, të re dhe të guximëshme. Gjon Mili, fillimisht mendonte të realizonte me të disa fotoportrete klasike, siç kish bërë me të tjerët. Por jo. Fotot me piktorin nuk do ishin të zakonëshme. Më vonë, ato do zinin vend në shumë albume dhe libra fotografie në botë e do të quheshin “Vizatime me dritë“.

Në fotografinë botërore,  foto me pasqyrimin  e lëvizjes së një burimi drite hasen qysh prej fillimit të shekullit XX (1914), madje në vitet ’30, artisti amerikan i fotografisë Man Ray realizoi një seri fotosh të tilla me titull, “Space Writing” (Shkrimi i Hapësirës). Natyrisht edhe Mili mund të jetë ndikuar nga paraardhësit, por rëndësi ka fakti se përvojës së të tjerëve ai u ka veshur “stofin e vetë”. Historia e arteve është shkruar edhe nëpërmjet përdorimit të ndikimeve të të vjetërve nga të rinjtë në mënyrë krijuese.

Fotografia përgjithësisht përkufizohet edhe si “veprimi fiziko-kimik, që ndalon çastin”. Thënë edhe me pak fizikë, ajo përngrinë një pamje gjatë një ndërmjetësie kohore shumë të vogël, pjesë të sekondës, kurse fotot për të cilat flasim, ngurtësojnë pamjen në zhvillim e sipër, pra përgjatë një hapësire kohore prej disa sekondash. Me këtë teknikë, fotografia ndalon lëvizjen, veçse jo atë në përgjithësi, por të një burimi drite. Një status i ri ky, më i përparuar, i “dhomës së errët” dhe, në një farë mase, në kundërshtim me përcaktimin teorik tradicional të fotografisë. Kjo i ngjallte  kënaqësi, por dhe e nxiste për të arritur më shumë.

Para takimit të planifikuar me Pikaso-n, Gjon Mili, kaloi një mbrëmje në Paris me Javier Vilato, nip i piktorit. Biseda midis tyre i ndryshoi planin e tij të fotografimit të Pikaso-s: vetëm me mënyrën tradicionale. Mili, përmend në kujtimet e tij se nipi e kishte njohur me thënien e të ungjit se, “nëqoftëse do të vizatosh, duhet të mbyllësh sytë dhe të këndosh”. Duke dëgjuar këtë, imagjinata e fotografit do ketë shpejtuar e, pasi e ka kaluar dy-tri herë nëpër mendje, ka ndalur tek fjalët, “të mbyllësh sytë“, pra në terr. Fotografi kujton në shkrimet e tij se duke pasur në mendje piktorin, “unë vendosa, pse të mos vizatoi në errësirë, me një dritë në vend të lapsit ?”

Ka të ngjarë, që atë natë fotografi të mos ketë fjetur i qetë, dhe me të drejtë, do fotografonte një artist të shquar, madje me një mënyrë të re. Mbase dalëngadalë iu sendërtua ideja dhe iu krijua bindja se të nesërmen do realizonte diçka të re. Për këtë, ndër fotot që kishte marrë për t’ja treguar piktorit, përzgjodhi ato që kishte bërë disa vite më parë me një patinatore duke i vendosuar dritëza në patina. Në to ishte përngrirë lëvizja e patinave në akull dhe ajër, lëvizje e shënjuar në fotografi në vijat e ndërlikuara të dritëzave. Imagjinata e Milit, duke punuar vetëm për fotot e nesërme, gjeti lidhje ndërmjet vijave të patinave me ato që do bënte në ajër dora e Pikaso-s.

Fotografi e gjeti piktorin në një plazh të Francës jugore dhe sapo u përball me të, mendoi “qenka shumë i shkurtër”, siç shkruan në kujtimet e tij. Ndoshta dhe piktori nga ana e tij kur e ka parë mund të ketë  thënë me vete “sa i gjatë ky” për fotografin. Pas sekondave të shkëmbimit të “matjeve me sy”, Mili i propozoi t’i bënte një portret, por Pikaso me një shprehje të ftohtë të fytyrës i përgjigjet, “Ou, ec, ec, vazhdo”, kujton Mili në shkrimet e tij. Fotografi e përtypi ftohtësinë e Pikaso-s dhe me një farë këmbëngulje i tregon një nga fotot që i kishte bërë sportistes së akullit, marrë enkas për piktorin. Fotoja e tërhoqi piktorin që, menjëherë dhe pa e fshehur interesin, kërkon t’i shikojë të gjitha fotografitë. Fantazia dhe mjeshtëria e fotografit të shtrira në letrën e fotove, tretën si me magji dimrin e çasteve të para midis tyre, duke vënë në lëvizje temperamentin e tij të piktorit.  Madje, Mili shkruan se Pikaso,  “filloi të vizatonte në ajër vetëm me gishtin e tij disa vija intriguese”. Kaq mjaftoi, që fotografi nën peshën e minutave të para t’i propozoj të bënin vetëm një seancë 15 minutëshe, gjë që piktori e miratoi shpejt. Në të vërtetë u bënë pesë séanca dhe të gjitha më të gjata se nga 15 minuta. Gjatë tyre në u realizua dhe fotoja më e njohur, “Pikaso duke vizatuar me dritë“. Bashkëpunimi midis Pikaso-s dhe Milit, që filloi me këto foto  dhe në këtë plazh, krijoi më pas dhe miqësinë tyre të ngrohtë disavjeçare që është pasuar edhe nga një letërkëmbim i dendur midis tyre. Fatkeqësisht, letrat që piktori i dërgoi fotografit u shkrumbuan në zjarrin e vitit 1966 që  dogji studion fotografike të këtij në Rrugën 23, në Nju Jork.

Piktori Pikaso kishte vizatuar dhe herë të tjera në sipërfaqe  të ndryshme, si tabelën e zezë, në rërën e plazhit,  zhdukeshin me fshirje ose mbulim pas disa sekondash a minutash, kurse vizatimet me dritëzën në dorë sikur i përfytyronte me vështirësi. Të parat i mendonte dhe i shikonte, qoftë disa sekonda, por këto…. Po ashtu, atë e kishin fotografuar shumë të tjerë, por me një mënyrë të tillë ende nuk e kishte provuar. Këto vizatime humbisnin sapo krijoheshin, ose…treteshin gjatë ngjizjes së tyre! Atëherë si mund të fotografoheshin, kur nuk mbetej gjë fizike, aq më tepër që nuk shfaqeshin në ndonjë rrafsh të ngurtë? Ndoshta, kureshtja e artistit i dha durim  për të pritur përfundimin. Fotografi i gjatë, i hollë  me mustaqe të zeza e temperament kolerik, duhanpirës, i veshur pa kujdes të madh dhe që fliste një anglishte me theks, sikur e kishte hipnotizuar, aq sa mund të ngjit kjo fjalë tek piktori më i madh i shekullit XX.

Pa e zgjatur shumë, të dy u nisën për në  poçerinë e piktorit (në Vallauris), rregulluan një kthinë që mund të errësohej plotësisht  dhe pa u vonuar, filluan shkrepjet. Përfytyrojmë çka ndodhur teknikisht atë ditë vere të vitit 1949 në poçerinë Madoura të spanjollit në Vallauris të Francës jugore. Fotografi vendos aparatin me gjithë flash-n mbi trekëmbëshin prej druri, kuadron pamjen e zgjedhur dhe vendos kohën e mbajtjes së obturatorit tek shenja B, që tregon se ai qëndron hapur deri sa të mbahet shtypur butoni. Fillimisht në errësirë të plotë, piktori vizaton në ajër për disa sekonda me “penelin ndriçues” në dorën e djathtë, gjë që  përngrihet në film si vijë e ndritëshme dhe e ndërlikuar. Pjesa tjetër e kuadratit mbetet e zezë, por e virgjër, sepse ende nuk ka marrë dritë. Mandej, sapo mbaron vija e ndritëshme e piktorit,  pa lëvizur pozën, me obturator të hapur, fotografi shkrep flashin, që ndriçon të gjithë mjedisin bashkë me piktorin. Të dy imazhet bashkohen tanimë njeri me tjetrin, mbivendosen, duke  arritur në një kuadrat filmi shembëllimin e dëshiruar. Fotograf Mili, inxhinier ndriçimi me përvojë dhe imagjinatë, këto veprime i kryen pa vështirësi, por jo pa emocione. Gjithsesi, si rëndomë në fotografi, nuk mjaftohet me një shkrepje, po vazhdon sa sigurohet për arritjen e synimit.  Ngulmimi dhe natyra e gjallë e fotografit e kishte vënë piktorin e madh disi në rolin e nxënësit të bindur. Natyrisht, nga bashkëpunimi i dy krijuesve të tillë të shquar, s’do kishte veçse  fryte të rralla.

Si fillim, ishin disa vija të çrregullta të pakuptimta që realizoheshin nga një dritëz (si e patinatores) në dorën e djathtë të Pikaso-s. Mili prej vitesh kishte realizuar  foto të ngjajëshme, që nga ajo me dritëza në majat e skermave (1942),  tek patinat e sportistes (1945), ku gjurmat në letrën fotografike (fiziogramat) nuk paraqisnin diçka,  veçse ca vija me shumë lakime e përdredhje, që ende nuk mund quheshin “vizatime me dritë“.

Gjon Mili, përfytyroi shpejt se dritëza e vendosur në dorën e piktorit nuk duhej të bënte vija që s’përfaqësonin asgjë, por të vizatonte diçka që mund të lexohej e kuptohej nga shikuesi. Mbase ky,  i propozon artistit të mos bëjë vija kot së koti, por të vizatoj ndonjë gjë  konkrete. Piktori pranon, por,  nuk i shkon mendja të vizatonte “pëllumbin e paqes”, por diçka tjetër, një kafshë mitologjike, një egërsirë, centaurin (gjysëm burrë e gjysëm kalë), si të thuash të kundërtin e shpendit paqësor. Ndërkohë, i pari, pëllumbi, dukej në pankarta të mëdha, ballina revistash e gazetash, kartolina e pulla poste në mjaft vende të botës. Madje, këtë (centaurin), e paraqet jo duke qëndruar a ecur, por me këmbët e para në ajër, si të përgatitej për t’u përleshur me dike, veprimi simbolik i kafshës egërshane të mitologjisë. Çudi kjo përzgjedhje e piktorit, ose asfare çudi kur bëhet fjalë për Pikaso, i njohur për natyrën ekscentrike dhe trillet e tij të zakonëshme.

Fotoja e Pikaso-s duke vizatuar me dritë centaurin, u botua menjëherë në revistën “LIFE”, duke tërhequar vëmendjen e publikut. Gjithsesi, mendojmë se paraqitjen më dinjitoze fotoja bashkë me të tjera të serisë, e pati në ekspozitën fotografike “On Picasso” ( Pikaso) të hapur në MoMA (Muzeu i Arteve Moderne) të Nju Jorkut nga janari deri në mars të vitit 1952. Autorë të saj ishin Gjon Mili dhe miku i tij, fotografi me origjinë hungareze, Robert Capa, simboli i fotografisë së luftës për shekullin XX. Të dy e  kishin fotografuar mikun e përbashkët, Pikaso, në verën e vitit 1949. Fotoja u botua më vonë edhe me tituj të ndryshëm, deri sa mbriti tek “Pikaso duke vizatuar me dritë“, që shoqëron, thuajse sa herë botohet në albume ose shtyp. Ndonëse ishte një emërtim shumë afër të vërtetës, nuk dukej si diçiturë – pjellë fantazie të shëndoshë, sepse…vërtetë, a mund të vizatohet me dritë?! Në të vërtetë, fotografi tregoi se kjo mund të bëhej dhe e arriti këtë në mënyrën më të mirë të mundëshme.

Kështu, Mili ynë realizoi me një proces të ri fotografimi dhe fantazi të epërme vetjake fotot “vizatim me dritë“. Fotoja “Pikaso duke vizatuar me dritë“(1949), shërben në mjaft libra dhe revista të fotografisë si shembulli “ikonë“për këto lloj shkrepjesh. Madje, edhe shumë të tjera të kësaj serie, ku duket gjithmonë Pikaso që vizaton me “penelin ndriçues” në dorën e djathtë. Sot, në botë, këto lloj fotosh të Milit paraqiten dhe komentohen në shumë botime dhe artikuj revistash e gazetash të specializuara për fotografinë. Përmendim se një foto e tillë e Gjon Milit, me ekspozim trefish të figurës së piktorit, është pasqyruar në një botim përmbledhës të revistës amerikane “TIME” të para dy muajve, me titull “TIME” -A History of World—December 2013”. Ajo, është vendosur aty si simbol i kapitullit “Arts&Entertainers” (Arte dhe Artistë), ku përveç Pikaso-s, shkruhet edhe për Louis Armstrong, Marilyn Monroe, The Beatles, Frank Sinatra, Elisabet Taylor etj.

Nuk mund të thuhet se fotoja do dilte e tillë ose jo, po të vizatonte një piktor tjetër dhe të fotografonte një tjetër fotograf, fakti që fotoja ka këto vlera tregon se dyshja, Pikaso-Mili, rezultoi  mjaft e suksesëshme. Fantazia, thuajse hyjnore e Gjon Milit, bëri që këto vizatime të cilat humbisnin gjatë krijimit të tyre, të përjetësoheshin në letrën fotografike, për t’u shikuar sot mbas mbi  gjashtëdhjetë vjet  pas realizimit të tyre, dhe po ashtu të vazhdojnë të kundrohen e shijohen, deri sa të ketë njerëz që pëlqejnë fotografinë.

Në botime të ndryshme fotot e Milit, por edhe të të tjerëve që paraqesin lëvizjen e një burimi drite, quhen rëndom “vizatime me dritë“. Ndoshta nuk u takon të gjithave ky emërtim.Më saktë mbase do ishte që përveç atyre të Pikaso (mundet dhe të ndonjë piktori tjetër), të tjerat të quhen me termin shkencor “fiziograma”, që përbën pasqyrimin e lëvizjes mekanike të një burimi drite në errësirë. Madje, edhe fotot e Milit ku pasqyrohet lëvizja e harkut të violinës (me dritëz në maj) të instrumentistit të shquar, Jasha Heivetz (1952) mund të emërtohen fiziograma të violinës. Tjetër gjë kur lëvizjet e burimit të dritës bëhen nga  dora e piktorit, këto janë vizatime sepse paraqesin diçka me kuptim e subjekt, si njeri, send, kafshë etj, të cilat mund  të quhen  “vizatime me dritë“.

Kthehemi në fillim të shkrimit, tek përkufizimi i vizatimit, duket sikur ka një farë mospërputhje ndërmjet tij  dhe emërtimit të këtyre fotove të Milit. Kjo, sepse vijat e Pikaso-s krijohen në hapësirë tripërmasore, pra jo në sipërfaqe dy përmasore , aq më tepër rrafsh të drejtë. Sado aftësi të shpaloste piktori, nuk  mund t’i shënonte vijat mbi një sipërfaqe rrafshe (pra të bëj një vizatim), sepse nuk e ka lejuar përmasa e tretë, thellësia. Bash, këtë përmasë që shqetëson përkufizimin tonë, e shmang fotografia, e cila arrin ta tresi dhe, vijat e dorës së piktorit të shfaqen në një rrafsh të drejtë (letra fotografike) dhe ta meritojnë plotësisht  cilësimin “vizatim”, madje shoqëruar edhe nga vegla e veçantë, “me dritë“. Fotografia, dihet se një nga tiparet themelore ka zhdukjen e thellësisë së objekteve, pra të përmasës së tretë, dhe këtu qëndron merita e saj që vijat e piktorit në hapësirë të shikohen të shtrira përfundimisht dhe përgjithmonë në një sipërfaqe. Tek e fundit edhe në sajë të aftësisë përfytyruese të Gjon Milit.

Ndoshta nuk ka ndodhur më herët në historinë e arteve pamore që të ruhet një vepër e cila zhduket gjatë krijimit të saj si këto vizatime me dritë të Pikaso-s, të fotografuar nga Mili. Po ashtu, Pikaso është mbase i pari që ka vizatuar në hapësirë dhe jo në sipërfaqe rrafshe, dhe vizatimet të mbeten. Themi ndoshta, sepse para tij mund të kenë vizatuar edhe të tjerë, por të tijat kanë mbetur për t’u shikuar me kënaqësi, madje në një art tjetër pamor siç është fotografia.

Gjon Mili e kishte fotografuar dhe më parë lëvizjen me teknikën stroboskopike duke realizuar edhe foto të njohura si  “Nudo duke zbritur shkallët” (1942) dhe “Pas de Bourre”(1945), por në këto fotografi subjektet janë të copëzuara (fragmentarizuar). Për të arritur tek “vizatimet me dritë“ Milit i është dashur të mendoj, si të gjithë fotografët  me anën e përfytyrimit, një shqisë shtesë, në mund ta quajmë kështu, që u bëhet atyre organike gjatë krijimtarisë artistike.

Mili e fotografoi rishtas Pikaso-n,  me këtë teknikë, edhe pas 18 vitesh (1967). Edhe këto foto, përgjithësisht kishin piktorin në qendër të tyre, por në disa syresh duken vetëm imazhe kafshësh, vazo lulesh, germa kapitale, madje dhe nënshkrimi i tij. Në këto të dytat, fotografi e ka lënë në terr piktorin, pra ka kryer vetëm pjesën e parë të procesit të fotografimit. Vizita e dytë dhe fotot e realizuar në të, ishin siç thotë vet Mili, “shkaku i botimit të përmbledhjes së tyre në një album”. Kështu, në vitin 1970, ai botoi  albumin me titull “Picasso’s third dimension” (Përmasa e tretë e Pikaso-s), që më pas u botua dhe në frengjisht. Në të, përveç fotove “vizatim me dritë”, fotografi ka paraqitur edhe imazhe të punimeve artistike të piktorit të madh në qeramikë e materiale të tjera të forta. Mili, i shoqëron shpesh fotografitë e albumit  edhe me komente, që flasin për nivelin e mirë estetik të tij.

Kjo përmbledhje, do pasohej 10 vjet më vonë me botimin prej “New York Graphic Society” (Shoqata  Grafike e Nju Jorkut) të albumit-monografi “Gjon Mili—Photographs&Recollections” (Gjon Mili-Fotografi dhe Kujtime). Vetë fotografi, përveç fotove të zgjedhura, ofron të dhëna për jetën dhe krijimtarinë e tij, pra ka edhe karakter jetëshkrimor, por të trajtuar me sensin e një letrari të aftë.

“Vizatimet me dritë“ janë të ngjajshme me skicat e shpejta me laps që praktikojnë rëndomë piktorët, veçse këto të fotografuara nga Gjon Mili, kanë dalë nga mendja dhe dora e Pablo Pikaso-s, më të madhit piktor të shekullit XX.

Sot në botë janë përhapur mjaft fotografitë “vizatim me dritë“, me teknika e mënyra të shumta e të ndryshme. Por, gjithsesi, ende nuk është realizuar ndonjë foto që të ketë popullaritet  të përafërt me atë të “Pikaso duke vizatuar me dritë“(1949) të fotografit amerikan me origjinë shqiptare, Gjon Mili, i cili u nda nga kjo jetë më 15 shkurt 1984, plotë 30 vjet më parë.

Michigan, ShBA,  janar 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: apo te aparatit te Gjon milit, Qerim Vrioni, Qerime ne drite, te dores se Pakaso-s

BEJTET E ZENEL BASTARIT KANË GJETUR VEND NËPËR AHENGJET E SHTËPIVE TË VJETRA TË TIRANËS

February 15, 2014 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA*/

Ibrahim Hasnaj të paktën deri më sot ka sjellë të dhëna të hollësishme si dhe divanin e përbërë prej 145 odesh.

-Veprën e Zenel Bastarit e kam dorëzue pranë Universitetit shtetëror,sektori histori-gjuhësi e cila u botue në buletinin e shkencave shoqërore, viti  i XV Nr 1 ,viti 1961 ,shkruan Hima. Kontaktet me veprën e Zenel Bastarit,  ai thotë se i ka marrë qysh kur ishte nxanës i klasave të ulta të shkollës fillore ,ku prej të moshuarve flitej për një bejtexhi që paska jetuar në  qytetin e Tiranës, me emrin e Zenel Bastarit. Duke plotësuar me hollësi të tjera Hima shkruan :”në çdo gosti apo dasmë që bante në Tiranë ishte thuhesh e pamundur të mos bisedonin për këtë emër shumim popullor i cili paskish qenë i dallueshëm më gisht në krejt qytetin për bejtet e tij thumbuese dhe plot humor të hollë. Ata, që i dinin përmendësh strofat e Zenelit, nisnin plot qejf ti recitonin e ti deklaronin duke sjellë ndër të pranishmit nji atmosferë gazi dhe hareje. Lidhur me gjurmimin e veprës së Zenel Bastarit, Hima thotë tekstualisht,duke qenë kështu vepra e Zenel Bastarit në këtë vëllim asht ma  e plotësueme mbasi shoqërohet edhe me një jetëshkrim të shkurtër të vjeshtorit që e ruaj prej kohësh në shënimet dhe që e pata tërhequn së bashku me një sasi strofnash nga biblioteka personale e hafëz Ibrahim Dalliut në vitin 1937. Si gjurmues i veprës së Zenel Bastarit ,materialet ia dorëzua në vitin 1961 pranë universitetit shtetëror në sektorin përkatës ,ndërkaq që vepra e plotë me shënimet përkatëse e ka selektuar dhe bërë gati diku nga vitet ‘70. Të dhënat për jetën e Zenel Bastarit, Hima thotë se  një jetëshkrim të shkurtër e pati tërhequre Ibrahim Dalliut në vitin 1937. Sipas këtyre shënimeve, pikëzohet se Zenel Bastari si origjinë ashtë nga një fshatë i malësisë së Tiranës që  quhet Bastar. I ati zbriti nga malësia për në Tiranë ende i pamartuem dhe e quante Ram Hyka, por me që ishte i shpërngulën nga Bastari,vendasit më kohë ia zhdukën mbiemrin Hyka duke e thirrur me atë të fshatit. Sipas këtyre shënimeve ,Ram Hyka(Bastari) është marr më punë krahu dhe kryesisht bahecenvallëk . Është martuar me një vajzë tiranase familja Kollçijve dhe pati dy djem, Zenelin dhe Rexhepin.

Jetëshkrimi i kohës së vegjëlisë për Zenel Bastarin, thotë  se: Zeneli ka mësuar në një mejtep. Thuhet se i ati Rama ishte aderues i fesë islame prandaj e ka zgjedhur Zenelin për shkollën e mesëm fetare të kohës, ky lloj arsimi kryhej në medrese. Djali i dytë e bëri bahçevanë. Mirëpo ka një pikëpyetje të vogël ndoshta Zeneli ka shfaqur aftësi dhe mençuri, që i është lexuar në sy dhe në dritën e shpirtit. Përndryshe lumi do të kishte marrë xhevahiret,që i mbante brenda hepimi i shpirtit. Kur ishte nxënës të dhënat na shpien tek Zeneli se ndërsa shkollohej për hoxhë, ai nuk e ushtroj kurrë këtë profesion për të cilin u arsimua, çuditërisht sipas rrëfimit të Himës, kohën   e kalonte jo ndër xhami por tek mjeshtërit gajtanxhi. Fuqia e këtyre të fundit fshinte diçka mister, përndryshe kohën do ta kalonte veçse me lutje. Tek gajtanxhinjtë zbuloi misterin e tij. Ky ishte profesioni i tij, që e përdori në gjithë jetën e tij. Zeneli ,thuhet në këto shënime ,u vesh me uniformën  e hoxhës për të nderuar shkollën por këtë mision fetar nuk  ushtroi kurrë dhe as që e ngarkuan  me një mision të këtillë. I vdes i ati por i merr nën kujdestari familja Kollçijve dhe  e ëma më vonë ikën nga ëndrrat e dy djemve të Ramë Hykës. Veshja e tij është e përshkruar një çallmë,veshje hoxhe dhe një pallto të shkurtër. Zanati është artizan qepje, qëndisje sumbulla ferexhe e xhamadan. Mërgimi i Zenel Bastarit nga bota jonë thuhet se ka ngjarë  rreth  moshës 75 vjeç. Koha e mërgimit të madh ka qenë koha e luftës ruso-turke pra viti 1878. Iku në këtë mërgim i pamartuar si edhe i vëllai. “Nuse “pati “divanët e tij” poetik të përbërë nga 145 ode, në të vërtetë burimet citojnë mbi 200 strofa, ndërsa kostumi i tij dhëndëror ishte i përbërë nga mijëra gajtanë e xhamadanë, që ai qëndisi ndër jetën e tij.  Divani është një grumbullim poezish  me një renditje të veçantë sipas germave te alfabetit.

Vepra e Zenel Bastarit

Po të shqyrtosh krijimet e Zenel Bastarit vrenë se ky krijues ka pasur  aftësi shpirtërore të cilat lindin nga ndijime të holla. Ndërkaq është ndihur në këtë prohi edhe nga shkollimi e cila mund të quhet mrekulli për atë kohë si dhe e lidhur pazgjidhmërisht me fatin e njeriut .Nga të dy djemtë Ram Hyka, vetëm Zenelin e dërgon  për shkollim. Ky bëhet poet i dëgjuar i kohës. Bejtet e tij shëtisnin Tiranën atë fshatë të vogël të kohës, shëtisnin nëpër njerëzit e Shqipërisë së mesme si dituri ,si mençuri e dalë nga një botë. Shkollimi atë botë i përkiste veçse një pjese të vogël që shquante aftësi ose shpërthime shpirtërore qysh në vegjëli. Zenel Bastari u bë mjeshtër gajtanxhi por ai ushtroi një mjeshtëri tjetër shpirtërore e cila  e radhiti ndër bejtexhinjtë e kohës, që i bënte nder letërsisë shqiptare të bejtexhinjve. Si lindi kjo letërsi që u quajt e bejtexhinjve? Studiuesit se letërsisë shkruajnë kështu:”Në shekullin XVIII në Shqipëri lindi dhe u zhvillua një rrymë letrare me tipare tepër origjinale për vendin tonë, rryma e bejtexhinjve (nga fjala turke “bejte” – vjershë. Ajo u bë dukuri e rëndësishme dhe pati përhapje shumë të gjerë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në Kosovë, por edhe ne qendra më të vogla fetare e më pak në fshat. Këtë udhë dhe  këta sokakë i përshkoi edhe Zenel Bastari. Frymëzimi i tij edhe sipas studiuesve është ai  i tarikateve mistik. Përmenden bektashinjtë , si udhëheqës shpirtëror kishin Haxhi Bektash Velinë, një dervishë nga Horosani që shërbeu në Anadoll i pajisur me fuqi mistike, që frymëzoi edhe Emren dhe poetë të tjerë. Ka të dhëna që tek ky tarikat letërsia pra poezia i ka shoqëruar ata gjatë gjithë misionit të tyre shpirtëror. Po të lexosh poezitë e një zonje  mistike Rabije për Zotin e saj janë të hatashme apo divanet e shumë  dervishëve. Mansevit e Rumihut janë ndër më të pëlqyerat  tek lexuesi amerikanë, edhe ky dervish i tarikatit mevlani por banoi në Konjë të Turqisë ku edhe ka tyrben e tij . Këta të gjithë u  frymëzuan për të  derdhur në letër gjithë çka brenda shpirtit të tyre u përvëlonte. Ka edhe një arsyetim. Duke qenë se poezia është bija  e parë e bukurisë hyjnore, frymëzimi i tyre shkon pikërisht në këtë kah. Bukuria e Perëndisë dhe nuri, që u hedh krijesave të saj. Ka edhe një arsyetim tjetër. Aso kohe ajo që  lëvrohej ishte ky soj letërsie e bejtexhinjve e cila pëlqehej sepse cekte ato probleme, ku vuante populli ,poeti dhe gjuha e përdorur ishte e vet popullit. Ndër temat, që ka prekur Zenel Bastari janë  tema sociale, fetare, e dashurisë. Me këtë lloj letërsia, krijuesit bejtexhinj godisnin shpejt në kohë, shkruanin thjeshtë duke përdorur vetëm gjuhën e popullit. Është gjithashtu e habitshme se si këto krijime përthitheshin në kohën më të shpejtë Ndërtimi i poezive të tilla me gjatësi poeme deri në 30 faqe, i është përshtatur edhe kohës. Krijuesit bejtexhinj i krijonin ato thesare ndër popull dhe  aty hë për hë apo me nge dhe i mbetej popullit që e përhapte atë flakë nëpër krejt errësirën e kohës  të sundimit otoman. Këto diamante të vyera  nuk humbisnin. Nuk binin as në vesh të shurdhër. Këta krijues, që i quanin shkurt bejtexhi dhe krijimtarinë e tyre  në poezi ,bejte  ishin kronika më transparente e një qytetit, gazeta e qytetit në mungesë të kësaj të fundit. Gjuha popullore, që vlonte aso kohe ishte edhe epiqendra e krijimeve të bejtexhinjve. Këto krijime thitheshin si dielli. Mjeshtëria e gatimit të tyre tregonte për një nivel  të lartë  si dhe , për një kulturë të gjerë që ata dispononin.

“Kundër sundimtarëve dhe klerikëve”. Një krijim i gjatë i ndarë vetëm me numra për çdo strofë pra nga numri 1 deri në 108 strofa, që zë një madhësi shtrirje deri në 30 faqe. Aty shqyrton mundësinë se  është e vërtetë , pasqyra e viteve 1800 në një qendër të vogël siç ishte Tirana. Pasqyra ku mund të shqyrtosh deri në detaje shqetësimet, përditshmërinë, vuajtjen, mbizotërimin fetar në përgjithësi të kohës otomane, gjithçka si në sira jepet me një gjuhë të thjeshtë tiranase dhe me plotë lëngë jete dhe me një stil të kuptueshëm. Ka ndër to një përpjekje që për të kuptuar gjërat siç ndodhin në realitete dhe sundimin e huaj  si një rrezik të keq për sovranitetin e vendit.

“Tirana jonë si mësojë/fort e zuni insiqari/ kush e hypi e teprojë/ nuk pat frykë nga xhebbari/ po pate pare je njeri/tjetërsoj të zë bulluri/fukarenjtë i kanë bezdi/veç kërbaç kallankusuri….thotë Z.Bastari. Është gati e thjeshtë për të kuptuar se si këtë vend, që quhet Tiranë i kanë rënë fatkeqësitë si kresë e rëndë aq sa frikë nuk kanë edhe nga perënditë. Paraja mallkohet por ajo shkëlqen ndër kohëra dhe të ndritë faqen. Po pate pare je njeri,thotë Zenel Bastari. Kjo aksiomë  është kaq reale në këtë periudhë të tranzicionit shqiptar. Shkëlqimi i parasë si mbulesa e smogut, përmbi qytete. Në të gjithë këtë krijimtari prej 108 strofa Zenel Bastari sjell realitete kohe. Është një dokument historik, për sundimin otoman. Zenel Bastari me veshje hoxhe dhe zanat artizani e sjell kohën e tij si në një gazetë ditore. Aty asgjë nuk mungon. Aty takon fakirë fukarenjtë. Të pasurit dhe sundimtarët. Sunduesit e fesë, që rrëndojnë barrën e popullit. Aty është jeta e një katundi të tërë. Kohët në të cilën u lind dhe jetoi Bastari i përket sundimit otoman. Në atë kohë gjejmë lëvrimin e disa lloje të letërsisë. Nëse bejtexhinjtë do ti vendosje në sira të parët, ngase  krijimtaria e tyre ishte  e gjithëpërfshirëse, të dytët ishin krijuesit që u përkisnin religjioneve fetare. Tarikatet mistike janë të pasur në literaturë. Kishin edhe një traditë që zbret nga mjegullinat e kohës. Këta u strehuan nëpër vakëfe, ndër  vende të shenjta dhe krijimtarinë e tyre ua kushtuan Zotit, profetit, imamëve, shenjtorëve, dëshmorëve te fesë. Të parët bejtexhinjtë ishin kronike dite, faqja e sotme e një ëebi. Ishin njëqind për qind poet. Të dytët edhe këta ishin njëqind për qind poet. Mirëpo krijimtaria e tyre shkoi në atë drejtimin të fesë, që ishte  letërsi religjioze, ajo i kushtohet Zotit në tërësi.

Zenel Bastarin  e klasifikojnë tek kategoria e bejtexhinjve bektashinj. Në të vërtetë, ai ka shkruar edhe vjersha me frymëzim bektashianë  kushtuar dervishëve të bërë dëshmorë .Ky frymëzim për kohën ka qenë i pranueshëm. Mistika në atë kohë ka qenë tepër e lëvruar ndër krijues. Dhe mistika bektashiane zinte vendin edhe për shkak të ndikimeve dhe përhapjes së këtij tarikati mistik në Shqipërinë e Mesme dhe të jugut. Megjithatë nuk kemi të dhëna, që ai ka qenë një besimtarë bektashi. Letërsia e tij ka qenë  e frymëzuar prej tyre dhe për këtë udhëheqësit shpirtëror të kësaj udhe të vlerësojnë ashtu si Naimin, poetin kombëtar që i kanë dhënë titull nderi:” Baba nderi “të Teqesë së Frashërit. Edhe Zenel Bastari duke qenë se ka trajtuar vjersha me frymëzime mistike bektashiane është vlerësuar prej tyre. Besoj se edhe frymëzimi i tij të mos ketë qenë spontan por mund të jetë vulë  e ndonjë shenjtori të këtij tarikati. Ajo që mbetet mister është se nuk kemi të dhëna, ndërkaq nëse  do të dispononin, asnjëherë nuk mësohet se kur ka ngjarë frymëzimi dhe si. Megjithatë Zenel Bastari mbetet një emër me popullaritet. Zenel Bastari “pikturon” mjerimin e kohës, si një mjeshtër i vërtetë i satirës. Gjatanxahiu  me gjilpërë  në dorë dhe shpirt të pasur , Z. Bastari ka shkruar historinë  e një katundi shqiptarë në vitet 1800. Në këtë krijim ndërthuret mirë vargu i thjeshtë, finë për nga ndërtim. Duke lexuar vetëm vargjet fundit :“ Çdo fe duhet të bashkohemi/qi t’na lirohet vatani/hall të madh duhet të kemi/qi t’ na hyqet sysh dushmani…Kuptimi i këtij vargu është i ngjashëm me aksiomën e Vaso shkodranit :” Feja e shqiptarit, shqiptaria”. Mesazhi i tij qartazi bënë thirrje për largimin e sunduesit otoman. Një pjesë tjetër e  krijimtarisë së Zenel Bastarit  janë portret. Kushtuar vllahut të tij. Në krijime të ndryshme strofa të ndryshme dhe humoristike Zenel Bastari përdor  një stil i këndshëm .Vargje plot me humor e sarkazëm. Kështu në krijimet “Ali bej Qorri”,Hysen ag Jellës, usta Likë Calit, Kryeusta Adem Syllit, Selim pashë Toptanit, Disa tregtarëve të vegjël, disa mullixhinjve në breg të lumit etj. Krijimtaria e Zenel Bastrait është njohur ndër tiranësit e vjetër. Ata i përdornin bejtet e tij në gëzimet dhe zijafetet apo hidhërimet. Emri i Zenel Bastarit ka qarkulluar me kohë  në Tiranë. Bejtet e tij plot mençuri kanë gjetur vend nëpër ahengjet e shtëpive të vjetra të Tiranës së dikurshme. Emri i tij përmendet edhe ndër ata krijues humoristë, që kanë pasur talent  të padiskutueshëm .Fakti, që këto krijime  edhe sot gjejnë vend tregojnë  se forcën talentit të Zenel Bastarit. E gjithë kjo krijimtari do të kishte humbur nëse nuk do të kishte bota njerëz të përkushtuar  si hafëz Ibrahim Dalliu, Ibrahim Hasnaj apo Zyber Bakiu që kanë ruajtur apo publikuar të dhëna  e krijimtari nga puna kolosale e Zenel Bastarit. Botimet për këtë figurë sipas të dhënave që ka  ruajtur Hima janë në vitet 1961, buletini i shkencave shoqërore. 1972 ,revista “Nëntori’ me autor Zyber Bakiun.  Bihiku: Histoire de la littérature albanaise. Tiranë: 8 Nëntori. 1980.Robert Elsie: Historik të letërsisë shqiptare. Pejë: Dukagjin. 1997. Zenel Bastari humori therës i Tiranës Dita 2002. Botimi i vitit 2003 me autorë Ibrahim Hasnaj, nga shtëpia Argeta LMB,Tiranë.

Trajtimi. Në shumë prej botimeve Zenel Bastari është trajtuar si poet bektashi. Në fakt në veprën e tij shquhet frymëzimi panteist i cili në atë kohë ishte më i adhuruari. I këtij frymëzimi është Naim Frashëri që siç  e shqyrtuan më sipër ata kandilin ndiznin tek tarikati bektashi, një tarikat mistik, që pati përhapje të gjerë në vendin tonë sidomos në Shqipërinë  mesme dhe në jug të saj,nëpërmjet dervishëve . Shumë prej tyre kur binin në ekstazë me Zotin thurnin këngë e gazele të shkëlqyera që ua kalonin edhe poetëve më të mëdhenj. Prej kësaj grimce mistike është frymëzimi i Zenel Bastarit. Madje kemi edhe grumbulluesin e veprës se tij është Ibrahim Hasnaj është dervish nderi bektashi. I kësaj grimce është Naimi, Baba Ali Tomori dhe një varg dervishësh, myhibësh,që shkruanin, përkthenin letërsi kryesisht nga autorët orientalë.

Lirikat e Bastarit janë të ngopura me frymëzim  mistik që  zhvillohet , studiohet më tepër te  udhët shpirtërore. Zenel Bastari përmendet ndër bejtexhinjtë të shquar citojmë nga letërsia e bejtexhinjve këto radhë:”Ndër bejtexhinjtë, më kryesorë po përmendim Nezim Frakullën, Sulejman Naibin, Dalip e Shahin Frashrin, autorë të dy historive fetare të vjershëruara, Hasan Zyko Kamberin, Zenel Bastarin, Tahir Gjakovën etj. Shumë i njohur u bë edhe Murat Kyçyku (Cami)…

“Poezisë së Hasan Zyko Kamberit e madje asaj të Nezim Frakullës nuk i mungon kritika
sociale, sikundër e pamë, por duhet të vijmë te poeti bektashi Zenel Bastari që të gjejmë
shprehjen e parë të vërtetë ideologjike të vetëdijes sociale në letërsinë e bejtexhinjve”. Pjesë nga libri: histori e letërsisë shqiptare, Autor Robert Elsie.Përkthyer nga origjinali anglisht “History of Albanian Literature (1995)” nga Abdurrahim Myftiu, Botuar, Tiranë (1997).

*Msc.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bejtet e Zenel Bastarit, kane gjetur vend, ne ahengje, Tirane

Promovohet në Detroit dokumentari mbi librin “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi Shqiptarët”

February 15, 2014 by dgreca

Promovohet në Detroit dokumentari mbi librin “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi Shqiptarët” me titull “Rrugëtimi i një libri nëpër botë” të Prof.Dr. Nusret  Pllanës/

Nga Pjetër Jaku/

Prej vitit 2001, që kur doli në qarkullim  libri i parë “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi Shqiptarët” të Prof. Dr. Nusret Pllana , ish ushtar i UCK-së dhe një nga organizatorët dhe Redaktorët  e Radios së Luftës së kësaj Ushtrie, ka pasë një lëvizje promovuese në afro 40 qendra më të njohura evropiane dhe botërore, nga Kosova, Shqiperia, Maqedonia e deri në Amerikën mike, Kanadanë e Australinë e largët, si;  Prishtinë, Tiranë, Shkup, Tetovë, Gjenevë, Cyrih, Lugano, Paris, Lion, Vjenë, Oslo, Stoklholm, Budapest, Jovik, Katovicë, Ankara, Stamboll, Bursa, Izmir, Romë, Shtutgart, Dortmund, Singen, Hechingen, Nyrnberg, Hamm, Heidelberg, Mynhen, Ludvigsburg, Heslingen, Phorzheim, Helsinki, Toronto, Berri, New York, Washington, Detroit, Melbourne, etj.

Në të gjitha këto levizje të këtij libri, i cili është një denoncim i veçantë i masakrave të serbëve kundër një populli të paarmatosur e të pambrojtur, siç ishin shqiptarët e Kosovës martire.Promovimi i këtij  dokumentari “Rrugëtimi i në libri nëpër botë” në Detroit u realizuar me  07 shkurt 2014, në Qendrën e Shën Palit, tashmë e njohur në diasporën shqiptare për aktivitetin e saj patriotik prej më shumë se katër dekadave, organizuar nga Dega e Vatrës në Detroit dhe Këshilli i Kishës së Shën Palit.

Promovimi u shoqërua me një diskutim të shkurtër të veprës “Terrori I Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999” ( për shtesat e bëra prej më shumë se  120 faqeve dhe rreth 550 fotografive rrënqethëse realizuar në 7 gjuhë: shqip, anglisht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht e maqedonisht), nën moderimin e  Sekretarit të Degës së Vatrës për Detroitin, Mondi Rakaj. Në fillim përshëndeti Don Fran Kola, i cili theksoi rëndësinë që kanë promovime të tilla, për t’ua bërë  sa më shumë të njohur botës së civilizuar se çfarë masakrash deri në shkallë gjenocidale kanë bërë  manjakët e stepave ruse ( serbët ) ndaj një populli të pambrojtur të Kosovës. Më pas përshëndeten dhe folën për librin Mikel Demaj, Kryetar i Shoqatës “Kosova” për Detroit, Luigj Gjokaj ish Kryetar i Fondacionit të njohur “ Vendlindja Thërret”, si dhe autori i librit Prof. Dr. Nusret Pllana.

Dr.Pllana ndër të tjera tha, se; këto janë të veçantat e ribotimit të pestit të librit tim, përkatësisht librit të shqiptarëve, të cili defacto  e kanë shkruar më tepër se gjysëm milioni shqiptarë të vrarë barbarisht nga bishat karpatiane serbe janw: Emrat e rreth 100 fëmijëve të vrarë shqiptarë në mes të viteve 1981-1999, Lista e emrave të 330 kriminelëve serbë që kanë vrarë, dhunuar e masakruar shqiptarë gjatë vitit 1999, Masakra e Izbicës, Masakra e Korishës, Dëbimi për në Bllacë, Masakra e Bujanit(1912), Masakra e Kabashit e Korishës, Masakra e Konjuhit(1924), Masakra e Therandës(ish Suharekës), Masakra e Studimes, Masakra e Paklekut, Masakra e Kaçanikut, 1998/1999, Masakra e Hanit të Elezit, Masakra e Klinës me rrethinë, Lista e të vrarëve në Malishevë e Gjakovë, Lista e të vrarëve në Skënderaj, Lista e të vrarëvë e të masakruarëve në Rahovec me rrethinë,  si dhe Kapitulli i fundit i librit titullohet “Të Tjerët për Librin…”, në të cilin janë 21 kumtesa, recensione, komente dhe vlerësime të dhejtra publicistëve, shkrimtarëve, diplomatëve, ambasadorëve e historianëve me famë evropiane e botërore, si; Pierr du Pasquier(Lugano), Prof.dr.Fredy Morle(Singen), Joran Vassenius(Stockholm), Prof.dr.Gyorgy Reti(Budapest), Mustafa Kabakxhi(Ankara), Fahredin Guleler(Bursa), Melek Aras(Stamboll), Angela Cerruti(Romë), Prof.dr.Gilda Sensales(Universiteti La Sapienza – Romë), Prof.dr.Peter Morgan( Universiteti  Sidney – Australi), Prof.dr.Erik Loga (Melbourne – Australi), Thomas Nydall(Stockholm), Prof.dr. Tue Magnusson(Kopenhagë), Ullmar Qvick(Stockholm), Glibert Gardes(Paris), Andreas Westman(Stockholm), etj.

Për anën teknike të shfaqjes së filmit ndihmoi kryetari i Këshillit të Kishës së Shën Palit , aktivisti Kolë Gjokaj. Pas  filmit,  të pranishmit patën mundësinë të pyesin autorin, për projektin e denoncimeve të tjera në dhunimin e të drejtave të shqiptarëve në Malësinë nën Mal të Zi, Preshevën, Çamërinë etj. Ish i burgosuri për aktivitetin e  tij patriotik, Rrok Dedvukaj u ndalua shumë për këtë problem.

Dega e Vatrës së Detroitit i dorëzoi Prof. Dr. Nusret Pllanës një mirënjohje për veprën e tij në lidhje me denoncimin e terrorit serb, të cilin ia dorëzoi aktivisti i njohur në komunitetin shqiptar të Detroitit si dhe një nga vatranët më të vjetër, Julian Çefa.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Mondi Rakaj, Nusret pllana, Pjeter Jaku, promovohet ne Detroit, Terrori kunder Serbise

Me ekspozitën “Marubi” nisin festimet zyrtare të 6 vjetorit të Pavarësisë

February 15, 2014 by dgreca

B.Jashari/.-Në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap mbrëmë ekspozita “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, organizuar në bashkëpunim me Fototekën Kombëtare Marubi në Shkodër. Kjo ekspozitë, që sjell në Prishtinë rreth 250 fotografi, ka shënuar edhe fillimin e zbatimit të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Kosovë – Shqipëri dhe të festimeve zyrtare për 6 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Një ditë para hapjes së ekspozitës në Prishtinë, ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi, dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi, nënshkruan në Tiranë Protokollin e Bashkëpunimit në fushën e Kulturës, me të cilin edhe u themelua Kalendari i Përbashkët Kulturor. Mes shumë pjesëmarrësve në hapje të ekspozitës, ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi, tha se “Kosova e Shqipëria po shënojnë hapa të rinj në bashkëpunimin kulturor”. “Ekspozita që ne përurojmë sot së bashku, është për disa arsye një ngjarje e veçantë. Dje ne ishim në Tiranë nga Shqipëria dhe nga Kosova jo thjesht dy politikanë, siç kemi bërë këto muaj mes kabineteve tona, por njerëz të artit dhe të kulturës, njerëz të institucioneve të artit e të kulturës të Kosovës dhe Shqipërisë. Sot jemi në Prishtinë për të hapur ngjarjen e parë të këtij kalendari, në pak orë në pak kilometra, por me shumë zemra”, u shpreh Kumbaro-Furxhi. Ministrja shqiptare e Kulturës tha se Fototeka Marubi, do të kthehet në një muze, i cili do të jetë një institucion shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare. Ministri i kosovar i Kulturës, Memli Krasniqi, tha se ekspozita Marubi është një nga ngjarjet më të veçanta kulturore në Kosovë, aq më tepër që ajo shënon edhe fillimin e Kalendarit të Përbashkët Kulturor. “Marubi është një rrëfim shumëdimensional për kombin shqiptar, pasi paraqet vlerat artistike e po ashtu edhe mënyrën e të jetuarit nëpër breza. Gjithë koleksioni prej qindra mijëra fotografive është një trashëgimi në vete për ne”, theksoi ai.

Ekspozita “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi” është kuruar nga Luçjan Bedeni dhe Zef Paci dhe hapur në kuadër të programit zyrtar të festimeve të 6 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në kryeqytetin e Kosovës ekspozita do të qendrojë e hapur deri në 14 mars. Në organizim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë dhe qytetet e tjera kosovare, si dhe në të gjitha ambasadat e Kosovës në botë, do të organizohen aktivitete me rastin e Ditës së Pavarësisë. Manifestimet zhvillohen nga 14 deri në 17 shkurt 2014. Sot, në Muzeun e Kosovës do të çelet ekspozita “Shkatërrimi i Trashëgimisë Kulturore në Kosovë 1998-1999” . Në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës në botë organizohen pritje për trupin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse, ndërsa në Prishtinë mbahet koncerti i tenorit Agim Hushi.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: marubi, nis festimet, te Pavaresise, zyrtare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 348
  • 349
  • 350
  • 351
  • 352
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT