-Albanian Excellence dhe ATSH, me mbështetjen e bashkisë së Vlorës, çelin sezonin turistik me projektin “Vlora ime”-/
Nga Harilla Koçi/- Albanian Excellence dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare, me mbështetjen e bashkisë së Vlorës, do të organizojnë nga data 9-10 maj projektin “Vlora ime”, një projekt i cili do të evidentojë historitë e suksesit të qytetarëve vlonjatë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në vende të ndryshme të botës.
Në një në takim që presidentja e Albanian Excellence, Flora Nikolla dhe stafi i AE-së zhvilluan të shtunën në Vlorë me kryetarin e bashkisë, Shpëtim Gjika, u konfirmua realizimi i këtij projekti në ditët e çeljes së sezonit turistik, një ngjarje e rëndësishme për qytetin bregdetar në jug të vendit, i cili gjatë stinës së verës shndërrohet në kryeqendrën e pushimeve jo vetëm për shqiptarët, por edhe qytetarët e vendeve të rajonit, Evropës dhe më gjerë.
Kalendarit të ngjeshur të aktiviteteve në çelje të sezonit veror, kryebashkiaku i Vlorës ka vendosur që t’i bashkangjisë edhe projektin “Vlora ime”, i cili përfshin botimin e librit “Vlora- histori suksesi 2014”, organizimin e lëvizjes qytetare me protagonistë qytetarët e suksesshëm vlonjatë në botë si dhe organizimin e mbrëmjes Gala, ku vetë personazhet në libër do të jenë protagonistë të asaj mbrëmje.
Kryebashkiaku Gjika, duke mbështetur projektin “Vlora ime”, e konsideroi me rëndësi realizimin e tij në ditët e çeljes së sezonit turistik, ndërsa vlerësoi kontributin që Albanian Excellence dhe ATSH jep në evidentimin e suksesit shqiptar në botë si një pjesë e rëndësishme e integrimit të Shqipërisë.
Në të njëjtën kohë, Albanian Excellence është duke punuar për realizimin e projektit “Si dje dhe sot në Fier”, i cili do të zhvillohet në datat 2-3 maj në qytetin në qendër të Shqipërisë, që njihet si simbol i bashkëjetesës mes vendasve dhe shqiptarëve të ardhur nga treva të ndryshme, Çamëria, Kosova, etj.
Ashtu si “Vlora ime”, projekti “Si dje dhe sot në Fier” që do të konkludojë me botimin e librit “Fieri- histori suksesi 2014”, realizimin e lëvizjes qytetare me protagonistë qytetarët e suksesshëm fierakë si dhe organizimin e mbrëmjes Gala, ka gjetur mbështetjen e kryebashkiakut Baftjar Zeqaj.
“Albanian Excellence” u krijua në vitin 2012 si një organizatë jo fitimprurëse, e cila në programin e saj afatgjatë ka krijimin e një database të shqiptarëve nga të gjitha trevat, të cilët në vendet ku kanë emigruar kanë shënuar arritje të larta profesionale. Fusha e veprimtarisë së Albanian Excellence shtrihet në studime, botime, promovime, aktivitete kulturore, shkencore, artistike, etj; në takime, simpoziume, konferenca si dhe çdo aktivitet tjetër që lidhet me qëllimet e saj.
“100 histori suksesi në 100 vjetorin e Pavarësisë” ishte botimi i parë që Albanian Excellence, me mbështetjen e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, promovoi në nëntor të vitit 2012, si asnjëherë më parë, në një mbrëmje Gala në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Të paktën 50 shqiptarë të suksesshëm në botë, pjesë e botimit “100 histori suksesi në 100 vjetorin e Pavarësisë” ishin protagonistë të asaj mbrëmje që u transmetua në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar.
Me sukses, Albanian Excellence organizoi në pranverën e vitit të kaluar edhe aktivitetin “Përgjithnjë Berat”, një lëvizje tipike qytetare që u kurorëzua me librin “Berati- Histori suksesi” dhe me një mbrëmje Gala, protagonistë të së cilës ishin personazhet e librit të cilët erdhën në vendlindjen e tyre enkas për këtë event. Aktiviteti gjeti një përkrahje të madhe nga qytetarët berates, sikundër u pasqyrua gjerësisht në median lokale dhe kombëtare.
Gjatë muajve të fundit, Albanian Excellence ka marrë përsiper lëvizjen qytetare mbarëkombëtare “Për sot dhe nesër”, e cila synon të sensibilizojë qytetarët në përdorimin e biçikletave, në mbrojtje të mjedisit, si dhe ndërtimin e rampave që do të lehtësonin lëvizjen e e invalidëve. Deri më tani kjo lëvizje është organizuar me sukses në Vlorë, Pogradec dhe Fier dhe imazhi i saj është aktori i njohur, Ardian Cerga.